Dëshmia që i dha siguri Pavarësisë së Kosovës
____
Në njëzetvjetorin e shkuarjes në Amshim të Mark Sopit, Ipeshkvit të Kosovës, rikujtojmë një moment vendimtar të historisë sonë moderne: dëshminë e dhënë në Washington, në maj të vitit 2005, vetëm pak muaj para se ai të ndahej nga kjo botë.
Si Imzot i Kishës Katolike shqiptare, Mark Sopi dha jo vetëm fjalën, por garancinë morale se Kosova i përkiste Evropës dhe se pavarësia e saj ishte një e drejtë, jo një rrezik. Në maj të vitit 2005, në Kongresin Amerikan në Washington, u dëgjua një zë që nuk vinte nga politika, por nga shpirti i një kombi të plagosur: zëri i Kishës Katolike shqiptare.
Ipeshkvi i Kosovës, Mons. Mark Sopi, dhe Dom Lush Gjergji, dëshmuan para Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, duke sjellë para botës së lirë dhimbjen dhe të vërtetën e Kosovës.
Ky akt përmbysi propagandën serbe që përpiqej ta paraqiste Kosovën si “problem islamik” në Evropë. Përballë kësaj sfide, dy përfaqësues të Kishës Katolike dëshmuan se Kosova është pjesë e natyrshme e Evropës, me rrënjë të lashta kulturore e shpirtërore.
“Ne nuk mund të jetojmë në frikë e pasiguri të përhershme. Zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia.”

Mons. Mark Sopi “Kosova është ende e plagosur, jo vetëm në infrastrukturë, por në shpirtin e saj. Vetëm pavarësia mund të garantojë një të ardhme të lirë e të sigurt.” Dom Lush Gjergji Dëshmia e Kishës Katolike i dha SHBA-së dhe Evropës garancinë morale që Kosova kishte nevojë. Pa këtë zë, rruga drejt pavarësisë do të ishte shumë më e pasigurt.
Amerika pranoi të garantonte pavarësinë vetëm si Kosovë shqiptare, evropiane dhe demokratike, e kurrsesi si një projekt islamik. Në atë kohë, rryma të huaja islamiste, të mbështetura edhe nga individë vendorë, po përpiqeshin të shfrytëzonin plagët e luftës për të deformuar identitetin e Kosovës dhe për ta paraqitur atë si një shtet mysliman në zemër të Evropës.
Pikërisht dëshmia e Kishës në Washington i hoqi çdo bazë kësaj narrative dhe e shfaqi Kosovën si pjesë organike të familjes perëndimore. Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 nuk kuptohet pa këtë moment. Diplomacia dhe lufta dhanë themelet, por fjala e Kishës e paraqiti Kosovën para botës si kauzë të drejtash, lirie dhe identiteti evropian.
Sot, në frymën e Lëvizjes për Rikthim, themi se në Washington, më 2005, nuk foli vetëm
Ipeshkvi Sopi e Dom Lush Gjergji, po foli ndërgjegjja e një kombi të lashtë, që kërkonte të kthehej në familjen e vet natyrale: Evropën.


