
ATHUA PSE DISA HOXHOLLARË SHKUAN NË UÇK?
Disa hoxhallarë kanë marrë pjesë në luftërat çlirimtare të UÇK-së në Kosovë e Maqedoni. Kjo është fakt dhe askush nuk e mohon. Por pjesëmarrja në luftë nuk e përcakton domosdoshmërisht vetëdijen kombëtare apo bindjet ideologjike të dikujt.
Ka raste kur bindjet fetare të forta nuk burojnë nga ideja e kombit, por nga ndarja fetare dhe nga urrejtja që ajo mund të prodhojë ndaj “tjetrit”. Në një konflikt të ashpër, kjo urrejtje nuk do të kursente askënd: as shqiptarët e krishterë, madje as shqiptarët myslimanë që nuk e praktikojnë fenë sipas standardeve të tyre.
Prandaj duhet bërë dallimi: pjesëmarrja në luftë mund të jetë akt trimërie personale, por kjo nuk e zgjidh automatikisht çështjen e orientimit kulturor e kombëtar. Kombi nuk ndërtohet mbi përjashtime fetare, por mbi përkatësinë e përbashkët, mbi gjuhën, historinë dhe kulturën që na lidh të gjithëve.
Një arsye tjetër pse disa hoxhallarë u përfshinë në radhët e UÇK-së lidhet me përpjekjen për ta orientuar luftën edhe në një kornizë fetare dhe për të krijuar ura komunikimi me rrjete apo shtete të botës islame. Përmes këtij roli synohej që lufta çlirimtare të fitonte mbështetje nga vendet islamike dhe, në disa raste, të paraqitej si pjesë e një solidariteti më të gjerë fetar. Megjithatë, ky projekt nuk arriti të përcaktojë karakterin e luftës së UÇK-së. Lufta në Kosovë mbeti në thelb një përpjekje kombëtare për liri dhe vetëvendosje, e mbështetur nga një shoqëri shqiptare pluraliste, ku identiteti kombëtar qëndroi mbi çdo interpretim fetar. Ndërsa po të ndodhte ndryshe ne do të kishim qindra mijëra viktima njësoj si në Bosne ku motoja e luftës u bë “Tekbir – Allahu Ekber”.
Nëse nuk i kuptojmë këto dallime, rrezikojmë që sakrificat e luftës të përdoren si mbulesë për ideologji që në thelb e relativizojnë identitetin shqiptar. Kombi duhet të jetë mbi çdo ndarje tjetër.


