Teneqe milet po na thonë.
Po flisja me vorret e Jasharajve në natën e zjarreve:
— Gjaku juej e çliroi Kosovën, por jo edhe kokat tona të mjera. Jo edhe shpirtin tonë të robnuem, as zemrat e shituna, as sytë e untë. Jemi ba si teneqja; – ma shpejtë ftofemi se sa nxehemi!
– Teneqe milet po na thonë!
Shqiptari e paska ma të lehtë me çlirue tokën se sa me çlirue vetveten!
Para se t’lulëzojnë lulëkuqet e gjakut, lulëzoi hajnia, lakmia e hakmarrja, sikur toka të mos kishte pi mjaft gjak, por të kërkonte edhe turpin e të gjallëve.
Juve që na çliruet iu mori Zoti, (se Zoti i don të mirët për vete), që t’mos shihni se çka po bahet me andrrat tueja. E këta që hipën në karrigen e të parit, falë gjakut tuej, nuk menduen për gjakun as për dheun; menduen për xhepin, për fytin e për barkun.
– Kur njeriu fillon me mendue vetëm për barkun, ai harron se atdheu nuk asht plaçkë, por amanet.
E shihni kush janë këta, që mbajnë postët si tapitë e babës?
– Mashtrues, dilinxhij, falltorë e tuxharë.
– E shesin njani-tjetrin, e blejnë njani-tjetrin, e mashtrojnë e e tradhtojnë njani-tjetrin — në emën të patriotizmit, të atdhedashunisë, të frymës politike e të votës së popullit. Fjalët e mëdha u shërbejnë si petka për me mbulue shpirtin e nxirë.
E populli fryn e shfryn si veriu, tue hedhë borë herë mbi Presidentën e herë mbi Kryeministrin, e në fund ngrin. Akull bahet populli i mjerë që s’din kujt me i besue, kur të gjithë dolën mashtrues, lakmues, poshtnues, dinakë e dilinxhij. E kur njeriu humb besimin, ai fillon me e mallkue edhe fatin e vet:
— Po digjem unë, le të digjet edhe Kosova, shfryhen e zgërdhihen!
Nji ditë do t’thonë: ishin dy atllarë që ia nisën me lëvrue bashkë, por njenit iu sos tagjia e tjetrit i ranë nallçet. Filluen me shkelmue shoqi-shoin, tue harrue se ujku po priste me hangër të parin që do të rrëzohej.
Ja kush janë dy atllarët e pushtetit tonë. I deshtëm, i votuem, i lavdëruem, i përkrahëm, e në fund syni i keq i pa dhe i ndau. Populli u ba akull prej marazit dhe e mallkoi vetveten që u mashtrue njëherë, dy herë e tri herë.
E tash ç’të themi tjetër, pos kopallave të thata: “Hajt se e ban Zoti mirë!”
Jo!
Njeriu e ban mirë.
Por pyetja që rri pezull mbi këtë tokë asht ma e randë se çdo përgjigje:
Ku ta gjejmë njeriun e mirë?
07.03.2026


