A është sot Vjosa Osmani vaksina kundër përhapjes së mortajës politike Kurtiane, sikurse gjatë Perandorisë Osmane që ishte Gjon Nikollë Kazazi kundër përhapjes të mortajës me metodën “helm kundër helmit”?
Në romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit përshkruhet një episod i rëndë nga koha e përhapjes së mortajës. Pushtuesit osmanë, për ta nënshtruar popullatën, shpërndanin minj të ngordhur e të sëmurë për të infektuar sa më shumë njerëz me sëmundjen e mortajës. Aq sa zyrtarët e Perandorisë Osmane mbanin shënime për rritjen e numrit të planifikuar të të infektuarve ndër shqiptarë, duke pritur që kjo fatkeqësi ta dobësonte dhe ta nënshtronte popullin.
Por ndodhi diçka që ata i dëshpëroi.
Kur prisnin që numri i të infektuarve të rritej edhe më shumë, ai filloi të bjerë.
Sepse prifti shqiptar Gjon Nikollë Kazazi organizoi në heshtje një kundërveprim.
Ai, së bashku me priftërinj të tjerë shqiptarë, mori dregëzat – materialin, lëngun nga plagët e një të sëmuri nga mortaja – dhe e vendosnin në një prerje të vogël në lëkurën e një personi të shëndetshëm, me qëllim që ai të kalonte një formë më të lehtë të sëmundjes dhe të fitonte imunitet.
Ishte metoda “helm kundër helmit”, një mënyrë për t’i bërë ballë mortajës dhe për ta ndalur përhapjen e saj.
Historia na mëson se çdo mortajë, sado e fuqishme të duket, një ditë përballet me kundër-reaksionin.
Sot Kosova, edhe pse gjendet në kulmin e një krizë të re politike, duket se po përballet pikërisht me këtë kundër-reaksion.
Vjosa Osmani, që doli nga substrati i kësaj bashkëqeverisjeje me Albin Kurtin, nuk u rizgjodh nga ai, presidente. Kështu përplasja me bashkëpunëtorin e saj tashmë është bërë e hapur dhe shumë shpejt mund të bëhet edhe më e ashpër dhe vdekjeprurëse për “mbretërinë” e Kurtit.
Sot Kuvendi është i shpërndarë dhe priten zgjedhje të reja. Vetëm gjatë vitit 2025 Kosova ka kaluar katër procese zgjedhore, së shpejti do të jetë i pesti.
Monarku Kurti donte të arrinte në 500 mijë zemra dhe arriti mbi 51% të votave, por prapë ishte i pakënaqur, sepse synonte pushtim të plotë, si xhaxhi Enver dhe shoku Mao.
Edhe pse i armatosur rëndë me pushtet, ai nuk arriti – ose nuk deshi – të ndërtojë institucione stabile shtetërore, por e ka mbajtur vendin në një cikël të pafund krizash, bllokadash dhe zgjedhjesh – ato që di t’i bëjë më së miri.
Ashtu sikur Perandoria Osmane që nuk ngopej me rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve, edhe kjo “perandori politike kurtiane” nuk dukej se ngopej me rritjen e numrit të elektoratit – shpesh të mashtruar me populizëm, të manipuluar me taktika makiaveliste, apo të blerë me buxhetin e shtetit.
Por historia tregon se edhe këto mortaja politike kanë një moment kur fillon rënia e tyre.
Siq duket pikërisht tani po shfaqet ai kundër-reaksion, ai “helm kundër helmit” – që mund ta ndalë këtë cikël krizash dhe manipulimesh dhe ta kthejë politikën e Kosovës në një ekuilibër më normal.
Asgjë nuk keni parë çka keni me parë!



