Ka diçka pothuajse poetike në mënyrën si një pjesë e opinionit publik shqiptar zgjohet papritur me një dhembshuri të thellë… për Iranin.
Po, Iranin.
Një shtet mijëra kilometra larg, pa asnjë lidhje emocionale, historike apo strategjike me Shqipërinë, por që, për arsye misterioze, na paska hyrë në zemër. Aq sa një rezolutë simbolike në Kuvend mjafton për të shkaktuar një shpërthim moral, sikur po bëhej ndonjë padrejtësi historike ndaj një “të pafajshmi”.
Çfarë ndodhi kështu papritur? U zbuluan fakte të reja për Iranin që bota nuk i di? Apo thjesht u aktivizua butoni i vjetër: “Nëse Perëndimi thotë diçka, ne duhet të dyshojmë”?
Sepse le të jemi seriozë për një moment.
Këta nuk janë njerëz që janë ulur dhe kanë bërë një analizë të thellë të politikës së jashtme iraniane. Nuk janë studiues të Lindjes së Mesme. Nuk janë as të interesuar realisht për Iranin.
Janë thjesht të interesuar për një gjë: të jenë kundër.
Kundër kujt? Nuk ka shumë rëndësi. Mjafton që në një anë të jetë SHBA apo BE, dhe loja është e qartë. Instinkti ndizet: “prit, këtu ka diçka”. Dhe papritur, Irani shndërrohet në viktimë.
Jo sepse dikush e ka analizuar si të tillë. Por sepse është në anën “tjetër” të hartës ideologjike.
Ironia? Paj, po të ishte e kundërta, po të kishte ardhur një rezolutë që e mbronte Iranin, PO këta njerëz do ishin të parët që do bërtisnin për “shitur tek lindja”, “turp kombëtar” dhe “poshtërim ndërkombëtar”.
Parimet janë fleksibël. Refleksi është konstant.
Dhe pastaj fillon repertori klasik: jo “po pse vetëm Irani?”
“Po të tjerët?”. “Po standardet e dyfishta?”
Këto nuk janë pyetje për të kërkuar drejtësi. Janë justifikime për të mos marrë qëndrim për asgjë. Sepse relativizimi është streha më komode: nëse të gjithë janë njësoj të këqij, atëherë askush nuk meriton të kritikohet. Dhe kështu nuk ke nevojë të mbash përgjegjësi për asnjë qëndrim.

E thënë ndryshe: konfuzion i paketuar si mençuri.
Dhe në fund, mos ta harrojmë elementin më të dashur të debatit shqiptar: Edi Rama. Sepse, le ta pranojmë, për një pjesë të mirë, kjo nuk ka asnjë lidhje me Iranin. As me terrorizmin. As me politikën ndërkombëtare. Ka lidhje me një gjë shumë më të thjeshtë: “çfarëdo që bën Rama, është gabim”.
Në këtë ekuacion, Irani është thjesht dekor. Një figurant në një teatër ku skenari është shkruar prej kohësh.

Pra jo, nuk është se “u dhimbset Irani”.
Është thjesht ajo që ndodh kur refleksi ideologjik, oportunizmi politik dhe dëshira për të qenë gjithmonë kundër bashkohen në një koktej të njohur shqiptar.
Dhe për një moment të shkurtër, shumë të shkurtër…
…ne bëhemi mbrojtësit më të zjarrtë të një regjimi që, po të ishte temë tjetër, do e dënonim pa u menduar dy herë.
Ironi? Jo.
Është hipokrizi e zhveshur, që ulërin me bindje dhe pret të merret seriozisht. Po pres tani Irani të ngrihet në këmbë dhe të na falënderojë publikisht për këtë valë të papritur solidariteti shqiptar. Se hipokrizia shqiptare ka kaluar çdo kufi logjik po se po.
Mizerje!



