Burimi : Revista finlandeze “Eeva”, 1 janar 1936, faqe n°10

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Prill 2026
“The Evening Post” ka botuar, të shtunën e 6 qershorit 1936, në faqen n°29, historinë e rrallë të një koleksionisti autografësh me Mbretin Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Gjuetia e autografëve

Burimi : The Evening Post, e shtunë, 6 qershor 1936, faqe n°29
Disa përvoja interesante të një koleksionisti autografësh jepen në revistën “Windsor Magazine” nga Michael Raitchevitch, i cili pretendon se zotëron në dy vëllime të çmuara firmat e 13 mbretërve, 10 presidentëve, shumicës së kryeministrave të gjallë në botë dhe 30,000 personave të tjerë të famshëm.
“Asnjëherë,” thotë ai, “nuk është treguar më qartë njerëzillëku i thjeshtë i një mbreti sesa në takimin tim me Mbretin Zog të Shqipërisë, i cili rastësisht është i interesuar për autografet. Mbreti Zog e shqyrtoi koleksionin tim me vëmendje eksperti dhe u kthye vazhdimisht te firma e Presidentit von Hindenburg.”
“Oh, çfarë firme !” tha mbreti, duke treguar vijat e guximshme e të trasha, drejtimin krejtësisht të drejtë dhe harkimin e bukur piktoresk. “A përdori Presidenti një stilolaps të veçantë?”
“Ai përdori një pendë, Madhëria Juaj,” u përgjigja unë, i kënaqur që gjeta një monark që ndante admirimin tim për shembullin më të jashtëzakonshëm të kaligrafisë në albumin tim, “përndryshe ai nuk do të mund të bënte ato harkime të trasha.”
“Atëherë,” deklaroi Mbreti Zog, “duhet të firmos me pendë.” Ai thirri një shërbëtor, i cili tha se nuk kishte një të tillë në pallat.
Në fillim Mbreti Zog u argëtua ; pastaj humbi durimin.
“Duhet të kem një pendë,” këmbënguli ai, duke refuzuar stilolapsin që i ofrova.
“Lëre albumin tënd tek unë,” tha ai, “dua t’ia tregoj familjes sime.” Natyrisht pranova, dhe për herë të parë pas 20 vitesh albumet e mia të autografeve dolën nga zotërimi im për dy ditë. Arsyeja e vërtetë e kërkesës së mbretit ishte, siç e dyshoja, se ai kishte vendosur të firmoste me pendë ose hiç fare, dhe një zyrtar i oborrit më tha më vonë se një pendë e veçantë iu dërgua me aeroplan nga Roma në pallatin e Mbretit Zog.
Pas gjithë këtij mundimi, pena mezi i përshtatej mbretit, dhe “Zog”-u i shkarravitur në albumin tim ofron më pak interes se Hindenburgu për studiuesit e kaligrafisë. Marshalli 80-vjeçar firmosi ashtu sikur do të udhëhiqte një betejë, me një rrotullim të vërtetë luftarak të pendës, të mbajtur fort mes gishtave të tij të shkurtër e të trashë.
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/the-evening-post-1936-historia-e-rralle-e-koleksionistit-te-autografeve-me-mbretin-zog/.


