Dr. Sadri Ramabaja, Prishtinë
Në thelb, opozita nuk po flet më për alternativë qeverisëse, por për pamundësimin e funksionimit normal të shtetit nëse qytetari nuk voton sipas preferencave të saj. Kjo është një rrëshqitje serioze nga demokracia përfaqësuese drejt një logjike obstruksioniste, ku humbja zgjedhore tentohet të kompensohet përmes paralizimit institucional. Kur një ish-presidente paralajmëron publikisht krizë dhe zgjedhje të njëpasnjëshme si instrument presioni politik, ndërsa një figurë e lartë e PDK-së flet për “përmbysje të rendit kushtetues” pa ofruar asnjë provë konkrete, kemi të bëjmë me prodhim të qëllimshëm të frikës politike dhe me normalizim të gjuhës së destabilizimit.
Më problematikja në këtë qasje është fakti se opozita po përpiqet ta paraqesë bllokimin si akt patriotik dhe si “mbrojtje të demokracisë”. Kjo është një përmbysje klasike e kuptimeve politike. Demokracia nuk mbrohet duke refuzuar pjesëmarrjen institucionale, as duke bojkotuar votimin, e aq më pak duke paralajmëruar mosfunksionalizim të Gjykatës Kushtetuese apo krizë të qëllimshme parlamentare. Në fakt, një opozitë që deklaron paraprakisht se nuk do ta njohë funksionalitetin institucional në rast të humbjes së saj, po e zhvendos veten nga roli i opozitës demokratike në një subjekt pengues të rendit kushtetues.
Deklaratat e Hoxhajt janë veçanërisht simptomatike për krizën konceptuale të opozitës tradicionale kosovare. Kur ai flet për rrezikun e ndryshimit të sistemit politik “brenda dy ose tri ditësh”, pa asnjë bazë juridike apo institucionale reale, kemi të bëjmë më shumë me narrativë apokaliptike sesa me analizë politike. Kjo gjuhë nuk synon debat racional publik, por mobilizim emocional përmes frikësimit kolektiv. Në vend se të ndërtojë alternativë programore, opozita po ndërton skenarë katastrofikë, duke tentuar ta delegjitimojë paraprakisht çdo rezultat që nuk i shkon për shtati.
Në plan më të gjerë, kjo sjellje dëshmon krizën e thellë të elitave të vjetra politike në Kosovë. Përballë një elektorati që vazhdon t’i japë mbështetje të fuqishme Vetëvendosjes, opozita duket se ka hequr dorë nga beteja për bindje demokratike dhe po investon në strategjinë e konsumimit institucional të kundërshtarit. Mirëpo, kjo është një strategji me pasoja serioze për vetë shtetin. Sepse kur partitë politike fillojnë ta trajtojnë krizën si instrument legjitim të luftës për pushtet, atëherë vetë demokracia shndërrohet në peng të kalkulimeve taktike.
Paradoksi më i madh është se opozita po flet në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, ndërkohë që po promovon kulturën e mosfunksionimit kushtetues. Nuk mund të mbrohet rendi demokratik duke sabotuar institucionet që e mishërojnë atë. Demokracia parlamentare nuk nënkupton që opozita ka të drejtë vetoje mbi vullnetin elektoral të shumicës; ajo nënkupton garë politike, kontroll institucional dhe rotacion përmes votës, jo përmes bllokadës.
Në këtë kuptim, problemi nuk është më vetëm polarizimi politik. Problemi real është shfaqja e një mentaliteti politik që e konsideron shtetin funksional të pranueshëm vetëm atëherë kur pushteti kontrollohet nga vetë opozita. Dhe ky është një regres serioz për kulturën demokratike të Kosovës.


