
Zeqir Bekolli, Drenas
____
Nga Malësia e Drenicës, aty ku historia është shkruar me sakrificë, qëndresë dhe atdhedashuri, vjen figura e intelektualit dhe veprimtarit kombëtar Sheremet Krasniqi-Godeni, njeriut që lagjes së njohur të Prishtinës ia dha emrin “ Kodra e Trimave”, lagje kjo , që sot bart krenarinë e rezistencës shqiptare .
Familja Krasniqi nga Karaçica e Shtimes, pjesë e Malësisë së Drenicës, njihet ndër breza si vatër e qëndresës kombëtare. Në kullën e Ajet Godenit kishin gjetur strehim çetat kryengritëse shqiptare, që nga çeta e Shefqet Kapetanit e deri te ajo e Ukë Sadikut. Vetëm gjatë viteve 1944–1945 kjo familje ishte rrethuar shtatë herë nga forcat çetniko-partizane, për shkak të aktivitetit të saj patriotik dhe lidhjeve me lëvizjet kombëtare shqiptare.
Sheremet Krasniqi trashëgon këtë frymë atdhedashurie nga paraardhësit e tij. Ai është nip i Hasan Hysen Budakovës, bashkëluftëtarit më të ngushtë të Isa Boletinit. Nga ana tjetër, familja e tij mbetet e lidhur ngushtë me veprimtarinë kombëtare edhe në kohët moderne: i biri, Agon Krasniqi, ishte pjesëtar i Njësisë Speciale “Arbri” të UÇK-së. Sheremeti është i biri i Ajet Godenit, i dekoruar nga presidenti Hashim Thaçi me urdhrin “Hasan Prishtina” pas vdekjes për kontributin e tij kombëtar. Ajet Godeni është shpallur “Qytetar nderi “ edhe nga Komuna e Shtimes.

I lindur më 30 qershor 1947 në Krenajë (ish-Karaçicë), Sheremet Krasniqi u formua si intelektual në kohë të vështira për shqiptarët e Kosovës. Shkollën Normale e kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin Filozofik – Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe – në Prishtinë. Në vitin 1985 mbrojti tezën e magjistraturës “Komisia Letrare, vendimet e saj dhe rëndësia e tyre në procesin e njësimit të shqipes letrare”, duke marrë titullin “Magjistër i shkencave filologjike”.
Qysh si maturant i Normales së Prizrenit, më 1966, ai u përball me represionin jugosllav. Për një muaj rresht u mor në pyetje dhe u maltretua fizikisht e psikikisht nga organet e Sigurimit jugosllav, vetëm pse kishte lexuar libra të ndaluar , që vinin nga Shqipëria. Falë Plenumit të Brioneve , që u mbajt mu në kohën kur torturohej, ai iu shpëtoi torturave të mëtejshme, sepse kushedi se ç’do të ndodhte me të ?! Megjithatë, as presioni dhe as kërcënimet nuk arritën ta ndalin rrugëtimin e tij kombëtar.
Ai ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e vitit 1968 në Prishtinë dhe në protestat e shumta kundër pushtimit serb. Punoi si arsimtar- profesor , lektor dhe redaktor në Radio-Prishtina dhe më pas për dekada në gazetën “Rilindja”, ku dha kontribut të çmuar në kulturën gjuhësore dhe në publicistikën shqiptare.

Pas mbylljes së “Rilindjes”, ai vazhdoi angazhimin në projektin monumental “Feniksët e lirisë”, kushtuar dëshmorëve të UÇK-së, që botoheshin në Prishtinë në kuadër të Radio Kosovës së Lirë. Nga viti 2004 kreu punën e lektorit në Ministrinë e Administratës Publike .
Veprimtaria e tij nuk mbeti vetëm në fushën e gjuhësisë. Ai ishte pjesë aktive e Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve dhe anëtar i Këshillit Qendror “Anton Çetta”. Pikërisht në këtë periudhë lidhet edhe emri i tij me historinë e kësaj lagjeje të njohur të Prishtinës.

Në vapën përvëluese të 23 qershorit, në lagjen , atëherë të njohur si “Vranjevci”, ku banorët e kësaj lagjeje kishin ngritur sa e sa herë barrikada kundër regjimit serb dhe kishin falur mbi 50 gjaqe, Sheremet Krasniqi mbajti një fjalim , që mbeti në kujtesën kolektive të qytetarëve. Duke iu drejtuar banorëve të lagjes, ai , ndër të tjera, deklaroi:
“Kjo lagje meriton të quhet Kodra e Trimave e jo “ Kodra e shkrumave” apo “Kodra e hajnave “, siç po e quan regjimi aktual serb, sepse ju më shumë keni thithur gazlotsjellës nga regjimi serbo-jugosllav se ajër të pastër “.
Që nga ajo ditë, emri “Kodra e Trimave” u bë simbol i rezistencës qytetare dhe krenarisë shqiptare në Prishtinë. Ky emërtim nuk ishte vetëm një metaforë. Ishte një pagëzim moral dhe historik për një lagje, që i kishte bërë ballë terrorit serb me sakrificë dhe dinjitet.
Përveç veprimtarisë publicistike, magjistri Sheremet Krasniqi ka botuar edhe vepra me rëndësi të veçantë historike dhe shkencore, si monografinë “Hasan Hysen Budakova” dhe studimin shkencor “Komisia Letrare e Shkodrës (1916–1918)”, Studime gjuhësore dhe publicistikë “ , si dhe një varg artikujsh publicistikë e shkencorë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historiografinë dhe gjuhësinë shqiptare.
Sot, emri i tij lidhet jo vetëm me kontributin në gjuhën shqipe dhe në publicistikën kombëtare, por edhe me një nga simbolet më të fuqishme të rezistencës urbane shqiptare – “Kodrën e Trimave”.


