ARKIVI:
14 Qershor 2026

Aty ku pushteti e harron vetveten, vetëm populli e mban në mend të vërtetën

Shkrime relevante

Aty ku pushteti e harron vetveten, vetëm populli e mban në mend të vërtetën

Lirim Gashi, Prizren Menjëherë pas përfundimit të luftës u krijua baza e...

Malazezët nuk ishin dhe nuk janë serb !

Fahri Xharra, Gjakovë Malazezët, këto vitet e fundit pas ndarjes nga Serbia...

Gjithë shenjtorët e Shqipërisë dhe mohimi i sakrificës së shqiptarëve ortodoksë, sipas Foti Cicit

Foti Cici GJITHË SHENJTORËT E SHQIPËRISË Sot, të dielën e dytë pas Rrëshajëve,...

O Zeqir Gervalla, gur i qendreses, poezi nostalgjike për poetin e madh të stërmunduar nga UDB-a

Agim Vuniqi, poezi për Zeqir Gërvallën O Zeqir Gervalla, gur i qendreses Strofa...

Tirana në marshim: “të munduarit” kundër perandorisë së Edi Ramës

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë Duke përcjellë me vëmendje, por edhe...

Shpërndaj

Menjëherë pas përfundimit të luftës u krijua baza e pakthyeshme e përçarjes shoqërore.
Nga kush?
Natyrisht nga partitë-banda, të cilat funksiononin si korporata të mirëfillta biznesore të financuara nga taksat e popullit.
Sepse krerët e këtyre bandave, në çdo fushatë zgjedhore, e akuzonin njëri-tjetrin për vrasje politike, ndërsa menjëherë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore përqafoheshin me njëri tjetrin si fëmijë të të njëjtëve prindër dhe bënin pazare politike, ekonomike dhe financiare me pasuritë shtetërore, sikur ato të ishtin pronë e tyre private – sipas motos: ti futi në xhep të hyrat doganore, ndërsa unë marr gjithçka që ma sheh syri dhe ma do zemra.
Prandaj, Vetëvendosja nuk mund të konsiderohet fajtore vetëm pse protestoi kundër kësaj çmendurie, duke ia dhënë asaj jo vetëm emrin e saktë, por edhe diagnozën, terapinë, prognozën dhe përfundimin e pashmangshëm.
Sepse paralelisht ekzistonte edhe uniteti apo pajtimi i partive banda rreth normalizimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe shitjes së interesave kombëtare, por pikërisht atë disiplinë të tyre sportive e bojkotonte me vendosmëri Vetëvendosja.
Prandaj kushdo që ju flet ndryshe, ju rrëfen përralla fëmijësh, para gjumit, si gjyshe.
Dhe kështu, në këtë teatër të madh të quajtur “tranzicion”, aktorët përbindësh i ndërronin vetëm kostumet, ndërsa teksti mbetej çuditërisht i njëjtë.
Regjisori nuk dihej kush ishte, por të gjithë dyshonin se jetonte më mirë se Zeusi mbi Olimp, fare i pashqetësuar nga reagimi i publikut.
Në mëngjes ishin “luftëtarë të pamëshirshëm të drejtësisë”, në mesditë “mbrojtës të interesit kombëtar”, ndërsa në mbrëmje uleshin në të njëjtën tryezë dhe diskutonin me qetësi aristokratike se si ta ndanin më drejt mes vete plaçkën që ende nuk e kishin ndarë.
Populli, ndërkohë, jo vetëm që ishte spektator i përhershëm i tragjedisë së tij, por nuk i lejohej as ta ndryshonte kanalin televiziv.
Dhe kur përpiqej të protestonte, i shpjegohej me durim pedagogjik se “nuk e ka kuptuar ende kompleksitetin e procesit historik” – që përkthyer lirshëm do të thotë: “mos na shqetëso, jemi duke e ndarë tortën”.
Ironia më e madhe ishte se të gjithë këta “heronj” të fushatave zgjedhore vuanin nga një sëmundje e çuditshme e quajtur amnezi politike:
Sepse e harronin me saktësi kirurgjikale çdo akuzë që ia kishin bërë njëri-tjetrit një ditë më parë dhe shëroheshin nga armiqësia pikërisht në momentin kur i numëronin votat.
Kështu lindi një “shkencë” e re politike, e cila nuk mësohej në universitete, por praktikohej në studiot televizive:
“Kooperativa e armiqësisë së përkohshme”.
Sipas kësaj “shkence”, armiku nuk është gjendje, por fazë – një fazë që zgjat vetëm deri në momentin kur hapet dera e negociatave për ndarjen e buxhetit.
Në këtë sistem, e vetmja gjë e qëndrueshme ishte ndryshimi i qëndrimeve. Dhe e vetmja gjë e parashikueshme ishte se, pavarësisht zhurmës, gjithçka përfundonte gjithmonë njësoj:
Me një marrëveshje të re, me një premtim të ri dhe me një kujtesë kolektive edhe më të shkurtër se ajo e fushatës së mëparshme.
Dhe ndërsa historia vazhdonte të shkruhej me bojën e përkohshme, publiku më në fund kuptoi një të vërtetë ngushëlluese:
Në këtë vend, e vetmja gjë që nuk ndryshon kurrë është fakti se të gjithë betohen se gjithçka do të ndryshojë.
DIAGNOZA EPISTEMOLOGJIKE E SËMUNDJES POLITIKE
Në këtë pikë, kjo gjendje politike nuk mund të mbetet më vetëm në nivelin e metaforës morale apo satirës publike. Ajo kërkon një analizë epistemologjike – pra një shqyrtim të mënyrës se si prodhohet “e vërteta”, se si deformohet ajo dhe se si konsumohet nga një shoqëri që jeton mes kujtesës selektive dhe amnezisë institucionale.
Sepse këtu nuk kemi thjesht një konflikt interesash politike, por një krizë të prodhimit të manipulimit të kujtesës individuale dhe shoqërore.
Në këtë sistem, e vërteta nuk është më në përputhje me realitetin, por në përputhje me momentin.
Ajo nuk verifikohet, por negociohet.
Ajo nuk argumentohet, por shpallet e pavlefshme.
Dhe më pas fshihet me një lehtësi tronditëse, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.
Kjo është forma më e lartë e amnezisë institucionale: kur gjuha politike e humb aftësinë për të mbajtur përgjegjësi për vetveten.
Në një rend të tillë, partitë opozitare nuk janë më bartëse idesh, por mekanizma të përkohshëm për prodhimin e narrativave të leverdishme. Ato nuk e përfaqësojnë më realitetin – ato e rishkruajnë atë sipas nevojës.
Dhe këtu lind rreziku më i madh epistemik: kur qytetari nuk mund të dallojë më nëse po përballet me fakte, keqinterpretime apo inskenime.
Në këtë mjegull, ku kufijtë midis së vërtetës dhe strategjisë janë shkrirë, opozita përballet me një provë historike që nuk është vetëm politike, por ekzistenciale.
Sepse nëse opozita vazhdon të sillet si pengesë e një pushteti që e përballë me të vërtetën – duke përdorur të njëjtat mekanizma, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën logjikë hakmarrëse si në kohët e saj më të errëta – atëherë ajo nuk është më alternativë, por vetëm një variacion tjetër i sëmundjes nga e cila nuk është shëruar kurrë.
Dhe çdo opozitë që nuk prodhon alternativë reale, por vetëm ndërrim rolesh brenda të njëjtës skemë, nuk është më demokraci – por ritual.
Prandaj, këshilla ime për opozitën nuk është vetëm e natyrës taktike, por e natyrës strukturore:
Ajo nuk duhet të luftojë për pushtet, nëse nuk e mirëkupton rolin e saj.
Ajo nuk duhet të garojë vetëm për vota, por për besueshmëri epistemike – pra për aftësinë që fjala e saj të ketë peshë edhe kur nuk është në pushtet.
Ajo nuk duhet ta reduktojë kritikën time në reagim, por ta ngrejë në analizë të sinqertë të sjelljes së saj dhe ta nxjerrë një mësim të dobishëm.
Përndryshe, ajo rrezikon të mos zhduket nga kundërshtari politik, por nga votuesit që e shohin politikën e saj si një cikël të pafund pa pendim dhe transformim.
Dhe kur një shoqëri arrin në këtë pikë, nuk ka më pushtet dhe opozitë në kuptimin klasik.
Ka vetëm pushtet dominues dhe opozitë e cila e imiton punën që nuk e kryen.
Në fund, diagnoza epistemologjike është e thjeshtë dhe e ashpër njëkohësisht:
Kur politika pushon së prodhuari të vërteta dhe fillon të prodhojë vetëm narrativa, demokracia nuk vdes menjëherë – ajo fillon ta përsërisë vetveten deri në padallueshmëri.
Dhe aty rreziku më i madh nuk është gabimi.
Por normalizimi i tij.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu