ARKIVI:
14 Qershor 2026

Lamtumirë, mendje racionale !

Shkrime relevante

Lamtumirë, mendje racionale !

Ibrahim Kelmendi, Gjermani Dy miq po bëhen shkak që të mundohem ta...

Aty ku pushteti e harron vetveten, vetëm populli e mban në mend të vërtetën

Lirim Gashi, Prizren Menjëherë pas përfundimit të luftës u krijua baza e...

Malazezët nuk ishin dhe nuk janë serb !

Fahri Xharra, Gjakovë Malazezët, këto vitet e fundit pas ndarjes nga Serbia...

Gjithë shenjtorët e Shqipërisë dhe mohimi i sakrificës së shqiptarëve ortodoksë, sipas Foti Cicit

Foti Cici GJITHË SHENJTORËT E SHQIPËRISË Sot, të dielën e dytë pas Rrëshajëve,...

O Zeqir Gervalla, gur i qendreses, poezi nostalgjike për poetin e madh të stërmunduar nga UDB-a

Agim Vuniqi, poezi për Zeqir Gërvallën O Zeqir Gervalla, gur i qendreses Strofa...

Shpërndaj

Dy miq po bëhen shkak që të mundohem ta shtjelloj tematikën “Lamtumirë, mendje racionale”. Njëri është poeti dhe politikani Preç Zogaj, i cili në dy-tre emisionet e para televizive të “Të Paekspozuarit”, e përsëriti sloganin “prona private është e shenjtë”. Bile, broçkulliti: “Nëse do të ishin në pyetje 40 miliardë euro investime, e jo vetëm 4 miliardë, nuk duhet të cenohet asnjë metër katror pronë private!” (perifrazim).
Tjetri mik është profesori Ilir Yzeiri, i cili sot, para 26 minutave, ka publikuar shkrimin e titulluar “Lamtumirë, Zvërnec!”. Fjalia e parë: “Në një kohë kur vendi zien nga lajmet për protestën që po mbahet çdo ditë në Tiranë, 96 organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për rishikimin me prioritet të politikave qeveritare që prekin zonat e mbrojtura, pas zhvillimeve të fundit në peizazhin e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë.”
Takimi me Preçin dhe vitet ’90
Me Preçin jam njohur në vitin 1991. Po përpiqesha të regjistroja një shtëpi botuese private, por ende nuk kishte ligj përkatës. Një nëpunëse më pati thënë: “Nëse Ministria e Kulturës të lëshon një shkresë se të lejohet kjo veprimtari, unë do ta regjistroj.” Duhet të ketë qenë fundi i qershorit të vitit 1991 kur shkova ta takoja Preçin, tashmë ministër i Kulturës. Nuk njiheshim. Ndoshta atij i bëri përshtypje mbiemri im, prandaj e udhëzoi sportelistin të më lejonte të ngjitesha te kabineti i tij.
Sapo u përshëndetëm, bëra një gjest rrugaçi:
– Të ndezim fillimisht nga një cigare “malboro”, sepse tani nuk po gjenden në treg as cigare të prodhimit vendor…
– Nga e more vesh se po vuaj për ta tymosur një cigare? – më pyeti.
Ia paraqita gojarisht lutjen. Ma lëshoi aty për aty shkresën, se më lejohet biznesi i botimit dhe tregtimit të librave.
Aty e tutje u bëmë miq. Në Hotel “Dajti” e shihja se po rrinte shpesh me Zef Camajn nga Malësia e Madhe, pjesa në Mal të Zi, i emigruar në SHBA. Në një rast u ula në tavolinën e tyre dhe ia plasa:
– Zef Camaj nuk është malësor patriot, siç po të mashtron, por është kuadër i UDB-së jugosllave…
Zefi më ndërpreu:
– Kush të dha leje të ulesh në tavolinën tonë?
Ia ktheva:
– Edhe në vitin 1982, kur të kam ardhur në shtëpinë tende në SHBA, nuk të kam marrë leje, sepse isha shoqërues i Nue Camajt, djalit të xhaxhait tënd. Mos më detyro t’ia rrëfej Preçit çfarë ka ndodhur atëherë. U ndjeva i obliguar ta paralajmëroja, sepse është ministër…
Më vonë ndodhi të më thoshte Preçi: “Jam i ftuar në Paris, si ministër i Kulturës, për të marrë pjesë në hapjen e panairit, por Ministria nuk ka dollarë për të më paguar hotelin. Po pate shokë atje të më ofrojnë konak, do të më bëje nder, sepse nuk dua të më kapë policia duke fjetur në stacion hekurudhor.” Po ma këpuste shpirtin Shqipëria e katandisur në atë mjerim, të cilin po detyrohej ta shfaqte edhe Ministri i Kulturës. I dhashë ca dollarë t’i kishte si “para xhepi” dhe e sigurova që do ta priste një bashkatdhetar në aeroport. Fatmirësisht, bashkëveprimtari Besim Elshani nga Suhareka, mërgimtar në Paris, shfaqi gatishmëri dhe e ka mirëprit.
Pasi u detyrova të arratisesha nga Shqipëria në fund të korrikut të vitit 1992, nuk e takova më Preçin deri në gusht të vitit 1998. Atëherë ai ishte në kabinetin e Presidentit Rexhep Meidani, i cili i bëri një pritje zyrtare delegacionit të LPK-së. Edhe unë isha pjesë e delegacionit si anëtar kryesie, ndërsa delegacionin e kryesonte kryetari Bedri (penel) Islami. Aty ndodhi një “skandal”, kur mua më plasi “filmi”:
– President, këta shokët po të bëjnë lajka me elozhe falënderuese, por e vërteta është se institucionet shtetërore nuk po na ndihmojnë me asgjë. Bile, edhe mundësitë për të lëvizur drejt veriut, me armë që po i blejmë kontrabandë, po detyrohemi t’i paguajmë policët në postblloqet të mos na ndalojnë e konfiskojnë armatimin…
Preçi, që po mbante me zell shënime i ulur buzë meje, më ra me gjurin e këmbës për të më sinjalizuar që nuk duhej të flisja ashtu. U ktheva nga ai:
– Mos më pengo se e informoj presidentin me të vërtetën e hidhur, cili je ti!
Origjina e “pronës së shenjtë” në Shqipëri
Nga ky Preç që prezantova, nuk do të duhej të më irritonte slogani që broçkulliti disa herë në emisione. Megjithatë, dua ta demantoj, sepse nuk e thotë vetëm Preçi.
Sidomos në rastin shqiptar, prona private tokësore nuk ka pasur aspak një zanafillë “normale” – ashtu siç nuk e ka as në kontinentin e Amerikës (Veriore e Jugore), ku emigrantët evropianë, si kriminelë ordinerë, privatizuan toka duke vrarë edhe popullsitë vendase. Në Gjermani kishat kanë pronësi private tokësore, me shumë se e gjithë hapësira e Shtetit të Kosovës!! Ndërsa në Shqipëri këtë mundësi nuk e patën shqiptarët; ndodhi ndryshe. Gjatë mbi 500 vjetëve pushtim e sundim osman, askush nuk kishte pronë tokësore private, meqë Sheriati dhe Kurani e definonin tokën si pronë vetëm të Allahut, shoqëruar me lajthitjen: “Allahu ngarkon kalifët (sulltanët) për ta menaxhuar pronën e tij tokësore.”
Që do të thotë, në vitin 1913, kur Shqipëria u bë shtet, askush nuk ishte pronar klasik i asnjë pëllëmbe tokë. Të gjithë e kishin në shfrytëzim të përkohshëm. Edhe pashallarët e agallarët, të cilëve sulltanët ua jepnin si shpërblim dhe për menaxhim, nuk e kishin si pronë të përhershme. Kur i ndërronte sulltani, shfrytëzimi u kalonte pashallarëve e agallarëve pasues. Këta ua jepnin me qira fshatarëve që e punonin, të cilët, në më të shumtën e rasteve, jepnin si “mall” një përqindje të produktit të tokave të punuara.
Nuk e di se kur e si qeveria e Shqipërisë duhet të ketë vendosur për njohjen e “tapive” osmane, të cilat ishin thjesht dëshmi zyrtare për posedim të përkohshëm të tokave, duke bërë një padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve që nuk posedonin “tapi”. (Edhe Mbretëria serbe, sapo e pushtoi Kosovën në vitin 1913, i njohu “tapitë” osmane dhe për herë të parë edhe shqiptarët vendas u bënë pronarë klasikë tokësorë, gjë që përherë është zbatuar, me ndonjë devijim të vogël).
Regjimi i Enver Hoxhës e kolektivizoi të gjithë tokën, por për shkak të prapambetjes në zhvillimin bujqësor, kooperativat nuk jepnin rendimentin e pritur. Prandaj ndihmat sovjetike e kineze kishin rëndësi për ta sfiduar urinë. Po ai regjim e detyroi popullatën me angazhime “vullnetare” të thante këneta e moçale dhe tokat malore t’i kthente në tokë buke. Në vitin 1991, pushtetarët e atëhershëm miratuan Ligjin nr. 7501, i cili përmbante kthimin e pronave që kishte kolektivizuar regjimi pararendës. Por bëri padrejtësi kur “fshatarëve” ua dhuroi edhe tokat shtetërore – ato që “diktatura e proletariatit” i kishte kthyer në tokë pune nga kënetat, moçalet dhe shpatet me shkurre. Dhe qysh atëherë filloi kriminaliteti për të grabitur e përvetësuar sa më shumë prona tokësore. Përmasat e atij kriminalitet u shpërfaqen në mënyrën më idiote në Zvërnec…
Preçit i propozoj të informohet nga Inteligjenca Artificiale (IA) se në botë ka lloje të ndryshme të pronësisë tokësore, që të mos broçkullisë më se “prona private tokësore është e shenjtë”.
Kritikë mbi ambientalizmin selektiv
Mikun Ilir Yzeiri e këshilloj të mos e brengosin vetëm pelikanët, flamingot, breshkat dhe gjallesat e tjera në Zvërnec e Vjosë, por ta brengosin edhe peshqit që i kollofit pothuajse përditë, sepse ata “peshkohen” dhe vriten në mënyrën më mizore. Bile, duhet të revoltohet edhe kundër pelikanëve e flamingove të Zvërnecit, të cilët vijnë aty për të kollofitur peshq e gjallesa të tjera, e nuk vijnë sepse kanë ndonjë dashuri për Zvërnecin. Ilirin duhet ta shqetësojë kjo gjë edhe sa herë që konsumon mish, sepse derrat, lopët, qengjat e pulat nuk kanë pse të mos respektohen sa flamingot e pelikanët. Apo jo?
E sa u përket OJQ-ve “ambientaliste”, ato përbëhen kryesisht nga parazitë, e snobë, të cilët i financojnë institucione e agjentura, që mbrojtjen e ambientit e kanë prioritetin e tyre të fundit.
Unë po përpiqem të mendoj e veproj sa më racionalisht, prandaj jam kundër protestave të turmave (pseudo)ambientaliste, (pseudo)socialiste, (pseudo)islamiste, (pseudo)sovranistë, antitrampistë, antisemite…
P.S.:
Flamingot (Phoenicopterus roseus) nuk e kanë atdhe të tyre Shqipërinë, por vijnë si “turistë” në Nartë, pranë Zvërnecit, sepse ajo është një ligatinë e qetë dhe e pasur me gjallesat ushqimore që ata preferojnë. Meqë nuk e kanë atdhe Nartën, ata nuk vezojnë aty, por kthehen në vendlindjet e tyre, që shtrihen deri në Afrikën e Veriut apo gjetkë në Mesdhe. E preferojnë Nartën sepse është një “kënetë” me ujë të cekët dhe të kripur. Ushqehen me gafra dhe krustace të vogla, siç është një lloj karkaleci i imët (Artemia salina). Gjithashtu, konsumojnë insekte, larva, molusqe, krimba të vegjël, alga dhe mikrogjallesa bimore.
PSE ambientalistët nuk e mbrojnë biodiversitetin vendor nga flamingot “imperialistë”, të cilët nuk e respektojnë sovranitetin jetësor të asaj bote të imët amtare të Nartës?! Këta flamingo vijnë, i kollofitin ato gjallesa të pambrojtura dhe ikin – fiks si turistët – sapo të kenë mbushur plancet e tyre, për t’u rikthyer sërish në sezonin tjetër.
(Më falni, nuk di të shkruaj më shkurt e shqip, dhe nuk po kam kohë).

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu