
Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
Prej dekadash gurbeti ka qenë pjesë e historisë sonë kombëtare. Në kohë okupimi shumë të rinj u detyruan të largohen nga Kosova për shkak të shtypjes politike, mungesës së perspektivës dhe mbijetesës ekonomike. Shumë prej tyre sakrifikuan rininë, familjen dhe jetën normale për të siguruar bukën e gojës në vende të huaja. Ata punuan në ndërtimtari, nëpër fabrika, restorante, ferma e punë të rënda fizike që shpesh vendasit nuk dëshironin t’i bënin. Për këtë sakrificë meritojnë respekt të madh.
Megjithatë, viteve të fundit është krijuar një fenomen shqetësues. Shumë të rinj që jetojnë jashtë, kur vijnë për pushime në Kosovë apo Shqipëri, paraqesin vetëm anën luksoze të jetës së tyre. Vishen me marka të shtrenjta, marrin vetura luksoze me “rent a car”, shpenzojnë pa kursim për disa ditë dhe krijojnë përshtypjen sikur jeta në Perëndim është vetëm rehati, pasuri dhe sukses i shpejtë.
Në anën tjetër, rrallë flitet për realitetin e vështirë që përjetojnë gjatë gjithë vitit. Nuk flitet për orët e gjata të punës, lodhjen fizike, stresin psikologjik, vetminë, jetën larg familjes, mungesën e shoqërisë dhe sakrificat e përditshme për të kursyer para. Nuk flitet për mallin ndaj prindërve, për festat që i kalojnë larg familjes dhe për faktin se shumë prej tyre kalojnë vite të tëra duke bërë punë të rënda vetëm për të mbajtur një standard jetese.
Ky kontrast mes realitetit dhe asaj që shfaqet gjatë pushimeve po ndikon fuqishëm tek të rinjtë në vend. Shumë prej tyre po joshen nga një imazh i idealizuar i gurbetit dhe po e shohin largimin si zgjidhjen e vetme për sukses. Si pasojë, fshatra e qytete po zbrazen, familje po ndahen dhe vendi po humb fuqinë më të madhe që ka – rininë.
Është e kuptueshme që secili kërkon jetë më të mirë. Askush nuk duhet gjykuar pse largohet për një perspektivë më të sigurt ekonomike. Por është po aq e rëndësishme që të rinjve t’u thuhet e vërteta. Nuk është e drejtë që ata të shtyhen drejt një rruge të vështirë vetëm nga iluzioni i luksit të përkohshëm që shohin gjatë verës.
Edhe vetë kam kaluar nëpër një përvojë që më bën ta shoh këtë çështje ndryshe. Gjatë viteve të okupimit, kur arsimi shqip në Kosovë mbahej me shumë sakrificë, unë bashkë me bashkëshorten punonim në arsim pa paga, vetëm për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe dhe për të mos u dorëzuar para regjimit okupues. Ishin vite të rënda, me pasiguri, presion dhe rrezik të vazhdueshëm.
Në atë kohë e kisha familjen e vëllait dhe të motrës në Berlin. Vëllai më ofroi mundësinë që të shkoja edhe unë në Gjermani dhe si matematikan të punësohesha me të ardhura shumë të mira për atë kohë. Ishte një ofertë joshëse, sidomos kur dihet se ne në Kosovë punonim pa paga dhe jetonim me shumë vështirësi. Por unë vendosa të mos largohem. Zgjodha të qëndroj në Kosovë, pranë studentëve, pranë popullit tim dhe pranë idealit për liri e shtet.
Qëndrova edhe gjatë luftës, duke kontribuar aq sa munda për arsimin dhe çështjen kombëtare, edhe pse kjo nënkuptonte sakrificë dhe rrezik për jetën. Nuk pendohem për atë vendim, sepse besoj se po të mendonin të gjithë vetëm si të largoheshin, Kosova do ta kishte pasur shumë më të vështirë mbijetesën dhe ringritjen.
Sot Kosova nuk është më ajo e para 20 apo 25 viteve. Ka më shumë mundësi pune, bizneset janë zgjeruar, pagat gradualisht po rriten dhe shumë sektorë kanë mungesë fuqie punëtore. Natyrisht se ende ka probleme të mëdha – korrupsion, padrejtësi, paga jo gjithmonë të mjaftueshme dhe mungesë perspektive në disa fusha – por megjithatë ekzistojnë mundësi reale për ata që duan të ndërtojnë jetën në vendin e tyre.
Prandaj, të rinjtë që jetojnë jashtë duhet të kenë një rol më të përgjegjshëm ndaj bashkëmoshatarëve të tyre në atdhe. Ata nuk duhet ta romantizojnë gurbetin, por ta tregojnë atë ashtu siç është: me të mirat dhe me vështirësitë e tij. Le t’u tregojnë të rinjve se paraja jashtë fitohet me shumë mund, se jeta larg familjes ka kosto emocionale dhe se jo çdo histori emigrimi përfundon me sukses.
Një popull që humb rininë e humb energjinë, zhvillimin dhe të ardhmen e vet. Asnjë shtet nuk mund të ndërtohet vetëm me nostalgji verore dhe me fotografi luksoze në rrjete sociale. Shteti ndërtohet nga njerëzit që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë çdo ditë në vendin e tyre.
Brezi ynë dha shumë për ta ruajtur këtë vend në kohët më të vështira. Brezi i sotëm duhet të japë kontributin e vet për ta zhvilluar dhe forcuar atë. Mesazhi më i ndershëm që mund t’u japim të rinjve sot është ky: mos merrni vendime vetëm nga pamja e jashtme e gurbetit. Dëgjoni të vërtetën e plotë. Peshoni sakrificat dhe mundësitë. Dhe mbi të gjitha, mos e humbni besimin se edhe në vendin tuaj mund të ndërtohet një jetë me dinjitet, punë dhe perspektivë.
Më 16 qershor 2026



Kur flasim për mërgimin shqiptar, është e rëndësishme të kemi parasysh se ai nuk është më i njëjti si para katër apo pesë dekadash. Realiteti i diasporës shqiptare ka ndryshuar ndjeshëm dhe nuk mund të shihet vetëm përmes përvojës së brezit të parë të mërgimtarëve.
Është e vërtetë se brezi i parë, i larguar kryesisht gjatë viteve ’60, ’70, ’80 dhe më vonë gjatë viteve të okupimit në Kosovë, ka kryer punë të rënda fizike në ndërtimtari, fabrika, hekurudha, restorante dhe sektorë të tjerë ku mungonte fuqia punëtore vendase. Ata bartën barrën më të rëndë të integrimit, të mësimit të gjuhës së huaj dhe të sigurimit të një jete më të mirë për familjet e tyre. Sakrificat e tyre janë të pamohueshme dhe meritojnë respekt të veçantë.
Por sot situata është ndryshe. Në shumicën e vendeve evropiane ku jetojnë shqiptarët, është rritur tashmë brezi i tretë dhe në disa raste edhe brezi i katërt i mërgimtarëve. Këta të rinj janë lindur ose janë rritur në vendet pritëse, janë shkolluar në sistemet arsimore evropiane dhe janë integruar në jetën shoqërore, ekonomike dhe institucionale të shteteve ku jetojnë.
Shumë prej tyre janë mjekë, inxhinierë, profesorë universitetesh, juristë, ekonomistë, sipërmarrës, specialistë të teknologjisë informative, shkencëtarë, artistë dhe drejtues institucionesh publike e private. Ata nuk përfaqësojnë më figurën tradicionale të punëtorit emigrant të dekadave të kaluara, por një shtresë të konsoliduar profesionale që kontribuon në zhvillimin e vendeve ku jeton dhe njëkohësisht ruan lidhjet me vendin e origjinës.
Prandaj, nuk do të ishte e drejtë që mërgimi shqiptar të paraqitet vetëm si një realitet i vështirësive ekonomike dhe punëve të rënda. Ai përfshin edhe histori suksesi, integrimi dhe avancimi profesional. Sigurisht, edhe sot ka individë që gjatë pushimeve përpiqen të paraqesin një imazh më luksoz se realiteti i tyre i përditshëm. Mirëpo kjo nuk është karakteristikë vetëm e mërgimtarëve dhe as nuk mund të shërbejë si bazë për të përgjithësuar një komunitet të tërë prej qindra mijëra shqiptarësh.
Në çdo shoqëri ka njerëz që duan të duken më të pasur, më të suksesshëm ose më të rëndësishëm sesa janë në të vërtetë. Një fenomen i tillë gjendet si në Kosovë e Shqipëri, ashtu edhe në diasporë. Për këtë arsye duhet të kemi kujdes që të mos e identifikojmë tërë mërgatën me një segment të vogël të saj.
Po ashtu, shpesh harrohet se fëmijët shqiptarë në diasporë përballen me sfida të veçanta arsimore dhe kulturore. Ata duhet të mësojnë njëkohësisht gjuhën e vendit ku jetojnë, të ndjekin programet shkollore të atij vendi dhe, paralelisht, të ruajnë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar. Në një kuptim, shumë prej tyre duhet të punojnë dyfish më shumë se bashkëmoshatarët e tyre në vendlindje. Ndërsa një i ri në Kosovë apo Shqipëri arsimimin e merr në gjuhën amtare dhe brenda kulturës së vet, një i ri në diasporë duhet të ndërtojë suksesin akademik në një gjuhë që shpesh nuk është gjuha e familjes së tij, duke mbajtur njëkohësisht lidhjet me origjinën.
Pikërisht për këtë arsye, diaspora shqiptare nuk duhet parë vetëm si burim remitancash apo si një realitet i largimit nga atdheu. Ajo është një pasuri kombëtare, një urë lidhëse mes shqiptarëve dhe Evropës, një potencial i madh intelektual, profesional dhe ekonomik. Përvojat e saj duhen vlerësuar në tërësinë e tyre, me sfidat dhe sukseset që i karakterizojnë.
Mesazhi që duhet t’u japim të rinjve nuk është as idealizimi i mërgimit dhe as demonizimi i tij. Duhet t’u themi të vërtetën: se suksesi kërkon punë kudo, se sakrificat ekzistojnë si në vendlindje ashtu edhe jashtë saj, por edhe se diaspora shqiptare e sotme është dëshmi se me arsimim, përkushtim dhe integrim mund të arrihen rezultate të shkëlqyera pa humbur identitetin kombëtar.
Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë