
Lirim Gashi, Prizren
Nëse e dëgjon opozitën kosovare me një vesh pak më të relaksuar dhe me një humor të tipit “HAJ KUKU MEDET”, të krijohet përshtypja se demokracia është një sistem shumë delikat: mjafton që fituesi i zgjedhjeve të marrë edhe një post shtesë, dhe papritur republika kthehet në një film horror me titullin “Diktatura që erdhi nga kutitë e votimit”.
Pra, skenari është ky: qytetari voton, numrat dalin, partia fituese del e para… dhe pastaj fillon alarmi kombëtar: “Rrezik! Po i marrin tri pozitat kryesore të shtetit! Demokracia është në rrezik!” Si të thuash, fituesi qenka i rrezikshëm pikërisht sepse… fitoi.
Tani le ta shohim këtë “katastrofën tonë institucionale” pak më afër. Kryetari i Kuvendit? Nuk është ndonjë shpikje e improvizuar në WhatsApp-in e partisë fituese. Rregullat dhe interpretimet kushtetuese e thonë qartë: i takon shumicës parlamentare. Në çdo vend normal kjo quhet procedurë. Në versionin opozitar kosovar quhet “grusht shteti”. Pse ? Vetëm pse presidenti i shtetit nuk vjen si Atifetja, i mbështjellë me zarfin A4 të Kristofer Dellit”. Kryeministri? Ky post zakonisht nuk bie nga qielli si meteor politik. Ai del nga vota.
Dhe kur një subjekt politik del i pari dhe lideri i tij është më i votuari në vend, kjo në sistemet demokratike quhet “rezultat zgjedhor”, e jo “komplot i errët oriental”. Presidenti? Këtu fillon pjesa më interesante e dramës. Sipas propozimeve të vetë kryeministrit, flitet për një figurë konsensuale, mbi-partiake, me integritet. Por në versionin opozitar, kjo lexohet si: “po përgatitet diktatura… por me diplomë europiane”.
Dhe pastaj vjen refreni i madh: “Nëse i marrin të tria postet kryesore, do e kapin shtetin!” Ndërkohë, askush përveç meje nuk e shpjegon me qetësi matematikën elementare: nëse partitë fituese i marrin të tria postet kryesore përmes shumicës parlamentare dhe marrëveshjeve institucionale, kjo nuk është kapje shteti — është arkitekturë politike e dalë nga vota. Por le ta bëjmë një eksperiment mendor, ashtu siç e kërkon debati i panevojshëm dramatik. Në Gjermani, për shembull, nuk u shemb Republika kur tri institucionet më të rëndësishme të shtetit u udhëhoqën nga e njëjta familje politike në të njëjtën kohë. Kur Horst Köhler u bë President federal (me mbështetje të CDU/CSU), Angela Merkel (CDU) ishte Kancelare, dhe kryetari i Bundestagut ishte Norbert Lammert (po ashtu CDU). Askush nuk doli në Berlin me pankarta: “Republika po bie sepse fituesit po fitojnë”. Përkundrazi, u quajt sistem parlamentar.
Por në versionin tonë kosovar të interpretimit amator politik, e njëjta situatë do përkthehej: “Alarm! Demokracia u përqendrua në duar të gabuara!” (dmth: në duart e atyre që dolën të parët në zgjedhje) Dhe këtu vjen pyetja që e bën gjithë këtë dramë paksa komike: Nëse opozitarët tanë të dashur jabë të bindur se çdo përqendrim institucional i shumicës është diktaturë, atëherë çfarë është demokracia sipas tyre? Një sistem ku fituesi del i pari… por qeveris vetëm nëse humbësit e lejojnë?
Sepse në atë logjikë, zgjedhjet nuk prodhojnë fitues — prodhojnë vetëm administratorë të përkohshëm që duhet të kalojnë fillimisht “testin e miratimit nga pakica e përhershme”. Dhe këtu Kishoni do ndalej, do e shikonte skenën, do e tundte kokën dhe do thoshte diçka të thjeshtë: “Ky nuk është sistem politik. Ky është teatër ku fituesi duhet të kërkojë falje që fitoi.” Në fund, frika se “një parti po i merr të gjitha” shpesh nuk është analizë kushtetuese — është nostalgji për një realitet ku humbja ka më shumë të drejta se fitorja. Dhe kjo, sado dramatike të tingëllojë, nuk është krizë demokracie.
Është krizë e pranimit të rezultatit. Opozitarë të dashur : A e keni të qartë, apo duhet t’jua vizatoj në gjuhën tuaj të dashur serbe, edhe pse e kuptoni vetëm pak, si Dullo Kotinski?


