ARKIVI:
28 Korrik 2026

Protestat e Shqipërisë dhe agjentët

Shkrime relevante

Protestat e Shqipërisë dhe agjentët

Ibrahim Kelmendi, Gjermani ___ PROTESTAT DHE AGJENTËT ___ Fatkeqësisht, në Shqipëri, - por edhe në...

28 Korrik 1922 – kur Amerika i zgjati dorën Shqipërisë, një miqësi që i ka qëndruar besnike historisë 

Presidenti atëhershëm i SHBA-ve Woodrow Wilson Nga Frank Shkreli ___ Në historinë e kombeve...

Kur ringjallja e historisë shpallet “provokim” nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë KUR RINGJALLJA E HISTORISË SHPALLET "PROVOKIM"...

Enver Hoxha rreth protestave të vitit 1981 në Kosovë

E përgatiti Ibrahim Kelmendi, Gjermani   ENVER HOXHA – MBI PROTESTAT E...

Edhe tetëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe më shumë se tri dekada pas rrëzimit të diktaturës, të njejtat etiketime

Ervina Toptani, Vjenë ____ Tetëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe më...

Shpërndaj

___
PROTESTAT DHE AGJENTËT
___
Fatkeqësisht, në Shqipëri, – por edhe në shtete të tjera, – ka agjentë më shumë se mjaft. Për ta argumentuar këtë konstatim, nuk kam fakte burimore, prandaj po e paraqes si dyshim, të bazuar mbi indicie dhe analiza logjike.
Indicie për ta argumentuar këtë dyshim janë reagimet e agjentëve të kamufluar si analistë e opinionistë, të cilët po i dominojnë debatet televizive. Pothuajse kudo, çdo ditë, po i trajtojnë protestat dhe, sapo ndokush guxon të shfaqë dyshimin se protestat i kanë “koordinuar” agjentët, i vërsulen shumica, madje edhe me agresivitet, duke thënë se dyshimet për agjentë janë mendësi enveriste e brockulla të ngjashme.
Indicie tjetër është ajo që spekulojnë shumica e analistëve dhe opinionistëve, të cilët mua ma shtojnë dyshimin se ata janë agjentë.
Derisa agjentët dhe agjenturat e Rusisë putiniste kishin ndikim të madh në votimet presidenciale në SHBA, në Brexit-in britanik, në formimin dhe rritjen e partive nacionaliste (nazisto-putiniste), si edhe në shumë shtete të BE-së, ku janë formuar parti të mëdha nacionaliste, si të mos kenë ndikim në Shqipërinë, e cila ka shtetësi të brishtë në aspektin politik, ligjor, ekonomik, social e ushtarak? Por, derisa në BE dhe SHBA kjo tematikë trajtohet me vëmendje e shqetësim të shtuar, në Shqipëri liria për të diskutuar mbi agjentët dhe agjenturat armiqësore është e ngulfatur.
Pothuajse asnjë agjenturë nuk duhet të ketë interes të angazhojë në Shqipëri agjentë për spiunim të sekreteve ushtarake, teknologjike, shkencore etj., meqë Shqipëria, në të gjithë sektorët, nuk paraqet konkurrencë. Agjenturave armiqësore u intereson sabotimi i konsolidimit të shtetit, i demokracisë, i zhvillimit turistik, i procesit të anëtarësimit në BE dhe, sidomos, nxitja e armiqësive partiake, fetare e ideologjike mes qytetarëve, në mënyrë që të zvarritet tranzicioni. Prandaj kemi kaq shumë analistë e opinionistë, kaq shumë televizione e portale, të cilat nuk mbahen gjallë me kashtë.
Ta zëmë, qysh kur u përfol se një ushtarak francez, i pensionuar, ndihmoi financiarisht formimin e TV Klan-it, menjëherë sajova dyshimin se ai ushtarak duhet të ketë qenë kuadër i DGSE-së franceze, e cila ishte më serbofile se vetë agjenturat e Serbisë. Dhe, meqë në Francë ekzistojnë vështirësi për të shpërdoruar mjetet e buxhetit shtetëror për të financuar këso komplotesh diversioniste, ai ushtarak duhet t’i ketë pasur ato fonde nga Beogradi fashistoid.
Po i konkretizoj dyshimet ndaj Preç Zogajt, tashmë analist televiziv i përnatshëm, i cili ka ushtruar shumë profesione e funksione. Sigurisht që vazhdoj të kem simpati e respekt për të, por po e viktimizoj për momentin si personazh që më shkakton dyshimin se është agjent i BIA-s serbe. Së fundmi, ky dyshim m’u shtua edhe nga mashtrimet, për të mos thënë shpifjet, që i broçkullisi në emisionin “Trialog” të RTSH-së publike, më 21 korrik 2026.
Nga minuta 51 e debatit televiziv ai tha: “Një kryeministër sigurisht që nuk mund të qëndrojë në qeveri në qoftë se sheh për një kohë të gjatë një numër, – në rastin e Shqipërisë që ka 2,3 milionë banorë, – 100 mijë deri 150 mijë njerëz në shesh (…)”.
Preçi bëhet sikur harroi se, në minutën 19 të të njëjtit debat televiziv, kishte thënë: “Bulevardi mbushet nga Kryeministria deri te monumenti i Skënderbeut me protestues që nuk i organizon një parti politike, por vetëorganizohen (…)”.
Sigurisht që Preçi e di se i gjithë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” duhet të ketë rreth 850 metra gjatësi dhe rreth 24 metra gjerësi. Ndërsa nga Kryeministria deri te Përmendorja e Gjergj Kastriotit duhet të ketë rreth 600 metra, respektivisht rreth 15 mijë metra katrorë. Kjo do të thotë se ajo hapësirë nuk i nxë as 20 mijë njerëz, ndërsa për 100 mijë apo 150 mijë, siç pretendoi Preçi, as që bëhet fjalë, sepse do të duhej të ishte Bulevardi gjashtë herë më i gjatë.
Preçi broçkullisi edhe për tokat bujqësore që u ishin dhënë ish-kooperativistëve sipas ligjit famoz 7501 dhe që nuk janë shndërruar në pronësi, dhe as nuk janë kompensuar ish-pronarët, etj. Madje edhe dezinformoi: “Kush e punon 40 vjet tokën, edhe feja thotë se fiton të drejtë pronësore.”
Para ca ditëve e kam shtjelluar këtë tematikë, prandaj po e anashkaloj, duke u mjaftuar me konstatimin se në Shqipëri (e Kosovë) nuk ka pronarë legjitimë të tokave, sepse Perandoria Osmane, kur u dëbua në vitin 1913 nga hapësirat tona, nuk ka lënë pas pronarë klasikë të tokave. Të gjithë, edhe pashallarët, bejlerët dhe ata që e punonin tokën, ishin vetëm qiramarrës, ngaqë Sheriati islam ndalon pronësinë private të tokës.
PSE MASHTRON E SPEKULON EDHE PREÇI?
Në vitin 1991 pata fatin apo fatkeqësinë ta njoh personalisht Preçin. Doja të hapja një ndërmarrje botuese private në Tiranë. Nuk kishte ligj përkatës. Më këshilluan të gjeja miq për të ndërhyrë te ministri i Kulturës. Rastisi që ministër të ishte Preç Zogaj. Nuk kërkova miq; shkova ta provoja fatin. Në sportelin e ministrisë, kur sportelisti e pyeti Preçin me telefon, ai tha të ngjitesha te kabineti i tij.
Sapo u njohëm, ia parashtrova kërkesën. Ai fillimisht u hamendësua, meqë ende nuk kishte ligj që lejonte ndërmarrje private për botim. I propozova: “Në këtë anarki, do të mjaftonte një shkresë me një fjali: Zotëriut Ibrahim Kelmendi i lejohet regjistrimi i ndërmarrjes botuese private me emrin ‘Iliria’…” (parafrazim). Diçka të ngjashme e shtypi në makinën e shkrimit që kishte në kabinet. Ma dha. Vërtet mjaftoi që ta regjistroja ndërmarrjen e parë botuese private pas aq shumë vitesh të “diktaturës së proletariatit”.
Fatkeqësisht, marioneta e Beogradit, Sali Berisha “me 40 hajdutë”, më falimentuan, duke më detyruar të arratisesha nga Shqipëria në gusht të vitit 1992.
Aty e tutje u bëmë goxha miq me Preçin dhe pothuajse përditë rastiste të shiheshim në Hotel “Dajti”. Ndonjëherë pinim edhe kafe bashkë.
Do djalli që, pas ca kohësh, e shoh Preçin në ndeja të gjata e të përditshme me Zef Camajn, malësor hotjan nga rrethi i Tuzit. Shfaqnin një miqësi sikur të ishin shokë që nga fëmijëria. Ndoshta edhe nga xhelozia, më plasi “filmi” dhe një ditë u ula në tavolinën e tyre pa kërkuar leje.
Preçi u befasua kur i thashë se “Zefi është ngarkuar nga UDB-ja të rekrutojë këtu agjentë dhe t’i mësojë se çfarë duhet të bëjnë e si duhet të kamuflohen”.
Sigurisht që u irritua, prandaj ma ktheu: “Mos shpif pa e njohur, meqë Zefi është malësor patriot, i ardhur nga Amerika për të ndihmuar në demokratizimin e Shqipërisë.”
Ia ktheva: “E njoh, prandaj u ndjeva i detyruar të të informoj, për hir të respektit.”
“Ke prova?”, më pyeti.
“Po, kam”, zura t’i përgjigjesha. “Në gusht të vitit 1982, në Nju Jork, kushëriri i Zefit, Nua, më mori me vete ta vizitonim Zefin. Ma rrëfeu arsyen e asaj vizite. Në banesën e Zefit, gjatë bisedës, Nua i tha:
“O do të dezertosh nga UDB-ja, ose ik nga Amerika, sepse nuk ke më besë!”
Gruaja e Zefit ndërhyri:
“Po ti ç’ke kundër UDB-së? NN-së (ia kam harruar emrin kryeUDBashit të Malit të Zi) i ka ardhur keq për mua, prandaj më ka marrë në shtëpi e më ka sjellë me veturë në Beograd. Më ka shoqëruar deri sa kam hipur në aeroplan. Ma ka paguar edhe biletën…”
Nua e ndërpreu:
“Kunatë, sa herë të ka q… gjatë rrugës, meqë je kaq sharmante?!”
Plasi grindja. Gati sa nuk ndodhi vrasje…
Po atë Zef e kam parë në mbrëmjen e Vitit të Ri 1997, në restorantin “Kumanova” (seli rekrutuese e koordinuese e UDB-së), përballë Hotel “Dajtit”. Tashmë ishte në tavolinë me zëvendësin e Bashkim Gazidedës, atëherë drejtor i SHIK-ut. Edhe atij krimineli, për të cilin thuhej se e kishte komanduar plojën në Përmet, në mars të vitit 1997, ia paskam harruar emrin…
Po ai Zef duhet të ketë paguar autobusë për të dërguar malësorë (kryesisht minoritarë) nga Shkodra me rrethinë, që të solidarizoheshin me rebeluesit në Vlorë, duke ngritur para kamerave televizive “tre gishtat” e ritit ortodoks serb…
Në gusht të vitit 1998 u befasova kur, në pritjen zyrtare të presidentit Rexhep Mejdani, gjeta edhe Preç Zogajn, të cilin e prezantuan si këshilltar. Gati sa nuk ia thashë këto që po i rrëfej tani Presidentit Mejdani, kur Preçi, i ulur afër meje, më goditi me gju nën tavolinë, duke më “këshilluar”, nën zë, të mos e vazhdoja rrëfimin revoltues për tradhtinë që pushteti i Shqipërisë po ia bënte Luftës Çlirimtare të UÇK-së.
Fatmirësisht, Presidenti Mejdani insistoi t’ia thosha ato që zura t’i rrëfeja, duke reaguar ndaj fjalëve të mia drejtuar Preçit:
“Mos më pengo, se i tregoj Profesorit kush je ti!”
Meqë “i rash trup nga Kina”, me paraqitjet e tij në debatet televizive, siç e potencova, po ma shton dyshimin se ishte rekrutuar nga Zefi qysh në vitin 1991. Prandaj ishte kaq kontrovers dhe spekulativ në ato që thotë, edhe pse ka përgatitje intelektuale për t’i ditur të vërtetat dhe për të shprehur mendime e këshilla të urta e racionale.
Preçi e di se parullat e thirrura në protesta brenda pak minutash, si ajo fashiste “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe ajo kriptoenveriste “Revolucion, revolucion”, tolerohen sepse protestat, sipas dyshimit tim, organizohen nga agjentë që bashkëpunojnë në raste të tilla. Agfjenturat bashkëpunojnë mes tyre kur kanë interesa të përbashkëta. Ison ua mbajnë tifozët e tyre dhe ndonjë viktimë e sloganeve dhe kërkesave populiste, dekadente e destruktive, meqë tashmë ambientalistët snobë dhe LGBT-istët nuk janë më pjesëmarrës.
***
Këtu mund ta ndiqni debatin:

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu