A ka kuptim ta mundësh djallin serb, të punësohesh në ferrin serb dhe ta bindësh vetën se je engjëll serb

Shkrime relevante

Pse, moj e mjera Dardani?

Mirushe H. Musa, Gjermani ____ PSE, MOJ E MJERA DARDANI? Pse, moj e mjera...

A ka kuptim ta mundësh djallin serb, të punësohesh në ferrin serb dhe ta bindësh vetën se je engjëll serb

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Ta mundësh djallin me metodat e tij mund të...

Tragjedia e Arlindes, nuk është platformë për Islamin Politik!

Basri Beka, Prishtinë ____ Vrasja makabre e Arlinda Zekajt kërkon drejtësi, përgjegjësi institucionale...

Dashuria e pathënë që jeton midis ëndrrës, dëshirës dhe mungesës, së poetës Lola Shehi

Kujtim Mateli, Tiranë Poezia “S’ta kam thënë” e poetes Lola Shehit, e...

Shpërndaj

Ta mundësh djallin me metodat e tij mund të jetë e justifikueshme, por vetëm me një kusht: që pas fitores të mos fshihet një qëllim edhe më djallëzor.
Përndryshe, njeriu rrezikon të hyjë në histori si çlirimtar, por të dalë prej saj si djall me përvojë të pasur politike.
Sepse djalli nuk është kundër konkurrencës. Ai është vetëm kundër konkurrencës që mund t’ia rrëmbejë vendin e punës.
Nëse e mund me brirë, me bisht, me zjarr e me squfur, ndoshta madje do të ta ofrojë edhe një vend pune në administratën e ferrit.
Por, nëse e mund duke u shtirur si engjëll, do të të respektojë aq shumë, sa mund të të emërojë edhe drejtor të Departamentit për Mashtrimin e Njerëzimit.
Problemi lind kur djallin e vogël e mund një djall larg më i madh.
Populli brohoret, kamerat filmojnë, studentët festojnë, analistët e shpallin fitoren e demokracisë, ndërsa në ferr gjatë gjithë kohës përgatitet ceremonia e ndërrimit të drejtorit.
Djalli i vjetër i dorëzon çelësat. I riu e merr zyrën. Sekretarja mbetet e njëjta, dosjet nuk ndryshojnë, ndërsa torturat vazhdojnë sipas orarit të përcaktuar.
Ndryshon vetëm fotografia në mur.
Dhe pikërisht në atë çast, njerëzimi zbulon një filozofi të re politike: fitoren e vlerave engjëllore përmes metodave djallëzore.
Një zbulim i madh filozofik, që do ta bënte edhe vetë Djallin të ndihej i keqkuptuar.
Megjithatë, ferri serb fillon të bëhet i kuptueshëm për mua vetëm kur shoh se kë po e kremtojnë disa studentë si hero të demokracisë.
Nemanja Sharoviqin, të cilin e konsideroj si njërin prej përfaqësuesve më besnikë të interesave ruse në skenën politike serbe, disa studentë e presin sikur kryeengjëlli Mihail të ketë zbritur personalisht në Beograd për ta mundur të keqen me ndihmën e Moskës.
Nuk e di nëse engjëjt kanë filluar të punojnë për rusët apo rusët kanë hapur një sektor të posaçëm për prodhimin e engjëjve serbë.
Di vetëm se, nëse vazhdohet kështu, së shpejti do të na duhet ta themelojmë një komision parlamentar për ta dalluar aureolën nga antena për pranimin e udhëzimeve prej Moskës.
Ndoshta një komision i tillë do të themelohet pikërisht në Kosovën e Albin Kurtit.
Sepse në Serbi, kur një problem nuk mund të zgjidhet, zakonisht formohet një komision. Nëse as ai nuk e zgjidh problemin, themelohet një komision tjetër për të hetuar pse i pari ka dështuar.
Dhe kështu shteti zhytet në llucë, ndërsa demokracia hap vende të reja pune.
Por komedia ime fillon të bëhet e dhimbshme vetëm kur shoh se disa studentë janë të bindur që Aleksandar Vuçiqin e poshtërojnë duke e quajtur “shiptar”.
Këtu politika serbe arrin kulmin e saj artistik: presidenti, i cili do të duhej të jepte llogari për të gjitha të këqijat që kundërshtarët e tij ia atribuojnë, arrin të fshihet nga përgjegjësia pikërisht pas një fyerjeje të drejtuar kundër shqiptarëve.
Vuçiqi mund të përballet me akuza për korrupsion, për autoritarizëm, për manipulime, për keqpërdorim të institucioneve dhe për gjithçka tjetër që kundërshtarët e tij politikë ia vënë në barrë. Por mjafton që dikush ta quajë “shiptar” dhe të gjitha këto tema papritur shkojnë në pushim mjekësor.
Korrupsioni del për një cigare. Autoritarizmi shkon në tualet. Propaganda e fik mikrofonin. Institucionet i mbyllin dosjet. Ndërsa urrejtja etnike del në skenë, e përshëndetur me duartrokitje si ylli kryesor i mbrëmjes.
Vuçiqi, natyrisht, nuk ankohet. Përkundrazi, vështirë se do të mund të dëshironte kundërshtarë më të mirë.
Sepse nuk ka asgjë më të dobishme për një politikan që dëshiron t’i shmanget përgjegjësisë sesa kundërshtarët që merren me identitetin e tij të supozuar etnik, në vend që të merren me prejardhjen e vendimeve të tij politike.
Ta përfytyrojmë një hajdut të kapur me dorën në arkën e shtetit. Në vend që t’i kërkojnë llogari për paratë e zhdukura, kundërshtarët e tij fillojnë ta fyejnë për hundën, ngjyrën e flokëve dhe kombësinë që ia atribuojnë.
Hajduti, thellësisht i lënduar nga sulmi i padrejtë ndaj tipareve të tij fizike, thërret një konferencë për shtyp dhe flet për diskriminimin. Gazetarët e pyesin për të drejtat e njeriut. Organizatat Ndërkombëtare shprehin shqetësim. Në fund, hajduti largohet nga ndërtesa me dinjitetin e viktimës, ndërsa arka mbetet bosh.
Kjo nuk është më thjesht propagandë. Është një shërbim falas për mbrojtjen politike të të akuzuarit, i financuar nga marrëzia e paditësve të tij.
Vuçiqi e ka kuptuar prej kohësh të vërtetën që kundërshtarët e tij ende nuk e kanë mësuar: urrejtja ndaj shqiptarëve është një ombrellë e shkëlqyer, nën të cilën mund të fshihen të gjitha mëkatet e politikës serbe.
Nën atë ombrellë ka vend për korrupsionin, për mashtrimet, për keqpërdorimin e pushtetit dhe për të gjitha dështimet e tjera politike. Sapo fillon të bjerë shiu i përgjegjësisë, ombrella hapet vetvetiu.
Prandaj, kur studentët e quajnë Vuçiqin “shiptar”, mund të besojnë se po e poshtërojnë. Në të vërtetë, po ia dhurojnë një dhuratë politike: po e ndihmojnë që debatin për atë që ka bërë ta zëvendësojë me debatin për atë që të tjerët thonë për të.
Dhe kështu presidenti i shmanget dhënies së llogarisë, shqiptarët bëhen sërish shënjestër e urrejtjes, ndërsa studentët kthehen në shtëpi të bindur se kanë bërë revolucion.
Të gjithë janë të kënaqur, përveç së vërtetës, e cila në Serbi, me sa duket, nuk ka kartë anëtarësie në asnjë organizatë studentore.
Dhe tani mbërrijmë te pjesa më tragjike e kësaj historie: fitorja studentore.
Kë e kanë mundur, në të vërtetë, studentët?
Nëse e kanë mundur Vuçiqin duke e detyruar të përballet me përgjegjësinë e vet, duke i demaskuar manipulimet e tij dhe duke e detyruar të japë llogari para institucioneve, atëherë kjo është fitore e demokracisë.
Por, nëse fitorja e tyre përmblidhet në fyerjen e presidentit me një epitet përçmues për shqiptarët, ndërsa veprimet e tij politike mbeten në hije, atëherë ata nuk e kanë mundur Vuçiqin. Kanë fituar vetëm në disiplinën e vetësabotimit politik.
Vuçiqi përfiton publicitet falas, kundërshtarët e tij ia konfirmojnë rrëfimin për armiqtë e Serbisë, ndërsa shoqëria mbetet e burgosur në të njëjtin rreth paragjykimesh nacionaliste, prej të cilit gjoja po përpiqet të dalë.
Kjo është një fitore në të cilën fitimtari nuk e di çfarë ka pushtuar, i munduri nuk ka nevojë ta pranojë humbjen, ndërsa i vetmi që e di rezultatin paraprakisht është politikani që di ta shndërrojë urrejtjen e të tjerëve në mburojën e vet.
Një fitore e tillë nuk e rrëzon regjimin. Ajo e ndihmon të mbijetojë.
Pra, tragjedia nuk qëndron te fakti se populli serb nuk ka mundësi të qytetërohet. Tragjedia qëndron te fakti se, sa herë që i jepet një mundësi e tillë, një pjesë e shoqërisë garon se kush do të tregohet më pak i qytetëruar, duke e bindur veten se pikërisht kështu po e shpëton qytetërimin.
Ky është një talent i rrallë politik. Duhet një shkollë e tërë e mendimit politik për ta mundur shovinizmin me shovinizëm, manipulimin me vetëmashtim dhe autokratin duke ia dhuruar argumentet më të mira për të mbetur në pushtet edhe pa pushtet.
Në atë çast, edhe Djalli do të kishte arsye të mburrej me nxënësit e vet.
Po të ishte i zgjuar, do ta hapte një universitet në Beograd. Fakulteti i parë do të merrej me artin e mposhtjes së djallit përmes metodave djallëzore. I dyti do ta studionte shndërrimin e urrejtjes etnike në program politik. I treti do të përgatiste specialistë për shpalljen e çdo disfate morale si fitore historike.
Provimet do të ishin të lehta. Mjafton t’i urresh shqiptarët, ta madhërosh njeriun e gabuar dhe të jesh plotësisht i bindur se je në anën e engjëjve.
Diploma do të jepej automatikisht.
Dhe kështu Serbia do të vazhdojë të humbasë mundësitë për t’u bërë një shoqëri vërtet e qytetëruar, jo sepse nuk ka njerëz që duan ta rrëzojnë djallin, por sepse shumë prej tyre, sapo i shohin brirët, nuk pyesin se kujt i përkasin. Pyesin vetëm nëse mund t’i përdorin për ta goditur kundërshtarin politik.
Në fund të fundit, ferri nuk ka nevojë t’i mundë engjëjt.
I mjafton t’i bindë se brirët janë, në të vërtetë, aureola që ende nuk kanë mësuar të rriten në drejtimin e duhur.
Dhe kur një fitore e tillë festohet si triumf i demokracisë, Djallit nuk i duhet më as të sundojë.
I mjafton të jetë i sigurt se kundërshtarët e tij, në emër të luftës kundër tij, do të vazhdojnë ta bëjnë punën e tij.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu