Me 1889 Perandoria Otomane bani edhe një hap antishqiptar: lejoi hapjen e konsullatës së Serbisë në Prishtinë

___
HISTORI ME KONSUJ
___
Lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër Perandorisë Otomane nisi me 3 shtator 1878, me rrethimin dhe vrasjen e Ali Pashë Maxharrit në Gjakovë, përfaqësuesit të Perandorisë Otomane që kishte ba pazare me tokat shqiptare në Kongresin e Berlinit dhe përfundoi me Betejën e përgjakshme të Slivovës, me 20 prill 1881, kundër ushtrisë së mirarmatosun të gjeneralit Dervish Pasha, një gjeneral si Nebojša Pavković i asaj kohe. Ky gjeneral, pasi vendosi paqen me pushkë e me zjarm, shpalli shtetrrethimin ushtarak në tokat shqiptare, siguroi dorëzimin e Tivarit e të Ulqinit Malit të Zi.
Kjo luftë iu imponu shqiptarëve edhe nga faktorë të jashtëm të superfuqive të krishtena europiane, edhe nga Perandoria Otomane. Shqiptarët luftuen kundër forcave malazeze e serbe. Por, ma e randa dhe ma e përgjakshmja ishte lufta kundër Perandorisë Otomane.
Vetëm tetë vjet ma vonë, me 1889 Perandoria Otomane bani edhe një hap antishqiptar: lejoi hapjen e konsullatës së Serbisë në Prishtinë. Serbia e kishte llogaritë këtë hapje të konsullatës me ndodhë në 500-vjetorin e Betejës së Kosovës. Pra, sulltan Abdylhamiti masakronte shqiptarët me ushtri, por masakronte edhe me diplomaci. Hapja e konsullatës serbe në Prishtinë ishte një nga gabimet më të tmerrshme që mund të bahej në kohën kur ishin vra e burgosë me mija shqiptarë dhe Kosova ishte djegë e rrafshu prej ushtrisë kriminale të Dervish Pashës. Konsullata e Serbisë në Prishtinë lujti një rol tejet negativ dhe shqiptarët e kuptuen këtë bashkëpunim antishqiptar serbo-otoman, prandej pa kalu pesë muej, me 1890, një grup shqiptarësh vranë konsullin e parë serb në Prishtinë, Luka K. Marinkovićin.

Maxhar Pasha…
Shqiptari që zbrazi koburen mbi konsullin Marinkovići ishte Ibrahim Hyseni, një muhaxhir shqiptar nga Prokupla, që kishte shpëtu nga gjenocidi serb e kishte kërku strehim në Kosovë. Atë e ndihmuen në këtë ndërmarrje dy shqiptarë të tjerë, Hamdi Etemi e Raif Agushi dhe një ashkali, Ajvaz Aliu. Në gjyqin që u zhvillu në Shkup, Ibrahim Hyseni u dënu me vdekje, ndërsa të tjerët me disa vite burg.
Pas Marinkovićit si konsuj në Prishtinë shërbyen Branislav Nušići, Milan Rakići i Sima Avramovići. Të gjitha raportet e tyne janë thellësisht antishqiptare, janë farat e para të mbjelljes së urrejtjes e të paragjykimeve kundër shqiptarëve dhe përgatitje e terrenit për pushtimin e ardhshëm të Kosovës nga Serbia.
Raportet e konsujve kanë me shërby si udhërrëfyes për shumicën e egzekutimeve të shqiptarëve, me emën e mbiemën, pas pushtimit të Kosovës nga Serbia me 1913.

Konsulli i Rusisë Cariste në Mitrovicë, Григорий Степанович Щербина në foto me disa “serbë”, disa prejt të cilëve qysh shihen në foto ishin të veshur me tirq!
Por, një Ibrahim tjetër, me 1903, Ibrahim Haliti nga Gjilani, vrau edhe konsullin rus, Grigorij Stepanoviq Shçerbinin (Григорий Степанович Щербина), tue dijtë qëllimet se mirëfillta të planeve pansllave kundër shqiptarëve ishin qëndronin në bashkëpunimin e armiqve të shqiptarëve. Dhe nuhatja e këtyre shqiptarëve për qëllimet kobzeza të konsujve dhe shteteve prej nga vinin ata u tregu tejet e saktë.
Shqiptarët të gjendun mes Shilës (Perandorisë Otomane) dhe Karibdës (Serbisë) ia dolën me mbijetu, por dolën territorialisht të gjymtuem si mos ma keq.

Konsullu rus në Mitrovicë Grigorij Stepanoviq Shçerbinin
Kjo histori e shkurtë u desh me u rrëfy në kohën kur po mendohet me u hapë një konsullatë e Serbisë në Shkodër. Asht e vërtetë që Republika e Shqipnisë me asgja nuk mun me u krahasu me Perandorinë Otomane. Por, ja që për budallaki mundet. Sulltan Abylhamiti II ka qenë shum ma i fuqishëm se Edi Rama. Por, kur kqyr mbrapa duken si binjakë për nga ahmakia. Zor asht me i nda në shenjë.
Kjo asht arsyeja pse shqiptarët duhet me i hapë sytë fort mirë. Qysh ka thanë shqiptari i urtë: armiku i vjetër kurrë nuk bahet mik i ri, me aq sa bahet sheqeri krypë.


