Dom Nikson Shabani, Prizren
Kundërpërgjigje ndaj Prof. Dr. Milazim Krasniqit .
Nëse Prof. Dr. Milazim Krasniqi ka marrë kërcënime, ato duhen dënue pa asnjë hezitim. Liria e shprehjes është e drejtë themelore dhe vlen për secilin. Por, liria e shprehjes nuk nënkupton paprekshmëni prej kritikës. Përkundrazi, kush shkruen publikisht duhet me qenë i gatshëm me u përballë edhe me kundërargumente.
Observer.al dhe Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë e paraqet Prof. Krasniqin si mbrojtës të lirive themelore. Atëherë lind një pyetje e thjeshtë: i respekton ai vetë këto liri kur flet për shqiptarët që zgjedhin me u pagëzue? Në shkrimin e tij ai nuk merret vetëm me analiza sociologjike.
Ai i quan qytetarët dhe shoqatat që dëshmojnë fenë e krishterë “shoqata hibride”, i etiketon si “problem sigurie”, flet për “absurditet kryqtar”, i quan “donkishoteskë dhe idiotike”, madje len me kuptue se pas tyne qëndrojnë “qendra financimi”. Kjo nuk është gjuhë akademike. Kjo është gjuhë etiketimi dhe stigmatizimi.
Pyetja është e thjeshtë: kur një shqiptar, me vullnet të lirë, kërkon pagëzimin, kë po sulmon?
Kë po rrezikon?
Cilin ligj po e shkel?
Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të gjitha konventat ndërkombëtare garantojnë të drejtën e çdo qytetari me zgjedhë, me ndërrue dhe me shprehë fenë e vet. Nëse një mysliman ka të drejtë me predikue Islamin, atëherë edhe një i krishterë ka të drejtë me predikue Ungjillin. Nëse një qytetar ka të drejtë me u ba mysliman, ai ka po aq të drejtë me u ba i krishterë. Liria fetare nuk mundet me vlejtë vetëm për njërën palë. Edhe pretendimi se “katolicizmi është në krizë” nuk është argument kundër pagëzimeve në Kosovë. Edhe po të kishte sfida në disa vende të Evropës, kjo nuk ia heq askujt të drejtën me zgjedhë Krishtin. Për më tepër, vetë Evropa njeh edhe raste të shumta të rikthimit në Kishë dhe të rritjes së numrit të të rritunve që kërkojnë pagëzimin.
Por problemi ma i madh nuk është ky. Problemi është se Prof. Krasniqi e paraqet përhapjen e krishterimit si rrezik, ndërsa hesht për rrezikun real që e ka kërcënue identitetin shqiptar për dekada: islamin politik. Le ta themi qartë: Islami si fe nuk është armiku ynë. Armiku është islami politik. Islami politik nuk synon vetëm me predikue fenë. Ai synon me e shndërrue fenë në ideologji politike, me e vendosë mbi shtetin demokratik, mbi kombin shqiptar dhe mbi rendin kushtetues.
Pikërisht kjo ideologji ka sulmue vazhdimisht figurat kombëtare shqiptare, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, Nënë Terezën, e gjitha fugurat më të rëndësishme të historisë shqiptare, që pa kontributin e tyre nuk mund të mendohet e le më të shkruhet e të flitet për identitetin tonë kombëtar shqiptar dhe trashëgiminë tonë evropiane, kulturën shqiptare dhe çdo përpjekje për ta forcue identitetin kombëtar përtej ndasive fetare.
Nëse me fjalët “mur” dhe “fortesë” Kryemyftiu i Kosovës Naim Tërnava, i cili këto ditë i përdori këto fjalë publikisht, ka pasë parasysh mbrojtjen e Kosovës prej ekstremizmit dhe islamit politik, atëherë kjo është në interes të çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje. Edhe ne katolikët kemi interes që Bashkësia Islame e Kosovës të mbetet institucion serioz, i përgjegjshëm dhe i orientuem kah bashkëjetesa, sepse dobësimi i autoritetit të saj mund t’u hapë rrugë rrymave radikale që nuk i shërbejnë as myslimanëve, as të krishterëve e as një bashëkësie fetare e orinetimi qytetar e as Republikës së Kosovës.
Prandaj, “No pasarán!” nuk duhet me qenë thirrje kundër Islamit si fe dhe as kundër myslimanëve shqiptarë. Ajo duhet me qenë thirrje kundër islamit politik, kundër çdo ideologjie që përpiqet me e përdorë fenë si mjet politik, me e dobësue shtetin demokratik, me e relativizue identitetin kombëtar shqiptar dhe me e prishë harmoninë ndërfetare. Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi i Prof. Krasniqit.
Ai e paraqet pagëzimin e lirë të disa shqiptarëve si “problem sigurie”, ndërsa nuk e konsideron problem faktin që për vite me radhë ideologët e islamit politik kanë shpallë tradhtarë shqiptarët katolikë, kanë sulmue Gjergj Kastriot Skënderbeun, kanë përçmue Nënë Terezën, Pjetër Bogdanin, kanë relativizue identitetin evropian të shqiptarëve dhe kanë përhapë narrativa që e vendosin umetin mbi kombin.
Nëse vërtet shqetësohemi për sigurinë e Kosovës, atëherë duhet ta pranojmë se rreziku nuk vjen prej një qytetari që kërkon pagëzimin. Rreziku vjen prej çdo ideologjie, fetare apo politike, që e vendos besnikërinë ideologjike mbi Kushtetutën, mbi shtetin dhe mbi kombin. Prandaj askush të mos e përdorë termin “islamofobi” për me heshtë debatin. Nuk është islamofobi me mbrojtë të drejtën e një shqiptari me u pagëzue. Nuk është islamofobi me mbrojtë identitetin kombëtar shqiptar.
Nuk është islamofobi me kundërshtue islamin politik. Përkundrazi, mbrojtja e lirisë fetare, e shtetit demokratik dhe e identitetit kombëtar është detyrë e çdo qytetari të përgjegjshëm. Kosova nuk ka nevojë për mure mes feve.
Ka nevojë për një mur të fortë kundër ekstremizmit, kundër islamit politik dhe kundër çdo ideologjie që kërkon ta përdorë fenë për interesa politike.
Vetëm kështu ruhet paqja, liria dhe harmonia ndërfetare që e ka dallue gjithmonë popullin shqiptar.


