Shkrimtari i njohur Muharrem Blakaj ka lindur në vitin 1959 në Vrellë të Istogut. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa të mesmen në Istog e Pejë. Studimet universitare i zhvilloj në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, derisa njëkohësisht vazhdonte veprimtarinë kombëtare në bashkëpunim me grupin ilegal që udhëhiqej nga Jusuf Gërvalla. Në vitin 1979 u arrestua nga milicia jugosllave, kurse më 1987, nën mbrojtjen e avokatit Bajram Kelmendi Gjykata e Qarkut në Pejë e liron nga burgu, në mungesë provash. Më 1987 si pasojë e përndjekjes emigron në Zvicër, ku jeton aktualisht.
Është autorë i romaneve: „Misioni sekret“ (Rozafa 2004); „Thesaret e humbura“ (Mëmëdheu 2005 / KOHA 2026); „Atentat brenda germës L“ (KOMBI 2007); „Paraardhësit“ (Mëmëdheu 2009 / Rozafa 2018); „Rrugëtim Fatal“ (Dukagjini 2012); „Nana Kadë“, (Film dokumentar – Pejë 2018); „Mëndesha“ (LENA 2018); „Vitet e brishta“ (ROZAFA“ 2021); „Zana e Shën Martinit“ (ROZAFA 2022); „Tri vija të kuqe“ (ROZAFA 2024).
Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Blakaj pothuaj në gjithë veprën e tij letrare e trajton temën e islamizimit të kombit shqiptar, duke nisë nga pushtimi shumëshekullor i Perandorisë Osmane, e deri në ditët e sotshme. Andaj, duke qenë se është një zë i qartë dhe shpjegues i islamizimit të kombit shqiptar dhe pasojave historike të tij, e pashë të rëndësishme që ta intervistoja për librin “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”.
__
I nderuari Muharrem Blakaj, pothuaj në të gjithë librat tuaj, sidomos në romanin Paraardhësit, e trajtoni temën e islamizimit të kombit. Në shpalimin e kësaj të vërtete të hidhur, që u mbajt bukur e fshehur, je ndër shkrimtarët që prini në shtjellimin e kësaj teme. Si të lindi ideja që ta trajtonit këtë temë në romanin tuaj…?
__
Muharrem Blakaj: Në janar të vitit1968 kur isha nxënës në shkollën fillore, arsimtarët tanë si: Idriz Zeqiraj, Muhamet Vuthaj, Sadik Vuthaj etj., kishin përgatitur një koncert për kremtimin e pesëqind vjetorit të vdekjes së krye heroit të kombit shqiptarë Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Gjatë kësaj periudhe arsimtari i historisë Sadik Vuthaj e shpjegonte historinë e Skënderbeut në mënyrë aq fantastike dhe me bëhej sikur ato beteja i përjetoja vetë! Më pas, në kinema në Istog u shfaq edhe filmi i Skënderbeut që mu ngulit në kujtesë si gjëja më e shenjtë që kisha parë ndonjëherë. Ne si fëmijë punuam harqe, shigjeta, shpata, mburoja, përkrenare nga lëvore bredhi duke i imituar betejat e Gjergj Kastriotit që i kishim parë në film. Gjatë një ndeje në odën tonë ku, përveç shumë miqve dhe burrave nga fshati, prezent ishte edhe hoxha. Ai fliste për Pejgamber, beteja myslimanësh, emra vendesh të pakuptimtë, prerje kokash të pa besimtarëve, plaçkitje kundërshtarësh, ndarja të robëreshave që më e bukura, thoshte, i takonte Pejgamberit, ndarjen “me drejtësi” të plaçkës së luftës etj. Këto tregime që aspak nuk ngjanin me ato që zakonisht fliteshin në odën tonë, më nxitën ta pyesja hoxhën se cili kishte qenë më trim: Pejgamberi a Skënderbeu? Përgjigjja e hoxhës më zhgënjeu: “Mos e përmend atë gjahil – tradhtarë që ka vra mysliman!”. I zhgënjyer ju kundërpërgjigja se e kam parë në film Skënderbeun se si vriste turq, por, pas qortimeve të ashpra nga disa të pranishëm më qitën jashtë.
Në odën tonë, përveç pleqve të fshatit, vinin edhe miq nga anë të ndryshme si Adem Maxharri, Sejdi Uka, Sejdi Caku Haxhijaj, Shaban Fetahaj, Him Lubeniqi, rapsodët Sahit Shoshi e Xhemajl Bajraktari etj., të cilët nuk flisnin për fe e islam por për histori shqiptare, ngjarje, beteja, vrasje, grabitje nga armiq turq e serbë.
Kjo ishte koha kur bëra ndarje, ndoshta pa vetëdije, në mes të islamit me gjuhë, kulturë e tregime arabe, që i rrëfente hoxha dhe betejave të pathyeshme të Gjergj Kastriotit, që na i shpjegonte në shkollë arsimtari Sadik Vuthaj dhe na i përforconin me tregime betejash burrat e odës!
__
Si krijues çka keni vërejtur, cili është mendimi juaj rreth islamizimit…Deri në vitin 1912, pas shumë shekujsh pushtimi, Perandoria Osmane – kalifatiste u tërhoq nga viset Arbënore të Gadishullit Ilirik, por menjëherë Serbia, si pushtuese tjetër e viseve tona, e mori për detyrë “ta ruante islamin” për ne. Faktet historike për pothuaj një shekull pushtim tregojnë që Serbia e hapi Medresenë e Madhe “Mbreti Aleksandër” në Shkup, vetëm 12 vite pas pushtimit të Perandorisë Osmane. Pastaj, në fillim të viteve të ’50-ta të shekullit të kaluar, e hapi Medresenë Alaudin, pararendësen e medresesë së vitit 1987. Në atë kohë, siç e din, përgatitesh vala tjetër e shpërnguljeve si “turq-mysliman”, që do të vinte si rrjedhim i dhunës së madhe të asaj që njihet “Koha e Rankoviqit” apo “Aksionit për mbledhjen e Armëve”, që shqiptarët në masën më të madhe si kishin, por që “duhej t’i gjenin”. Thjeshtë e gjithë kjo kishte qëllim e synim që njerëzve t’ua bënin jetën e padurueshme. Si e shihni ju “lojën me islam” të asaj kohe, që po vazhdon edhe sot me islamizimin antishqiptarë të kombit…?
__
Muharrem Blakaj: Një oficer i dëshpëruar çek, Frantishek Zah kishte përgatitur një skicë për Bashkësinë sllave. Këtë skicë e përpunon Ilia Grashanin i cili e shndërron në projekt serbë për pushtimin e tokave shqiptare dhe pastrimin e tyre etnik. Që nga ajo kohë Serbia ka përpiluar me dhjetëra projekte për shkombëtarizimin dhe zhdukjen e popullit shqiptar. Në qendrën e të gjitha këtyre projekteve, elementi kryesorë që do ta shkatërroj kombin shqiptarë është islami. Këtë, për herë të parë e dokumenton ish myftiu i Maqedonisë së veriut Sulejman Rexhepi në librin e tij »Memoare«, me çka e vërteton se të gjitha bashkësitë islame në trojet shqiptare janë nën drejtimin e shërbimeve sekrete serbe. Kjo është aq e qartë, saqë s’ka pse të mendohet më shumë rreth kësaj. Pas këtij botimi, më këtë çështje do duhej të merreshin shtetet përkatëse, imamët e cituar nga autori të hetoheshin, agjentët e infiltruar të dënoheshin dhe hierarkia drejtuese e bashkësive islame të mbikëqyrej nga shteti.
__
Gjatë gjithë kohës së pushtimit shumëshekullor turk-osman as përafërsisht nuk u ndërtuan xhami si tash kur e fituam lirinë kombëtare pas luftës së NATO-s dhe UÇK-së. Kah po shkohet me këtë shoqëri “paralele”, shqiptare dhe islamike Muharrem Blakaj? A duhet që t’i dalim kësaj të keqeje përpara, këtij “pushtimi të brendshëm”, apo t’i lëmë islamistët – neoosmanli, që të bëhen deputet, qysh u bë Osman Musliu?
__
Muharrem Blakaj: Përderisa shteti ende nuk ka një ligj të mirëfilltë që i përcakton çështjet fetare, është shumë e vështirë që të ndërmerret diçka esenciale në këtë drejtim, por, si gjithmonë, populli shqiptarë është i vetëdijshëm dhe kur pala tjetër e tejkalon kufirin e tolerancës reagon, po ashtu, fillimisht me tolerancë. Vetëdijesimi kombëtarë e hodhi hapin e parë dhe filluan me braktisjen e islamit. Se nuk kishte rrugë tjetër. Tani pritët që këtë rrugë ta ndjekin imamët e brumosur me ndjenja kombëtare, që besoj se pritët të ndodhë, kurse, sa i përket otomanit Osman Musliu, është shfrytëzim vakumi në mungesë ligji të mirëfilltë që duhet t’i përcakton çështjet fetare! Këta tipa hoxhallarësh tentuan që edhe luftës tonë kombëtare dhe UÇK-së ti japin ngjyra islame, por dështuan… edhe ky hoxhë kontrovers do të dështon. Ka për të dështuar ky dhe tjetri, se tashmë mbarë një komb po zgjohet dhe është duke marrë masa mbrojtëse ndaj këtij pushtimi që ti me të drejtë e quan “pushtim i brendshëm”.
__
Politika shqiptare, ajo në Shqipëri sikurse e Kosovës, vazhdojnë të heshtin rreth islamizimit të kombit, madje në disa mënyra edhe po e përmbajnë. Religjioni islam ka vite e vite që është shndërruar edhe në “çështje garash elektorale”. Sigurisht që e ke vërejtur se nuk e kemi ndonjë parti e cila nuk e përdorë religjionin islam apo tjetrin në premtimet e veta elektorale. Turqia neoosmane po i meremeton dhe ndërton objektet e kultit në vendet tona për interesat e veta gjeostrategjike, përderisa “politika jonë” e shfrytëzon këtë shfytyrim të rrezikshëm të natyrës së kombit. Deri kur kjo heshtje përballë një vet shembjeje të tillë…?
__
Muharrem Blakaj: Deri tani hoxhallarët ishin aq fodull, mendjemëdhenj dhe të pa cipë sa që ju mbush mendja se vetëm ata janë “sheriati” (Ligji i Sharias që e rregullon anën juridike në vendet islamike) ata që e vënë në gjumë mbarë kombin shqiptarë. Ndërtimi i panevojshëm i qindra xhamive nga qarqe të dyshimta, e therën dhe preken ndërgjegjen dhe nervin kombëtarë. Reagimi ishte i qartë, grusht i vendosur kundër islamit politik në trojet arbërore. Tani BIK-u duket i tërbuar. Kurrë nuk e ka pritur që do të ketë një konkurrent kaq të fuqishëm, shqiptarë që marrin guximin ta braktisin islamin. Por kjo kryengritje është më shumë kryengritje kombëtare, që nuk do të lejoj asnjë prekje në natyrën e kombit. Prandaj, deklaratat kërcënuese të kreut të BIK-ut efendi Naim Tërrnava sa janë të përçarta, janë po aq të mjera. Ai flet jo si besimtar, që do të ishte e natyrshme, por “si një gjeneral” islamik që kujton se do t’i lihet hapësirë për zgjerimin e hapësirës islamike për interesat e huaja gjeostrategjike. Me daljen e mundimshme në skenë të forcave antiislamike, që e mbarojnë dhe ruajnë vetëm kombin, kjo ka përfunduar. Pamundësia e përdorimit të sheriatit (Ligjit të Sharias që i rregullon ato që ndërlidhen me islamin politik) kundër atyre “myslimanëve” që guxojnë ta braktisin islamin, në njërën anë dhe zvetënimi i tregimeve arabe të shekullit shtatë në anën tjetër, ka bërë që grushti i fuqishëm islam të shkërmoqët para kombit shqiptarë, prandaj efendiu Naim Tërrnava kërcënon se kujt nuk i pëlqen islami le të shkon në Beograd, deklaratë skandaloze për të cilën duhej të hetohej!
__
Islamistët politikë në Kosovë e gjetiu, si krijesa të “xhamive tona” që i meremeton dhe ndërton kryesisht Turqia neoosmane, vazhdojnë të flasin pandalshëm sikur “islami ndër viset shqiptare” ka ardhur “në mënyrë paqësore”. Ti si vëzhgues i pasojave të islamizimit në librat tuaj e thua të kundërtën, duke e shpjeguar artistikisht rolin antihistorik të imamëve në favor të pushtuesve edhe të atij serb. Këtë e thekson edhe në librin “Thesaret e humbura”. Si e shpjegon më gjerësisht çështjen e islamit ndër ne, erdhi paqësisht apo si “mysafir i paftuar”?
__
Muharrem Blakaj: Një fjalë popullore thotë: çka piqet nuk hiqet, dhe kjo po dëshmohet nga populli shqiptarë që për 18 shekuj e kishte “pjekur” krishterimin. Turqit bënë plojë e masakra të panumërta duke i detyruar shqiptarët kryengritës, në këmbim të jetës ta ndërronin fenë nga katolik në mysliman. Ortodoksët ishin të privilegjuar, pasi qendra e patriarkales ndodhej nën hijen e sulltanit në Stamboll, por me lejen e sulltanit ortodoksët shqiptarë u serbizuan, duke e humbur gjuhën. Ploja u zhvillua vetëm kundër shqiptarëve katolik. Prandaj, tani është rikthyer vetëdija kolektive shqiptare, duke u kthyer në rrënjët e të parëve. Mbaj mend, në kullën tonë ishin tre kryqe druri. Njëri shumë i vjetër ishte në tavan, një i skalitur me maje brisku ruhej në magje dhe quhej: kryqi i magjes dhe një tjetër ishte i fshehur nën strehën e koshit! Pleqtë i konsideronin të shenjtë, prandaj edhe i ruanin.
__
Në kohën kur zhvilloje veprimtari kombëtare në bashkëpunim me grupin ilegal që udhëhiqej nga poeti lirik, këngëtari e gazetari Jusuf Gërvalla, a ke menduar për islamizimin …?
__
Muharrem Blakaj: Nuk kisha ide të qartë. Ne ishim të përqendruar për organizimin dhe parapërgatitjen për sfidat e radhës që po shfaqeshin në horizontin bolshevik. Jusuf Gërvalla ishte në rrjedhën e këtyre valëve. Në platformën organizative vend të veçantë zinin memorandumet serbe të cilat i kishte përkthyer dhe na i shpërndau që të ishim të përgatitur edhe ndaj klerit mysliman, që vepronte nën përkujdesjen e organeve shtetërore të Republikës së Serbisë.
__
Qyshkur e kam të qartë se preokupimi yt intelektual është vetëm ai kombëtar…, por në ndërkohë ndodhi një mospajtim i madh me islamizimin e kombit dhe heshtjen e institucioneve rreth tij. U themelua edhe Lëvizja e Deçanit, ku ata që e themeluan atë ditë thanë qartë e zëshëm: “Nga sot ne nuk jemi Mysliman”. Si e sheh ti këtë mospajtim historik, këtë kryengritje intelektuale…?
__
Muharrem Blakaj: Një fjalë popullore thotë: peri këputët ku është hollë, zullumi kur trashët. BIK-u e trashi zullumin! Ata menduan gjatë se ne jemi “duke fjetur” dhe nuk po i shohim…Jo! Ne mendonim dhe ende mendojmë se shteti do t’i del përpara së keqës. Ata sollën hoxhallarë pa kurrfarë kriteresh etike e morale, vërshuan me veshje, imitime, fjalë e sjellje nga kultura e tradita arabe. I pushtuan në frymë agjenturore-antishqiptare mediat, duke bërë propagandë për Islamin, për “miletin-Umetin Musliman”. Mendonin dhe ndoshta ende mendojnë se do ta bëjnë “një komb tjetër” prej nesh. Ky ka qenë dhe mbetët kryeqëllimi i islamistëve politik nga radhët tona. Në mënyrë që “atë komb” t’ia bashkëngjesin “umetit të profetit” si një “komb” panislamik. Ndërtimi i xhamive pa kurrfarë planesh urbanistike, pranë zonave të frekuentuara publike, thirrje çjerrëse ezani, falje namazi shesheve e rrugëve publike, gra të mbuluara deri të sytë me burka të zeza, therje shtazësh e përgjakje rrugësh, hedhje plancesh vend e pavend dhe shumë prapësi të tjera që ishin fenomene të papara në trojet arbërore, prodhuan pakënaqësi që e cenonte jo vetëm kulturën e trashëguar shqiptare, por edhe kulturën demokratike të shtetit tonë laik. Se gjithë këto sjellje arabe vinin nga shërbimet sekrete serbe, turke e ruse, e vërteton libri i Sulejman Rexhepit dhe dënimi me burg i hoxhës agjenti serbë Hyzri Selimi.
__
Zotëri Blakaj, deri kur inteligjenca shqiptare, akademitë tonë shkencore, institutet e historisë apo të albanologjisë do të heshtin ndaj kësaj që unë e quaj sulm i hapur ndaj identitetit kombëtar?
__
Muharrem Blakaj: Ndikimi i BIK-ut në përgatitjen e ekstremit mysliman deri në shkuarje në luftëra xhihadi nuk do të duhej të mbetej në heshtje nga organet shtetërore. Përpjekjet e rehabilitimit të ekstremistëve përmes programeve që udhëhiqen nga hoxhallarë, jo vetëm që nuk kanë dhënë rezultate, por kanë ndikuar edhe më negativisht në vetë kreun udhëheqës mysliman. Të përpiqesh ti rehabilitosh ekstremistët radikal mysliman me ekstremist “tolerantë” mysliman, është sikur një vrasës ta rehabilitoj një vrasës tjetër! Tani, pas krijimit të një konkurrence paqësore për braktisjen e islamit radikal, do duhej të ishte e mjaftueshme që me këtë risi të merrej akademia e dy shteteve shqiptare, por, çuditërisht, po ndodhë e kundërta: Disa akademikë, në vend të shkakut, arsyes dhe shtytjes pse po braktiset islami, ata kanë filluar të vjellin vrer kundër vlerave kombëtare duke e thelluar edhe më shumë përçarjen, prandaj, në këtë situatë do të duhej të ndërhynte shteti, pasi ne jemi shtet laik dhe secili ka të drejtë ta braktisë një fe, mendim, ideologji dhe ti bashkohet një tjetre!
__
A duhet të mos bëzaj populli përderisa politikat shtetërore heshtin…A duhet heshtur derisa na xhamizohet vendi? A duhet të mos dëgjohemi fare përderisa Diyaneti i Turqisë, i afërt me Qeverinë Turke, e vazhdon investimin prej mbi pesëdhjetë milionë eurosh gratisë në ndërtimin e xhamisë stërmadhe të Prishtinës, xhami e cila do ti zë nga 17 mijë persona “që e falin namazin në ditë”. A po krijohet kështu “njeriu i Ri “arnaut”, ai që para së gjithash se njeh vetën por që identifikohet me idetë neoosmane-turkomëdha…?
__
Muharrem Blakaj: Përderisa shteti ende nuk e ka përpiluar ligjin mbi besimet fetare, do të ndodhin fenomene që janë nën influencën e agjenturave antishqiptare. Por, kujtoj se intelektualët e mirëfilltë kombëtarë, si gjithmonë gjatë historisë, edhe tani, këtë çështje të ndjeshme kombëtare do ta marrin në duart e tyre pa ua vu mendjen pasojave, përndjekjeve dhe vuajtjeve që do ti kenë. Faza e parë ka filluar, edhe pse duket qartë se agjenturat, nëse nuk i kanë futë ende, do të bëjnë përpjekje t’i fusin agjentët e tyre në mes për arritjen e përçarjes së brendshme. Qoftë tek Lëvizja e Deçanit apo tek lëvizje të tjera. Në saje të kësaj faze, ata që e kanë braktisur islamin po kërkojnë dhe kanë filluar të ndërtojnë kisha katolike, sfidë që po i vë në sprovë BIK-un dhe veçmas kishën ortodokse serbe. Duket se kanë menduar që shqiptarët do të rrijnë duarkryq, derisa fundosen në përkatësinë islamike, që nuk i lë të dallohen nga kombet islamike në botë. Por, historia na ka mësuar se çdo lëvizje kombëtare to të kurorëzohet me fitore, siç do të triumfoj edhe kryengritja kulturore e atdhetare antiislamike!
__
Me këto xhami e shkolla kuranore, që e synojnë tjetërsimin kombëtar dhe identifikimin religjioz të të rinjve, a mos po vetshembemi si komb?
__
Muharrem Blakaj: Zhvillimet shkencore e teknologjike çdo ditë e më shumë po i zbehin doktrinat fetare. Xhamitë, edhe pse të politizuara nga qarqe antikombëtare po thuajse janë të zbrazëta, përveç festave fetare apo ndonjë ditë të shënuar siç është namazi i xhumasë. Besimtarët mysliman, në përgjithësi janë të ngopur me iluzione hyrish e parajsë pagane, pasi çdo ditë po e shijojnë jetën e begatë dhe mondane me shëtitje e frekuentim lokalesh ku pihet edhe alkooli, veprime që BIK-u nuk ia ndalon dot xhematit të vetë, nga të cilët ka edhe të atillë që të dehur shkojnë në xhami! Kurse sa i përket islamit radikal, ndikim mund të ketë në ato vende ku besimi islam është traditë kombëtare, që fatmirësisht te ne shqiptarët, tradita jonë nuk ka asnjë lidhje, sado të vogël, me kulturën arabe. Shqiptarët, pavarësisht besimit, sidomos brezi i ri po i ndjekin me fanatizëm traditat tona kombëtare me gjuhë, këngë, valle e veshje tradicionale shqiptare, kurse myslimanët fanatik do të mbeten pakicë e papërfillshme dhe e izoluar.
__
A mos po vazhdohet aty ku e la akademiku nacionalist serb Vaso Çubriloviq për të na shkatërruar me Islam…?
__
Muharrem Blakaj: Po, këtë e vërteton gjuha plot urrejtje e udhëheqësve të BIK-ut që nuk po e kapërdijnë dot pjekurinë shqiptare, nuk po pajtohen me braktisjen masive të islamit dhe ndërtimin e kishave katolike. Janë në panik. Elaboratet serbe kanë korrur sukses në Bosnjë, po korrin ende sukses edhe të shqiptarët e Maqedonisë, por të ne, me Lëvizjen e Deçanit e lëvizje të tjera për braktisjen e islamit, projektet serbe kanë filluar të zbehën. Njerëzit e kanë kuptuar djallëzinë dhe platformat antishqiptare që fshihen pas religjioneve, sidomos pas religjionit islamik. Ka shenja që Lëvizja për rikthim në religjionin e të parëve do të zgjerohet edhe të shqiptarët patriotë që jetojnë jashtë kufijve të Dardanisë! Madje edhe në viset e shumëta ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni.
Se nuk jipen 17 apo 18 shekuj krishterizëm, për tre apo dy shekujt e fundit, kur të parët tanë i detyruan të islamizoheshin, deri tek islamizimi i malsisë së Rugovës në fillim të shekullit të kaluar.
Sidoqoftë, Islamin “shqiptar” në asnjë mënyrë dhe me asnjë mjet nuk duhet luftuar. Ata besimtarë mysliman janë vëllezërit tonë të një gjuhe, të një gjaku dhe i takojnë traditës tonë shqiptare. Ata nuk duhet lënduar, por duhet t’i zgjojmë me fakte dhe dëshmi historike që e ndriçojnë të kaluarën tonë, duke i inkurajuar që së pari të jenë shqiptarë, kurse besimin ta zgjedhin dhe ta mbajnë me dinjitet për vete, aty ku ju fle më shumë shpirti, kurse pala tjetër që ka vendosur ta braktisë islamin, thjeshtë ta bëjnë në heshtje, qetë, pa bujë, pa zhurmë e pa pompozitet!
Populli shqiptarë është i përjetshëm dhe do t’fitoj!

Për librin “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”, intervistoj Gjergj – Bajram Kabashi


