
Gani Mehmeti
Kohën e fundit është bërë aktuale zgjedhja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vite me radhë kjo parti erdhi duke rënë nga veprime jokorrekte dhe jo rugoviste, siç është bërë zakon të thuhet.
Është e qartë se Dr. Ibrahim Rugova fizikisht nuk jeton më. Mirëpo, me veprimtarinë e tij paqësore, njerëzore, shtetërore, ai na flet edhe sot e kësaj dite, por duhet të ketë njerëz që dinë ta lexojnë e ta kuptojnë sjelljen e tij përbrenda dhe për jashtë. E, që ta kuptosh, nuk është edhe aq vështirë, por duhet t’u përmbahesh atyre parimeve të tij të shkruara e të pashkruara, duke lënë shumë ambicie personale e pa u fryrë fare, por me ndjenjën se nuk po mund të bësh aq sa kërkon shteti.
Parim të shkruar prej tij se si qeveriset, se si udhëhiqet nuk kemi. Mirëpo, kemi parimin tjetër se si udhëhiqet, qoftë shteti apo partia, vetëm duhet të heqim egoizmin, duhet të mos e luftojmë tonin, i cilës do parti qoftë, madje as që duhet të mirremi me të tjerët, as me individët e as me partitë, as me sjelljet e të tjerëve.
Kryetari i LDK duhet të jetë paqësor me të gjithë brenda shtetit e jashtë tij. Ai mund të ketë kundërthënie me partitë tjera, por vetëm mund t’u tregojë ato, jo t’i luftojë, sepse ai është në konkurencë e jo në luftë me partitë tjera. Ai duhet të gjejë rrugë e mënyra tjera që i kërkon koha, për të ecur përpara edhe pa zhurmë me askë.
Ai vetëm duhet të tregojë rrugën e ecjes përpara, të zhvillimit të Kosovës në të gjithë lëmenjtë e jetës, por assesi të bëhet grindavec as me anëtarët e partisë së tij e assesi edhe me partitë e tjera.
Partitë e tjera, mund të sulmojnë, mund të sillen me arrogancën e tyre ndaj LDK, por kësaj nuk i takon fare një sjellje si e atyre. Në veçanti, kryetari i LDK duhet të mos i shikojë fare partitë e tjera, siikur fare të mos ekzistonin, nuk ka nevojë as të dëgjohen. E kur them kështu, duhet kuptuar se nuk duhet hyrë fare as në dialog me to për të keq. Ato të lihen anash, por jo puna e LDK.
E, nisur nga këto që thamë, asnjëri vetëkandidat i shpallur për kryetar të LDK-së, nuk i plotëson kushtet. Madje, edhe po t’i plotësonte cilido, nuk meriton asnjëri që vetë kërkon të bëhet kryetar i LDK.
Kryetarin duhet edhe ta kandidojë edhe ta zgjedhë partia, anëtarët e tjerë, jo të kërkojë secili për vete,
Këta të tre kandidatët e shpallur, asnjëri nuk janë rugovistë. Këta kanë qenë hapur edhe kundër LDK-së, me të cilët kanë pasur jo vetëm mospajtime, por edhe veprime të papajtueshme dhe kanë dalë kundër qëndrimeve të shumicës në LDK.
Vetë Përparim Rama ka qenë në konflikt me qendrën e LDK-së. Arben Gashi e Hykmete Bajrami, duke menduar se me sjelljet e tyre të vrazhdta ndaj partisë në pushtet, LVV, nuk kanë lënë përshtypje për qveresije të mirë. Puna e tyre u pa edhe në kundërshtimin e LDK në raport me LVV në zgjedhjen, gjegjësisht, votimin për kryetar të Kosovës të Arben Sejdiut, miratuar nga LDK, me çka u pa kryeneçësia e tyre dhe deshën ta çojnë edhe një here Kosovën në zgjedhje të parakohshme, duke mos e shikuar interesin shtetëror në shumë fusha të jetës, ashtu edhe në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare.
Me një fjalë, unë edhe nuk do zgjedhja asnjë kryetar partie e as shteti, të vetkandiduar.
Njeriu që vetë kërkon të zgjedhet për kryetar, për udhëheqës, nuk e marrë për serioz në organizimin e asaj për çka është fjala.
Këta llojë njerëzish kanë apetitet e veta karrieriste e egoiste, dhe nuk u besoj se e kanë për shtet më shumë se për vete.
Kryetari i partisë duhet të jetë, në radhë të parë, një emëruesi i përbashkët për të gjithë anëtarët e partisë, jo vetëm i Këshillit të Përgjithshëm, i Ktyesisë, por edhe i anëtarësisë së gjërë, për të ardhur deri tek fitorja e zgjedhjeve.
Mos kandidoni e as mos zgjedhni kandidatë të vetkandiduar, sepse partinë nuk e çojnë përpara. Këta lloj njerëzish janë të sëmurë për pushtet, jo për shtet.
Ndërkaq, në përfundim të këtij shkrimi, unë do të thosha se, për kryetar të LDK, i vetmi që mund ta çojë përpara LDK-në, më dinjitoz e më të përshtatshëm se Anton Quni, nuk ka sot në LDK.


