ARKIVI:
8 Gusht 2026

Kur shteti harrohet, pushteti bëhet qëllim!

Shkrime relevante

Në shenjën e historisë, mirënjohjes dhe kujtesës

Pamje nga vendi i ngjarje Më 4 gusht 2026, SHBK „SALIH ÇEKAJ“...

Kosova e ka fituar luftën, por paqen duhet ta fitojë edhe në institucione

Nga Frank Shkreli A po dështon Kosova të fitojë paqen? Kur Presidenti i...

Në këmbim të çkafit arabët e ndërtojnë këtë qendër shëndetësore në Gurrakoc të Istogut?

Përurohet QMF-ja në Gurrakoc Pardje u përurua zyrtarisht Qendra e Mjekësisë Familjare...

Kur shteti harrohet, pushteti bëhet qëllim!

Zeqir Bekolli,Drenas ____ Kosova i përkujton bijtë dhe bijat e saj që u...

Shpërndaj

Kosova i përkujton bijtë dhe bijat e saj që u sakrifikuan në luftën e fundit për lirinë dhe për ta bërë të mundur shtetin që sot e kemi. I përkujton ata që ranë në altarin e lirisë dhe ata që ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. Për familjet e të pagjeturve, pritja vazhdon të jetë një plagë e hapur, një pritje e mbushur me dhimbje, ankth dhe dëshpërim.
Por, ndërsa populli përkulet para kujtimit të të rënëve dhe ende pret lajme për të pagjeturit, shteti i Kosovës prej vitesh përballet me një paradoks të dhimbshëm: ata që kanë marrë përgjegjësinë për ta ndërtuar dhe forcuar shtetin po tregojnë se shpesh janë më të interesuar për pushtetin sesa për shtetin.
Prej një kohe të gjatë, institucionet e Kosovës po përballen me bllokada politike, mosmarrëveshje dhe përsëritje të proceseve zgjedhore. Grupet e interesit brenda partive politike, ambiciet personale dhe egot e sëmura po e mbajnë peng funksionimin normal të institucioneve. Në vend që Kuvendi të jetë tempulli ku mbrohet interesi i qytetarit dhe ku ndërtohet e ardhmja e vendit, ai shumë shpesh shndërrohet në arenë përplasjesh, fyerjesh dhe demonstrimi të papërgjegjshmërisë politike.
Kjo gjendje nuk është vetëm një problem teknik i formimit të institucioneve. Është një krizë e rëndë e përgjegjësisë politike.
Klasa politike duket se e ka harruar shumë shpejt çmimin e lirisë. Ka harruar luftën, ka harruar tragjeditë, ka harruar familjet që humbën më të dashurit e tyre dhe familjet që edhe sot presin një varr ku mund të ndezin një qiri.
Në vend të kësaj, qytetari përballet me një klasë politike që, në shumë raste, duket më e preokupuar me pushtetin, privilegjet dhe mbijetesën politike sesa me ndërtimin e një shteti funksional.
Pikërisht këtu lind dyshimi më i madh: a është vërtet interesi i të gjithëve ndërtimi i një shteti të së drejtës?
Sepse një shtet ku ligji është mbi individin, ku institucionet funksionojnë dhe ku çdo zyrtar duhet të japë llogari për pasurinë dhe veprimet e tij, mund të jetë i papërshtatshëm për ata që janë mësuar ta shohin shtetin si plaçkë politike.
Nuk duhet harruar se pasuria e krijuar në mënyrë të dyshimtë, korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit nuk mbrohen nga një shtet i fortë ligjor. Përkundrazi, një shtet i tillë i vë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, pavarësisht pozitës, partisë apo ndikimit.
Dhe pikërisht këtu qëndron tragjedia.
Kosova ka nevojë për institucione që nuk varen nga vullneti i një partie, i një lideri apo i një grupi interesi. Ka nevojë për institucione që i shërbejnë qytetarit dhe jo strukturave partiake.
Sot kemi arritur në një pikë ku qytetari duhet të pyesë veten: për çfarë u sakrifikuan ata që ranë?
A ranë që pas luftës të ndërtonim një shtet ku ligji do të ishte i barabartë për të gjithë, apo që pushteti të kthehej në privilegj të disa njerëzve?
A ranë që institucionet të funksiononin, apo që partitë politike të luftonin pafundësisht për poste?
A ranë që Kosova të ishte shtet i së drejtës, apo që qytetari të mbetej spektator i një teatri politik që përsëritet pa fund?
Edhe Serbia nuk e dëshiron një Kosovë të fortë, funksionale dhe të konsoliduar si shtet. Kjo është e kuptueshme në rrafshin politik. Por më shqetësuese është kur pengesat për forcimin e shtetit nuk vijnë vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda.
Një shtet mund të ketë armiq jashtë kufijve, por rreziku më i madh shfaqet atëherë kur ata që e drejtojnë shtetin fillojnë ta shohin atë si pronë të tyre.
Pamjet dhe përplasjet e sotme në Kuvendin e Kosovës janë, fatkeqësisht, një tjetër dëshmi e degradimit të kulturës politike. Ato nuk e nderojnë Kosovën dhe as sakrificën e atyre që ranë për të.
Por faji nuk është vetëm i politikanëve.
Edhe heshtja e qytetarit ka një çmim.
Kur qytetari e sheh padrejtësinë dhe hesht, kur sheh abuzimin dhe e toleron, kur e sheh korrupsionin dhe e arsyeton vetëm pse autori i tij i përket partisë që ai mbështet, atëherë edhe vetë shoqëria bëhet pjesë e problemit.
Kosova nuk ka nevojë për më shumë spektakël politik. Ka nevojë për përgjegjësi.
Nuk ka nevojë për liderë që e përdorin patriotizmin si mburojë politike. Ka nevojë për institucione që e dëshmojnë patriotizmin përmes punës, ligjit dhe përgjegjësisë.
Të nderosh të rënët nuk do të thotë vetëm të vendosësh kurora lulesh dhe të mbash fjalime përkujtimore. T’i nderosh të rënët do të thotë të ndërtosh shtetin për të cilin ata dhanë jetën.
Dhe nëse vazhdojmë ta trajtojmë shtetin si pronë të partive, pushtetin si privilegj personal dhe institucionet si plaçkë politike, atëherë plagën e luftës po e zëvendësojmë me një plagë tjetër: zhgënjimin e një populli që priste më shumë nga liria.
Kosova ka nevojë për një kthesë.
Një kthesë drejt përgjegjësisë, ligjit, institucioneve dhe dinjitetit.
Sepse shteti nuk është pronë e politikanëve.
Shteti është amanet i atyre që ranë dhe përgjegjësi e atyre që jetojnë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu