Monografi e Anton Lulgjurajt, kushtuar Malësisë

Shkrime relevante

Shteti i Dardanisë e vrau Arlinda Zekajn nga Vitomirica

Flori Bruqi, nga vendi i ngjarjës (Vitomiricë,26.10.2026) Me një letër drejtuar prokurores...

Ndryshimi politik në Serbi: Shpresë për një Ballkan të qetë apo vetëm ndërrim pushteti?

Arif Ejupi, Gjenevë Pa njohjen e së kaluarës, pa drejtësi për viktimat...

Dom Prekë Nreshvashaj, meshtari që u bë shpresë dhe shpëtim për mijëra shqiptarë anti-komunistë

Nga Frank Shkreli ____ Ai nuk ishte vetëm një meshtar katolik, por edhe...

Monografi e Anton Lulgjurajt, kushtuar Malësisë

Nail Draga, Ulqin MONOGRAFI  E VEÇANTË KUSHTUAR  MALËSISË Anton Lulgjuraj, MALËSIA-studime e hulumtime,...

Gjesti fisnik i Kelmend Ahmetajt nga Vuthajt – Donacion për pikën kufitare Vermosh–Guci

Një gjest domethënës i Kelmend Ahmetajt nga Vuthajt ka tërhequr vëmendjen...

Shpërndaj

Nail Draga, Ulqin

MONOGRAFI  E VEÇANTË KUSHTUAR  MALËSISË

Anton Lulgjuraj, MALËSIA-studime e hulumtime, Shkodër, 2026

Botimet të cilët trajtojnë shqiptarët në Mal të Zi  nga ana e autorëve të ndryshëm  kanë marrë hov  pas vitit 1990, më rastin e dështimit të ideologjisë komuniste dhe miratimin e pluralizmit politik, si kudo në vendet e ish kampit socialist, në Evropën Juglindore.

Në këtë aspekt as autorët shqiptarë nuk qëndruan statik por botuan studime e botime të veçanta ku si preokupim profesional ishte trajtimi i temave në lidhje me shqiptarët në këtë mjedis nga e kaluara e deri ditët tona. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe  sepse për të parën herë  u mundësua  të shkruhet pa cenzurë  sepse në monizëm pasojat ishin evidente.

Në gamën e botimeve të tilla bën pjesë edhe libri  “Malësia – studime e hulumtime” i autorit Anton Lulgjuraj i cili ditë më parë ka dalur nga shtypi.

Autori librin e ka konceptuar duke e ndarë në gjashtë kapituj , të cilët paraqesin një unitet  logjik në trajtimin e çështjeve të cilat  janë prezantuar në aspektin kronologjik, historik, gjeografik e antropologjik.

Malësia e Madhe sinonim i veriut shqiptar

Të rralla janë ata krahina në hapësirën etnogjeografike shqiptare që veçohen me një unitet natyror  e shpirtëror  në etnokulturën kombëtare siç është veriu shqiptar që është sinonim për Malësinë e Madhe.

Kemi të bëjmë pikërisht  me tri kategori që e dallojnë Malësinë e Madhe në botën shqiptare dhe jashtë saj  të cilat janë:

e para, së veriu shqiptar është sinonim i Alpeve shqiptare;

e dyta,së shtatë malet i kanë dhënë emrin e identitetin Malësisë së Madhe  dhe

e treta:  se veriu shqiptar përmes  xhubletës  e cila është  vështja autentike kombëtare shqiptare paraqet  pasaportën shqiptare.

Andaj, duke pasur parasysh këto të dhëna, dhe të kaluarën historike dhe trashëgëminë kulturore e kombëtare, më të drejtë Malësia e Madhe është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit”, që është krenari për të gjithë banorët e saj në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi.

Pikërisht duke marrë parasysh këto vlera të veçanta Malësia e Madhe ka qenë motiv dhe inspirim për krijues të fushave të ndryshme për hulumtime shkencore. Andaj në aspekt vlerësoj angazhimin e A.Lulgjurajt i cili në saj të punës serioze  disa vjeçare opinionit në përgjithësi e ati shkencor e kulturor në veçanti  i ka dhuruar monografinë “Malësia”, me një qasje shumëdimensionale, për këtë pjesë të hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Malet  si faktor  i identitetit

Në traditën popullore shqiptare krahina etnografike e Malësisë së Madhe  e cila njihet edhe si Malësia e Mbishkodrës, përbëhet prej shtatë maleve, të cilët kanë veçoritë   lokale por kanë ruajtur unitetin popullor në pjesën veriore të hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Por, në sajë të rrethanave shoqërore të kohës duke filluar nga  nga pjesa e dytë shekulli XIX, ky unitet në aspektin territorial filloi  të pësoi ndryshime. Kemi të bëjmë aspiratat pushtuese të Malit të Zi për zgjerim territorial ndaj trojeve shqiptare ku ne Kongresin e Berlinit(1878) ku iu dhuruan dy male(Koja dhe Trieshi)  ndërsa ky reduktim nuk përfundoi me kaq sepse në Konferencën e Londrës(1912/13) u vendos që edhe Gruda dhe Hoti(pjesa perëndimore) t´i dhurohen Malit të Zi.

Ishin këto vendime  arbitrare të Fuqive të Mëdha, kundër vullnetit të shqiptarëve, duke mos marrë parasysh kriteret etnike e historike, sepse shqiptarët  kanë luftuar për të qenë të lirë  dhe të bashkuar në shtetin shqiptar, ku Malësia e Madhe është dëshmi historike në mbrojtje të hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Nga situata e tillë Malësia e Madhe u nda në dy pjesë, katër malet(Kojë,Triesh,Grudë e Hot) kaluan në administrim të Malit të Zi, ndërsa tre male(Kelmend, Kastrat e Shkrel) mbetën në kuadrin e Shqipërisë. Dhe nga ajo kohë në mënyrë artificiale u kriuan dy Malësi, ndonëse kemi të të bëjmë me të njëjtin popull i cili me dinjitet edhe sot mbron identitetin kombëtar shqiptar.

Duke marrë parasysh se krahinat etnografike trajtohen në mënyrë unike, autori në këtë botim trajton  pjesën perëndimore të saj e cila është në kuadër të Malit të Zi, duke ofruar të dhëna me interes  për katër malet nga aspekti historik, gjeografik, entologjik e antropologjia sociale.

Vendbanimet si kategori antropogjeografike

Në literaturën shkencore për vendbanimet  është pranuar  definimi gjeografik duke theksuar se vendbanimi është njësi e veçantë territoriale-antropogjeografike, me emër të veçantë pa marrë parasysh numrin e shtëpive. Vendbanimet  veçohen me hapësirën e tyre territoriale, numrin e shtëpive dhe të banorëve  në një vend të caktuar dhe si të tillë  paraqesin dukuri komplekse, që trajtohen nga disciplina te ndryshme shkencore.

Pikërisht duke marrë parasysh këto çështje  autori  vendbanimet  dhe lagjët e tyre prezantohen  me të dhëna  gjeografike, historike  e antropologjike duke ofruar informacione  të cilat opinioni do ti lexojë më kërshëri, sepse përveç  literaturës së konsultuar, autori ka zhvilluar takime me banorë vendas, të cilët kanë ofruar të dhëna me interes  për çështjet përkatëse, duke ndriçuar të kalurën dhe të tashmën e tyre dhe të tërë Malësisë.

Pikërisht këtu është vlera e veçantë e këtij botimi sepse autori është pëpjekur për të analizuar shkaqet e pasojat e mos zhvillimit të këtij mjedisi ku popullsia shqiptare  vazhdimisht  ka bërë përpjekje  për të mbijetuar, në rrethana të ndryshme shoqërore. Të dhënat për numrin e shtëpive të banuara aktualisht e atyre të pabanuara  janë dëshmi e migrimit të popullsisë,  në pjesën e fushore të Malësisë apo gjetiu e ate kryesisht në botën e jashtme, dëshmon se Malësia po zvoglohet numërikisht proces i cili vazhdon gjithnjë me pasoja të mëdha kombëtare. E dhëna se në Detroit të SHBA-ve ka ma shumë malësorë se sa në Malësi, madje sipas të disa të dhënave trefish ma shumë, është  dëshmi e një konstatimi të tillë.

Duke trajtuar vendbanimet e Malësisë  autori ka prezantuar  një numër  të

konsideruar  të mikrotoponimeve në mjediset përkatëse të cilët kanë vlerë të veçantë onomastike. Numri i tyre në këtë botim  është relativisht  i lartë  andaj kemi të bëjmë më një lëndë me interes  sidomos për gjuhësinë dhe gjeografinë historike.

Sfidat e mbijetesës

Në përgatitjen e këtij botimi autori ka konsultuar një litearturë selektive, por edhe burime të ndryshme të autorëve të cilët me herët kanë shkruar për Malësinë, duke pasur qendrim kritik, sepse jo të gjithë kanë prezantuar realitetin për këtë krahinë të hapësirës etnogjeografike shqiptare. Ndërsa prezantimi i hartave, tabelave dhe fotografive kompletojnë çështjet e trajtuara në aspektin demografik e hapësinor për vendbanimet e kësaj krahine etnografike.

Të dhënat e prezantuara për Malësinë në të kaluarën dhe në ditët tona dëshmojnë evoluimin  e antropologjisë sociale të popullsisë shqiptare në këtë mjedis specifik gjeografik. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse Malësia përjetoi rrethana të veçanta shoqërore e politike sidomos në dy shekujt e fundit(XIX e XX),  nga njëri pushtues në tjetrin ku arriti të sfidoj rrethanat e kohës duke mbijetuar në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar.

E vërteta e heshtur por jo e harruar

Nuk ka dilemë se vlera e një libri nuk varet nga tema  dhe përmbajtja  të cilën e shtjellon  por nga dilemat dhe debatin që krijon të lexuesi.

Pikërisht kemi të bëjmë me çështjet e heshtuara  shoqërore që në kohën e monizmit ishin të ndaluara, por ka ardhur koha që ato kërkojnë përgjigje për kohën se ishin me pasoja për shqiptarët në Malësi, në të kaluarën e deri në ditët tona.

Vetëm me një vullnet  e pa paragjykime  e qasje emocionale por me mbeshtetje të argumentuar do të zbardhej e vërteta e heshtur por jo e harruar e  krimeve të pushtetit të kohës kundër shqiptarëve në Malësi. Andaj, ndonëse të vonuar ka ardhur koha të demaskohet politika antishqiptare e pushtetit ish jugosllav  si para Luftës së Dytë Botërore  dhe pas saj. Sepse kemi të bëjmë me vrasjen e dhjetëra shqiptarëve  në Malësi pa vendime gjyqësore vetëm se ishin shqiptarë apo si të pa përshtatshëm për pushtetin.  Ndërsa emrat e individëve të tillë të cilët na i prezanton autori i kësaj monografie  e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Pikërisht një çështje e tillë meriton hulumtim të veçantë  duke botuar artikuj e botime për të njoftuar opinionin e gjerë për krimet e pushtetit ndaj shqiptarëve të dhëna të cilat në kohën e monizmit ka qenë temë e ndaluar, ku pak kush ka pasur informata të sakta, përveç rrethit të ngushtë familjar.

Në këtë drejtim duhet angazhim, profesionalizëm dhe guxim  intelektual  për të shpalosur të vëretën sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Shqetësime jo vetëm  demografike

Duke lexuar këtë monografi jo vetëm studiuesit por edhe  lexuesi në mes tjerash heton së disa çështje janë shqetësuese  dhe më pasoja për  Malësinë. Kemi të bëjmë kryesisht për çështjet demografike si emigrimi i popullsisë, rënia e natalitetit, moshënimi i popullsisë dhe shpopullimi i vendbanimeve, kryesisht ato të vogla në zonën malore.

Ndonëse migrimi i popullsisë është bërë trend bashkëkohor, pasojat mungesës së planit zhvillimor  dhe investimeve  nga ana e pushtetit në të kaluarën ka ndikuar që popullsia e Malësisë të pësojë ndryshime sasiore që dëshmohet nga të dhënat statistikore. Dhe nuk ka pasur se si të jetë ndryshe sepse për Malësinë nuk janë pyetur banorët e saj, por kanë vendosur të tjerët në Podgoricë, ku pasojat e tilla janë të pranishme edhe sot.

Çështje të veçantë paraqet edhe definimi i përkufizimit të territorit të komunës së Malësisë, çështje që është e hapur ku komisioni i komunës viteve të fundit ka punuar duke e dërguar në arbitrazh, andaj qytetarët presin një vendim të drejtë për tërë territorin e Malësisë.

Por, shqetësim të veçantë paraqet  dukuria e shitjës së pronave  së trashëguara nga banorët në vend por edhe  nga diaspora  që është gabim që nuk falët sepse ate që të parët e kanë vlerësuar dhe ruajtur me gjelozi, tash  trashëgimtarët e tyre janë duke iu shitur të tjerëve për përfitime materiale. Ndonëse këto individë mund të përfitojnë materialisht, por nga ana tjetër do të ndikojnë në ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë në Malësi me pasoja tash dhe në të ardhmën.

Pikërisht nga ky aspekt në Malësi ka kohë që është bërë çështje e veçantë   vendosja e popullsisë boshnjake në Dheun e Zi, e cila ka marrë përmasat e kolonizimit. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një kontigjent të lartë kësaj popullsie e cila këtu ka ndërtuar  për tre dekada  rreth 800 shtëpi të kësaj bashkësie. Një numër i tillë mbetën çështje e hapur  sepse ndikon në ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë në nivel komune, andaj  meriton përgjigje sipas ligjeve  dhe standardëve ndërkombëtare, sepse ndryshimi mekanik i strukturës kombëtare të popullsisë në një mjedis ku rrezikohet popullsia autoktone është vepër e  kundërligjshme.

Pasi nga viti 2018, Malësia është komunë e pavarur, në lidhje me këtë çështje duhet të angazhohet pushteti lokal  me ekspert vendor apo të huaj, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme në favor të komunës, e ate sa ma parë, sepse çdo vonesë do të jetë me pasoja.

Përfundim

Libri “Malësia” e A.Lulgjurajt  nuk ka dilemë se pasuron botimet në shqip për viset shqiptare në Mal të Zi si dhe bibliotekat persoale për të gjithë ata që librin e kanë pasion, duke dëshmuar se libri shqip është pasuri dhe vlerë kombëtare.

Të gjithë ata që në të ardhmën  do të trajtojnë tema të cilat kanë të bëjnë me Malësinë  ky botim është referencë e nevojshme sepse me qasjen  dhe trajtimin e çështjeve obligon jo vetëm studiuesit e ndryshëm, por, edhe të gjithë ata që kulturën e leximit  e kanë pasion, ndërsa hapësirën etnogjeografike shqiptare si preokupim individual e profesional.

Libri ”Malësia” është i mirëseardhur për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të njihen  me antropologjinë sociale  përkatësisht me të kaluarën dhe të tashmën e kësaj pjese të hapësirës  etnogjeografike shqiptare.

Andaj, këtë libër iu rekomandoj të gjithë qytetarëve të Malësisë  në vend, e sidomos atyre në diasporë, sepse  ndonëse janë larguar  nga vendlindja, ata kudo që jetojnë e punojnë  vendlindjen e  kanë me vete, duke mbetur  simbol i identitetit kulturor e kombëtar shqiptar. 

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Tuz, më 26 gusht 2026)

Shih videon nga promovimi i librit:

(1) Video | Facebook

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu