ORGANIZATA SHQIPTARIA
REAGIM PUBLIK
KRYEMINISTRI DUHET TA PËRFAQËSOJË SHTETIN, JO TA NDËRTHURË AUTORITETIN SHTETËROR ME DOGMAT FETARE!
____
Organizata Shqiptaria shpreh shqetësimin e saj për gjuhën fetare të përdorur nga kryeministri Albin Kurti në konferencën për medresetë, ku ai deklaroi: «Të gjithë e takofshim ishalla në xhenet» dhe «Vatan dhe iman shkojnë bashkë».
Kryeministri duhet ta kuptojë një të vërtetë themelore: ai nuk është hoxhë, prift dhe as predikues i asnjë feje. Ai është bartës i një funksioni kushtetues dhe përfaqësues i qytetarëve të një shteti laik.
Askush nuk ia mohon të drejtën për të besuar, për t’u lutur apo për t’i shprehur bindjet e veta personale. Por kur flet në cilësinë e kryeministrit, ai duhet të jetë i vetëdijshëm se autoriteti që përfaqëson është shtetëror, jo fetar. Kufiri ndërmjet bindjes personale dhe përgjegjësisë institucionale nuk mund të trajtohet si çështje pa rëndësi.
Shprehja «Vatan dhe iman shkojnë bashkë» nuk mund të kalojë pa u shqyrtuar. Atdheu dhe besimi mund të bashkëjetojnë në jetën e një individi, por nuk mund të paraqiten si një formulë që përcakton identitetin kombëtar. Shqiptaria nuk kushtëzohet nga imani, nuk matet me fenë dhe nuk kërkon miratim nga asnjë autoritet fetar.
Shqiptarët janë shqiptarë pavarësisht nëse janë myslimanë, katolikë, ortodoksë, të besimeve të tjera apo jofetarë. Askush nuk ka të drejtë ta ngushtojë identitetin tonë kombëtar brenda kufijve të një doktrine fetare.
Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e përcakton vendin tonë si shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare. Ky nuk është formulim dekorativ. Është parim themelor që duhet të udhëheqë institucionet dhe bartësit e tyre.
Detyra e kryeministrit nuk është të kontribuojë në normalizimin e ndërthurjes së autoritetit shtetëror me gjuhën e një feje të caktuar. Përgjegjësia e tij është të mbrojë barazinë e qytetarëve, lirinë e ndërgjegjes dhe karakterin laik të shtetit. Kjo përfshin edhe mbrojtjen e shoqërisë nga imponimi i dogmave fetare dhe nga çdo përpjekje për ta paraqitur besimin si kusht të përkatësisë kombëtare.
Ne nuk e kundërshtojmë besimin. Ne kundërshtojmë imponimin e tij. Nuk e mohojmë trashëgiminë fetare të shqiptarëve. Kundërshtojmë çdo përpjekje për ta shndërruar atë në instrument të identitetit politik ose kombëtar.
Historia shqiptare dëshmon se identiteti ynë kombëtar nuk mund të reduktohet në një fe të vetme. Parimi «Feja e shqiptarit është shqiptaria» është thirrje për bashkim kombëtar përtej dallimeve fetare, jo leje për ta vënë fenë mbi shtetin dhe kombin.
Për këtë arsye, Organizata Shqiptaria i bën thirrje kryeministrit që të respektojë me përgjegjësi detyrimin kushtetues të neutralitetit fetar dhe të shmangë formulimet që mund të interpretohen si ndërthurje e identitetit kombëtar me një besim të caktuar.
Kosova nuk është pronë e asnjë feje. Institucionet nuk janë tribunë predikimi. Atdheu nuk ka dogmë fetare. Shqiptaria nuk ka nevojë për leje nga feja për të ekzistuar.
Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë një shtet ku feja është e drejtë personale, institucionet janë neutrale dhe identiteti shqiptar është trashëgimi e përbashkët e të gjithë shqiptarëve.
ORGANIZATA SHQIPTARIA
Për shtetin laik, lirinë e ndërgjegjes dhe identitetin kombëtar shqiptar.
____
PS!
Eshtë për tu mbajtur në mend se edhe një mbështetës ndër vite i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, politologu Ragip Rugova, i reagon dhe e paralajmëron Kryeministrin:
Kryeministri – të cilin e votoj prej që VV-ja garon në zgjedhje nacionale, po koketon me religjionin islam.
Personalisht e kam kritikuar për këtë disa herë, madje duke u zotuar se – në rast se kjo vazhdon – do të tërhiqem nga dhënia e mbështetjes.
Kryeministër, mos i humb mbështetësit e sinqertë që ndajnë me ty vlera të njejta qytetëruese social demokrate dhe eveopiane, për të fituar voten e ca njerëzve që mendojnë të të shfrytëzojnë për agjenda të tyre islamike!
“Kosova nuk është pronë e asnjë feje. Institucionet nuk janë tribunë predikimi. Atdheu nuk ka dogmë fetare. Shqiptaria nuk ka nevojë për leje nga feja për të ekzistuar”!


