
Lirim Gashi, Prishtinë
DJALLI QË PO KËRKON TË DORËHIQET, SEPSE POLITIKANËT TANË TË OPOZITËS E KANË TEJKALUAR NË DJALLËZI
Njerëz, kërkesa për dorëheqjen e zonjës Donika Gërvalla-Schwarz nuk është as e re, as e rastësishme. Ajo vjen gjithmonë nga të njëjtët njerëz, të cilët, po t’u jepej mundësia, do ta mashtronin edhe vetë Zotin, duke e keqpërdorur djallin si ndërmjetës e bashkëpunëtor dhe Biblën e Kuranin si dokumentacion mbështetës.
Por, të jemi të sinqertë: ata nuk kanë më nevojë për djallin. E kanë tejkaluar aq shumë në të gjitha disiplinat e zanatit të tij, saqë edhe vetë Kryedjalli, Shejtan Luciferi, po ta kishte qoftë edhe një fije ndërgjegjeje profesionale, do të ndihej thellësisht i poshtëruar nga kjo konkurrencë. Madje, nuk do të ishte çudi që një ditë të kërkonte azil moral në Serbi, duke deklaruar se nuk mund të vazhdojë të punojë në një sektor ku njerëzit ia kanë rrënuar kaq keq reputacionin.
Në fakt, Shejtan Luciferi mund të ketë filluar të ndihet edhe më keq që kur e ka vërejtur se në këtë konkurrencë nuk po përballet vetëm me politikanët tanë, por edhe me disa prej specialistëve më të njohur të komentimit të djallëzisë politike.
Po ta kishte mundësinë të ulej në një tryezë profesionale me Berat Buzhalën dhe Baton Haxhiun, me siguri do të kërkonte që fillimisht t’ia shpjegonin dallimin midis manipulimit si zanat dhe manipulimit si institucion.
Madje, pas një bisede të tillë, do të kthehej në ferr me një kompleks të ri inferioriteti dhe do t’u kërkonte demonëve të tij që të mos e krahasonin më me askënd nga kjo pjesë e botës. Sepse edhe djalli, sado djall të jetë, ka një reputacion profesional për ta mbrojtur.
Këta njerëz nuk gënjejnë thjesht. Ata e kanë shndërruar gënjeshtrën në sistem filozofik, mashtrimin në metodë politike, lakminë në program ekonomik, ligësinë në tipar karakteri, poshtërsinë në strategji dhe tradhtinë në një formë të veçantë patriotizmi, e cila lulëzon sidomos atëherë kur ka para për t’u ndarë.
Dhe, ç’është më interesante, të gjitha këto i bëjnë me një vetëbesim të jashtëzakonshëm, sikur të mos kishin ndërgjegje për të qetësuar, por vetëm një publik për ta mashtruar.
Donika Gërvalla është vazhdimisht shënjestër e akuzave të tyre të pabaza, të zhurmshme dhe të paskrupullta. E bëjnë përgjegjëse për gjëra me të cilat ajo nuk ka asnjë lidhje.
E bëjnë këtë sepse kanë një nevojë të papërmbajtshme që pikërisht asaj t’ia ngarkojnë mëkatet e veta.
Arsyeja, megjithatë, është shumë më pak filozofike sesa duket:
Xhepat e tyre.
Ose, më saktë, xhepat e tyre të mbushur me para të përgjakura, të cilët kanë një ndjeshmëri të jashtëzakonshme ndaj çdo përpjekjeje për t’ua ndërprerë furnizimin. Prandaj, sa herë që dikush ua prek interesat, ata zbulojnë papritur një pasion të jashtëzakonshëm për moralin, për drejtësinë dhe për përgjegjësinë institucionale.
Është një metamorfozë pothuajse biblike:
Njerëzit që dje nuk e njihnin fare ndërgjegjen, sot flasin në emër të saj.
Merreni me mend: pikërisht ata kriminelë me kollare dhe kravata që kanë kontribuar në instalimin e padrejtësisë, sot paraqiten si apostuj të drejtësisë.
Pikërisht ata që kanë ndërtuar një sistem policor, juridik dhe prokurorial të pamëshirshëm, sot ankohen se ky sistem nuk njeh mëshirë.
Nëse hipokrizia do ta kishte universitetin e vet, këta njerëz do të ishin profesorët e saj emeritus.
Dhe pikërisht këtu fillon pjesa më e neveritshme e kësaj tragjikomedie politike.
Ata nuk ngurrojnë të shkelin mbi asgjë të shenjtë për t’i arritur qëllimet e tyre të errëta.
Çdo tragjedi që mund t’u sjellë ndonjë përfitim politik shndërrohet menjëherë në material propagandistik. Çdo dhimbje njerëzore bëhet tribunë politike, çdo viktimë kthehet në argument dhe çdo varr shndërrohet në një mundësi të volitshme për të organizuar protesta e konferenca shtypi.
E ndjera Arlinda Zekaj, në vend që të trajtohet me dinjitetin që meriton kujtimi i saj dhe me seriozitetin që kërkon drejtësia, po keqpërdoret prej tyre si një perde politike, pas së cilës fshihet një objektiv krejt tjetër: rrëzimi i Qeverisë së Kurtit.
Këtu tragjedia njerëzore merr një përmasë edhe më të rëndë se vetë cinizmi politik.
Sepse një njeri mund të jetë i padrejtë, mund të jetë i korruptuar, madje edhe i pamëshirshëm. Por, kur fillon ta keqpërdorë dhimbjen e një familjeje për ta ndërtuar karrierën e vet politike, ai e ka kaluar një kufi që nuk matet më me ligj, por me ndërgjegje.
Dhe ndërgjegjja, sado e heshtur të jetë, nuk mund të korruptohet përgjithmonë.
Çdo shqiptar me mend në kokë e di se pikërisht këta njerëz kanë kontribuar në instalimin e këtij sistemi të sëmurë të drejtësisë, i cili në thelb është skajshmërisht i padrejtë dhe i pamëshirshëm. Tani, kur pasojat e sistemit të tyre shfaqen në trajtën e tragjedive njerëzore, ata kërkojnë që faturën ta paguajë dikush tjetër.
Është një logjikë e admirueshme, nëse e shikon nga këndvështrimi i absurdit: arkitekti i një ndërtese kërkon dorëheqjen e rojtarit, sepse çatia po pikon, ndonëse vetë ai e ka ndërtuar atë çati.
Nuk e di nëse këta njerëz janë të vetëdijshëm për gërdinë që ngjallin te qytetarët sa herë që përpiqen ta shndërrojnë një tragjedi njerëzore në fushatë politike.
Ndoshta nuk e kuptojnë. Ndoshta e kuptojnë shumë mirë, por janë bindur se pushteti, paratë dhe propaganda mund ta zëvendësojnë edhe respektin për dinjitetin njerëzor. Në fund të fundit, njeriu që e ka shitur ndërgjegjen për përfitime politike, herët a vonë fillon të besojë se edhe ndërgjegjja e të tjerëve ka çmimin e vet.
Të njëjtën farsë e kanë luajtur edhe me bashkëkombësit tanë të burgosur në Hagë.
Papritur, këta njerëz u shndërruan në mbrojtës të zjarrtë të dinjitetit të tyre. Shfaqën një shqetësim aq të madh, saqë për një çast mund të mendoje se kishin zbuluar një ndjenjë njerëzore, ekzistencën e së cilës nuk e kishin njohur kurrë më parë.

Por, siç ndodh zakonisht me shpërthimet e tyre të ndjenjave publike, edhe kjo e kishte faturën e vet politike. Dashuria e tyre për të burgosurit zgjati pikërisht aq sa zgjati mundësia për t’i fituar disa pikë të lira elektorale.
Nuk ishte medoemos dashuri për drejtësinë. Ishte dashuri për përfitimin politik që mund të nxirrej nga keqpërdorimi i saj.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi tragjik midis një njeriu që kërkon drejtësi dhe një politikani që kërkon ta keqpërdor drejtësinë për interesat e veta.
I pari mendon për viktimën, edhe kur nuk ka kamera.
I dyti mendon për kamerat, edhe kur përballë ka një viktimë.
I pari kërkon të vërtetën, edhe kur ajo nuk i sjell vota.
I dyti kërkon vota, edhe kur e vërteta i qëndron përballë si një dëshmitar i padëshiruar.
Në fund, ndoshta duhet të kemi pak mëshirë për djallin. Për shekuj me radhë e kemi fajësuar për të gjitha të këqijat e kësaj bote, ndërsa ai, të paktën, nuk është shtirur kurrë si kandidat për Çmimin Nobel të Moralitetit.
Por, kur sheh se çfarë bëjnë disa politikanë të opozitës sonë gjoja në emër të drejtësisë, ndoshta edhe ai ka filluar të dyshojë në të ardhmen e profesionit të vet.
Madje, nuk do të habitesha sikur një ditë të paraqitej në Kuvendin e Kosovës dhe të kërkonte themelimin e një komisioni hetimor për shkeljen e të drejtave të autorit.
Sepse, nëse dikush ia ka uzurpuar profesionin, ia ka përvetësuar metodat dhe ia ka shkatërruar reputacionin, ai nuk është më djalli.
Janë pikërisht opozitarët tanë që sot na mbajnë ligjërata për moralin.


