Nga Frank Shkreli
Pesëdhjetë vjet në amshim — Lahuta që bashkon brezat — Në kujtim të një lahutari të shquar dhe të një trashëgimie familjare që vazhdon të jetojë edhe në Amerikë.
Ka njerëz që nuk i merr koha, sepse ajo që lënë pas është më e fortë se harresa. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e familjes, në traditat e popullit dhe në vlerat që u përcjellin brezave. Njëri prej tyre është gjyshi ynë, Lukë Tom Miruka Shkreli, të cilin e kujtojmë në 50-vjetorin e kalimit të tij në amshim. Për familjen tonë, ky është një përvjetor i mbushur me mall, krenari dhe mirënjohje. Por është edhe një rast për të kujtuar një trashëgimi që kapërcen kufijtë e familjes dhe bëhet pjesë e historisë së kulturës shqiptare: traditën e lahutës dhe të këngës epike në familjen tonë.
Gjyshi ynë, ishte lahutari që la gjurmë dhe trashëgimi. Lukë Tom Miruka Shkreli ishte protagonisti kryesor i kësaj tradite në familjen tonë. Emri i tij lidhet me një kohë kur lahuta ishte një nga mënyrat më të fuqishme për të ruajtur kujtesën historike, për të përcjellë bëmat e të parëve dhe për të mbajtur gjallë identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Në Malësinë e Madhe shqiptare, lahutari nuk ishte thjesht një këngëtar që shoqëronte zërin me një instrument. Ai ishte bartës i kujtesës popullore, interpretues i këngëve epike dhe përcjellës i një tradite që kalonte nga brezi në brez. Përmes lahutës ruheshin ngjarje, personazhe dhe kujtime që, në shumë raste, jetonin në ndërgjegjen e popullit përpara se të regjistroheshin në libra. Në këtë traditë u formua dhe dha kontributin e vet gjyshi ynë, Lukë Toma Miruka Shkreli. Pesëdhjetë vjet pas largimit të tij nga kjo jetë (1976), kujtimi i tij vazhdon të jetojë jo vetëm në familjen tonë, por edhe në trashëgiminë që la pas — një familje të madhe, por edhe disa breza lahutarësh.
Një nga veçoritë më të çmuara të historisë sonë familjare është se tradita e lahutës nuk u ndërpre me largimin e gjyshit tonë. Atë e vazhduan pjesëtarë të tjerë të familjes, ndër ta i biri Gjergji, axha i im dhe babai i Vasel Shkrelit, lahutarit grashigimtar deri në ditët e sotëme, si edhe kushëriri ynë Ndue Frani. Edhe Gjergji e Noni ishin të njohur si lahutarë në trevat ku jetuan dhe vepruan, por edhe më vonë në Amerikë. Kështu, lahuta nuk mbeti vetëm kujtim i një brezi. Ajo u bë një trashëgimi që kaloi nëpër disa breza, duke ruajtur lidhjen me identitetin e të parëve dhe me kulturën dhe historinë e Malësisë së Madhe. Kjo është një histori për të cilën meriton të shkruhet e të dokumentohet. Sepse, kur një traditë ruhet nga disa breza të së njëjtës familje, ajo dëshmon për një lidhje më të thellë me rrënjët, me identitetin dhe me përgjegjësinë për të mos lejuar zhdukjen e një pasurie kulturore.dhe kombëtare siç është lahuta. Vasel Shkreli, është sot bartësi i sotëm i kësaj trashëgimie. Sot, në këtë vijimësi historike e familjare, ai zë një vend të veçantë, si bartësi aktual i traditës së lahutës në familjen tonë. I njohur në trojet shqiptare dhe në mesin e shqiptarëve në Amerikë, Vasel Shkreli përfaqëson vazhdimësinë e një trashëgimie që ka rrënjët te gjyshi ynë, Lukë Tom Miruka Shkreli. Rëndësia e tij prej lahutari nuk qëndron vetëm në ruajtjen e një tradite familjare. Ajo lidhet edhe me faktin se kultura shqiptare vazhdon të jetojë edhe përtej kufijve të atdheut, atje ku shqiptarët kanë krijuar bashkësi të reja, pa i harruar gjuhën, historinë dhe zakonet e të parëve. Sidomos në Amerikën tonë, lahuta bëhet edhe një urë lidhëse midis brezave. Midis atyre që u larguan nga vendlindja më shumë se gjyysëm shekulli më parë dhe pasardhësve që, në minimum, ata kanë nevojë ta njohin historinë e familjes dhe të popullit të vet. Kur tingujt e lahutës dëgjohen larg Malësisë së Madhe, ata nuk përcjellin vetëm një melodi të vjetër. Ata sjellin me vete kujtesën e vendlindjes, gjuhën e të parëve dhe krenarinë për një trashëgimi që nuk njeh kufij. Për këtë arsye, kontributi i Vasel Shkrelit duhet parë në vijimësi edhe në kuadrin më të gjerë të ruajtjes së identitetit kulturor shqiptar në diasporë.
Viti 2026 sipas disa kërkesave duhej të kishte qenë Viti i Lahutës. Përvjetori i shkuarjes në amshim të gjyshit tonë përkon me vitin 2026, kur intelektualë, studiues dhe artistë shqiptarë, dhjetorin e e vitit të kaluar, kanë kërkuar që viti 2065 t’i kushtohej Lahutës Shqiptare. Megjithse nuk ndodhi gjë zyrtarisht, kjo kërkesë e intelektualëve shqiptarë, ka një rëndësi të veçantë. Sepse, lahuta është një nga simbolet e traditës epike shqiptare dhe meriton vëmendje të vazhdueshme nga institucionet kulturore, studiuesit dhe shoqëria shqiptare. Pikërisht këtu qëndron edhe mesazhi ynë: një trashëgimi e tillë nuk duhet të mbështetet vetëm te përkushtimi i familjeve dhe i individëve që e ruajnë traditën e lahutës. Ajo meriton edhe vlerësimin dhe mbështetjen zyrtare të institucioneve shqiptare. Një vit kushtuar lahutës do të ishte një mundësi për të organizuar veprimtari kulturore e shkencore, për të regjistruar dëshmitë e lahutarëve, për të mbledhur këngët e vjetra, për të krijuar dokumentarë dhe për t’ua përcjellë këtë trashëgimi brezave të rinj.Do të ishte, gjithashtu, një rast për të nderuar lahutarët e njohur dhe ata që kanë ruajtur traditën në familjet e tyre, pothuaj gjithmonë, larg vëmendjes zyrtare. Në këtë kuptim, përkujtimi i gjyshit tonë Lukë Tom Miruk Shkrelit dhe i lahutarëve të tjerë të familjes sonë merr një domethënie përtej përvjetorit familjar të kujtimit të këtij viti. Sepse trashëgimia është një përgjegjësi për të ardhmen. 50-vjet pas kalimit në amshim të gjyshit tonë, historia e familjes Shkreli dëshmon se tradita mund të mbijetojë kur ka njerëz që e duan, e ruajnë dhe e përcjellin atë.
Lukë Tom Miruka Shkreli ishte figura qendrore e kësaj historie familjare. Gjergji dhe Ndue Frani e vazhduan traditën pas tij dhe për dekada. Sot, Vasel Shkreli e bart atë më tej, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Amerikë. Kjo vazhdimësi është për ne një arsye krenarie, por edhe një detyrim moral: të mos lejojmë që emrat e lahutarëve, në përgjithsi, të mos mbeten vetëm në kujtimet familjare, por edhe që trashëgimia kombëtare që ata ruajtën të marrë vlerësimin e merituar. Sepse një popull nuk e ruan identitetin vetëm duke kujtuar të kaluarën. Ai e ruan atë duke njohur njerëzit që e mbajtën gjallë, duke dokumentuar veprën e tyre dhe duke ua përcjellë trashëgiminë brezave që vijnë, dhe hjo vetëm brenda familjes, por edhe më gjërë.
Në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të gjyshit tonë, përulemi me respekt para kujtimit të gjyshit tonë, Lukë Tom Miruka Shkreli duke nderuar të gjithë pjesëtarët e familjes që kontribuan në vazhdimësinë e ruajtjes së traditës familjare dhe trashëgiminë e lahutës. U qoftë i përjetshëm kujtimi! Për fat të mirë, lahuta e gjyshit tonë vazhdon të tingëllojë edhe sot — në 50-vjetorin e kalimit të tij në amshim, me zërin e nippit të tij Vasel Shkrelit — nga sallat e Nju Jorkut, në Washington DC e deri në Gjirokastër, Strugë, e Malësi të Madhe. Lahuta e tij jeton në kujtesën tonë, në duart e bartësve të saj dhe në zërin e brezave që nuk e lënë traditën të shuhet. Sepse kur hesht lahuta, nuk hesht vetëm një instrument, hesht një pjesë e kujtesës së Kombit. Prandaj ruajtja e lahutës nuk është vetëm detyrë e lahutarëve, por ëshë përgjegjësi e të gjithë shoqërisë shqiptare, sidomos në Shqipëri e Kosovë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimot, por edhe në mërgim.
Fragment këngë epike:
Në Shkrel të Malësisë n’male t’vjetra,
u nie lahuta si zemër e letra,
për burra t’fortë që s’njihnin frikë,
as n’ditë t’rënda, as n’kohë t’vështirë.
u nie lahuta si zemër e letra,
për burra t’fortë që s’njihnin frikë,
as n’ditë t’rënda, as n’kohë t’vështirë.
Luk Toma e çon zanin në mal,
si erë e fortë që s’nalet n’valë,
e fjala e tij mbetet si gur,
kur lidhet njeriu me emën e flamur.
si erë e fortë që s’nalet n’valë,
e fjala e tij mbetet si gur,
kur lidhet njeriu me emën e flamur.
Gjergj Luka n’odë ka këndue,
për besën e burrit që s’është harrue,
për tokë e nder që s’kanë çmim,
për gjakun e shenjtë në çdo kuvendim.
për besën e burrit që s’është harrue,
për tokë e nder që s’kanë çmim,
për gjakun e shenjtë në çdo kuvendim.
Vaseli mbrapa e vaazhdon traditën,
si rrjedhë e lumit që s’e ndalin ditën,
e Nua Frani me za të vjetër,
e kthen kujtimin në brez tjetër. (Frank Shkreli)
si rrjedhë e lumit që s’e ndalin ditën,
e Nua Frani me za të vjetër,
e kthen kujtimin në brez tjetër. (Frank Shkreli)
LAHUTARËT PROTAGONISTË TË FAMILJES TONË PËR NJË SHEKULL
Luk Tom Miruka Shkreli – Gurthemeli i familjes tonë, i njohur në kujtesën vendase si një nga përfaqësuesit e hershëm të traditës tradicionale të malësorit dhe lahutare, i lidhur me këngët e odave dhe rrëfimet e vjetra të fisit dhe kombit. Ai përfaqëson shtresën themelore të trashëgimisë së kënges epike në familjen tonë dhe të ktahinës ku kemi jetuar.
Gjergj Luka Shkreli –Bartës i repertorit tradicional të këngës epike, i njohur për interpretim të qëndrueshëm dhe besnik ndaj formës së vjetër të këngës së Malësisë. Në këngët e tij reflektohen temat e nderit, qëndresës dhe historisë lokale.
Vasel Gjergj Lukë Tom Shkreli, Trashigimtari –Deri në ditët e sotëme përfaqëson vazhdimësinë e drejtpërdrejtë të kësaj tradite brenda familjes, duke ruajtur si instrumentin e lahutës, ashtu edhe mënyrën tradicionale të interpretimit të këngës epike në tubime familjare dhe shoqërore –në Amerikë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare
Nua Frani Shkreli –Kushëri i yni, një tjetër bartës i rëndësishëm i kësaj trashëgimie familjare, i lidhur me ruajtjen dhe transmetimin e këngëve të vjetra epike, duke kontribuar në vazhdimësinë e traditës në komunitetin local dhe më gjërë.
Lahutari i Shkrelit dhe nipi i (Luk Tom Mirukës) Vasel Shkreli duke u përshendetur në Malësi të Madhe me ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin
Vasel Shkreli me lahutë nga Malësia e Madhe në Washington DC
Vasel Shkreli në mbështetje të talenteve të reja të lahutarve shqiptarë. Pamje nga një tubim në Strugën e Iliadës


