Foto e rrallë, Nëna Ajshe, nëna e Jusuf Gërvallës në mesin e luftëtarëve të UÇK-së

_____
Letra në burg ishte shkruar për nënën Ajshe, por ajo letër i ra në dorë UDB-ashit Mehmet Hasku!
Dikush që është betuar për besnikëri ndaj UDB-së, nuk mund të jetë kurrë besnik i Republikës së Kosovës
Është e saktë të thuhet se burgjet në ish-Jugosllavi, për nga niveli i dehumanizimit të cilit u nënshtroheshin të burgosurit shqiptarë, nuk dallonin shumë nga gulagët sovjetikë.
Nëse për disidentët politikë serbë, kroatë etj., gjatë procesit hetimor kërkohej një lloj dokumentacioni formal si parapërgatitje për ushtrimin e torturës ( edhe pse një leje e tillë ishte e lehtë për t’u marrë) për shqiptarët nuk duhej humbur kohë me formalitete.
Hetuesve u lejohej të përdornin urinë, dhunë fizike dhe torturë të pakufizuar, sipas gjykimit të tyre dhe në përputhje me kërkesat e hetimit dhe kohën që u jepej.
Mes hetuesve të regjimit, pavarësisht se në mesin e tyre kishte edhe shqiptarë, mbizotëronte bindja se nuk kishte shqiptar të pafajshëm.
Hetimet ndaj shqiptarëve shpesh nuk ndiqnin procedurat normale hetimore, nëse ekzistonte dyshim fillestar, raporti i një informatori apo edhe një denoncim anonim, veprime formale të nevojiteshin për arrestimin e disidentit politik.
Koha e caktuar për hetimin nuk u përdor për të hedhur dritë mbi veprën penale të sanksionuar me ligjet komuniste,
por për ta rraskapitur, dobësuar dhe paaftësuar të akuzuarin shqiptar, në mënyrë që ai të dëshironte ta përfundonte hetimin me çdo kusht….
Llojet e torturës së përdorur nuk ishin të rregulluara. Lejohej pothuajse çdo metodë, pavarësisht nga pasojat.
Kërcënimet, shantazhi, torturat fizike të përditshme, lodhja përmes urisë dhe pagjumësisë së detyruar nuk ndaleshin ndaj të arrestuerëve shqiptarë.
Përdorej edhe një metodë e njohur psikologjike. Njëri hetues bërtiste, kërcënonte dhe godiste; tjetri sillej si “mik”, fliste butë, e thërriste të burgosurin në emër dhe i premtonte se do ta ndihmonte. Pastaj rolet ndërroheshin.
Qëllimi ishte i njëjtë: ta thyenin njeriun.
Një përvojë të tillë e kam përjetuar edhe unë.
Nuk kam pranuar të flas më herët për këtë pjesë të jetës sime, sepse dëshiroja që Kosova të ishte atdheu i të gjithëve. Por edhe për një arsye tjetër, nëse ka diçka për të cilën mund të mburrem pa asnjë rezervë, është fakti se, gjatë gjithë torturës fizike në dhomat e marrjes në pyetje, përderisa kisha vetëdijen, e kam ruajtur nderin tim dhe i kam ruajtur shokët e mi.
Kjo është e gjithë krenaria ime.
E gjithë ngushëllimi im!
I pari që më goditi në fytyrë dhe më tha: “Hajde, fol! E din ti çka!”, ishte udbashi Mehmet Loci. Pas tij vazhduan të tjerë, ndër të cilët Jakup Llonqari, Hasan Jakupi, Mehmet Hasku, Mustaf Lokaj, Sherif Balaj, Xheladin Beqiri, Angjellko, Toma Miqunoviq, Syle Nallbani etj.
Por kjo nuk është tema kryesore e këtij shkrimi.
Ajo që më shtyu të shkruaj është një deklaratë e Mehmet Locit e bërë gjatë një interviste në “Debat Plus” me Ermal Pandurin.
Ky person, gjatë një interviste në emision, ka thënë edhe një të vërtetë. Po e citoj:
“Disa të burgosur politikë kanë qenë të tërhequr për bashkëpunim.”
Fjalën e ka për bashkëpunim me Sigurimin Shtetëror, pra me strukturat e UDB-së.
Unë po tregoj një rast konkret, i cili, sipas rrefimit të bacit Hysen si dhe ngjarjes që e kam përjetuar nga afër, e ilustron këtë pohim.
Me 14 dhjetor të vitit 1979 u burgosëm Unë, vëllai im Fahriu, Hysen Gërvalla, Muharrem Blakaj dhe disa veprimtarë të tjerë.
Kah mesi i vuajtjes së dënimit, ndërsa po qëndronte në burgun hetues të Pejës, baca Hysen i shkroi një letër nënës së tij, nënës Ajshe. Letrën e kishte shkruar në një mbështjellëse të pakos së cigareve.
E palosi mirë dhe, kur i erdhi radha të dilte në shëtitjen ditore, gjatë shoqërimit për në shetitoren e Burgut nga sherbyesi korrektues-gardiani, Miftar Berisha, Hyseni fshehurazi për vrimë të grilave e hodhi letrën brenda në dhomën fqinje. Koridori i pavilonit ishte i gjatë. Dhomat e burgut në Pejë nuk kishin dritare, por kishin një grilë mbi derë, sa për ajrosjen e dhomës. Në çdo dhomë kishte nga katër të burgosur.
Nga ajo dhomë, të nesërmen, do të lirohej një i burgosur që kishte përfunduar vuajtjen e dënimit për një vepër të caktuar. Përmes tij, letra duhej t’i shkonte nënës Ajshe.
Por letra nuk i ra në dorë personit që do të lirohej të nesërmen, atë e mori një i burgosur politik, i cili, përmes gardianin të burgut, malazez, të cilin e quanin “Miki”, ia dorëzoi UDB-së, më saktësisht udbashit Mehmet Hasku.
Sipas rrëfimit të bacës Hysen, udbashët e thërrasin në dhomat e hetuesisë dhe fillojn ta maltretonin në mënyra të ndryshme, duke kërkuar që të tregonte përmbajtjen e letrës dhe kush ia kishte dhënë lapsin për ta shkruar. Lapsi dhe letra ishin të ndaluara brenda dhomave të burgut.
Baca, kryefortë, filloi t’u bënte dredhi pyetjeve dhe të mos tregonte të vërtetën.
Kur udbashët panë se Hyseni nuk po dorëzohej, Mehmet Hasku iu drejtua me këto fjalë:
– Hysen, prano e mos e dëmto veten, se letrën na e ka dhënë vetë filani dhe i kemi të gjitha të dhënat që ti po i mohon.
Në fillim, baca nuk u besoi fjalëve të Mehmetit. Dyshonte se qëllimi i tyre ishte t’i fusnin në konflikt të burgosurit politikë.
Pas maltretimëve, bacën Hysen e kthyen në dhomën e tij në burg.
Më pas, Hyseni kuptoi se letra që ai kishte hedhur në dhomën tjetër kishte rënë pikërisht në duart e atij të burgosuri politik për të cilin i kishte folur Mehmet Hasku.
Ngjarja u sqarua më hollësisht pas daljes së Hysenit nga burgu. Sot sipas rrëfimit tim, personi për të cilin bëhet fjalë, jeton në Zvicer dhe paraqitet si veprimtar patriot.
Pra, pse Loci dhe soji i tij çojnë krye?
Pse ende ju ipet hapësirë mediatike ?
Sepse, siç duket, kanë pasur dhe ende mund të kenë një bazë bashkëpunëtorësh besnikë gjithandej Kosovës.
Unë nuk kërkoj hakmarrje.
Kërkoj që ata që kanë marrë pjesë në torturë, përndjekje, spiunim dhe shkatërrim të jetëve të njerëzve të përballen me faktet dhe, aty ku ka prova dhe bazë ligjore, të nxjerrën para drejtësisë.
Sepse një shtet që kërkon të ndërtojë të ardhmen nuk mund ta ndërtojë atë mbi harresën e së kaluarës
Prandaj, si njëri ndër të përndjekurit politikë, i bëj thirrje Prokurorisë së Republikës së Kosovës që të hetojë krimet e aparatit represiv të regjimit të kaluar dhe të gjithë ata persona për të cilët ekzistojnë prova të mjaftueshme për përgjegjësi penale.
Shih videon:


