_____
“Imami me origjinë shqiptare, Bashkim Aliu, është detyruar të largohet nga të gjitha funksionet e tij publike në Zvicër, pas një hulumtimi të gazetës zvicerane “SonntagsZeitung”, e cila zbuloi deklarata homofobe dhe kontakte të tij me qarqe radikale islamike!”
E admiroj Zvicrën, sepse i përmbush detyrat e saj dhe nuk lejon shkelje që mund të cenojnë shoqërinë në të cilën jetojnë qytetarët e saj. Prandaj, po, Zvicrën e konsideroj me plot të drejtë Atdheun tim të dytë, sepse ajo mbron integritetin dhe dinjitetin e secilit qytetar.

Ajo që më zhgënjen më së shumti është fakti se Kosova nuk reagon me të njëjtën vendosmëri ndaj imamëve që përhapin ideologji radikale, ashtu siç vepron Zvicra. Një shtet që ndërmerr masa kundër individëve të tillë nuk është duke vepruar kundër një feje apo besimi fetar, por kundër personave që e keqpërdorin fenë për të përhapur ideologji ekstremiste, për të nxitur urrejtje dhe për të justifikuar veprime kriminale.
Liria fetare është një e drejtë themelore që duhet respektuar dhe mbrojtur, por ajo nuk mund të shërbejë si mburojë për ekstremizmin, nxitjen e dhunës apo gjuhën kriminale. Çdo individ, pavarësisht pozitës apo autoritetit fetar që gëzon, duhet të mbajë përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tij. Një shtet që mbron qytetarët, rendin dhe vlerat demokratike duhet të reagojë me vendosmëri ndaj çdo forme të ekstremizmit, pa bërë kompromis me ata që rrezikojnë bashkëjetesën dhe sigurinë e shoqërisë.



