Dodona, Epiri dhe përgjegjësia për të rishkruar historinë

Shkrime relevante

Pse askush nuk flet për xhamitë ilegale në Kosovë?!

Domenik Kastrioti, Stuttgart, Gjermani ____ A duhet të shqetësohemi për objektet fetare që...

Dodona, Epiri dhe përgjegjësia për të rishkruar historinë

Kujtim Mateli, shkrimtar, Tiranë (Hyrja e plotë e studimit historik me autor...

Bota s’ta fal gëzimin

Maki Maqedonci Canolli ___ BOTA S’TA FAL GËZIMIN (Më quaj si të duash) ____ Më quaj...

Sekularizmi Amerikan dhe Dilema e Identitetit Shqiptar

Maki Maqedonci Canolli, Canajoharie, New York ____ NDËRMJET DY BOTËVE  ____ Të jetosh për një...

Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës, shqetësim edhe europian

Muharrem Salihu, Itali ____ PASIVIZIMI I ADRESAVE TË SHQIPTARËVE NË JUG TË SERBISË...

Shpërndaj

Kujtim Mateli, shkrimtar, Tiranë

(Hyrja e plotë e studimit historik me autor Kujtim Mateli “Historia e pashkruar e shqiptarëve”, nëntor 2026)

Ky libër studimor “Historia e pashkruar e shqiptarëve” synon të hapë një debat që historiografia shqiptare e ka lënë për një kohë të gjatë jashtë vëmendjes: çështjen e vendndodhjes së Dodonës dhe, bashkë me të, mënyrën se si është studiuar dhe shkruar historia e Epirit.

Gjatë shekullit XX u konsolidua në historiografinë moderne pikëpamja se Dodona ndodhet në luginën e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës. Me kalimin e kohës, kjo pikëpamje u shndërrua në një përfundim të pranuar gjerësisht, duke i lënë në periferi të debatit hipotezat e tjera për vendndodhjen e saj.

Por në shkencë asnjë hipotezë nuk mund të jetë e paprekshme. Çdo përfundim duhet të testohet vazhdimisht përballë burimeve historike, të dhënave arkeologjike, dëshmive epigrafike, gjeografisë historike dhe dëshmive të tjera që mund të sjellë kërkimi shkencor.

Pikërisht këtu qëndron problemi. Pranimi i Carakovistës si vendndodhje e Dodonës ka kufizuar nevojën për të kërkuar dhe testuar hipoteza alternative në territoret shqiptare. Kjo ka sjellë pasoja edhe për studimin e trashëgimisë iliro-epirote, sepse Dodona nuk është vetëm një monument arkeologjik. Ajo lidhet me historinë politike, fetare dhe kulturore të një hapësire të gjerë të Epirit dhe me marrëdhëniet e saj me territoret ilire.

Një nga pasojat më të rëndësishme është mungesa e një kërkimi të gjerë dhe ndërdisiplinor në ato zona ku burimet antike mund të çojnë kërkimin përtej identifikimit tradicional të Carakovistës. Dëshnica e Përmetit dhe hapësira e Trebeshinës janë ndër këto zona që, sipas hipotezës së paraqitur në këtë studim, meritojnë të hetohen në mënyrë sistematike.

Prandaj, çështja e Dodonës nuk duhet të trajtohet si një kapitull i mbyllur i historiografisë. Ajo duhet të rikthehet në tryezën e kërkimit shkencor dhe të testohet me të gjitha mjetet që ofron shkenca moderne.

Kjo nuk është vetëm çështja e një vendndodhjeje arkeologjike. Është një çështje që prek mënyrën se si është shkruar historia e Epirit dhe, për rrjedhojë, edhe një pjesë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.

1.Historia nuk mund të shkruhet nga një disiplinë e vetme

Mendoj se një nga problemet themelore të historiografisë shqiptare të antikitetit është mungesa e një bashkëpunimi të mjaftueshëm ndërmjet disiplinave shkencore. Historia e antikitetit nuk mund të ndërtohet vetëm mbi rezultatet e arkeologjisë. Ajo kërkon bashkëpunimin e historianëve, arkeologëve, gjeografëve, hartografëve, gjuhëtarëve, epigrafistëve, numizmatëve dhe etnografëve. Secila prej këtyre disiplinave sjell një pjesë të dëshmisë; vetëm krahasimi dhe ndërthurja e tyre mund të çojë në një përfundim më të plotë dhe më të besueshëm.

Një shembull domethënës është mënyra se si është trajtuar historia e antikitetit në botimet tona. Në vëllimin e vitit 2002, “Historia e Popullit Shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, interpretimi i antikitetit mbështetet në një masë të rëndësishme mbi rezultatet e kërkimeve arkeologjike. Por arkeologjia, sado e rëndësishme të jetë, nuk mund të japë e vetme përgjigje për të gjitha çështjet historike. Një qytet i pagërmuar nuk do të thotë se ai nuk ka ekzistuar; një faltore e pazbuluar nuk do të thotë se burimet antike për të nuk ekzistojnë. Mungesa e një dëshmie arkeologjike nuk mund të shndërrohet automatikisht në dëshmi të mosekzistencës.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për luginën e Sipërme të Vjosës. Në rrethinat e qytetit të sotëm të Këlcyrës ndodhen tre kala antike që u përkasin shekujve të para erës sonë. Në asnjërën prej tyre nuk është kryer ndonjë gërmim arkeologjik.

Pyetja që shtrohet është: si mund të ndërtohen përfundime të plota për historinë e një territori, nëse një pjesë e konsiderueshme e tij nuk është studiuar ende me të gjitha mjetet që ofron shkenca bashkëkohore?

Pikërisht këtu qëndron një nga dobësitë e mënyrës tradicionale të trajtimit të antikitetit shqiptar. Kur burimet arkeologjike janë të pjesshme, ato duhet të plotësohen dhe të kontrollohen përmes burimeve të tjera. Historiani duhet të vendosë në marrëdhënie dëshmitë e autorëve antikë me të dhënat e arkeologjisë, gjeografisë historike, epigrafisë, gjuhësisë dhe etnografisë.

Prandaj, problemi nuk qëndron te arkeologjia dhe aq më pak te arkeologët. Problemi qëndron te përdorimi i një disipline të vetme si bazë përfundimtare për ndërtimin e një historie komplekse. Historia e antikitetit kërkon një sintezë. Dhe këtë sintezë nuk mund ta japë asnjë disiplinë e vetme shkencore

  1. Modeli helen në shkrimin e historisë

Autorët helenë të antikitetit e lidhin prejardhjen e helenëve me Helenin, ndërsa Thesalia përmendet si hapësira ku ai dhe pasardhësit e tij u vendosën. Sipas Hesiodit, Heleni ishte biri i Deukalionit dhe Pirrës. Homeri i përmend helenët si bashkëkohës të Akilit, i cili shkoi në Trojë në krye të mirmidonëve, të paraqitur në traditën homerike si popullsi pellazgjike. Ndërkohë, Heleni dhe fisi i tij qëndruan në Thesali. Në kushtet e largimit të një pjese të popullsisë pellazgjike drejt Trojës, tradita e paraqitur në burimet e lashta lidhet me zgjerimin gradual të territorit të helenëve dhe më pas me shtrirjen e tyre drejt jugut të Thesalisë.

Sipas Pseudo-Apollodorit (Bibliotheca 1.7.2-3), Heleni pati tre bij: Dorosin (Dorus), Xuthosin (Xuthus) dhe Eolosit (Aeolus). Pas vdekjes së Helenit, bijtë e tij u vendosën në territore të ndryshme. Xuthosi mori Peloponezin; Dorosi mori territorin përballë Peloponezit dhe banorët e tij morën emrin dorianë, sipas emrit të tij; ndërsa Eolosi mbretëroi në rajonet rreth Thesalisë dhe banorët e këtyre trevave u quajtën Eolianë.

Kjo traditë mitohistorike është e rëndësishme për mënyrën se si autorët e antikitetit e ndërtonin kujtesën e prejardhjes dhe të shtrirjes territoriale të popullsive që më vonë u përfshinë në botën helene. Në këtë kuadër, emërtimi Hellas dhe identiteti helen nuk duhet t’u atribuohen automatikisht të gjitha popullsive dhe të gjitha periudhave të hershme të historisë së territorit jugor të Ballkanit.

Herodoti, Tuqididi dhe Straboni ruajnë dëshmi për popullsi që banonin në këto territore përpara konsolidimit të botës helene dhe për përdorimin më të hershëm të emrit Pellazgji. Këto dëshmi kërkojnë që historia e Helladës të shqyrtohet edhe në raport me popullsitë që banonin në këto hapësira përpara konsolidimit të identitetit helen.

Pikërisht këtu lind problemi i mënyrës se si është shkruar historia e lashtësisë greke. Nëse dëshmitë e autorëve antikë merren si pikënisje, atëherë historia e popullsive që banonin në këto territore përpara shfaqjes dhe konsolidimit të helenëve nuk mund të paraqitet automatikisht si histori helene. Gjetjet arkeologjike të periudhave të hershme duhet të lidhen me burimet historike dhe me popullsitë që këto burime i atribuojnë atyre periudhave.

Për këtë arsye, trashëgimia e periudhës para Luftës së Trojës kërkon një shqyrtim të veçantë. Ajo nuk mund të përfshihet pa argumentim në një histori të mëvonshme helene vetëm mbi bazën e vazhdimësisë gjeografike të territorit. Historia e lashtësisë duhet të dallojë midis kulturave dhe popullsive të ndryshme që kanë jetuar në të njëjtën hapësirë në periudha të ndryshme.

Nëse burimet antike dëshmojnë për një shtresë më të hershme pellazgjike në hapësirat që më vonë u përfshinë në botën helene, atëherë edhe Epiri duhet të studiohet në kontekstin e vet historik. Epiri ishte pjesa e mbetur e Pellazgjisë, ku helenët nuk arritën të depërtonin. Që do të thotë se ndikimi helen në Epir është ai i një populli fqinj, sepse popujt në historinë e tyre janë ndikur, por edhe kanë ndikuar mbi të tjerët.

  1. Epiri dhe Hellada kanë ndryshime të theksuara në organizimin politik, etnografinë dhe mënyrën e adhurimit të perëndive

Burimet historike greko-romake, të cilat duhet të ishin në themelet e shkrimit të historisë së antikitetit shqiptar, kanë mbetur në plan të dytë. Materiali i dokumentuar prej tyre krijon një bazë të rëndësishme për ta parë Epirin si pjesë të trashëgimisë pellazgjike, ku, sipas kësaj qasjeje, ndikimi helen nuk mund të merret si i njëjtë me zhvillimin e brendshëm të shoqërisë epirote.

Autorët e antikitetit, së bashku me dëshmitë epigrafike, tregojnë se shoqëria epirote dhe ajo helene paraqesin dallime të rëndësishme ndërmjet tyre.

Organizimi politik. Organizimi politik i Epirit paraqet veçori të ndryshme nga modeli klasik i polisit helen. Burimet historike dhe dokumentacioni epigrafik dëshmojnë për ekzistencën e mbretërive epirote, por edhe për institucione të përbashkëta politike të epirotëve, përfshirë Aleancën Epirote dhe, më pas, Koinonin e Epirit. Këto dëshmi nuk përbëjnë thjesht një çështje terminologjike; ato lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si duhet kuptuar zhvillimi politik i këtij territori dhe marrëdhënia e tij me botën helene dhe atë ilire.

Etnografia dhe mënyra e paraqitjes së hyjnive. Edhe dëshmitë ikonografike të Carakovistës, sipas interpretimit të tyre në këtë studim, paraqesin veçori që dallojnë nga tradita ikonografike e Helladës. Në disa prej këtyre paraqitjeve vërehen mbulesa koke të krahasueshme me qeleshen e traditave të mëvonshme të popullsive të Çamërisë dhe Labërisë. Po kështu, në paraqitjen e hyjnisë Di të Dodonës, të gjetur në Carakovistë dhe Apolloni, vërehet një mbulesë koke që mund të krahasohet me forma të njohura në traditën popullore të Myzeqesë.

Në ikonografinë e Zeusit në Helladë, përkundrazi, mbulesa e kokës nuk përbën një tipar të zakonshëm të paraqitjes së tij. Kjo vihet re edhe në paraqitjen monumentale të Zeusit të Fidias në Olimpia, ku edhe figurat njerëzore të vendosura rreth tij nuk paraqiten me mbulesa të tilla koke. Këto elemente ikonografike meritojnë të merren në shqyrtim në një krahasim më të gjerë ndërmjet traditave epirote dhe helene.

Flokët si element ikonografik. Një tjetër dallim që kërkon vëmendje lidhet me mënyrën e paraqitjes së flokëve. Në traditën ikonografike të Carakovistës, Apolloni paraqitet me flokë të gjatë. Ky element, i krahasuar me dëshmitë e tjera ikonografike dhe me mënyrën e paraqitjes së banorëve të Epirit, mund të shihet si një tipar i veçantë i traditës vendore.

Kështu, sipas interpretimit të propozuar këtu, paraqitja e hyjnive nuk duhet parë e shkëputur nga mjedisi shoqëror ku ato adhuroheshin. Nëse banorët e Epirit paraqiten me flokë të gjatë dhe me mbulesa koke të caktuara, ndërsa disa prej hyjnive të paraqitura në këtë hapësirë shfaqin të njëjtat tipare, atëherë ikonografia mund të ofrojë një dëshmi shtesë për karakterin e traditës vendore. Në këtë kuadër, Dia i Dodonës dhe Apolloni i paraqitur në Carakovistë mund të studiohen në lidhje me tiparet e popullsisë epirote.

Këto dallime në organizimin politik, në traditat etnografike dhe në mënyrën e paraqitjes e të adhurimit të hyjnive tregojnë se zhvillimi i shoqërive epirote dhe helene nuk mund të trajtohet si një proces i njëjtë. Ato u zhvilluan në hapësira të ndryshme dhe ruajtën veçori të dallueshme politike e kulturore. Për këtë arsye, burimet e autorëve antikë, së bashku me dëshmitë arkeologjike, epigrafike dhe ikonografike, duhet të analizohen në mënyrë të integruar.

Në këtë kuadër merr rëndësi edhe gjeografia historike. Gjeografët e antikitetit, duke filluar me Pseudo-Skylaksin dhe duke vijuar me autorë të tjerë të mëvonshëm, japin të dhëna për kufijtë ndërmjet Epirit dhe hapësirave të tjera të botës së lashtë. Gjiri i Ambrakisë paraqitet në këto burime si një pikë e rëndësishme kufitare ndërmjet hapësirës epirote dhe asaj që burimet e dallojnë si Helladë. Ky përcaktim gjeografik është i rëndësishëm për të kuptuar se Epiri nuk duhet të trajtohet si pjesë e së njëjtës hapësire politike, shoqërore dhe kulturore me Helladën.

  1. Carakovista, e pranuar si vendndodhje e Dodonës, duhet të testohet përballë dëshmive të autorëve të antikitetit, të arkeologjisë dhe të epigrafisë së zbuluar në këtë sit

Nëse Carakovista është Dodona, atëherë duhet të shpjegohen në mënyrë të plotë të gjitha dëshmitë që lidhen me Dodonën. Burimet antike e lidhin Dodonën me malin Tomar dhe me lumin e Dodonës, ndërsa në Carakovistë nuk identifikohet një lumë që të përputhet me këtë përshkrim. Po kështu, siti arkeologjik ndodhet në zonën e kodrave të Kozmirasë, çka ngre një tjetër çështje që kërkon të përballohet me përshkrimet topografike të autorëve antikë.

Një problem tjetër lidhet me dokumentacionin epigrafik të njohur nga siti. Në mbishkrimet e Carakovistës, hyjnia paraqitet me atributin Naio, ndërsa tradita e Dodonës në burimet antike lidhet me atributin Dodonen. Ky dallim terminologjik nuk mund të lihet mënjanë, kur bëhet fjalë për identifikimin e një faltoreje dhe të një qendre fetare të antikitetit.

Edhe përmasat e sitit kërkojnë një shpjegim. Carakovista zë një sipërfaqe prej rreth 3,5 hektarësh, ndërsa Stefan Bizantini, në përshkrimin e tij për Dodonën, përdor një formulim që i atribuon asaj një shtrirje shumë të madhe. Prandaj duhet të sqarohet, nëse përmasat dhe karakteri urban i Carakovistës përputhen me atë që burimet antike thonë për Dodonën.

Siti paraqet gjithashtu çështje që lidhen me kronologjinë e tij dhe me periudhat që burimet antike i atribuojnë zhvillimit të Dodonës. Për këtë arsye, të dhënat arkeologjike duhet të krahasohen në mënyrë të drejtpërdrejtë me kronologjinë e dëshmuar në burimet historike.

Këto mospërputhje nuk e zgjidhin vetvetiu çështjen e identifikimit, por janë pyetje që kërkojnë përgjigje shkencore. Prandaj, identifikimi tradicional i Carakovistës me Dodonën nuk duhet të konsiderohet çështje e përfunduar pa u përballur sistematikisht me dëshmitë topografike, historike, arkeologjike dhe epigrafike.

  1. Banorët e Epirit i përkisnin etnisë pellazge dhe, në periudhën e pushtimit romak, Epiri u përfshi në hapësirën e njohur si Iliri

Burimet antike i quajnë banorët e Epirit pellazgë. Këtë traditë e plotësojnë, sipas interpretimit të paraqitur këtu, edhe dëshmitë epigrafike të Carakovistës. Në mbishkrimet e këtij qyteti ndeshen mbiemra që lidhen me emrat e hyjnive, si Lariseos, në nder të hyjneshës Larisa, dhe Dodonen, në nder të hyjnisë së Dodonës, e cila mbante këtë atribut. Këto të dhëna krijojnë një pikë takimi ndërmjet burimeve historike dhe epigrafisë, duke dëshmuar ruajtjen e një tradite pellazgjike në Epir dhe lidhjen e saj të veçantë me faltoren dhe orakullin e Dodonës.

Në këtë kuptim, tradita pellazgjike nuk paraqitet vetëm në dëshmitë letrare të autorëve antikë, por shfaqet edhe në kujtesën fetare dhe në emërtimet që lidhen me kultet e njohura në Epir. Dodona, me tempullin dhe orakullin e saj, përbënte qendrën më të rëndësishme të kësaj tradite. Ajo ruajti autoritetin e saj për shumë shekuj, deri në fundin e antikitetit, kur institucioni i vjetër pellazg, u shua në kushtet e ndryshimeve të mëdha fetare e politike të Perandorisë Romake.

Burimet historike, gjeografia antike, arkeologjia, epigrafia dhe etnografia, të shqyrtuara së bashku, japin një bazë të gjerë për studimin e identitetit historik të popullsive të Epirit. Autorë të ndryshëm të antikitetit ruajnë traditën që lidh Epirin dhe fiset e tij me pellazgët. Edhe Suda, në shekullin X të erës sonë, ruan dëshmi të traditës së lashtë që i cilëson thesprotët si fis pellazg.

Në periudhën romake ndryshuan ndarjet administrative dhe përcaktimet territoriale të Ballkanit. Epiri dhe Iliria e Jugut u përfshinë në struktura të reja politike e administrative, ndërsa emërtimi Iliri u përdor për hapësira të gjera të gadishullit Ballkanik. Kjo nuk do të thotë se emërtimet më të vona administrative mund të përdoren automatikisht për të fshirë ose zëvendësuar traditat dhe përcaktimet më të hershme që ruhen në burimet historike.

Prandaj, Epiri nuk mund të trajtohet pa dallim si “Iliri” në të gjitha periudhat e historisë së tij, ashtu siç nuk mund të anashkalohen dëshmitë që e lidhin atë me traditën pellazgjike. Në burimet e hershme, Epiri shfaqet si pjesë e një hapësire historike të veçantë, me traditat e veta dhe me Dodonën si qendrën e saj më të rëndësishme fetare.

Ky dallim ka rëndësi të veçantë edhe për historiografinë shqiptare. Në disa interpretime, Epiri pranohet si pjesë e hapësirës ilire, ndërsa Dodona trajtohet veçmas, pavarësisht nga tradita pellazgjike që burimet antike i atribuojnë faltores së saj. Por Dodona nuk mund të shkëputet nga hapësira historike ku ajo ka ekzistuar. Ajo ishte qytet, faltore dhe orakull i lidhur me traditën pellazgjike dhe përbënte qendrën shpirtërore të kësaj tradite, veçanërisht për Epirin, në territorin e të cilit ndodhej.

Për këtë arsye, historia e Epirit dhe historia e Dodonës duhet të shqyrtohen së bashku me tërësinë e dëshmive që kanë ruajtur burimet antike. Vetëm një analizë që bashkon burimet historike me gjeografinë antike, arkeologjinë, epigrafinë dhe etnografinë mund të ndihmojë në një rivlerësim më të plotë të identitetit historik të Epirit dhe të vendit që zë Dodona në historinë e tij.

  1. Historianët, Dodona dhe Dëshnica e Përmetit

Burimet historike e vendosin Dodonën në veri të Epirit, në territorin e Molosisë dhe pranë kufijve të Atintanisë ilire. Megjithatë, historinë e shqiptarëve për periudhën e antikitetit nuk mund ta ndërtojë një disiplinë e vetme shkencore. Në praktikën e deritanishme, rezultatet arkeologjike kanë pasur një peshë vendimtare në përcaktimin e vendndodhjes së Dodonës. Për sa kohë që në Carakovistë janë zbuluar rrënoja të një qendre antike, ndërsa në zona të tjera nuk janë kryer kërkime arkeologjike me të njëjtin intensitet, identifikimi i Carakovistës me Dodonën është ruajtur si përfundim i konsoliduar.

Kjo mënyrë e trajtimit të çështjes kërkon të rishikohet metodologjikisht. Historia duhet të shkruhet mbi bazën e tërësisë së burimeve dhe jo të mbështetet vetëm në atë disiplinë që ka prodhuar deri tani më shumë dëshmi materiale. Historianët duhet të kenë rolin e tyre të veçantë në sintetizimin e burimeve historike, ndërsa arkeologjia, epigrafia, gjeografia historike, gjuhësia, numizmatika dhe etnografia duhet t’i japin historisë dëshmitë e tyre. Vetëm bashkëpunimi ndërdisiplinor mund të çojë në përfundime më të plota dhe më të qëndrueshme. Nëse burimet historike e vendosin Dodonën në veri të Epirit, pranë kufijve të Ilirisë, atëherë kjo dëshmi duhet të merret si pikënisje për kërkime të reja. Në këtë kuadër, Dëshnica e Përmetit dhe hapësira e luginës së Vjosës, në rrethinat e Këlcyrës, përbëjnë një zonë që, sipas hipotezës së paraqitur prej vitesh në këtë studim, meriton një hetim të posaçëm arkeologjik dhe ndërdisiplinor.

Dëshmia e Pseudo-Skylaksit dhe burime të tjera të antikitetit lidhen me vendosjen e Dodonës në hapësirën e  lumit Aos dhe pranë Atintanisë. Edhe burimet e periudhës së vonë romake japin të dhëna që duhen krahasuar me këtë përshkrim topografik, veçanërisht në lidhje me lumin Aos, malin Tomar dhe hapësirën e Atintanisë.

Nëse ndjekim luginën e Aos/Vjosës nga burimi drejt perwndimit, duhet të shqyrtohen njëra pas tjetrës malet që mund të lidhen me malin Tomar të përmendur nga autorët antikë. Pindi, prej të cilit buron Aos/Vjosa, njihej në antikitet me emrin Pind, ndërsa Gramozi lidhet në burimet antike me Cercetiumin. Për këtë arsye, këto dy male kërkojnë të trajtohen veçmas në analizën topografike dhe nuk përputhen me hipotezën e malit Tomar të Dodonës.

Më tej, në vazhdim të luginës së Vjosës, shfaqen masivet e Nemërçkës, Dhëmbelit dhe Trebeshinës. Nemërçka dhe Dhëmbeli ndodhen në hapësirën epirote dhe nuk paraqesin, përputhjen e kërkuar me kufirin e Atintanisë. Trebeshina paraqet një situatë tjetër. Pozicioni i saj lidhet drejtpërdrejt me luginën e Vjosës dhe me hapësirën që, sipas rindërtimit historik të propozuar, mund të ketë shërbyer si zonë kufitare ndërmjet Molosisë dhe Atintanisë.

Pikërisht në perëndim të Këlcyrës, në shpatet e Trebeshinës, ndodhet një kala antike dhe, poshtë saj, gjurmë të një vendbanimi të gjerë, ku janë evidentuar rreth 400 struktura banimi. Këto dëshmi materiale e bëjnë zonën të rëndësishme për një kërkim të posaçëm.

Topografia e përshkruar nga autorët e antikitetit: lumi, fusha, vendbanimi dhe tempulli në shpatin e malit, paraqet elemente që mund të krahasohen me topografinë e hapësirës së Këlcyrës dhe Dëshnicës. Përputhja e këtyre elementeve nuk është në vetvete provë përfundimtare e identifikimit, por është një arsye e fortë për ta vendosur këtë territor në qendër të një hetimi shkencor.Prandaj, pyetja nuk duhet të jetë nëse ekzistojnë apo jo rrënoja që mund të quhen paraprakisht “Dodona”, por nëse dëshmitë historike, topografike dhe arkeologjike të kësaj zone përputhen me përshkrimin e Dodonës në burimet antike. Për t’i dhënë kësaj pyetjeje një përgjigje shkencore, në Dëshnicë dhe në shpatet e Trebeshinës nevojiten kërkime të sistemuara, sondazhe dhe gërmime arkeologjike, të shoqëruara me studime epigrafike, gjeografike dhe të disiplinave të tjera.

Vetëm një hetim i tillë mund të tregojë nëse kjo hapësirë përmban dëshmi që mbështesin hipotezën e argumentuar tw Dodonës në Dëshnicë të Përmetit.

  1. Historia e Epirit duhet të jetë në themelet e historisë së shqiptarëve

Nëse historinë e shqiptarëve do ta udhëhiqnin historianët dhe jo një disiplinë e vetme shkencore, para se të nxirreshin përfundime për historinë e antikitetit do të kërkohej kryerja e gërmimeve arkeologjike në shpatet e malit të Trebeshinës, me qëllim që të testohej përputhshmëria e dëshmive të autorëve antikë me të dhënat që mund të ofrojë siti arkeologjik.

Historia e antikitetit mund të shkruhet në mënyrë të plotë vetëm kur bashkëpunojnë institucionet dhe disiplinat e ndryshme shkencore. Burimet historike dhe gjeografia antike, arkeologjia dhe gjuhësia, epigrafia dhe etnografia, si dhe degë të tjera të dijes që ndihmojnë në ndriçimin e së kaluarës, duhet të bashkërendojnë rezultatet e tyre. Secila disiplinë sjell dëshmi të veçanta dhe, të marra së bashku, ato krijojnë mundësinë për një përfundim më të qartë dhe më të besueshëm.

Në një kërkim të tillë ndërdisiplinor, një rol të rëndësishëm do të kishin gjeografët dhe hartografët. Hartat evropiane të periudhave të ndryshme tregojnë se emri i malit të Trebeshinës ka kaluar nëpër këto emra: Tomar, Tomer, Temer, Trebeten deri sa arriti në formën e sotme Trebeshinë.Gjuhëtarët do të sillnin në këtë kërkim edhe dëshmitë e toponimisë. Një prej tyre është emri: Faqja e Larit, që ndodhet në malin e Trebeshinës dhe që, sipas hipotezës së paraqitur në këtë studim, mund të lidhet me bariun Larin që përmendet në traditën e Dodonës. Një toponim i tillë nuk mund të merret si provë më vete, por duhet të përfshihet në analizën e përgjithshme gjuhësore dhe historike të territorit.

Etnografët do të sillnin në këtë kërkim dëshmitë e traditave të ruajtura në Dëshnicë, veçanërisht traditën e lisave të shenjtë. Ruajtja e këtyre praktikave deri në kohët moderne përbën një material që meriton të studiohet në raport me traditën e lisit të shenjtë të Dodonës dhe me mënyrën se si pemët e shenjta lidhen me besimet dhe ritet e popullsive vendore.

Edhe gjetjet arkeologjike dhe numizmatike kërkojnë një shqyrtim të posaçëm. Medalioni i mbretit tw Maqedonisw, i Perseut, i gjetur te kalaja antike, e dokumentuar nga Pouqueville për marrjen e kwtij objekti nga një prift gjatë vizitës së tij në Këlcyrë, meriton të verifikohet dhe të vendoset në kontekstin e burimeve të tjera. Nëse dëshmohet se ai lidhet me traditën e kushtimeve ndaj hyjnisë së Dodonës, mund të përbëjë një dëshmi me rëndësi.

Në këtë kuadër duhen marrë në konsideratë edhe monedha e periudhës së vonë romake dhe gjetjet e tjera të rastësishme të evidentuara në këtë hapësirë, të cilat, sipas materialit të mbledhur deri tani, përfshijnë një hark kohor që shkon nga eneoliti deri në shekullin IV të erës sonë. Një vazhdimësi e tillë e dëshmive materiale e bën zonën veçanërisht të rëndësishme për kërkime të mëtejshme arkeologjike.

Kjo është arsyeja pse kërkimi ndërdisiplinor duhet të jetë në themel të studimit të Dodonës dhe të historisë së Epirit. Një histori e lashtësisë nuk mund të shkruhet vetëm duke parë atë që ka zbuluar deri tani një disiplinë. Duhet të shqyrtohet edhe ajo që mund të zbulojnë disiplinat e tjera.

Për këtë arsye, historia e Epirit duhet të zërë një vend themelor në studimin e historisë së shqiptarëve. Vetëm përmes një kërkimi të përbashkët të historianëve, arkeologëve, gjuhëtarëve, epigrafistëve, gjeografëve, hartografëve, etnografëve dhe specialistëve të fushave të tjera mund të testohet me seriozitet historia e kësaj hapësire dhe, mbi të gjitha, hipotezat që lidhen me vendndodhjen e Dodonës.

  1. Problemi nuk është vetëm Dodona

Çështja bëhet edhe më serioze kur shqyrtojmë mënyrën se si është paraqitur Epiri në historiografinë greke. Në vitin 1997, në Athinë, u botua vepra “Epirus: 4000 Years of Greek History and Civilization”, nën drejtimin e përgjithshëm të M. B. Sakellariou, botim i Akademisë së Athinës. Vetë titulli i veprës e vendos Epirin në kuadrin e historisë dhe qytetërimit grek. Për më tepër, përshkrimi i botimit e paraqet “karakterin grek” të Epirit dhe përfshin në këtë interpretim edhe qytete e monumente që ndodhen në territorin e sotëm të Shqipërisë.

Kjo qasje nuk mund të lihet pa u analizuar nga institucionet shqiptare. Nuk bëhet fjalë vetëm për një interpretim akademik, por për mënyrën se si ndërtohet dhe përcillet një narrativë historike mbi një territor që sot shtrihet në hapësirat e dy shteteve. Shqiptarët nuk mund të pranojnë më, që interpretimi i një pale të shndërrohet (nga heshtje e gjatë e institucioneve akademike shqiptare) në një të vërtetë të pakontestuar.

Nëse një institucion akademik i huaj boton një vepër të gjerë mbi historinë e Epirit dhe në interpretimin e saj përfshin territore, qytete dhe qendra arkeologjike që sot ndodhen brenda kufijve të Shqipërisë, atëherë institucionet shkencore shqiptare kanë përgjegjësinë ta analizojnë veprën, të evidentojnë interpretimet me të cilat nuk pajtohen dhe t’u kundërvënë atyre argumentet e burimeve historike, arkeologjike, epigrafike dhe gjuhësore.

Pikërisht këtu qëndron një nga problemet e debatit shqiptar për Epirin: mungesa e një kundërpërgjigjeje të gjerë dhe të argumentuar institucionalisht. Nuk mjafton që studiues të veçantë të shprehin pikëpamjet e tyre. Përballë veprave të mëdha historiografike nevojiten studime po aq të plota, të mbështetura në burime dhe në një metodologji të krahasueshme shkencore.

Prandaj, përgjegjësia e institucioneve shqiptare nuk duhet të jetë vetëm mbrojtja e një teze të caktuar, por krijimi i kushteve për një kërkim të pavarur dhe të hapur mbi historinë e Epirit. Heshtja e gjatë nuk e zgjidh një problem shkencor; përkundrazi, lë hapësirë që një interpretim i vetëm të konsolidohet si version i pakundërshtuar.

Për këtë arsye, çështja nuk mund të kufizohet vetëm te vendndodhja e Dodonës. Ajo lidhet me mënyrën se si është shkruar, studiuar dhe interpretuar historia e Epirit dhe me përgjegjësinë që kanë institucionet shqiptare për ta trajtuar këtë histori mbi bazën e burimeve dhe të kërkimit shkencor. Përderisa institucionet akademike shqiptare, nuk e kanë bërë këtë deri tani, mendoj se Qeveria Shqiptare duhet të ndërmarrë një nismë konkrete: të krijojë një grup ekspertësh shqiptarë dhe të huaj, ku të përfshihen: historianë, arkeologë, gjeografë, gjuhëtarë, epigrafistë, numizmatë dhe etnografë. Ky grup duhet të punojë mbi një metodologji të përbashkët dhe të verifikueshme, duke shqyrtuar në mënyrë të pavarur burimet dhe dëshmitë që lidhen me Dodonën dhe Epirin. Qëllimi nuk duhet të jetë imponimi i një përfundimi të parapërcaktuar, por krijimi i kushteve që pyetjet e pazgjidhura të marrin përgjigje mbi bazën e kërkimit shkencor. Vetëm një proces i tillë mund t’i japë debatit për Dodonën dhe Epirin një bazë të re, më të gjerë dhe më të besueshme.

  1. Në vend të një përfundimi

Prej më shumë se njëzet e pesë vjetësh merrem me çështje që lidhen me historinë e lashtë të këtij territori, me synimin për të ndriçuar disa probleme që, sipas gjykimit tim, nuk kanë marrë ende një përgjigje të plotë në historiografinë shqiptare. Në këtë rrugëtim kërkimor, dy nga veprat e mia të fundit, “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” dhe “Historia e pashkruar e shqiptarëve”, përfaqësojnë përpjekjen për të sjellë në diskutimin shkencor burime, dëshmi dhe argumente që meritojnë të rishqyrtohen në një kuadër më të gjerë ndërdisiplinor.

Kërkesa për rishqyrtimin e vendndodhjes së Dodonës nuk buron nga dëshira për t’i dhënë privilegj një tezeje të caktuar. Ajo lidhet me rëndësinë që Dodona ka në historinë e botës antike. Si qendër e hershme e kultit, e tempullit dhe e orakullit, ajo përfaqëson një nga dëshmitë më të rëndësishme të zhvillimit të jetës shpirtërore dhe shoqërore të antikitetit. Për këtë arsye, përcaktimi sa më i saktë i vendndodhjes së saj nuk është vetëm një çështje gjeografike, por një problem me pasoja të drejtpërdrejta për interpretimin e historisë së Epirit.

Nëse Dëshnica dhe Trebeshina nuk kanë lidhje me Dodonën, i dështuar do të mbetet vetëm autori i kësaj teze, kurse kërkimi shkencor nuk do të ishte i humbur. Përkundrazi, në këtë hapësirë ku ndodhen tri kala antike dhe rreth 400 struktura shtëpish të rrënuara, do të dilte në dritë një qytetet tjetër i rëndësishëm i antikitetit në Luginën e Sipërme të Vjosës, duke pasuruar njohuritë tona për historinë e Epirit. Përkundrazi, nëse kërkimet e ardhshme do të tregojnë se burimet antike, gjeografia historike, hidrografia, toponimia, dëshmitë arkeologjike dhe të dhënat e tjera të verifikueshme konvergojnë në drejtim të Dëshnicës dhe Trebeshinës, atëherë një rezultat i tillë do të kërkonte një rishqyrtim të rëndësishëm të përfundimeve të mëparshme mbi vendndodhjen e Dodonës dhe mbi historinë e kësaj hapësire.

Historia duhet të jetë gjithmonë e hapur ndaj korrigjimit, kur dalin në dritë dëshmi të reja ose kur të dhënat ekzistuese lexohen në një mënyrë më të plotë. Një përfundim historiografik nuk mund të ketë status të pakthyeshëm vetëm sepse është përsëritur për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë, asnjë tezë e re nuk mund të kërkojë të pranohet vetëm për shkak të risisë së saj.

Kriteri duhet të jetë i njëjtë për të dyja: prova.

Kjo është edhe arsyeja pse çështja e Dodonës duhet t’i nënshtrohet një kërkimi të ri, sistematik dhe ndërdisiplinor. Arkeologjia duhet të verifikojë gjurmët materiale; epigrafia të shqyrtojë dëshmitë e shkruara; numizmatika të ndihmojë në përcaktimin e marrëdhënieve politike dhe kronologjike; gjeografia historike të rindërtojë hapësirën e burimeve antike; gjuhësia dhe toponimia të testojnë vazhdimësinë dhe transformimet e emërtimeve; ndërsa burimet letrare të autorëve të antikitetit duhet të rilexohen në lidhje me të gjitha këto të dhëna. Vetëm një qasje e tillë mund ta çojë debatin nga përplasja e interpretimeve drejt verifikimit shkencor.

Nëse kërkimet e ardhshme do ta rrëzojnë hipotezën e paraqitur në këtë vepër, ky rezultat duhet pranuar si pjesë e vetë procesit shkencor. Nëse, përkundrazi, provat do ta mbështesin dhe do ta forcojnë atë, historiografia duhet të ketë gatishmërinë për të rishikuar përfundimet e mëparshme.

Në fund të fundit, qëllimi i kërkimit historik nuk është të mbrojë një tezë, një autor apo një traditë historiografike. Qëllimi i tij është të afrohet sa më shumë me atë që burimet dhe dëshmitë na lejojnë të njohim për të kaluarën.

Dhe pikërisht këtu qëndron edhe kuptimi i kësaj vepre: jo në pretendimin se përgjigjja është dhënë njëherë e përgjithmonë, por në kërkesën që pyetja të shtrohet përsëri, të testohet me mjete më të plota dhe t’i lihet provës fjala përfundimtare.

Historia nuk ka nevojë të mbrohet nga ndryshimi. Ajo ka nevojë të mbrohet nga paragjykimi dhe nga pranimi i përfundimeve pa verifikim. Vetëm kështu kërkimi shkencor mund t’i afrohet së vërtetës.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu