NDËRMJET DY BOTËVE
____
Të jetosh për një çerek shekulli në periferi të Albany-s, në kryeqytetin e shtetit të New York-ut, të ofron një thjerrëz unike për të parë se si funksionon një shoqëri perëndimore. Në një qytezë ku shumica dërrmuese e banorëve deklarohen të krishterë dhe ku ndodhen tri kisha, peizazhi njerëzor tregon diçka që për syrin e rritur në Shqipëri, Kosovë e kudo trojet shqiptare mund të duket paradoksale: feja këtu është një çështje private, thuajse e padukshme në hapësirën publike.
Në këto 25 vite, oborret e kishave mbeten të qeta, madje edhe të dielave apo gjatë Krishtlindjeve (Kërshëndellave). Amerikanët e kësaj zone nuk e dyndin fenë në rrugë; ata nuk i mbushin restorantet jashtë fundjavave dhe jeta e tyre rrjedh me një lloj disipline komunitare. Për ta, pikat e grumbullimit dhe të bashkimit janë të tjera. Ata mblidhen në grupe prej 20-30 vetash – miq e familjarë – në shtëpi rreth një ndeshjeje sportive, duke krijuar një festë të vërtetë njerëzore rreth ekranit, ose bashkohen pa dallim moshe në qendër të qytezës kur ka muzikë, fishekzjarre dhe ushqim rruge. Shumë herë është shkolla vendëtakimi, ku komuniteti kënaqet me koncertet e nxënësve apo ndonje lojë sportive ndërmjet shkollave. Ky është modeli i një shoqërie ku identiteti qytetar dhe komunitari tejkalon atë fetar në jetën e përditshme. Kurrë nuk më ka ndodhur të më pyes dikush për religjionin tim, ndersa për kombesi nëse unë vet e kam treguar ngase ndihen keq të t’pyesin nga cili vend je? E konsiderojnë ofendim përderisa ti banon këtu, ke shtëpinë dhe nënshtësinë ti je amerikan. Dy kisha ndodhen në fund të rruges ku banojmë, aq sa i ndiejme rrallë shumë rrallë këmbanat e tyre ngase kan shtëpia afër dhe e respektojnë qetësinë, por edhe njerëz e ke vështirë të shiqosh kur hynë apo dalin.
Por, kur kthejmë shikimin nga trojet tona – nga Tirana, Prishtina dhe qytetet e tjera shqiptare – pamja ndryshon kryekëput. Pamjet e shesheve të stërmbushura për faljen e Bajramit apo të xhumasë, që bllokojnë qendrat e qyteteve, ngrenë një pikëpyetje të madhe: Çfarë po ndodh me kodin tonë kulturor dhe identitetin kombëtar?
Thyerja e Madhe e Viteve ’90 dhe Post-Luftës
Ky transformim nuk është i rastësishëm. Ai e ka zanafillën e qartë historike: rënien e diktaturës komuniste në Shqipëri (1990) dhe përfundimin e luftës në Kosovë (1999).
Deri në vitin 1990 në Shqipëri, pavarësisht brutalitetit të regjimit që ndaloi fenë me ligj, dhe deri në vitin 1999 në Kosovë, nën shtypjen e egër serbe, emëruesi i përbashkët i mbijetesës ishte vetëm një: të qenit shqiptar. Identiteti etnik ishte mburoja, krenaria dhe kauza e vetme. Nën parullën e famshme të Pashko Vasës, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, populli gjeti forcën të mbetej një, pavarësisht nëse i përkiste besimit mysliman, katolik apo ortodoks.
Të gjithë Dëshmorët kishin një “fe” shqiptarinë ashtu siç e kishin vetëm një çëllim, atë për çlirim nga thundra e pushtuesit serbosllav. Megjithatë, pas vitit 2000, diçka filloi të thyhej. Me fitimin e lirisë dhe demokracisë, u krijua një vakum i madh shpirtëror dhe institucional. Në këtë vakum hynë agjenda të huaja, fonde nga Lindja e Mesme dhe rryma radikale që filluan të investojnë masivisht në ndryshimin e identitetit kulturor shqiptar. Të gjithë e dimë si tentuan ta shpallnin Kosovën shtet “islamik”! Gradualisht, për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, përkatësia fetare filloi të vendosej përpara asaj kombëtare. Pyetja shtrohet me dhimbje: A vdiq shqiptari i vërtetë me rënien e komunizmit dhe çlirimin e Kosovës? Vallë a i harruam të gjitha vlerat njërëzore dhe kombëtare nën rrënojat e komunizmit dhe luftës në Kosovë?
Ajo që po shohim sot në sheshet tona nuk është thjesht liri e besimit – e cila është një e drejtë e patjetërsueshme njerëzore dhe duhet respektuar. Ajo që shqetëson është shfaqja politike dhe demonstrative e fesë, e cila bie ndesh me traditën shekullore shqiptare të moderimit dhe tolerancës.
Shqiptarët historikisht e kanë jetuar fenë brenda mureve të shtëpisë ose brenda institucioneve të kultit, kurrë si një mjet për të sfiduar hapësirën publike ose për të zëvendësuar identitetin etnik. Sot, kur dëgjon njerëz që me plot gojën thonë “jam mysliman” përpara se të thonë “jam shqiptar”, ky është një sinjal alarmi. Ky është tjetërsim (alienim).
Kur një komb harron ose zbeh emrin e tij të lashtë në emër të një identiteti global fetar, ai vë në rrezik ekzistencën e vet:
Humbja e Unitetit Kombëtar: Kombi shqiptar është i ndërtuar mbi bashkëjetesën e disa feve. Nëse feja bëhet identiteti parësor, ky komb rrezikon të ndahet dhe të përçahet nga brenda.
Harresa e Sakrificës: Gjaku i derdhur për gjuhën, flamurin dhe lirinë e tokës shqiptare nuk u derdh për agjenda fetare, por për lirinë e një kombi që quhet Shqiptar.
Ku jemi duke shkuar?
Pse këtu në Amerikë, Evropë apo vendet skandinave njerëzit e gjejnë lumturinë te familja, miqësia,komuniteti, sporti, festat lokale dhe respekti për tjetrin, duke e mbajtur zotin në zemër dhe jo në rrugë për t’u matur me tjetrin.
Shqiptarët sot duhet të kuptojnë, me apo pa vetëdije, se janë duke luajtur me zjarrin e tjetërsimit. Nëse vazhdohet në këtë rrugë ku feja përdoret si mjet dominimi kulturor në sheshe dhe në rrjete sociale, rrezikojmë të kthehemi në një popull pa busull, që humb rrënjët e veta ilire e ballkanike për t’u bërë një kopje e shëmtuar e kulturave që nuk na përkasin. Si është e mundur për festen e Bajramit dhjetëra e mijëra ndodhen në shesh aty në Tiranë, ndersa për t’ju bashkuar protestes studentore për shpëtimin e Shqipërisë nga kthetrat e tradhëtisë nuk ju bashkangjiten zerave studentorë dhe rinisë as 1%?
Është koha për një zgjim të vetëdijes kombëtare. Liria e besimit është vlerë, por shqiptaria është ekzistencë. Pa të parën mund të jetojmë, por pa të dytën nuk ka më Shqipëri dhe Kosovë.
Zoti prej nesh syrin sikur e ka kt’thyer
Me ne si shqiptarë mban mëri të vjetër,
Sepse po i lutemi si t’ishim të huaj,
Traditë e kulturë i kemi harruar.
@Maki M Canolli
Canajoharie, New York
Të vetmit shqiptarë në mesin mijëra amerikanëve!


