
Shqipe Bytyçi, Zvicër
Një mbrëmje letrare ku poezia, muzika dhe miqësia ndërkulturore u bashkuan rreth përvojës së mërgimit. Një mbrëmje e veçantë kushtuar poezisë, muzikës dhe letërsisë u organizua të shtunën, më 14 nëntor 2026, në qytetin e St. Gallenit, me rastin e prezantimit të librit „EXIL -Zwischen Säntis und Sehnsucht“ (EXIL- Mes Säntisit dhe mallit), të autorit Isuf Sherifi. Takimi letrar u mbajt në hapësirën kulturore „Raum für Literatur“, në St. Leonhardstrasse 40, në bashkëpunim me Richard Butz dhe GdSL-në (Shoqata për Gjuhën dhe Letërsinë Gjermane).

Mbrëmjen e hapi Richard Butz, organizator dhe njëherësh folësi i parë, i cili përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi këtë takim letrar. Ai është një mik shumëvjeçar i autorit dhe i komunitetit shqiptar, me një lidhje të veçantë me hapësirën shqiptare. Vizitat e tij në Kosovë, Shqipëri, Tetovë, Theth, Shkodër e Gjirokastër kanë ndërtuar një afërsi të vazhdueshme me kulturën, njerëzit dhe traditat shqiptare.

Në vijim, romansierja dhe poetja Christine Fischer lexoi intermecot poetike, duke krijuar ura lidhëse ndërmjet pjesëve të programit dhe duke i dhënë mbrëmjes një rrjedhë të veçantë letrare. Një rol të rëndësishëm në këtë prezantim pati edhe Christian Imhof, botues nga shtëpia botuese Qultur Verlag, me seli në Schiers, duke përfaqësuar dimensionin botues të këtij projekti letrar. Atmosferën e mbrëmjes e pasuroi përcjellja muzikore nga Werner Meier dhe Christian Fitze. Ndërthurja e leximit poetik me muzikën krijoi një hapësirë ku fjala dhe tingulli plotësonin njëri tjetrin, duke e bërë prezantimin më shumë se një takim të zakonshëm me librin.

„EXIL- Zwischen Säntis und Sehnsucht“ është një titull që bart në vetvete dy përmasa të përvojës së mërgimit, një vend konkret, të mishëruar nga Säntisi, dhe një gjendje të brendshme shprehur përmes mallit. Pikërisht në këtë hapësirë ndërmjet vendit ku jetohet dhe vendit qe mbetet brenda njeriut, letërsia gjen një nga temat e saj më të ndjeshme si përkatësinë, kujtesën, largësinë dhe kërkimin e vazhdueshëm të vetvetes.

Autori Isuf Sherifi shprehu mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë ata që e shoqëruan që nga hapat e parë, besuan në librin „EXIL“ dhe kontribuuan në realizimin e tij. Mbrëmja u përmbyll me një aperitiv të përbashkët, ku bashkëbisedimi dhe shkëmbimi i përshtypjeve vazhduan në një atmosferë miqësore.

Prezantimi në St. Gallen dëshmoi edhe një herë se letërsia mund të bëhet hapësirë takimi përtej gjuhëve dhe kufijve. Ajo i afron njerëzit përmes përvojave të përbashkëta dhe krijon ura ndërmjet kulturave, duke i dhënë edhe mallit një gjuhë poetike, e cila mund të ndahet me të tjerët.


