Emrat, kujtesa kombëtare dhe guximi për t’u rikthyer te vetvetja
A i trashëgojmë emrat e të parëve vetëm për respekt, apo ndonjëherë i mbajmë pa e ditur as domethënien, as prejardhjen e tyre?
Ne jemi popull evropian, me rrënjë të lashta ilire-arbërore. Historia na ka lënë shtresa të ndryshme emërtimesh, përfshirë edhe emra të prejardhjes orientale, të përhapur sidomos gjatë sundimit osman. Historia e shpjegon prejardhjen e tyre, por nuk na detyron t’i bartim përgjithmonë pa reflektuar.
Emrat e vendeve janë ndryshuar, ndërsa emërtime autoktone janë rikthyer në përdorim. Edhe shumë emra të kafshëve, bimëve e dukurive natyrore kanë ruajtur vazhdimësinë e tyre. Po emrat e njerëzve? Pse të mos i shqyrtojmë edhe ata me vetëdije gjuhësore, historike e kombëtare?

Paradoksi bëhet edhe më i thellë kur disa aktivistë të lëvizjeve iluministe e të platformave kombëtare, me pishtarë në duar, na ftojnë të kthehemi te rrënjët iliro-arbërore, ndërsa vetë nuk reflektojnë për prejardhjen e emrave që mbajnë. A mund të na kujtohet ndonjë rast domethënës kur një turk apo arab, me vetëdije identitare, ka zgjedhur emër iliro-arbëror në shenjë respekti për popullin që paraardhësit e tij e kishin sunduar? Ndërsa ne, pas pesë shekujsh sundimi osman, shpesh i kemi trashëguar emrat orientale pa e vënë kurrë në pikëpyetje këtë trashëgimi.
Pishtari i tyre ndriçon rrënjët e kombit, por a e drejtojnë ndonjëherë edhe nga emri i vet?
Të respektosh prindërit nuk do të thotë të trashëgosh edhe padijen. Të nderosh gjyshërit nuk do të thotë të ruash çdo ndikim historik si të ishte i shenjtë. Tradita nderohet duke e njohur, jo duke e kthyer në prangë. Asnjë emër nuk ia mohon njeriut shqiptarinë, por secili prej nesh ka të drejtë të pyesë veten çfarë trashëgon dhe çfarë dëshiron t’u përcjellë brezave.

Unë këtë pyetje ia kam bërë vetes vonë, por sinqerisht. Si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, pas afro katër dekadash në arsim, e ndieja si kundërthënie që t’u flisja nxënësve për gjuhën, historinë e emrat shqiptarë, ndërsa vetë mbaja një emër arab. Edhe nëpër kufij, emri im nganjëherë krijonte përshtypje të gabuar për prejardhjen time.
Para se ta ndryshoja, në ndërgjegjen time u kërkova falje prindërve të ndjerë. Bashkëshortes ia kërkova mirëkuptimin, por ajo nuk e pranoi zgjedhjen time. Për respekt ndaj kujtimit të saj, emrin Ahmet ia lashë asaj; unë u ktheva në Atdhe me emër, mbiemër dhe zemër të re.

Sot jam Shqiptar Shaljani. Jetoj vetëm, por në paqe me ndërgjegjen dhe identitetin tim. Nuk u bëra më shqiptar duke ndërruar emrin; thjesht mora përgjegjësinë ta përputh emrin tim me bindjen që kam për veten. Më mirë vonë se kurrë!
Nuk po u kërkoj të tjerëve ta ndryshojnë emrin. Po u kërkoj të mos kenë frikë të mendojnë për të. Asnjë mulla, asnjë padishah, as turk, arab apo serb nuk ka të drejtë të na japë leje për të qenë shqiptarë. Shqiptaria nuk është pronë e asnjë feje apo ideologjie.
Edhe emri Dardani meriton të rikthehet më fuqishëm në vetëdijen dhe përdorimin tonë kulturor e kombëtar, si pjesë e kujtesës sonë historike.
Çfarë do t’u lëmë fëmijëve tanë: emra të trashëguar pa reflektim apo vetëdije për gjuhën, historinë dhe rrënjët tona?
Emrin mund ta trashëgojmë pa e zgjedhur, por vetëdijen për identitetin duhet ta zgjedhim vetë. Unë jam Shqiptar Shaljani: evropian, mbi të gjitha shqiptar, dhe në paqe me emrin, ndërgjegjen e mëmëdheun tim.


