ARKIVI:
20 Qershor 2026

Gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por përgjegjësi ndaj së vërtetës

Shkrime relevante

Një udhëtim nëpër kujtesën shqiptare, mendime për librin e Daut Dautit “Nëpër gjethe kujtimesh”

Ismet Azizi, Gjilan NJË UDHËTIM NËPËR KUJTESËN SHQIPTARE Daut Dauti sjell librin e...

Gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por përgjegjësi ndaj së vërtetës

Prof. Musa Sabedini, gazetar hulumtues, Gjilan - Në gjithë rrugëtimin tim profesional...

Shqipëria, ky thesar në Gadishullin Ballkanik

Nertila Meta, Tiranë  Sot, vendi ynë gjendet në një ndër momentet më...

Histori e fshehur apo si erdhi asimilimi nga shqiptar në “turk” në Ohër dhe Rrethinë

Si erdhi asimilimi nga shqiptar në “turk” në Ohër dhe Rrethinë Ohri...

Me 36 % të votës elektorale mungon legjitimiteti qeverisës!

Florim Zeqa Kam qenë kundër marrëveshjes së 19 prillit 2013, jam edhe...

Shpërndaj

Prof. Musa Sabedini, gazetar hulumtues, Gjilan

– Në gjithë rrugëtimin tim profesional kam besuar se gazetaria nuk matet me afërsinë ndaj pushtetit, por me guximin për t’i kërkuar llogari atij. Për këtë arsye kam qenë kritik ndaj çdo qeverisjeje, pa dallim emri, partie apo individi. Kam trajtuar tema të ndjeshme e të rrezikshme, kam hulumtuar raste që kanë çuar deri te arrestimi i individëve të fuqishëm të krimit dhe botës së nëndheshme, kam ngritur alarmin për keqpërdorime të parasë publike dhe kam denoncuar veprime që cenonin interesin e qytetarëve.

Këtë nuk e kam bërë për lavdi personale, por sepse ky është misioni themelor i gazetarisë: të jetë në anën e së vërtetës, të mbrojë interesin publik dhe t’u japë zë atyre që nuk kanë mundësi të dëgjohen. Gazetaria duhet të mbetet gjithmonë në anën e qytetarit, të së vërtetës dhe të llogaridhënies, e jo në shërbim të liderëve politikë apo interesave të momentit. Vetëm kështu ajo e ruan misionin e saj fisnik dhe rolin e pazëvendësueshëm në një shoqëri demokratike.

Demokracia nuk forcohet nga heshtja e mediave, por nga pyetjet e tyre. Ajo nuk zhvillohet përmes duartrokitjeve për pushtetin, por përmes kontrollit dhe mbikëqyrjes së tij. Një gazetari që nuk e sfidon pushtetin, që nuk e vë atë përballë përgjegjësisë dhe që nuk kërkon transparencë, pushon së qeni gazetari në kuptimin e saj më fisnik. Kritika profesionale nuk është armiqësi ndaj institucioneve, ajo është një mekanizëm i domosdoshëm për të korrigjuar gabimet, për të parandaluar abuzimet dhe për të mbrojtur interesin publik.

Ajo që më shqetëson më së shumti nuk janë sulmet që vijnë nga pushteti. Historia e gazetarisë ka treguar se pushteti shpesh e sheh median kritike si pengesë. Më e dhimbshme është kur vetë gazetarët harrojnë misionin e tyre dhe zgjedhin të bëhen mbrojtës të qeverive, zëdhënës të liderëve apo sulmues të kolegëve që ushtrojnë profesionin me integritet. Kur gazetari e vendos besnikërinë ndaj politikanit mbi besnikërinë ndaj së vërtetës, ai humbet identitetin profesional dhe e zbeh rolin e medias në shoqëri.

Në këtë kontekst, më të ekspozuarit ndaj presioneve, sulmeve dhe përpjekjeve për diskreditim mbeten gazetarët hulumtues, ata profesionistë që çdo ditë merren me zbardhjen e aferave, keqpërdorimeve dhe shkeljeve të mundshme në institucionet publike, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal. Pikërisht për këtë arsye, ekzistenca e një gazetarie hulumtuese të pavarur dhe të guximshme është një vlerë e çmuar për çdo shoqëri demokratike.

Është inkurajuese që edhe sot ka gazetarë që vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin me integritet, duke i shërbyer interesit publik dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Megjithatë, shqetësues mbetet fenomeni kur sulmet ndaj tyre nuk vijnë vetëm nga qendrat e pushtetit, por edhe nga individë brenda vetë komunitetit mediatik, të cilët, për shkak të afërsisë me politikën apo interesat e caktuara, zgjedhin të sulmojnë kolegët e tyre në vend se të mbrojnë parimet e profesionit.

Një qasje e tillë nuk e dëmton gazetarinë hulumtuese, sepse e vërteta dhe faktet mbeten gjithmonë më të forta se propaganda, por cenon rëndë kredibilitetin etik të profesionit dhe misionin që media duhet të ketë në një shoqëri demokratike. Gazetaria nuk fiton asgjë kur gazetarët shndërrohen në mbrojtës të pushtetit, përkundrazi, ajo forcohet kur mbetet e pavarur, kritike dhe në shërbim të qytetarëve.

Gazetaria hulumtuese nuk është profesion për ata që kërkojnë rehati, privilegje apo afërsi me qendrat e pushtetit. Është profesion për ata që janë të gatshëm të përballen me presion, kritika dhe pengesa në emër të interesit publik.

Një gazetar nuk duhet të matet me numrin e fotografive me politikanë apo me qasjen në zyrat e pushtetit, por me ndikimin që ka pasur në zbardhjen e së vërtetës dhe në mbrojtjen e qytetarëve. Gazetaria hulumtuese është gjithmonë aty e pranishme, e guximshme, e pa kompromis në çdo shtresë të shoqërisë, në çdo hapësirë ku e vërteta kërkon të dalë në dritë. Ajo na mëson kujdesin ndaj parasë publike, ndaj hajnisë së organizuar dhe krimit të maskuar me pushtet. Na paralajmëron për rreziqet që shpesh ia shkaktojmë vetes përmes heshtjes apo mosveprimit. Ky është një mision që nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd, pavarësisht pozitës, autoritetit apo pasurisë që dikush mund të ketë. Gazetaria hulumtuese nuk njeh frikë nga pushteti, sepse burimin e saj e ka te liria, përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare.

Si një nga gazetarët e rrallë, që e ka përjetuar në lëkurë të bërit gazetari hulumtuese, duke trajtuar tema hulumtuese nga më të ndryshmet, kam arritur të kuptojë se profesionalizmi, guximi, vendosmëria, beteja mbi të vërtetën, lufta për ta ndaluar dhe ekspozuar të keqën, këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe që një gazetar profesionist dhe hulumtues, të arrijë të mbijetojë mbi faktet e ofruara, edhe atëherë kur të tjerët ju pengojnë, me të gjitha format e mjetet. Gazetaria hulumtuese është një rrugë e vështirë, por e denjë, një ecje mbi tehun e së vërtetës, ku vetëm të guximshmit mbeten në këmbë. Gazetari hulumtues nuk duhet të ikë nga asnjë përgjegjësi publike. Ai duhet të jetë i gatshëm të ekspozojë çdo formë të padrejtësisë dhe abuzimit, duke u bërë zëri i ndërgjegjes qytetare dhe mbrojtësi i interesit të përbashkët. Një pushtet, qoftë lokal apo qendror, mund të mbetet transparent dhe llogaridhënës vetëm nëse aty ekzistojnë gazetarë profesionistë, që nuk heshtin përballë akuzave për korrupsion, nepotizëm, keqpërdorim apo menaxhim të dobët financiar.

Prandaj, apeli im për ata “kolegë” që zgjedhin ta nënshtrojnë profesionin ndaj interesave të klaneve politike apo liderëve partiakë është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, mos e humbni misionin e gazetarit për shkak të afërsisë me pushtetin. Mos e zëvendësoni etikën profesionale me konformizmin, integritetin me oportunizmin dhe gazetarinë me servilizmin. Gazetaria nuk është krijuar për të mbrojtur qeveritë, por për t’i mbikëqyrur ato, për t’u kërkuar llogari dhe për të mbrojtur interesin publik. Do të ishte e dhimbshme të pranohej se një pjesë e gazetarëve kanë hequr dorë nga pavarësia profesionale për t’u shndërruar në mbrojtës të pushtetit.

Në raste të tilla, gazetari nuk vepron më si kontrollues i institucioneve, por si zgjatim i tyre. Kur media humb autonominë kritike dhe bëhet pjesë e narrativës politike, ajo humb funksionin e saj demokratik dhe rrëshqet drejt një forme komunikimi të kontrolluar, ku lojaliteti ndaj pushtetit vendoset mbi të vërtetën. Historia e gazetarisë na mëson se vlera e një gazetari nuk matet me afërsinë që ka me qendrat e vendimmarrjes, por me gatishmërinë për t’i sfiduar ato kur cenohet interesi publik.

Një gazetar pa identitet profesional, pa guxim kritik dhe pa dinjitet intelektual, rrezikon të shndërrohet në një instrument propagande, duke e zbehur jo vetëm reputacionin e vet, por edhe besueshmërinë e profesionit në tërësi. Për këtë arsye, gazetaria duhet të mbetet gjithmonë në anën e qytetarit, të së vërtetës dhe të llogaridhënies, e jo në shërbim të liderëve politikë apo interesave të momentit. Vetëm kështu ajo e ruan misionin e saj fisnik dhe rolin e pazëvendësueshëm në një shoqëri demokratike. Vetëm kur media e kryen këtë rol me integritet, guxim dhe pavarësi, ajo e meriton besimin e publikut dhe respektin e historisë.

Në fund, gazetari i vërtetë nuk kujtohet për ata që i ka mbrojtur në pushtet, por për të vërtetat që ka pasur kurajën t’i thotë kur të tjerët heshtnin. Në thelb, gazetari hulumtues e mbron publikun duke kërkuar llogaridhënie, duke nxjerrë në pah të vërtetën dhe duke ndihmuar që çdo qytetar të ndihet i barabartë, i respektuar dhe i sigurt në jetën e tij të përditshme.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu