
Agim Vuniqi, Vashington
____
Ky debat nuk është kundër gazit si burim energjie. Është një thirrje që vendimet strategjike të mbështeten në analiza profesionale, në planifikim afatgjatë dhe në interesin ekonomik të Kosovës, e jo vetëm në entuziazmin e momentit politik.
Në debatin publik në Kosovë, gazi natyror dhe LNG-ja paraqiten shpesh si sinonim i modernizimit, i integrimit euroatlantik dhe i sigurisë energjetike. Por, përtej retorikës politike, mbetet një pyetje thelbësore që kërkon përgjigje profesionale: cila është logjika ekonomike e gazit pa industri dhe pa konsumatorë?
Asnjë shtet serioz nuk ndërton infrastrukturë të kushtueshme energjetike pa e ditur paraprakisht se kush do ta konsumojë atë dhe mbi çfarë baze ekonomike do të mbështetet investimi.
Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, Kosova kishte një vizion krejt tjetër zhvillimor. Në kuadër të OPPB Elektroekonomija e Kosovës dhe Organizatës Punuese “Energjetika dhe Kimia”, ishin konceptuar projekte si Ngrohtorja industriale, Gasifikimi, Tertorja dhe AzotIku (Azotarja). Synimi nuk ishte thjesht prodhimi i energjisë elektrike, por krijimi i një zinxhiri të integruar industrial:
Linjiti – Gazifikimi – Gazi sintetik – Amoniaku – Plehrat artificiale – Produktet kimike
Pra, ekzistonte një logjikë ekonomike dhe industriale. Kishte industri, kishte konsumatorë dhe kishte një strategji të menduar për ta shndërruar Kosovën në një qendër energjetiko-kimike të Ballkanit.
Sot situata është krejt tjetër.
Një pjesë e madhe e bazës industriale është shuar, privatizuar ose reduktuar. Fabrikat që dikur do të ishin konsumatorët më të mëdhenj të gazit nuk ekzistojnë më. Nuk ka rrjet kombëtar të gazit. Nuk ka termocentrale me gaz. Nuk ka industri petrokimike. Nuk ka konsumatorë të mëdhenj industrialë që do të justifikonin investime shumë miliardëshe.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh realiteti urbanistik dhe juridik i vendit.
Për dekada me radhë janë ndërtuar mijëra objekte pa planifikim të mirëfilltë. Shumë ndërtesa vazhdojnë të funksionojnë pa pranim teknik. Në shumë raste, çështjet pronësore mbeten të pazgjidhura dhe siguria juridike vazhdon të jetë problem serioz. Në një ambient të tillë lind pyetja se si mund të ndërtohet me sukses një sistem i ri kombëtar i gazit, i cili kërkon planifikim afatgjatë, siguri juridike dhe investime shumëvjeçare.
Përkrahësit e gazit mund të përmendin shembullin e Polonisë, Kroacisë apo Lituanisë. Por këto vende nuk ndërtuan vetëm terminale dhe gazsjellës. Ato kishin industri të zhvilluara, treg të madh konsumatorësh dhe rrjete ekzistuese shpërndarëse. Gazi për to ishte një mjet për të diversifikuar burimet dhe për të reduktuar varësinë nga Rusia.
Kosova, në anën tjetër, nuk ka pasur asnjëherë varësi nga gazi rus. Nuk ka importuar gaz rus. Nuk ka pasur rrjet gazi të lidhur me Rusinë. Prandaj, argumenti i “çlirimit nga gazi rus” nuk mund të jetë arsye ekonomike për një transformim të shpejtë dhe të kushtueshëm.
Në Gjermani, Poloni dhe Çeki, kalimi drejt gazit është bërë gradualisht, mbi bazën e studimeve të fizibilitetit dhe strategjive afatgjata. Në asnjë prej këtyre vendeve nuk është filluar me ndërtimin e infrastrukturës pa e ditur paraprakisht se kush do ta përdorë atë.
Në Kosovë, pyetjet themelore mbeten ende pa përgjigje:
Kush do ta konsumojë gazin?
Cilat industri do ta përdorin atë?
Sa do të jetë kërkesa reale?
Sa do të kushtojë ndërtimi i rrjetit?
Cili do të jetë ndikimi në çmimin e energjisë?
A janë kryer studime serioze të fizibilitetit?
A është investimi ekonomikisht më i favorshëm sesa modernizimi i kapaciteteve ekzistuese dhe zhvillimi i burimeve të tjera?
Energjia nuk është modë politike. Ajo nuk ndërtohet mbi slogane dhe as mbi vendime të nxituara.
Një strategji serioze kombëtare kërkon institucione funksionale, siguri juridike, planifikim urban, industri konkurruese dhe analiza të thelluara ekonomike.
Përndryshe, ekziston rreziku që vendi të përballet me një paradoks të ri: të ndërtojë një infrastrukturë moderne për një ekonomi që ende nuk është përgatitur ta përdorë atë.
Sepse pyetja themelore mbetet e njëjtë:
Cila është logjika ekonomike e gazit pa industri dhe pa konsumatorë?


