
Ismet M. Hasani, Suedi
____
Shqipëria duhet ta rifitojë politikën e vet të jashtme dhe të mbrojë interesat e veta. Hapi i parë është që politika e jashtme t’i kthehet vendit nga uzurpuesi i saj
Edi Rama mund të ketë besuar se politika e jashtme e Shqipërisë nuk duhet të jetë e zbatuar për t’ua bërë qejfin të tjerëve – për shembull BE-së – por për t’i përmbushur interesat e vendit. Dhe, në thelb ka të drejtë, ngase politika e jashtme duhet jo vetëm të zhvillohet për të mirën e vendit por edhe duhet të derivojë nga e brendshmja. Por, mu këtu qëndron problemi i veprimeve të politikës së jashtme të Shqipërisë nga kryeministri Rama, i cili e ka personalizuar politikën e brendshme dhe të njëjtën mënyrë qeverisjeje e ka bartur në politikën e jashtme.
Kryeministri Rama, me të drejtë krenohet se Shqipëria është vendi i vetëm evropian në të cilin kanë jetuar më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore se ç’kishte në fillim të saj. Shqipëria dhe shqiptarët pra kanë një marrëdhënie të veçantë me hebrenjtë si popull i përndjekur dhe me Izraelin, si shtet i krijuar për të strehuar të mbijetuarit e Holokaustit. Megjithatë, ky mund të jetë interes i kryeministrit Rama dhe njëra prej arsyeve të mundshme mund të jetë besimi se përkrahja e pakushtëzuar Izraelit mund ta afronte kryeministrin Rama politikës së përkrahjes të pakushtëzuar amerikane për Izraelin dhe kështu vetë presidentit Trump. Në fakt, 72% (për qind) e votuesve hebrenj amerikanë përkrahën kandidatët e Partisë Demokratike.
Në listën e përkrahësve të parezervë të Izraelit të Netanyahus mbetën Viktor Orban, ish-kryeministër i Hungarisë, A.Vuçiq, ish-prijës i Serbisë dhe Edi Rama.
Shqipërinë dhe kryeministrin e saj në situata jo shumë komode. Kryeministri Rama gaboi kur para zgjedhjeve presidenciale më 2016 ndërhyri në punët e brendshme të SHBA-së, duke përshkruar për CNN se “Amerika është qyteti i shndritshëm mbi kodër, dhe synimet që po dëgjojmë nga Donald Trump janë me të vërtetë frikësuese dhe po cenojnë realisht atë çka Amerika është në sytë tanë”.
Në pyetjën: ”Çka do të ndodhë nëse zgjidhet kandidati republikan D.Trump?”
Edi Rama u përgjigj “Zoti na ruajt, mendoj se do të dëmtonte shumë Amerikën dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, sepse ai në fund do të duhet të bëjë të paktën disa nga gjërat që thotë se do të bëjë dhe atëherë, natyrisht, kjo do të jetë shumë, shumë e dëmshme”.
Ameriknët e zgjodhen presidentin Trump dy herë dhe Shqipëria nuk kishte kurrfarë interesi (e as të drejte) të sugjerojë se kush mund të jetë kandidat më i mirë.
Kryeministri Rama mund të ketë ndier nevojën që të dëshmojë se e përkrah presidentin Trump, dhe në këtë nevojë është shfrytëzuar afiniteti i plotë pro-amerikan i shqiptarëve gjithandej, interesat e ndryshme familjare e të biznesit dhe një lloj ligjërimi i ri i kryeministrit që tash shpjegonte benefitet e presidencës Trump për botën.
Rama deklaroi se “një padrejtësi të madhe që po ndodh në Europë. ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen peng nga një drejtësi e çuditshme ndërkombëtare në Hagë”. Dhe shpjegoi se z. Thaçi mbahej në burg, sepse ishte nisur të nënshkruajë një marrëveshje me Vuçiqin në zyrën e z. Trump, pa përmendur se ajo marrëveshje përfshinte ndarjen territoriale të Kosovës (që nuk ishte kërkesë e as sugjerim amerikan) ai përfundoi fjalimin me: “Kjo nuk është drejtësi, është turp. U bëj thirrje shteteve demokratike dhe juve zoti President që të ndërmerrni hapa konkretë dhe të ndërhyni para se gjëra më të këqija të ndodhin dhe para se të jetë tepër vonë”.
Kjo ishte thirrje e Shqipërisë që z. Trump dhe “shtetet demokratike” të ndërhyjnë në një gjykim dhe të lirojnë të akuzuarin, diçka që është aq larg normave bazike sa të mos jetë dëgjuar ndonjëherë në publik nga ndonjë shef shteti.
Kryeministri Rama besonte në parimësinë e kërkesës së bërë, ka mundur ta dëshmonte këtë duke i liruar paraprakisht nga paraburgimi dhe ndjekja penale ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën dhe kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj; që të dytë kanë rreth dy vjet stazh paraburgimi.
Kryeministri Rama në raport me Vuçiqin dhe Kosovën, ka përsëritur të njëjtin gabim. Ai ka mbajtur anën e presidentit Vuçiq me “Ballkanin e Hapur”, ndarjen territoriale të Kosovës, vendosjen e autonomisë territoriale serbe në Republikën e Kosovës dhe përgjatë eskalimit të dhunës në pjesën veriore të vendit, vendosjen e këtij territori nën protektorat të veçantë të NATO-s.
Parashtrohet pyetja; Çfarë mund të ishte interesi i Shqipërisë për destabilizimin e një shteti fqinj (kupto:Kosovës), aq më pak të një shteti të përbërë në shumicë nga e njëjta etni?!
Në mungesë të një interesi të identifikuar të shtetit, mbetet interesi personal i Edi Ramës, dhe kjo çështje përderisa të mos shpjegohet nga ai vetë apo nga gërmimet e dokumenteve ndonjë ditë, mbetet e panjohur. E vetmja gjë që është e dukshme nga faktet është gatishmëria e Ramës për të përkrahur interesat e Vuçiqit, personale apo të shtetit të tij, pa ndonjë benefit evident për Shqipërinë.
Këtë ai e manifestoi jo vetëm në rastin e Kosovës, por edhe me shkrimin e një editoriali të përbashkët me presidentin e atëhershëm, Vuçiq, për një modalitet të ri të integrimit në BE-së që nuk do t’u jepte shteteve të reja të drejta të njëjta si shtetet tashmë anëtare.
Kryeminstri Rama dhe Shqipëria mund të nxjerrin dy mësime nga një politikë e jashtme konsistente në jokonsistencë.
Shqipëria ka interes të zhvillojë marrëdhënie të ngushta me SHBA-në që ka këtë apo atë president, këtë apo atë përbërje udhëheqëse në Kongres. Marrëdhëniet me Serbinë nuk mund të jenë të ndërtuara mbi relacionin personal me një autokrat, e as ato me Izraelin me një përgjegjës për krime kundër njerëzimit. Kosova nuk është monedhë kusuri e kryeministrit të Shqipërisë, është shteti fqinj, me të cilin Shqipëria ka lidhjet më të ngushta njerëzore.
Shqipëria ka arsye ta ndërtojë politikën e jashtme mbi të njëjtat parime demokratike që duhet të vlejnë brenda vendit. Për Edi Ramën kjo do të thotë t’ia njohë kundërshtimit publik dhe institucioneve në Shqipëri fuqinë për t’ia korrigjuar vendimet qeverisë së tij.


