
Agron Tufa, Tiranë
___
LETËR FALENDERIMI NGA MIKU IM, SHKRIMTARI AGRON TUFA
___
Me postë nga Prishtina më mbërriti sot romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” – një kryevepër e rinësë së klasikut të gjallë të letërsisë sonë, Jusuf Buxhovi.
E kam lexuar për herë të parë nga mosha 16 vjeç dhe më pati lënë mbresë të pashlyeshme. E kam lexuar sërish gjatë viteve të studimeve në fakultet dhe prapë më la shijen e një vepre të shënuar. Më është kujtuar atmosfera e romanit gjatë ngujimit të pandemisë, kur tashmë Gjakova me rrethina qe zgjeruar në përmasa të përbotshme.
Romani ruan të freskët metaforën e rrethimit të shumëfishtë, të dukshme (murtaja si vdekje dhe pushtimi) dhe të padukshme (komploti, intriga, psikoza e çmendurisë kolektive). Në këtë kuptim formal romani ka të ngjashmit e vet në letërsinë botërore, por është i veçantë në sekretin e mbijetesës brenda rrethit të ngallmuar ekzistencial me shpikjen së brendshmi të antitrupit dhe shpërthimin e këtij rrethi fatal (metafora e grrithjes së lëkurës për t’iu kundërvënë virusit të murtajës) – diç si profane e popullore, por tejet artistike si gjetje.
Romani krijon një botë të strukturuar në logjikën historike të shek. XVII dhe ndryn një atmosferë origjinale të pushteteve politike, fetare dhe sociale të Gjakovës me rrethina. Gjon Nikollë Kazazi, bash ai prifti katolik dijetar, që zbuloi ekzistencën e “Mesharit” të Gjon Buzukut, na jepet si narrator i shënimeve në një hipostazë tjetër – atë të bariut në veprim midis grigjës së tij jo vetëm të besimit të krishterë, por të mbarë popullit të vet, të ekspozuar ndaj shfarosjes.
Romani është i mbushur me meditimet e tij, sipas situatave të ankthshme që po kalon ajo pjesë e etnisë nën pushtim dhe murtajë.
Ja dy citime, sa për Ilustrim:
***
“Tash nuk po luftojmë vetëm me sëmundjen, por edhe me vetveten, luftë kjo që ka me qenë me pasoja edhe te fëmijët e fëmijëve tanë, ngaqë çmendja, shkatërrimi i durimit dhe gjithfarë hallakatjesh mund të shfaqen edhe pas një apo shumë brezash. Pushtuesi i di këto gjëra fort mirë, andaj është fare e pritshme që shërbimet e tij janë me hollësi të shumta, që krahas shkombëtarizimit, asimilimit dhe shuarjes së popujve të padëgjueshëm, të prekin edhe qendrat nervore ku rrënohet intelekti i tyre dhe shkaktohen çrregullime mendore e shpirtërore që barten brez pas brezi”.
***
“…Filloi koha e grithjeve… Filloi koha e luftës me të padukshmen… Filloi koha kur të keqes duhet t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë… Më ndihmë o Zot të kem fuqi që të mbetem në shërbim të popullit tim…”.


