Kërkesa për zbardhjen e vrasjeve, te vota për deklaratën, a ndryshoi LDK qëndrim për Specialen?

Shkrime relevante

Maqedonia e Veriut thotë se e ka shkatërruar një grup të lidhur me IS-in, arrestohet Kastriot Iseni me disa të tjerë

Armë të sekuestruara në Shkup Shkup, 29 shtator 2026 Autoritetet e Maqedonisë së...

Paramendojeni këtë skenar…

Ilir Seci, New York ____ Sikur drejtuesi ma i fuqishëm ekzekutiv në Shtetet...

Kërkesa për zbardhjen e vrasjeve, te vota për deklaratën, a ndryshoi LDK qëndrim për Specialen?

Nga Naile Ejupi Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën...

KOS dhe UDB-ba – nga nëntoka !

Nafi Çegrani, Çegran Vdekja, ndonjëherë, nuk vinte me zhurmë. Nuk kishte hapa...

Shpërndaj

Naile EjupiNga Naile Ejupi

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën e së hënës, ku u miratua Deklarata lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

99 deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar deklaratën e cila shpreh shqetësimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Deklarata, mes tjerash, e konsideron të papranueshëm konstatimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal nga të katër të dënuarit nga shkalla e parë. Teksti gjithashtu kërkon që Gjykata Speciale të mos dalë nga mandati i saj dhe konstaton se ka ekzistuar Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, e zbatuar përmes aparatit shtetëror, ushtarak dhe policor jugosllav e serb.

Deklaratën shtatëpikëshe, ku është përfshirë edhe një kërkesë për institucionet shtetërore, e lexoi para deputetëve kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në deklaratën e lexuar nga Haxhiu.

Deklarata mori mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare, përfshirë këtu edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila në të kaluarën vazhdimisht bënte thirrje për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, shumica e të cilave ishin anëtarë të kësaj partie.

Një qëndrim zyrtar rreth aktgjykimit të Gjykatës Speciale nuk e ka pasur kjo parti, por pas votimit të deklaratës së së hënës, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se e vlerëson përfshirjen e të gjitha komenteve të partive politike në deklaratë.

“Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe me liri. Të funksionojë në institucionet e saj të pavarura. Është e rëndësishme që të jemi në ballë të detyrës”, ka thënë ajo.

Maraj: 99 vota për deklaratën, ndërsa 82 për themelimin e Speciales

E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli analisti politik Milazim Maraj, i cili konsideroi se deklarata e miratuar nga Kuvendi ka efekt politik negativ për Kosovën.

Milazim Maraj

Maraj, duke komentuar deklaratën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrimet e deputetëve dhe mospërputhjen mes votimeve të sotme dhe atyre të bëra në të kaluarën.

Po ashtu, ai rikujtoi se deklarata e fundit u miratua me 99 vota, ndërsa për themelimin e Dhomave të Specializuara kishin votuar 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Deklarata e Parlamentit të Kosovës e votuar nga 99 deputetë. Për themelimin e kësaj gjykate votuan 82 deputetë po të këtij parlamenti. Atëherë thuhej kush nuk e voton këtë gjykatë është kundër Kosovës. Ndërsa tani thuhet ata që nuk dalin në protestë kundër vendimit të kësaj gjykate janë tradhtarë, UDB etj. Tani thuhet se kjo gjykatë u themelua me kërkesën e Serbisë. Por pse u votua kërkesa e Serbisë nga Parlamenti i Kosovës? Madje u votua me këmbëngulje të fuqishme të këtyre që edhe më fuqishëm kërkojnë ta anulojmë këtë vendim”, shprehet Maraj për “Bota sot”.

Ai thotë se kjo situatë ngre pikëpyetje mbi ndryshimin e qëndrimeve politike ndër vite dhe mbi arsyet e këtij ndryshimi.

“Çka të besohet, a na doli gjumi tash? Apo ndoshta është edhe kjo një kërkesë tjetër e Serbisë që Kosova të bjerë ndesh me vendimet e veta dhe të gjykatës? Kjo deklaratë nuk ka fuqi juridike, por ka efekt politik negativ për Kosovën. Kjo tregon vendosmërinë dhe fuqinë shtetërore të Kosovës për të sjellë dhe mbrojtur vendime të mençura dhe të drejta për Kosovën. Kjo tregon sa është fuqia juridike e shtetit të së drejtës”, thotë ai.

Maraj e lidh këtë zhvillim edhe me situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se vendi ndodhet përballë mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Tani në kohën kur ende është e paqartë nëse do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme që kanë filluar të bëhen të zakonshme në Kosovë, deputetët zgjodhën heshtjen për t’i shpëtuar propagandës së rrugës në këto parazgjedhje. Votuan kundër asaj që e kanë pohuar dhe mbrojtur me vite. Deputetët tani deklarohen dhe garojnë cili do të jetë i pari për të nënshkruar heqjen e kësaj gjykate. Ç’është kjo?”, shprehet Maraj.

Ai ngre pikëpyetje edhe mbi përgjegjësinë e deputetëve për vendimet që janë marrë më herët në Kuvend.

Sipas Marajt, votimi i deklaratës me 99 vota paraqet një tjetër shembull të bashkimit të deputetëve rreth një çështjeje politike, ndërkohë që, sipas tij, mungon i njëjti unitet për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.

“Deklarata tregon që themelimin e institucioneve të Kosovës, zgjedhjen e Presidentit nuk ishin bashkë as deputetët e një partie, kurse tani bashkohen të gjithë së bashku për aprovimin e një deklarate pa fuqi juridike dhe me dëme në politikën e jashtme. Të gjithë këta deputetë e dinë se deklarata e tyre e aprovuar nuk ka efekt juridik. Cili qenka qëllimi apo frika e tyre që tani shpurdhin në rrugë dhe në Kuvend për të mos pranuar atë që vetë e zgjodhën?”, deklaron Maraj.

Ai pyet gjithashtu se në funksion të kujt po veprojnë deputetët dhe nëse qëndrimet e tyre të fundit lidhen më shumë me interesat institucionale apo me zhvillimet politike të momentit.

“Tani shumë më i çuditshëm është bashkimi i 99 deputetëve për këtë deklaratë mjaft të parëndësishme, ndërsa nuk bashkohen për themelimin e institucioneve të Kosovës. Në shërbim të kujt janë këta deputetë? Janë në shërbim të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të vet votues, apo rob në shërbim të politikës së rrugës?”, shprehet ai.

Maraj në prononcimin e tij për “Bota sot” ndalet edhe te mundësia e kundërshtimit të vendimit përmes mekanizmave juridikë, duke argumentuar se fokusi duhet të jetë te procedurat dhe argumentet që mund të paraqiten në shkallët e ardhshme të gjykimit.

“Aleatët tanë e kanë pranuar vendimin e Gjykatës së Kosovës në Hagë. A duhet tani të vihemi edhe kundër tyre dhe t’u themi, atëherë kemi gabuar e tani na është kujtuar. Pse nuk angazhohen për hartimin e ankesave të plotësuara me argumente që ndoshta nuk janë përfshirë gjatë gjykimit, që gjykata e Apelit juridikisht të vejë në shërbim të korrigjimit të vendimit, por luajmë me këtë spektakël shumë të parëndësishëm për qëllimin në të cilin thirren?”, thotë Maraj.

Ai e sheh si problematike edhe kërkesën që Dhomat e Specializuara të veprojnë në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Kosovës.

“Ndër pika e propozuara thuhet që Dhomat e Specializuara të respektojnë mandatin e tyre në përputhje të vullnetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ku ka gjykatë që vepron në bazë të vullnetit? Gjykata vepron në bazë të argumenteve dhe jo që këta nuk e dinë, por kjo bëhet sa për të arsyetuar veten se ja, ne bëmë të pamundurën, por të fortit nuk po na pyesin”, deklaron ai.

Në fund, Maraj thotë se një qasje e tillë, sipas tij, nuk i sjell rezultat pozitiv as procesit gjyqësor dhe as Kosovës.

“Ky rol herë në anën e viktimës e herë në anën e krimit, duke justifikuar veten para protestuesve, nuk sjell ndonjë efekt pozitiv as për ata që janë në Hagë as për vendin. Pas kësaj deklarate ky Kuvend nuk e arsyetoi fare veten, por arsyetoi zgjedhjet e jashtëzakonshme”, përfundon Milazim Maraj në prononcimin për “Bota sot”.

Gashi: Vota e LDK-së nuk nënkupton harrimin e viktimave

Ndërsa, analisti politik Eduard Gashi konsideron se votimi është sinjal i rëndësishëm dhe se vota e LDK-së për deklaratën nuk duhet të kuptohet si harrim i viktimave.

Image

Eduard Gashi

“Votimi është një sinjal i rëndësishëm politik, edhe për botën ndërkombëtare. Kuvendi po thotë se Kosova do ta mbrojë të vërtetën e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e shtetit të saj me argumente juridike, historike e diplomatike. Njëkohësisht, duhet të jemi të saktë: deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit, ndërsa aktgjykimi shqyrtohet dhe kundërshtohet përmes procedurave gjyqësore. Për LDK-në, kjo është një çështje veçanërisht e ndjeshme. Vrasjet e anëtarëve të saj pas luftës janë plagë që kërkon të vërtetën dhe drejtësi. Vota për deklaratën nuk duhet të kuptohet si harrim i atyre viktimave. Përkundrazi, ajo mund të përcjellë një mesazh më të pjekur: mund ta mbrojmë të vërtetën e luftës së Kosovës dhe, me të njëjtën vendosmëri, të kërkojmë zbardhjen e vrasjeve të pasluftës. Familjeve të viktimave u detyrohemi përgjigje, jo heshtje”, shprehet Gashi.

I pyetur nga “Bota sot” nëse ky votim shënon një qasje të re të LDK-së, Gashi thotë se LDK-ja mund të mbështesë të drejtat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së për një proces të drejtë në Hagë, pa hequr dorë nga kërkesa për drejtësi për anëtarët e saj të vrarë.

“Do të isha i kujdesshëm ta quaja ndryshim përfundimtar mbi bazën e një vote. Por e shoh si mundësi për një qasje më shtetërore. LDK-ja mund të mbështesë të drejtat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së për një proces të drejtë në Hagë, pa hequr dorë nga kërkesa për drejtësi për anëtarët e saj të vrarë. Pjekuria politike matet pikërisht me aftësinë për t’i mbajtur të dyja këto përgjegjësi”, pohon analisti.

Votimi tregon një qëndrim të përbashkët institucional, thotë Gashi, duke shtuar se ky unitet ka vlerë nëse kthehet në punë serioze institucionale.

“Po, tregon votimi një qëndrim të përbashkët institucional, pavarësisht dallimeve politike, për aq sa partitë u bashkuan rreth përmbajtjes së deklaratës. Ky unitet ka vlerë nëse kthehet në punë serioze institucionale. Kosovës i duhen dy rrugë paralele: mbrojtja e shtetit dhe e së vërtetës së tij historike para partnerëve ndërkombëtarë, si dhe zbardhja e çdo krimi, përfshirë vrasjet e pasluftës. Njëra nuk e përjashton tjetrën. Ibrahim Rugova shtronte pyetjen: “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?” Në këtë rast, përgjigjja është të ruajmë proceset, të kërkojmë drejtësi për secilën viktimë dhe të veprojmë me përgjegjësi ndaj shtetit që kemi ndërtuar. Shteti ligjor ecën përmes provave dhe institucioneve, jo përmes ideologjive të verbra apo bindjeve personale”, përfundon Gashi.

Nga kërkesa për zbardhjen e vrasjeve te vota për deklaratën, a ndryshoi LDK qëndrim për Specialen? – Bota Sot

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu