ARKIVI:
31 Maj 2026

Kujtimet e Ibrahim Kelmendit për organizimin e parë të emigracionit ekonomik nga Kulbi Shqiptar i Dyseldorfit

Shkrime relevante

Deri kur do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës

Lekë Mrijaj, Klinë Derisa të mos ndryshohet ligji në drejtim të zonave...

Sonderfall Albanien…

Ibrahim Kelmendi, Gjermani  SONDERFALL ALBANIEN... ____ Në vitin 1980 e kam lexuar librin...

The Daily Telegraph (1941) / Rrëfimi i dentistit serb, tashmë pronar hoteli në Australi, për Mbretin Zog

Burimi : The Sphere, e shtunë, 8 shtator 1928, faqe n°8 Nga Aurenc...

Prishtina nuk është Venedik, o Përparim Rama!

Florim Zeqa Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për...

Shpërndaj

Ibrahim Kelmendi, Gjermani
___
ORGANIZIMI I PARË AUTONOM DHE I LEGALIZUAR I EMIGRACIONIT EKONOMIK NË PERËNDIM ISHTE KLUBI SHQIPTAR NË DYSELDORF
___
Para ca ditësh bëmë një ndejë për të kujtuar formimin e Klubit të parë shqiptar, autonom dhe legal, nga emigrantët shqiptarë në Perëndim – i themeluar më 26 mars 1978, në Dyseldorf (Gjermani). Secili prej nesh tashmë ishte në moshë nga 71 deri në 91 vjeç (Baci Nezir).
[Në foto, nga e majta: Rifat Hamiti, Muresel Nuha, Haxhi Bega, Ibrahim Kelmendi, Nazmi Nuha, Nezir Nuha.]
Kinezët duhet ta kenë atë sloganin e zgjuar: “Budallai mban mend, i mençuri shkruan në letër”. Edhe kësaj radhe na ndodhi të flisnim për ndonjë pasaktësi që kam kujtuar unë, madje edhe në libra. Më erdhi keq sidomos për pasaktësinë që kritikoi Haxhi Bega lidhur me ndodhinë e qershorit 1980. Ai, në prani të Nazmi Nuhës, bëri korrigjimin:
“Në Mynhen, kur kemi shkuar t’i ndihmojmë shokët gjatë zgjedhjes së kryesisë së re të Klubit ‘Rilindja’, nuk ke qenë ti me Nazmi Nuhën dhe të tjerët që i ke përmendur në librin e fundit ‘Zjarr dhe acar’, por kemi qenë ti, kryetari i Klubit tonë Nebih Reka, Safet Azizi dhe unë.”
Nazmiu e miratoi këtë korrigjim të Haxhiut.
E kemi mbajtur mend atë ndodhi, secili në mënyrën e vet, sepse pas dështimit që patëm në Klubin “Rilindja” (i cili ishte nën tutelën e konsullatës jugosllave), u ftuam nga Bali Rexhbogaj – rugovas, i shpërngulur në Bllagajë të Pejës, i emigruar fillimisht në Dyseldorf e tashmë i shpërngulur në Mynhen, atje na ndodhi edhe një dramatizim aksidental e tragjik.
Duke parkuar makinën para pallatit ku banonte Baliu me familjen, rastisi që njëkohësisht të kishim përpara makinën e Bardhosh Gërvallës, i cili gjithashtu po parkonte. Nga makina zbritën Jusufi dhe Bardhoshi. Jusufi, sapo na pa, bërtiti:
“Deri në këtë nivel është rritur dyshimi ndaj meje, sa të më survejoni deri këtu?!” (parafrazim).
U deshën pak minuta që ta sqaronim keqkuptimin. Ne i treguam Jusufit pse ndodheshim aty në atë moment, ndërsa ai na informoi se kishte ardhur për të vizituar Misin Mavrajn nga Staraderani i Pejës, i cili, siç u bindem shpejt, banonte në të njëjtin pallat me Baliun.
Jusufi ishte ende i traumatizuar nga goditja që ia kishte bërë Riza Salihu (nga Mushitishta e Suharekës), i emigruar në Shtutgart. Rreth fundit të dhjetorit 1979, sapo Jusufi kishte arritur në Gjermani, Rizai kishte ndërmarrë një fushatë diskredituese:
“Jusuf Gërvallën e ka dërguar UDB-ja për ta përçarë emigracionin tonë revolucionar” (parafrazim).
Jo vetëm kaq, Rizai, në cilësinë e kryetarit të Grupit Komunist (GK), e kishte urdhëruar nënkryetarin e GK-së, Hysen Gegën, të bënte atentat ndaj Jusufit. Hyseni, një revolucionar shumë i përkushtuar e fisnik, edhe pse e kishte Rizain kryetar, ndërmori veprime për t’i verifikuar akuzat. Në kuadër të verifikimit ishte edhe ballafaqimi që u bë në prill 1980, në banesën ku banonte Hyseni në Esslingen. Të pranishëm në ballafaqim ishin: Jusufi, Bardhoshi, Riza Salihu, Hysen Gega, Maksut Saramati dhe unë. Mund të ketë qenë edhe një preshevar, bashkëbanues në dhomë me Hysenin (meqë ata jetonin në një lloj konvikti të firmës amerikane të televizorëve), si dhe Qemal Bajrami i Rekës së Epërme (Maqedoni).
Ai ballafaqim ishte aq dramatik, saqë i bëri të përloteshin edhe Jusufin, edhe Rizain. Rizai sepse po përgjërohej që të mos e vrisnim, ndërsa Jusufi po na binde që të mos e vrisnim Rizain. Kjo sepse njëri prej nesh, në fillim të ballafaqimit, kishte thënë në mënyrë spontane:
“Njëri nga ju, në fund të ballafaqimit, do të dënohet me vrasje!” Nuk ishte një mendim kolektiv i paravendosur nga ne, shokët e Jusufit.
Vetëkuptohet, Jusufi kishte arsye të ishte i traumatizuar, prandaj atë ndodhi rastësore në Mynhen e pati përjetuar sikur unë me shokë ishim aty me mision survejimi ndaj tij.
Në tubimin themelues të Klubit Shqiptar në Dyseldorf, në mars 1978, nuk ishte Rifat Hamiti, sepse ai ka emigruar në Gjermani disa vite më vonë si mësues i shqipes, i paguar nga Republika NRW. Nuk isha as unë, sepse nuk kisha informacion për atë ngjarje; vetëm në fund të qershorit 1978 u njoha me disa nga bashkëthemeluesit e Klubit, për t’u bërë më pas bashkëveprimtar i tyre. Në fund të vitit 1978, numri i anëtarëve duhet të ketë arritur në 482 veta, sepse kishte shpërthyer një frymë euforike patriotike, meqë bashkëthemeluesi, – katër prej të cilëve në këtë ndejë e foto, – ia dolën ta sfidonin konsullatën jugosllave në Dyseldorf. Nëpunësi i saj, Zenel Syka nga Gjakova, kishte ndërmarrë nismën për të formuar një klub nën tutelën e konsullatës, si masë preventive për t’i pas nën kontroll emigrantët shqiptarë nga Jugosllavia…
***
Për ata që duan më shumë informacion për ballafaqimin e prillit 1980, mund të dëgjojnë intervistën e Riza Salihut dhënë televizionit Klan Kosova në vitin 2012. Për ata që nuk e dinë, Riza Salihu është dyshuar si vrasës potencial i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë. Ja linku i intervistë:

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Kujtime , fjalë me përmbajtje mallëngjimi , mburrje , e hije dëshpërimi për at kohë të shkuar tashmë , për at rini që nuk mund të rikthehet e shijohet më kurrë . Jo pak cudi e nervozizëm më ngjallin kujtimet e artikull shkruesit kur len në harresë at KRIM të kryer me përsëritje e i udhëzuar nga qeveria kriminale e diktatorjale e Hitlerit shqiptar , E Hoxha . Nëpërmjet hallkave të Ambasadës shqiptare në Austri , Francë e kudo , të ishin ato cerdhe helmuese me punonjës të Sigurimit të jashtëm shqiptar që udhëzonin emigrantët kosovarë të prishnin cdo tubim , festë te organizuar nga emigrantë shqiptarë të Shqipërisë së burgosur nga komunistët , nga ata patriotë të vërtetë shqiptarë që kërkonin një atdhe të LIRË e jo komuniste .Këtyrëve nacionalistëve shqiptarë artikull shkruesi ka pohuar se me grupe shkonin e provokonin incidente e ju prishnin cdo organizim apo festë .Dhe sot ky nostalgon për atë kohë , për vitet 1978 e tutje por ende nuk ka arritur të kuptojë të keqen që i solli emigrantëve ,Nacionalistëve shqiptarë që luftonin qeverinë diktatorjale të komunistëve shqiptarë .Edhe sot që fituan ata Nacionalistë nuk kërkon falje por mjaftohet se ehu dikur ishim të marrosur pas ideologjisë Marksiste -Leniniste .Edhe me kaq mbyll gjithcka. Hipokrizia e tij më shtyu të rradhis këto fjalë që më tregon se heshtja paska një kufi prandaj dhe ja kujtoj të ” bëmat ” e tij .

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu