Saim Tahiraj, Deçan
Ka njerëz që jetojnë për vete, ka të tjerë që jetojnë për një ideal. Muhamet Imeraj i takon kësaj të dytës. Ai është njëri nga ata atdhetarë që një jetë të tërë ia kushtuan Kosovës, pa kërkuar asgjë në këmbim dhe pa e kthyer kurrë kontributin e tyre në pazar për pushtet apo pasuri.
Shumë herët, që në rininë e tij, Muhameti filloi veprimtarinë atdhetare për Republikën e Kosovës. Për t’i shpëtuar arrestimit nga pushteti jugosllav, arratiset në Zvicër, ku vazhdon veprimtarinë politike dhe kombëtare.
Por Muhameti nuk ishte vetëm veprimtar politik. Ai ishte edhe njeri i artit. Si valltar i valleve tradicionale dhe koreograf, ai pushtonte skenat e tubimeve dhe manifestimeve të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër dhe në vende të tjera të Evropës.
Vallëzimi i tij nuk ishte vetëm art; ishte mesazh, ishte histori, ishte dashuri për atdheun. Çdo lëvizje e tij përcillte një mesazh të fuqishëm patriotik. Shpesh, mërgimtarët e përcillnin me lot në sy, të prekur thellë nga emocionet. Ai ishte pjesëmarrës në demonstratat dhe protestat e shumta të organizuara në Zvicër dhe në shtetet e tjera të Evropës, ku kërkesa ishte e qartë dhe e fuqishme: KOSOVA REPUBLIKË!
Muhameti ishte edhe piktor. Me duart e tij pikturonte figurat tona kombëtare, personalitete me rëndësi të veçantë historike, dhe ua shpërndante falas mërgimtarëve. Nuk e bënte për përfitim. E bënte sepse besonte se historia dhe figurat tona kombëtare duhej të jetonin në çdo familje shqiptare. Ishte bashkëpunëtor i shumë veprimtarëve dhe figurave të shquara patriotike që vepruan në shtetet perëndimore. Në jetën e tij nuk kishte vend për indiferencë kur ishte në pyetje çështja kombëtare. Dhe pastaj erdhi lufta.
Kur Kosova u përfshi nga lufta, Muhameti ishte ndër të parët që iu bashkua vullnetarëve përmes institucioneve të Republikës së Kosovës. Së bashku me Grupin e Sali Çekut dhe Bekë Osmanajt, vendosi bazat e MMRK-së në shkollën e Viçidolit. Disa herë udhëtoi në Shqipëri, së bashku me luftëtarët e Isniqit, për të siguruar dhe bartur armë drejt Kosovës. Pata fatin e madh që, në fillim të qershorit, të jem bashkudhëtar me Muhamet Imerajn, Rrustem Bruqin, Beqir Mehmetin dhe 12 ushtarë të Isniqit, në një marshutë të jashtëzakonshme dhe tejet të rrezikshme.
Mbi 36 kuaj, të ngarkuar me armatim të ndryshëm për fshatrat Isniq, Beleg dhe Carrabreg, u nisëm drejt Kosovës. Ishte një udhëtim i gjatë, i vështirë dhe i mbushur me sakrifica e rreziqe. Muhameti i kishte këmbët e lënduara nga rrugëtimet e shumta, të vështira e të gjata. Por dhimbja fizike nuk mund ta ndalte.
Me një moral të lartë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme, ai e përfundoi me sukses këtë mision. Por Muhameti nuk ishte vetëm udhëheqës i rrugëtimit. Ai ishte edhe dëshmitar i historisë. Me aparatin e tij fotografik bëri fotografi që sot kanë mbetur ndër kujtimet më të çmuara të atij udhëtimi.
Ato fotografi nuk janë thjesht fotografi. Ato janë dëshmi të një kohe të vështirë, dëshmi të sakrificës dhe të luftës për liri. Janë pjesë e historisë që duhet ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi. Sa herë i shikoj ato fotografi, sytë më mbushen me lot. Ato sjellin pikëllim, mall dhe krenari për shokët e rrugëtimit, për heronjtë Rrustem Bruqin dhe Beqir Mehmetin, të cilët më vonë ranë heroikisht në fushën e nderit, me pushkë në dorë, duke luftuar ballë për ballë me kriminelët serbë. Kujtoj me mall e krenari edhe heronjtë dhe ushtarët e Isniqit, si dhe veprimtarin dhe ushtarin Hasan Zukaj nga Belegu.
Në sytë e tyre shihej një gjë e madhe: rrezja e lirisë. Muhamet Imeraj i qëndroi besnik luftës deri në fund. Ishte luftëtar edhe në Betejën e Koshares, ku qëndroi deri në përfundimin e luftës. Pas luftës u kthye në Zvicër. Vazhdoi jetën dhe veprimtarinë e tij, pa i marrë asgjë Kosovës. Sepse kështu ishte mësuar. Të jepte Kosovës, jo t’i merrte asaj. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij. Fatkeqësisht, shoqëria jonë shumë shpejt i harron njerëzit që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Shpesh harrohen ata që nuk kërkuan poste, privilegje dhe pasuri.
Harrohen ata që ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka, por nuk ishin të gatshëm ta shfrytëzonin Kosovën për interesin e tyre personal. Pse ndodh kjo? Sepse idealistët e vërtetë janë luftëtarë të pathyeshëm në çdo betejë për atdheun, por janë të papërgatitur për betejën e grabitjes së pasurisë shoqërore dhe për luftën për pushtet. Karakteri i tyre i fortë, i ndërtuar mbi një ideal të shenjtë: „Mbi të gjitha, Kombi dhe Shteti!“ nuk ua lejon një gjë të tillë. Muhamet Imeraj nuk e ka pasurinë e madhe në banka.
Pasurinë e tij më të madhe e ka biografinë e pastër kombëtare. E ka kontributin e pandalshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E ka një jetë të tërë të dhënë për kombin, pa kërkuar shpërblim. Prandaj, njerëzit si Muhamet Imeraj nuk duhet të mbeten në harresën e shoqërisë. Ata duhet të kujtohen, të nderohen dhe të dokumentohen. Sepse një shoqëri që harron njerëzit që i dhanë gjithçka për lirinë e saj, rrezikon të harrojë edhe vetë historinë e saj.
Muhamet Imeraj është njeri i artit dhe i pushkës, por mbi të gjitha është njeri i idealit. Dhe njerëzit e idealit nuk maten me atë se çfarë morën nga Kosova, por me atë se çfarë i dhanë Kosovës. Muhamet Imeraj i dha shumë.
Dhe për këtë, ai meriton të kujtohet e të nderohet!


