Kreu Blog Faqe 1045

Lojën e luajnë ata që janë në lojë, Zonja Von Kramon !

0

Gani I. Mehmeti 

Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, shprehu shqetësimin e thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës. Ajo theksoi se zgjedhja de jure nuk garanton automatikisht legjitimitet dhe qeverisje efektive. Cramon theksoi nevojën për shqyrtim të kujdesshëm të masave të ndërtimit të besimit, zgjidhjeve të zgjuara dhe strategjive të qëndrueshme për të nxitur besimin mes qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës. 

Zonja Cramon, nuk mendoj e as besoj se ju jeni më e shqetësuar se ne për gjendjen në veri të Kosovës! Por, ju i ndryshuat fjalët qysh para mbajtjes së zgjedhjeve, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, me çka i patët përkrahur zgjedhjet, madje duke i quajtur legjitime dhe të drejta.  Dhe, deri sa ju  i quajtët të drejta, serbët, në krye me Listën Serbe dhe me Vuçiqin, heshtën e nuk reaguan deri sot, kur po u jepni krahun. 

Se çfarë u bë tani që ndryshuat kursin, ju mund ta dini ! Tani, kur kryetarët e këtyre komunave deshën të shkojnë në zyret e tyre komunale, serbët u dolën përpara dhe ua prenë rrugën, duke i penguar të shkojnë në detyrat e tyre. E, deri sa të gjithë ju e keni gojën plot  për të drejtën për lëvizje të lirë, në këtë rast jeni kundër lëvizjes së lirë dhe në pengim për të ushtruar detyrat e veta kryetarët e këtyre komunave. Dhe shih, tani që ju sulmuat kryetarët e komunave, policinë e Kosovës, Qeverinë e Kosovës që i përkrahu kryetarët për të shkuar në vendet e tyre të punës, ju dolët kundër këtyr, ndërsa përkrahët destabilizuesit e rendit ligjor e kushtetues të Republikës së Kosovës.  

Tani, kjo për ne është edhe më shqetësuese se sa vetë ngjarjet që ndodhën, sepse nuk po ju kuptojmë se përse dilni në krah të atyre që pengojnë, që gjuajnë policinë e Kosovës, EULEX-in dhe civilët. 

Ju e dini se këto komuna kishin kryetarët e tyre, ata dhanë dorëheqje, pse nuk duan Republikën e Kosovës, në të cilën jetojnë e veprojnë! Ju e dini se, në objekte komunale e publike duhet të valojë flamuri i shtetit  që i përket. Ku jeni për këto plot 24 vite po bëhen që nuk i bindët serbët e Kosovës se ata jetojnë në Republikën e Kosovës ? Ku jeni ju që nuk ndërmerrni asgjë kundër tyre, nuk i vetëdijësoni, nuk ju tregoni, dhe më në fund, nuk i detyroni ! A më tregoni sesi do të ndaheshin shqiptarët në Serbi sikur të mos përdorin simbolet dhe flamujt e Serbisë nëpër objekte publike ? Përse keni dy kute – tjetër për serbët dhe tjetër për shqiptarët. 

Ose, nëse ju keni ndonjë qëndrim tjetër qoftë për veriun e Kosovës, qoftë për Kosovën, na tregoni.   

Sa i përket legjimitetit dhe qëndresës së kryetarëve të këtyre komunave, edhe ne jemi të vetëdijshëm, por lojën e luajnë ata që hyjnë në lojë, jo ata që shikojnë përanësh. Serbërt nuk deshën të hyjnë në lojë, nuk morën pjesë në zgjedhje, dhe faji e gabimi është i tyre. 

Sa u përket masave të ndërtimit të besimit, kurrë nuk do të ketë besim tek serbët, deri sa ata nuk e dinë e nuk e njohin për shtet të tyre Republikën e Kosovës. Deri atëherë, si mund të ndërtohet besimi. Besimi nuk mungon nga ana jonë, por nga ana e serbëve.  Dhe ky besim kurrë nuk do të ndërtohet tek ta, deri sa ju e leni pezull statusin e Kosovës e nuk u thoni serbëve të Kosovës se Kosova është shtet I pavarur. Ata juve ju dëgjojnë, bashkësinë ndërkombëtare, jo ne, pse pa ua thënë ju, ata nuk e marrin si realitet Shtetin e Ksoovës.  

Mbani mend kur në qershorin e viti 2022 kryetari i Gjermanisë i tha Vuçiqit në Beograd se Kosova është e pavarur? Vuçiqi ia ktheu se askush nuk ia kishte thënë deri atë ditë këtë? Pra, ata duan të dëgjojnë nga BE e SHBA, NATO e KFOR-I se Kosova është shtet. Ndryshe, ata shpresojnë se nuk është shtet dhe nuk duan ta pranojnë as serbët e Kosovës e të mos flasim përt Viuçiqin dhe Serbinë. 

Ti, zonja Cramon, dhe të gjithë tjerët që sulmuat Qeverinë e Kosovës, në këtë rast jeni gabim, jo pse unë dua, por pse është kështu.  Ju u trebët nga Vuçiqi i armatosur deri në dhëmbë më shumë se sa nga Rusia! Kjo është për t`u çuditur. 

Përndryshe, ne e dime se andej nga thoni ju , ndoshta u dashka të shkojmë, por jo gjithherë e keni mire, jo gjithherë e keni drejtë, jo gjithherë është ashtu. 

Përndryshe, nga përvoja  e kemi të ditur se, ata që pleqnojnë e ndajnë drejtësi, për të fjetur puna, e dëmtojnë të ligun ndërsa krahun i japin të fortit, sin ë rastin konkret që jeni ju.  

Por kjo nuk quhet drejtësi! 

Kjo quhet force, fuqi…! 

Dhe, lojën e luajnë ata që janë në lojë, jo spektatorët, siç janë serbët në këtë rast! Ata vetë dolën nga loja!

Jetojmë …! Poezi nga Adem Lushaj

0
MSc. Adem Lushaj 
_____
Poezi
____
Jetojmë…!
*
Jetojmë me kujtimet e të shkuarës,
Me mallin e lumturisë vëllazërore,
Kur odat mbusheshin me burra,
E nga hareja e lojërave,
Bërtisnim urra, urra!
*
Po jetojmë me mallin vëllazëror,
Zemrën e lënduar prindëror,
Në kujtim të rrugëve të zhurmshme,
Të krijuar nga fëmijët me bërtima të lumturueshme.
*
Ditët kalojnë me qetësinë e dhomave,
Me telefona dhe Facebook në duar,
Pa kuvendimet dhe mësimet e odave,
Pa zhurmën e rrugëve tashmë të asfaltuar!
*
Jetojmë me heshtjen e shtëpive luksoze me dry të mbyllura,
Të vëzhguara nga larg përmes kamerave të instaluara,
Jetojmë me vetminë dhe buzëqeshjet e humbura,
Me mallin fëmijëve dhe ditëve të dikurshme të lumturuara!!!

Kryeministri Kurti takoi Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

0

Prishtinë, 28 maj 2023 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli Dalipi, sot në mëngjes takoi Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e shoqëruar nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Forhåndsvisning av bilde

Biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit.

Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyer një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës.

Ndërsa, për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar.

Kryeministri shtoi që është kënaqësi të pres znj. Cramon në takim në këto kohë të rëndësishme dhe e falënderoi atë për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

Forhåndsvisning av bilde

Zgjedhjet dhe këmbana ogurzezë për LDK-në!

0

Florim Zeqa 

Me z. Faton Bislimi (ish deputet dhe zyrtarë i lartë i LDK-së) për herë të parë u takova në Deçan në fillim të Gushtit 2021, në takimet e mërgatës që organizohen për çdo vjet nga kryesia e SHHK “Salih Çekaj” në Zvicër me rastin e homazheve që i bëjnë heronjve dhe dëshmorëve të lirisë së Kosovës.

Dorëheqja e z. Faton Bislimi, këmbanë ogurzezë për LDK-në

Në mesin e kryesisë së shoqatës, anëtarësisë, mbështetësve të shoqatës, veprimtarëve dhe aktivistëve në mërgatë dhe personaliteteve të shquara vendore ishte edhe z. Faton Bislimi, me të cilin pata nderin dhe kënaqësinë të bëjë një rrugëtim të shkurtër në këmbë nga lokali afër sepermarketit “Viva Fresh” e deri tek shtatorja e kryeheroit Salih Çekaj, me ç’rast shkëmbyem mendime të frytshme rreth zhvillimeve politike në vend, me theks të veçantë në LDK.

Takimi i parë me z. Faton Bislimi më la përshtypje jashtëzakonisht pozitive, të një personaliteti të veçantë, idealist i pathyeshëm, njeri i sinqertë dhe shumë miqësor. Por, mbi të gjitha, atdhedashuria dhe përcaktimi i tij i vendosur në rrugën e filozofisë politike rugoviane më mbetën të skalitura në kujtesën time.

Pas përfundimit të homazheve ndodheshim në Restoranin TROFTA në Istog, me ç’rast z. Faton Bilsimi më dhuroj librin e tij të fundit për Kosovën në gjuhën angleze. Ishte kjo një surpizë dhe një dhuratë e çmuar e cila ma zbukurojë akoma më shumë atë ditë të bukur vere. Meqë Fatoni për shkak të obligimeve partiake u largua para kohe, u ndamë me të, me shpresën që të takohemi përseri në një takim privat.

Puna dhe angazhimi politik i Faton Bislimit është i njohur mirë për elektoratin e LDK-së, qoftë si pjesë e strukturave udhëheqëse të LDK-së, si deputet në Parlamentin e Kosovës, ashtu edhe për angazhimet dhe veprimtarinë e tij të gjatë dhe të suksesshme në SHBA, si personalitet i urtë dhe unifikues i LDK-së.

Dorëheqja e z. Faton Bislimi është këmbanë ogurzezë për LDK-në. E tillë është dorëheqja e një intelektuali të kalibrit nga një parti politike.

Zgjedhjet pa reforma, nuk sjellin ndryshim

Nisja e procesit zgjedhor brenda partiak në LDK pa reforma reale dhe substanciale, me injorimin dhe anashkalimin e figurave markante nuk janë ogur i mirë për LDK-në!

Reformimi i partisë dhe kthimi i besimit në elektorat bëhet duke i ofruar rreth vetës figurat themeltare, aktivistët dhe veprimtarët e devotshëm të LDK-së, duke iu dhënë hapësirë veprimi aktivistëve dhe veprimtarëve që e mbajtën mbi supet e tyre barrën e organizimit të aktiviteteve të LDK-së në këto 33 vitet e fundit, të cilët edhe në kohët më të vështira i qëndruan besnik amanetit të tri shkronjave të arta “LDK”. Ndryshe, çdo ikje nga vlerat dhe amaneti i figurave themeltare e dëmton imazhin e LDK-së.

Reformimi dhe konsolidimi i partisë, nënkupton hapje rrugë të ndryshimeve reale dhe substanciale, do të thotë hapje rrugë atyre që e kanë dijen, vullnetin dhe guximin për ta kthyer besimin e elektoratit në subjektin e traditës demokratike, për ta kthyer LDK-në rugoviane një herë e përgjithmonë kah vlerat e saj themeltare.

Vetëm mundësia e shprehjes së lirë e vullnetit të elektoratit dhe reformimi i thellë nëpër aktive, nëndegë dhe degë do të garantonte kushtet për krijimin e një bazamenti të shëndoshë dhe qëndruseshëm, të pastër dhe prospeures për LDK-në, për të qenë e gatshme të dali në ballafaqim me elektoratin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të rregullta apo të jashtëzakonshme qofshin ato.

Ka ardhur momenti i fundit që LDK-ja të reformohet dhe freskohet me kuadro të reja, të përgaditura dhe të specializuara, me veprimtar të orëve të para të LDK-së si në Kosovë dhe gjithë andej vendeve evro-perëndimore, të cilët janë të gatshëm në mënyrë vullnetare të  kontribuojnë edhe një herë për të mirën e vendit sikurse në vitet e ’90-ta, pa asnjë kompensim material, pa asnjë ambicie pushteti apo privilegji shtetëror, për t’ju treguar dezertorëve dhe mercenarëve, mashtruesve dhe matrapazëve, karrieristëve dhe lakmitarëve të pushtetit sesi punohet për shtet dhe atdhe pa llogaritur në poste dhe privilegje personale.

LDK-ja rugoviane dhe Rugova për shqiptarët janë dy simbole të shenjta të historisë më të Re të Kosovës, do të mbetën të papërseritshme, të paharruara dhe të pashlyerara në kujtesën historike të brezave.

LDK-ja rugoviane është vlerë dhe pasuri kombëtare, është vetë historia dhe gurthemeli i shtetit të Kosovës. Andaj, mbrojtja e kësaj vlere kombëtare është obligim i secilit prej nesh, qoftë ai anëtarë apo mbështetës i filozofisë politike rugoviane.

“Histori” e një tregimi 

0

Bajram Sefaj, Prishtinë

Prozë urbane 

“Histori” e një tregimi 

 Dy janë arsyet, por jo të vetmet, pse rrëfehet ky rrëfim!  

E para, (që mund të jetë e dyta!) është se përmes këtij kallëzimi, shprishet një ble kujtimesh të hidhura, (kurrë të përgjumura!) mbi një kohë e një vakt të trazuar, të shkuar, por jo të harruar. Arsyeja e dytë (që mund të jetë e para!), është ideja, origjinale, fisnike, kolegjiale e mikut të shtrenjtë, Nijazi (Muhamedi). Është meritë dhe kabahat i tij, barabar. Fajtor, e përgjegjës, mbetem unë vetë, çfarë rendimenti në mjeshtërinë e rrëfimit e të narracionit, do të arrij, që mbetet të shihet! 

* 

Kur pasioni tok me kureshtje ngadhënjen arsyen dhe logjikën, si të shkelja këmbëzbathur mbi prush gacash qarri, i avitëm kabinës telefonike. Në sheshin kryesor të Prishtinës. 

Ishte fillimi i muajt prill të vitit të mbrapshtë 1981. Kur krejt Kosova, veçmas kryeqyteti i saj, ishte në tym të zi. Në flakët e verdha! 

Kosova digjej e, më të madhe, shndërrohej në tokë e djegur! 

* 

– Alo, redaksia e kulturës së Flakës së Vëllazërimit?  

– Po, urdheroni, ke kërkoni! 

Telefonoj nga Prishtina. Desha të di për vendimet e jurisë së gazetës suaj, të konkursit letrar për tregim, për ketë vit! 

* 

Akoma ende pa e përfunduar mirë fjalinë, zëri nga skaji tjetër i telit, më përgjigjet: po, koleg, tregimi yt me titull “Gjumi i pagjumë”, është vlerësuar me shpërblimin e tretë. Çmimi i parë dhe i dytë nuk janë ndarë fare sivjet! 

* 

E mundur kjo! 

Ngrij, shtangëm në vend. Befasi befasuese. Shkuar saj. Shokuese ishte kjo! 

 (Në bisedën telefonike nuk isha prezantuar fare ! Tregimi ishte nënshkruar me shifër!). 

Prej nga vinte kjo saktësi hyjnore. Ky precizitet astronomik! 

* 

Kolegu im qëllon fisnik dhe tejet i vëmendshëm. Ashtu si e njohu zërin tim në telefon,  njohur “zërin”tim të shkruar në letër!  

A nuk është kjo, mrekulli e mrekullueshme, a!  A nuk  meriton të veçohet, a! Të shënohet e të evidencohet! 

*  

Për shkak të rrethave tragjike që mbretëronin në Prishtinë, (kur nuk thurnim vagje për dashurinë si në këngë), tregimi “Gjumi i pagjumë”, atë ditë e sot, për jurinë e respektuar të “Flakës…” dhe për lexuesit e saj, ngeli anonim, i pa deshifrua. I paditur, inekzistent. “Trupi gjykues” i jurisë, kishte ngul këmbë, madje me bindje të qind për qindtë së, ky tregim ishte “dorëshkrim” i një autori tjetër. I atij që, për kohë të gjatë, afro tridhjetëvjeçare, nuk kishte bërë Gjumë të rehatshëm në(për) birucat e zi të burgjeve të armikut shekullor. 

* 

Ec e bjeri në fije të zezës kësaj enigme. Ec e paraqitu e dëshmoje autorësinë!  

Assesi. Kurrë për jetë të jetëve! 

Që të rri urtë, të trus bithën e të mos e nguc “grejzin me kra’ne, se… ”, me këshilluan edhe miq e dashamirë të shumtë qëllimmirë…! 

* 

 “Historia” e këtij tregim të “inkriminuar”, megjithatë, përfundon me njëfarë kreshendoje, mund të thuhet!  

“Gjumi i pagjumë”, pos që radhitët midis dhjetë tregimeve të mia, në vëllimin, “Rruga deri në kallëzim”, (Rilindja – 1983), shumë vjet më vonë (1995), “gjen” edhe lexuesin francez!  Në këtë gjuhë të madhe dhe prestigjioze që, ndryshe edhe “gjuhë  Molierit!”, ithonë, e përktheu i riu francez Sébastien Gricourt, shqipfolës që, teksa bënte hapat e parë  të suksesshëm në fushën e  artit të përkthimit. “Gjumi i pagjumë”, me titull të përshtatur natyrisht, “L’insomnie”, botohet në frëngjisht, në numrin 5, të revistës “Encres Vagabondes” – (Céation littéraire et magazine de l’écit) dhe zë tri faqe (50,  51, 52) të formatit të mesëm, të saj! 

…shumë vjet më vonë, në një natë krejt tjetër, gjallë e dendur, kujtoi atë natë dhe provoi të qiste diçka në letër. 

… des nombreuses années plus tard, lors d’une nuit totalement autre, vivant et résolu, il se souvint de cette nuit et il tenta d’en sortir quelque chose sur le papier.  

Fjalë të fundit, në shqip dhe në frëngjisht,  që “solemnisht” përmbyllin rrëfimin e tregimit “Një natë e pagjumë”, respektivisht të “L’insomnie”, riprodhohen sa për t’u ndje e shijuar paksa, muzikaliteti dhe timbri i këtyre dy gjuhëve të një barku, indoevropian! 

 Jo, për tjetër, jo! . 

* 

Dy lexueseve, dy hanëmeve, dy bukurosheve parisiene, tregimi “L’insomnie”, (në gjuhën e tyre, pra), ua prish Gjumin  i lë pa fjetur nga meraku i “sevdasë së dashurisë” pas autorit! Ky detai zbërthen, gris perden e heshtjes, zbardhet, zbulohet krejt, bëhet i përbotshëm, si për të përligjur e përfillë, porosinë e Gabt të njohur (G.G. Markez) qëthotë: “Tëra bota ka tri jetë: një jetë private, një jetë publike dhe një jetë sekrete…”! 

* 

“Haj kuku, çka m’ka gjetë mu, baba dek’, kali çorru’”! 

(Insert nga kënga e kahershme e  trashëgimisë së folklorit tonë të lashtë, që, edhe sot e kësaj dite, këndohet ndër ne, në çaste sikleti e mërzie!). 

 (Diku në Francë, shtator 2020). 

Fusha e Mëllenjave , tregim i Ismail Kadares

0
Në foto: Poeti Azem Shkreli, Elena dhe Ismail Kadare
FUSHA E MËLLENJAVE … tregim I.Kadare
*****Kur më 1972 shkela për herë të parë në fushën, për të cilën kisha dëgjuar të flitej aq shumë, ishte muaji tetor. Ajo shtrihej e qetë, me pak mjegull anëve, e ftohtë në prag të dimrit.
Një monument prej guri në trajtë pirgu, në zgavrinën e të cilit mund të ngjiteshe gjer në majë të tij, ishte ngritur për kujtim të betejës. Përballë, jo shumë larg, ishte një tyrbe myslimane, ku janë varrosur jo trupi, por gjaku dhe rropullitë e sulltan Muratit I. Monumenti dhe tyrbja kanë gjashtë shekuj që rrinë përballë, ai, i lartë e krenar, ajo e pikëlluar e pa madhështi, siç janë shpesh vendvarrimet myslimane. Një vizitor që nuk di asgjë nga historia do të kujtonte se monumenti simbolizon fitimtarët dhe tyrbja të mundurit. Në të vërtetë, është e kundërta. Ky është paradoksi i parë, sidoqoftë i falshëm, ngaqë jemi në tokën ballkanase, ku njerëzit e përfytyrojnë historinë sipas ëndjes së tyre.
Mashtrimi fillon shkallë-shkallë te muret e monumentit, atje ku janë ngjitur pllaka bronzi, që flasin për betejën. Në ato pllaka flitet vetëm për serbët. Lart, në një tarracë, prej nga vizitorët mund të sodisin fushën, është një pllakë tjetër, e cila shpjegon betejën. Atje përsëritet e njëjta gjë. Është falsifikuar thelbi i betejës: pjesëmarrësit në të.
E gjithë kjo është tejet e trishtueshme. Një luftë, që duhej të ishte simboli i miqësisë së popujve që luftuan bashkë kundër fatkeqësisë së përbashkët, është kthyer në të kundërtën: në minierë të urrejtjes dhe të krimit.
Lart, në tarracën e monumentit ia them mendimin tim, poetit të njohur që më shoqëron, mikut tim Azem Shkreli. Ai ngre supet, por nuk dëshiron të flasë. Përreth ka turistë. Midis tyre mund të ketë spiunë të veshur si turistë. E njoh fare mirë këtë klimë ferri, por kam kujtuar se në Jugosllavinë komuniste, ka pakëz më shumë liri se në Shqipërinë komuniste.
“Për të tjerët, për popujt sllavë, po, por për ne shqiptarët, jo”, më shpjegon sivëllau im, kur gjendemi vetëm në makinë. “Ne jemi të huaj këtu, më keq se të huaj. Në sofrën e tyre sllave ne jemi të tepërt”.
Kurse bota e mendon ndryshe Jugosllavinë. Mozaik popujsh. Vend festivalesh për vëllazërimin e kulturave. Model për të tjerët.
“Kur isha i vogël”, vazhdon sivëllau im, “ngaqë familja ime ishte e varfër, pasi dilja nga shkolla, im atë më çonte të kullosja një lopë. Shpesh mbetesha vetëm me lopën në ndonjë faqe kodrine të butë. Vështroja përreth: asnjeri.
Atëherë mendoja se ishte koha të bëja një gjë të ndaluar, një gjë tepër të dënueshme, diçka që ia kalonte mëkatit. (Ti qesh? Ke të drejtë të qeshësh, madje, e di ku të ka shkuar mendja. Po prit, më dëgjo gjer në fund. Kureshtja ime rrallë herë ka qenë kaq e ndezur.)
Ajo gjë e ndaluar, ai mëkat i dënueshëm ishte kthimi i kokës nga ai drejtim ku mendoja se ishin malet e Shqipërisë. Ti habitesh? Të duket me siguri një frikë e tepruar. Dhe në këtë rast ashtu është vërtet: një frikë e tepruar nga fantazia fëminore. Por, në thelb, ajo bazohej në një të vërtetë të madhe. Ishim aq shumë të tmerruar nga ato që kishim dëgjuar, nga vrasjet e fshehta, torturat, spiunët që gëlonin kudo, saqë mjaftonte që edhe kthimi i kokës nga drejtimi i tokës ku duhej të ishte vendi amë, do të përgjohej nga dikush, do të kallëzohej, do të shkaktonte tmerr.
Miku im fliste dhe unë nuk ia ndaja dot sytë fushës së gjerë që shtrihej gjer larg, e mbuluar në cepa nga mjegulla e tetorit.
Gjithë ai tmerr, për të cilin fliste poeti kosovar, kishte lidhje me atë fushë. Ajo e prodhonte atë tmerr vit pas viti, më shumë se grurin, më shumë se lulet. Ajo e përtërinte urrejtjen dhe etjen për gjak, thua se gjaku që kishte rrjedhur gjashtë shekuj më parë në të nuk qetësohej dot.
Ishte një fushë që, e futur gabimisht midis maleve, nuk e linte Ballkanin e madh të flinte i qetë. —
_*Ismail Kadare me Azem Shkrelin, pjesë nga “Unaza në kthetra“
Ne një takim me shkrimtarin Ismail Kadare në Köln, 12 dhjetor 2010/tën Kadare tregon :
– Azem Shkreli më pyeste në atë kohë, tetor 1972, hë si duket Shqipëria ka ndonjë shenjë liberalizmi? Unë i përgjigjesha po. Po më gëzon shumë, më tha. Se s`shoh ndonjë shenjë nga jashtë përsëriste ai. Nga jashtë nuk ka shenjë, por nga brenda ka, vazhdova. Unë dija në atë kohë që në udhëheqjen shqiptare egzistonte një grup liberal, në thonjëza, ose diçka si liberale aq sa mund të ishte, si Todi Lubonja etj…. Më vonë doli që unë s´kisha patur të drejtë. Ka ndodhur shpesh në diktatura, gjoja jepet një si frymë oksigjeni dhe pastaj kur të vjen karboni e të mbyt fare.
Ne jemi takuar më vonë me Azemin dhe e bëmë këtë bisedë. Ai ishte i sjellshëm nuk thoshte gjë. Unë i thashë, ti kishe pasur të drejtë!

Pse e lash podrimçaken në lloç? 

Në konferencë, 26 maj ’23 Malmö

Sinan Kastrati, Suedi 

(alias, Pse ndërpreva fetonin për podrimçaken,?)  

Konferenca e mësuesve në Malmö  

Ish udhëheqja e mëparshme e Kosovës ështe¨fajtore për të gjitha këto të këqija që as tash Kosova nuk po mundet me nejt n`kâm të veta 

Ngjarjet që po përseritën tash e 24 në Veriun e Kosovës  

Perëndimi po na ktheu shpinën  

Edi Rama, me Aleksandar Vučić*) kundër shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ai punon natë e ditë kundër intersave shqiptare, sidomos të atyre të Kosovës.   

Është hera e tretë që nuk i kam përfundua shkrimet e mia në vazhdime, në formë të fejtoneve.  

Herën e parë ka ndodhur kur shkruaja për “luftën” në krahinën e Llapushën*)  

(“A kishte luftë, çlirimtare në rrethin e Llapushës …”) dhe “kryeheronjët” e saj. 

Kur botohej për herë të parë fejtoni në portalin “Shqiptari.eu” një nga viktimat, që ishte heroi dhe personazhi im më shkruante: “Ndërpreje se puna është keq ! Ma kanë rrethua shtëpinë… “. 

Iu luta Idriz Morinës, ish “pronarin”, përgjegjësin e portalit ”Shqiptari.eu” që ta largoi së pakut një fotografi të heroit tim të shkrimit, më e pakta që mund ta bënte ai dhe unë pasiqë publikimet e mia shpejt shprëndaheshin dhe publikoheshin në shumë portale të tjera në gjuhën shqipe sepse në Kosovëë fjala e lirë ishte “mollë e ndalueme”.  

Idrizi, më tha: 

-Ti po frikësohesh. 

-Jo bre Idriz, unë nuk frikësohem por ata që janë atje, po më shkruajnë që janë të kërcënuar me jetë nga bandat e ish komandantëve tä “Malishevës”. 

Hera e dytë, që u ndërpre fejtoni por nuk zgjati shumë, më shkruajtën nga gazeta Bota e Sot se duhët me e ndërpre, fejtonin se ka shumë reagime e pakënaqësi në Drenofc të Zatriqit dhe Rahovec, ishte një fejton, gjithashtu për “luftën” por kësaj radhe për një krahinë tjetër, fqinje, për krahinën e Podrimës, për disa katunde, komuna e Rahovecit*) 

Nuri Beu 

Më 25 e 26 maj 2023, u mbajt konferenca e rregullt vjetore e mësuesve shqiptarë, e cila meriton fjalë të mira, me gjthë dobësitë që po e përcjellin sepse sikur ne jemi të prirur që “udhëheqësit” edhe pse të mplakur, nuk e ikin b… nga karriga por dëshirojnë të mbeten edhe për një kohë, të bëhen sundimtarë, sulltanë me ferman *) 

Kështu më ndodhi (edhe mua). Në kohën e pushimit, gjatë kohës sa konferenca zhvillonte punimet, në pushime kur pinim kafe, hanim drekë e bisedonim, një nga të mysafitët e ftuar i cili ligjëroi qysh është më së miri, gjatë bisedës me mua e përdori një fjalë, foljen “kam”, gabimisht, “na kena”, në vend të “na kemi”, unë i thash miqësisht dhe në mënyrë shumë dashamirërse: 

-Kusheri, “na kena”, është gabim të thuhët. Në vetën e dytë shumës thuhët “ju keni”   

Unë kam,  

Ti ke,  

Aii (ajo) ka dhe  

Ne kemi,  

Ju keni,  

Ata (ato) kanë. 

Profesor Bardhyl Demiraj, djali i profesorit të madh, Shaban Demiraj, gjuh. ish kryetar i Akademisë së Shkenc. në Shqipëri

Dhe natyrisht ia shpjegova, vëllazërisht kohët e foljes, vetat (të parën, të dytën dhe të tretën, dhe numrin njëjës e shumës. 

Unë nuk e vërejta se afër meje, prapa kishte qenë ”Nuri Beu”, një plak matuf, që më shumë se gjithkush tjetër i ngjante Nuri Beut *). 

Ngjarjet në Veriun e Kosovës, që ndodhën këto ditë, bashkë me konferencën që u mbajtë në Malmö ndikuan që ta lë “podrimçaken në lloç” *), nuk munda të shkruaj por nuk e harroj e as lë në lloç podrimçaken. 

Sigurisht se nuk do ta ndërpreja fejtonin ama, nuk shkruhën vjersha dashurie kur toka dridhet e njerëzit vriten e atdheu është në rrezik. 

Dy fejtonat e mëhershëm që i përmenda më parë e i ndërpreva shkas ishin bandítët e Kosovës, kurse tash kur Kosova është në rrezik, janë bandat serbe të Kosovës të nxitura nga Beogradi e të përkrahura edhe nga … mjerisht dhe BE-ja por edhe liderët e opozita e Kosovës bashkë me kreyminstrin e Shqipërisë, Edvin Kristaq Ramën. 

Përveç shteteve të mëdha, na kritikuan edhe pasrtitë e dala nga lufta, (pdk-ja, aak-ja…), shteti shqiptar, dhe ai Verio Qipriot.  

*) Aleksandar Vučić (serbisht Александар Вучић) 

https://sq.wikipedia.org/wiki/Aleksandar_Vu%C3%A7iq  

*) Sinan Kastrati: “Pse e ndërpreva fejtonin “A kishte luftë çlirimtare në rrethin e Llapushës” ? 

https://www.ballikombetar.info/pse-e-nderpreva-fejtonin-a-kishte-lufte-clirimtare-ne-rrethin-e-llapushes/ 

*) “A kishte organizim ushtarak, “Shtab” të UÇK-së dhe “luftë çlirimtare në Drenofc të Zatriqit e rrethinë?”, Bota Sot, 1 MARS 2019 NË ORA: 10:14 

https://www.botasot.info/opinione/1040274/a-kishte-organizim-ushtarak-shtab-te-uck-se-dhe-lufte-nbsp-clirimtare-ne-drenofc-te-zatriqit-e-rrethine/  

*) FERMAN m. 

  1. hist. Dekret a urdhër me shkrim i sulltanit në Perandorinë Osmane për një gradim, për një dekorim, për një shpërblim, për një dënim etj. Nxori (lëshoi) fermanin. E dha me ferman.
  2. iron. Dokument zyrtar, dëshmi.

* Me ferman keq. i njohur nga të gjithë si i keq, me nam. I këndoi fermanin vjet. e dënoi me vdekje dikë, e groposi; i punoi qindin. 

*) Nuri Beu 

Një personazh qesharah, grotesk ’eshtë Nuri Beu, në filmin “Koncert në vitin 1936”. Nuri Beu që kërkonte të prishte koncertin me muzikë otomane, dajre dhe çingije që tundin belin.  

Prof Enver Hysa, Sinan Kastrati, prof Bardhyl Demiraj dhe Olimbi Velaj (në këmbë). Nalmö, 26 maj 2023

*) LLOÇ m. 

  1. Baltë e qullët dhe e hollë, llucë; borë e shkelur dhe e përzier me baltë. Ra në lloç. Ecnin nëpër lloç. U bë vendi lloç.
  2. shih LLAÇ,~I I.
  3. si mb. ~, ~E. I pjekur shumë, i s’qullët; i ndulkët. Dardhë (mollë) lloçe.

* E bëri lloç shih te BËJ. 

Në kohë të pushimit, 25 maj 2023, Malmö

“Kryetarët hynë në komunat në veri, Serbia ngre gatishmërinë luftarake“ 

https://www.evropaelire.org/a/sirena-ne-veri-/32429113.html  

“QUINT-i dënon vendimin për të hyrë me forcë në objektet komunale në veri“ 

https://www.evropaelire.org/a/quint-veri-qeveria-e-kosove-denon/32429768.html  

“Serbia dërgon trupa ushtarake në kufirin e Kosovës“ 

https://www.dw.com/sq/serbia-d%C3%ABrgon-trupa-ushtarake-n%C3%AB-kufirin-e-kosov%C3%ABs/a-65748651  

“Reagon Qipro pas tensioneve në veri“ 

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1998517/reagon-qipro-pas-tensioneve-ne-veri/  

“Gjoshi i PDK-së: Kurti po e realizon skenarin e përbashkët me Vuçiqin, qëllim ka vendosjen e autonomisë” 

https://www.syri.net/syri_kosova/lajme/482114/gjoshi-i-pdk-se-kurti-po-e-realizon-skenarin-e-perbashket-me-vuciqin-qellim-ka-vendosjen-e-autonomise/  

“Situata në Veri, Blinken kritikon Kurtin: Dënojmë veprimet e qeverisë së Kosovës, po përshkallëzojnë tensionet në Veri!” 

https://www.standard.al/2023/05/26/situata-ne-veri-blinken-kritikon-kurtin-denojme-veprimet-e-qeverise-se-kosoves-po-pershkallezojne-tensionet-ne-veri/ 

”Serwer: SHBA-ja ka braktisur neutralitetin, dënon Kosovën dhe jo Serbinë” 

https://zeri.info/aktuale/493038/serwer-shba-ja-ka-braktisur-neutralitetin-denon-kosoven-dhe-jo-serbine/  

“Blinken: Kurti t’i ndalojë menjëherë masat e dhunshme” 

https://www.evropaelire.org/a/blinken-reagim-veri-denim-aksioni/32429671.html  

“ShBA e dënon aksionin e Policisë në veri, e cilëson si masë të dhunshme” 

https://www.dukagjini.com/shba-e-denon-aksionin-e-policise-ne-veri-e-cileson-si-mase-te-dhunshme/  

“Moska dënon “hapat provokues” të Kosovës në Veri, ka akuza edhe ndaj SHBA’së dhe BE’së” 

https://www.gazetaexpress.com/moska-denon-hapat-provokues-te-kosoves-ne-veri-ka-akuza-edhe-ndaj-shbase-dhe-bese/  

“Rama: Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk e sjell njohjen nga Serbia“ 

https://telegrafi.com/rama-kjo-qe-po-ndodh-ne-kosove-nuk-e-sjell-njohjen-nga-serbia/  

“Ja në krah të kujt rreshtohet Edi Rama për ngjarjet në Veri“ 

https://www.kosova-sot.info/lajme/676790/ja-ne-krah-te-kujt-rreshtohet-edi-rama-per-ngjarjet-ne-veri/  

”Edi Rama- Ra Sala prej fiku” 

https://www.youtube.com/watch?v=Xuw2kxCV4rM  

“Bildt: Situata mes Kosovës dhe Serbisë po përkqesohet përsëri” 

https://www.kosova-sot.info/lajme/676786/bildt-situata-mes-kosoves-dhe-serbise-po-perkqesohet-perseri/  

“Shchneeberger: Shumë më e rëndësishme do të ishte [sikur Hovenier] t’i trajtonte shkaqet dhe jo simptomat“. 

https://www.dukagjini.com/shchneeberger-shume-me-e-rendesishme-do-te-ishte-sikur-hovenier-ti-trajtonte-shkaqet-dhe-jo-simptomat/  

“E kritikoi Kurtin, Bugajski reagon ashpër ndaj Blinkenit: Mbështetja e SHBA për Vuçiqin po destabilizon rajonin!” 

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1998206/e-kritikoi-kurtin-bugajski-reagon-ashper-ndaj-blinkenit-mbeshtetja-e-shba-per-vuciqin-po-destabilizon-rajonin/  

”Në shkelje me ligjin/ Rama shkrin Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe e kalon në varësi të Gjinushit” 

https://www.syri.net/politike/595523/ne-shkelje-me-ligjin-rama-shkrin-akademine-e-studimeve-albanologjike-dhe-e-kalon-ne-varesi-te-gjinushit/  

‘”Thaçi rikthehet së shpejti si president’, ish-këshilltari poston videon” 

https://ballkani.info/thaci-rikthehet-se-shpejti-si-president-ish-keshilltari-poston-videon/  

“Serwer për veriun: Kurti e ka logjikën, por a ka kapacitete? Amerika ka kapacitete, por ka mungesë logjike“ 

https://klankosova.tv/serwer-per-veriun-kurti-e-ka-logjiken-por-a-ka-kapacitete-amerika-ka-kapacitete-por-ka-mungese-logjike/

Edi Rama, me def duke këndua

“Flamuri i Kosovës vendoset edhe në Komunën e Zveçanit“ 

https://telegrafi.com/flamuri-kosoves-vendoset-edhe-ne-komunen-e-zvecanit/  

“Kryetari i Leposaviqit hyn në komunë, i pranishëm edhe Sveçla“ 

https://telegrafi.com/situate-e-qete-ne-leposaviq-kryetari-hyn-ne-komune/ 

Forhåndsvisning av bilde

Prof. Enver Hysa, Sinan Kastrati (ne nes) dhe prof Bardhyl Demiraj, Malmö, 26 maj 2023

Fejtonin për Gonën, qikën podrimçake do ta vazhdoj pasi një pushimi të vogël, pas disa ditëve.  

Malmö, 27 maj 2023 

sinankastrati09@hotmail.com 

Kryeministri Kurti takoi emisarin e Gjermanisë, Sarrazin

0

Prishtinë, 27 maj 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, mirëpriti sot në takim Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në takim u diskutua për procesin e pas-zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, përfshirë këtu betimin dhe ditën e parë në punë të kryetarëve të zgjedhur.

Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale.

Sveçla nga Leposaviqi: Këtu është Republikë e Kosovës

0

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka folur për media pas takimit që pati të shtunën me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në objektin komunal të kësaj komune, duke shprehur edhe një herë se ajo çka po bëjnë autoritetet e Kosovës është legjitime.

Sveçla ka thënë se është i bindur që të gjitha këto vështirësi do t’i tejkalojnë.“Erdha, e vizitova kryetarin e Komunës, i dëshirova punë të mbarë. Shpreha mbështetjen tonë, u pajtuam që ka nevojë të gjitha institucionet, qoftë vendore apo qoftë qendrore, të punojnë për të mirën e qytetarëve, me iu shërby qytetarëve përkundër vështirësive. Ne jemi të bindur që të gjithë këto vështirësi do t’i tejkalojmë. Policia e Kosovës është Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës”, ka thënë Sveçla para mediave nga Leposaviqi.

I pyetur për deklaratat e QUINT-it dhe SHBA-së, Sveçla ka thënë se për këto do të përgjigjet nga Prishtina.

Edhe kryetari Hetemi është larguar nga objekti komunal.

Image
Lulzim Hetemi duke u larguar nga objekti komunal 

Kryetari i Leposaviqit hyn në Komunë pa telashe, shkon edhe Sveçla

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, të shtunën ka hyrë në objektin komunal pa ndonjë telashe.Rreth orës 10:00 ai ka hyrë në komunë për të vazhduar punën, nën përcjelljen e mbrojtjes së afërt.

Megjithatë, në afërsi të komunës po qëndrojnë njësitë speciale të Kosovës, si dhe KFOR-i. Aty janë edhe tre autoblinda.

Policia po punon edhe sot në pastrimin e mbetjeve të zhavorrit e gurëve që kanë mbetur nga dje, 26 maj, kur serbët lokalë kanë protestuar për të mos lejuar hyrjen e Hetemit brenda objektit. Ata kanë zbrazur kamionët me gurë para Komunës.

Kurse, situata në komunën e Zveçanit, aktualisht raportohet se është e qetë. Forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar përreth objektit të komunës.


 

Mund të jetë një imazh i 2 persona, televizori dhe Zyra Ovale

Sot pata nderin të pritem në zyren e tij nga Lulzim Hetemi, Kryetari Komunës së Leposaviqit.
I urova punë të mbarë dhe i ofrova gjithë mbështetjen time në ushtrimin e funksionit të tij, sipas mandatit të përcaktuar nga ligjet e Republikës së Kosovës.
Bashkë do t’i kalojmë të gjitha sfidat e do të vazhdojmë angazhimin për të mirën e gjithë qytetarëve tanë.

 

Sveçla shkon në Leposaviq

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkuar në Leposaviq të shtunën.

Ai ka hyrë në objektin e Komunës, ndërsa nuk ka folur për mediat.

Pritet që pasi ta takojë kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, t’u përgjigjet edhe mediave.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe Zyra Ovale

Vjosa Osmani, Sarrazinit: veprimet e Policisë në veri të vendit janë legjitime

0
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të shtunën me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ku ka përsëritur se veprimet e Policisë në veri janë legjitime ndaj strukturave e grupeve kriminale të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por ka përmendur edhe koordinimin me aleatët ndërkombëtarë. 
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet.

“Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj”, thuhet në njoftim.

Por Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, të cilët dje dënuar ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës.

“Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”, vijon njoftimi.

“Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, ka njoftuar Presidenca.

Osmani edhe dje pati qëndrim të ngjashëm. Ka thënë se veprimet e Policisë në veri janë legjitime, por ka theksuar se duhet koordinimi me aleatët.

Sarrazin u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti më herët.