Kreu Blog Faqe 1053

The New York Times (1917) / Proklamata e Ismail Qemalit ndaj Partisë Kombëtare Shqiptare të krijuar në Amerikë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Maj 2023 

“The New York Times” ka botuar, më 14 dhe 16 nëntor 1917, dy shkrime ekskluzive në lidhje me proklamatën e Ismail Bej Qemalit drejtuar asokohe Partisë Kombëtare Shqiptare të krijuar në Amerikë dhe kundërpërgjigjen e Fan Nolit ndaj kësaj proklamate, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar : 

Nxit shqiptarët këtu

Ismail Qemal Beu, duke pranuar udhëheqjen, kërkon unitetin e partisë

The New York Times, e mërkurë, 14 nëntor 1917, f.5 :

  • Kundërpërgjigjia e Fan Nolit : “Ky zotëri nuk përfaqëson shqiptarët e Amerikës siç pretendon…”                                                                                                                    Burimi : The New York Times, e mërkurë, 14 nëntor 1917, f.5

    Burimi : The New York Times, e mërkurë, 14 nëntor 1917, f.5

    Paris, 13 nëntor — Ismail Qemal Beu, ish-president i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, i ka lëshuar një proklamatë Partisë Kombëtare Shqiptare të krijuar së fundmi në Amerikë : 

    “Flaka e patriotizmit tim,” thotë ai, “nuk ka nevojë për një stimulues. Gjithsesi, besimi që më ka shprehur Partia Kombëtare Shqiptare në Amerikë është kënaqësi. Shprehja e dëshirave të vendit tonë të shtrenjtë më jep forcë dhe inkurajim të ri për t’ia kushtuar ditët e mbetura mbrojtjes së çështjes sonë të shenjtë nën flamurin e lavdishëm të heroit tonë të pavdekshëm, Skënderbeut, i cili, pas pesë shekujsh Providence, më ka dhënë nderin sinjalizues për ta shpalosur edhe një herë. Nuk do të nguroj asnjë moment për të hyrë në një luftë të re për shpëtimin e vendit tonë të dashur, duke qenë i përforcuar nga besimi dhe mbështetja e bashkatdhetarëve të mi të dashur, as nuk mund të dyshoj në suksesin e saj vetëm nëse mund të mbështetem tek ju dhe t’ju gjej të gjithë të bashkuar e të thërrasim një armëpushim ndaj rivaliteteve dhe grindjeve të vogla.” 

    Pas thirrjes për bashkim të shqiptarëve në Amerikë, proklamata përfundon : 

    “Kështu, në përfundim të luftës së madhe botërore, le të vendosim para këshillit suprem të fuqive, duke u mbështetur në ndriçimin dhe drejtësinë e tyre, argumente të pakundërshtueshme në mbështetje të të drejtave tona. Le t’i japim, pra, mundësinë këtij këshilli për të ndrequr padrejtësinë e bërë në amputimin e Shqipërisë, të cilën e përballojmë me kaq shumë dhimbje. Kështu, rikthimi i integritetit tonë territorial dhe i pavarësisë sonë kombëtare do të ofrojë një garanci solide ekuilibri dhe paqeje për popujt e Ballkanit.” 

    Proklamata e Ismail Qemal Beut ishte në përgjigje të një kërkese formale të Partisë Kombëtare Shqiptare, si përfaqësuese e shqiptarëve në mbarë botën, që ta udhëheqë kombin në mbrojtje të pavarësisë së tij politike dhe territoriale.                                                                                       Ismail Qemali                                                                                                                       

  • Shqiptarët në Amerikë

    Presidenti i Federatës mohon që Ismail Qemal Beu i përfaqëson ata.

    The New York Times, e premte, 16 nëntor 1917, f.4 :

     

    Burimi : The New York Times, e premte, 16 nëntor 1917, f.4

    Burimi : The New York Times, e premte, 16 nëntor 1917, f.4

    Me telegraf për botuesin e The New York Times 

    Boston, 15 nëntor — Lidhur me një telegram nga Parisi të botuar në numrin e gazetës suaj të nderuar të 14 nëntorit për Ismail Qemal Beun, ju lutem të tërheq vëmendjen tuaj për faktin se ky zotëri nuk përfaqëson shqiptarët e Amerikës siç pretendon. 

    Përfaqësuesit e vërtetë të shqiptarëve të Amerikës janë ata të emëruar nga organizata shqiptare e cila është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Përfaqësuesit e Federatës Vatra në Evropë janë : Mehmet Beu, z. Konica, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Shqipërisë; Gjyqtari Nicholas Kashetsi (Nikoll Kasheci), në Londër, Angli, dhe ish-ministri i Arsimit Dr. Mihal Turtulli, në Lozanë, Zvicër. 

    Imzot Fan Noli,

    Presidenti i Federatës Shqiptare Vatra

    Rruga Compton 97.

    * Nga Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania, https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-times-1917-proklamata-e-ismail-qemalit-ndaj-partise-kombetare-shqiptare-te-krijuar-ne-amerike-kunderpergjigjia-e-fan-nolit-ky-zoteri-nuk-perfaqeson-shqiptaret-e-amerikes-sic-pretendon/.

Mërgimtarët nga “grepi” në “rrjetin e merimangës”!

0

Florim Zeqa  

Iniciativa e ndërmarrë nga Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për “Qeverisje të Mirë” të PDK-së, z. Arben Mustafa për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, në dukje të parë është sihariq i mirë për qytetarët, por në realitet është vetëm kauzë për pushtet dhe asgjë më shumë.

Derdhin “lot krokodili” ata që e shkaktuan kaosin tatimor

Ishte bashkëqeverisja PDK-LDK ajo e cila i ngarkojë qytetarët me barrën e tatimit mbi pronë pa kritere profesionale dhe pa vlerësim real të patundshmërive të qytetarëve. Këtë e dëshmon propozimi i PDK-së për pezullimin për një vit të vlerësimit të pronave, në të cilin fare nuk permenden mërgimtarët dhe nuk parashihet rishikimi dhe legalizimi i pronave të qytetarëve.

Se vërtetë PDK-ja dhe jo vetëm ajo, por të gjitha partitë pa dallim pushtet dhe opozitë nuk e kanë hallin e qytetarëve (mërgimtarëve) por të pushtetit, e dëshmom mospërfshirja në projektligj i shtëpive të pabanuara të mërgimtarëve, të cilat shfrytëzohen vetëm një muaj ose më pak se kaq brenda vitit.

T’i kthehemi edhe një herë kësaj nisme ligjore, përmes së cilës kërkohen amandamentimet e nevojshme ligjore me të cilat kërkohet të ndryshohet pragu i poshtëm prej 0.15% i përcaktuar në nenin 9 të ligjit bazë, në mënyrë që t’ju mundësohet më tepër fleksibilitet komunave që të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit në pronë sipas rrethanave ekonomike.

Edhe ky nen në parim është i mirë, por jo i definuar ashtu siq duhet dhe siq e kërkojnë nevojat e kohës, për shkak të mospërfshirjes së pronave, përkatësisht të shtëpive të pabanuara të mërgimtarëve!

Patjetër se duhet të përfshihen në këtë ligj edhe e shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve. Do të ishte reale dhe ideale caktimi i tarifes një mujore e jo vjetore për tatim në pronë për mërgimtarët deri në riatdhesimin e tyre në vendlindje si dhe të hiqen tarifat mujore për rrjetin e pashfrytëzuar të energjisë elektrike dhe internetit.

Faturat e tatimit në pronë po i shqetësojnë edhe mërgimtarët

Përderisa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth faturave për tatimin në pronë, që u kanë ardhur për pagesë me vlera shumëfish më të larta sesa viteve paraprake, mërgimtarët ndjehen të zhgënjyer në ‘Qeverinë Kurti 2’ për mosvlerësim real, gjegjësisht për mosmarrjen në konsideratë të shtëpive të pabanuara të tyre.

Rritja deri në 700 për qind e faturave të tatimit në pronë për shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve është pak më tepër se plaçkë, është haraq i sinkronizuar mes pushtetatarëve të nivelit qendror dhe atyre lokal.

Me këtë rritje nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës dhe mërgimtarët janë goditur me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë. Për këtë rritje të tatimit në pronë përveç qytetarëve, partive opozitare dhe shoqërisë civile ka reaguar edhe KMDLN-ja, sipas së cilës kjo është plaçkitje e pastër nga ana e shtetit.

Nëse vazhdohet me këtë trend të gjobitjes të mërgimtarëve me tatimet mbi pronë për shtëpitë e pabanuara, me koston mujore të energjisë së pashfrytëzuar dhe pagesat për lidhje të internetit të pashfrytëzuar do t’i kthehet bumerang buxhetit të shtetit, ngase mërgimtarët do t’i rrallojnë vizitat në vendlindje, gjë e cila do të ndikojë dukshëm në uljen e ‘remitencave’ dhe do të bien investimet e mërgimtarëve në shtetin e tyre! 

Kurti me “grep e me rrjetë” në peshkimin e diasporës 

Që nga periudha e luftës dhe ajo e pasluftës, të gjitha qeveritë e “hodhën grepin” tek mërgimtarët. Kush më pak e kush tjetër më shumë të gjithë i plaçkitën pamëshirshëm mërgimtarët duke filluar nga Fondi 3 përqindërshit, “Vendlindja Thërret” e deri tek fondet e Albin Kurtit, të cilat po ngarendin njëri pas tjetrit, siq janë; “Fondi Emergjent” (gjatë pandemisë), “Fondi Sovran” dhe “Fondi i Sigurisë” për të cilat nuk ka asnjë transparencë dhe asnjë llogaridhënje! Askush përveq Albin Kurtit nuk e di sa miliona janë grumbulluar, sa janë shpenzuar dhe ku kanë përfunduar mjetet financiare të mërgatës të derdhura në fondet e sipërpermendura!

Ashtu siq edhe pritej, edhe qeveria aktuale e Albin Kurtit, e “hodhi grepin” tek mërgimtarët, jo vetëm për vota, por edhe për para.

Fjala e kryeministrit Albin Kurti në konferencën “Diaspora Flet”: “Diaspora është moti pasuri e çmuar e popullit tonë, dhe se është burim kryesor për zhvillimin e vendit”, me ndryshimet e bëra në ligj do t’u jepet fund padrejtësive të kahmotshme ndaj diasporës”, përveq që të kujton atë proverbin e shpikjes së “ujit të ngrohtë”, kryeministri aktualë është kultivuesi numër 1 i zhvatjes dhe padrejtësive ndaj mërgimtarëve.

Ngase Albin Kurtit, përveqse për votë, asnjëherë nuk i ka interesuar Diaspora. Andaj as tani nuk e ka për qëllim ndihmën ndaj mërgimtarëve, por përfitimin për votë dhe plaçkitjen e tyre në përmes tatimit në prone, në energji elektrike, në çasje interneti e deri tek gjobitjet në komunikacion! 

Përderisa qeveritë paraprake i përzgjedhnin mërgimtarët për plaçkitje përmes “grepit”, qeveria aktuale e ka shtrirë “rrjetin e merimangës” për të gjithë mërgimtarët që shkojnë për pushime në vendlindje. Ata mërgimtarë që arrijnë t’ii shpëtojnë “grepit” e kanë të pamundur që t’i shpëtojnë “rrjetit së merimangës” të ngritur nga Kurt(h)i.

Vërtetë Diaspora është pasuri e çmuar e popullit dhe e shtetit, por nuk është e politikanëve!

Boll e mirë, qik-o , rrumullake 

Në promovim të librit ”Ndarjet e gushtit”, Anila Velaj, Stockhom, 13 maj 2023

Nga: Sinan Kastrati, Suedi

Podrimçakja 

Oh vishmi teshat moj podrimqake 

K`mish`n e hollë jelekin bajgjake *) 

Ham bajgjake pse pe ban të vjetër 

Dishe k`ta e vishe i tjetër 

Vishe tjetrën pak ma t`ri 

E shes tokën du me dalë çifçi*)  

E shes tokën du me shitun trollin 

Oh bardh e kuq o ta shoh aborrin*)  

Kjo këngë baritore e kënduar sa e sa herë nga barinjët turjakas jaraneshave të tyre sikur e zgjoi Sylën nga mendimet e thella për podrimçaken. 

Sylës i vinin ndër mend edhe vargje të këngëve të tjera që i kishte këndua edhe ai, n’e heshtje sepse, Syla kishte turp të iu këndonte qikave para çobanëve të tjerë. Megjithate, më shumë se çdo herë tjetër kur e kishte parë podrimçaken i kishte këndua më me zë edhe këngë të tjera: 

”Boll e mirë që rrin te blini,  

Tu ka shky k`misha te gjini… ” 

40 ditë-shi? 

Kanë kaluar plot 40 ditë që nuk kam shkruajt asnjë fjalë e as nuk e kam hapur komjuterin.  

Tregimi i fundit që unë i quaj shkrime, ishte “Erdhi zogu në ballkonin e banesës sime”, më 9 prill 2023.  

Çuditërisht as zogu më nuk erdhi në ballkonin tim. 

Por gjatë kësaj kohe nuk kam ndejtur duarkryq. Kam qenë në vizita të disa miq e kam marrë pjesë në disa mbrëmje manifestimi, përvjetorë, përkujtime e promoivim librash.  

Çka është 40 ditë-shi? 

Dikur, jo larg në kohë kur lindëte ndonjë fëmijë në familjet tona në katundet e rrethit tim, burri nuk flente me nusen derisa fëmija i bëntë afërsisht 6 javë, që është e barabartë me 40 ditë, e fëmiu fillonte të rritej, të qeshte e gudulisej ndërsa nëna që kishte lindur, derisa e merrte vehten e forcohej fizikisht. Këtë adet, që veç e kisha harrua, e gjeta edhe në Suedi, por jo te gratë suedeze por te gratë e nuset shqiptare nga Kosova. Një nuse nga Rugova e Pejës kishte lindur një djalë të shëndetshëm që vetëm plisi e kapuçi i munngonin. Kur djali i kishte mbushur plot 40 ditë, nusja rugovase kishte ardhur me bujt (nga buj)*) te një vendas nga Rugova që ishte i afërt me fis, me burrin e nusës. 

Në Kosovë ka qenë adet, në disa krahina që kur të bëhen 40 ditë afërsisht 6 javë nusja që ka lindur shkonte te prindërit me bujt e pastaj dikush nga antarët e familjes së burrit, baba, axha ose vëllai, jo burrit shkonin dhe e merrnin nusën.  

Nusja flente me burrin dhe fëmiun për herë të parë, vetëm pas 40 ditëve, sikurse natën e parë të martesës.  

Nuk e di a vazhdon të ruhët ende kjo traditë e vjetër a jo në Kosovë por megjithate, kjo ”ruhët” në Suedi. Adet tjetër ishte, djali që sa ishte martua, nuk i fliste nuses e as nusja nuk i fliste burrit në emër para antarëve të tjerë të familjes, baba nuk e mbante fëmiun e vetë në prehër para prindërve sepse ishte turp që djali ta mbante, ti folte, ta përqafonte e puthte fëmiun e vetë …  

Sylës nuk i hiqej nga mendja gjoksi plotë i podrimçakës i mbuluar me këmishën e hollë të bardhë si bora e maleve të Zatriqit që i dalloheshin si dy bostona sikur të mos kishte fare beho e këmishë. 

Çobani turjakas do të kënaqej sikur të rrinte me podrimçaken në kolibat e bostanit e të vneshtave të Podrimjes. Mjaftonte ta pshteste kryet afër a saj në barkun e gjoksin e podrimçakes që e i gufonte sikur pjepnat qarr që qaheshin në mëngjeseve të korrikut në Turjakë.  

… 

Sylës nuk i kujtohej se nga cili katund a fshat ishte podrimçakja, nga Potaqani, Pastasella, Polluzha apo Peqani vetëm e dinte se është podrimçake.  

Shkaku pse personazhin tim, qikën e panjohur ”podrimqake” ishte se Syla nuk ia dinte emrin e saj por ishte i sigurtë se ajo ishte nga një katund i Podrimjes, jo larg Rahoveci qendrër e njohur me Pazarin, me shtëpitë me gurë të gdhendut me daltë e të mbulluara me rrasa dhe rrugët e ngushta me kalldrem.  

Kryeqyteti i Podrimjes, Rahoveci ishte i njohur me rrushin, me venën e me rakinë, me pjeshkët që nuk dinte njeriu të ngihej, me ftonjët, bostanin, vojsat e pemët tjera që vetëm në Rahovec e katundet rreth Rahovecit e Suharekës ka pemë të shishme e të ëmbëla si shiqeri. 

 *) ÇIFÇI m. hist. 

Bujk pa tokë, që punonte një copë nga pronat e çifligarit dhe që mbante për vete vetëm një pjesë të prodhimit (në vendet me marrëdhënie feudale në prodhim; në të kaluarën edhe në Shqipëri). Familje çifçinjsh. Fshatarët çifçinj. Lufta e çifçinjve. Punonte tokën me çifçinj.  

*) OBORR m. 

  1. Vend përpara ose prapa shtëpisë, i rrethuar me mur a me gardh; shesh, zakonisht i shtruar me pllaka guri etj. ndërmjet dy a më shumë ndërtesave. Oborr i brendshëm. Oborr i shtruar. Oborri i shtëpisë (i shkollës). Oborret e ndërtesave. Oborr me lule. Muret (dera) e oborrit. Shtëpi me oborr. Rri në oborr.
  2. Familja kooperativiste me kopshtin që i lihet për përdorim vetjak dhe me bagëtitë, me kafshët e ngarkesës e me shpendët që mund të mbajë sipas statutit. Oborri kooperativist. Bagëtitë e oborrit.
  3. Pallati i mbretit a i perandorit së bashku me pjesët plotësuese; përmbi. tërësia e njerëzve të shtresave të larta që mban rreth vetes monarku, rrethi i ngushtë i mbretit a i perandorit. Oborri mbretëror (perandorak). Njerëzit e oborrit.

* E humb (e humbet) udhën në oborr 

  1. a) është hutaq i madh, ngatërrohet shpejt;
  2. b) s’është i zoti për asnjë punë, është fare i paaftë. Si në oborrin e vet lirisht pa frikë e pa druajtje. I zëntë oborri (shtëpia) bar! mallk. shih te BAR,~I I. Mos i shiko shkallët, por shikoji oborrin dikujt! fj. u. shih te SHKALL/Ë,~

*) Bujtës 

I m.sh. – 

Ai që kalon natën ose fle përkohësisht diku, ai që rri një natë a më shumë si mysafir te dikush, ai që vjen, për të bujtur; ai që rri disa ditë në një vend. 

spec. Ai që bëhet shtrat për diçka, mbartës. Bujtës ndërmjetës (përfundimtar) i larvave. … 

Bujtinë f.sh. – 

Hotel i vogël. Rashë në një bujtinë. 

Fjetore. Ushtarët dolën nga bujtinat.  

*) Bajgjake, nga Bojëgjak mb. –  

Që ka ngjyrë të kuqe të ndezur si të gjakut. Bluzë bojëgjake. 

E folmja Turjakës, thuhët “bajë-gjake”, “bojëgjake”, Kamaran (Komaran), Shaban Palluzha (Shaban Polluzha), aborr (oborr) 

 

Sinan Kastrati, 7 mars 2022 Malmö

Vazhdon 

Malmö, 19 maj 2023 

sinankastrati09@hotmail.com

Letër myslimanëve të Facebook-ut

2

Mehmet Kraja, shkrimtar, Prishtinë

Miqve të mi myslimanë të Facebook-ut kam një pyetjen për t’ua bërë: Çfarë mendoni të bëni me Kosovën? Nëse pandehni se Kosovën e keni bërë tashmë shtet islamik, mos e harroni kundërshtimin tonë (tash për tash të heshtur), sot dhe për tërë jetën.

1. Tashmë që mbaroi muaji i Ramazanit dhe festa e tij, Fiter Bajrami, iku pa kthim edhe për këtë vit, dua të bashkëbisedoj pak me miqtë e mi në Facebook, të cilët, siç mund ta merrni me mend, nuk janë të paktë dhe ndonjëri syresh, duke u nisur nga emri im thellësisht mysliman, ma uruan festën, duke më postuar ose ndonjë tepsi bakllava që nuk ma kënda, ose ndonjë faqe të Kuranit të shkruar arabisht, që nuk di ta lexoj. Para se t’i bisedoj me ju disa gjëra që më shqetësojnë, dua t’ju bëj disa pyetje miqësore: A ka mundësi të bisedojmë për disa gjëra rreth fesë, ose thënë më mirë rreth përdorimit të fesë në vendin tonë, pa fyerje, pa kërcënime, pa sharje?

Pra, a ka mundësi të hapim një dialog të civilizuar, t’i diskutojmë gjërat një për një, sepse më duket se mjaft më jemi fshehur nga njëri-tjetri. Kosova është shumë e vogël, për t’iu krijuar hapësirë përjashtimeve të këtilla. Ju, myslimanët e të gjitha proveniencave, as ju të Facebook-ut, nuk mund të më injoroni, nuk mund të thoni se nuk ekzistoj. Unë jam sekular, nuk jam ateist, më së paku në kuptimin komunist të kësaj fjale: nuk shaj Zotin, nuk e kam sharë fenë e askujt, shprehem me respekt për besimin e secilit. Por kam botëkuptime perëndimore (së paku kështu pretendoj unë) për shoqërinë, për laicitetin e shtetit, për lirinë e fesë dhe të besimit, për ekumenizmin fetar dhe për çdo gjë tjetër që lidhen me këto. Si unë besoj se ka edhe shumë të tjerë në Kosovë.

Madje, mos t’ju vijë keq nëse ju them se ne përbëjmë shumicën. Vetëm se, duke na bërë të zmbrapsemi, të tërhiqemi, të manifestojmë tolerancë dhe indiferentizëm, për të mos e çuar këtë Kosovë të shumëvuajtur në armiqësi të reja, për shkak të agresivitetit, për shkak të militantizmit, për shkak të radikalizmit, sekush ka krijuar idenë e gabuar se ju jeni shumicë në këtë vend. Por, edhe përkundër kësaj, edhe përkundër dijenisë se ne përbëjmë shumicën, nuk mund ta injorojmë faktin se ju, besimtarët myslimanë, ekzistoni dhe se jeni pjesë e rëndësishme e këtij vendi, pavarësisht në jeni myslimanë tradicionalë, të moderuar ose jo, fundamentalistë ose jo, vehabistë ose jo, besimtarë të vërtetë apo të manipuluar, predikues të besimit apo propagandues të ideologjisë fetare.

Sikundër që ne e dimë se brenda “kampit” tonë ka dënglaxhi (me një fjalë “pordhaxhi”) të të gjitha ngjyrave, edhe ju e dini se brenda “kampit” tuaj ka mercenarë, besimtarë sezonalë, të hurit dhe të konopit, maskarenj, horra, predikues të rrejshëm, blasfemues dhe heretikë, hajna dhe keqpërdorues, kriminelë recidivistë dhe ordinerë, të cilët fenë e kanë “azil” të përkohshëm ose të përhershëm, jo për t’i shpëtuar ndëshkimit qiellor, por për të gjetur një vend nën këtë qiell, për të mëkatnuar sa më shumë me kënaqësitë e kësaj bote. Pra, ju jeni dhe ne jemi; ju ekzistoni dhe ne ekzistojmë. A duhemi? Jo, nuk duhemi. A urrehemi? Them se jo, tani për tani. Por ne duhet të bashkëjetojmë me njëri-tjetrin, sepse ky është atdheu ynë i përbashkët, atdhe tjetër nuk kemi. (Më lejoni që këtu ta hap një parantezë dhe të shpjegoj, pse juve ju ndodhi kjo gjë, përse pra ju ndodhi që ambienti fetar i Kosovës, përveç që është strehë e besimtarëve të devotshëm, ka prirje gjithnjë e më të mëdha të bëhet azil njerëzish me vese të ulëta, me ambicie të sëmura dhe mendje të shthurura. Pse pra? Përse ju nuk mund t’i diferenconi këta njerëz nga radhët tuaja? Kjo nuk ndodh ngase feja është strehë e të gjithë “shpirtrave të bjerrë”, por thjeshtë për shkak se feja në vendin tonë tashmë ka filluar të bëhet ideologji.

Ju, brezi i ri i besimtarëve të Kosovës e bëtë këtë, ju myslimanët e Facebook-ut. Ju e nxorët fenë nga besimi, nga nevoja shpirtërore për të gjetur prehjen e amshuar, nga kërkimi i të lartësuarës dhe e kthyet në ideologji, në një korpus idesh pragmatike. Feja u bë ideologji dhe ideologjia nuk shërben për qëllime të lartësuara, për asgjë hyjnore, por për përfitime tokësore: në radhë të parë për rekrutim bashkëmendimtarësh për të arritur një qëllim.

Ju që jeni të rinj mbase nuk e dini, por ne më të moshuarit nuk e kemi harruar sesi ky vend, në të shkuarën jo aq të largët, u bë pre e një ideologjie; sesi një numër jo i vogël burrash dhe grash ia falën djallit jo vetëm shpirtin, por edhe kombin, idealet, çdo gjë, madje edhe fenë, për pragmatizmin më të shëmtuar që ka parë kjo botë. Në emër të një ideologjie (komunizmit) vëllai vrau vëllanë, shqiptarët bënë pakt me djallin dhe e sakrifikuan kombin. Pavarësisht se dallojnë së jashtmi, në esencë të gjitha ideologjitë janë të njëjta.)

2. Tani, kam një pyetje për të bërë, e cila kërkon përgjigje të qartë dhe pa ekuivoke; nuk kërkon aq shumë dritë të mendjes, sa gjerësi shpirtërore dhe paqe me njeriun dhe me Zotin: Çfarë do të bëni me Kosovën? Ku do ta çoni atë, në Lindje apo në Perëndim? Këtë ende nuk e keni thënë haptas. Por unë e di, ta zëmë, se çfarë mendoni për historinë dhe duke e ditur çfarë mendoni për historinë, nuk është vështirë të nxirret edhe projeksioni i të ardhmes. Ja, po ua numëroj disa pika, ku ne nuk pajtohemi:

1. Ju mendoni se shqiptarët nuk u konvertuan me dhunë në islam, se madje një numër syresh e përqafuan islamin edhe para pushtimit osman, nëpër rrugë të ndryshme, duke njohur dhe provuar superioritetin e kësaj feje;

2. Se duke u konvertuar në islam, shqiptarët në përgjithësi, por shqiptarët e Kosovës në mënyrë të veçantë, përveç që njohën vlera të një civilizimi të ri, ruajtën identitetin e tyre, pra i shpëtuan sllavizimit;

3. Se Skënderbeu nuk është hero kombëtar i të gjithë shqiptarëve, sepse ai luftoi për krishterimin dhe se luftërat e tij e dëmtuan pariparueshëm përparësinë numerike të shqiptarëve në Ballkan;

4. Se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës dhe kryengritjet e viteve 1908-1912 nuk synonin pavarësimin e shqiptarëve nga Perandoria osmane, por autonomi dhe mbajtjen e mëtejshme të kësaj perandorie në Ballkan etj.

Ju e dini se në këto shestime historike nuk jeni aspak origjinalë, se disa nga këto teza janë të historiografisë turke, të tjerat të historiografisë serbe dhe disa të tjera të arrivistëve më të vonë, të cilët, në emër të modernitetit, nuk lënë idhull pa shembur dhe shenjtëri pa nëpërkëmbur. Nuk mund të mos ju sjell në vëmendje se rreth këtyre tezave juve nuk ju ha meraku për histori, por për përthyerjen e tyre në aktualitetin e Kosovës.

Skënderbeu nuk thotë gjë për ju, kur fitoi dhe kur humbi në betejat me turqit, por identiteti perëndimor i shqiptarëve, i ndërtuar mbi historinë dhe mbi mitin e Skëndërbeut është ajo që ju ngatërron shumë punë. Vetëm se në këtë pikë hë për hë nuk mund të mateni me ne: ju nuk mund të bëheni një milion veta, për ta shkulur Skënderbeun nga sheshi i Prishtinës, sa u bëmë ne më 2001, për ta sjellë në atë vend. Krejt çka mund të bëni, mund të jetë ndonjë grafit fyes për Heroin Kombëtar, që dikush mund ta shkruajë fshehurazi, në ndonjë natë pa hënë dhe pa drita. Ju, myslimanë të Facebook-ut, mbase nuk e dini, por që afro dy shekuj e këndej, që nga Rilindja Kombëtare e prapa shqiptarët e kanë njohur në vazhdimësi një klasë shoqërore, një klasë politikanësh, një klasë intelektualësh, një klasë klerikësh fondamentalistë, të cilët donin t’i bënin shqiptarët islamikë dhe shoqërinë e tyre shoqëri lindore.

Nuk ia dolën dhe përsëri nuk do t’ia dalin, për arsyen e thjeshtë se shtetin e parë shqiptar në Ballkan, Shqipërinë, nuk e bëri Perandoria otomane (ndonëse e kishte një mundësi të tillë), as filozofia politike e orientit, as pushkallat e kaçakëve tanë, por e bënë fuqitë perëndimore, ashtu siç e bënë, copë e grimë dhe me një mijë e një paudhësi. Nuk ia dolën dhe përsëri nuk do t’ia dalin, sepse shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën, nuk e bënë dot armët e heronjve tanë, sado që përkulemi thellë ndaj sakrificës së tyre, por e bëri mbështetja e botës perëndimore.

Që dy shekuj e këndej orientalizma nuk bën gjë tjetër në këtë vend, përveç se përpiqet t’i ngatërrojë sa më shumë punët e shqiptarëve. Pra, ju, myslimanë të Facebook-ut, nëse pandehni se e keni bërë tashmë Kosovën shtet islamik, mos e harroni kundërshtimin tonë, sot dhe për tërë jetën.

3. Në këtë “matje forcash” shënova vetëm diçka, sa për t’ju thënë se çfarë e keni keq. Përveç historisë, unë ende nuk e di se çfarë mendoni për Kosovën reale, për Kosovën e këtyre ditëve, të këtyre muajve dhe të këtyre viteve. Ose i mbani në konspiracion të thellë pikëpamjet tuaja, ose nuk keni ide të qartë për këtë. Po përpiqem të dal nga ky tunel i errët, duke hapur me ju edhe një çështje: flirtin tuaj me dy kategori njerëzish te ne, me politikanët dhe intelektualët. Apo nuk është i juaji, është i palës tjetër. I kujtdo që të jetë, ju duhet ta dini se në prapavijën e flirtit tuaj me disa intelektualë me zulmë, ose i flirtit të tyre me ju, qëndron recidivizmi, tashmë i njohur dhe i provuar, me një ndryshim se në identitetin e tyre komunist-ateist shartuan orientalizmin e gënjeshtërt. E them të gënjeshtërt, sepse identitetet që ndërrohen si rrobat e stinës janë identitete kalimtare, të paqëndrueshme, false.

Ju, myslimanët e Facebook-ut, mund të ndiheni mirë që në radhët tuaja, sot më shumë se kurrë, keni profesorë universitarë, akademikë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë dhe njerëz të tjerë të kësaj sëre. Shumicën prej tyre unë i njoh dhe e di si kanë përfunduar në taborin tuaj. Disa kanë qenë spiunë dhe tani janë bërë myslimanë të devotshëm; disa kanë qenë ateistë dhe tani janë bërë myslimanë të devotshëm; disa nuk kanë njohur kurrë as Zot as fe dhe sot gjithashtu janë bërë myslimanë të devotshëm.

Politikanë dhe intelektualë, që sot flirtojnë me ju, kanë vetëm një gjë në mendje: të përfitojnë prej jush dhe të gjejnë mbështetje të kësobotshme për kotësinë e tyre prej intelektualësh dhe politikanësh. A e keni pyetur veten ndonjëherë, përse këta mashtrues detyrohen të mashtrojnë, pse një akademik detyrohet të gënjejë veten dhe ju për punën e identitetit lindor të shqiptarëve dhe pse një politikan detyrohet të flirtojë me ju për të fituar pushtetin, për të mbajtur pushtetin, për të bërë opozitën, apo për të gjuajtur me gurë institucionet? Ju mendoni se me këtë situatë keni fituar shumë. Nuk është e vërtetë. Keni humbur shumë, sepse keni bjerrë dhe keni shitur besimin e vërtetë për një fe ideologjike, për një fe përfituese. Ju në Kosovë nuk jeni faktor politik dhe nuk keni për t’u bërë kurrë faktor politik, vetëm jeni dhe do të jeni të përdorur politikisht.

Politikanëve të Kosovës ju duhet vetëm vota juaj, prandaj ju kurrë nuk do të bëheni subjekt i politikës, por vetëm objekt i saj. Ata ju gënjejnë, ata ju tallin, siç na gënjejnë dhe siç na tallin edhe neve. Por ju, më anë tjetër, i keni bërë një dëm shumë të madh këtij vendi: keni hapur mundësinë e përdorimit të “xhematit” për qëllime politike, për aleanca kërcënuese për demokracinë dhe për mbarësinë e këtij shteti. Më anë tjetër, ju mendoni se keni bërë ndonjë depërtim të rëndësishëm në fushën intelektuale, por e keni gabim. Ju vetëm i keni detyruar të këndojnë ilahi dhe të falën një sërë zorzopësh, që nuk lënë gjë pa bërë, për të zgjeruar tregun e përfitimeve të veta. Por ju duhet ta pyetni veten, pse në shoqërinë kosovare u bëtë hapësirë e përshtatshme, në të cilën gjetën vend gënjeshtra kaq pa shije. Pse aq lehtë i amnistoni politikanët tanë, veçmas disa syresh, kamionë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, varrëmihës të ardhmërisë suaj dhe të fëmijëve tuaj, vetëm pse agjërojnë, pse në ndonjë rast shtrijnë duart përpara dhe bëjnë sikur këndojnë dua?

A e kuptoni çfarë bëni, duke instaluar në shoqërinë kosovare këtë lloj amnistie? Shkatërroni vlerat, shkatërroni moralin, shkatërroni fondamentin e një shoqërie. Nëse mendoni se mund të nxirrni ndonjë përfitim nga flirti me politikanët, e keni gabim. E patë si ju gënjyen për fenë në shkolla? Ju pandehet se e fituat një betejë, se mësimi fetar u fut në edukimin shkollor. Dhe çfarë doli? Më keq se një tullumbace, që mund të tërhiqte vëmendjen nga demarkacioni, ishte një ndërrim tezash: nuk bëhej fjalë për mësimin fetar, as mësimin e fesë, por për mësimin për fenë. Nëse puna e demarkacionit ashpërsohet edhe më, në horizont mund të shfaqet edhe ndonjë gënjeshtër tjetër, që do të përpiqet t’ju implikojë edhe juve.

4. Ndërkaq, nëse mendoni se, viteve të fundit, keni bërë depërtim të rëndësishëm në Kosovë, se keni fituar hapësirë dhe keni krijuar ambient fetar më shumë se çdo herë tjetër, përsëri e keni gabim. Në pikëpamje të besimit, Kosova është aty ku ka qenë, as më pak as më shumë e devotshme, që respekton traditën e saj fetare, por në esencë është shoqëri laike dhe shtet sekular. Depërtimet e kohëve të fundit në fushën e fesë nuk kanë ndryshuar asgjë, përveç se kanë shtuar hamendësimet, dilemat, gënjeshtrat, retorikën, propagandën. Mentaliteti kosovar nuk ka ndryshuar, identiteti jo që jo.

Në këto 15-20 vitet e fundit janë ndërtuar shumë xhami me minare të larta, është ndërtuar edhe Katedralja në qendër të Prishtinës (unë e kam kundërshtuar, ju jo), por Kosova sërish dhe sërish ka mbetur ajo që ishte.

Ndonëse e kemi pasur ndihmën e pakursyer të fesë, për ta bërë një shoqëri më të moralshme dhe për ta bërë botën më të mirë, gjatë viteve të pasluftës si komunitet kemi degraduar jashtëzakonisht shpejt. Për këtë kemi merita të dyanshme. Derisa ju, myslimanët e Facebook-ut, keni krijuar iluzionin se në Kosovë nuk ka pasur kurrë kaq shumë besimtarë, nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që agjërojnë, nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që falin pesë vaktet, nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që shkojnë në xhami, nuk ka pasur kurrë më shumë vajza dhe gra të reja të mbuluara, nuk ka pasur kurrë më shumë burra dhe djem të rinj me pamje dhe veshje jotipike; në anën tjetër në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë amoralitet dhe kaq mungesë vlerash njerëzore, kaq shumë prirje kriminale dhe kaq shumë shfytyrim njerëzor, kaq shumë erozion të brendshëm dhe kaq shumë degradim kolektiv dhe individual.

Nuk ka pasur kurrë kaq shumë krim, drogë, prostitucion, trafikim, gënjeshtra, hajni, korrupsion, imoralitet, hipokrizi, gjë që bie në kundërshtim të thellë me frymën e përshpirtshme që kultivon secila fe dhe secili besim fetar. Në fund dua të kthehem sërish aty ku nisa, te muaji i Ramazanit. Ju, myslimanët e Facebook-ut, a keni menduar ndonjëherë si ndihemi ne që përbëjmë shumicën në këtë vend gjatë këtij muaji?

A e doni përgjigjen time të sinqertë? Si në Tetovë. Nëse e keni pasur për qëllim që kryeqytetin e një shteti, Prishtinën, ta shndërroni në provincë me identitet të nallash e dimish, mendoj se ia keni arritur. Por në fund të muajit, sapo erdh Bajrami, duhet të jeni ndjerë të zhgënjyer: nuk pat shumë fishekzjarrë, një numër kafenesh dhe dyqanesh nisën punë që në mëngjesin e ditës së parë të Bajramit, ndërsa një numër i madh i kosovarëve, te të cilët mund t’i keni varur shpresat, ua mësynë plazheve të Durrësit e të Shëngjinit, për t’u dukur po aq perëndimorë, siç duken të gjithë europianët e tjerë. Por nuk mund të mos e pranoj, se nga muaji i shkuar mbeti një shije e hidhur, e cila po përsëritet nga viti në vit: një atmosferë e imponuar fetare, një ambient i degraduar në pikëpamje civilizuese, e cila nuk të lë të zgjedhësh përkatësinë tënde fetare dhe besimin tënd.

Ju, myslimanët e Facebook-ut, a keni menduar ndonjëherë, përse njerëzit në Prishtinë, kur vjen iftari, i mbyllin dyqanet të gjithë me radhë, ikin nga rrugët, nga kafenetë dhe tërhiqen mënjanë. Mendoni se të gjithë agjërojnë? Kurrë, në asnjë rrethanë.

Ata thjeshtë i nënshtrohen një frike që vjen prej jush, sigurisht më shumë e supozuar dhe shumëfish e ekzagjeruar. A keni menduar, pra, pse njerëzit u dashkan të ndjejnë frikë, pse u dashka të ndihen të terrorizuar, vetëm pse nuk mendojnë si ju dhe nuk ndihen si ju?

5. Tani, radhën e keni ju.

Teuta Haxhijaj: Babë t’falenderoj deri n’përulësi, që ti bashkë me bacin Sejdi, jeni kanë kundërshtarët ma të mëdhenj për mos me u shpërngulë n’Turqi

0
Teuta Haxhijaj: Babë t’falenderoj deri n’përulësi, që ti bashkë me bacin Sejdi, jeni kanë kundërshtarët ma të mëdhenj për mos me u shpërngulë n’Turqi
___

Babë, sot në 88 vjetorin e lindjes tane, nuk due me t’thanë që “jam krenare se jam bija jote…, e faleminderit për krejt çka ke ba për neve…, as je baba ma i mirë n’botë…” dhe asnje nga këto fjalë t’thata por muj me t’thanë që detyrimin tënd prej babe e ke përmbushë shumë mirë.

Por ka shumë gjëra për t’cilat unë të jam mirënjohëse tanë jetën dhe e ndiej vetën me borxh me t’falendëru për to. E ndiej për borxh me t’thanë që mënyra e edukimit që ma ke bá pa bá dallim gjinije,tuj m’shty me guxu me gjetë dhe me ecë rrugës tem, m’ka ba kjo që jam e me qëndru ma e fortë se guri e druni para krejt asaj që perjetuam. 

Ndërsa ajo për të cilën unë t’kam borxh gjithë jetën dhe t’falenderoj deri n’përulësi, është fakti që ti bashkë me bacin Sejdi, jeni kanë kundërshtarët ma të mëdhenj nër 7 vllazën, për mos me u shpërngulë n’Turqi ani pse “vasikat” tashmë ishin të gatshme.

“O kanë viti 1951. Pushteti i at’hershëm na i pat konfisku 24 hektarë tokë e na e pat lanë veç nji hektar. Na i pat marrë krejt gjânë e gjallë përveç nji lope, na e pat marrë edhe kokrrën e fundit t’kollomoqit e t’grunit prej hamarit. N’vitin 1956 ishte aksioni i armëve, bacin Haxhi e bacin Sylë (dy vllaznit e mdhej) i patën shti n’burg, rreh e maltretu si krejt shqiptarët tjerë. Jemi kanë familje e madhe e n’sy t’keq t’pushtetit. T’lodhun me vite prej zullumit, patem vendosë me shku n’Turqi.

N’vitin 1966, bashke me bacin Qazim (kushëri i afërt i babës) dhe bacin Sylë (vëllau i dytë i babës) jemi shku n’Stamboll me kqyrë vendin ku me u vendosë. Me krejt bukuritë e veta, Stambolli nuk na pelqeu bash asnji fije. Po kujt i pelqen vendi i huej more babë?

E bash n’qato ditë, n’Stamboll, 4 turq e patën dhunu e mbytë Ajshe Rugovën, nji çikë t’re 16 vjeçare nga Rugova e Pejës. Qaty patëm vendosë që edhe n’u farofshim dej n’njo, e edhe n’koftë si desin thmija prej s’unti, mos me u shpërngulë. Bile i varrosim n’tokë tonë por nuk i bimë gra e thmi m’i shti n’gojë t’ujkut. Se anmik lejshim n’Kosovë e anmik gjejshim n’Turqi…”

Per këtë vendim që e keni marrë atëherë, unë ua di për nder gjithë jetën. Se përndryshe unë tash me siguri do të isha një Rejhan ose një Xhejlan por kurrë një Teutë. Se me siguri tash kishe folë me mue turqisht por kurrë n’ma t’bukurën gjuhë- gjuhën shqipe.

Urime ditëlindja e 88! Vazhdo me qëndru i fortë!

Me 19 maj 2023

Marre nga Facebook

Kryeministri Kurti në konferencën “Diaspora Flet”: Gjuha shqipe është çelësi i integrimit pa asimilim

Prishtinë, 19 maj 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mori pjesë në edicionin e tretë të konferencës “Diaspora Flet”, e organizuar nga organizata GERMIN me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. 

Në fjalën e tij Kryeministri Kurti, tha se diaspora shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës. 

Ai tha se brenda dyvjeçarit të parë të mandatit tonë kemi arritur t’i përfshijmë në diskutim mbi 20 qendrat kryesore ku jeton dhe vepron mërgata jonë. Gjithashtu, jemi angazhuar për të ofruar mënyra inovative për të përfshirë diasporën në proceset e hartimit të politikave duke u bërë pjesëmarrës aktiv në jetën e përditshme të vendit tonë. Andaj, në Qeverinë tonë ka ministria, ka zëvendësministra, këshilltarë e ekspertë të angazhuar, të cilët vijnë nga diaspora. 

Kryeministri Kurti u shpreh se po përmbushet edhe një zotim tjetër i qeverisjes për sa i përket procesit të votimit, i cili sipas tij parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit. 

Gjatë konferencës Kryeministri Kurti, deklaroi se bashkë me Shqipërinë, janë duke punuar te pjesa e mësimit plotësues, në veçanti ofrimi i librave për fëmijët, që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por edhe në planin e përbashkët për të adresuar sfidat e shumta që kemi për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit. Andaj, theksoi ai, këtë verë, në kuadër të Seminarit të Përbashkët të Gjuhës Shqipe, që do të mbahet në Shqipëri, theksi do të jetë te koncept-dokumenti për adresimin e sfidave që kemi para me mësimin plotësues të gjuhës jashtë vendit.

Forhåndsvisning av bilde

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Kurti, u shpreh se vetëm duke e njohur rëndësinë e diasporës për zhvillimin tonë ekonomik, social dhe politik, e duke trajtuar atë si një pasuri të çmuar po dhe burim për zhvillim të gjithmbarshëm, do të mund të ndërtojmë një shtet më të fortë e më të qëndrueshëm.

Kryeministri ftoi të pranishmit që të marrin pjesë aktivisht në diskutimet dhe shkëmbimet, që do të zhvillohen gjatë kësaj konference sot dhe nesër.

Forhåndsvisning av bilde

“Së bashku, do të punojmë që të kemi një ndikim afatgjatë në vendlindjen tonë dhe të lëmë mbrapa një trashëgimi të prosperitetit për brezat e ardhshëm. Nuk kemi përgjegjësi për botën të tillë çfarë e kemi gjetur, por kemi përgjegjësi për botën çfarë ua lëmë brezave që vijnë pas nesh, e për shkak se kemi përgjegjësi, le të jemi të përgjegjshëm”, tha Kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti pas kësaj konference, vizitoi panairin e bizneseve me pronare gra, që mbështetet nga GERMIN, e të cilat mentorohen nga diaspora.

Forhåndsvisning av bilde

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

Faleminderit Donika,

E nderuara zëvendësministre Gashi,

Të nderuar bashkë-drejtorë të GERMIN-it, znj.Bejtullahu dhe z.Krasniqi,

Të nderuar anëtarë të bordit të GERMIN-it, 

Të nderuar bashkatdhetarë,

Zonja dhe Zotëri,

Motra dhe vëllezër,

Të nderuar mysafirë, 

Unë jam i nderuar të flas para jush sot në edicionin e tretë të konferencës “Diaspora Flet”, një platformë kjo, e cila feston arritjet e shkëlqyera dhe potencialin e diasporës shqiptare. Janë platformat si këto, ato që na mundësojnë të forcojmë partneritetin me dhe në mes të diasporës për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit tonë, por njëkohësisht edhe për forcimin e diasporës kudo që ajo është. 

Diaspora shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës. Kontributi i diasporës ndjehet në të gjithë sektorët; nga sipërmarrjet dhe investimet, deri te transferimi i njohurive dhe filantropia. Me anë të punës suaj të palodhur dhe përkushtimit të pandërprerë për të ardhmen e përbashkët, diaspora është moti pasuri e çmuar e kombit tonë.

Forhåndsvisning av bilde

Ne e njohim mirë rolin dhe rëndësinë e angazhimit të diasporës në Kosovë. Por, edhe e vlerësojmë shumë potencialin e saj si një nga burimet kryesore për zhvillim. Andaj, jemi të përkushtuar në punën tonë ditore, për të zbatuar politika, të cilat e ndërlidhin rolin e diasporës jo vetëm si një pjesë të rëndësishme e identitetit tonë, por edhe si një forcë e jashtëzakonshme për ndryshimet, të cilat kanë filluar të marrin formë në Republikën e Kosovës. 

Në përputhje me këtë angazhim, qysh në fillim kemi promovuar “Dialogun me Mërgatën” si platformë për të diskutuar mundësitë, sfidat dhe kërkesat që kanë bashkatdhetarët tanë në të gjitha këndet e botës.  Brenda dyvjeçarit të parë të mandatit tonë kemi arritur t’i përfshijmë në diskutim mbi 20 qendra kryesore ku jeton dhe vepron mërgata jonë. Gjithashtu, jemi angazhuar për të ofruar mënyra inovative për të përfshirë diasporën në proceset e hartimit të politikave duke u bërë pjesëmarrës aktiv në jetën e përditshme të vendit tonë. Andaj, në Qeverinë tonë ka ministria, ka zëvendësministra, këshilltarë e ekspertë të angazhuar, të cilët vijnë nga diaspora. 

Aktualisht jemi drejt finalizimit të kornizës ligjore, e cila reflekton vlerësimin tonë të thellë për kontributin e diasporës. Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme po i japim fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës, për sa i përket votimit dhe po e përmbushim përfundimisht edhe një zotim tonin. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit. 

Po ashtu, në kuadër të reformës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, diaspora ndërlidhet direkt me punën, që bëjnë misionet tona nëpër vendet e ndryshme të botës. Por, risia do të jetë, që do të ketë personel të angazhuar direkt për çështjet e temat, që ndërlidhen me komunitetin tonë. 

Këto instrumente do të na mundësojnë të forcojmë lidhjet tona, të përmirësojmë bashkëpunimin dhe t’i japim diasporës fuqinë për të luajtur një rol edhe më të madh, gjithsesi meritor. 

Krahas ndryshimit dhe hartimit të ligjeve, gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi dizajnuar edhe programe autentike, sikurse ai “Shijo Kosovën” me fokus te ndërlidhja e pjesëtarëve të diasporës së re me vendin e origjinës përmes edukimit jo formal, ekskursioneve natyrore dhe kulturore. Po ashtu, programi për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional, e gjenerata e parë tashmë ka përfunduar angazhimin dhe në thirrjen e gjeneratës së dytë, për herë të parë do të ofrojë mundësinë, që diaspora jonë të angazhohet edhe në misionet diplomatike dhe konsullore pikërisht përmes këtij programi. Thirrja pritet të hapet javën që vjen.

Po ashtu, është duke u punuar intensivisht bashkë me Shqipërinë te pjesa e mësimit plotësues, veçanërisht tek ofrimi i librave për fëmijët, që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por edhe në planin e përbashkët për të adresuar sfidat e shumta që kemi për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit. Andaj, këtë verë, në kuadër të Seminarit të Përbashkët të Gjuhës Shqipe, që do të mbahet në Shqipëri, theksi do të jetë te koncept-dokumenti për adresimin e sfidave, që kemi para me mësimin plotësues të gjuhës jashtë vendit. Më tej, për të adresuar kërkesat e shumta që ka mërgata jonë, për herë të parë jemi duke dizajnuar një fond për diasporën me qëllim ofrimin e resurseve financiare për të bashkë-krijuar ide të reja dhe për të ofruar zgjidhje kreative për komunitete ku jetoni dhe veproni. Ky fond paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet dhe institutet për të adresuar objektivat kryesore në qasjen tonë për angazhimin, bashkëpunimin dhe bashkë-krijimin me mërgatën tonë. 

Po e theksojmë gjuhën shqipe, për shkak se besojmë që këtu është çelësi i integrimit pa asimilim, nëpërmjet mësimit të mirë të gjuhës shqipe, që nënkupton tekste të mira shkollore, gjuhësore, letrare në njërën anë dhe në anën tjetër mësimdhënës, mësues e arsimtarë të përgatitur profesionalisht, do të arrijmë që bashkatdhetarët tanë, fëmijët e tyre ta mësojnë mirë gjuhën shqipe dhe në këtë mënyrë edhe të arrijnë të integrohen suksesshëm, por në të njëjtën kohë edhe të mos asimilohen, por ta mbrojnë kulturën e të dy vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë. Pra, vendin e origjinës dhe atë të punës e të banimit. 

Një çështje tjetër e rëndësishme në kuadër të programit tonë qeveritar është themelimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Në qershorin e vitit të kaluar e kemi miratuar në mbledhje të Qeverisë, konspekt dokumentin, ndërkaq tash po e përmbyllë diskutimin publik, Projektligji për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, i cili më pas miratohet në Qeveri dhe sillet në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që edhe aty të diskutohet, të trajtohet para se të miratohet. 

Ideja e Fondit Sovran, është ide e kamotshme më saktësisht e vitit 2017 dhe që prej atëherë ne vazhdimisht e kemi theksuar dhe levruar atë.  Fondi Sovran synon që të kalojë një dinamikë të re në ekonominë e Republikës sonë, me ç ‘rast nuk do të kemi vetëm njerëz të pasur, por edhe do ta bëjmë edhe shtetin të pasur. Ekonomia në këto vitet e pasluftës, sidomos të pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë e shkapërderdhur duke iu nënshtruar qoftë keqpërdorimeve të fondeve publike apo edhe privatizimeve abuzive. 

Andaj, ne dëshirojmë ta ndërpremë këtë trend, le të themi trend centrifugal në ekonominë tonë, ta bëjmë centripetal. Ta bëjmë gravitetin e ekonomisë sonë. Ashtu që Fondi Sovran në njërën anë t’ia marrë ndërmarrjet publike Qeverisë, ndërkaq në anën tjetër asetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, që duhet të mbyllet, janë diku 24 mijë asete, ku përfshihen 42 mijë hektarë tokë bujqësore që duhet të mbrohen dhe ky Fond Sovran me një Bord të Drejtorëve dhe me një menaxhment ku presim që të vijnë sidomos nga diaspora jonë do të ishte drejtpërsëdrejti i lidhur me Kuvendin e Republikës. Pra, t’i përgjigjej Parlamentit, si organi më i lartë përfaqësues legjislativ i Republikës sonë demokratike. Me fjalë të tjera, ne po përpiqemi që ta zvogëlojmë Qeverinë, ta bëjmë atë më të shpejtë dhe në anën tjetër, ta rrisim shtetin e ta bëjmë atë më të fortë. Ne duam Qeveri më të vogël e më të shpejtë dhe shtet më të fortë e më të madh.  Fondi Sovran është reforma kryesore në ekonominë, e cila e mundëson, po mund të them edhe e garanton një gjë të tillë. 

Në vazhdim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me siguri që do të prezantojë edhe më në detaje të gjitha ndryshimet, të cilat janë duke marrë formë në kuadër të qasjes tonë të re për diasporën, e për këtë person më kompetent në kabinetin tonë qeveritar se sa zëvendësministrja, Liza Gashi, nuk ka. Unë nuk njoh njeri që njeh më shumë bashkatdhetarë në diasporë se sa Liza Gashi. Nuk po them që nuk ekziston një person i tillë, por ja që unë nuk e njoh. 

Vetëm duke e njohur rëndësinë e diasporës për zhvillimin tonë ekonomik, social dhe politik, e duke trajtuar atë si një pasuri të çmuar po dhe burim për zhvillim të gjithmbarshëm, do të mund të ndërtojmë një shtet më të fortë e më të qëndrueshëm. 

Ju ftoj të merrni pjesë aktivisht në diskutimet dhe shkëmbimet, që do të zhvillohen gjatë kësaj konference sot dhe nesër. E së bashku, do të punojmë që të kemi një ndikim afatgjatë në vendlindjen tonë dhe të lëmë mbrapa një trashëgimi të prosperitetit për brezat e ardhshëm.

Forhåndsvisning av bilde

Nuk kemi përgjegjësi për botën të tillë çfarë e kemi gjetur, por kemi përgjegjësi për botën çfarë ua lëmë brezave që vijnë pas nesh, e për shkak se kemi përgjegjësi, le të jemi të përgjegjshëm. 

Ju faleminderit. 

Më shumë foto gjeni në linkun si më poshtë:  

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/kryeministri-kurti-ne-konferencen-diaspora-flet-gjuha-shqipe-eshte-celesi-i-integrimit-pa-asimilim/

Rreth rastit të tenistit të njohur serb Gjokoviq dhe Dioqezës së Rashkës e Prizrenit

0

Gani I. Mehmeti 

Sa interesant janë këta serbët!  

Sa herë iu duhet atyre, “lusin” Zotin! Po kur nuk iu duhet për vete, janë kundër  Zotit – aq shumë janë të lidhur këta me Zotin! 

Ai që e do Zotin, është gjithmonë me të, jo vetëm kur ka nevojë.  

Që nga paslufta, serbët e kanë bollokuar Urën e Ibrit dhe pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve brenda shtetit të Kosovës.  

Sa herë kanë dëshirë ata, mbushen rrugët me barrikda dhe pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve! 

Sa e sa herë kanë penguar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Serbi! 

Shumë herë janë kthyer edhe politikaj klosovarë nga Serbia dhe nuk i kanë lënë të shkojnë në Beograd, a ishte pengesë e lëvizjes së lirë të njerëzve kjo, apo unë po e kam gabim? Rasti më i ri është i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bisnik Bislimi, të cilin e kthyen pothuaj nga Beogradi, pse nuk kishte “siguri”. 

Sa janë burgosur e mbahen në paraburgim në Serbi shqiptarët, vetëm pse janë shqiptarë? 

Dhe tani, kur iu ndaluaka Gjokoviqit hyrja në Kosovë, edhe Dioqeza iu “lutka” Zotit: “Lusim Zotin që kjo çështje të zgjidhet në përputhje me të drejtën e lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve dhe lirinë fetare të të gjithëve, sepse nuk ka arsye ligjore për ndalimin e hyrjes së z. Gjokoviq, i cili vlerësohet si sportist nga shumë shqiptarë të Kosovës”, thekson reagimi i tyre. 

Me këtë, ata kërkojnë lëvizje të lira selektive sipas njerëzve të  tyre për të drejtën e lëvizjes së lirë të të “gjithë qytetarëve” dhe lirinë fetare të të gjithëve…por se kur ata ndalojnë shqiptarët, bazohen në të “drejta” ligjore për ndalimin e hyrjes së shqiptarëve në Serbi! 

Kush i priu i pari në pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, serbët apo shqiptarët?   

Dhe Gjokoviqit duhet t’i ndalohet hyrja në Kosovë, për arsye të shprehjes armiqësore të tij me popullin e Kosovës. 

Vetëm serbët duhet të lëvizin lirshëm, për të tjerët nuk ka nevojë, pse nuk janë serbë! 

Qeveria e Kosovës tallet dhe diskriminon pensionistët e pas viteve të nëntëdhjetenënta!

0

Zeqir Bekolli, shkrimtar, Prishtinë  

Vitin e shkuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pat nënshkruar plotësim-ndryshimet për Ligjin për Skemat Pensionale të Republikës së Kosovës. Pas këtij nënshkrimi u dha premtimi se në muajin maj apo qershorin e vitit që shkoi do të miratoheshin ato ndryshime në Kuvend. Ky premtim nuk u përmbush për faktin se shumica në Kuvend, nuk i miratoi ato  me arsyetime të pa bindshme.  

Kjo çështje më vonë u bë edhe temë shqyrtimi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila në dhjetor të vitit të shkuar e hodhi poshtë Ligjin diskriminues me të cilin shumë punëtorëve të pensionuar, pas viteve 1999, nuk iu njoh pensioni kontributdhënës, me sugjerimin që kjo çështje duhet të rregullohet deri më 15 korrik të vitit 2023.  

Edhe pse po i afrohemi kësaj date, ende është e pa qartë se a do të përmbushet obligimi i Gjykatës Kushtetuese edhe kësaj here apo jo.  

Një njohës i rrethanave të kësaj fushe foli për dilemen se, Qeveria sikur po menduka që këtë çështje ta shtyjë për vitin e ardhshëm 2024! Sa është e vërtetë kjo do ta presim 15 korrikun. E nëse ndodhë kjo, vërtetë ndaj shtresës që u përzunë nga puna nga Serbia, por edhe atyre që punuan si në rastin e gazetarëve të “Bujkut”/”Rilindjes/ po bëhet një diskriminim i madh.  

Bie fjala punëtorëve të arsimit iu njohen vitet e punës nën pushtim, kurse gazetarëve e punëtorëve të “Rilindjes”, që ishin aktiv, jo!  

Madje kohëve të fundit, pensionistëve të arsimit Qeveria ua paska rritur edhe pensionet. Shtrohet pyetja:-Kush paskan qenë punëtorët e”Bujkut”/”Rilindjes”/ dhe pse këta po diskriminohen në këtë mënyrë? Apo Qeveria, si qeveritë e më hershme, ka filluar të mendojë vetëm për vota e nuk po qanë kokën për interesin qytetar. Kjo u vërtetua edhe me 20 përqindëshin me të cilin është duke i “terrorizuar” punëtorët e “Rilindjes”. Çka të themi pos konstatimit se edhe këta nuk ndryshojnë shumë nga ata. 

Rikthimi i Gjeopolitikës: Ramabaja ndërmjet idealizmit shqiptar dhe realizmit ndërkombëtar

Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi*, Prishtinë

“Rikthimi i Gjeopolitikës” nga Dr. Ramabaja është i domosdoshëm që të lexohet nga të gjithë ata që janë të përkushtuar për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë në skenën botërore. Ky libër duhet të jetë element kryesor në zyrat dhe tavolinat e diplomatëve dhe ambasadave të Kosovës dhe Shqipërisë. Vështrimet e përfshira në faqet e tij do të ndihmojnë shumë në largimin e çdo dyshimi dhe dileme të vazhdueshme që mund të kenë këta diplomatë për rolet e tyre në diplomaci dhe përfaqësimin e interesave shqiptare në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në përballje të sfidave të vazhdueshme të paraqitura nga Serbia. Duke ndriçuar peizazhin kompleks gjeopolitik të rajonit, ky libër do t’i fuqizojë ata që e lexojnë të jenë më efektivë dhe më me ndikim në punën e tyre.
“Federata Shqiptare përballë ‘Botës serbe’” është pjesa ku studiuesit shqiptarë dhe politik-bërësit shqiptarë duhet ta marrin si model i cili mundëson ruajtjen e interesave shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Kjo lloj federate hyn në vargun e modeleve të llojit të rilindësve shqiptar të cilët ofruan modele për krijimin e Shqipërisë, dallimi i vetëm është se sot kemi dy shtete shqiptare ku interesin e tyre profesor Ramabaja dëshiron ta mbrojë nëpërmjet një federate shqiptare e cila do përballej me politikat ekspansioniste sllave të cilat janë në të vërtetë ekspansion ruso-serb.
Profesor doktor Sadri Rambaja ka punuar gjatë që ta bëjë librin sa më të kompletuar, në 7 kapitujt e tij ai çështjes shqiptare nuk i shërben vetëm me Ballkanin Perëndimor, por ai studion gjerësisht dhe thelbësisht edhe tema të cilat ndryshe quhen edhe diplomaci mbi tehun e thikës.
Krijimi i modeleve të ndryshme politike shtetërore është një proces kompleks dhe i shumanshëm dhe këtë autori e njeh në qasjen e tij ndaj analizës së këtyre çështjeve.
Në kapitullin IV: Ukraina midis Perëndimit dhe Lindjes, autori merr një qasje gjithëpërfshirëse dhe shumë-perspektive për të kuptuar peizazhin politik në Ukrainë. Duke marrë në konsideratë faktorët historikë, kulturorë, ekonomikë dhe gjeopolitikë në lojë, autori ofron një kuptim të hollësishëm dhe të thellë të sfidave dhe mundësive me të cilat përballet Ukraina ndërsa lundron midis ndikimeve të saj perëndimore dhe lindore.
Ky lloj i qasjes multidisiplinare është kyç për të kuptuar çështjet komplekse politike dhe faktorët që formojnë modelet politike të shtetit. Duke marrë parasysh faktorët e ndryshëm kulturorë, ekonomikë, historikë dhe gjeopolitikë, autori ofron një kuptim gjithëpërfshirës të dinamikës së zhvillimit politik të shtetit, sfidave dhe mundësive me të cilat përballen vende të ndryshme në kërkimin e tyre për stabilitet dhe prosperitet.
Në përgjithësi, qasja e autorit ndaj analizës së modeleve politike shtetërore demonstron njohjen e tyre, të kompleksitetit të këtyre çështjeve dhe angazhimin e tyre për të ofruar një kuptim gjithëpërfshirës dhe me shumë perspektiva të peizazhit politik.
Teoria realiste e marrëdhënieve ndërkombëtare mund të shihet në ngjarjet e diskutuara nga profesor Ramabaja në Kapitullin III: Shqiptarët vs. serbët dhe BE-ja, ashtu edhe në Kapitullin VII: Demokracia deliberale dhe oligarkia.
Realizmi është një perspektivë dominuese në studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe ai mendon se aktorët kryesorë në sistemin ndërkombëtar janë shtetet dhe se ata janë të motivuar nga interesi dhe fuqia e tyre personale. Në kontekstin e Kapitullit III: Shqiptarët vs serbët dhe BE-ja, sjellja e serbëve mund të kuptohet si e nxitur nga interesat e tyre vetjake dhe nga ndjekja e pushtetit në rajon. Në mënyrë të ngjashme, përfshirja e BE-së në konflikt mund të shihet gjithashtu si e motivuar nga interesi i tyre vetjak dhe dëshira e tyre për të ushtruar ndikim dhe për të ruajtur stabilitetin në rajon.
Në Kapitullin VII: Demokracia deliberale dhe oligarkia, perspektiva realiste mund të shihet në idenë se aktorët e fuqishëm, si oligarkët, i japin formë procesit politik dhe vendimmarrjes, ndërsa grupet e margjinalizuara janë të përjashtuara nga procesi. Kjo përputhet me nocionin realist se shtetet, ose në këtë rast, aktorët e fuqishëm, veprojnë në interesin e tyre vetjak dhe ushtrojnë fuqinë e tyre për të arritur qëllimet e tyre.
Në përgjithësi, perspektiva realiste ofron një kornizë të dobishme për të kuptuar sjelljen e shteteve dhe aktorëve të fuqishëm në sistemin ndërkombëtar, si dhe motivimet dhe objektivat e tyre në ndjekjen e pushtetit dhe ndikimit.
Në kapitullin V: Demokracia liberale dhe fashizmi modern, profesor Ramabaja shfaq një kuptim të thellë të teorive të demokracisë dhe se si ato lidhen me zhvillimet gjeopolitike.
Demokracia është një koncept kompleks dhe i shumanshëm dhe ka shumë teori të ndryshme rreth asaj se çfarë përbën një sistem demokratik. Në këtë kapitull, profesor Ramabaja është në gjendje të japë një analizë të nuancuar dhe të thellë të demokracisë liberale dhe marrëdhënies së saj me fashizmin modern, duke nxjerrë në pah faktorët politikë, ekonomikë dhe socialë që kontribuojnë në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve demokratike.
Për më tepër, aftësia e profesor Ramabajes për të integruar teoritë e demokracisë me zhvillimet gjeopolitike tregon ekspertizën e tij në analizat transdisiplinare. Duke kombinuar shkencat politike, ekonominë dhe gjeografinë, ai ofron një kuptim gjithëpërfshirës të dinamikës së demokracisë dhe marrëdhënies së saj me politikën ndërkombëtare. Ky kombinim i njohurive dhe analizave lejon një kuptim më të thellë të sfidave dhe mundësive me të cilat përballen sistemet demokratike në botën moderne dhe se si ato janë formësuar nga tendencat dhe ngjarjet globale.
Në përgjithësi, ekspertiza e profesor Ramabajes në teoritë e demokracisë dhe aftësia e tij për t’i integruar ato me zhvillimet gjeopolitike e bën atë një burim të vlefshëm për këdo që kërkon të kuptojë kompleksitetin e demokracisë dhe marrëdhëniet e saj me botën e politikës ndërkombëtare.
Rambaja në përvojën e vet akademike dhe politike ka arritur të kap rëndësinë e ngjarjeve të cilat duhet të vlerësohen si të pakalueshme për studim, në këtë mënyrë e ka bërë të pakalueshëm edhe librin e tij për studiues dhe politik-bërës.
Profesor Rambajen në gjithë kapitujt e librit e gjejmë si një teoricien realist, strategjist shqiptar, idealist shtetëror dhe pragmatist politik.
Gjatë leximit të librit të profesor Rambajës, e kuptojmë se me sa elokuencë dhe zhdërvjelltësi i ndjek dhe i analizon ngjarjet në nivel rajonal dhe global.

*Autori është doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe histori e diplomacisë.

Chicago Sunday Tribune (1928) / Intervista me Faik Konicën, një nga këshilltarët më të besuar të Mbretit Zog : “Ratifikimi i traktave me SHBA-në, dënimi i skllavërisë, shpërbërja e pronave mbi 25 hektarë, lufta kundër malaries…”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Maj 2023 

“Chicago Sunday Tribune” ka botuar, të dielën e 23 dhjetorit 1928, në faqen n°15, intervistën ekskluzive me Faik Konicën mbi arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e Mbretit Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Mbreti Zog dënon skllavërinë midis popullit shqiptar

Harton projekt-ligj për të shpërbërë pronat e mëdha

Burimi : Chicago Sunday Tribune, e diel, 23 dhjetor 1928, faqe n°15

Burimi : Chicago Sunday Tribune, e diel, 23 dhjetor 1928, faqe n°15

Nga David Darrah

(Shërbimi për shtyp i Chicago Tribune)

Tiranë, Shqipëri, 22 dhjetor — Një skicë optimiste e së ardhmes së Shqipërisë nën Mbretin Zog I është dhënë sot nga Faik Bej Konica, ministri i Shqipërisë në Uashington. 

Ministri Konica është një nga këshilltarët më të besuar të Mbretit Zog. Ai u kthye nga Uashingtoni një muaj më parë duke sjellë traktatin anti-luftë të Kellogg-ut dhe disa traktate të tjera miqësie dhe arbitrazhi midis republikës më të madhe në botë dhe mbretërisë më të re dhe më të vogël të Ballkanit. Këto traktate do të ratifikohen brenda pak ditësh nga parlamenti shqiptar prej pesëdhjetë e shtatë ligjvënësish. 

Ministri Konica pret që të gjitha marrëveshjet e ish-republikës me Shtetet e Bashkuara të respektohen nga mbretëria aktuale e Zogut. Ai do të kthehet në Uashington javën e ardhshme me këto pakte të ratifikuara. 

Do të shpërbëjë pronat e mëdhaja 

Mbreti Zog është burrështetasi më i mençur dhe më i aftë që ka pasur Shqipëria dhe kapaciteti i tij për të punuar në mënyrë të vazhdueshme për orë të tëra rivalizon atë të kryeministrit Musolini, sipas ministrit Konica. 

“Mbreti po vepron me aq energji sa duhet këtu,” tha ai. “Ai po i kushton vëmendjen e tij veçanërisht politikave të brendshme për rindërtimin dhe europianizimin e mbretërisë. Reforma më e gjerë dhe revolucionare e këtyre reformave të parashikuara sapo është paraqitur para Kuvendit të Shqipërisë në mesazhin e kurorës.” 

“Mbreti propozon të shpërbëhen të gjitha pronat e mëdha të zotëruara nga bejlerët e fuqishëm dhe trazues, dhe me ligj do të parandalojë këdo që të zotërojë më shumë se njëzet e pesë hektarë tokë. Mbreti do të japë shembullin duke sakrifikuar pronat e tij të mëdha dhe zotërimet e familjes së tij, në mënyrë që tokat e tij të mos kenë një sipërfaqe prej më shumë se njëzet e pesë hektarë. Këto toka do i kalojnë shtetit. Shteti zotëron tashmë gjysmën e tokës në Shqipëri, dhe pas kësaj reforme do të zotërojë dy të tretat.” 

Do të shfuqizojë robërinë 

“Kjo reformë do të ndikojë në shfuqizimin e gjendjes së robërisë në të cilën jetojnë sot fshatarët e Shqipërisë, ashtu siç bënin dikur në mesjetë dhe nën zgjedhën turke. Gjithashtu mund të kultivohet shumë më tepër tokë. Të gjithë anëtarët e legjislaturës duke qenë pronarë tokash, reforma mund të ndeshet me kundërshtime, por Madhëria e Tij është serioz dhe i ka thënë trupës ligjvënëse se nëse nuk kalon projektligjin e reformës, ai do ta shpërndajë atë dhe do të formojë një legjislaturë tjetër.” 

Ky hap që po ndërmerret tani nga mbreti është propozuar disa herë më parë nga ish-qeveritë reformatore, por nuk është realizuar kurrë për shkak të kundërshtimit të fuqishëm të bejlerëve të pasur. Ka të ngjarë të ketë një rëndësi politike në aspekte të tjera, sepse bejlerët miratuan aleancën italiane me idenë e pjesshme se Italia do ta frenonte mbretin në përpjekjet për të zvogëluar zotërimet e tyre. Kështu, në një mënyrë më të vogël, problemi i Mbretit Zog këtu në mbretërinë e prapambetur është i njëjtë me atë të mesjetës kur mbretërit kishin të bënin me baronët e fuqishëm e të pabindur. 

Ministri Konica tha se aleanca italiane po funksionon mirë për interesat e Shqipërisë. Italianët po bashkëpunojnë dhe po i mbajnë aktivitetet e tyre në mënyrë rigoroze brenda kufijve të aleancës, tha ai. 

Shqipërisë i duhet kapitali 

“Shqipëria ka nevojë mbi të gjitha për kapital dhe shërbime teknike për shfrytëzimin e pasurisë dhe rindërtimin e saj”, vazhdoi ai. “Ne kemi nevojë për para për të tharë (drenuar/kulluar) zona të mëdha të cilat janë kënetore dhe malariale, dhe shpresoj që kapitali amerikan, i cili tani është kaq i bollshëm, mund të merret për këtë qëllim. Ka një përshtypje të gabuar jashtë shtetit se italianët kanë monopolin e shfrytëzimit ekonomik të Shqipërisë. Është e vërtetë që kemi një kredi italiane prej 50.000.000 frangash ari ($10.000.000), por nga ana tjetër kapitali në Bankën Kombëtare Shqiptare të krijuar dy vite më parë ka kontribues francezë, zviceranë dhe çeko-sllovakë. Krahas kësaj mund të krijohen banka të tjera ndihmëse kreditore pa shkelur kushtet e traktatit.” 

Në vijim të planeve të tij për të marrë ndihmë të huaj në punën e mirëqenies në Shqipëri, Ministri Konica, në kalimin e tij në Romë, do të takohet me një agjent të fondacionit Rockefeller. Ai po përpiqet të krijojë një fondacion këtu për të luftuar malarien. 

“Përmirësim i madh është bërë tashmë,” tha ai. “Në shenjë europianizimi, mbreti i ka ndaluar zyrtarët e shtetit të mbajnë qeleshe”.

* Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania,  https://www.darsiani.com/la-gazette/chicago-sunday-tribune-1928-intervista-me-faik-konicen-nje-nga-keshilltaret-me-te-besuar-te-mbretit-zog-ratifikimi-i-traktave-me-shba-ne-denimi-i-skllaverise-shperberja-e-pronave-mbi-25-hektare-lufta-kunder-malaries/.