Kreu Blog Faqe 1059

Revolta antikomuniste në Gulagun shqiptar të Spaçit – 50 vite më parë

Nga Frank Shkreli 

  • “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” 

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”!?  Ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit.  21 Maji, 2023 shënon 50-vjetorin e Revoltës Anti-Komuniste, në njërin prej burgjeve më të tmershme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, një revoltë që ka filluaar (me 21 Maj, 1973) dhe zgjatur 3 ditë rrjesht. Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi — Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf — françeskani i madh shqiptar, i cili vuajti vet dënimin në burgjet e Enver Hoxhës, përfshir Spaçin, e ka kujtuar kështu burgun e Spaçit pas revoltës anti-komuniste të burgosurve kundërshtarë të regjimit enverist: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllevërve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.” 

At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij, të cilët i kishte takuar në burg: “Me 21 Maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!” Pas asaj thirrjeje dëshpruese nga Pal Zefi për liri, demokraci dhe për dinjitet e moral njerëzor, At Zef Pllumi, ka kujtuar kështu fillimin e revoltës anti-komuniste, 50-vjetë më parë:   

“Është çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut — pa yllin komunist — duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mend, revolta u shtyp me dhunë e gjak”, ka shkruar At Zef Pllumi. 

Përfundimi tragjik i shtypjes së revoltës ishte: 4 nga të burgosurit janë dënuar me pushkatim, 8 të burgosur janë ri-dënuar me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë janë arrestuar dhe rigjykuar. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.  

Prandaj, 21 Maji, 2023, dita e revoltës anti-komuniste në Spaç – dita e vrasjeve dhe e terrorit — sigurisht që duhet të jetë për të gjithë një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për secilin. Ata u vranë në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor, njerëz të thjeshtë që dëshironin lirinë dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut. Në këtë 50-vjetor, e gjithë shoqëria shqiptare, shteti dhe qeveria, do duhej të reflektonin seriozisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për viktimat e revoltës anti-komuniste në Spaç dhe për mijëra viktima të tjera të pafajshme të regjimit komunist në kampet e përqendrimit. anë e mbanë Shqipërisë, për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Dëshironi të bindeni për dështimet fatale dhe për krimet barbare të komunizmit ndër shqiptarët, në këtë 50-vjetor, shkoni në Spaç e shikoni për veten tuaj dhe reflektoni. Por jo vetëm në Spaç — Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf  –Lekë Pervizi, dëshmitari i kampit komunist të terrorit dhe vdekjes në Tepelenë.  

Nostalgjikëve modestë të komunizmit të Enver Hoxhës por edhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë, të cilët ende dëshirojnë të na bindin se jeta e shqiptarëve nuk ishte aq e keqe nën komunizëm dhe se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë — unë u bëjë thirrje që të shkojnë e të vizitojnë Spaçin në këtë 50-vjetor dhe para Kombit shqiptar dhe botës –  t’i përgjigjen kushtrimit të Pal Zefit nëse – “ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!?—duke marrë vendime dhe masa konkrete zyrtare që tregojnë se po ka ende shqiptarë që mbrojnë nderin e shqiptarit, qoftë edhe 50-vjet më vonë!  

Ishte aty në Spaç, në vendin e krimeve, abuzimeve dhe vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, ku për herë të parë u hoq ylli komunist nga flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Ka shumë njerëz që thonë se shqiptarët nuk rezistuan kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Unë nuk besoj se mund të thuhet se shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin. Dëshmojnë ndryshe, revolta e Spaçit dhe Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera.  Me dhjetëra mijëra revolta shqiptarësh individualë gjatë pothuaj gjysmë shekulli komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm — gjyq e pa gjyq – duke i dërguar në dhjetëra burgje e kampe të punës anë e mbanë Shqipërisë, vetëm se kundërshtonin regjimin komunist të Hoxhës dhe se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore.  Burgjet dhe kampet ishin plot e përplot me shqiptarë të tillë anti-komunistë, deri në ditët e fundit të atij regjimi.   

Kështu që nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë as viktimat e komunizmit, heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të Spaçit. Ajo që ka munguar në këto tre dekada “post-komunizëm” është, kujtimi i vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste nga mbarë klasa politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste evropiane. Urojmë që ky 50-vjetor i revoltës anti-komuniste të Spaçit të kujtohet me nderime dhe respekt për të gjithë heronjtë e kombit që dhanë jetën e tyre për të vërtetën historike, për një Shqipëri të lirë e demokratike, pro-perendimore. Në lidhje me këtë 50-vjetor, të pakën deri tani është njoftuar se do mbahen dy ceremoni për të kujtuar revoltën e Spaçit. Të Mbijetuarit e diktaturës, pjesmarrës të Revoltës Antikomuniste të Spaçit dhe “Unioni Mbarëkombetar i Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me pjesmarrjen dhe kujdesin e Shkëlqesisë së tij Presidentit të  Republikës, Zotit Bajram Begaj do zhvillojnë ceremoninë e përkujtimit në kampin çfarosës të Spaçit me 21 Maj, 2023, ora 11:00 para dite. Ndërkohë, është njoftuar se me19 Maj, 2023 në orën 10:30 para dite, në Selinë qendrore te Partisë Demokratike, Tiranë do mbahet gjithashtu një ceremoni përkujtimore kushtuar 50- vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit.   

Shumë mirë që të pakën kujtohet ky përvjetor i hidhët I historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri.  Por duhet bërë më shumë në lidhje me denoncimin e krimeve të komunizmit, në përputhje me vendimet ish-komuniste evropiane, sot aleate të Shqipërisë në NATO. Vazhdimisht kam shprehur dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë sadopak në këtë fushë, zakonisht, ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane dhe asaj suedeze në Tiranë dhe jo rezultat i dëshirës së klasës politike shqiptare, “post-komuniste” për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u distancuar njëherë e mirë nga periudha vëllavrasëse komuniste. Faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare të të gjitha qeverive të këtyre 30-viteve. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të periudhës së të ashtuquajtur tranzicion nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e duhur dhe të nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës.  

Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, pret në këtë 50-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, që më në fund, t’i përgjigjet vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes dhe kushtrimit të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 50-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” – Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie të lirë e demokratike, për të vertetën historike, për drejtësinë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim.  Ka ardhur koha që ashtu siç u hoq ylli komunist nga Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbe në revoltën anti-komuniste të Spaçit 50-vjet më parë, të shembet edhe “muri ideologjik i berlinit” midis shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë. Dyertë e ferrit komunist si ato të kampit të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! Pajtim e paqë midis shqiptarëve! 

Iso-polifonia labe përballë kakofonisë shqiptare për Origjinën 

0

Pirro Prifti, Tiranë 

Dihet se Iso-polifonia popullore shqiptare, është shpallur “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO me datë 25 nëntor 2005, e cila është një ditë historike për mbarë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve por dhe për vetë Shqipërinë. Në këtë ditë “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, fakt që u kumtua në të gjitha mediat e botës nga Dr. Koichiro Matscura, Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris. Për të dalë me këtë vendim, Juria Ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, shqyrtoi mbi 60 kandidatura të propozuara për t’u përfshirë në listën “Kryevepër e njerëzimit”, propozime të bëra në rrugë zyrtare nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës duke plotësuar dosjet dhe kriteret e shpallura për këtë qëllim (Iso-polifonia shqiptare – Ëikipedia). 

Kjo është një nga gjërat më të arritura dhe më të vlerësuara nga UNESKO.  

Por UNESKO nuk e di se zhurma pas shpalljes Kryevepër botërore  të Isopolifonisë labe vazhdon në Shqipëri se kushe ka meritën për këtë Fitore, Shoqatat apo individët si Vasil Tole apo Kristo Mërtiri apo ndonjë tjetër. Kjo zhurmë kakofonikë mbatet e lidhur edhe për origjinën e iso-s labe nga Sirenat e Homerit apo nga iso e Këngeve kishtare të ritit bizantin. 

Ky debat aspak iso-fonik, për iso-polifoninë labe, duhet parë në kontekstin  e argumentave  historike sesa në kontekstin mitologjik. Intersante është fakti që `Pleqërishtja` apo iso  (isos – i njëjtë) labe, e quajtur isopolifoni është e lashtë por nuk mund të ketë lidhje direkte me Sirenat e përshkruara në original nga Homeri tek Poema Odisea. Argumenti është tek vetë biseda e Çirçes e cila i thotë Uliksit: 

“Tani dëgjo se çfarë do tthem, një ditë ti kujtofshin hyjnitë fjalët e mia. 

Afër sirenash ju do të kaloni. 

Kujtdo ato mendjen e kresë ia marrin, 

Por është i marrë kush ndalet të dëgjojë  

Këngën e tyre tëmbël. Ai sdo shohë 

Askurrë atdhe me sy: as grua, as fëmijë 

Nuk do ta presin me gëzim kur tkthehet, Se me zërin e tyre aq tkulluar, 

Sirenat të magjepsin krejt…..“ (https://shqip.info/odiseja-dhe-sirenat-grishje-drejt-viseve-iso-polifonik/). Sipas Vasil Toles në studimin e tij “Odiseja dhe Sirenat`, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit” , tërheq vëmendjen e lidhjes që ekziston mes vajtimit dhe praktikave të varrimit me tuma tek ilirët dhe epiriotët, ku mendohet se duhet kërkuar edhe fillesa e poezisë së lashtë gojore. Një skemë e tillë, e mirë strukturuar, sigurisht që tregon nivelin e lartë artistik të perceptimit të jetës dhe të vdekjes nga banorët e atyre anëve. Që kjo gjë nuk ishte e zakonshme, për këtë flet edhe fakti se tek Homeri (“Iliada” , kënga XXIII dhe tek “Odiseja” kënga XXIV ), gjejmë të përshkruar mjeshtërisht dukurinë e vajtimit masiv, që siç i shohim nuk është gjë tjetër veçse forma arkaike e “të qarës me bote” (Odiseja dhe Sirenat – Wikipedia).  

 Në këtë pikë Vasil Tole nuk ka argument sepse tek historia e Odiseas, Sirenat nuk këndonin këngë vajtimi dhe as në `iso`, por kënduan këngë lavderimi `me këngën e tyre të ëmbël`. Për këtë arësye Uliksi u a mbylli me dyllë veshët shokve të tij por vetë e dëgjoi këngën e sirenave e cila nuk kishte “iso` por një polifoni, prej 3-5 sirenave. Nëse ka patur sirena që nuk janë nga Poemat e Iliadës dhe Odiseas të Homerit që vajtonin me `kujë` dhe duke bërë iso, kjo vlen për tu parë sepse sirenat e tjera që bënin kuje, janë tjetër fenomen dhe nuk janë të realizuara nga sirenat e lashta. Së dyti sirenat janë  të shek të XII pes, dhe në atë kohë nuk ka patur grekë, por pellasgë që flisnin një gjuhë të ngjashme me shqipen e sotme, ashtu siç është vërtetuar nga fjalët që kanë lehtësisht kuptim shqip në tekstet origjinale të Iliadës dhe Odiseas pavarësisht se janë shkruar me gërma që  quhen të greqishtes së lashtë. Kuja vërehej tek malësorët gegë dhe në malësitë e Epirit dhe tek Labëria e sotme. 

Përsa i përket Iso-polifonisë labe, për nga ngjashmëria, ajo duhet ti ketë fillesat tek psalmet e ritit religjioz lindor bizantin. Dihet gjithashtu se prifterinjtë apo dhjakët, që këndonin dhe këndojnë edhe sot e kësaj dite këndojnë në kor dhe bëjnë iso sidomos riti lindor bizantin (grek dhe shqiptar), por deri diku dhe kori sllav. Pra kënga e kënduar nga disa lebër, quhet nga ata edhe  `Pleqërishtë` e cila është një zhanër e iso-polifonisë shqiptare e gjetur kryesisht në Labëri. 

Dihet se Labëria është një krahinë historike që gjendet në Shqipërinë jugperëndimore. Banorët e saj janë të njohur si Labër (të referuara si shqip: Lab, p.sh. Lebër, gjithashtu nj. dialektor: Lap) dhe kufijtë e saj arrijnë nga Vlora në Himarë në jug, në kufirin grek pranë Sarandës, duke përfshirë Kurveleshin e Qarkut Gjirokastër dhe duke u shtrirë në lindje në qytetin e Tepelenës. Sipas gojëdhënës, krahina kufizohet me tri ura.Në përkufizimin e tij më të gjerë, Labëria mund të përdoret për të përfshirë çdo gjë nga Mallakastra dhe Lumi Vjosa deri në Sarandë, dhe në përkufizimin e saj (më të zakonshëm) mund të referohet vetëm në Himarë, Tepelenë dhe Kurvelesh. Në përkufizimin më të gjerë, përveç këtyre tre rajoneve, rajone të tjera janë Vlora dhe rrethinat e saj në jug të lumit Vjosa, Lunxhëria, Mallakastra, Gjirokastër dhe rrethinat e saj, Delvinë dhe rrethinat e saj, Pogon, Dropull, Sarandë dhe nganjëherë (shumë rrallë) Këlcyra dhe Zagori. Rajonet kufizuese përfshijnë Pogon, Myzeqe, Çamëria, Dangëllia dhe Dishnica (si dhe kufiri me Greqinë). Labëria dallon kulturisht nga pjesa tjetër e Shqipërisë në traditat dhe folklorin e saj. Labët ishin njerëz baritorë luftarakë që jetonin kryesisht në malet e Kurveleshit, Progonatit dhe Vlorës gjatë pushtimit osman të Shqipërisë. Megjithatë, për shkak të migrimeve masive në zonat urbane pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia tani është e përqendruar në qytetet e Vlorës, Tepelenë, Gjirokastër dhe Sarandë. 

Historikisht, Labët ishin pasues të Krishterimit Ortodoks Lindor, por shumë u kthyen në Islam gjatë sundimit Osman, me pjesën më të madhe të konvertimit që ndodhën në shekullin e 18-të. Konvertimet ishin veçanërisht intensive gjatë viteve të konfliktit midis Rusisë Ortodokse dhe Perandorisë Osmane, gjatë së cilës disa sundimtarë u shtrënguan mbi krishterët ortodoksë nga sundimtarët osmanë, duke përfshirë edhe kthimin e detyruar të fshatrave në shkallë të ulët, duke kundërshtuar tolerancën zyrtare osmane për të krishterët. Arsyet shtesë për konvertimin përfshijnë diskriminimin dhe shfrytëzimin e të krishterëve nga sundimtarët osmanë, modelet e mëparshme të konvertimit midis sekteve të ndryshme të krishtera dhe shpërndarjes së ndryshme para-osmane të besimeve të krishtera në rajon (përfshirë ortodoksinë, katolicizmin, Bogomilizmin dhe madje arianizmin). Sondazhi që vetëm të krishterët duhej të paguanin, varfëria e kishës, analfabetizmi masiv i priftërinjve dhe fakti që gjuha e adhurimit nuk ishte gjuha shqipe.  Tradita pohon se një konvertim masiv i Labëve ndodhi gjatë një urie në të cilën peshkopët e Himarës dhe të Delvinës refuzuan të lejonin Labët të konvertohen por të pijnë qumësht në vënd të ushqimit, që ti rezistonin konvertimit (https://sq.ëikipedia.org/ëiki/Lab%C3%ABria). Edhe gazetari Mërtiri me këtë argument kundërshton z. Vasil Tole kur thotë se: “…edhe vet ai nuk e di kur ka lindur Polifonia Popullore Shqiptare: ka lindur në epokën e sirenave greke ( që në fakt nuk janë aspak greke por pellazge), apo ka lindur në epokën e korit kishtar Bizantin?! Ka lindur nga kënga e sirenave greke, apo ka lindur nga kori kishtar bizantin?!“ 

Edhe korifejtë shqiptarë të muzikës shqiptare dhe të historisë shqiptare nuk e kanë debatuar origjinën e iso-polifonisë por e kanë anash kaluar dhe këta janë: Prof. Ramadan Sokoli: “Polifonia jonë popullore me tipare origjinale, të lashta, ka lindur në vendin tonë nga puna e shumë brezave shqiptarësh”.( “Konferenca kombëtare e studimeve albanologjike. Tiranë 1962, f. 335); prof. Beniamin Kruta: “Shtrirja e polifonisë, më shumë e më pak, përkon me ato zona ku është bërë kalimi nga kultura ilire në kulturën e kombësisë shqiptare”. (Polifonia – trashëgim i lashtë kulturor i popullit shqiptar”, Kultura popullore, 2/1982 …f. 467); dr. Kosta Loli: “Çdo ditë hyja në mrekullitë e të kënduarit polifonik, Xhevati me shokë këndojnë në mënyrë polifonike…kënga polifonike i ngjan rrapit shekullor”. (Thanas Dino, Xhevat Avdalli – Laver Bariu, f. 60); prof. Spiro Shetuni: “Në një kohë të shkuar, muzika tradicionale polifonike shqiptare duhet të ketë qenë një polifoni dy-zërëshe pa iso… Kohë më vonë, pas tyre, mendojmë se lindi isoja, dhe bashkë me të, muzika tradicionale”.(Muzika tradicionale shqiptare. Outskirts press Denver, Colorado, f.152); Prof. Roland Çene: “Folklori i Gjirokastrës bën pjesë në polifoninë labe…stili polifonik që ka kënduar grupi i Xhevat Avdallit është një ndër stilet tepër të rëndësishme të polifonisë labe…kjo polifoni nuk qëndroi brenda qytetit të Gjirokastrës, doli në Shqipëri e në festivale ndërkombëtare”.(Gazeta “Telegraf”, 29 janar 2016); prof. Hysen Filja: “Në studimin e këngës polifonike labe do të ishte me interes që, krahas, këngës të interpetuar nga grupe të rinjsh, të ndalemi dhe në grupet e këngëtarëve me moshë të thyer, grupi i Xhevat Avdallit…”(Studime filologjike1/1978); prof. Moikom Zeqo: “Vendi më tipik, ku këndohet polifonia është Shqipëria, kjo polifoni është shumë e fuqishme në Jugun e Shqipërisë…është vërtet një mrekulli që e kemi kaq të gjallë dhe ekzistenciale polifoninë e Jugut”(Th. Dino, vep. e cit. f. 18) (Këngëtari i Polifonisë, Tartar Avdulli: Ja si e morëm në festivalin e Gjirokastrës çmimin me këngën e Enverit | Gazeta Telegraf).  

Debatet midis Shoqatës Labëria dhe individëve kundër dhe pro z, Vasil Tole , Kristo Mërtirit, se kush duhet mbajë `flamurin`, janë debate tipike shqiptare që u ngjanë kakofonive të politikanëve tanë.  E vërteta për origjinën do të dilte më lehtë nëse  profesionistët e muzikës dhe të studimeve filologjike nuk do të kishin paragjykime por do të duhej të kishin ulur kokën dhe do të kishin pyetur muzikologët dhe filologët klerikë të ritit lindor, nëse ka ngjashmëri të iso-polifonisë labe me korin kishtar bizantin në raport me këngët e sirenave të Homerit. Një gjë është e sigurtë se Sirenat me të cilat u takua Uliksi me shokët e tij nuk këndonin me iso, por sipas Homerit  këndonin  këngë panegjirike për lavdinë e Uliksit në mënyrë që ta shkatërronin atë dhe shokët e tij, në vënd të `kuje-ve` të personaliteteve të nderuara Vasil Tole dhe Kristo Mërtiri.  

priftipirro2017@gmail.com

Tashmë s’ka dilema:Lajçak e Borel po e shyjnë Kosovën drejt luftës…!?

0

Zeqir Bekolli, shkrimtar, Prishtinë  

Kur janë caktuar ndërmjetës për bisedime Lajçak dhe Borel është ditur se do të ketë njëanshmëri në bisedime. Këta dy zyrtarë evropian vijnë nga shtetet që nuk e njohin Republikën e Kosovës dhe mbështesin fuqishëm Serbinë. Në shumë takime, përfaqësuesit e këtyre dy shteteve nuk po sillen si zyrtarë evropian, por si zyrtarë të shteteve nga vijnë.  

Edhe vizita e fundit e Lajçakut në Prishtinë dhe deklarata e tij skandaloze  se Ura mbi lumin Ibër duhet të lëshohet vetëm pas marrëveshjes Kosovë-Serbi,  pos që përbën një deklaratë me rreziqe, ajo e legjitimon Serbinë si faktor në pjesën Veriore dhe sinjalizon edhe për shenja lufte. 

 Me një fjalë, deklarata e Lajçakut, i cili prezanton në këtë rast BE-në, lë për të kuptuar se diçka nuk është në rregull edhe me Bashkimin Evropian, i cili po e zhagitë çështjen deri në absurditet, duke anuar haptas ndaj Beogradit, dhe duke e rrezikuar tërësinë territoriale të vendit tonë. Njëanshmëritë e Lajçakut dhe Borrellit, kaherë janë vënë re, por mosreagimi e mosdistancimi i BE-së ndaj veprimeve e deklaratave të tyre , po sjell dilema edhe për pozicionin e saj në raport me Kosovën. 

Është tashmë e ditur se Serbia po kërkon territor në Kosovë, po kërkon formimin e një Republike Serbe me qëllim që Kosova të pushojë se ekzistuari si shtet i pavarur e të shërbejë si një oazë jo fuknsionale në hapsirat e Ballkanit. 

Në këtë situatë, institucionet e vendit dhe subjektet politike dhe mbarë populli duhet  vlerësuar rrezikun, që po i kanoset vendit, dhe në këtë situatë duhet të jenë bashkë në secilin veprim, në mënyrë që të mos lejojnë bosnjizimin e Kosovës i cili tashmë ka dalë në sipërfaqe. 

Politika e BE-së dhe ndarja e Mitrovicës

0

Afrim Musliu, publicist, Suedi

Pasi shqiptarët shumë shpejt i lëshon mbamendja, dua t’ua rikujtoj rolin proserb të BE-së, e sidomos të Francës në luftërat e fundit në Ballkan, që nga viti 1991 e mëtej. Pas eskalimit të luftës edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe granatimet e pamëshirshme dhe çnjerëzore të serbëve mbi Sarajevën, për ta ndaluar atë agresion dhe masakrat që bëheshin nga ushtria serbe, me nismën e sekretarit të atëhershëm amerikan, Warren Christopher, KS i OKB-së voton rezolutën ku i bën ultimatum Millosheviqit që deri më 28 qershorë 1992 , në ora 12:00 , ta ndalojë agresionin kundër Sarajevës dhe popujve joserb në Bosnje dhe Hercegovinë dhe t’i tërheq forcat ushtarake nga Bosnja, përndryshe, do të bombardohen të gjitha caqet ushtarake serbe.

Po atë ditë, pra, në mëngjesin e 28 qershorit 1992, pa paralajmërim e në mjegull të dendur, ateron aeroplani me presidentin e atëhershëm françez, François Mitterrand, në Sarajevën e rrethuar, i cili del e shetitet nëpër Bash Çarshi nën përcjellje të madhe të mediave botërore.

Reporterja e CNN, Christiane Amanpour, atë vizitë e shpjegon kështu: “Ky ishte një veprim i ndyrë i presidentit françez me qëllim të pengimit të sulmeve ajrore kundër forcave serbe në Bosnje dhe Hercegovinë”. Ishte e vërtetë, sepse ajo vizitë e papritur e pengoj intervenimin ajror të SHBA-ve kundër forcave serbe.

Ndërkaq, Franca inicon që, siç e quanin ata, konflikti në Ballkan, meqë është në Evropë, të zgjidhet vetëm nga BE-ja, me ç’rast SHBA-të detyrohen të tërhiqen nga zgjidhja e konfliktit në Bosnje, e cila mbetet nën mëshirën e BE-së, e që bëri që ajo luftë të zgjasë afër katër vite , duke u ndëmjetësuar nga proserbët Lord Oweni britanez dhe Thorvald Stoltenbergu norvegjez, luftë kjo që i mori mbi 150000 viktima të pambrojtura civile.

Presidenti Rugova duke e parë që BE-ja çdoherë e përkëdhelte Serbinë, të cilën donin ta bënin “polic të Ballkanit”, çdoherë kërkonte vetëm ndihmën amerikane në zgjidhjen e çështjes së Kosovës!

Prandaj, George H.W. Bush tërhoqi të ashtuquajturën vijën e kuqe mbi Kosovën qysh në vitin 1992, pra, pasi që tërhiqet nga zgjidhja e konfliktit në Bosnje, i cili i’u bëri me dije Millosheviqit dhe BE-së se për Kosovën pyeten SHBA-të. Pikërisht me nismën dhe nën udhëheqjen e SHBA-ve, filluan edhe bombardimet 78-ditore të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore, 24 mars – 10 qershorë 1999, e të udhëhequra nga SHBA-të.

Edhe ai operacion, më i madhi i NATO-s deri atëherë, u shantazhua nga Franca, kur majori françez në qendrën komanduese të NATO-s në Bruksel, Pierre-Henri Bunel, zbulohet se mbi 50 ditë i ka informuar serbët për operacionet dhe caqet e bombardimeve nga NATO.

Poashtu, të mos harrojmë që pikërisht françezët e ndanë Mitrovicën në mes të Urës së Ibrit. Para syve të KFOR-it françez, më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, masakrohen 11 shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa dëbohen nga shtëpitë dhe banesat e tyre në veri 1564 familje, apo 11364 shqiptarë.

Në prill të vitit 2020, kryeministri atëherë i posa shkarkuar, Albin Kurti, refuzon ndërmjetësimin SHBA-ve në dialogun me Serbinë, ndërsa fton dhe mirëpret Makronin dhe Francën si dhe anti-kosovarin sllovak, Lajçak, si dhe shefin tij, poashtu anti-kosovarë, spanjollin Borel , që ta ndërmjetësojnë atë dialog.

Kryeministrit Kurti dyshja anti-kosovare e BE-së, Borel dhe Lajçak, i ranë hise edhe pas rizgjedhjes së tij kryeministër në vitin 2021. Ndërsa ShBA-të të lëna anash nga Kurti në vitin 2020, proçesin e dialogut me Serbinë i’a kanë lënë BE-së tërësisht në duar dhe në të marrin pjesë vetëm si palë konsultative duke e mbështetur dyshen nga BE-ja. Si pasojë e politikave inatçore dhe të pamatura të kryeministrit Kurti ndaj ShBA-ve për një kohë të gjatë, sot Lajçak dhe BE dalin hapur në anën e serbëve.

Madje, gjatë vizitës së Lajçakut në Mitrovicë gjatë ditës së sotme, dënon vendimin për hapjen e urës së Ibrit për qarkullim të lirë edhe me vetura, pra, duke e harruar faktin se urat i bashkojnë njerëzit dhe vendet dhe nuk i ndajnë , ai prap doli pro ndarjes së qytetit të Mitrovicës, e jo pro bashkimit të qytetit. Poashtu, në pyetjen e një gazetari se si ndihet me vizitën e tij në veri të Mitrovicës, ai deklaron se aty ndihet ndër miq. E tëra duket si një ‘deja vu’ sikurse edhe kur erdhën françezët dhe ndanë qytetin përgjysmë në vitin 1999.

Dhe, e tërë kjo ndodhë në zemër të Europës nga Europa demokratike e pa kufinj ndërmes shteteve të BE-së, në fund të çerekut të parë të Shek. XXI.

Vetëm ne shqiptarëve na përsëritet historia nga disa herë, ku atë që e fitojmë me mund, me sakrificë, me gjak e me luftë, e humbim në paqe nga politikanë inatçorë e të paditur, të cilët më shumë harxhojnë energji për t’i përçarë dhe polarizuar shqiptarët ndërmes veti e duke i luftuar oponentët politikë, sesa të angazhohen kundër armikut të përhershëm veriorë me politikë shoveniste e ekspansioniste.

Një vizite e bukur, kënaqësie, cilësie dhe mikpritje e paharrueshme në Gjilan

Shkruan : Xhemaledin SALIHU 

  • Një vizite e bukur, kënaqësie, cilesie e mikpritëse 

Të martën, më 9 maj 2023 me Mjeshtrin Skulptor Hivzi Nuhiun u nisëm për Gjilan, me ftesën e Piktorit Jetullah Halitit, i cili na priti te hoteli “Kristal” i Gjilanit. 

Pasi pim kafen e mëngjesit dhe biseduam gjatë, Piktori na ftoi të shkojmë në drekë, te restoranti “Te Mili”. Drekuam dhe bëmë përsëri një muhabet, Piktori na ftoi në shtëpinë e tij, për ta shikuar Atelenë, e cila ishte përplotë me punime pikture dhe skulpture. 

Surpriza e kësaj mikpritjeje ishte në atele, ku ndejtëm gjatë, pasi i shikuam thuajse një nga një pikturat dhe skulpturat e Piktorit Jetullah Haliti, ai na gostiti në shtëpi me raki dhe me të gjitha të mirat e shtëpisë. Ndejtëm deri vonë aty, sepse u rehatuam sikur të ishim në shtëpitë tona. 

Piktori kishte bë shumë punime pikture, por edhe skulpture, prej të cilave na dha nga dy punime pickure mua dhe Mjeshtrit Hivzi Nuhiu. 

Mund të jetë një imazh i 2 persona

Ndërsa unë, kryetar I SHTKK-së i dorëzova Piktorit dy botimet e fundit të kësaj Shoqate. 

Dikur vonë, pasi Mjeshtri e kërkoi Skulptorin Avni Xh. Behlulin e Breznicës së Bujanovcit, ai na thirri që të shkojmë në shtëpinë e tij. Skulptori kishte qenë mysafir në Kalabri 10 ditë te Mjeshtri Hivzi, andaj edhe menjëherë na gostiti në atelen e tij personale.  

Me të vërtetë ishte një surprizë, një kënaqësi, një cilësi e punimeve të tij të pikturës dhe skulpturës. Po ajo që na befasoi ishte edhe mikpritja, modestia e tij, sidomos radhitja e bukur e punimeve të pikturës dhe të skulpturës. Bile, bile na befasoi edhe me radhitjen e bukur të bibliotekës së tij të vogël, por të pasur.Një atele me 100 m2 frymonte pikturë dhe skulpture.Po t’ishte më e madhe sigurisht se edhe punimet do të kishin një radhitje edhe më të bukur në atele. Shumë punime të tij ishin në oborrin e tij edhe te miqësia e afërtë. 

Pasi na ofroi pije, kafe e çaj pasoi edhe ofrimi për darkë. Më vonë pas një bisede të gjatë ndërmjet Mjeshtrit, Skulptorit dhe Piktorit , i dorëzova 2 botimet e fundit të SHTKK-së Skulptorit Avni Xh. Behlulit, ndërsa ai na dhuroi nga një punim picture dhe mua edhe monografinë e fshatit Breznicë. 

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti

Të falemnderit Piktor Jetullah dhe Skulptor Avni për këtë vizitë tonën me Mjeshtrin Hivzi. 

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti

Ardhshit edhe në Preshevë dhe shëndet, suksese të mëtejme në punë e të mira në jetë. 

Mund të jetë një imazh i 3 persona

Në vitin 330 perandori dardan Konstantini I , e shpalli Konstantinopojën si kryeqytet të Perandorisë Romake – Lindore

Prof. Dr. Jahja Drançolli, historian, Prishtinë
____
Si sot, në vitin 330, Kostandini I (c. 306-337), perandor i origjinës dhe gjakut dardan, përkushtoi Byzantium-in (Kostandinopojën; Stambollin e sotëm) si kryeqytetin e ri të Perandorisë Romake Lindore, një akt që ndihmoi në shndërrimin e tij në një qytet kryesor të botës. Perandoria Bizantine, e quajtur shpesh Perandoria Romake Lindore ose thjesht Bizanti, ekzistonte nga viti 330 deri në 1453. Perandoria në fjalë ndryshonte në përmasa gjatë shekujve, në një kohë ose një tjetër, zotëron territore në Itali, Greqi, Ballkan, Levant, Azinë e Vogël dhe Afrikën e Veriut!
Atëbotë, Roma, seli e Perandorisë Romake kishte nisur të degradohet në aspektin arkitekturor, shoqëroro-ekonomik, politik, kulturor, sidomos në atë gjeostrategjik; në anë tjetër, ndërtimi i kryeqytetit të ri, te qyteti Bizanti, pjesë e arealit të Trojës së moçme zotëronte përparësi të mëdha, të cilat atëbotë i mungonin Romës së vjetër; ishte i rrethuar pothuajse nga të gjitha anët nga uji, dhe nepërmjet të portit Briri Art siguronte lidhje të shkëlqyeshme mes dy qytetërimeve, Perëndimor dhe Lindor.
Tërheqë vëmendjen se, qyteti ri, shumë kohë më parë ishte kryeqytet i dardanëve, dhe se këtejmi më këtë ndërmarrje ndërtimore kolosale, Kostandini Madh sikurse i realizonte të gjitha aspiratat e paraardhësve të tij të largët: vendlindjen e tij e ngriti në masën më të madhe të mundshme, duke reziduar në Romën e Re – Kostandinopojën (Stambolli sotëm), e cila ishte ndërtuar në dalje të Dardaneleve, në zonën, ku ajo dikur sundohej nga paraardhësi tij i largët Dardani.
Kostandinopoja, e ndërtuar në kufirin e dy kontinenteve, ajo kishte një pozitë të jashtëzakonshme strategjike, dhe gjatë gjithë shekujve të ekzistimit të saj (deri në ditët e sotme), është shquar për njërën ndër qendrat më të mëdha në botë. Nga shek. VI, numri i banorëve të qytetit është rritur në më shumë se gjysmë milioni. Perandori bizantin, Justiniani I (527-565), perandor bizantin, gjithashtu i origjinës dardane, pas zjarrit të madh që kishte kapluar kryeqytetin më 532, ngriti shumë objekte, ndër të cilat dhe objektin e madh të kultit, Shën Sofia. Përveç këtij monumenti të famshëm, është ndërtuar dhe gjykata perandorake, hipodromi si dhe shumë objekte të tjera më të spikatura të qytetit mesjetar.
Duke u ngjitur në shekuj të mesjetës, Kostandinopoja (Stambolli sotëm), u bëri ball sulmeve të shumta sllave, avare, persiane, arabe, bullgare, peçenege selxhuke, osmane, venedikase e ndonjë populli tjetër.
Pas një dobësim të gjatë të Perandorisë Bizantine, Kostandinopoja do të bie (më 29/V/1453) nën osmanët, të cilët do ta shpallin për kryeqytet të Perandorisë Osmane deri në vitin 1923, kur selia e Turqisë Moderne do të bartët në Ankara; emri Konstantinopol (në gjuhën osmane, Konstantiniye) është përdorur në përdorim zyrtar deri në vitin 1930!

Kolë Dema, drejtori i parë i internatit “Mirdita” në Orosh

0
Nikollë Loka, Tiranë
____
Kolë Dema lindi me 5 maj të vitit 1890 në qytetin e Gjakovës. Filloren e përfundoi në Gjakovë dhe pastaj vazhdoi liceun teknik tregtar në Shkodër.
Në vazhdim kreu Normalen në Vjenë dhe në vitin 1909 fillon punë në shkollën e Oroshit deri në vitin 1914, kur ajo shkollë u mbyll, pastaj punoi në shkollën françeskane, Konviktin “Malet Tona”, e përsëri në Mirditë si drejtor i konviktit “Mirdita”. Rikthehet mësues në Shkodër, në shkollat Teuta” dhe më vonë “Skënderbeg”. Bëhet drejtor i shkollës te Dugajtë e Reja.
Në vitin shkollor 1940-1941 kishte 31 vjet shërbim si mësues.
Kola dinte italisht, frëngjisht dhe gjermanisht dhe ka lënë në dorëshkrim përkthime të veprave letrare nga këto gjuhë. Botoi veprën “Begatitë e Shqypnisë”, dhe dramat “Konti i Drishtit”, “I padituni për gjaksi”, “Hasmi i dytë”, etj.
U nda nga jeta me 24 dhjetor të vitit 1967.

Librat e historianit Jusuf Buxhovi për ambasadorët amerikan

0
LIBRA TË BUXHOVIT PËR AMBASADORËT AMERIKANË
Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, të cilët këto ditë po qendojnë në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë , drejtori i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” nga Houstoni i Teksasit, Ramiz Tafilaj (njëherësh anëtarë i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë), ua dhuroi “Kosovën” në anglisht dhe librin “Krimet serbe në komunën e Deçanit”.

Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë

0

Prishtinë, 10 maj 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Shefin e tij të Stafit, Luan Dalipi, priti një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrëdhëniet Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, kryeministri Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Republikës sonë. Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar, dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Më tej, gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.

Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet. Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan Thomas Riley tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses.

Në takim, kryeministri Kurti gjithashtu i përditësoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.

Kjo vizitë e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, është organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, përfaqësues të së cilit ishin po ashtu prezent në këtë takim.

Më shumë foto, gjeni në linkun më poshtë!:

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/kryeministri-kurti-mirepriti-nje-delegacion-te-keshillit-te-ambasadoreve-amerikane/

Presidentja Vjosa Osmani realizoi takime në Kongresin amerikan

0

Në foto: Vjosa Osmani në takim me senatorin Chuck Schumer

Në prag të vizitës në Universitetin e Harvardit në Boston, me ç’rast Presidentja Osmani është ftuar të jetë folëse kryesore në konferencën ndërkombëtare ‘Global Empowerment Meeting’, ajo ka realizuar një sërë takimesh në Kongresin amerikan.Gjatë qëndrimit njëditor në Washington D.C. Presidentja Osmani është takuar me  senatorin Chuck Schumer, senatorin Christopher Murphy, senatorin Ben Cardin, senatorin Marco Rubio,  senatorin Steve Daines, kongresistin Steve Scalise, kongresisten Veronica Escobar, kongresistin Gary Palmer, si dhe në vijim do të takojë kongresisten Dina Titus.

Presidentja me z. Steve ScaliseNë të gjitha këto takime, Presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë.

Me z. Steve Daines

Ajo ka potencuar vazhdimisht rëndësinë e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt që të ketë gjithnjë e më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin tonë dhe përtej.

Me z. Gary Palmer

Ajo ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Kongresit për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, duke theksuar se tashmë është krijuar një momentum i ri për zhvillime të reja në këtë drejtim.

Me z. Ben CardinNë frymën e raporteve historike të shkëlqyera me SHBA-të, Presidentja Osmani i ka falënderuar miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan, duke përcjellur edhe mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e tyre për vendin tonë ndër vite.

Me senatorin Chris Murphy

Në këtë drejtim, ajo ka theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit me aleatin kryesor të Kosovës edhe përmes Dialogut Strategjik, iniciativë kjo e dorëzuar nga Presidentja Osmani në fillim të vitit të kaluar.

Me z. Marco RubioNë takime është folur po ashtu për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, ndërkaq ka potencuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në këtë proces, duke shprehur shqetësimin për mungesën e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes nga ana e tyre.

 

Me zonjën Veronica Escobar