Kreu Blog Faqe 1084

Mungesa e ushqyerjes dhe prishja e ritmit të gjumit, ndikojnë në aspektin psikik

Ndikimi i ramazanit në shëndetin fizik e psikik
Ka disa ditë e hera apo më mirë ta them troç, prej që kemi hyrë në muajin e ramazanit apo siç disa e quajnë muaji i “shenjët” sidoqoftë se kush si e quan nuk ka fare rëndësi sepse fundja është çështje e besimit individual apo të vetsecilit, dhe se secili njeri ka të drejtë të besoj e thotë atë që e beson si më e drejta.
Ndërsa, nëse ju intereson pikëpamja ime mbi këtë çështje tregoj se për mua është muaj normal sikurse gjithë muajt e tjerë të shenjët pa dallim.
Për mua çdo moment, çdo ditë, çdo muaj e çdo vit është i shenjët!
Dhe po, siç thashë, disa TV e portale të vendit më bën ftesë për intervistë që ta jap mendimin tim në lidhje me:
“Ndikimin e ramazanit në shëndetin fizik e psikik te njeriu”
Nuk pranova të marrë pjesë askund në lidhje me temën sepse fillimisht përveçse nuk kam ndonjë interes personal ashtu edhe siç e thashë është temë me besime individuale dhe se mund të ka edhe nga ata individ që nuk e kanë parasysh as shëndetin e vet në raport me besimin fetar dhe nuk kisha dashur të hy në individualitetin e askujt siç edhe tash këtu që nuk dua të hyj.
Thjeshtë, është mendimi im dhe po e them ashtu si unë e mendoj.
Psh, njoha e njoh njerëz me sëmundje të ndryshme dhe tutje vazhdojnë agjërimin.
Sigurisht se, personalisht unë për ata që janë me sëmundje dhe marrin terapi të rregullt e shoh se është e dëmshme dhe se mund të ia përkeqësoj gjendjen e shëndetit bazuar në sëmundjet që kanë, por prapë siç e thashë është çështje besimi dhe e vlerëson secili vet për veten e vet se çfarë dëshiron të bëj.
Sa i përket shëndetit fizik mendoj se ndoshta nuk jam personi kompetent të them se si ndikon, keq apo mirë apo edhe në raport me sëmundje ose pa sëmundje por po, nga aspekti psikik e kam të drejtën e gjithë botës ta sqaroj në pika të shkurtëra.
Kujtoj se, qindra herë e kam thënë dhe vazhdoj tutje ta them se trupi e mendja janë në vijë paralele, kërkojnë përputhshmëri për një organizëm të shëndoshë.
Kështu që sipërfaqësisht mund të arrijë në njohje të pjesshme se si mund të ndikoj ramazani edhe në shëndetin fizik të njeriut.
Për shumë, ramazani shihet sikur sfidë pozitive edhe pse e vështirë por që duhet domosdoshmërisht të bëhet.
Po, edhe është realisht sfidë sepse për shumë orë duhet ndërprerë ushqyerjen, duhet ndryshuar ritmin apo vaktet e ushqyerjes, ndryshimi në sasi të ushqyerjes, ndryshimi në cilësi të ushqimeve, pastaj ndryshimet e ritmit të gjumit për ushqyerje etj.
Mirëpo a ndikojnë gjitha këto ndryshime kaq të mëdha e bazike në shëndetin e njeriut?
Përgjigjia ime është po!
Po ndikojnë përderisa prishet ritmi i nevojave më bazike kur trupi ka nevojë të marrë ushqimin.
Me një fjalë zhvillohet një luftë me organizmin duke ja mohuar nevojat bazike që trupit i duhen për kohën që ai(organizmi) ka nevojë.
Dihet se ushqimi e gjumi janë nevojat bazike ekzistenciale për njeriun dhe janë baza për shëndetin fizik dhe atë psikik.
Sado që njeriu do të vendosë me vetdëshirë agjërimin dhe me gjitha ato pritshmëritë apo benifitet që i pret si shpërblim nga të agjëruarit prapëseprapë nënkuptohet mungesë e ushqyerjes, mungesë e plotësimit të nevojave bazike për ushqim e ujë, me ç’rast te njeriu ndryshohet funksioni normal i organizmit.
Poashtu mungesa e ushqyerjes, si dhe prishja e ritmit të gjumit ndikojnë në aspektin psikik të njeriut dhe domosdoshmërisht njeriu ndeshet me ndryshime të tilla si:
• Dremitje gjithë ditës (gjendje gjumi, rraskapitje, lodhje), vështërsi në koncentrim, vështërsi në mbamendje, vështërsi në gjykime të thella, në motivim, disponim, iniciativa etj.
Më tutje është ushqyerja gjatë natës (syfyri) që sigurisht përcillet me rreziqet e veta (të fjeturit me barkun plotë, ushqimin e papërshtatshëm etj.)

Me Prillin 1996 nisi kalimi i kufirit nga Kosova në Shqipëri pa viza dalëse 

Gazeta Bujku -reportazhi : Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’-18 mars 1996-foto Behlul Jashari-nga Arkivi Shteteror i Kosoves

Shkruan: Behlul Jashari 

-Pas botimit të reportazhit tim të Marsit 1996 “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…/ 

PRISHTINË, Prill  2023/ Para 27 viteve, në 1 Prill 1996 për herë të parë kalova kufirin Kosovë-Shqipëri nëpër vendkalim kufitar, në Vërmicë-Morinë, ishte dita e parë e heqjes së vizave dalëse. Viteve më parë udhëtoja drejt Shqipërisë duke kaluar nëpër Mal të Zi, e ilegalisht në një rast i nisur nga Ulqini duke ecur këmbë drejt Shkodrës, e në një rast tjetër duke ecur këmbë nga Kumanova në Maqedoni drejt Preshevës – Kosovës Lindore… 

“Lajmi i fundit” në gazetën e Kosovës “Bujku”  në ballinë, i shkruar në 1 Prill 1996  nga Prizreni e Kukësi,   kishte titullin “Kufiri Kosovë-Shqipëri kalohet pa viza dalëse”  dhe në fund paralajmëronte: “Raport më të gjerë nga të dy anët e kufirit ndërshqiptar japim në numrin e nesërm”. 

Në pasditën e 1 Prillit 1996 shkova deri në Kukës dhe u ktheva në Prizren e natën vonë në Prishtinë për të shkruar raportin nga ai udhëtim. Një fragment të atij raportimi e kam ribotuar me titull “Kronikë kufiri” para më shumë se çerek shekulli kur kam shkruar reportazhin e ardhmërisë – futuristik “Udhëtimi për në Prizren” botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996. Këtë reportazh futuristik që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë e lidhjen edhe me autostradë e gjejë në Arkivin Shtetëror të Kosovës të botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja që dilte në Tiranë pasi në Prishtinë u ndalua me dhunë nga Serbia okupatore. Brenda reportazhit është edhe shënimi “Kronikë kufiri” – pjesë nga shkrimi që kam bërë në 1 Prill 1996 nga kufiri Kosovë-Shqipëri,  të cilin vetëm zogjtë e kalonin pa pengesa… 

“Udhëtimi për në Prizren” ishte reportazhi i dytë i ardhmërisë që kam shkruar. I pari ishte “KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË – Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995 dhe është botuar në atë fundvit në të dy kryeqytetet shqiptare, ndërsa i treti ishte  “Kufiri i ëndrrës”  që e kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998… 

Reportazhet e ardhmërisë i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip edhe me shumë raportime që bëja si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë që nga 24 Maji i vitit 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë, kur lideri historik i lëvizjes për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President. 

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet e ardhmërisë – futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008… 

Reportazhi i ardhmërisë II “Udhëtimi për në Prizren” i para më shumë se çerek shekulli ishte ky: 

 UDHËTIMI PËR NË PRIZREN 

(Reportazhi i ardhmërisë II) 

Behlul JASHARI 

Nuk kishte arritur as t’i shfletojë mirë botimet e  mëngjesit, të gazetave që i kishte marrë në Tiranë, e as ta pijë deri në fund kafenë. Udhëtimi me aeroplan nga Rinasi deri në Sllatinë kishte zgjatur vetëm njëzet e tre minuta. Kishte fluturuar mbi brerimat e bardha të reve, e nga dritarja nuk kishte mundur as përafërsisht të shohë a të përcaktojë se ku mund të jetë vija e kufirit, prej nga vinte lajmi i ditës, që e kishin botuar të gjitha gazetat: “Hiqen gurët e kufirit…”  Njoftohej se lumjanët me daulle, si në dasma, kishin dalë t’i hiqnin gurët, që para shumë e shumë viteve kishin venë kufi midis tokave të tyre. Nuk ishte ky kurrëfarë incidenti kufitar, por edhe paralajmërim i një ngjarjeje, për të cilën reporteri nga Tirana ishte nisur për në Prizren. 

Kishte ardhur më parë në Prishtinë për të shfletuar kronikat e viteve të bujshme të Kosovës. Donte të bënte edhe një kronikë ngjarjesh që i paraprinë një Kuvendi të madh kombëtar, që do të mbahej pas një kohe në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare. Në Prizren pritej edhe  manifestimi qendror i përurimit të autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, të ndërtuar nëpër shtigjet e rrugës së vjetër  Lis-Dardani… 

Pikërisht udhëtimet Kosovë-Shqipëri nëpër vite ishin një nga interesimet gjatë shpalimit të kronikave në Bibliotekën Kombëtare e Universitare  në Prishtinë. Viti 1996 iu duk se ishte një vit kthesë. Më 1 prill të këtij viti,  për herë të parë pas shumë viteve,  shqiptarët e Kosovës së pushtuar filluan të udhëtojë për në Shqipëri pa viza dalëse, që i kishte aplikuar regjimi i Beogradit për të penguar komunikimet ndërshqiptare. Rexhimi i vizave ishte tepër rigjid. Vetëm brenda një viti mbi një mijë shqiptarëve të Kosovës iu kishin konfiskuar pasaportat e u ishin shqiptuar dënime nga policia e nga gjyqet serbe vetëm e vetëm pse kishin udhëtuar në Shqipëri pa viza dalëve. Po, udhëtimet nuk ndaleshin me gjithë vrasjet në kufirin e ndodhur nën kontrollin e hekurt të forcave serbe. 

Pasi ishte hequr regjimi i vizave dalëse, sipas kronikave të kohës, Prizreni priste të bëhet qendër shumë e rëndësishme e komunikimeve ndërshqiptare nëpër magjistralin Prishtinë-Lezhë. Magjistrali është quajtur rrugë e ardhmërisë nëpër shumë shkrime gazetash  të vitit 1996, kur nga Prishtina për në Tiranë udhëtohej më shumë nëpër Podgoricë apo Shkup dhe udhëtimi zgjaste deri shtatëmbëdhjetë orë. Ishte llogaritur se magjistrali Lezhë-Prizren do të shkurtonte për tre herë rrugën nga Kosova për në bregdetin shqiptar. Midis këtyre dy qyteteve shqiptare  ai magjistral i shtrirë nëpër luginat e lumenjeve Fani i Vogël e  Drini i Bardhë do të kishte maksimum 130 kilometra… 

Tek shfletonte kronikat e vitit 1996 në Kosovë, gazetarit nga Tirana përshtypje të veçantë i bëri edhe një titull i madh në faqen e parë të gazetës: “Jemi zotuar për të ardhmen  e lirinë tuaj”. Ishin këto fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kornbllum në hapjen e Zyrës Amerikane në Kryeqytetin e Kosovës, më 5 qershor. “Kjo është një ditë historike për Kosovën”, deklaronte me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. 

Shfletimi i kronikave për përfaqësinë e parë të një shteti të hapur në Kosovë ia përkujtoi se duhet të shkojë brenda ditës në ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, në kuadrin e ambasadave në kryeqytet… 

Derisa po kthehej, kishte rënë nata, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të ndriçuara me neon ishin të mbushura plot njerëz.  Masa e njerëzve që shëtitinin në atë mbrëmje të këndshme ia kujtoi të dhënën se numri i banorëve të Kosovës kishte arritur në mbi tre milionë. 

U ndal më gjatë para reklamave të kinemave e teatrove të kryeqytetit. E shihte se do ta kishte vështirë të përcaktohej ku të shkojë, por as nuk kishte kohë. E priste takimi me kolegët gazetarë të Prishtinës në hotelin “Bozhurët e Kosovës”, ku ishte vendosur. I pihej edhe një raki rrushi e Rahovecit… 

Po, kishte pirë edhe ca më shumë, dhe derisa po lexonte teletekstin shqiptar dhe gazetat e mbrëmjes, e kishte zënë gjumi. E kishte zgjuar herët cingërrima e telefonit. Ishte një telefonatë nga Tirana, që e paralajmëronte se pas një ore duhej të paraqitej drejtpërdrejt me raport për lajmet e mëngjesit në Televizion. 

Raportin e kishte në mendje, po, megjithatë, po e shkruante edhe në letër: “Në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën pritet me interesim shumë të madh  Kuvendi gjithëkombëtar, që do të mbahet në Prizren. Pritet edhe përurimi i magjistralit…Heqja e gurëve që shënonin kufirin është manifestim i entuziazmit e gëzimit të popullit për bashkimin kombëtar që paralajmërohet…” 

Bujku i 2 Prillit 1996 -në Shqipëri pa vize – Foto Behlul Jashari

Pas festës së madhe që paralajmërohej me mbajtjen e Kuvendit kombëtar në Prizren po e priste edhe një festë e bukur: Dita e Verëzes – Dita e Luleve. 

Është kjo një festë e lashtë iliro-pagane, që, pos në Prizren e rrethinë, nga të gjitha trojet shqiptare festohet vetëm edhe në Elbasan, në të njëjtën ditë, më 14 mars,  po me emër ca ndryshe: Ditë e Verës – Ditë e Luleve. Prandaj, në këtë festë në Prizren udhëton edhe një delegacion nga qyteti i Elbasanit. 

Kështu, si një surprizë hyn edhe Festa e Luleve në reportazhin e ardhmërisë të reporterit në udhë për në Prizren, prej nga do të kthehet përsëri në Tiranë, për herë të parë nëpër magjistralin e sapoperuruar, vetëm për afër dy orë. E, në Vermicë s’do të jetë më pika kufitare, s’do të jetë më kufiri…   

KRONIKË KUFIRI   

Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt. 

Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari. 

Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”. 

E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit. 

E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit. 

Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996) 

Kosovë – Shqipëri, porta Vermicë-Morinë me 23 mars 2015 – foto: Behlul Jashari

NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:   

E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 27 viteve, në 18 Mars 1996. 

Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar: 

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren. 

Behlul Jashari në Tiranë te tryeza e mbledhjes së qeverive Shqipëri-Kosovë me 23 mars 2015.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit. 

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”… 

*** 

Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi… 

Në gazetën “Bujku” reportazhi ka nënshkrimin edhe të korrespondentit të saj në Prizren, Fatmir Pireci, bashkë me të cilin shkuam drejt kufirit… 

Në vend të përfundimit të rrëfimeve e kujtimeve për Hysni Gashin; disa fjalë, letra përshëndetëse dhe falenderime 

Sinan Kastrati, Suedi

Për profesor Hysni Gashin nuk e kam krye ende por kësaj radhe po ndahem me shpresë se pasi të kemi librin përpara do të shkruaj-më përsëri. 

Për Ndre Mjedën, sipas një studjuesi që kam pas lexua kur isha në bankat e shkollës, shtypi përparimtar, natyrisht ai i kohës së socializmit ka polemizua me shtypin klerik afro 35 vjet se a ishte Mjeda vërtë fetar apo laik. 

Për Hysniun edhe tash janë të ndarë (edhe fëmijët ? Nuk jam i sigurt) partizanët që mendojnë se pasi kishte kryer një shkollë speciale, shkollë të spiunazhit në Jetimoren e Vlorës, për kuadro që më vonë do ti shërbenin e mbronin shtetin dhe grupi tjetër, edhe unë se ai ishte mbi të gjitha mësues i popullit dhe atdhetar i devotshëm.  

Po Hysniu nuk ishte spiun e as nuk punoj në organet e sigurimit në Shqipëri sepse ishte fëmijë i vogël. Ai ishte një patriot pa pikë të dyshimit e pa asnjë shibël*) 

Gjatë kohës sa publikoja pjesë nga fejtoni, seria e shkrimeve për mësuesit, drejtorët dhe prof Hysni Gashin, që kishin punua në Malishëvë dhe katundet rreth Malishevës, nga disa miq e mikesha, mora disa letra por edhe krahinat tjera të Kosovës dhe Shqipëria (E. Lafe). Ato letra nuk janë vetëm letra për shkrimet për Hysni Gashin por edhe për mësues e patritë të tjerë të mëhershëm, si Hasan Prishtina që mjerisht shteti shqiptar e quante tradhtar.  

Letrat: 

Po e filloj me një letër të Valbonën, vajzës së profesorit Hysni Gashi, kur vdes profesori dhe do ta përfundoj me një letër të Valbonës: 

-Valbonë, ngushllime për babën! 

Ish nxenesi i prof. Gashit, 

Sinan Kastrati, Suedi  

-Falemnderit shumë Sinan 

Ngushëllime dhe juve se ju ka dashur dhe respektuar shumë  

Ju falemderoj shume për këto postim dhe gjithë respektin që po e shprehni për babin.  

Mirëmbetshi 

Valbona  

Sinan  

E njoha vonë, prof Hysniun pasi kishte mbushur të 90 tat, por kurrnjëherë s kisha takuar njeri të tillë, energjik, i dashur dhe komunikues! 

Lum ju qe e kishit njohur më herët dhe kishit fatin e mirë ta kishit pedagog. 

I lexova me endje shkrimet tuaja, për Hysniun, të përgëzoj. 

Shpresoj qe librin qe po pregadsnin të jete i plote ashtu si e meriton vepra dhe personaliteti i tij. 

Përgëzime Sinan 

Hamëz Morina, ish mësues, Polluzhë, Rahovec  

Përshëndetje (prof Sinan) uroi të jeni mirë. 

A jeni duke e pergaditur ROMAN kete shkrim? 

Për tiranasen po mendoj 

Ju jeni autor i pothuajse qindra artikujve në shtypin tonë. Mendoj që është e dëmshe nëse ato shkrime i le të shkapërderdhura. Nuk do ti gjen dot kush të i lexoi në të ardhmen. 

Kështuqë nëse i sistemon mirë në libra, ato mbesin përgjithmonë. 

Po ta them me sinqeritet: shkrimet e juaja është gjynah me humb.  

Teki Dervishi ka qenë shumë i kjart dhe gjërat i ka thënë shumë drejtëpërsëdrejti. Edhe ju jeni shumë i kjartë (i qartë) i drejtëpërdrejt dhe i guximshëm. Po Vallahi gjynah është me i mbulua pluhuri i harresës këto shkrime. Uroi çdo të mirë për ju! Suksese të pandalshme!  

Përshëndetje, më vjen mirë për angazhimet tuaja edhe pas pensionit, uroi të keni suksese! 

Harun Shabanaj, Bubël (katund afër Turjakës)

Përshëndetje  

Dëshiroj fillimisht që t’u uroj cdo të mirë; në rend të parë shëndet e jetë të gjatë, në kapitullin e ri të jetës qe e paskeni filluar, pas pensionimit! 

Arsyeja qe po ju shkruaj është fotoja në krye të artikullit, ku më mbetën sytë posa e pash. 

Aty e pash xhaxhain tim (tashmë të ndjerë), mësuesin veteran të arsimit, Ramë Januzaj nga Isniqi i Deçanit (i treti nga e majta, ulur). 

Ju shkruani në artikull, citoj: 

“… Kështu më ndodhi edhe këto ditë të mesit të qershorit `22. Sapo kisha shkruajt një pjesë nga kujtimet e mia për mësuesit e klasëve I-IV, për mësuesin Avdullah, Rexhep, Avdyl dhe Isuf Imeri e Ramë Januzi, nipi im, djali i Eminës, qikës së axhës Sefer, Visat Morina nga Lubizhda ma dërgoi një fotografi me mësues që kanë punua në shkollën fillore, atherë jo të plotë, ”Migjeni” të Lubizhdës, në fund të viteve 1960-ta. …”. 

Do të më bëhej qefi dhe do t’u isha shumë falenderues nëse do të më dërgonit ndonjë artikull apo shkresë që e keni shkrua apo e keni ndërmend që ta shkruani për mësuesit e asaj kohe, sidomos nëse ka të bëj edhe mësuesin Ramë Januza por edhe për Isuf Imeraj dhe mesues të tjerë nga Isniqi, apo thjesht për mësuesit e asaj kohe. 

Para se të vdiste Bami, kështu e quanim në femijët mësuesin Ramë, i pata blerë një fletore dhe një stilolaps dhe e pata lutur që të fillonte e të shkruante për kujtimet nga jeta e tij. 

Ai mbante mend shumë dhe tregonte ngjarje e përjetime nga jeta e tij dhe e popullit tonë në ato vite të mëhershme. 

Ende i kujtoj tregimet nga koha kur ishte mësues nëpër vende të ndryshme të Kosoves ose nga jeta ne Isniq, në Lluga te Istogut (ku ne atehere kishim një kullë, pos asaj në Isniq) apo në bjeshkë. 

Fati deshi qe ai të shkoj, pa e realizuar “obligimin” qe unë u perpoqa t’ia ngarkoja. 

“Sherif”, me thoshte (se keshtu me quante ai mua), “po përtoj të shkruaj se po me kujtohen gjëra që ndoshta është më mië të harrohen”. 

Mirepo, kur ne arrinim qe “t’a ngacmonim” duke e pyetur direkt ose indirekt për ndonjë ndodhi, ai fliste e tregonte me shumë ëndje.  

I nderuari mesuesi Sinan, 

i shkrova këta rreshta më siper në përpjekjen time dashamirëse për t’u motivuar juve që të mos pushoni se shkruari, edhe për kolegët tuaj mësues që tash nuk janë më, edhe për mësuesin Ramë dhe në emër të tij. 

Paçi suksese në shkrime dhe cdo të mirë në jete! 

Mbetshi me te mira, 

Eshref Januzaj, Mynih, Gjermani, nipi i ish mësuesit tim, Ramë Januzaj  

Kujtime të bukura dhe me vlerë njohëse për gjeneratat e reja. 

Shumë interesante qëndrimi dhe shkollimi në Jetimoren e Vlorës. Atëherë ka qenë vendi më i bukur, në mes të gjelbërimit të ullishtev dhe të agrumishteve. Deti fare pranë! 

I dashur Sinan, 

 m’u duk se i përjetova edhe unë vuajtjet e tua duke lexuar këtë shkrim. Duhet të jemi të lumtur që ato sakrifica e mundime, ajo qëndresë e ai guxim sollën Kosovën e pavarur që kemi sot dhe që gjithë shqiptarët duhet ta ruajnë e ta mbrojnë si sytë e ballit! 

Bashkë me Ninën të përqafojmë! 

Emil Lafe  

I dashur Sinan, 

Zekeria Canën e kam pasur mik të veçantë. Në Gjakovë ka punuar në vitet e luftës një mësues nga fshati Vuno i Himarës. Quhej Dhimitër Marku dhe kishte kryer Normalen e Elbasanit. Familja e Zekiriait ishte shumë e varfër. Dhimitri i ka blerë tesha e këpucë Zekeriait nga rroga e vet, se i vinte keq. Donte ta ndihmonte se ishte nxënës i shkëlqyer. Pas luftës Dhmitri u martua me vjazën e hallës sime. Unë kam pasur qejf të rri me të dhe të dëgjoj prej tij. Prandaj i di këto. Kur erdhi Zekiriai në Shqipëri, u takua me Dhimitrin dhe Dhimitri i foli për mua. Kështu që u lidhëm me miqësi, ndonëse ai historian e unë gjuhëtar 

I dashur Sinan, 

Prej dërgesave të tua mësoj mjaft gjëra që nuk i kam ditur. 

I dashur Sinan, 

faleminderit shumë edhe për këtë shkrim mjaft informativ!  

Falemnderit Sinan për këtë dërgesë të re. Kurrë nuk e kisha parë shtëpinë e Hasan Prishtinës! 

Emili 

Përshëndetje Sinan dhe faleminderit për shkrimin e ri: 

https://drini.us/tirana-zyrtare-e-konsideronte-hasan-prishtinen-tradhtar/  

Ja dhe hasan Prishtina në Fjalorin enciklopedik, vëllimi 3. (E. Lafe është një nga autorët e Fjalorit …) 

Të fala në familje e në shoqëri!  

Gjithnjë prej shkrimeve tua mësoj gjëra të panjohura për mua! 

Te fala prej Nines gjithë të dashurve tanë në Malmo! 

Urime Sinan! Ke talent letrar!  

Shume mirë Sinan! 

I lexova me kënaqësi të gjitha! 

Edhe fotoja me Idriz Ajetin kujtim i rrallë! 

Mirupafshim!  

Falemderit Sinan! 

Jetë interesante ajo e mësuesit, me përjetime të forta. Mësuesi, ndryshe nga të tjerët, ka si familje krejt shkollën, kolegët dhe nxënësit! 

Shumë të fala prej Ninës! 

Emil Lafe, Tiranë  

E lexova. Shume mire e ke shkrue Sinan. Urime. 

O Sinan, mirëmbrema. T’i kam lexuar tekstet. Të kam lakmi si i mban mend detajet. Je si magnetofon, ha ha ha. Për ministren na kishe nguc pak. Glaukut ia ke ba mirë, për karrigen, ai asht djale i mire e nuk idhnohet. Edhe tekstet ku ke fole per librat e mi i kam lexue. Të përgëzoj e të falenderoj. Gjithë të mirat (M. K.) 

Pershendetje Sinan. Falemnderit qe ma dergove. Gjej rastin e lexoj kesmet, pasi ia kam nisë me lexue kapak prej djeshit. Dhjete ditët e kaluara kam qenë me covid 19. Me ka bitis. 

Mire shume. Urime e suksese. Ia vlen mundi për edukimin e tyre. 

  1. K. Prishtinë

Ma i miri në mesin e të mirëve. 

Kujtime plot nostalgji. Na kthye mbrapa në kohën kur ishim plot elan, fuqi e gëzim mik. Sa bukur. Të faleminderit. 

Qofsh mir o pendë e ditur. (Bislim Hoxha) 

Ju po iu bëni nder të madh shumë personaliteteve të ndryshme e të dëshmuara, të gjallëve e të vdekurve … 

Ju lumtë Sinan, Ju punoftë shëndeti e Ju realizofshin të gjitha dëshirat.  

Respekt! 

Nderimet tona kombëtare, Xhafer Leci 

Përshëndetje nga Gjermania miku im Sinan!  

Të lexojë vazhdimisht. 

Si përherë, jeni shumë origjinal, i saktë dhe për gjithçka shkruani ofroni dëshmi të pamohueshme. 

Respekti dhe përshëndetje vëllazërore! 

Falëminderit për shkrimet e shkëlqyera.  

Ju lumtë për mundin dhe kohën, miku im, Sinan! 

Jeni shumë i fuqishëm. 

Zoti ju dhëntë shëndet të plotë. 

Xh. Leci 

Respekt dhe mirënjohje atdhetare punës tuaj kushtuar çështjes tonë madhore, miku im, Sinan!  Të fala dhe shëndet e suksese më tej!  

Mirëmëngjesi dhe përshëndetje nga Gjilani miku im Sinan!  

Më besoni se ka raste kur duke lexuar shkrimet tuaja jam përlotur. 

Si rasti kur fëmijët pas çdo lëvizje tënde kanë pritur diçka të ju japësh, rasti i vdekjes së hallës tuaj e cila kishte vdekur në Kukës. 

Shumë falëminderit për kujdesin dhe kujtesën, miku im, Sinan! 

Gjithashtu të fala familjes Tuaj kudo që jeni! 

Respekt dhe mirënjohje atdhetare punës Tuaj kushtuar çështjes tonë madhore, miku im, Sinan!  Të fala dhe shëndet e suksese më tej! 

Ju përgëzoj për shkrimet e mrekullueshme dhe energjinë mendore e fizike, miku im, Sinan! 

Të fala nga Gjermania! 

Xhafer Leci 

Pershendetje i nderuari Sinan,  

Unë ju përgëzoi për organizimin e epopesë së lavdishme të familjes Jashari të Prekazit si dhe për të gjitha aktivitetet dhe organizimet të cilat i ke bër gjatë jetës tënde në shërbim të atdheut. 

Të dëshiroj shëndet dhe gjithë të mirat në jetë! 

Tahir Vishaj, (nip Kastrati), Helsingborg 

Mirmengjesi o Sinan Kastrati na mir jemi në përgjithësi, po ashtu edhe  

unë deshiroj që ti me familje të jeni mirë.  

Sinan edhe pse je në pension nuk po të lojn me pushu, po mirë ta bajn. Ti je njeri i diturisë dhe duhet shfrytzuar deri ne maximum. Ndjej nji k`naqsi të veçant që jemi miq (jo miq, por nip e dajë, shën. imi) dhe ti lexoj të gjitha shkrimet tuaja e të cilat më japin oksigjen. Sinan te pershendes! Të dëshiroj shëndet të mirë si ty ashtu familjes se juaj! Respekt! 

Sinan une ta kom que qit buqet me lule, pra edhe njiherë po të uroi ditën e mësuesit dhe të deshiroj shendet dhe gjithë të mirat! 

Të uron Tahir Vishaj (nipi Kastrati), Helsingborg 

Shumë e qëlluar, vetëm ju deshiroj suksese e të vazhdoni me ksi kuizesh. Është e dhimbshme të harrohet gjuha shqipe, ma e bukra dhe ma e vjetra thuja në globin toksor.  

Unë ju pershendes edhe nji here dhe ju thom: ju lumt ju lumt! 

 Tung e klm!  

Tahir Vishaj Helsingborg  

Nuk doja t’ju përgjigjesha pa e lexuar dhe rilexuar tekstin disa herë …Respekt pakufi për vlerat tuaja të pashtershme!  

Shëndet dhe mbarësi! 

Po të kishim shumë njerëz që kanë vlera të mirëfillta njerëzore, bota do të ishte më e bukur. Kaloni bukur! 

Antigona Elshani, podrimqake, Rahovec, mësuese në Austri  

Sinan shoqi shumë faleminderit, veç sa të pata ndër mend nga një kalimthi më të shpejtë se drota me mendime në të shkuarën në bjeshët e Sharrit me shoqëri ku ti ishe student dhe në ato momente më erdhi shkrimi i juaj si me porosi. 

Shëndet e gjitha të mirat Sinan. 

Faleminderit për lajmërimin i nderuari Sinan. Garat e nxënësve për dituri nga tri shtete janë shumë me rëndësi sepse jep mundësi bashkëpunimi të ndërsjelltë dhe krahasime dhe vlerësime për të fituar njohuri dhe përvojë në këtë drejtim. Juve të gjithëve ju prift shëndeti dhe e mbara në punë! 

Nderimet tona pë të gjithë e për ty në veçanti! 

Abas Fejzullahu, ish mësues e atdhetar (Zvicërr) 

O Sinan djali, je njeri i madh! 

Shkruan për mësuesin tënd, për nxënësin tënd, për shokun e për shumë të tjerë.  

E lexova rrëfimin për nxenësit e Ponorcit e për Hysni Gashin, një rrefim rrenqetës dhe i artikuluar mjaftë mirë e më mjeshtri nga ana jote. Çka të themë tjetër, veç të lumt penda!  

Ish mësuesi, Hysen Molliqaj, Llukë e Epërme, Deqan 

Pershendetje o i nderuari dhe respektuari Sinan Kastrati! 

Jo nuk qendron ajo, se nuk i lexoj shkrimet tuaja të cilat mi dërgon permes linkut. Të falenderoj shumë se e di se çdo kujt nuk ia dërgon ato! 

Shoh se ke mall shum për vendlindjen, që e dëshmon me shkrimet tuaja, për vizitat e rralla në vendlindje. 

 E unë mezi pres të takohemi e të bisedojmë për të gjitha ato tema të  

 kaluara e aktuale që na mundojnë, por ja që nuk po na jipet rasti.  

Florim Krasniqi, ish nxënës në shkollën fillore ”Migjeni në Lubizhdë 

(Florimi është djali i njërit nga mbretërit e folklorit. Feriz Ramadan Krasniqit që këndoi 40 vite me Salih Bajram Sadikun-Krasniqin)  

 I lexova dhe habitem se ku po i merr këto të dhëna. Por puna e juaj është e lakmueshme, stili dhe narracionin që shpreh.  

Të lumtë dhe shëndet! 

Deme Mahmutaj, ish referent i Fakult. Filozofik, dega e Gjuhë dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë 

Faleminderit Sinan 

Më ke kthy mbrapa për afro 50 vjet 

Vërtetë nostalgjike 

Halil Mani- Bajra nga Panorci, ish nxënës i Toskës dhe koleg imi i punës, si mësues në Panorc. 

Po e mbyll e prof Emil Lafes, me letrën që sapo më erdhi. E. Lafe ish delegat i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, Tiranë 1972  

”Nëse vjen në Tiranë ndo njeri nga djemtë e vajzën (plots. imi) prof. Hysni Gashit, kam deshirë ta pi një kafe me te dhe me ty bashkë! 

Emili 

Shumë bukur. Jam (mbeta shën. imi) pa fjalë sa shumë punë paske bërë e sa mirë e paske njohur babin. Paç shëndet dhe jetë të gjatë me famijen tënde! 

Valbona

*) FETAR m. 

Ai që beson te zoti, që i beson dogmat e një feje dhe sillet e vepron duke u mbështetur te këto; besimtar. 

FETAR mb. 

  1. Që lidhet me fenë, që i përket fesë, i fesë; që mbështetet në fe; që është tipar i një fetari. Dogmë (lutje) fetare. Paragjykime (bindje) fetare. Botëkuptim fetar. Moral fetar. Mbeturina fetare. Propagandë fetare. Festë fetare. Rite fetare. Sekte fetare. Emër fetar.
  2. Që beson te zoti dhe te dogmat e një feje, besimtar.
  3. Që ka për qëllim të përgatitë shërbëtorë të fesë, që ka të bëjë me mësimin e propagandimin e fesë; që i është kushtuar tërësisht fesë dhe zhvillon veprimtari në dobi të saj. Shkollë fetare. Libër fetar. Institucion fetar. Urdhër fetar.

FETARI f. 

Të qenët fetar.  

OBS: (Sipas fjalorit që ka shumë mangësi dhe është i shkruar në një sistem ku feja nuk njihej. Ishte shteti i parë ateist në botë. Kishte shëndrrua edhe kishat, ate ku ka shërbye At Gjergj Fishta, si muze i aprë ateist në botë)  

*) LAIK mb. 

  1. Që nuk është fetar e kishtar, që nuk ka përmbajtje fetare; që nuk merret me fenë; që nuk i përket fesë dhe klerit; kund. fetar. Njeri laik. Shkollë laike. Letërsi laike.

Me prirje laike. 

  1. Përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit. Laik i vendosur. E dënuan si laik.

Sinan Kastrati, me Rilindjen në Suedi, Mönsterås 1996

*) SHIBËL f. 

Ashkël e vogël druri. Shiblat e drurit. U mbush oborri me shibla. 

Grimcë, thërrmijë, lëmishte, teshë. I ra një shibël në sy. 

Nishan a shenjë që ka dikush në lëkurë ose në trup; njollë. E ka fytyrën me shibla. Iu bë trupi tërë shibla. 

fig. Njollë morale, cen, e metë. Burrë pa shibla. 

* S’ia heq shiblën nga syri dikujt: nuk i jep as ndihmën më të vogël, kur ka nevojë.  

Fund     

Malmö, 3 prill 2023 

sinan.kastrati@hotmail.com

Meshë e parë hyjnore në gjuhën shqipe në Selanik, pjesëmarrës edhe ITSHKSH nga Shkupi

0

Për të nderuar këtë ngjarje mjaft të rëndësishme shpirtërore e kulturore, kishte shkuar edhe Prof.dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, i cili konsideron se faktorizimi i elementit shqiptar në Greqi po ndodhë sipas të drejtave që legjislacioni europian i njeh. Ai e sheh me shumë rëndësi që edhe komuniteti shqiptar në Selanik dhe me gjerë, krahas aktiviteteve të përditshme, të kenë edhe organizimin e tyre fetar në gjuhën amtare, një komponentë kjo civilizuese që do të ndikojë edhe më tepër në rritjen e besimit dhe mirëkuptimit në mes të njerëzve me besime e etni të ndryshme .
Mbajtja e meshës së parë në gjuhën shqipe në Selanik është bërë e ditur nga komuniteti shqiptar i këtij qyteti Helen si një kërkesë e miratuar nga autoritetet përkatëse të Kishës ortodokse në Greqi.
I pranishëm në këtë solemnitet ishte edhe Mehmet Prishtina, president i Fondacionit “Hasan Prishtina” dhe trashëgimtar familjar i Hasan Prishtinës.

Dr. Luan Zyka, kryetar i Komunitetit Shqiptar të Selaniukut është njeriu më meritor për organizimin e kësaj meshe dhe kontributi i tij ndërlidhet me objektivat e këtij komunuteti që edhe jeta fetare në Selanik të ketë aromë shqiptare.

Në kujtim të 4 dëshmorëve të lirisë të 2 prillit 1991, në Shkodër

Nga: Frank Shkreli*

Ishte 2 Prilli i vitit 1991.  Dy ditë më parë me 31 mars, ishin mbajtur zgjedhjet e para “pluraliste”, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të “ndryshimit” të sistemit komunist pothuaj gjysëm shekullor në Shqipëri.  Megjithëse vet ato zgjedhje u mbajtën në një atmosferë pak a shumë të qetë — siç shkruante në atë kohë edhe gazeta   Nju Jork Tajms, Shqipëria — “ky vend i pa fat i Ballkanit”, dhe “vendi më i varfër i Evropës”, edhe pas këtyre zgjedhjeve, “mbetet i ndarë dhe i përçarë”. Gazeta e njohur amerikane shkruante në atë kohë se në muajt fundit rreth 80-mijë të rinjë e të reja ishin larguar nga Shqipëria dhe se “fitorja e komunistëve” në ato zgjedhje, “do të bënte që edhe më shumë të rinjë të largoheshin nga vendi”, ndërsa citonte një nga studentët e Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshironte të identifikohej, se “nuk ka asnjë arsye që të qendrojë më këtu”.   

Sidomos ata shqiptarë, veçanërisht rinia, që prisnin që zgjedhjet e para post-komuniste në Shqipëri të 31 marsit, 1991 do të sillnin “ndryshimin e madh”, “lirinë e demokracinë” dhe “Shqipërinë si e gjithë Evropa”, u zhgënjyen për së tepërmi. Përveç mos kënaqësisë me manipulimet e atyre zgjedhjeve që çuan në fitoren e Partisë së Punës, përfundimi i atyre zgjedhjeve shkaktoi edhe shpërthimin e revoltave në disa qytete. Reagimet më revoltuese ndaj fitores së partisë (komuniste) të Punës erdhën nga Shkodra ku për fat të keq të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë katër dëshmorë të lirisë e demokracisë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi e 30-viteve më parë ka lenë plagë të rënda në familjet e këtyre deshmorëve, për Shkodrën dhe Shqipërinë pasi 30-vjet më vonë mbetet gjithnjë një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir identifikimin e individëve përgjegjës për këtë krim, në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe.   

Fatkeqësisht, edhe sot në 30-vjetorin e vrasjeve të këtyre deshmorëve të lirisë, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shtetërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces i mirëfilltë drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur, pjesëmarrës në një protestë paqësore.  Ato të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër, ndërsa jehona e këtij krimi shtetëror kumbon edhe sot dhe thërret për drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim – kumbon nepër koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet vjetë pas zgjedhjeve të para “pluraliste”.  

Fatkeqësisht, shënjat nuk janë shpresëdhënse për hetime rreth këtij krimi, as sot në këtë 30-vjetor të vrasjes makabre të këtyre 4 heronjve.  Sepse sipas raportit të posa botuar të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2020, në Shqipëri, “Mosndëshkimi mbetet një problem serioz”, thuhet në atë raport: “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme.  Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”   

Problemi është se kemi të bëjmë me krime shtetërore dhe jo thjeshtë me “abuzime” nga zyrtarë të lartë të asaj kohe, urdhër-dhënës për ekzekutimin e katër deshmorëve të demokracisë në Shkodër, disa prej të cilëve ende gëzojnë poste të larta në institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar, “post-komunist”.  Megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit, 1991– më kujtohen shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë në Tiranë — për një fillim të ri historik, për “ndryshimin e madh”, për varrosjen e diktaturës,  për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste.  Por, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Në këtë 30-vjetor, mos zbardhja dhe mos ndëshkimi i këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, se ky krim shtetëror si due krime të tjera të komunizmit, nuk do të zbardhen, as personat përgjegjës nuk do të ndiqen ligjërisht dhe as nuk do të ndëshkohen, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha krimet e komunizmit në Shqipëri. 

Por ajo që mund të bëjmë ne njerëzit e thjeshtë kudo është që të kujtojmë, të kujtojmë që të mos harrojmë dhe të kujtojmë viktimat e pafajshme duke hedhur poshtë gënjeshtrat dhe duke mbrojtur të vërtetën. Kam zgjedhur që në këtë 30-vjetor të kujtoj katër heronjtë e lirisë e të demokracisë – këto 4 yje të lirisë, 

lule të demokracisë — që u vranë gjatë protestave anti-komuniste në Shkodër me 2 prill, 199, me fjalët e këngëtarit të njohur shqiptar, të ndjerit Sali Mani:    

Kengë kushtuar 4 Dëshmorëve të 2 prillit, 1991 në Shkodër 

Sali Mani – Katër dëshmorët – YouTube 

Kur zbardhë drita ditë për ditë 

Dalim heret me vaditë 

ma të bukurat lule në botë 

pak me ujë e pak me lotë. 

Katër yje të lirisë, 

Lulet e demokracisë. 

Kush i vrau dora iu thaftë 

Kush i preku zemra iu çaftë. 

A e dini kush i vrau,  

Dje i vrau e sot i qau. 

Dritë as diell me sy mos paftë,  

Diktaturë zemra t’u çaftë. 

Ndalo ti o dorë mizore 

Dorë e zezë konservatore 

Pesë dekada na ke vra 

S’i le nanat as me kja. 

Arben Broci djal ku je? 

Shkodër locën gjallë e ke. 

Diktaturat po varrosen, 

Diktatorët po groposen. 

Po qet shkumbë burokracia 

Se u shpalos demokracia 

Kush dha urdhër në atë shtërngatë 

Me vra  njerëzit duar thatë. 

Ju thaftë goja kush e dha,
fjalën vrisni kush e tha? 

Ti o vrasës urdhërdhanës 

Helm tu bafshin gjijtë e nanës! 

Nepër popull plumba ranë, 

Katër yje në gjak u lanë. 

Fshehu dorën tirania, 

derdhi lotë demokracia. 

Po renkojnë malet me gropa, 

Korbat sillen rreth e rrotull, 

Në katër rrugë ka mbetë ai popull. 

Diktatura na varfënoi, 

E si komb na përçudnoi, 

Na dhanë rrugat nepër botë. 

Diktatori vrau e preu 

Plot me plagë u mbush Atdheu 

Ju tha zemra kësaj Shqipni, 

Për liri, demokraci. 

Kur zbardhë drita ditë për ditë 

Dalim heret me vaditë 

Ma të bukurat lule në botë 

Pak me ujë e pak me lotë. 

Arben Doci ku të ra gjaku 

M’u  te dora e Bujar Bishanakut 

Te Besniku te Nazmia, 

Gjaku i juaj Demokracia. 

Hej, Arben Broci djal ku je, 

Shkodër locën gjallë e ke. 

Diktaturat po varrosen, 

Diktatorët po groposen.  

*Ribotim 

Shënime nga një vizitë në Zërin e Amerikës dhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington

0

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Të vizitosh Washingtonin, kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, që disa e cilësojnë edhe si kryeqytetin e botës, megjithëse atje kam jetuar dhe punuar disa dekada është vërtet kënaqësi dhe një përvojë e veçantë, kurdoherë që kthehem atje. Tani është koha më e mirë për të vizituar kryeqytetin amerikan, për të shijuar bukuritë natyrore, sidomos në fillim të pranverës. Por, natyrisht, gjithmonë Washingtoni është impresionues me madhështinë e tij historiko-politike, për lirinë dhe demokracinë, që ky kryeqytet pasqyron dhe ndriçon Amerikën dhe botën, në kohë të mira dhe në periudha të vështira, ndoshta si asnjë kryeqytet tjetër në botë.

Zëri i Amerikës, por edhe zëri i Lirisë, Demokracisë dhe i të Drejtave të Njeriut për 80-vjet, që është dëgjuar dhe dëgjohet rregullisht dhe me besnikëri në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor!

Unë shkoj shpesh në Washington, për arsye familjare e shoqërore, por të ënjten që kaloi, me ftesë të Kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Dr. Elmi Berisha dhe Dr. Pashko Camaj, Shef i Kabinetit të Vatrës, më ftuan t’u bashkohesha si mik i vjetër i Vatrës,  në udhëtimin e tyre për në Washington, ku ishin ftuar nga Ambasada e Kosovës për t’u takuar me Kryeparlamentarin e Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. Ndërkaq, dëshira e tyre ishte që gjatë kësaj vizite të ndaloheshin edhe tek Zëri i Amerikës. E mbaj mend mirë kohën kur Zëri i Amerikës në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe të luftërave në ish-Jugosllavi, ndonëse i njohur si një ent ndërkombëtar lajmesh dhe informacionesh ndërkombëtare, shërbente gjithashtu edhe si një “ambasadë” për shqiptarët, kur as Shqipëria as Kosova nuk kishin, për një gjysëm shekulli ose më shumë, asnjë përfaqësi diplomatike në Washington. Por, megjithëse sot dy shtetet shqiptare kanë ambasadat e tyre në kryeqytetin amerikan, kjo traditë vazhdon. Zëri i Amerikës, as tani nuk anashkalohet nga vizitorë të njohur dhe jo aq të njohur, por mbetet ende një ndalesë dhe një vizitë që duhet bërë patjetër. Në të vërtetë, janë të pakta rastet që delegacione politiko-shtetërore, që vizitojnë, zyrtarisht, Washingtonin, nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare, që në shumicën e rasteve të mos ndalen për një vizitë apo intervistë tek Zëri i Amerikës, m’u në zemër të ndërtesave qeveritare të Washingtonit, jo më larg se disa qindra metra nga ndërtesa impozante e Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ishte në këtë frymë pra: që gjatë vizitës së tyre në Washington, krerët aktualë të Vatrës dëshironin të vizitonin Zërin e Amerikës, ku na priti Shefi i Drejtorisë së Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, Dr. Elez Biberaj me kënaqësinë dhe mikpritjen e zakonshme të tij për grupe zyrtare e jo-zyrtare të shqiptarëve që e ka dalluar atë për dekada si Shef i Shërbimit shqip dikur, ashtu edhe sot si Drejtor i Drejtorisë së Zërit të Amerikës për Euroazinë. Gazeta Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra botoi këtë lajm rreth vizitës së përfaqësuesve të saj në Zërin e Amerikës: “Federata Pan-Shqiptare e Amerikës ‘VATRA’ vizitoi “Zërin e Amerikës. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i shoqëruar nga Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj dhe ish-drejtori i VOA-s për Euro-Azinë z. Frank Shkreli, mik i Vatrës, u mikpritën vëllazërisht nga Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së VOA-s për Euro-Azinë. Në takimin e ngrohtë e vëllazëror, kryetari i Vatrës z. Berisha i shprehu vlerësimet më të larta Drejtorit Dr. Biberaj për punën e shkëlqyer në mbi 4 dekada në “Zërin e Amerikës”. Në takim u fol për rolin e Zërit të Amerikës në 80 vite histori, u shkëmbyen mendime rreth gjendjes aktuale të shqiptarëve te trojet e tyre etnike dhe mërgatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ishte ky lajmi i dhënë nga gazeta ‘Dielli’ mbi vizitën e krerëve të Vatrës në kryeqendrën e Zërit të Amerikës dhe në zyrat e VOA-s në Washington. Nuk e them unë këtë si një ish-punonjës dhe ish-zyrtar i këtij enti të madh ndërkombëtar lajmesh i financuar nga kongresi amerikan, por duhet thënë edhe njëherë në këtë 80-vjetor të VOA-s shqip që po afrohet, ashtu siç është pranuar shpesh edhe nga persona asnjanës, se roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ka qenë i konsiderueshëm. VOA gjatë 8-dekadave të kaluara, u ka sjellë shqiptarëve lajmet objektive, të vërtetën dhe faktet për zhvillimet e mbrendshme dhe të jashtme në trojet shqiptare si mjete dhe instrumente të nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejt duke shërbyer sidomos dhe, njëkohësisht, si një lidhje e pandërprerë komunikimi midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar, në ditë të mira dhe në ditë të vështira për të, sidomos gjatë periudhës së zezë diktatoriale komuniste gjysëm shekullore.

Me kolegun dhe mikun prej më shumë se gjysëm shekulli, Drejtorin e VOA-s për Euro-Azinë, Dr. Elez Biberaj gjithmonë kënaqësi për të kujtuar ditët dhe vitet më të mira të jetës tonë në Zërin e Amerikës.

Muajin që vjen Zëri i Amerikës shënon 80-vjetorin e themelimit. Në zyrën e kolegut tim, Dr. Elez Biberaj, Drejtorit të Drejtorisë të VOA-s për Euro-Azinë, të ënjten që kaloi, së bashku për 73-vjet, në shërbim të Lirisë së Fjalës, Demokracisë së Vërtetë, në mbrojtje të të Drejtave të Njeriut në trojet shqiptare dhe anë e mbanë botës! Në këtë 80-vjetor të Zërit të Amerikës, urimet e mia Dr. Elez Biberajt për shërbimin e tij shembullor prej dekadash në shërbim të fjalës së lirë, si edhe shumë gazetarëve shqiptaro-amerikanë, kolegë tanë sot dhe atyre që kanë shkuar në amshim e të cilët kanë punuar, me përkushtim me ne gjatë këtyre dekadave. Ka qenë dhe është një nder për mua të kem punuar gjatë dekadave me një grup gazetarësh aq të talentuar dhe të dedikuar dhe të zotë, por njëkohësisht edhe dashamirës dhe mbështetës të lirisë e demokracisë në trojet shqiptare dhe anë e mbanë botës. Gjatë 80-vjet histori të VOA-s, dyzina gazetarë shqiptaro-amerikanë kanë punuar në Zërin e Amerikës me shpresën se një ditë në Shqipëri do shembej komunizmi enverist dhe se midis një Shqipërie demokratike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona. Dhe se Shqipëria do të integrohej plotësisht me botën euroatlantike, siç ka ndodhur me shumicën e vendeve ish-komuniste evropiane. Por për fat të keq, gjithnjë presim për një Shqipëri vërtetë të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore në kuptimin e vërtetë të fjalës!

“Burri i mirë me shokë shumë” – Foto e disa prej stafit të VOA-s shqip ndër vite, pjesëmarrës në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 70-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. (Maj, 2013)

Pas vizitës dhe pritjes vëllazërore në Zërin e Amerikës, iu drejtuam Ambasadës së Republikës së Kosovës, ku Vatra ishte ftuar të merrte pjesë në një takim të Kryeparlamentarit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, me mërgatën shqiptare në Washington, në përmbyllje të vizitës së tij në kryeqytetin amerikan, ku mori pjesë në mbledhjen e demokracive botërore, organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës zhvilloi një takim shumë miqësor me vatranët dhe të tjerë – “një moment i paharrueshëm”, e ka cilësuar ai në faqen e tij të fejsbuk, takimin me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan të Washingtonit. Konjufca ka pasqyruar takimin me bashkatdhetarët e vet në Washigton dhe me ish-ambasadorin William Walker, mikun e madh të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve: “Takimi përmbyllës me mërgatën tonë në Uashington ishte një moment i paharrueshëm, i cili u mbajt me nderin e veçantë të pranisë së mysafirit special, ish ambasadorit William Walker, mbështetësi i madh i Kosovës, i cili na ka ndihmuar gjithmonë në nivele ndërkombëtare. Ambasadori Walker inkurajoi Kosovën të vazhdojë rrugën e reformave dhe modernizimit të shoqërisë së saj”,- ka shkruar z. Konjufca. “Mërgata kosovare ishte e përfaqësuar nga një grup i përzgjedhur i biznesmenëve, profesionistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile. U tregova nga afër për situatën aktuale në Kosovë dhe për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe theksova rëndësinë e zhvillimit të ekonomisë dhe të investimeve, si dhe nevojën për të punuar për integrimin e Kosovës në familjen e BE-së”, ka shkruar në faqen e tij elektronike, Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës. Duke vazhduar se: “Së bashku diskutuam për proceset aktuale në Kosovë dhe për sfidat e ardhshme që pritet të ballafaqohemi. Gjithashtu u dakorduam se marrëdhëniet midis dy vendeve (Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës), duhet të forcohen edhe më shumë, duke përfshirë bashkëpunimin në fusha si ekonomia, arsimi, kultura dhe siguria. Mërgata, e gatshme si gjithmonë, u shpreh se ata kanë shumë interes dhe dëshirë për të ndihmuar në zhvillimin e Kosovës, veçanërisht në fushat e arsimit dhe zhvillimit ekonomik”,-  është shprehur ai. “Vlerësova përpjekjet dhe ndihmën e diasporës kosovare dhe ritheksova se ne jemi të hapur për të dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e tyre në çështjet, që kanë të bëjnë me Kosovën dhe se dyert e investimeve në vendlindjen e tyre janë të hapura sot më shumë se kurdoherë më parë’. Takimi u mbyll me premtimet që të punojmë së bashku në interes të Kosovës dhe të mërgatës”, ka përfunduar ai mesazhin e tij. Ishte ky vlerësimi nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës Z. Konjufca për takimin e tij me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan në Washington. Një bashkbisedim dhe shkëmbim mendimesh i sinqertë për aktualitetin e gjëndjes në Kosovë, për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës dhe për rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në avancimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, në të ardhmen, midis dy popujve tanë. Në këtë takim mori pjesë edhe ish-Ambasadori amerikan William Walker. Në fjalën e tij përshëndetëse ish-diplomati amerikan tha se Kosova është vend i lirë, i pavarur dhe demokratik si dhe pjesë e vlefshme e Evropës moderne, dhe se duhet ta njohin edhe vendet që nuk e kanë bërë deri më tani, një gjë të tillë. Ai u tha të pranishmëve se Kosova është ndër vendet më demokratike në Evropë, për të mos thënë në botë. Njëkohësisht, Ambasadori Walker u bëri thirrje politikanëve të Kosovës, të kalojnë më shumë kohë duke u përpjekur ta bëjnë këtë, një vend më të mirë, duke u përpjekur ta bëjnë botën të kuptojë se çfarë është Kosova, dhe më pak të luftojnë për politikë: kush ka më shumë vota, kush ka më shumë vende në parlament, kush do të jetë ministër”, -ka thekësuar William Walker. Një porosi kjo me vend e Ambasadorit Walker për klasën politike shqiptare dhe miqësore për të gjithë politikanët e trojeve shqiptare nga njëri prej miqve më të mirë e më të sinqertë të shqiptarëve.

Kryeparlamenari i Republikës së Kosovës, Dr. Glauk Konjufca në Ambasadën e Kosovës në Washington
Ish-Diplomati amerikan, William Walker duke folur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington në takimin e Kryeparlamentarit të Kosovës me diasporën.      
Ish-Diplomati amerikan, William Walker duke folur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington në takimin e Kryeparlamentarit të Kosovës me diasporën.                        

Takime frytdhënëse të punës së Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore të Luginës së Preshevës

0

Shkruan: Xhemaledin Salihu  

Më 30 mars 2023/e enjte/ delegacioni i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në Preshevë, në përbërje të kryetarit të Kuvendit të SHTKK, Phd Shpëtim Memishi, kryetarit të SHTKK-së, Xhemaledin Salihu, profesor dhe Prof.dr. Agron Xhagolli, anëtar i Nderit i SHTKK-së dhe i Bordit të Konferencës shkencore patën një takim pune dhe shumë frytëdhënëse me Rektorin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof.dr. Luan Përzhita, arkeolog në Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku biseduam lidhur me pjesëmarrjen e Studiuesve të kësaj Akademie në Konferencën shkencore: “Personalitete shkencore shqiptare në Luginë të Preshevës dhe në viset tjera shqiptare”, e cila duhet të mbahet më 27, 28 e 29 tetor 2023. 

Gjatë bisedës shumë të përzemërtë me Rektorin u premtua se Akademia e Studimeve Albanologjike e përkrah mbajtjen e Konferencës shkencore dhe zotimi se Studiuesit e kësaj Akademie, në krye me Rektorin do te jenë pjesëmarrës të kësaj Konference. 

Ajo që më se shumti na gëzoi dhe kënaqi ishte propozimi konkret i Rektorit se Akademia me tërë potencialin e saj akademik e shkencor e financiar do të jetë e pranishme me hulumtime, kërkime, me ekspedita shkencore e gërmime në Luginë të Preshevës, vetëm po qe se ftohet zyrtarisht në këtë nismë. 

Poashtu Prof. dr. Luan Përzhita propozoi që të gjitha botimet e Akademisë të Studimeve Albanologjike t’i jipen bibliotekave komunale në Luginë të Preshevës. 

Poashtu Rektori i nderuar propozoi që nga materialet e hulumtimeve, gërmimeve, ekspeditave akademike e shkencore të hartohet një Enciklopedi gjithëpërfshirëse e Luginës së Preshevës. 

Delegacioni i SHTKK-së e pranoi me kënaqësi të madhe propozimin e Rektorit, Prof. dr. Luan Përzhita dhe u obligua që do të angazhohet në realizimin e kësaj nisme. 

Në kuadër të Akademisë së Studimeve Alabanogjike veprojne: Instituti i Antropologjisë dhe Studim Arti, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare. 

Pas takimit në Akademi u takuam edhe me  Avokatin Agron Isa Gjedia dhe biseduam për aktivitetet e SHTKK-se dhe Shoqatës “Bytyçi”Tiranë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. 

Poashtu delegacioni i SHTKK-së pati një takim me Z.Genci Bejlerin, zyrtar në Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, në mungesë të Ministresë dhe Zëvendësministresë së kësaj Ministrie, duke na premtuan se gjithë bisedën tonë do t’ia përcjellë Ministresë dhe Zëvendësministresë. 

Hazir Mehmeti: Promovohet libri “Riislamizimi – rreziku i radhës”‘ i autorit Bajram Kabashi

Nga: Hazir Mehmeti, Prishtinë

28 mars 2023, Prishtinë. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani“, u promovua vepra e Bajram Kabashit, gazetarit dhe hulumtuesit të njohur. Ky autor veçohet në hulumtimet e tij rreth islamit politik dhe pasojat e tij për shqiptarët.  Një libër që sjell njohuri të vlefshme nga këndi i vështrimeve analitike e filozofike lidhur me ideologjinë fashiste të islamit ekstremist si rrezik.  Brumi i librit është intervista me publicistin dhe veprimtarin e njohur për çështje kombëtare Ibrahim Kelmendi.

Salla e bukur e Bibliotekës ishte e mbushur me pjesëmarrës ku para tyre rreth veprës folën penalistë Sadri Ramabaja, Zeqir Bekolli dhe autori i librit. Programi u realizua nën drejtimin e Drita Kosumi – Syla.   Sadri Ramabaja në fjalën rreth veprës mes tjerash tha: ”Me këtë botim ngrenë alarmin me rrezikun me të cilin po përballet e ardhmja e shqiptarëve si rezultat i heshtjes institucionale dhe oportunitetit të elitës intelektuale përballë veprimit aktiv të no otomanizmit dhe islamit politik për tjetërsimin e kombit shqiptar. … – Libri “Riislamizimi rreziku i radhës”, ka një gamë të gjerë interesimesh. Që të dy heronjtë e tij, si intervistuesi dhe i intervistuari janë njohës të mirë të filozofisë së religjionit dhe historisë politike shqiptare. Kabashi njeh natyrën jo konformiste të Ibrahim Kelmendit, natyrisht dhe faktin se ai është personaliteti shumë i rëndësishëm i lëvizjes kombëtare, siç e cilëson me të drejtë autori i librit. Kelmendi ia ka arritur në një varg librash ia ka arritur të shtjellon hollësisht lëvizjen që quan drejtë lirisë së Kosovës e më gjerë. Por, nënvizon Kabashi tutje në hyrje të librit, Kelmendi në këtë udhëtim të tij të gjatë e plotë peripeci, rishfaqet me një libër të ri e krejt të veçantë,  “Islami religjion agresiv”. Ky libër u prit mirë e me kureshtje,  por pati edhe një përpjekje që të lihet në heshtje. Në gjithë botën botohen libra të tillë ku shtjellohen ngjarje e dukuri të tilla të ndjeshme që dalin, ai nuk e përjetoi debatin e mirëfilltë pavarësisht se botime të tilla njihen gjithkund dhe kuptohen si ngjarje me rëndësi kulturore. Ky libër kaloi disi në heshtje. Në vitin 2018  shtëpia botuese e New York-kut, publikoi librin e Maedlin Ollbrait-it me titullin “Fashizmi në paralajmërim”,  titull i cili më shumë ishte alarm se sa informim”.

Zeqir Bekolli: Pikëpamjet e veta bashkëbiseduesi i Kabashit i hedh në disa rrafshe. Në plan të parë bënë një dallim ndërmjet ndërmjet islmit tradicional të shqiptarëve ku ndikim kishte kanuni i Lek Dukagjinit dhe islamit të përhapur nga Muhamedi që në esencë ka luftën kundër të pafeve dhe atyre që nuk nënshtrohen që i tejkalon përmasat e fesë, madje edhe në luftë të përhershme me izraelitet.”

Autor në hyrje të librit shkruan: Muhamedi nuk i ka vështruar kundërshtitë në mes të hebrenjve dhe myslimanëve  si diçka kalimtare, si rrjedhim kundërshtimit ndaj tij dhe politikës së tij, por si një betejë e gjatë që do përfundojë në ditën e gjykimit. Ai profetizonte: “Dita e gjykimit do të vijë derisa myslimanët t’i mundin dhe t’i vrasin hebrenjtë, jo përderisa hebrenjtë të fshihen pas guri dhe pema do thotë: O ti mysliman, o shërbëtor  i Allahut, këtu është një hebre që fshihet pas meje. Eja dhe vrite” dhe filozofit arab Hamed Abdel-Samad në librin e tij me titull “Fashizmi islamik”:  “Kjo profeci ende ushqen “fantazitë shfarosëse” të shumë islamistëve, ( islam – nënshtrim) të cilët e konsiderojnë luftën kundër hebrenjve si një mision të shenjtë. Për ta, traktatet e paqes ose ndërprerja e pushtimit të territoreve, nuk janë argumente për përfundimin e luftës. Hebrenjtë konsiderohen si tradhtarë të përjetshëm dhe lufta kundër tyre është një përcaktim, plan e obligim hyjnorë, i cili kryhet vetëm kur gjithë hebrenjtë të shfarosen”  (Kështu e thotë në librin e tij filozofi arab në faqen 72)

Libri prek disa etapa të aktiviteteve të rrymave islamike radikale e fashiste deri në ditët e sodit me tendencë përhapje në institucionet shtetërore deri në parlamentin e Kosovës. Baza e përhapjes së këtyre rrymave radikale antinjerëzore e antikombëtare janë predikuesit islam të shkolluar në lindje në shkolla radikale të cilët i kanë pushtuar xhamitë e ndërtuara në Kosovë pa kurrfarë kriteri dhe transparence financiare. Këto i toleroi pushteti i dominuar nga njerëz të pa ditur e analfabet dhe si pasojë u indoktrinuan dhe indoktrinohen haptas të rinj si pjesë i ISS-it në Siri dhe vende tjera ku kanë hapësirë veprimi.

“Pushtuesit u treguan të zgjuar dhe të shkathët në shpërdorimin e islamit për nevoja nënshtruese dhe të sundimit sa më të lehtë të shqiptarëve të besimit islam, të cilët ishin në përqindje të madhe. Vetë pushtuesit serbë subvenciononin medrese e mejtepe, ku jepnin mësim klerikët mysliman, mercenarë haptas, por më shumë klandestinë.  Prandaj, në shpërnguljen e madhe të shqiptarëve për në Turqi kanë pasur rol të madh edhe klerikët mysliman, të cilët e propagandonin Turqinë si vend të Allahut dhe mallkonin trojet si vend të kufarëve ( jo myslimanët). Akademiku serb Vasa Çubrilloviq, ministër në Jugosllavinë titiste, u dha udhëzime institucioneve qysh gjatë viteve 1930 se si duhet shpërdoronin klerin mysliman për të motivuar shpërnguljen në Turqi.  Pasojat e atyre zhvillimeve po i vuajmë edhe tani, meqë ato përvoja – shpërdorimi i islamit dhe islamistëve, që shkaktuan pasoja shumë të rënda.  Serbia i riaktualizoi sidomos pas çlirimit, meqë tashmë nuk kishe mundësi të drejtpërdrejtë të na shkaktonte pasoja politike, si gjatë pushtimit. Dhe, tashmë islamistët më kanë shkaktuar dyshimin, nëse janë këta më të dëmshëm se sa millosheviqianët arkanistë.” (Faqe 51).

Në libër shkruhet edhe për qëndrimet e disa figurave shqiptare në raport me riislamizimin: Akademik Rexhep Qosja, Abdi Baleta, Milazim Krasniqi etj.  Nga libri mes tjerash lexojmë: “Naim Ternava krytar i BIK  në fjalën e tij para pak kohësh tha: “Në Kosovë janë ndërtuar 900 xhami dhe do ndërtohen edhe qindra tjera. Ata që nuk i pëlqejnë xhamitë, le të shkojnë në Beograd”.  Pra, në këtë mandat qeveritar islamistët janë në ofensivë, sepse Kurti gjatë fushatës elektorale u ka bërë premtime të mëdha. Isalmistët, sidomos ata tê emigracionit, i besuan Kurtit dhe ia krijuan shumicën në zgjedhjet e fundit parlamentare… Islamistët i faktorizoi Albin Kurti.” (faqe 81)

Libri karakterizohet me analiza të intervistuarit Ibrahim Kelmendi në etapa të ndryshme të historisë së re të Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi. Indoktrinimi islamik i shqiptarë u bëri dëm të madh në ndertimin e besimit tek fuqitë evropiane për t’i përkrahur shqiptarët në përpjekje për ta fituar lirinë  nga perandoria osmane si tersi territoriale dhe tani në rrjedhat politike ndërkombëtare.

Libri ka 137 faqe dhe është i rrallë me tematikën e tij që shtjellon. Të pranishmit në sallën  e Amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” e përshëndetën autorin Bajram Kabashi për mundin e tij duke i dëshiruar edhe shumë vepra tjera.

Jam dakord që liria ka një emër, por…

1

Nga Aurel Dasareti

Liria nuk është të vrasësh kundërshtarë politik, gazetarë etj për interesa personale; ky akt është krim. Mos e njëjtësoni (mos e barazoni, identifikoni), mos e njollosni UÇK-në me ata “komandantë e gjeneralë” shqipfolës që vranë njerëz (shqiptarë) të pafajshëm. Ata për të cilët brohorisni “Liria ka emër”, faktikisht

ishin e kundërta e lirisë, sepse i pengonin, i kontrollonin, i detyronin, i sundonin, i mashtronin, i plaçkitnin, i vidhnin pasuritë e vendit, dhe i vritnin ata që kundërshtonin ligësitë e tyre.

***

Çfarë është saktësisht liria?

Liria është një gjendje sovraniteti ose vetëqeverisjeje për një individ, një grup individësh ose një sistem politik. Me fjalë të tjera, liria është e kundërta e të qenit i penguar, i kontrolluar, i detyruar ose i sunduar.

Çfarë do të thotë të jesh njeri i lirë?

Vullneti i lirë ose liria e vullnetit është një term filozofik që përshkruan aftësinë e individëve të vetëdijshëm për të kontrolluar mendimet, zgjedhjet dhe veprimet e pavarura nga faktorët natyrorë ose të mbinatyrshëm. Aftësia për të pasur vullnet të lirë ka qenë prej kohësh një çështje e rëndësishme në fe, shkencë, filozofi dhe etikë.

Çfarë është liria ekzistenciale?

Sipas ekzistencialistëve, ajo që kryesisht i ndan njerëzit nga kafshët është se ne mund të lidhemi

me ekzistencën tonë. Ne kemi një liri ekzistenciale. Sa herë që veprojmë, ne e dimë në të njëjtën kohë që kemi mundësinë të veprojmë ndryshe.

Çfarë është liria?

Liria është një gjendje ku njeriu mund të marrë vendime me vullnetin e tij të lirë. Liria mund të përfshijë, për shembull, që dikush është i lirë të besojë, të mendojë, të thotë ose të bëjë diçka, dhe që mund të zgjedhë me kë dëshiron të jetë dhe ku dëshiron të jetë. Mund të flitet për liri në raport me një individ, një grup apo një shtet.

***

Patriotizmi identifikohet me sakrificat që një popull është në gjendje me i bërë për të fituar Lirinë.

Gjatë njëzet-tridhjetë viteve të fundit të “lirisë” dhe “demokracisë” shqiptarët e kanë vrarë njëri-tjetrin si asnjë komb tjetër në rruzullin tokësor. Unë nuk merrem me spekulime, nuk njohë asnjë prej tyre, prandaj nuk mund të zgjedhë asnjë mendim se kush, kur, pse, qysh dhe cilin e vrau. Të mos kesh asnjë mendim është gjithashtu zgjedhje, sepse nëse nuk ke vetë një mendim, i jep mendimit të të tjerëve më shumë liri veprimi.

***

Çfarë mendonte Platoni për lirinë?

Me fjalë të tjera, Platoni e hedh njeriun në dilemën e lirisë: Liria është të marrësh përgjegjësi për zgjedhjet që bën, edhe kur zgjedhjet janë shkatërruese për veten. Megjithatë, kjo nuk duhet të na bëjë të besojmë se antikiteti (lashtësia-bota e vjetër) ka pasur një kuptim të gjerë të individualitetit, dhe për këtë çështje humanizmin.

Çfarë thotë Immanuel Kant për lirinë?

Përkufizimi i Kantit për lirinë politike është, se të gjithë njerëzit kanë të drejtën e shkallës më të lartë të mundshme të lirisë që është në përputhje me një liri përkatëse për të gjithë të tjerët, dhe duhet të ketë një rend ligjor që vendos kufizime në lirinë e njeriut, në mënyrë që individët të mos marrin liri në kurriz të të tjerëve.

***

Atdhedashuria është të kujdesesh, ta ruash dhe ta mbrosh, të qëndrosh pranë Vendit tënd gjatë gjithë kohës, ndërkaq pranë individit, pranë Partisë dhe Qeverisë vetëm kur e meritojnë atë.

Edhe çka mbet pa u thënë për profesor Hysni Gashin 

Burim Gashi, djali i madh i Hysniut dhe Sevdijes

Sinan Kastrati, Suedi 

Vazhdon nga numri i kaluar me titull ”Pse e krahasova kthimin e profesor Hysni Gashit në Prizren me kthimin e Skënderbeut në Krujë?”, publikuar më 1 Prill 2023  

E kisha të vështirë të flas për profesor Hysni Gashin sepse e njoha për burrë të mirë por edhe më të vështirë e kisha të ndahem nga ai. 

Se a ia kam arritur qëllimit që sado pakë të flas për profesorin, nuk e di. Nganjëherë, edhe pse pak, mendoja ta lë e të mos flas fare kur mendoja punën e Hysni Toskës, sidomos gjithë ato vështirësi që jo njeriu por as guri nuk do të mund të iu qëndronte.  

Plakat tona kanë lënë fjalë kur dikund e mallkonin, nëmën *), për të keq ”I raftë gurit e drunit” . Hysniu ïu bëri ballë më shumë se guri e druri të gjitha vështirësive dhe qëndroi i fortë si lis bungu. Sëmundjes nuk i qëndroi e vdekjes nuk (mundi ti) i iku.  

Po more profesor, dergja *) e rrxon (rrëzon)*) edhe lisin. Po ty o profesor, vetëm vdekja të rrëzoi e ta mbylli gojën. 

Kisha mendua që ti shkruaj 1, 2 faqe A-4 për monografinë që Izet Shala me një grup të burrave të palodhshëm, po shkruanin një libër për profesorin por, sa e kisha krehur, e bërë gati për rrugë deri në Malishevë, një pakujdesi e vogël e gishtave të mi të parahatueshëm që janë, e kisha prek një shkronjë, shenjë të kompjuterit dhe më humbi letra për profesorin. 

Ama, fjalët e kujtimet që kisha për Hysniun, nuk humbin. Ato i kam ngulit në mendje që nuk ka erë e furtunë që mund ti shkund e humb. 

Fillova të lexoj fjalë të urta latine, shprehje popullore shqiptare, pleqni dhe nuk mund të gjeja një fjali që do ti përshtatej profesorit të ia vejë si titull, prandaj u ula në tokë dhe fillova nga fjalët më të thjeshta, siq ishte Hysniu ta përshkruaj punën e madhe e modestinë e pashoqe që kishte. 

Ndihmë kërkova edhe nga orët e zanat e malit, nga shtojzovallet e dragoit. Hysniu ishte dragua, kreshnik si heronjët e këngëve të maleve të Veriut. Ai në ato male, në Malet e Pashtrikut ishte ushqye me tamel të zanave e kishte marrë forcën si Oso Kuka e Ali Pashë Gucia. 

Kërkova edhe ndihmën e më të afërmve të profesorit, vajzës Valbonës, Valbonës që sa e sa herë Hysniu ishte freskua e pi ujë “Valbone” të Alpeve të Veriut, si bari. 

Në ndihmë më erdhën edhe Burimi, djali i madh, që kur lindi, profesori e pagëzoi si “Burim”. Eh profesori e dinte se me burimin fillonte jeta e re. 

 As Kushtrimi, djali i dytë i profesorit nuk ndejti duarkreyq. Kushtrimi, e dha kushtrimin *). Ai mori forcën dhe në vend të shpatës, muzdrakut e pushkës së gjyshit Selim, Kushtrimi mori penën dhe ”brikun” e kirurgut. Ai u bë mjek. 

Ehe Arbeni, të cilin nuk e pash e as nuk fola por pasi nuk kisha adresë, mora nga ai një përshëndetje e një falenderim që ma kishte dërgua përmes Valbonës. 

Në fund, ishte Nakija, gruaja e dytë e profesorit, por edhe jo e fundit. Ajo më së shumti mu gjet. Më dërgoi, sikurse edhe Valbona, foto e fjalë e shumë e shumë të dhëna për ish shokët e fëmijërisë e shkollës që e përkrahën dhe ndihmuan Hysniun. 

Po çka nuk dihët e çka ka mbetur pa u thënë për profesor Hysni Gashin ? 

Ka disa të dhëna që më mungonin dhe nuk isha i sigurt e nuk isha i kënaqur me punën që bëja, për jetën e profesorit që nga nëna e Hysniut. Nuk e kuptova asnjëherë pse u ”nda” Hysniu nga nëna? Kur vdiq nëna (Gjyldane, shkurt ”Gjylë”). 

As për motrën e vetme, (Shuhretja) nuk di shumë. Sipas asaj që ai thot dhe e përhkruan shkurt: Ajo ka qenë disa muajsh kur Hysniu kishte 3 vjet. ”U rritëm dyreve të hallkut, nga mëshira e bëmirësëve. Se si kemi mbetur gjallë nuk e di…! ”. Nuk di as a është ajo, motra gjallë, a ka fëmijë dhe ku jeton? 

Tjetër gjë që është me rëndësi shumë të madhe, është edhe ajo pse shkoi Hysniu nga Jetimorja e Vlorës në Krocai? A shkoi ai si akcionist apo si nxënësit e shkollave në ekskursion.  

Dr. Kushtrim Gashi, djali i dytë i profesorit

Ishte e vështirë ta ndiqje Hysniun si fëmijë, që nga lindja (në Prizren), që lëvizte herë në Ujëz, Gjakovë, Lubizhdë të Hasit, Letaj, Kuks, Vlorë, Kroaci dhe përsëri, në Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Beograd, Prizren, Ferizaj, Çegran (Maqedoni), Rahovec… Malishevë, Fushë Kosovë e Prishtinë. 

E shkreta Sevdije (gruaja e parë), të ngratë fëmijë çka kanë hjekur.   

Megjitha, unë si ish nxënës i Toskës, i mshela sytë dhe gjuajta me psuhkë e kur të kris pushka, te shqiptarët është haber *), ama haber (lajm) gëzimi. Hysniu nuk do të vdes. Për Hysniu do të shkruhët libër e ai do të mbush bibliotekat e qyteteve e katundeve me këngën e vajin e fëminor, të jetimit që u rrit pa prindër, i vetëm por bëri miq të shumtë. 

Arbeni, djali i vogël i Hysniut

Shënime të shkurtëra të atyre që më ndihmuan:  

Valbona 

”Kam lindur në Prizren më 6.04.1962 

Kam mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë, drejtimi laborant, në vitin 1979/80. Në vitin 1981 u punsova në klinikën gjinekologjike në Prishtinë ku punova deri në vitin 1990, atherë kur na larguan masovikisht nga puna. Në shtator te vitit 1990 fillova të punoj në Gjakovë, në laborator punova dy vite dhe në vitin 1992 me bashkëshortin dhe djalin tim emigruam në Gjermani. Këtu prej 10 vitesh punoj në klinikën interne. Kam dy fëmi: Heroikun dhe Vionen dhe dy mbesa e nje nip. Heroiku mirret me logistike në një fabrikë makinash në Homburg (SAAR) e Viona, është profesoreshë e gjuhës angleze spanjolle dhe gjermane. 

Letër për babain, që unë ia kërkoav dhe insistova që të ma dërgon, e unë i premtova se do të iu dërgoi në Malishevë, Izet Shalës (e Fadil Javorit). 

”Jam ulur të shkruaj ca kujtime të mia për babin tim të dashur. Kam aq shumë kujtime sa më duhen muaj të tërë të shkruaj por do i shkruaj pak fjalë. Ishe dhe do mbetesh krenaria ime më e madhe. Si vajzë e vetme e dy prindërve të mi, isha e privilegjuar dhe e përkedhelur dhe kisha një mbështetje të madhe në çdo aspekt deri në frymën tënde të fundit. Nëse jam e vlerësuar si njeri, jam falë atyre që më edukuan ta dua Atdheun, kombin dhe të jem humane për çdo njeri në nevojë siq ishin edhe ata dy, nëna e baba. Pas vdekjes se tim shoq,  Efrefit u bëre babi shoku im edhe më i mirë. Më jepje forcë dhe kurajo ti perballoja sfidat e vështira të jetës.  

Më mungojnë telefonatat që folnim, më thirrje çdo ditë me kafenë e mëngjesit para dhe imagjinonim sikur jemi ne një dhomë bashkë duke biseduar. I qanim hallet njëri tjetrit: Për situatë politike debatonim ndonjëherë edhe ashpër se që të dy sishim të njëjte¨, të vrullshëm  por fundi i bisedës gjithone përfundonte me gaz dhe shpresë se do të takohemi së shpejti. 

Shëndritsh në qiell ashtu siq shëndrite në tokë o i shtrejti im baba! 

Luiza dhe Izabela, janë të Heroikut dhe Noani, është i Vionës, mbesat e dhe nipi im” 

Valbona jeton dhe punon në Gjermani  

Kushtrimi, është djali i dytë pas Burimit. Ka lindur më 11 qershor 1964 

Është i martuar me Sabahate Mehmetin- Gashin dhe kanë dy djem: Jonin dhe Orfeun. 

Të dytë janë mjekë, Kushtrimi ka specializua në kirurgji e Sebahati, në anastezi. 

Jetojnë dhe punojnë në Prishtinë.  

Arbeni jeton në Norvegji. Është i martuar me Blerandën dhe ka dy fëmijë, djalin Bleart dhe vajzën Aulona  

Nakija (gruaja e dytë e profesor Hysniut) 

Kam lindu më 14 dhjetor 1951. Me Hysniun jam martu me 7 Qershor 2003 

Baba, Ibrahim Haxhi Leti ndërsa nëna, Rrushe Hysen Lluka nga Kabashi i Pukës. Në moshë te re gjyshi shpërngulet prej katundit Letaj dhe vjen në Gjakovë ku pas disa vjetësh lind baba im 

Mbiemri im i vajzërisë është Leti.  

Shënime të tjera nuk kam dhe nuk iu kërkova vetëm e vetëm që mos ta teproj por Burimi është i martuar dhe ka dy fëmijë. 

*) BURRË m. 

  1. Njeri i seksit mashkullor; njeri mashkull në moshë të pjekur. Burrë i pjekur. Burrë plak (i thyer). Burrë i martuar (i pamartuar). Burrë fjale. Burrë zakoni. Burrë i besës. Burra e gra. Pesë para burrë burrë me shtat të vogël e të dobët. Burrë katërqind dërhemë burrë i pjekur dhe i zoti. Burrë me qokë burrë që i zë vend fjala. Dyzet vjeç burrë. Rroba (veshje) burrash. Kostum (pallto, këpucë, këmishë, çorape) burrash. Rrobaqepësi për burra. Punë burrash. Bëhem burrë rritem, madhohem.

I them vetes burrë e quaj veten të rritur. Burri s’matet me pëllëmbë, po me zemër. fj.u. Nuk lind burri me mustaqe. fj.u. Druri nga pemët, burri nga punët. fj.u. Kalin e njeh barra, burrin e njeh puna. fj.u. 

  1. Njeri mashkull i martuar kundrejt gruas së vet, bashkëshort i një gruaje, i shoqi. Burri i parë. Grua me burrë (pa burrë). Vëllai (xhaxhai…) i burrit. Motra (tezja…) e burrit. U bë për burrë.

E mori për burrë. E do për burrë. Burrë e grua, mish e thua. fj.u. 

  1. 3. Njeri i fortë, trim, i besës e fisnik. Burrat e dheut. Burrë mbi burrat. Fjalë (besë) burri. Është burrë. E bëri si burrat. S’e bëj për burrë nuk e quaj trim, s’e çmoj. Bëhu burrë! tregohu trim e guximtar! Muri luan, burri s’luan. fj. u. Kau lidhet për brirësh, burri për fjalësh. fj. u. Fjala e burrit – pesha e gurit. u.
  2. Njeri i shquar në veprimtarinë shtetërore e shoqërore ose që udhëheq e drejton, personalitet. Burrë i madh. Burrë shteti.
  3. përd. mb. Trim, fisnik, i fjalës e i besës. Grua më burrë se burrat.

* Burri (i biri) i botës përçm. shih te BOT/Ë,~A. Bum i dheut shih te DHE,~U. Burri i nënës keq. shih te NËN/Ë,~A. Më është bërë (si) burri i nënës shih te NËN/Ë,~A. Djalë burri djalë i gjetur, thjeshtër. Në shesh të burrave ballë për ballë, haptas, atje ku tregohet burrëria. A je burrë! krahin. përshëndetje kur takohen dy burra. S’ka burrë (nëne) … s’ka njeri të lindur (që t’ia dalë në krye një pune). Ta vë babën burrë keq. shih te BAB/Ë,~A. Është një burrë e gjysmë është trim i madh, trim e shkuar trimave. Edhe burrat kanë burra fj.u. ka trima, por ka edhe më trima; trimëria, burrëria e zotësia s’kanë kufi. Burrin e prishin (e çartin) huqet fj.u. veset e këqija prishin edhe atë më trimin e më të zotin. U bë «bjeri burri burrit» u bë rrëmujë e potere e madhe, s’merrte vesh i pari të dytin, u bë merre ta marrim. Burrë me (një barrë) mustaqe shih te MUSTAQ/E,~JA. S’lind burri me mustaqe fj. u. shih te MUSTAQ/E,~JA. 

Valbona, e perkdhelura e babit, vajza e vetme e prof Hysniut

*) NËMË f. 

Shprehje me të cilën shfaqet një dëshirë e keqe dhe dënimi për dikë a për diçka; mallkim. Nëmë e rëndë. Nëma e nënës. Nëma e mallkime për pushtuesit! E zëntë nëma ime! mallk. 

*) DERGJEM vetv. 

  1. Rri shtrirë në shtrat për shkak të një sëmundjeje të rëndë, lëngoj në shtrat. Dergjet në shtrat (në spital). U dergj për një kohë të gjatë. Dergjej i sëmurë rëndë. Dergjej pa ndjenja. Dergjet lehonë.
  2. edhe keq. Rri shtrirë e pa lëvizur në një vend për një kohë të gjatë; rri pa bërë asnjë punë; rri kot. Dergjej tërë ditën në rroba. Dergjej në diell. Dergjeshin rrugëve. Dergjej pa punë.
  3. Rri dhe vuaj në burg a në internim; rroj e vuaj në mërgim për një kohë të gjatë. U dergj në burg (në internim, në dhe të huaj).
  4. fig. Rri ose jam për një kohë të gjatë në gjendje të keqe dhe asnjeri nuk kujdeset për mua; mbetem në mëshirën e fatit. Populli dergjej në padije. Makineritë dergjeshin në shi e në diell.

DERGJË f. 

  1. Sëmundje e gjatë dhe e rëndë që u bie frymorëve e bimëve; lëngatë. Dergja e syve. Dergja e kafshëve. Dergja e bimëve (e pemëve, e rrënjëve). Duhanit i ka rënë dergja.

E ka dobësuar (e ka këputur) dergja. 

  1. krahin. Tuberkulozi. Nuk vdesin më nga dergja.

*) RRËZOHEM vetv. 

  1. Bie përdhe kur humbas mbështetjen, lidhjen, drejtpeshimin ose kur ndesh një pengesë, bie padashur; gremisem; shembem; kund. ngrihem. U rrëzua muri (gardhi, shtëpia). U rrëzua pema (lisi). U rrëzua gruri (misri). U rrëzua fëmija. U rrëzua mbi akull (mbi dëborë). U rrëzua në rrugë (në dysheme). U rrëzua me hundë. U rrëzua përdhe. U rrëzua e theu këmbën.
  2. Bie nga një vend më i lartë në një më të ulët, këputem nga lart poshtë. U rrëzua nga muri (nga shkallët, nga çatia). U rrëzua nga kali (nga mushka, nga karroca, nga makina). U rrëzua nga një degë. U rrëzua nga shkëmbi. U rrëzua në gropë.
  3. vet. veta III. Shqitet, hiqet, shkëputet nga një vend a nga e tëra, bie. Rrëzohen gjethet. Rrëzohen lulet (kokrrat).
  4. fig. Zbres nga fuqia, humbas pushtetin a vendin që kisha; bie. Rrëzohet qeveria (regjimi, pushteti). Rrëzohet nga fuqia. Rrëzohet nga kategoria. sport.
  5. fig. Humbas fuqinë a shëndetin, ligështohem, dobësohem. Iu rrëzua trupi (shëndeti). Është rrëzuar shumë kohët e fundit.
  6. Zbres nga një krahinë më e lartë dhe shkoj për pak kohë në një vend më të ulët, ulem. U rrëzuan në fushë (në fshat, në qytet). U rrëzuan nga malësia. U rrëzua në Korçë. U rrëzuan poshtë.
  7. bised. Marr notë pakaluese, nuk kaloj (në provim). U rrëzua në fizikë. Nuk është rrëzuar në asnjë provim.
  8. bised. keq. Largohem kundër dëshirës nga një vend, shporrem. Rrëzohu që këtej!
  9. Pës. e RRËZOJ.

Është rrëzuar (një herë) nga dardha dikush shih te DARDH/Ë,~A. U rrëzua (ra, zbriti) nga fiku iron. shih te FIK,~U. Iu rrëzua (i ranë) pendët (puplat) shih te PEND/Ë,~A I. U rrëzua kali, t’i presim këmbët! iron. shih te KAL/Ë,~I.  

*) DRAGUA m. 

  1. mit. Figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si një njeri shumë i fuqishëm, i cili luftonte me trimëri të rrallë me kuçedrën derisa e vriste. Partizanët tanë luftuan si dragonj.
  2. mit. Kuçedër.
  3. fig. Trim i madh, trim që nuk e ka shokun. Dragonjtë e maleve. Dragonjtë e Skënderbeut.
  4. Përd. mb. sipas kuptimit 3 të emrit. Djalë dragua.

*) BURIM m. 

  1. Ujë që del vetë nga thellësia në sipërfaqe të tokës, gurrë; vendi ku del ky ujë. Burim i kulluar (i ftohtë). Burim i nxehtë (termal, mineral). Burimi i fshatit.

Ujë burimi. Vend (mal) me burime. Burimin e mirë e ke edhe në thatësirë. fj.u. 

  1. Vendi ku zë fill një vijë uji, një përrua a një lumë; amë. Burimi i lumit (i një përroi). Burimi i Drinit (i Shkumbinit…). Ç’ujë ka lumi në burim atë ka edhe në grykë. fj.u.
  2. Vend ku nxirret një lëndë e parë si nafta, bitumi, gazi ose ndonjë lëndë tjetër; vendburim. Burim nafte (gazi).
  3. Fusha, lënda a sendi nga nxirret diçka e nevojshme për jetën; ajo që shërben si bazë për të nxjerrë diçka tjetër të dobishme. Burime natyrore. Burim lëndësh të para. Burim ushqimesh. Burim të ardhurash. Burim jetese. Burim begatie.
  4. Lëndë ose send që lëshon nxehtësi, dritë, rreze, energji etj.; vatër që rrezaton dritë, jep nxehtësi etj. Burim ushqyes. Burim nxehtësie (ngrohtësie). Burim drite (rrezatimi).
  5. Njeri a zyrë që jep një lajm, një njoftim a një të dhënë tjetër; ai, nga i cili ka dalë një e dhënë. Burim zyrtar. Burime diplomatike. Burime të sigurta (të rëndësishme). Burim i brendshëm (i jashtëm). Burime të huaja.
  6. kryes. Dokumente origjinale, letra, relacione, mbishkrime etj., nga nxirren të dhëna për të bërë studime të caktuara. Burime historike. Burime gojore (të shkruara). Burime arkivore (dokumentare). Burime vendëse (të huaja). Burime antike (mesjetare). Burimet shqiptare. Burimet osmane.
  7. Pikënisja, zanafilla e diçkaje; baza për lindjen e diçkaje; prejardhja e diçkaje. Burimi i një fjale. Burim mikrobesh (sëmundjesh).
  8. fig. Shkaku a shtysa që sjell diçka, sendi a dukuria që ngjall a që nxit një ndjenjë, që sjell një pasojë etj. Burim force (frymëzimi, kënaqësie, gëzimi). Burim luftërash. Burim të këqijash.
  9. përd. ndajf. Çurg, rrëke. I shkonte gjaku (djersa) burim. I vinin lotët burim.

* Bëhet burim (i pashtershëm) prodhon a jep shumë e vazhdimisht. Është burim i pashtershëm 

  1. a) di shumë, ka njohuri e dije të gjera për shumë çështje a për shumë fusha;
  2. b) ka pasuri të madhe, është shumë i pasur, s’i mbarojnë kurrë mjetet e mundësitë. I ka burimet të thella
  3. a) nuk dihet se cili është shkaku i diçkaje, është shumë vështirë ta gjesh shkakun a fillin e diçkaje;
  4. b) është shumë vështirë ta gjesh se kush e përkrah a kush e nxit dikë, se ku mbështetet e ku e ka fuqinë. Ka pirë ujë në shumë burime (kroje) shih tek UJ/Ë,~

Sinan Kastrati, ushtar në Doboj (B e H)

BURIMOR mb. 

  1. Që ka të bëjë me dokumente të shkruara, të cilat shërbejnë si material bazë për kërkime e studime shkencore të caktuara; që shërben si burim të dhënash të ndryshme. Të dhëna (njoftime) burimore. Material burimor.
  2. Që ka shërbyer si burim a si pikënisje për diçka, fillestar; që është prejardhja e diçkaje. Trajtë burimore (e një fjale). Gjuhë burimore.

*) KUSHTRIM m. 

Thirrje që i bëhet popullit në kohë lufte për të rrëmbyer armët kundër armikut; thirrje që u bën dikush shokëve, fqinjëve etj. për të përballuar një rrezik të papritur. Kushtrimi për liri. Dha (lëshoi) kushtrimin. Dëgjohej kushtrimi. 

KUSHTRIMDHËNËS mb. 

Që jep kushtrimin; që shërben si kushtrim.  

Vazhdon dhe e përfundoj me disa letra që mi dërguan disa miq e mikesha për shkrimet e mia në vazhdime për mësuesit e për profesor Hysni Gashin 

Malmö 2 prill 2023 

sinan.kastrati@hotmail.com