Kreu Blog Faqe 11

Bekim Sejdiu një mundësi e mirë për konsensus dhe dalje nga ngërçi politik

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri

Kosova ndodhet prej një kohe të gjatë përballë një ngërçi politik dhe institucional që ka konsumuar energjinë e shoqërisë, ka dëmtuar funksionimin normal të institucioneve dhe ka krijuar një pasiguri të panevojshme për të ardhmen e vendit. Pas një periudhe të gjatë përplasjesh politike, mosbesimi dhe pamundësie për të arritur marrëveshje, kandidatura e profesor dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës mund të shihet si një mundësi për të hapur një kapitull të ri: atë të kompromisit institucional dhe të rikthimit të kulturës së dialogut.
Çështja, në këtë rast, nuk duhet të trajtohet vetëm si zgjedhje e një personi për postin e Presidentit. Ajo duhet të shihet si një provë e pjekurisë politike të klasës politike dhe e aftësisë së institucioneve të Kosovës për ta vendosur interesin e shtetit mbi interesat e ngushta partiake.
Bekim Sejdiu paraqet një profil profesional që e dallon nga shumë kandidatura tipike politike. Formimi i tij juridik dhe akademik, përvoja si profesor universitar, përvoja diplomatike dhe shërbimi si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një kombinim të rëndësishëm për ushtrimin e detyrës së Presidentit.
Presidenti i Republikës nuk është vetëm figurë ceremoniale. Kushtetuta i atribuon atij përgjegjësi të rëndësishme në funksionimin e institucioneve, përfaqësimin e shtetit dhe politikën e jashtme. Për këtë arsye, përvoja në të drejtën kushtetuese, diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare është një përparësi që nuk duhet nënvlerësuar.
Në këtë kuptim, profili i profesor Sejdiut mund të konsiderohet më shumë institucional sesa partiak. Dhe pikërisht kjo mund të jetë një nga arsyet që ai të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet subjekteve politike me qëndrime të ndryshme.
Nëse kandidatura e tij është produkt i një marrëveshjeje ndërmjet forcave politike, kjo nuk duhet të jetë fundi i procesit, por fillimi i një përgjegjësie të re.
Një president konsensual nuk mund të jetë president i partive që e kanë propozuar. Ai duhet të jetë President i Republikës së Kosovës.
Kjo do të thotë se, pas zgjedhjes, ai duhet të dëshmojë pavarësinë institucionale, paanshmërinë dhe gatishmërinë për të komunikuar me të gjitha forcat politike, përfshirë ato që mund të mos e kenë mbështetur kandidaturën e tij.
Kjo është edhe pika ku kandidatura duhet të vlerësohet me seriozitet nga opozita dhe shoqëria civile. Nuk kërkohet pajtim mbi çdo çështje politike. Kërkohet pajtim mbi nevojën që Presidenti të jetë institucion i të gjithë qytetarëve.
Kosova nuk ka nevojë për një tjetër cikël zgjedhor vetëm për ta prodhuar një krizë të re.
Zgjedhjet janë instrumenti më i rëndësishëm demokratik, por ato nuk duhet të bëhen mekanizëm automatik për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje politike. Kur një marrëveshje institucionale është e mundur dhe kur ekziston një kandidat me profil profesional e institucional që mund të sigurojë një shumicë të gjerë, përgjegjësia politike duhet të jetë që së pari të shfrytëzohet kjo mundësi.
Një palë zgjedhje të reja do të kërkonin kohë, do të konsumonin edhe më shumë energji politike e shoqërore dhe do të rrisnin pasigurinë institucionale. Mbi të gjitha, ekziston rreziku që ato të mos e ndryshojnë substancialisht raportin politik dhe ta rikthejnë vendin në të njëjtin ngërç.
Prandaj, para se Kosova të shkojë përsëri drejt zgjedhjeve, duhet të provohet seriozisht rruga e marrëveshjes politike dhe institucionale.
Kandidatura e profesor Sejdiut mund të shërbejë si një test i rëndësishëm për të gjitha subjektet politike.
Për subjektet që e propozojnë, testi është nëse janë të gatshme ta respektojnë pavarësinë e Presidentit pasi ai të zgjidhet.
Për opozitën, testi është nëse mund ta vlerësojë një kandidat mbi bazën e profesionalizmit dhe interesit shtetëror, pa e kushtëzuar domosdoshmërisht mbështetjen me përfitime politike.
Për shoqërinë civile, testi është nëse mund të kërkojë standarde të larta profesionale dhe institucionale pa u shndërruar në instrument të përplasjeve partiake.
Ndërsa për partnerët ndërkombëtarë, një zgjidhje e tillë do të mund të ishte dëshmi se institucionet e Kosovës janë të afta të prodhojnë kompromis demokratik edhe në rrethana të vështira.
Duhet bërë edhe një dallim i rëndësishëm: konsensusi nuk nënkupton që të gjitha partitë duhet ta duan kandidatin, pra, koncensusi nuk do unanimitet.
Në një demokraci pluraliste kjo është pothuajse e pamundur.
Konsensusi nënkupton që një kandidat mund të pranohet nga një shumicë e gjerë politike dhe shoqërore si person që mund ta ushtrojë detyrën me dinjitet, profesionalizëm dhe paanshmëri.
Në këtë kuptim, kandidatura e Bekim Sejdiut mund të jetë më shumë se një kompromis ndërmjet dy subjekteve politike. Ajo mund të shndërrohet në një kompromis më të gjerë institucional, nëse partitë e tjera dhe shoqëria civile e vlerësojnë atë mbi bazën e aftësive dhe integritetit të tij.

Kosova ka nevojë për një fillim të ri
Pas një periudhe të gjatë polarizimi, shoqëria kosovare ka nevojë për një frymë tjetër politike. Jo për heqjen dorë nga dallimet ideologjike dhe programore, por për vendosjen e disa interesave themelore të shtetit mbi konfliktet partiake.
Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një faktor stabiliteti, dialogu dhe komunikimi institucional. Duhet të jetë në gjendje të flasë me pozitën dhe opozitën, me shumicën dhe pakicat, me institucionet vendore dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Nëse profesor dr. Bekim Sejdiu arrin ta ndërtojë këtë rol, atëherë kandidatura e tij mund të marrë një kuptim shumë më të gjerë sesa zgjedhja e radhës për një post kushtetues. Ajo mund të shënojë fillimin e një kulture të re politike, ku kompromisi nuk shihet si dobësi dhe dialogu nuk konsiderohet humbje.
Në vend të një krize të re, një marrëveshje për shtetin
Kosova nuk duhet të lejojë që lodhja politike e qytetarëve të shndërrohet në zhgënjim demokratik.
Qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale, ekonomi më të qëndrueshme, perspektivë evropiane dhe siguri për të ardhmen. Përmbushja e këtyre objektivave kërkon institucione legjitime dhe funksionale, jo përplasje të pafundme.
Prandaj, nëse kandidatura e profesor dr. Bekim Sejdiut mund të sigurojë një shumicë të mjaftueshme dhe nëse ai merr përsipër publikisht të jetë President i të gjithë qytetarëve, atëherë do të ishte e arsyeshme që partitë politike ta shfrytëzonin këtë mundësi për ta mbyllur krizën institucionale.
Nuk do të ishte një fitore e LVV-së.
Nuk do të ishte një fitore e LDK-së.
Nuk do të ishte humbje e opozitës.
Do të ishte një fitore e Republikës së Kosovës.
Në këtë moment, vendit nuk i duhet një tjetër betejë politike për pushtet. I duhet një marrëveshje për funksionimin e shtetit.
Kandidatura e Bekim Sejdiut mund të jetë pikërisht një mundësi e tillë.
Dhe kjo mundësi ia vlen të provohet.
Zgjedhja e një presidenti koncensual do të ishte një fitore e Republikës së Kosovës.

Gjilan, 2. Shtator 2026

Gjashtë të “famshmit” e Republikës së Kosovës

1

Gani I. Mehmeti

Janë gjashtë të “famshmit”, që po çonin pluhur gjatë gjitha kohërave të fundit si “patriotë”, si “dashamirë” të Kosovës, si “shtetarë” të fortë, të cilët po flisnin vazhdimisht në “mbrojtje” të Republikës së Kosovës!

E, kësaj “dashurie të madhe ndaj shtetit” i erdhi fundi. Mbretëroi më shumë inati sesa institucionalizimi i tyre për shtetin për të mos e çuar vendin edhe një herë në zhgjedhje.

Gjatë gjithë debateve e sa herë mirrnin fjalën në kuvend, gojën e kishin plot institucionalizëm, sa, po të mos i nihje, vërtet do të besoje në atë që po e thoshin. Ne kurrë nuk po u besonim karrieristëve, fjalëve të tyre, me çka po përpiqeshin të na bindnin se po mendonin ashtu siç po flisnin.

Ai që është për shtet, flet për të ardhemn si të ndërtohet, nuk merret me të tjerët, e as nuk shanë asnjëherë, e edhe më hiç në kuvend, siç pati ndodhur.

Tani, me mosvotimin për kryetar të Kosovës, si “LDK-istë”, po shihet se sa janë LDK-istë dhe për Kosovën, se a më i madh është inati, me çka pengojnë formimin  e institucioneve të saj, apo për formimin e instutucioneve të shtetit, me çka, edhe një herë do e çojnë Kosovën në zgjedhje, dhe se, sërish, nuk do të jetë e qartë sa do të mund të konstituohen institucionet e Kosovës, sepse rezultati zgjedhor, nuk dihet si do të përfundojë, me gjasë, do jetë e njëjta gjendje.

Dhe kështu, sipas këtyre të gjashtëve, ne do të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje, edhe për disa vite me radhë.

Me një fjalë, u doli duçi, siç thopt populli, po shihet se për çka e kanë, jo për shtet, por për pushtet!

Tani mbetet të shihet se sa janë institucionale edhe dy partitë e tjera, do të ndihmojnë apo jo formimi n e institucioneve. Gjithsesi, ka mbetur në duart e tyre, pse nuk po duan ta largojnë Kurtin nga kryeministri në detyrë.

Nga paralajmërimi te reagimi: GJKKO, media dhe beteja për transparencën

0
Nga Frank Shkreli
____
Kufizimet e reja ndaj medias nga GJKKO – një shqetësim që e ngrita më 6 gusht dhe që sot kërkon vëmendjen e të gjithëve
Më 6 gusht, në një shkrim të botuar në Gazeta Telegraf, trajtova kufizimet e reja që Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – GJKKO – kishte vendosur ndaj medias. Titulli i atij shkrimi ishte njëkohësisht edhe pyetja që shtroja: “Një drejtësi që vepron me integritet nuk ka arsye t’i frikësohet transparencës!?”  Frank Shkreli: Një drejtësi që vepron me integritet nuk ka arsye t’i frikësohet transparencës. Kufizimet e reja ndaj medias nga GJKKO | Gazeta Telegraf – Sot, pas reagimit të kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipës, mendoj se është e nevojshme t’i rikthehem kësaj teme.  Jo për të përsëritur atë që kam shkruar më parë, por sepse zhvillimet e fundit tregojnë se shqetësimi nuk ishte thjesht teorik. Çështja e kufizimeve ndaj gazetarëve dhe e mënyrës se si media do të mund të ndjekë e të raportojë mbi veprimtarinë e GJKKO-së është bërë tashmë një problem publik që kërkon debat dhe sqarim. Reagimi i Aleksandër Çipës është i prerë. Në cilësinë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, ai ka kundërshtuar kufizimet e reja, duke i konsideruar ato të papranueshme për median dhe duke paralajmëruar se Unioni do t’i kundërshtojë ato në rrugët institucionale dhe ligjore. Dhe këtu duhet të ndalemi se nuk bëhet fjalë për privilegje të gazetarëve. Bëhet fjalë për të drejtën e publikut për t’u informuar. GJKKO nuk është një institucion çfarëdo. Aty trajtohen çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar, procese që shpesh kanë një interes të jashtëzakonshëm publik dhe që prekin drejtpërdrejt jetën politike e shoqërore të vendit.
Në këto rrethana, transparenca nuk duhet të shihet si një barrë për drejtësinë, se transparenca është pjesë e besimit te drejtësia. Sigurisht, një gjykatë ka të drejtë të vendosë rregulla për funksionimin e saj. Duhet të garantojë rendin në sallë, sigurinë e pjesëmarrësve dhe zhvillimin normal të proceseve. Askush nuk e kundërshton këtë. Por pyetja është deri ku mund të shkojnë këto kufizime pa cenuar të drejtën e medias për të informuar publikun? Kjo është çështja që duhet diskutuar. Kur gazetarëve u vendosen procedura të reja akreditimi, kufizime në numër, kërkesa për regjistrim paraprak apo pengesa në përdorimin e mjeteve të punës, nuk kemi të bëjmë më vetëm me organizimin e brendshëm të një gjykate. Kemi të bëjmë me mënyrën se si informacioni, nga një institucion publik, siç është GJKKO arrin te qytetari. Dhe ky është një dallim shumë i rëndësishëm. Përt një vend demokratik gazetari nuk është kërcënim për drejëtsinë.
 
Një prej parimeve themelore të një demokracie funksionale është që institucionet publike të jenë të hapura ndaj kontrollit të opinionit publik dhe të medias. Gazetari nuk hyn në sallën e gjyqit për të penguar drejtësinë. Ai hyn për të parë, për të dëgjuar, për të raportuar dhe për t’i treguar publikut se çfarë po ndodh. Në këtë kuptim, gazetari është një urë midis institucionit dhe qytetarit.  Prandaj, çdo përpjekje për ta kufizuar këtë rol duhet të shqyrtohet me shumë kujdes. Në një demokraci të shëndetshme, gjykata dhe media nuk duhet të shihen si palë kundërshtare. Ato kanë role të ndryshme, por të dyja i shërbejnë publikut.  Drejtësia jep vendime. Media i bën ato të njohura. Dhe qytetari ka të drejtë të dijë se si funksionon drejtësia në emër të tij.
 
Kam shkruar shumë herë për lirinë e shtypit dhe për rrezikun e censurës.  Por përvoja e hidhur e historisë shqiptare na mëson se ekziston edhe një rrezik tjetër, ndoshta më i vështirë për t’u dalluar: vetëcensura. Ajo fillon atëherë kur gazetari mësohet me kufizimet e imponuara. Kur pranon një pengesë sot dhe një tjetër nesër dhe kur procedurat burokratike bëhen aq të shumta sa gazetari fillon të mendojë nëse ia vlen të ndjekë një çështje me interes për publikun.  Kjo është arsyeja pse çdo kufizim ndaj medias duhet parë me seriozitet që në fillim dhe jo vetëm pasi të jetë bërë normë.  Pikërisht për këtë arsye e ngrita këtë shqetësim në shkrimin tim të 6 gushtit.  Sot, reagimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë tregon se problemi nuk është vetëm një shqetësim individual. Është bërë, tanimë një shqetësim i komunitetit të medias.
Si përfundim, drejtësia duhet të fitojë besimin, jo të shmangë vëzhgimin. Shqipëria ka kaluar dhe po kalon një proces të rëndësishëm reformimi të sistemit të drejtësisë. Qytetarët kanë investuar shumë shpresë në këtë proces. Por reforma në drejtësi nuk mund të matet vetëm me numrin e proceseve, hetimeve apo vendimeve. Ajo duhet të matet edhe me besimin e qytetarëve. Dhe besimi nuk ndërtohet me dyer të mbyllura. Ndërtohet me transparencë. Një drejtësi që vepron me integritet nuk duhet të ketë arsye t’i frikësohet gazetarit që vëzhgon, pyet dhe raporton. Përkundrazi, një drejtësi e sigurt në integritetin e saj duhet ta shohë median si një aleate në ndërtimin e besimit publik. Prandaj, shqetësimi i Aleksandër Çipës në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë duhet marrë seriozisht. Nuk mjafton që komuniteti i gazetarëve të reagojë. As nuk mjafton që institucionet të mbrojnë rregulloren e tyre. Për ndryshimin e rregullores duhett dialog. Duhet dëgjuar argumenti dhe shqetsimet e medias. Mbi të gjitha, duhet parë nëse kufizimet janë vërtetë të domosdoshme, proporcionale dhe në përputhje me parimet kushtetuese dhe evropiane për lirinë e shtypit dhe të drejtën e informimit. Sepse pyetja kryesore nuk është nëse gazetarët duan apo nuk duan të respektojnë rregullat e një gjykate. Pyetja është më e madhe: A po ndërton Shqipëria një drejtësi që kërkon të fitojë besimin e qytetarëve përmes transparencës, apo një drejtësi që, gradualisht, po e kufizon syrin e publikut mbi veprimtarinë e saj?
Kjo pyetje nuk është kundër drejtësisë. Përkundrazi. Është në mbrojtje të drejtësisë.  Sepse drejtësia e vërtetë nuk ka frikë nga transparenca.  Dhe një media e lirë nuk është armike e drejtësisë. Është një nga garancitë që qytetari të mos mbetet jashtë dyerve të institucioneve që vendosin për fatin e tij. Më 6 gusht ngrita një shqetësim. Sot, reagimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë e bën atë shqetësim edhe më aktual.  Prandaj është koha që kjo çështje të mos lihet të kalojë në heshtje. Sepse heshtja, në çështjet që prekin lirinë e shtypit, nuk është asnjëherë përgjigjja e duhur. Një drejtësi e fortë nuk ka nevojë të mbyllet ndaj medias. Ka nevojë të jetë e hapur përpara publikut. Dhe një demokraci e shëndetshme nuk duhet të ketë frikë nga pyetjet e gazetarëve. Sepse aty ku ka transparencë, ka edhe më shumë besim. (Shënim: Për hir të transparencës editoriale, në redaktimin e këtij shkrimi është përdorur si ndihmë, ai).

Ngërçet politike nuk po bëhen për të mbrojtur shtetin!

0

Florim Zeqa

Pothuajse shumica e politikanëve në Kosovë e kanë gojën plot demokraci, zhvillim ekonomik, prosperitet dhe mirëqenje për qytetarët! Por, për shumicën prej tyre, këto janë vetëm retorikë boshe dhe mashtrim për qytetarët

Një popull i mirë nuk e meriton një qeverisje të keqe

Në realitet politikanët e papërgjegjshëm po e bëjnë të kundërtën, jo vetëm që nuk i kanë në plan të parë hallet dhe problemet e qytetarëve (mërgimtarëve), i përdorin këta të fundit në mënyrë abuzive vetëm për aspekte elektorale!

E kam thënë në një shkrim autorial, po e përserisë edhe tani: “pa e dashur atdheun nuk mund të bësh punë të mira për vendin!”

Kaq e thjeshtë është kjo punë!

Përderisa Atdheu dhe Kombi janë sikur Nëna, të patjetërsueshme, Shteti është ombrella mbrojtëse e qytetarëve të ndershëm!

Përderisa ligjet, përkatësisht sistemi i drejtësisë, që duhet të jetë i barartë për të gjithë, edhe drejtuesit shtetëror duhet të jenë të përgjegjshëm dhe t’i trajtojnë në mënyrë të barabart të gjithë qytetarët pavarësisht bindjeve politike apo fetare.

Situata aktuale e bllokimit të shtetit nga partitë politike po e dëshmon katërçipërisht thënjen time të mësipërme!

Tashmë e kanë kuptuar edhe ‘zogjtë e mali’ se bllokadat dhe ngërçet paszgjedhore nuk po bëhen për të mbrojtur shtetin, por interesat personale dhe klanore të partive politike!

Qytetarët e zhgënjyer e kanë humbur besimin në klasën aktuale politike, ku gjithnjë e më pak janë duke u bërë pjesë e proceseve zgjedhore!

Vetëm në zgjedhjet e fundit, bojkoti ishte në rritje enorme në krahasim me daljen e qytetarëve në zgjedhje!

Dalja e vogël e qytetarëve në zgjedhje e zvogëlon legjitimitetin e qeverisjes së vendit!

Rezultati 64:36 në favor të bojkotit të zgjedhjeve, e shtron nevojën imediate të ngjizjes së një alternative të re politike!

Shkuarja në zgjedhje pa një alternativë të re politike do ta ngrisë edhe më lartë fitoren e bojkotit qytetar ndaj daljes në zgjedhje!

Një popull i mirë siq jemi ne shqiptarët duhet të dëshmohemi në vepër se kemi njerëz të mirë dhe të përgjegjshëm që ia duan të mirën Atdheut më shumë sesa ambiciet e tyre personale.

Asnjë subjekt politik, asnjë parti dhe asnjë liderë partiak nuk krahasohet me shtetin. Qeveritë shkojnë e vijnë, partitë po ashtu, por shtetin duhet ta ruajmë si sytë e ballit, ashtu siq kemi punuar dhe luftuar për shtet e jo për pushtet! Ndryshimi vjen me njerëz të mirë dhe të përgjegjshëm.

Florim Zeqa, analist politik i pavarur.

Lufta kundër islamit radikal, është luftë për kombin shqiptar

0
Në Kosovë nuk është derdhur kot gjaku shqiptar që sot t’i dorëzohemi një agjende të huaj, e cila synon ta dobësojë kombin tonë nga brenda. Kujtimi i sakrificës dhe gjakut të derdhur duhet të na shërbejë si përgjegjësi për ta ruajtur identitetin, unitetin dhe të ardhmen tonë.
E pas daljes së dokumenteve të gjetura në telefonin e Fatmir Shehollit, kjo çështje nuk mund më të trajtohet vetëm si debat fetar.
Sipas akuzave të Prokurorisë Speciale të Kosovës, materiali përshkruan një strategji që synon radikalizimin islamik, dobësimin e imazhit të Kosovës në Perëndim, largimin e rinisë prej vendit, përçarjen e shqiptarëve dhe, në fund, shërbimin e interesave strategjike të Serbisë.
Kjo e ndërron krejt bisedën.
Nëse radikalizimi mundet me u përdorë si armë kundër Kosovës, atëherë lufta kundër tij nuk është urrejtje fetare.
Është mbrojtje kombëtare.
Serbia nuk arriti me e zhdukë kombin shqiptar me dhunë, luftë dhe terror. Shqiptarët nuk guxojnë ta lejojnë që ajo të arrihet përmes përçarjes, atë që nuk e arriti me pushkë dhe me luftë.
Të parët tanë e ruajtën emrin shqiptar përmes pushtimeve, burgjeve, masakrave, dëbimeve dhe luftërave. Me sakrificë e qëndresë, ata e përcollën ndër breza identitetin që ne e trashëgojmë sot.
Na nuk kemi të drejtë ta dorëzojmë atë amanet.
Gjuha jonë është shqipja.
Flamuri ynë është shqiptar.
Historia jonë është shqiptare.
E ardhmja e Kosovës duhet me mbetë shqiptare.
Asnjë agjendë fetaro-politike e huaj nuk është mbi kombin.
Asnjë ideologji nuk është mbi sovranitetin tonë.
E askush nuk guxon ta kthej shqiptarin kundër shqiptarit në emër të fesë, ndërkohë që Serbia përfiton prej përçarjes sonë.
Kjo nuk është luftë kundër shqiptarëve të besimit islam. Myslimanë e katolikë shqiptarë e kanë mbrojtë të njejtën tokë dhe e kanë ngritë të njejtin flamur.
Armiku është radikalizëm, ndikimi i huaj dhe çdo projekt politik që mundohet me e dobësue vetëdijen kombëtare shqiptare.
Kosova duhet me mbetë sovrane, laike, demokratike, europiane dhe shqiptare.
Feja është personale. Atdheu është i përbashkët. Kombi nuk negociohet.
Nëse Serbia e sheh radikalizimin fetar si armë kundër Kosovës, atëherë shqiptarët duhet me e pa bashkimin kombëtar si mburojën tonë.
Mbrojtja e identitetit shqiptar nuk është më vetëm çështje kulture. Është çështje e sigurisë kombëtare.
Elizabeta Tomë Mrijaj
New York • Klinë

Koha e maskarenjve që hedhin vetëm baltë

0
KOHA E MASKARENJVE QË HEDHIN SHUMË BALTË
____
“Sheholli e Lirimi etj”, drama e tyre si dramë e shoqërisë shqiptare…
Pabesisht na kafshojnë, se mbrapa tyre qendron një klan i zagarëve!
Vetë tituli – temë “Sheholli e Lirimi”, të nget drejt mendimin analitik:
“Pse Sheholli e Lirimi në bordellet e vargut të thyer, që nesër do privatizojnë Historinë!?
Duke e diktuar një lloj etiketimi i poshtersisë së tyre brenda linearitetit të atij medijumi te flliqtë mbytës e uzurpues i lidhur domosdoshmërisht me realitetin shoqëror.
Është gjithnjë e më e theksuar, elementi armiq kanë zhvilluar veprimtari mjaft tendecioze e shpifëse ndaj kombi tonë dhe simbol i biorrezikut, spiuni çoban i mortajës ose një kërcënim biologjik. Kur fjalët atdhe, liri, dashuri humbin kuptimin e vet dhe shndërrohen në fjalë paçavra nga maskarenjtë me lëkur të trashë, që kur s’e ka njohur të skuqurit nga turpi. Se mos e ka parë dikush të jetë skuqur nga turpi lëkura e bualit apo e krokodilit…
Maskarenjtë analista marrin pjesë në çdo debat mediatik. Të gjithë fundërrinat luajtën politikën përçarëse të Serbisë. Nga ana tjetër, ne atdhetarët duhet të qëndrojmë e të mbrojmë kombin dardan, por akoma tradhetarët poterexhi vazhdojnë të kryenin një agjitacion turbullues kundër kombit e shqiptarëve.
Këndë përfaqësojnë dhe në cilin sektë apo organizatë “serbe apo ruse” shërbeni… Mesiguri këta i takojnë asaj organizate për të cilën punojnë që përbëhet nga shumë sektorë, për sektorin “ruso-serb” – Mbështetja e Vëzhgimit dhe Reagimi kundër shqiptar. “Qarkullonin fjalë se këta njerëz janë zhytur në një liqen katrani të valuar dhe janë klient të veçantë kanë pasur takime me “Sheholla e oraganizata të huaja” gjatë muajve të fundit dhe kjo sikur konfirmonte ato thashethemet përtej çdo dyshimi. Mos lejoni që tradhtia e tyre të na mashtrojë, këta janë armiq të rrezikshëm!”.
Sheholli është spiun i famshëm i Shikut, Ldk dhe i Serbisë i mirënjohur i ekraneve shqiptare, për Lirim Mehmetajnë, për të cilin unë nuk kam respekt, sapo ka thënë Sheholli në facebbok, se Lirimi është një zbulim mediatik i Baton Haxhiut dhe lum Kosova që e ka këtë njëri guximtar…
E vërteta është pak më ndryshe. Zoti Lirim është zbulim dhe investim i drejtpërdrejtë i shkelqesisë së tij, Baton Haxhiut, i cili e mori Lirimin nga balta e Deçanit dhe e dërgoi në Prishtinë në “Debat Plus” si analistë për të shtrembëruar të vërtetën politike. Batoni e Sheholli me porosi të shkëlqesisë së tyre, e morën Lirimin dhe e bënë “yll ekranesh”, kjo falë edhe aftësisë së tij. Kjo falë edhe politikave bllokuese e të zhdërvjellta opozitare dhe të analistëve nga Prishtina në mediat shqiptare të Pandurit i cili për të kompensuar telenovelat ruse, serbe e turke, duhet ti jepte dicka edhe analistëve tjerë.
Sheholli është spiun serb dhe i Shikut, ndërsa opozita si do që të dridhet e përdridhet fundin e ka në Zajednicë. Kjo tezë tregon besnikërinë e opozitës ndaj shkëlqesisë së tij, Shehollit, Lirimit e Batonit të cilët punojnë fort prej 22 vitesh që shqiptarët të çkombtarizohen e asimilohen. Që kjo të jetë lehtësisht e përtypshme, duhet t’i japin leje opozitës që të formojnë Zajednicën dhe të ndjehen si zajednicar. A e kuptoni çdo të thonë Lirimët e mediat dhe si përgatitet me kujdes opinion publik?
Ata e dinin mirë këtë film dhe e dinin mirë cfarë gatuhet. Shehollët, Lirimët, Batonët, Valonët, Goranët, ndërsa për shqiptarët është formulë shumë e rrezikshme. Kush nuk pranon formulën niset refugjat në serbi ose kudo tjetër. Ndryshimi i Shehollit si spiun nga argatët e tjerë në këtë vend është se atë kishte kush ta zbulonte, ndërsa të tjerët jo. Sepse media te “Panduri e Kujshia Show” nuk zbulojnë askënd paporosi.
Fatmir Sheholli është një “fundërrinë e madhe” me të gjithë poshtërsinë dhe censurën që na përballi, sepse ai na ka dhënë një mundësi dhe një dritare ku ne t’i kthejmë përgjigje Shehollëve, Lirimit, Batonit, Kajatazit, Valonit, Debat Plusit dhe Regjisë në Prishtinë.
Ky spiuni bën transparentin dhe ku vampirat opozitar bëjnë parlamentin si shtallë lopësh…

Një skanim i shpejtë i karakterit të një miku nga Drenica

0
E kam një mik nga Drenica.
Karakterin e tij e skanova e para se ta njihja.
Jo me aparat.
Me televizor.
Më mjaftoi ta shihja në një studio televizive, përballë Mizi Pipidak Pilifuncit, gjatë garës për postin e kryetarit të Drenasit.
Në letër ishte një debat.
Dy kandidatë.
Dy programe.
Dy alternativa për të ardhmen e qytetit.
Në praktikë ishte diçka tjetër.
Njëri po fliste.
Tjetri po e linte të fliste.
Dhe ky, siç doli, ishte dallimi kryesor mes tyre.
Sepse Isa nuk e ofendoi Mizin.
As edhe një herë.
Nuk e sulmoi.
Nuk e ndërpreu.
Nuk e ngriti zërin.
Nuk bëri asgjë.
Thjesht e la të fliste.
Isa ia dha Mizit një përparësi që në politikë është shumë më e rrezikshme se një kundërsulm:
Lirinë.
Lirinë absolute për të qenë vetvetja.
Mizi e përdori këtë liri me përkushtim.
Foli.
Pastaj foli edhe pak.
Dhe, për të qenë plotësisht i sigurt se publiku e kishte kuptuar mirë, vazhdoi të fliste.
Në një moment ndodhi diçka e papritur.
Mizi nuk kishte më nevojë për kundërshtar.
Po e mundte vetveten.
Me çdo fjali hiqte nga vetja një shtresë të vogël të asaj fasadës që njerëzit zakonisht e mbajnë kur e dinë se janë para kamerave.
Dhe, pak nga pak, doli në sipërfaqe gjithçka.
Primitivizmi.
Vetëkënaqësia.
Dhe ai vetëbesimi i çuditshëm që lind kur truri ka vendosur të marrë një ditë pushimi.
Mizi dukej i bindur se vetëbesimi ishte inteligjencë.
Ky për fat të keq është një keqkuptim shumë i përhapur në shoqërinë tonë.
Edhe majmuni i cirkut është jashtëzakonisht i sigurt në vetvete kur ngjitet në skenë.
Por askush nuk ia jep atij çelësat e komunës vetëm pse është i sigurt në vetvete.
Përveçse, natyrisht, nëse është kuadër i PDK-së.
Në atë rast problemi nuk është më majmuni.
Problemi është se kush e ka emëruar drejtorin e cirkut.
Dhe këtu arrijmë te PDK-ja.
Një strukturë politike që, duke e parë nga jashtë, ta jep përshtypjen se ka arritur ta kthejë politikën në një disiplinë të re zoologjike.
Njerëzit marrin vendime.
Vendimet prodhojnë pasoja.
Pasojat prodhojnë probleme.
Problemet prodhojnë konferenca për shtyp.
Dhe konferencat për shtyp prodhojnë një tjetër vendim.
Një sistem pothuajse perfekt.
Po të mos ishte një detaj i vogël:
Askush nuk pyet më se ku përfundoi qytetari.
Por le ta lëmë cirkun për një çast anash.
Sepse këtu fillon pjesa që ju intereson më së shumti.
Miku im quhet Isa Xhemajlaj.
Pasardhës i të famshmit Xhemail Abria.
Dhe te Isa gjeta diçka që në politikën tonë është bërë pothuajse specie e mbrojtur.
Karakter.
Jo karakter politik.
Karakter njerëzor.
Respekt.
Fjalë e dhënë.
Dhe, për një çudi të madhe të kohëve moderne, fjalë e dhënë që mbahet.
Dashuri për njerëzit.
Dashuri për vendin.
Dinjitet.
Dhe pastaj vjen krimi më i madh:
Isa mendon me kokën e tij.
Në Kosovë kjo mund të jetë një mangësi serioze për një karrierë të suksesshme politike.
Sepse të menduarit të çon te pyetjet.
Pyetjet të çojnë te përgjigjet.
Dhe përgjigjet e kanë një zakon shumë të keq:
Ndonjëherë e tregojnë të vërtetën.
Isa është një përzierje e pazakontë.
Njërën këmbë e ka në traditë.
Tjetrën e ka në të ardhmen.
Aq larg në të ardhmen, saqë të krijohet përshtypja se të tjerët kanë ardhur në botën e tij nga shekulli i kaluar.
Ai e respekton traditën pa u bërë rob i saj.
E do vendin pa e keqpërdorur patriotizmin si sfond televiziv.
I respekton njerëzit, por nuk e ka zakon t’ua ledhatojë egon vetëm për t’i mbajtur të kënaqur.
Dhe pastaj ka një armë shumë më të rrezikshme.
Një pasqyrë.
Jo pasqyrë të zakonshme.
Pasqyrë politike.
Isa nuk të thotë:
“Ti je i keq.”
As:
“Ti je budalla.”
As:
“Ti je i korruptuar.”
Asgjë.
Ta vendos pasqyrën përpara.
Kaq.
Dhe tani bëhu gati.
Sepse pasqyra nuk negocion.
Nuk bën koalicione.
Nuk kërkon vota.
Nuk ka interes financiar.
Nuk ka ambicie politike.
Ajo vetëm e tregon fytyrën e vërtetë të tjetrit.
Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Nëse të shan dikush, mund të zemërohesh.
Nëse të akuzon, mund ta kundërshtosh.
Nëse të sulmon, mund ta sulmosh edhe ti.
Por nëse ta vendos një pasqyrë përpara pa ta përmendur emrin ?
Çfarë bën?
E akuzon pasqyrën se ka qëllime të këqija?
E denoncon?
E shpall armike të popullit?
E fton në debat televiziv?
Në fund të fundit, pasqyra nuk ka thënë asgjë.
Vetëm ta ka treguar fytyrën.
Dhe budallenjtë e kanë një dobësi të çuditshme:
Kur e shohin veten, zemërohen me atë që ua mban pasqyrën.
Dhe pikërisht kjo i ndodh Isës.
Ai i nxjerrë njerëzit më të këqij nga vrimat e tyre politike.
Ata e shikojnë aftësinë e tij krejtësisht të habitur.
E njohin veten në pasqyrën e tij.
Dhe menjëherë fillojnë të bërtasin:
“E ka me mua!”
Isa nuk e kishte përmendur askënd.
Ata vetë e përmendën veten.
Pasqyra hesht.
Kjo është pjesa më e bukur.
Dhe më e rrezikshme.
Sepse njeriu mund ta gënjejë një gazetar.
Mund ta gënjejë një votues.
Mund ta gënjejë një koleg.
Madje mund ta gënjejë edhe veten.
Por e ka të pamundur ta gënjejë një pasqyrë.
Sidomos kur pasqyra nuk ka nevojë të flasë.
Isa e ka edhe një aftësi tjetër.
Ai nuk duket se e lexon vetëm njeriun.
E lexon edhe lëvizjen e tij.
E kupton një veprim politik para se të ndodhë.
E dallon qëllimin para se të thuhet.
E sheh pasojën para se ai që e ka bërë veprimin ta kuptojë edhe vetë se çfarë ka bërë.
Në një shtet normal kjo do të quhej aftësi analitike.
Në Kosovë mund të duket si problem karakteri.
Sepse njerëzit që jetojnë me improvizim nuk e duan shumë njeriun që e kupton skenarin para tyre.
Ai ua prish befasinë.
Dhe tani vijmë te një ide që tingëllon si shaka.
Por ndoshta nuk është.
Po ta njihte kryeministri ynë Albin Kurti, Isën, ashtu siç e njoh unë, do t’ia besonte me mendje dhe më zemër detyrën më të rëndësishme shtetërore:
Drejtimin e Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës.
Në fakt, do të ishte një reformë e shkëlqyer.
Dhe shumë e lirë.
Nuk do të duheshin më qindra njerëz.
Analistë.
Nënanalistë.
Këshilltarë.
Kundërkëshilltarë.
Ekspertë të ekspertëve.
Dhe, mbi të gjitha, njerëzit që në fund përgatisin një PowerPoint për t’ia shpjeguar shefit atë që analisti i parë e kishte kuptuar të hënën në mëngjes.
Isa mund të rrinte në zyrë.
Pa shumë zhurmë.
Pa shumë mbledhje.
Pa shumë PowerPoint.
Thjesht do të priste.
Sepse njerëzit që kanë diçka për të fshehur kanë një problem të madh:
Nuk dinë të rrinë të qetë.
Herët a vonë dalin vetë.
Si minjtë.
Nuk ke nevojë t’i ndjekësh.
Nuk ke nevojë t’u ngresh kurthe.
Nuk ke nevojë as të shpenzosh miliona për t’i gjetur.
Mjafton një pasqyrë.
Vendose përpara.
Prit.
Dhe shiko çfarë ndodh.
Ndoshta kjo do të ishte reforma më e madhe dhe më e lirë në historinë e inteligjencës sonë:
Më pak njerëz.
Më pak dosje.
Më pak kompjuterë.
Më pak mbledhje.
Më pak PowerPoint.
Dhe më shumë pasqyra.
Sepse Isa nuk i ndjek minjtë.
Ai thjesht ua vendos pasqyrën përpara.
Dhe pret.
Ata pastaj vijnë.
Vetë.

Kur mësuesi e ngatërron koshin me historinë

0

Luan – Asllan Dibrani – Durrës

Sot, në fillim të mësimit në shkollat e Kosovës,
këto vargje ua kushtoj nxënësve —
atyre që ende dinë ta dallojnë
librin nga propaganda,
dijen nga indoktrinimi,
dhe flamurin nga mbeturinat.

Dhe po e them me emër,
sepse rasti tashmë është bërë publik:

Muhamet Hajredinaj,
mësuesi që, sipas raportimeve për rastin,
e hodhi flamurin kuqezi në kosh,
duhet ta dijë se nuk hodhi aty
një copë pëlhure.

Hodhi aty një provokim
kundër kujtesës së nxënësve të vet.

Por po të kishte gojë koshi,
do t’i thoshte:

“Mos ma sill historinë këtu,
se unë mbaj plehra, jo amanete!”

Sepse me këtë flamur
më kujtohet Prishtina e vitit 1968,
kur rinia doli në rrugë
që shqiponja shqiptare
të mos trajtohej si krim.

Me këtë flamur
më kujtohet Fazli Grajqevci,
më kujtohen të burgosurit,
të përndjekurit,
të rrahurit,
ata që paguan me jetë
që ne sot ta ngrisim kokën.

Me këtë flamur
më kujtohet babai im,
që e ruante si sytë e ballit,
të palosur me kujdes,
si një amanet
që nuk guxonte të vdiste.

Me këtë flamur
më kujtohet UÇK-ja,
malet, betejat,
djemtë dhe vajzat
që e ngritën mes plumbave
kur liria ende paguhej me gjak.

Me këtë flamur
kemi hyrë në stadiume,
në palestra,
në arena ndërkombëtare.

Nën të janë ngritur medalje,
janë dëgjuar brohoritje,
është shqiptuar emri shqiptar
me krenari para botës.

Dhe pastaj vjen një mësues
e mendon se gjithë kjo histori
mund të mbyllet
me kapakun e një koshi.

Jo, zoti Hajredinaj.

Koshi mund të mbajë mbeturina,
por jo demonstratat e ’68-ës.

Mund të mbajë letra të grisura,
por jo UÇK-në.

Mund të mbajë pluhur,
por jo medaljet e sportistëve tanë.

Mund të mbajë sende pa vlerë,
por jo amanetin e baballarëve tanë.

Prandaj, nxënës të Kosovës:

mos heshtni!

Kur dikush e kthen klasën
në vend të propagandës,
kundërshtojeni me dije.

Raportojeni.

Bojkotojeni paqësisht.

Mos lejoni që askush,
qoftë mësues, profesor apo akademik,
t’ju mësojë të turpëroheni
nga gjuha, historia dhe flamuri juaj.

Shkolla duhet të pastrohet
nga ekstremizmi politik e fetar,
nga indoktrinimi
dhe nga çdo përpjekje
për t’ua prerë fëmijëve rrënjët.

Sepse mësuesi që nuk respekton nxënësin,
historinë dhe simbolin e tij,
nuk po jep mësim —
po jep shembull të keq.

Dhe historia ka një ironi të madhe:

Flamuri që tentove ta hidhje në kosh,
sot valon më lart se dora që e hodhi.

Sepse shqiponja
ka kaluar perandori,
burgje, ndalime, luftëra e plumba.

Nuk e mundi dot pushtuesi.

Nuk e mundi dot burgu.

Dhe sigurisht
nuk do ta mundë një kosh plehrash.

Me këtë flamur kemi vuajtur.
Me këtë flamur kemi luftuar.
Me këtë flamur kemi fituar.
Me këtë flamur kemi hyrë në botë.

Dhe me këtë flamur
do t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë
se historia nuk hidhet në plehra.

Në plehra hidhet propaganda.
Flamuri mbahet në zemër.

Përkrahje për Zonjen Mirushe Musa – Zogaj

0
Sak Muji, Dukaivë, Rugovë
____
E nderuara zonjë Mirushe Musa,
Ju përshëndes dhe ju përkrah fuqishëm për qëndrimin tuaj të guximshëm, të argumentuar dhe thellësisht shqiptar.
Askush, me dashje apo nga papërgjegjësia, nuk ka të drejtë t’i fyejë shqiptarët, t’i ndajë sipas besimit apo t’ua tregojë rrugën për në Beograd.
Ne jemi në tokën tonë dardane dhe këtu do të qëndrojmë!
Flori e Lauri Dardan nuk janë simbole kundër askujt.
Ata janë dy mjeshtër të gurit dhe dëshmitarë të hershëm të qytetërimit e të trashëgimisë sonë.
Guri i tyre nuk rrëzon xhami, kambana nuk e hesht ezanin dhe kryqi nuk e mohon besimin e askujt.
Ajo që e rrezikon bashkëjetesën është fanatizmi, përjashtimi dhe vendosja e fesë mbi kombin e mbi Republikën.
Ne i respektojmë shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe ata pa besim fetar.
Të gjithë jemi bij të së njëjtës tokë, flasim të njëjtën gjuhë dhe e kemi një flamur kombëtar: kuqezi.
Si shqiptar i përndjekur dhe i burgosur politik gjatë viteve 1981–1990 për lirinë e tokës dardane, e them me zemër e ndërgjegje:
Ne jemi Dardanë dhe besojmë shqip, me betimin e të parëve tanë:
“Pasha tokë e qiell,
pasha hënë e diell!”
Zonja Mirushe Musa dhe familja Musa nuk janë mysafirë në atdheun e tyre.
Zogaj është toka e tyre, Vushtrria është qyteti i tyre, Kosova është shteti ynë dhe shqiptaria nuk është pronë e asnjë institucioni fetar.
Nderim për qëndrimin tuaj, zonja Mirushe!
Nderim për Familjen Musa!
Nderim për Florin e Laurin Dardan!
Nderim për Zogajn, Dardaninë dhe flamurin kuqezi!
EPILOG
Fjala është për deklaratën publike të kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava:
“Kush nuk i pranon xhamitë në Kosovë, le të shkojë në Beograd.”
Kjo nuk është thjesht një fjali e pamatur, por një fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve që guxojnë të mendojnë ndryshe dhe që mbrojnë trashëgiminë e tyre dardane.
As Naim Tërnava dhe asnjë drejtues tjetër fetar nuk ka të drejtë t’ua caktojë shqiptarëve përkatësinë kombëtare apo t’i dëbojë me fjalë drejt Beogradit.
Ne nuk jemi kundër xhamive dhe as kundër besimtarëve myslimanë shqiptarë.
Ne jemi kundër fanatizmit, përjashtimit dhe çdo përpjekjeje për ta vendosur fenë mbi kombin, Kushtetutën dhe Republikën e Kosovës.
Zonja Mirushe Musa iu përgjigj me dinjitet: Zogaj është tokë shqiptare, familja Musa është në atdheun e vet, ndërsa Flori e Lauri Dardan janë pjesë e kujtesës dhe e qytetërimit tonë.
Një kishë shqiptare nuk e rrëzon asnjë xhami, sikurse një kambanë nuk e hesht ezanin.
Prandaj, z. Tërnava, Beogradi nuk është adresa e shqiptarëve që mbrojnë identitetin, flamurin dhe trashëgiminë e tyre.
Nëse fjalët tuaja janë shtrembëruar, sqarojini publikisht; nëse i keni thënë me këtë kuptim, kërkojuni falje shqiptarëve.
Shqiptaria nuk është pronë e asnjë institucioni fetar!
Ne jemi në tokën tonë dardane dhe betohemi si të parët tanë:
“Pasha tokë e qiell,
pasha hënë e diell!”
— Sak Muji
I përndjekur dhe ish-i burgosur politik, 1981–1990

Dëshira për mësuesin migjenian dhe shkollën e meritokracisë

0

Lekë Mrijaj, Klinë

PËR BREZAT TANË SHKOLLORË DO TË DËSHIROJA MËSUESIN MIGJENIAN DHE SHKOLLËN E MERITOKRACISË

(Një ese vend të një urimi për ditën e parë të shkollës – Gëzuar, shkollarë)

Sa herë vjen 1 Shtatori apo dita e parë e shkollës, unë personalisht kthehem me reminishencë te vitet shkollore të brezit tim. Më duket sikur dëgjoj përsëri pastruesit teknik më zilen e vjetër dhe hapat e mësuesit tim në korridor. Më ravijëzohen para syve podiumi prej dërrasash, bankat e drurit, dërrasa e zezë, shkumësi dhe ajo heshtje që binte sapo hapej dera e klasës. Pra, kur mësuesi ynë hynte në klasën tonë, ne ngriheshim në këmbë. Jo vetëm sepse kështu e kërkonte rregulli, por sepse për ne nxënësit figura e mësuesit kishte diçka pothuajse të shenjtë dhe gëzonte një autoritet të veçantë.

E kujtoj mësuesin tim me ditarin nën sqetull, të veshur thjeshtë, me kollare e me një elegancë karakteristike, të matur në fjalë dhe kërkues ndaj nesh. Ndonjëherë mjaftonte një vështrim i tij që ne ta kuptonim se diçka nuk shkonte. Kishte edhe qortime, natyrisht, por prapa tyre qëndronte synimi që nxënësi të mësonte, të edukohej dhe të bëhej më i mirë.

Në kujtesën time, atë figurë të mësuesit më pëlqen ta quaj mësues migjenian. Nuk kishim teknologjinë e sofistikuar të ditëve të sotme, kompjuterë apo tabela digjitale. Kishim libra që kalonin nga një brez te tjetri dhe fletoret ku përpiqeshim t’i shkruanim më germat shqipe  sa më bukur. Megjithatë, kishim një bindje të thjeshtë: shkolla ishte vendi i dijes, ndërsa mësuesi ishte njeriu që duhej dëgjuar dhe respektuar.

Më kujtohet edhe ai ankthi i vogël kur hapej ditari dhe gishti i mësuesit kalonte ngadalë mbi emrat tanë. Nëse nuk e kishim mësuar mirë mësimin, shpresonim që radha të mos binte mbi ne. Kur përgjigjeshim mirë, një “të lumtë” na shoqëronte deri në shtëpi dhe, nganjëherë, vlente më shumë se vetë nota. E pastaj ishte oborri i shkollës së qytetit tim. Në sytë tanë të fëmijërisë ai dukej shumë më i madh se ç’do të na dukej sot. Në pushimin e gjatë mbushej me vrapin, lojërat dhe zërat tanë.  Disa luanin me top nën ata lisa të vjetër që kishte dikur oborri, të tjerë bisedonin, ndërsa ndonjëri, mbështetur pranë murit të shkollës, përsëriste me ngut mësimin për orën e ardhshme. Mjaftonte të shfaqej mësuesi në prag dhe ritmi ndryshonte. Loja përfundonte, topi ndalej dhe ne drejtoheshim nga hyrja. Sot e kuptoj se edhe oborri i shkollës ishte një lloj klase pa dërrasë të zezë. Aty mësonim të luanim së bashku me top e lojëra të tjera, të ziheshim e të pajtoheshim, të ndanim një copë bukë me shokun dhe, pa e ditur atëherë, të kuptonim se bota nuk përfundonte te vetja jonë.

Në asnjë mënyrë nuk dua ta idealizoj atë kohë. Edhe shkolla e dikurshme kishte mangësitë e veta, sepse edhe rrethanat ishin të tjera. Por kishte një ndjenjë përgjegjësie që, sot më shumë se kurrë, ia vlen ta kujtojmë.

Më vonë siq jemi dëshmitarë të gjithë, erdhën vitet e rënda të regjimit të Millosheviçit, kur arsimi shqip në Kosovë u përball me rrethana krejtësisht të tjera. Pas largimit të nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nga shumë objekte shkollore, mësimi vazhdoi në sistemin paralel dhe në shtëpi-shkolla. Shumë mësues e vazhduan punën nën presion, pasiguri dhe rrezik, duke e ruajtur vazhdimësinë e arsimit në gjuhën shqipe. Për mua, edhe ata mbeten heronj të heshtur të arsimit tonë. Jo për shkak të fjalëve të mëdha, por për një arsye shumë të thjeshtë: në një kohë kur të jepje mësim ishte bërë e vështirë dhe jo rrallë edhe e rrezikshme, ata nuk hoqën dorë nga nxënësit e tyre. Pikërisht këtu kujtimi i së kaluarës më shtyn të mendoj për të sotmen.

Pas luftës, pritja jonë e natyrshme ishte që arsimi në Kosovën e lirë të ndërtohej gjithnjë e më shumë mbi profesionalizmin, barazinë e mundësive dhe meritën. Pa dyshim, janë bërë hapa përpara dhe sot kemi shumë mësues të përkushtuar, të cilët punojnë me përgjegjësi në rrethana jo gjithmonë të lehta. Megjithatë e them me plotë kuptimin e fjalës se sistemi ynë arsimor vazhdon të përballet me sfida. Herë pas here janë ngritur shqetësime për ndikime politike, familjare apo personale në punësim, për transparencën e konkurseve dhe mënyrën e vlerësimit të kandidatëve. Këto dukuri nuk duhet të përgjithësohen dhe as të përdoren për ta njollosur një profesion të tërë. Por, aty ku shfaqen dyshime të arsyeshme, institucionet përgjegjëse duhet t’i trajtojnë ato me seriozitet dhe transparencë. Sepse në arsim meritokracia nuk duhet të mbetet vetëm një fjalë e bukur në dokumente.

Pra, ajo duhet të dëshmohet në mënyrën se si hapet, zhvillohet dhe përfundon çdo konkurs. Do të dëshiroja që konkurset për mësues të mbështeteshin në kritere të qarta dhe të njëjta për të gjithë. Kandidati të vlerësohej jo nga ndikimi (i pushtetarit apo mitos) që mund të ketë pas vetes, por nga diploma, njohuritë profesionale, përgatitja pedagogjike, kultura e komunikimit dhe aftësia për të zhvilluar një orë mësimore.

Një orë demonstruese para një komisioni profesional, për shembull, mund të tregojë shumë më tepër sesa një dosje e mbushur me dokumente. Sepse mësuesin nuk e bën vetëm ajo që shkruhet në diplomë, por edhe aftësia për ta shndërruar dijen e vet në dije të kuptueshme për fëmijën. Edhe përbërja e komisioneve të konkurseve duhet të krijojë besim. Në to duhet të ketë profesionistë të fushës dhe, aty ku është e mundur, anëtarë të pavarur nga ndikimet lokale.

Çdo konflikt interesi apo lidhje e afërt me kandidatin duhet të deklarohet, ndërsa anëtari përkatës të mos marrë pjesë në vlerësimin e tij.

Edhe pikët e konkursit duhet të jenë transparente, të dokumentuara dhe të arsyetuara. Kandidati ka të drejtë ta dijë pse fitoi ose pse nuk fitoi. Kur procesi është i hapur dhe i verifikueshëm, mbrohen njëkohësisht kandidati, komisioni dhe institucioni. Pikërisht duhet të ekzistojë gjithashtu një mekanizëm i besueshëm ankese.

Ai që mendon se është dëmtuar apo i është bërë e padrejtë nuk duhet të detyrohet të kërkojë një mik më të fuqishëm për ta mbrojtur. Duhet të ketë një institucion të paanshëm ku mund ta kërkojë të drejtën e vet. Por meritokracia nuk duhet të përfundojë ditën kur nënshkruhet kontrata.

Mësuesi duhet të ketë mundësi dhe detyrim për zhvillim të vazhdueshëm profesional. Puna e tij duhet të vlerësohet sipas kritereve pedagogjike dhe rezultateve profesionale, jo sipas bindjeve politike apo afërsive personale.

Mësuesit që punojnë mirë duhet t’u krijohen mundësi për përparim, ndërsa atyre që kanë mangësi duhet t’u ofrohet mbështetje për t’u përmirësuar. Në këtë proces, ministria përgjegjëse për arsimin, drejtoritë komunale dhe vetë shkollat duhet ta kenë të qartë përgjegjësinë e tyre. Rregullat duhet të vlejnë njësoj për të gjithë: si për fëmijën e një zyrtari të lartë, ashtu edhe për fëmijën e një familjeje që nuk njeh askënd në pushtet.

Kjo, për mua, është domethënia më e thjeshtë e meritokracisë: të mos jetë shteti për dikë nënë e për dikë njerkë, por t’i japë secilit mundësi të barabartë për ta dëshmuar veten. Një sistem i tillë do t’u përcillte edhe të rinjve të shkolluar një mesazh të rëndësishëm: nëse mëson, punon dhe je i aftë, edhe vendi yt ta jep mundësinë të konkurrosh me dinjitet.

Shumë të rinj të arsimuar po e kërkojnë të ardhmen jashtë Kosovës. Arsyet e largimit janë të shumta dhe nuk mund të reduktohen vetëm te punësimi. Por një shtet duhet të bëjë gjithçka që të rinjtë e tij ta ndiejnë se dija, puna dhe aftësia e tyre kanë vlerë edhe në atdhe. Prandaj nuk mjafton të themi me mall: “Eh, çfarë mësuesish kishim dikur!” Nostalgjia ka kuptim vetëm kur na ndihmon të kuptojmë se çfarë ia vlen të ruajmë dhe çfarë duhet të përmirësojmë.

Nga mësuesi migjenian do të doja ta merrnim seriozitetin, kulturën dhe përkushtimin. Nga mësuesit e viteve të rezistencës, guximin dhe përgjegjësinë. Nga modelet e suksesshme evropiane, standardin profesional, transparencën dhe meritokracinë. Jo për ta kthyer shkollën prapa, por për ta çuar përpara pa humbur vlerat që koha na ka dëshmuar se janë të pazëvendësueshme.

Sot shkollat tona mund të kenë klasa më moderne, teknologji më të avancuar dhe mundësi apo përparësi që brezi ynë nuk i kishte. Por disa gjëra nuk ndërtohen me beton dhe nuk instalohen në kompjuter: edukata, karakteri, përgjegjësia dhe dashuria për dijen.

Për brezat e brezave tanë, do të dëshiroja një shkollë ku mësuesi përzgjidhet për atë që di, për mënyrën se si di t’ia përcjellë dijen fëmijës dhe për shembullin njerëzor që jep.

Kur kujtoj se dikur ngriheshim në këmbë sapo mësuesi hynte në klasë, sot nuk dëshiroj që brezat e rinj ta bëjnë këtë nga frika apo vetëm nga zakoni, por, do të dëshiroja që mësuesi ta fitonte respektin e tyre me dije, drejtësi, kulturë dhe shembull personal.

Mësuesit e brezave të mëparshëm na lanë një kujtesë që ia vlen ta ruajmë, ndërsa ata të viteve të vështira e mbajtën gjallë shkollën shqipe kur kjo kërkonte sakrificë. Detyra jonë sot është tjetër: ta bëjmë shkollën më të drejtë, më profesionale dhe më të denjë për brezat që vijnë. Sepse një konkurs i drejtë mund të zgjedhë një mësues të mirë; një mësues i mirë mund të formojë qindra nxënës; ndërsa qindra nxënës të formuar mirë mund ta ndryshojnë një shoqëri.

Kështu ndërtohet edhe Republika e Kosovës që duam: jo vetëm me ligje e institucione, por duke ia hapur derën dijes, punës dhe meritës. Edhe një herë nxënësve të klasës së parë dhe të gjithë shkollarve, urime dita e parë e shkollës!

Më 2 shtator 2026