Kreu Blog Faqe 111

Marjana Koçeku letër Edi Ramës: “Nji pjesë e madhe e elitës politike nuk ka ma besim te ju”

0

Marjana Koçeku

ShkodraWeb 

Letër e Hapun Kryeministrit z. Edi Rama

Zoti Kryeministër,

Mbasditen e sotme pritet të jetë dita e 24-të e nji proteste prej dhjetëra mijëra qytetarësh të mbledhun në shesh, të revoltuem e të lodhun nga indiferenca, dehja dhe deliri i pushtetit të krejt klasës politike të vendit.

Populli ju ka kërku nji rresht pikash, të cilat ju, përveçse keni shmangë përballjen dhe llogaridhanien që ju takon si drejtues i shtetit, po përpiqeni në mënyrë të padrejtë t’i fyeni, t’i ulni shpirtnisht dhe t’i denigroni, edhe pse ata po ushtrojnë nji të drejtë të tyne themelore kushtetuese: protestën.

Populli shqiptar ka ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA-në dhe kjo protestë nuk u kundërvihet aspak atyne, por sistemit të mbrendshëm që asht krijue ndër dekada mbi frikën, servilizmin dhe tëhuajsimin e qenies shqiptare. Nji sistem ku, pamvarësisht iluzioneve të para që m’u krijuen, nuk e gjeta veten, së paku jo si pjesë e nji partie të caktume.

Kjo protestë, sidomos qysh se u bana pjesë fizike e saj, më bani me kuptue edhe ma shumë se shqiptarët, ma në fund, po e llogarisin atdheun e tyne si atdhe; po e shohin vendin e tyne si nji hapsinë të jetueshme, ku duhet të kthehen dhe jo si nji tokë prej së cilës duhet të largohen. E admiroj qëndresën e tyne, kjo tregon se kena kujt me i shërbye!

Populli shqiptar po tenton me kalu nga vegjëlia në sovranitet për me shpreh vullnetin e penguem dhe, pas kaq shumë motesh, për me realizue kalimin nga ndërgjegjja personale te vetëdija kolektive, që mbart thellë e pastër mrenda vetes të trija kohët e njerit.

Zoti Kryeministër, brezi i ri, të cilit unë i përkas, nuk intimidohet ashtu si brezi i prindve tonë, i cili shpesh pranonte poshtnimin dhe shantazhohej nga nevoja për me mbijetue. Ky brez asht pa komplekse dhe kërkon me e manifestu energjinë dhe lirinë e vet pa u ba mashë e as hije e pushtetit.

Hymja jeme në politikë ka qenë nji vendim që më mori kohë për me e gjet guximin që ta bajsha atë hap, por largimi nga formacioni që ju keni ndërtue dhe që sot ndodhet në nji dehje të thellë pushteti, më kërkoi edhe ma shumë kohë derisa gjeta guximin për me e realizue.
Shqiptarët janë lodhë dhe nuk frymëzohen ma as nga ju, e as nga kasta e vjetër politike. Kjo iu ka çue në nji krizë të thellë legjitimiteti e cila vështirë se mund të tejkalohet pa pasoja a lëshime.

Ndërtimet, për të cilat qytetarët nuk u pyetën kurrë, i bajnë hije edhe tokës edhe qiellit. Mohuesit e rimohuesit e këtij vendi i kanë shndërrue në nji përzimje pa identitet dhe duket sikur shtyjnë njani-tjetrin me brryla. Prandaj me të drejtë, nuk besohet ma në zhvillimin që ju proklamoni.

Përçmimi i revoltës së njerëzve të thjeshtë dhe kauzave si ajo e Rrjollit, Zvërnecit e shumë të tjerave në kohë, kanë ndërtue nji ngrehinë pakënaqësish që vështirë të shembet ma.

Për ata që pyesin pse nuk fola ma herët, përgjigjja nuk kërkon shumë kohë. Drejtuesit e grupit që lashë pas nuk e pranonin mendimin ndryshe, as debatin, as ndjeshmëninë morale. Madje ata me çdo mjet përpiqen t’ia marrin frymën edhe tentativës ma të vogël për me qenë ndryshe, a me mendim të lirë.

Jam e bindun se me botëkuptime tëhuajsuese nuk mund të ndërtohen realitete të sigurta për të ardhmen. Prandaj asht koha të kalojmë nga ndërtimi i projekteve 3D te ndërtimi i nji botëkuptimi tjetër, ma autentik, të cilin kjo protestë po e mbjell dhe po e udhëheq ma së miri, nji botëkuptim ku i hueji nuk trajtohet ma mirë se i joti, nji mendësi që i lejon shqiptarit me qenë zot në shtëpinë e vet.

Anmiqtë e vendit tonë nuk kanë qenë thuejse kurrë të jashtëm, ashtu siç po përpiqeni edhe ju t’i pikturoni, por kanë qenë ma së shumti të mbrendshëm, të strukun mirë, të kollarisun dhe të kapluem nga dalldia e pushtetit dhe shkëputja nga realiteti.

Zoti Kryeministër, nji zhvillim asht i mirë vetëm kur u shërben njerëzve të vet dhe kur i mban ata në mirëqenie, pa qenë të detyruem të bahen emigrantë në tokë të huej e turistë në vend të vet. Përndryshe, ky zhvillim bahet i dhunshëm, nëse të detyron të harrosh se kush je e se kujt i përket.

Shqiptarët nuk kanë nevojë medoemos për të huejën; ata kanë nevojë për një realizëm dhe për nji zhvillim që respekton natyrën, pronën, përkatësinë tonë, vlerat dhe mbi të gjitha për një zhvillim që nuk mohon parimin e solidaritetit me brezat e ardhshëm. Ata kanë nevojë për njerëz që i përfaqësojnë me ndërgjegjen e së nesërmes.

Si deputete e kam pa nga afër dhe jam e bindun se edhe nji pjesë e madhe e elitës politike nuk ka ma besim te ju, por guximi për me u rrëfye dhe për me veprue mund të lypin edhe pak kohë.

Njerëzit munden me rrokë nji ideologji të caktueme në masën që ajo u garanton nji perspektivë individuale dhe nji siguri kolektive. Sot n’Shqipni të dyja këto po çalojnë thellësisht.

Ditë mbas dite shqiptarët në shesh dhe ata që i mbështesin prej larg po japin mesazhin se nuk janë nji popull i ndaluem dhe nuk pranojnë ma të jenë të harruem. Kjo protestë asht nji lumë i rrëmbyeshëm që rrjedh në lëkurën e historisë dhe që nuk pranon ma të trajtohet sikur nuk shihet dhe nuk ndihet.

Mosmarrëveshja mes shtetit dhe kombit çon në shkelje të randa të moralit, në aleanca pa parime, në hedonizëm të verbët dhe në fund në nji kulm të ri të së keqes: përqeshjen e Shqipnisë. Dhe ky pokerizëm që po i bahet vendit tonë, po na shpie qorrazi nëpër natë drejt përplasjes me ajsbergun.

Jeni ende në kohë ta ndaloni këtë. Të shfuqizoni ligjet klienteliste e favorizuese, të mendoni për Republikën dhe për popullin shqiptar, i cili ka pa dhe ka përjetue mjaftueshëm dhe që tash meriton të respektohet dhe të mbrohet.

Unë e di se ka shumë kumona që bien mbrenda jush, por ajo që di po ashtu asht se kryeministri nuk asht mëkambësi i Zotit. Nëse hyjnorja nuk e lyp kurrë legjitimitetin, kryeministri e lyp atë periodikisht. Dhe nëse dëshironi që legjitimiteti t’iu rikthehet, atëherë ndigjojeni sheshin. Ndigjojeni ahtin e popullit tuej.

Nuk asht detyrë e pushtetit ta bajnë njeriun të lumtun, detyrë e tij asht me krijue kushtet që ai me mujtë me qenë i lumtun. Protestuesit nuk janë as libertinë, as jakobinë; janë shqiptarë të ndërgjegjshëm që kanë vendosë me iu rikthye vendit, vetes dhe dinjitetit të tyne.

Nëse do t’jua doja të mirën, do t’ju uroja ma pak pushtet dhe ma shumë fisnikëri. Kjo arrihet vetëm nëse kryeni aktin tuej të mbramë politik: atë të dorëheqjes.

E di se ky vendim kërkon ndjeshmëni morale, fisnikëri politike dhe mbi të gjitha atdhedashni. Uroj t’i gjeni sa ma parë këto virtyte, që vendin që shqiptarët jua dhanë ta leni me dinjitet. Për këtë, jeni ende n’kohë.

Sheshi po thërret me za eumenidje. Po i jep pushtetit mundësinë me vendosë drejtësinë. Prandaj si deputete e Kuvendit dhe si qytetare e Republikës së Shqipërisë, ju baj thirrje me vepru në emën të së mirës së përbashkët; në emën të asaj që asht dhe jo të asaj që ju mendoni se asht; t’i shpërbleni shqiptarët me dorëheqjen tuej.

Në mesazhet e fundit që kena shkëmbye më keni thanë se kam me mbetë vetëm e pa besim dhe as njerëzit e maleve nuk kanë me më përfillë ma. Por unë nuk kam frikë me ecë vetëm, unë jam dhe do mbetem Marjana e maleve, e tash e kam kalue gardhin, pa kthim.

Disa nostalgjikë të PAN-it, refuzojnë koalicionin me Vetëvendosjen!

0
Idriz Zeqiraj, Gjermani
     Shpallja si krye-kauzë të profilizimit të së djathtës të Kosovës, nga kryetari i LDK-së , Lumir Abdixhiku, ka shqetësuar disa nostalgjikë të PAN-it.
     Shefi i tyre, Isa Mustafa, i katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij, “si plaka në kacë”, lëshon ndonjë slogan, për ta aktivizuar klanin e tij të thekur. Ai nuk u mjaftua me sjelljen e partisë të kryetarit Dr. Rugova në prag shuarje, me 9.8 %, (pa aleatë), në shkurt të vitit 2021. Dhe vazhdon t´i instruktojë klanorët e tij, për të penguar çfarëdo reforme brenda LDK-së.
     Klanorët e Isës nuk u pajtuan për ngritjen që i bëri LDK-së kryetar Lumiri, me 9 shkurt 2025! Klani në fjalë pengoi deri në refuzim, ofertën e LVV për koalicion, bashkëqeverisjen me LDK-në, si të vetmet parti parlamentare të pakriminalizuara.
     Ky klan me nostalgjinë për PAN-in, të cilët i shërbyen si patericë, për ta mbajtur atë në pushtet, pavarësisht mëkateve vrastare e hajnore, sot provokon shqiptarët, me kërkesën për ta kthyer sërishmi në pushtet, madje pa kërkuar as falje.
     Pikërisht në ditën e përfundimit të numrimit të votave, klani i Isa Mustafës, si në kor bretkosash, kërkoi linçimin e kryetarit të ligjshëm Dr. Lumir Abdixhikut dhe Dr. Vjosa Osmanit, duke i akuzuar se nuk arritën ta nxjerrin LDK-në në vend të dytë!
     Ndërkohë që “janë zënë me pelë për dore”, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke bojkotuar dhe sabotuar fushatën  e LDK-së të 28 dhjetorit 2025, me qëllim të dështimit të kryetarit Lumir Abdixhikut, duke zbritur rezultatin nga 18 % të shkurtit 2025, në 13 % të dhjetorit 2025!
     Edhe për fushatën e 7 Qershorit 2026, të cilën e udhëhoqën Lumiri dhe Vjosa, me veprimtarët e rreshtuar rreth tyre, disa nga klanorët më të zëshëm të Mustafës, e bojkotuan, madje duke lëshuar sallën festive, kur fliste Vjosë Osmani! Dhe, kjo po ndodhte kur ishte aprovuar slogani: “Bashkohu rreth të djathtës të Kosovës!”
     Rrënimi i LDK-së dhe çmontimi i rugovizmit ka filluar, kur treshja klasike e nënkryetarëve të LDK-së, të prirë nga Isa Mustafa, aprovuan të gjitha marrëveshjet fatale për Kosovën, të projektuara nga Serbia dhe të zbatuara nga agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi. Përfshirë këtu edhe shkeljen porosisë-amanet të Presidentit Rugova, “të mos lejohet ngritja e Hashimit në poste të larta, se është i dëmshëm për Kosovën!”
     Andaj, është absurde ta akuzosh kryetarin e mëvonshëm Abdixhikun, për humbjet zgjedhore, kur ato ishin rrjedhojë të ekipit klanor, përfshi nostalgjikët e sotëm të PAN-it, sepse hisedar në udhëheqjen e LDK-së ishte bërë edhe Hashimi.
     Të gjitha sondazhet parashikonin se pa Vjosë Osmanin LDK-ja do të këtë rreth 8 % të votave. Tani, për më pak se një muaj angazhim të Vjosë Osmanit, ajo e ngriti në afro 17 %. Megjithatë, disa klanorë bastardë kërkojnë llogari prej saj, pse LDK-ja është renditur në vendin e tretë me rezultate votuese!?
     Klanorët e Isa Mustafës kërkojnë zgjedhje të shpejta partiake, me një ton shantazhues, madje kërcënues! Ata harrojnë se ishin skllevërit e shekullit 21, nën tutelën e vrazhdët dhe cinike të monistit Mustafa. Binomi Isa-Hashimi u dakorduan për zhbërjen e Aktivave, si celulat e para të partisë të Dr. Rugovës, LDK-së. Këta tellall të sotëm të Isës heshtnin, sus!
     Përjashtuan debatin në të gjitha nivelet e strukturave të partisë. E shpallën të paligjshëm votimin e fshehtë, duke e zëvendësuar me aklamacionin, votimin e hapur, votimin e rrejshëm, me ngritje dore. Për dy mandate radhazi “votuan” Mustafën me aklamacionin e turpshëm dhe kriminal.
     Fitoret e përsëritura të LVV, nuk janë as mashtrim turmash dhe aq më pak rastësi. Përkundrazi, janë mesazh i qartë për opozitën PAN-iste, se ata që vranë kundërshtarët politikë, zhvatën shtetin, me hajni galopante dhe kontrabandë industriale, nuk mund të amnistohen dhe as të rehabilitohen, siç kërkojnë argatët e Isa Mustafës. Përkundër, ata duhet të japin llogari për krimet, tashmë, të bëra.
     Fatmirësisht, LDK-ja nuk është pjesë e krimeve të përmendura. Por, Kryesia dhe deputetët e saj, mbartin fajësinë të bërë me votën e tyre, të dhënë në Parlament, në tufëzim (blegtoral), me urdhër të Isa Mustafës. Prandaj, distancimi nga këto akte të rënda, deri në tradhti, duhet bërë.
     Kryeministri Albin Kurti, me LVV të tij dhe aleatët, e bëri hapin e duhur, të drejtë dhe thellësisht parimor, kur përjashtoi çfarëdo koalicioni dhe bashkëqeverisje me PAN-in kriminal, duke e qartësuar edhe arsyen madhore të këtij vendimi të mençur. Andaj edhe fitoi besimin dhe simpatinë e shqiptarëve, duke e shprehur në votën masive të dhënë LVV.
     Njëkohshëm, Kurti e pranoi botërisht se LDK-ja nuk ka konsumuar elementet e penalizimit. Dhe, si e tillë është partner i besueshëm për sot dhe mot. Por, sipas tij, PDK-ja me argatët e saj, vazhdon ta mbaj peng LDK-në, duke penguar bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen. Përndryshe, nuk do të kishim zgjedhje të përsëritura as në dhjetor 2025 dhe as në qershor 2026.
     Aktualisht, nuk është koha e shkarkimeve linçuese. Tani duhet të mendohet dhe të veprohet për stabilitet shtetëror, në shërbim të popullit dhe tejkalimin e bllokadave subjektive, nga cilado palë që paraqitën. Dhe, këtë stabilitet e siguron, bindshëm dhe qëndrueshëm, partneriteti i bashkëqeverisjes të subjekteve të pa inkriminuara LVV-LDK. Kjo zgjidhje stabilizuese, do ta ndihmonte edhe opozitën katrahurë PAN-iste, për t`u riformuar, duke spastruar subjektet i tyre nga krimi dhe kriminelët.
     Pa mëdyshje, LDK-ja ka nevojë për një reformë ndryshe nga retushimet e deritashme. Plagët nuk shërohen vetëm me balsam, por duhet përdorur edhe bisturia, në raste të stërkeqjes së tyre. Në gjuetinë e tij mizore, ujku zgjedh mjegullën për gjahun-viktimë. Mjegullnajë duan edhe nostalgjikët e PAN-it, brenda LDK-së.
     Në asnjë kohë dhe rrethanë, Lidershipi aktual nuk duhet të pranojë zgjedhje të parakohshme, të imponuara nga nostalgjikët e PDK-së. Zgjedhje të radhës do të këtë, por, paraprakisht, do të këtë analizë të mirëfillte, e cila është përjashtuar nga fjalori dhe praktika e LDK-së, pikërisht nga nostalgjikët aktual të PAN-it, përkatësisht, Isa Mustafa me klanin e tij.
     Vazhdimi i mandatit për kryetarin Lumir Abdixhikut, në Kuvendin e fundit Zgjedhor, është bërë me strukturën goxha të seleksionuar të Këshillit të Përgjithshëm, nga kryetari paraprak, me klanin e tij. Praktika klanore që kryetarët e komunave të votojnë në Kuvend, ashtu siç porositë kryetari lokal, nuk është e shëndetshme për demokracinë. Dr. Rugova mendonte dhe vepronte se kryetarit i komunës të mjaftohet me atë post. Kalaveshja me poste shtesë, ka reflektuar edhe në rezultatin zgjedhor.
     Në garat klanore bëhen edhe gabime. Lidershipi i Lumir Abdixhikut mund të mos “harronte” disa kuadro, bashkëpunëtorë të devotshëm dhe besnikë të Presidentit Rugova. Në mesin e tyre po citoj dy syresh, që nuk duhej të anashkaloheshin, Adem Salihaj e Skënder Zogaj, të rrezikuar me jetë.
     Banda e Shukri Bujës, ia solli në zyrën e tij kryetarin e LDK-së të Ferizajit. “Unë të vras, ose hiç dorë nga LDK-ja!” Robi me porosi e vuri në shënjestër, Zoti e shpëtoi!
     Kuadri i LDK-së dhe doajeni i gazetarisë kosovare, Zogaj, u rrezikua në Tiranë dhe Prishtinë, por, pranoi sfidën dhe penda e tij nuk heshti, në përballje me krimin dhe kriminelët shqipfolës!
     I gjithë ky zhurmim agjitativ, i porositur nga PAN-i, për t`i aktivizuar nostalgjikët e tij, kundër Lidershipit aktual, nuk i shërben as LDK-së dhe as Kosovës. Andaj, duhet të injorohen deri në përmasën e shprehjes, paksa, pezhorative, “pordhi  kali në derë të Hanit!”

Nga Parisi në Teheran, mesazhi i qartë i botës demokratike: As monarki, as teokraci

0

Në nderim të përvjetorit të martirëve dhe të burgosurve politikë, si dhe përvjetorit të fillimit të rezistencës së popullit iranian kundër diktaturës fashiste fetare, Konferenca Ndërkombëtare “Irani i Lirë 2026” u zhvillua të shtunën dhe të dielën, më 20 dhe 21 qershor.

Dhjetëra personalitete të shquara politike, parlamentare, juridike dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Kanadaja morën pjesë në këtë tubim dyditor në selinë e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit në Paris.

Folësja kryesore e konferencës ishte zonja Maryam Rajavi, Presidente e zgjedhur e Rezistencës Iraniane për periudhën kalimtare.

Konferenca Ndërkombëtare “Irani i Lirë 2026” u zhvillua në Paris me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara si Charles Michel, Boris Johnson, Gjeneral James Jones e të tjerë. Mbështetje e fortë për Maryam Rajavi, Rezistencën Iraniane dhe Planin 10-Pikësh për një Iran demokratik, laik dhe jo-bërthamor

Ndër personalitetet e shquara të pranishëm dhe folësit ishin:

Charles Michel, President i Këshillit Evropian (2019–2024); Boris Johnson, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar (2019–2022); Gjenerali James Jones, ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Obama; Bob Blackman, Kryetar i Komitetit të Parlamentarëve të Partisë Konservatore Britanike; Christine Arrighi, deputete franceze dhe Presidente e Komitetit Parlamentar për një Iran Demokratik; John Bercow, Kryetar i Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar (2009–2019); Gjenerali Keith Kellogg, i dërguari i Presidentit Trump për çështjet e Ukrainës, Gjenerali Tod Wolters, Komandanti Suprem i Aleancës së NATO-s në Evropë (2019–2022), Louis Freeh, ish-Drejtori i FBI-së dhe ish-Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Baird, ish-Ministër i Jashtëm i Kanadasë, bashkë me një sërë kryeministrash, ministrash dhe parlamentarësh të tjerë evropianë, mbajtën fjalime në mbështetje të alternativës së vetme ndaj regjimit iranian — Mujahedinëve dhe Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit — si dhe planit dhjetëpikësh të zonjës Maryam Rajavi për Iranin e ardhshëm.

Ata shprehën mbështetje për Muxhahedinët dhe Rezistencën Iraniane, për qëllimin e një Irani të lirë dhe për planin me 10 pika të zonjës Rajavi, duke theksuar nevojën për t’i dhënë fund politikës së pajtimit me regjimin.

Konferenca Ndërkombëtare “Irani i Lirë 2026” u zhvillua të shtunën dhe të dielën, më 20 dhe 21 qershor. Dhjetëra personalitete të shquara politike, parlamentare, juridike dhe ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Kanadaja morën pjesë në këtë tubim dyditor në selinë e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit në Paris.

Në fjalën e saj, zonja Maryam Rajavi theksoi se rruga për çlirimin e Iranit nuk është as luftë e huaj, as pajtim me regjimin. Ajo tha se forca e vërtetë e ndryshimit gjendet brenda Iranit dhe te populli që dëshiron një shoqëri të lirë, të drejtë dhe demokratike. Ajo vuri në dukje rolin e rinisë së ndërgjegjshme dhe vetëflijuese, e cila u ka thënë “jo” si diktaturës së Shahut, ashtu edhe diktaturës së mullahëve, dhe që, krahas një rezistence të organizuar me 61 vjet përvojë luftë kundër dy diktaturave, po çon përpara rrugën e çlirimit të Iranit.

Në fjalën e saj, zonja Maryam Rajavi theksoi se rruga për çlirimin e Iranit nuk është as luftë e huaj, as pajtim me regjimin.

Presidenti Charles Michel, duke iu referuar planit me 10 pika të zonjës Rajavi për Iranin pas rrëzimit të mullahëve, tha: “Ky Plan me Dhjetë Pika, në sytë e mi, është i barabartë me premtimet e baballarëve themelues të Bashkimit Evropian: …demokraci, paqe, liri, prosperitet.”Ai shtoi se regjimi iranian dëshiron që njerëzit të besojnë se ndryshimi është i pamundur, por “ndryshimi është në rrugë. Ndryshimi është në zemrat tuaja, ju iranianë këtu në Paris. Ndryshimi është në zemrat e aktivistëve të Ashraf 3 në Shqipëri, të cilët janë edhe të mbijetuar, dhe unë u përshëndes ata.”

Former President of the EU Council and former Belgian PM Charles Michel addresses the 2026 Free Iran World Summit on June 20, 2026

Boris Johnson tha se ndihet i nderuar që mbështet “Iranin e lirë” dhe “luftën tuaj për demokraci, të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes”. Ai theksoi se “krona dhe froni nuk mund t’i garantojnë lirinë popullit iranian” dhe se “ndryshimi duhet të vijë nga brenda”.

Former Prime Minister of U.K. Boris Johnson addresses the 2026 Free Iran World Summit on June 20, 2026

Gjenerali James Jones deklaroi se Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit dhe rezistenca e organizuar, të frymëzuara nga udhëheqja e zonjës Rajavi, e kanë bërë të qartë rrugën drejt ndryshimit demokratik. Ai gjithashtu theksoi se Reza Pahlavi nuk mund të jetë një opsion për të ardhmen e Iranit.

Gjenerali Tod Walters, duke iu referuar Muxhahedinëve në Shqipëri, tha:
“Patriotët në Ashraf 3 dhe qytetarët e mirë të Iranit anembanë botës e meritojnë përpjekjen tonë. Ne i admirojmë përpjekjet e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit dhe të Maryam Rajavit për ta çliruar Iranin nga ky regjim i korruptuar. Kjo rezistencë është aset strategjik ynë dhe me të, ne do të fitojmë.”

Bob Blackman, në emër të delegacionit britanik, shprehu solidaritetin më të thellë me Rezistencën Iraniane. Lidhur me Muxhahedinët në Shqipëri, ai tha:
“Herosat dhe trima të Ashraf 3 meritojnë admirimin tonë. Për dekada, vendosmëria dhe vetëflijimi juaj e kanë mbajtur gjallë shpresën për një Iran të lirë, laik, demokratik dhe jo-bërthamor. Demokracia në Iran nuk do të arrihet nga ata që kërkojnë të ringjallin trashëgiminë e monarkisë.

Christine Arrighi theksoi se pjesëmarrësit në këtë tubim ndajnë një qëllim të vetëm: çlirimin e popullit iranian nga një diktaturë mizore. Ajo tha se mesazhi i sotëm është “Jo pajtimit” dhe “Po kryengritjes kundër regjimit”, dhe deklaroi se programi i zonjës Maryam Rajavi për një Iran të Lirë gëzon mbështetje serioze në Asamblenë Kombëtare të Francës.

French MP Christine Arrighi addresses the 2026 Free Iran World Summit on June 20, 2026

John Bercow e përshkroi zonjën Rajavi si një kampione të lirisë dhe një nga figurat më të guximshme në botë. Ai tha se lëvizja e mbështetur nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit dhe Muxhahedinët “mbështet” demokracinë dhe lirinë që pasqyrohen në planin me 10 pika.

Former U.K. Parliament Speaker John Bercow addresses the 2026 Free Iran World Summit on June 20, 2026

Gjenerali Kellogg vlerësoi zbulimet bërthamore të regjimit iranian nga Muxhahedinët dhe Këshilli Kombëtar i Rezistencës në vitin 2002, të cilat çuan në fillimin e inspektimeve ndërkombëtare.

Disa senatorë amerikanë dërguan gjithashtu mesazhe video në mbështetje të këtij tubimi, mes tyre senatori Ruben Gallego, anëtar i Komisionit të Senatit të SHBA-së për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare; senatorja Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komisionit të Senatit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë; senatori Thom Tillis, anëtar i Komisioneve të Senatit për Gjyqësorin dhe Bankat; si dhe senatori Ted Cruz, kryetar i Komisionit të Senatit të SHBA-së për Tregtinë, Shkencën dhe Transportin.

Mesazhi i përbashkët i folësve ishte se e ardhmja e Iranit nuk qëndron as në kthimin te diktatura e mëparshme, as në vazhdimin e fashizmit fetar sundues, por në një republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore të mbështetur te populli iranian, rinia kryengritëse dhe rezistenca e organizuar.

Simboli i UÇK-së nuk e ka vendin në protestën e Tiranës

0
Bardhyl Mahmuti, Zvicër
____
Kush është zëdhënësi i protestave në Tiranë, faqeziu Dritan Goxhaj?
Në rastin e njërit nga aktet më të shëmtuara që ndodhi dy ditë më parë, ku një “lavire e maskuar politike” hoqi flamurit hebre në ambasadën e Izraelit në Tiranë, në ditën e 22-të “grupi koordinues i protestës” nxorën faqen e zezë, duke autorizuar Dritan Goxhajn të bëhet zëdhënës i tij.
Sado legjitime të jetë shprehja e pakënaqësive nga ana e qytetarëve në Republikën e Shqipërisë, përzgjedhja e një shpirti mercenar për të qenë zëdhënës i protestës është domethënëse për natyrën e “Shqipërisë së re” që e dëshiron “grupi koordinues i protestave”.
Duke parë manipulimet për “pjesëmarrjen e Goxhajve në luftën çlirimtare të Kosovës”, më është dashur të bëj disa reagime publike në cilësinë e njërit nga 6 përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër mercenarëve dhe matrapazëve të tillë.
[Të interesuarit për përmbajtjen e këtyre shkrimeve mund t’i gjejnë në internet: “Shtatorja e Gjergj Kastriotit dhe Sindromi i Fregolit” (5 shtator 2024); “Logorreja dhe ‘kapsllëku’ i ideve konstruktive!, (11 shtator 2024); “’Llogjika’ serbe e manipulimit me citatet e Moikom Zeqos dhe logorreja allagoxhaj” (21 shtator 2024); “Mercenari Dilaver Goxhaj përhap sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë!” (4 tetor 2024)…]
Për të shmangur përsëritjen e gjërave që kam thënë më parë, në këtë reagim do të kufizohem në abuzimin që i bëhet loges së UÇK–së nga mercenarët e llojit të Goxhajve.
Meqenëse në disa shkrime dhe publikime në rrjetet sociale, matrapazi Dritan Goxhaj prezantohet si “luftëtarë i UÇK-së”, po e publikoj njoftimin që në emër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Gashi (Komandant Plaku) ka bërë për Dritan Goxhajn njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Gashi (Komandant Plaku).
Teksti i plotë i njoftimit:
***
Qeveria e Përkohshme e Kosovës
Ministria e Mbrojtjes
Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Kukës, 21.04.1999
NJOFTIM
Drejtuar: Shtabit të Operacionit “Shigjeta”
Lënda: Njoftim për Dritan Goxhaj
Më datë 14 Prill, 1999 në qendrën stërvitore të UÇK-ës në Helshan, erdhën si vullnetar në luftë për çlirimin e Kosovës katër oficera të Ushtrisë Shqiptare dhe konkretisht [pjesë e mbuluar]. I solli me një kerr Dritan Goxhaj. [Pjesë e mbuluar]
Kur Dritan Goxhaj u largua për në Tiranë, shokët e tij që erdhën vullnetar, i thanë: “Po ti nuk do të qëndrosh me ne, në luftë për çlirimin e Kosovës?” Djali i Dilaverit me një mendjemadhësi të tepruar u përgjigj: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftë në Kosovë”. Vullnetarët e ardhur nga perëndimi, u indinjuan nga përgjigjja që ai dha, por nuk patën mundësi të reagonin, sepse Dritan Goxhaj ndezi kerrin dhe u largua menjëherë, nga qendra stërvitore në drejtim të Tiranës.
Komandant Plaku
(Nënshkrimi)
***
Sa i përket kushteve të pjesëmarrjes së babait të Dritanit (Dilaver Goxhajt) në luftën çlirimtare të Kosovës dhe parave që ka marrë, lexuesi mund të njihet pjesërisht nga shkrimet e publikuara para dy vjetësh.
Janë pikërisht lloji i këtyre matrapazëve mercenarë që abuzojnë me logon e UÇK-së në protestat e Tiranës.
Logoja e UÇK–së është simboli historik që mishëron përpjekjet më sublime të popullit shqiptar për çlirimin e territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Maqedonia. Ky simbol nuk e ka vendin as në protesta kundër e as në manifestime pro pushtetarëve në Tiranë.
Ftoj të gjitha organizatat e dala nga tri luftërat çlirimtare që të distancohen nga keqpërdorimi i simbolit të UÇK-së.
Një pjesë e mirë e opinionit publik shqiptar më njeh për mospajtimet që kam shprehur publikisht ndaj kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama për “Mini–Shengenin”. Mirëpo mospajtimet e mia rreth kësaj çështjeje nuk mund të më bëjnë të hesht kur shoh mercenarët e shërbimeve të ndryshme antishqiptare të vihen në ballë të mobilizimeve për një “Shqipëri të re”. Në kontekst të daljes në sipërfaqe se faqeziu Dritan Goxhaj është zëdhënës i “grupit koordinues të protestës”, gjërat u qartësuan se çfarë “Shqipërie të re” dëshirojnë të ndërtojnë ata që mbështesin Rusinë e Putinit në luftën gjenocidale kundër Ukrainës; ata që antiamerikanizmin dhe kundërshtinë e vlerave euro-atlanitike e kanë në shpirt.
Në këtë kontekst, arsyet e ligjshme të pakënaqësive të qytetarëve të Shqipërisë duhet të adresohen në kundërshtim të plotë me ambiciet e “grupit koordinues të protestës”. Në të kundërtën bëhen pjesëmarrës në rrënimin e Shqipërisë së planifikuar në kuzhinat antishqiptare.
Bardhyl Mahmuti
Politolog
(Ish-Përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës)
 

Nue Zalli – Shembull i përkushtimit humanitar në Lucern

0

Tom Pergjoka, Gjermani

Në mesin e veprimtarëve shqiptarë në Zvicër që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në fushën e humanizmit dhe solidaritetit, shquhet emri i Nue Zallit. Përmes angazhimit të tij shumëvjeçar në krye të Shoqatës Humanitare Nënë Tereza, ai është bërë një figurë e njohur për ndihmën dhe mbështetjen që u është ofruar familjeve në nevojë, të moshuarve, si dhe komuniteteve të prekura nga vështirësitë ekonomike e sociale.

Shoqata Humanitare Nënë Tereza në Lucern ka zhvilluar gjatë viteve një numër aktivitetesh bamirëse duke organizuar grumbullime fondesh, shpërndarje ndihmash ushqimore, mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta dhe iniciativa të ndryshme në ndihmë të bashkatdhetarëve. Në qendër të këtyre veprimtarive ka qenë gjithmonë fryma e solidaritetit dhe e humanizmit, vlera që mishërohen nga figura e Shën Nënë Terezës.

Nën drejtimin e Nue Zallit, shoqata ka arritur të mobilizojë shumë vullnetarë dhe donatorë duke krijuar ura bashkëpunimi mes komunitetit shqiptar dhe institucioneve vendore në Zvicër. Aktivitetet e organizuara nuk janë kufizuar vetëm në ndihma materiale, por kanë përfshirë edhe veprimtari kulturore, edukative dhe integruese, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve shoqërore.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë së Nue Zallit është angazhimi i tij në fushën e librit, kulturës dhe promovimit të autorëve shqiptarë. Përveç aktiviteteve humanitare, ai ka dhënë një kontribut të çmueshëm në botimin, promovimin dhe përhapjen e veprave letrare duke mbështetur autorë dhe krijues të ndryshëm në prezantimin e punës së tyre para publikut. Përmes organizimit të promovimeve, takimeve letrare dhe aktiviteteve kulturore, ai ka ndihmuar në ruajtjen dhe pasurimin e identitetit kulturor shqiptar në diasporë duke krijuar ura komunikimi mes shkrimtarëve, lexuesve dhe komunitetit. Ky angazhim dëshmon se humanizmi nuk kufizohet vetëm në ndihmën materiale, por shtrihet edhe në mbështetjen e dijes, kulturës dhe vlerave shpirtërore që forcojnë një shoqëri.

Një nga karakteristikat që e dallon veprimtarinë e Nue Zallit është përkushtimi i tij i vazhdueshëm ndaj kauzave humanitare. Ai ka treguar se ndihma ndaj tjetrit nuk është vetëm një akt bamirësie, por një përgjegjësi morale dhe shoqërore. Përmes punës së tij, shumë familje kanë gjetur mbështetje në momente të vështira, ndërsa komuniteti shqiptar në Lucern ka fituar një shembull të çmueshëm të angazhimit qytetar.

Veprimtaria e Shoqatës Humanitare Nënë Tereza vazhdon të jetë një dëshmi se bashkimi, solidariteti dhe vullneti për të ndihmuar mund të sjellin ndryshime konkrete në jetën e njerëzve. Në këtë mënyrë, kontributi i Nue Zallit mbetet një element i rëndësishëm dhe frymëzues për brezat e rinj që të angazhohen në shërbim të komunitetit dhe të vlerave humane.

Kontributi i tij në fushën humanitare dhe kulturore tregon se një komunitet bëhet më i fortë kur mbështetet mbi vlerat e solidaritetit, dijes dhe bashkëpunimit. Përmes angazhimit të pandërprerë në ndihmën ndaj njerëzve në nevojë dhe në promovimin e kulturës shqiptare, Nue Zalli vazhdon të jetë një shembull frymëzues për bashkatdhetarët në Zvicër dhe më gjerë, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj të mirës së përbashkët lë gjurmë të forta në shoqëri.

Dritan Goxhaj dhe hija e një fryme antishqiptare, antiamerikane dhe antiperëndimore

0

Luan Dibrani, Durrës

Kur protesta qytetare rrezikon të rrëmbehet nga agjenda të huaja

Shqipëria ka të drejtë të protestojë. Populli ka të drejtë të kërkojë drejtësi, përgjegjësi, dorëheqje, ndryshim dhe një shtet që i shërben qytetarit. Por protesta qytetare nuk guxon kurrë të kthehet në skenë për agjenda të huaja, për interesa të errëta ideologjike, për propagandë antiamerikane apo për rrjete që duan ta largojnë kombin shqiptar nga orientimi i tij euroatlantik.

Në këtë kuadër, dalja në skenë e Dritan Goxhajt dhe e njerëzve që ndajnë të njëjtën frymë politike duhet të shihet me shumë kujdes. Nuk është problem vetëm një person. Problemi është fryma që ai përfaqëson, retorika që ai shpërndan dhe drejtimi ku mundohet ta shtyjë protestën shqiptare.

Dritan Goxhaj nuk mund të flasë në emër të protestës qytetare

Protesta qytetare nuk ka nevojë për njerëz që dalin si “zëdhënës” të popullit, ndërsa në të njëjtën kohë njihen për qëndrime të ashpra kundër aleatëve strategjikë të shqiptarëve. Një njeri që sulmon SHBA-në, mbron linja politike të dyshimta dhe afrohet me retorikë pro-Iranit, pro-Hezbollahut apo pro-blloqeve antiperëndimore, nuk mund të paraqitet si zë i pastër i popullit shqiptar.

Populli shqiptar nuk ka dalë në shesh për Iranin. Nuk ka dalë për Rusinë. Nuk ka dalë për Hamasin. Nuk ka dalë për Hezbollahun. Populli shqiptar del për drejtësi, për bukë, për dinjitet, për shtet ligjor dhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Prandaj çdo përpjekje që kjo revoltë qytetare të marrë ngjyrë fetare, ideologjike apo antiperëndimore duhet të denoncohet menjëherë.

Patriotizëm me gojë, por orientim i dyshimtë politik

Ka njerëz që flasin shumë për kombin, për atdheun, për luftën dhe për sakrificën, por kur vjen puna te orientimi strategjik i shqiptarëve, dalin kundër atyre që na kanë qëndruar pranë në momentet më vendimtare.

Këtu qëndron hipokrizia e madhe.

Nuk mund të shitesh si patriot shqiptar dhe njëkohësisht të godasësh Amerikën, aleatin kryesor të lirisë së Kosovës. Nuk mund të flasësh për çështje kombëtare dhe njëkohësisht të afrohesh me propaganda që i shërbejnë Iranit, Rusisë apo qarqeve të tjera që kurrë nuk kanë qenë në anën e shqiptarëve.

Patriotizmi shqiptar nuk matet me britma në studio televizive. Patriotizmi matet me qëndrimin ndaj lirisë, ndaj aleatëve, ndaj demokracisë dhe ndaj interesit kombëtar.

Hija e rrjeteve të huaja mbi protestat shqiptare

Nuk është rastësi që sa herë ka krizë politike në Shqipëri, shfaqen elementë që përpiqen t’i japin protestës drejtim tjetër: herë fetar, herë antiamerikan, herë antiizraelit, herë proruso-iranian. Këta nuk vijnë për ta ndihmuar popullin. Këta vijnë për ta përdorur zemërimin e popullit.

Këto rrjete janë të rrezikshme sepse nuk dalin gjithmonë hapur. Ato fshihen pas fjalëve “drejtësi”, “popull”, “komb”, “liri”, por në prapavijë shtyjnë një frymë që nuk ka lidhje me interesin shqiptar.

Prandaj duhet vigjilencë. Protesta qytetare duhet mbrojtur nga infiltrimi. Ajo nuk duhet të bëhet pronë e asnjë grupi ideologjik, fetar apo politik që merr frymëzim nga qendra të huaja.

Familjarizimi i politikës me fryma të rrezikshme

Kur rreth një individi krijohet një ambient që e normalizon propagandën antiamerikane, antiizraelite, pro-iraniane apo pro-ruse, atëherë problemi nuk mbetet vetëm personal. Ai kthehet në problem politik dhe shoqëror.

Nuk duhet sulmuar askush vetëm për mbiemër apo lidhje familjare. Por kur individë të caktuar, brenda një rrethi të caktuar, shfaqen vazhdimisht me qëndrime të dyshimta, me lidhje ideologjike të errëta dhe me retorikë që dëmton interesin shqiptar, opinioni publik ka të drejtë të pyesë:

Kujt i shërbejnë këta njerëz?
Pse sulmojnë aleatët e shqiptarëve?
Pse dalin në mbrojtje të forcave që janë kundër Perëndimit?
Pse përpiqen ta devijojnë protestën qytetare në drejtim fetar apo antiperëndimor?

Këto pyetje nuk janë shpifje. Janë detyrim qytetar.

UÇK-ja nuk mund të përdoret si mburojë për çdo qëndrim të sotëm

Lufta e UÇK-së është e shenjtë për kombin shqiptar. Por askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin e UÇK-së si mburojë për qëndrime të dyshimta politike në të tashmen.

Një njeri mund të ketë qenë dikur në një proces, në një rreth, në një strukturë apo në një ngjarje historike, por kjo nuk i jep imunitet të përjetshëm për të folur kundër aleatëve të shqiptarëve apo për të mbrojtur linja politike që bien ndesh me interesin kombëtar.

UÇK-ja nuk ka luftuar për Iranin. Nuk ka luftuar për Rusinë. Nuk ka luftuar për ekstremizëm fetar. UÇK-ja ka luftuar për lirinë e Kosovës dhe për dinjitetin e popullit shqiptar, me mbështetjen vendimtare të botës demokratike dhe sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prandaj çdo përpjekje për ta përdorur emrin e UÇK-së për të mbuluar qëndrime antiamerikane është fyerje ndaj vetë luftës çlirimtare.

Shqipëria nuk është terren për agjenda të Teheranit apo Moskës

Shqipëria është vend europian. Shqiptarët janë komb perëndimor në orientimin e tyre strategjik. E ardhmja jonë është në Europë, në NATO, në aleancë me SHBA-në dhe me botën demokratike.

Kush e do Shqipërinë të shkëputur nga ky drejtim, nuk i shërben Shqipërisë. Kush e do protestën shqiptare të mbushur me simbole fetare, urrejtje ideologjike dhe propagandë kundër aleatëve tanë, nuk është mik i popullit. Ai është pjesë e një skeme që synon përçarje, destabilizim dhe devijim kombëtar.

Prandaj shteti shqiptar duhet të veprojë me kujdes, por edhe me vendosmëri. Çdo përpjekje për infiltrimin e protestave nga elementë ekstremistë, rrjete të huaja apo propagandë antiperëndimore duhet të hetohet seriozisht.

Protesta po, manipulimi jo

Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqje. Kanë të drejtë të kërkojnë ndryshim. Kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga qeveria. Por nuk kanë pse të bëhen mish për top i njerëzve që duan ta përdorin revoltën për interesa të tjera.

Protesta duhet të mbetet qytetare. Duhet të mbetet kombëtare. Duhet të mbetet demokratike. Duhet të mbetet shqiptare.

Ajo nuk duhet të rrëmbehet nga individë që flasin si patriotë, por mendojnë me busull të huaj politike.

Dritan Goxhaj duhet demaskuar politikisht

Dritan Goxhaj nuk duhet sulmuar me sharje boshe. Ai duhet demaskuar politikisht, me argumente, me qëndrime dhe me pyetje të drejtpërdrejta:

Pse ka qëndrime kundër aleatëve të shqiptarëve?
Pse shfaqet me retorikë që i shkon për shtat Iranit dhe forcave antiperëndimore?
Pse del në krye të protestave qytetare në një moment kaq të ndjeshëm?
Pse mundohet të flasë në emër të popullit shqiptar, kur linja e tij politike bie ndesh me orientimin historik të kombit?

Këto pyetje duhet t’i bëjë çdo shqiptar i ndershëm.

Sepse Shqipëria nuk guxon të bjerë në grackën e propagandës së huaj. Nuk guxon të lejojë që pakënaqësia e drejtë e qytetarëve të përdoret nga njerëz me orientime të dyshimta. Nuk guxon të heshtë kur në mes të protestës shfaqen hijet e ekstremizmit, antiamerikanizmit dhe ndikimeve të huaja.

Përfundim: Shqipëria mbi çdo agjendë të huaj

Sot duhet thënë qartë dhe pa frikë:

Shqipëria është mbi Dritan Goxhajn.
Shqipëria është mbi çdo rrjet të huaj.
Shqipëria është mbi propagandën iraniane, ruse apo çdo propagandë tjetër antiperëndimore.
Shqipëria është me Europën, me NATO-n dhe me SHBA-në.
Kosova është e lirë sepse populli shqiptar luftoi, por edhe sepse Amerika dhe aleatët perëndimorë nuk e lanë vetëm.

Prandaj kush godet këta aleatë, godet një pjesë të themeleve të lirisë sonë.

Protesta po.
Revolta qytetare po.
Llogaridhënia po.
Por manipulimi, ekstremizmi, antiamerikanizmi dhe shërbimi ndaj agjendave të huaja: kurrë.

Shqipëria nuk ka nevojë për zëdhënës të Teheranit, Moskës apo rrjeteve antiperëndimore. Shqipëria ka nevojë për qytetarë të lirë, të kthjellët, të guximshëm dhe besnikë ndaj interesit kombëtar.

Gara e të pangopshmëve

0

Gara e të pangopshmëve

Poezi

Armatosen.
Vrasin.
Pushtojnë.

Djegin, shkatërrojnë —
rrugë që vetëm në varre çojnë.

U tret njerëzorja,
humanizmi,
miqësia;
në sipërfaqe doli interesi
dhe egërsia.

Më lehtë merren vesh kafshët mes vete
se sa njeriu me njeriun.

Botë e shfrenuar,
botë e degjeneruar,
të fuqishmit në garë:
kush më shumë po rrëmben
e rrënon.

Dikush dehet nga luksi
e sevdaja.
Dikush vdes nga uria.

Njeriu për njeriun
jo ujk,
por mortajë:
prangos,
plagos,
dhunon,
vret
e miliona zemra helmon.

Fare nuk pendohet,
por prapë planifikon krim të ri.

Njeriu —
qenia më e përsosur
dhe më e pamëshirshme
e rruzullit tokësor.

 ____

Arif Ejupi
Gjenevë, 15 maj 2026

Shënim i autorit:
Kjo poezi lindi nga një pamje konkrete në Gjenevë, gjatë kohës kur në Evian të Francës mbahej samiti i G7. Miliona u shpenzuan për vendosjen e grilave mbrojtëse në dyqane, banka dhe objekte të tjera, për t’u mbrojtur nga të pastrehët, të uriturit dhe të zemëruarit, ndërkohë që bota vazhdonte të përballej me luftëra, uri, padrejtësi dhe pabarazi të thellë.

Modeli i mundshëm për Sistemin Shëndetësor Digjital të Kosovës

0
Ky ilustrim paraqet një model të mundshëm të Sistemit Shëndetësor Digjital të Kosovës, ku të gjitha institucionet publike dhe private lidhen në një platformë të vetme kombëtare.
1. Kartela Elektronike Shëndetësore
Çdo qytetar do të pajisej me një kartelë ose identitet elektronik shëndetësor.
Përmes saj:
identifikohet pacienti;
ruhet historia mjekësore;
ruhen analizat;
ruhen diagnozat;
ruhen recetat.
Kjo eliminon nevojën që pacienti të bartë dosje letre nga një mjek te tjetri.
2. Faturimi Elektronik
Çdo shërbim regjistrohet automatikisht.
Për shembull:
kontroll specialistik;
analizë laboratorike;
radiografi;
operacion;
trajtim dentar.
Në momentin që kryhet shërbimi:
lëshohet faturë elektronike;
pacienti merr kopje në telefon ose email;
Administrata Tatimore merr informacion në kohë reale.
Kjo redukton ekonominë informale.
3. Pagesa Digjitale
Sot shumë pagesa bëhen me para në dorë.
Modeli i ri parashikon:
kartë bankare;
transfer bankar;
aplikacion mobil;
portofol elektronik.
Çdo pagesë mbetet e regjistruar.
Kjo e bën të vështirë fshehjen e të ardhurave.
4. Platforma Qendrore Shëndetësore
Kjo është zemra e sistemit.
Në të lidhen:
QKUK;
spitalet rajonale;
qendrat e mjekësisë familjare;
klinikat private;
laboratorët;
farmacitë.
Çdo institucion punon në të njëjtin sistem.
5. Dosja Mjekësore Elektronike
Kur një pacient vizitohet në Prishtinë, Pejë apo Gjilan:
mjeku sheh historinë e pacientit;
sheh alergjitë;
sheh terapitë;
sheh analizat e mëparshme.
Kjo shmang:
analiza të dyfishta;
gabime mjekësore;
humbje kohe.
6. Administrata Tatimore
Një nga përfitimet kryesore.
Çdo faturë:
regjistrohet automatikisht;
dërgohet në sistemin fiskal;
kontrollohet në kohë reale.
Rezultati:
më pak evazion fiskal;
më shumë të ardhura për shtetin;
konkurrencë e drejtë.
7. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore
Nëse Kosova vendos sigurime shëndetësore funksionale:
sistemi elektronik mund të verifikojë:
kush është i siguruar;
cilat shërbime mbulohen;
sa duhet të paguajë fondi.
Pa digjitalizim, sigurimet funksionojnë shumë vështirë.
8. Ministria e Shëndetësisë
Për herë të parë do të kishte statistika reale.
Do të dinte:
sa pacientë trajtohen;
sa operacione kryhen;
sa mjekë punojnë;
ku mungojnë specialistët;
ku ka keqpërdorime.
Vendimmarrja do të bazohej në të dhëna reale dhe jo në hamendësime.
Si do të funksiononte praktikisht?
Hapi 1
Pacienti hyn në ambulancë.
Identifikohet me kartelë elektronike ose telefon.
Hapi 2
Mjeku regjistron vizitën.
Hapi 3
Sistemi gjeneron faturën.
Hapi 4
Pacienti paguan me kartë ose telefon.
Hapi 5
Fatura dërgohet automatikisht në Administratën Tatimore.
Hapi 6
Historia mjekësore ruhet automatikisht.
Çfarë përfiton qytetari?
✅ Nuk humb dokumentet.
✅ Nuk bart analiza në letër.
✅ Nuk paguan pa faturë.
✅ Ka qasje në historikun e vet.
✅ Merr shërbim më të sigurt.
Çfarë fiton shteti?
✅ Lufton informalitetin.
✅ Rrit të ardhurat tatimore.
✅ Ul korrupsionin.
✅ Kontrollon cilësinë e shërbimeve.
✅ Krijon bazën për sigurime shëndetësore moderne.
Çfarë fiton sektori privat?
✅ Rregulla të barabarta për të gjithë.
✅ Besueshmëri më e madhe.
✅ Më pak burokraci.
✅
Pagesa dhe raportime automatike.
Nëse Kosova do të zbatonte këtë model, brenda 3–5 viteve mund të kalonte nga një sistem i fragmentuar dhe me nivel të lartë informaliteti në një sistem të ngjashëm me ato të Estonia, Finland apo Denmark, ku pothuajse çdo shërbim shëndetësor është i regjistruar dhe i gjurmueshëm elektronikisht.

Pesë kërkesat e protestës: mes demokracisë, kontradiktave dhe legjitimitetit politik

0
Për 23 ditë me radhë u pritën me interes dhe durim pesë kërkesat që do të dilnin nga protesta. Shumë qytetarë prisnin një platformë serioze politike dhe juridike, e aftë të ofrojë alternativa reale për Shqipërinë. Por në fund, ajo që u prezantua rezultoi më shumë një përzierje dëshirash politike sesa një projekt i realizueshëm demokratik.
Të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit është plotësisht demokratike. Protesta është një e drejtë themelore dhe çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë largimin e një qeverie. Por demokracia nuk është vetëm protestë; demokracia është edhe procedurë, institucion dhe legjitimitet. Në demokraci, legjitimiteti buron nga shumica e qytetarëve të shprehur në zgjedhje, jo nga imponimi i vullnetit të një grupi mbi pjesën tjetër të shoqërisë.
Këtu lind kontradikta kryesore e këtyre kërkesave. Nëse kryeministri Edi Rama jep dorëheqje, kush do t’i shfuqizojë ligjet që protestuesit kërkojnë të anulohen? Një qeveri teknike nuk ka mandat popullor për reforma të thella politike, nuk ka legjitimitetin për të ndryshuar kontratën kushtetuese të vendit dhe nuk mund të zëvendësojë vullnetin e Kuvendit. Prandaj, kërkesat bien ndesh me njëra-tjetrën: kërkohet largimi i qeverisë, por njëkohësisht kërkohen vendime që vetëm një shumicë parlamentare mund t’i marrë.
Po ashtu, nëse protestat pretendojnë të përfaqësojnë demokracinë, duhet të respektojnë edhe të drejtat e qytetarëve të tjerë. Nëse bllokohen rrugët, paralizohet jeta e kryeqytetit dhe cenohet qetësia e qindra mijëra apo miliona qytetarëve, atëherë lind pyetja nëse kemi të bëjmë me përfaqësim të shumicës apo me imponim ndaj shumicës.
Ka megjithatë një element pozitiv që nuk mund të mohohet: pjesëmarrja e emigrantëve shqiptarë. Dëshira e tyre për një Shqipëri më të mirë dhe vullneti për t’u rikthyer e për të kontribuar janë vlera që duhen respektuar.
Por mbetet e papranueshme përfshirja aktive e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në betejat e brendshme politike të Shqipërisë. Që nga vitet ’90 është respektuar një parim i pashkruar që shqiptarët në secilin shtet nuk ndërhyjnë drejtpërdrejt në proceset politike të shtetit tjetër. Kur ky parim prishet, lindin dyshime legjitime mbi natyrën dhe qëllimet e mobilizimit.
Protestat nisën për çështjen e Zvërnecit dhe ishte krejtësisht legjitime të kërkohej transparencë. Por nuk është legjitime që një protestë qytetare të shndërrohet në platformë për përdhosjen e flamurit të Izraelit, për thirrje antisemite apo për kauza që nuk kanë lidhje me shqetësimin fillestar të qytetarëve.
Në fund mbetet edhe një pikëpyetje tjetër. Pesë kërkesat u lexuan nga Dritan Goxhaj, një figurë që vazhdimisht përdor etiketën e UÇK-së për t’i dhënë peshë politike qëndrimeve të veta. Unë kam qenë ndër ata që e kam konsideruar absurde kërkesën që flamuri i UÇK-së të mos përdoret në protesta. Flamuri i UÇK-së duhet të jetë kudo ku kërkohet liri, barazi dhe zhvillim. Por kjo nuk do të thotë se kushdo që flet në emër të UÇK-së fiton automatikisht kredibilitet.
Duke dëgjuar debatet, deklaratat dhe interpretimet e zotit Goxhaj për luftën e UÇK-së, shpesh krijohet përshtypja se ai flet më shumë si protagonist kryesor i historisë sesa si një pjesëmarrës me rolin e përkthyesit në të. Për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse këto pesë kërkesa janë vërtet produkt i protestuesve apo reflektim i axhendave të individëve të caktuar që po përpiqen të flasin në emër të tyre.

Mero Baze dhe teoria e madhe e bretkosës gjeopolitike

0
Kur e lexon artikullin e sotëm të Mero Bazes, të krijohet përshtypja se nuk e ke përpara një analizë politike, por ditarin emocional të një roje nate që i ka humbur çelësat dhe tani e fajëson Albin Kurtin pse nuk po i gjen.
Sipas Mero Bazes, Albin Kurti qenka njëkohësisht përgjegjës për protestat në Shqipëri, për shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, për motin e keq në Ballkan dhe ndoshta edhe për faktin që kafja e mëngjesit i del e hidhur.
Në universin e Mero Bazes, shqiptari nga Tetova nuk proteston sepse mendon me kokën e vet.
Jo.
Ai telekomandohet nga Albin Kurti.
Shqiptari nga Presheva nuk e ka vullnetin e tij.
Jo.
Ai merr sinjale satelitore nga Prishtina.
Shqiptari nga Ulqini nuk udhëton drejt Tiranës me vendimin e tij.
Jo.
Ai transportohet përmes telepatisë logjistike të Albin Kurtit.
Nëse do ta merrnim seriozisht Mero Bazen, do të duhej ta pranonim se Albin Kurti e ka arritur një nivel ndikimi që as Aleksandri i Madh, as Jul Cezari, as Napoleoni nuk e kanë ëndërruar kurrë.
Ata pushtonin territore.
Kurti, sipas kësaj logjike, e pushton trurin e njerëzve nga distanca.
Pa satelit.
Pa internet.
Pa teknologji.
Vetëm me fuqi mendore.
Kjo nuk është më analizë politike.
Kjo është fantashkencë me elemente folklorike.
Siç ka thënë filozofi Arthur Schopenhauer:
“Secili i percepton kufijtë e horizontit të vet si kufij të botës.”
Por në këtë rast duket sikur kufijtë e imagjinatës së autorit janë bërë kufijtë e realitetit absurd të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Por kulmi i paradoksit është tjetërkund.
Mero Baze ankohet se Albin Kurti si politikan i parëndësishëm është tepër i përfshirë në politikën e Shqipërisë, edhe pse komplet shkrimin ia dedikon vetëm Albin Kurtit.
Pra, ai i shkruan një mijë fjalë për të dëshmuar se sa i parëndësishëm është Albin Kurti.
Kjo i ngjan dikujt që e mban një fjalim pafundësisht të gjatë për t’ua shpjeguar spektatorëve se sa e panevojshme është tema për të cilën po flet.
Humoristi amerikan Mark Twain do të thoshte:
“Është më e lehtë t’i mashtrosh njerëzit sesa t’i bindësh se janë mashtruar.”
Nga këndvështrimi filozofik, ky shkrim është një monument i vetëkundërshtimit.
Nga këndvështrimi logjik, është një fabrikë ku përfundimi prodhohet para argumentit.
Nga këndvështrimi epistemologjik, është një përpjekje për ta vërtetuar një tezë duke e marrë atë si të vërtetë që në fillim.
Me fjalë të tjera:
Premisa:
Kurti është fajtor.
Argumenti:
Sepse është Kurti.
Përfundimi:
Prandaj është fajtor.
Aristoteli, po ta lexonte artikullin e Mero Bazes, ndoshta do të kërkonte pension të parakohshëm.
Satiristi i madh Ephraim Kishon do të thoshte:
“Disa njerëz e kërkojnë fajtorin aq gjatë, saqë harrojnë se çfarë po kërkonin.”
Nga pikëpamja psikologjike, teksti ngjan me një obsesion klasik: sa më shumë që përmendet një person, aq më shumë zbulohet varësia mendore ndaj tij, e jo rëndësia e tij reale.
Nietzsche do të paralajmëronte:
“Kush lufton me përbindësha, duhet të kujdeset të mos bëhet vetë përbindësh.”
Dhe kush e kalon gjithë ditën duke shkruar për një kundërshtar politik, rrezikon të bëhet zëdhënës i tij pa dashje.
Në fund mbetet një pyetje e thjeshtë:
Nëse Albin Kurti është vërtet aq i parëndësishëm sa thotë Mero Baze, pse ia kushton gjithë këtë shkrim vetëm atij?
Dhe nëse është aq i rëndësishëm saqë ia dedikon një shkrim kaq të gjatë, pse njëkohësisht tenton ta mohojë rëndësinë e tij?
Kjo është si ta shkruash një roman prej 500 faqesh për një elefant dhe ta titullosh:
“Elefanti që nuk ekziston.”
Lexuesi në fund nuk mëson shumë për Albin Kurtin.
Por mëson diçka shumë më interesante:
Sa larg mund të shkojë imagjinata e budallait, kur faktet i mbeten pa karburant ?
Bertrand Russell ka thënë:
“Problemi i botës është se budallenjtë janë të sigurt, ndërsa të mençurit dyshojnë.”
Ky shkrim është një ilustrim i pavullnetshëm i kësaj ideje.
Në fund, Mero Baze e demonstron një talent të veçantë:
Ai e ndërton një kështjellë të tërë përfundimesh mbi një themel që nuk ekziston.
Një arritje që do ta kishte bërë zili edhe mbretin e trillimeve Baron Mynausenin.
Me një dallim të vetëm:
Mynausen të paktën e pranonte se po trillonte.