ARKIVI:
22 Qershor 2026

Mero Baze dhe teoria e madhe e bretkosës gjeopolitike

Shkrime relevante

Pesë kërkesat e protestës: mes demokracisë, kontradiktave dhe legjitimitetit politik

Basri Beka, Prishtinë Për 23 ditë me radhë u pritën me interes...

Mero Baze dhe teoria e madhe e bretkosës gjeopolitike

Lirim Gashi, Prizren Kur e lexon artikullin e sotëm të Mero Bazes,...

Zoti e bekoftë idealin e bashkimit kombëtar, fotoreportazh nga Italia…!

Florim Zeqa Fotoreportazh nga Italia Miratimi i Rezolutës për të drejtat e shqiptarëve...

Sanxhaku, klasë e hapur mësimi apo pse studentët e Universitetit të Prishtinës duhet ta njohin nga afër këtë rajon?

Ismet Azizi, Gjilan Pse studentët e Universitetit të Prishtinës duhet ta njohin...

Jeta Beqiraj, zëri i gazetarisë së pamposhtur

Lirim Gashi, Prizren JETA BEQIRAJ – ZËRI I PAMPOSHTUR I GAZETARISË SHQIPTARE...

Shpërndaj

Kur e lexon artikullin e sotëm të Mero Bazes, të krijohet përshtypja se nuk e ke përpara një analizë politike, por ditarin emocional të një roje nate që i ka humbur çelësat dhe tani e fajëson Albin Kurtin pse nuk po i gjen.
Sipas Mero Bazes, Albin Kurti qenka njëkohësisht përgjegjës për protestat në Shqipëri, për shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, për motin e keq në Ballkan dhe ndoshta edhe për faktin që kafja e mëngjesit i del e hidhur.
Në universin e Mero Bazes, shqiptari nga Tetova nuk proteston sepse mendon me kokën e vet.
Jo.
Ai telekomandohet nga Albin Kurti.
Shqiptari nga Presheva nuk e ka vullnetin e tij.
Jo.
Ai merr sinjale satelitore nga Prishtina.
Shqiptari nga Ulqini nuk udhëton drejt Tiranës me vendimin e tij.
Jo.
Ai transportohet përmes telepatisë logjistike të Albin Kurtit.
Nëse do ta merrnim seriozisht Mero Bazen, do të duhej ta pranonim se Albin Kurti e ka arritur një nivel ndikimi që as Aleksandri i Madh, as Jul Cezari, as Napoleoni nuk e kanë ëndërruar kurrë.
Ata pushtonin territore.
Kurti, sipas kësaj logjike, e pushton trurin e njerëzve nga distanca.
Pa satelit.
Pa internet.
Pa teknologji.
Vetëm me fuqi mendore.
Kjo nuk është më analizë politike.
Kjo është fantashkencë me elemente folklorike.
Siç ka thënë filozofi Arthur Schopenhauer:
“Secili i percepton kufijtë e horizontit të vet si kufij të botës.”
Por në këtë rast duket sikur kufijtë e imagjinatës së autorit janë bërë kufijtë e realitetit absurd të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Por kulmi i paradoksit është tjetërkund.
Mero Baze ankohet se Albin Kurti si politikan i parëndësishëm është tepër i përfshirë në politikën e Shqipërisë, edhe pse komplet shkrimin ia dedikon vetëm Albin Kurtit.
Pra, ai i shkruan një mijë fjalë për të dëshmuar se sa i parëndësishëm është Albin Kurti.
Kjo i ngjan dikujt që e mban një fjalim pafundësisht të gjatë për t’ua shpjeguar spektatorëve se sa e panevojshme është tema për të cilën po flet.
Humoristi amerikan Mark Twain do të thoshte:
“Është më e lehtë t’i mashtrosh njerëzit sesa t’i bindësh se janë mashtruar.”
Nga këndvështrimi filozofik, ky shkrim është një monument i vetëkundërshtimit.
Nga këndvështrimi logjik, është një fabrikë ku përfundimi prodhohet para argumentit.
Nga këndvështrimi epistemologjik, është një përpjekje për ta vërtetuar një tezë duke e marrë atë si të vërtetë që në fillim.
Me fjalë të tjera:
Premisa:
Kurti është fajtor.
Argumenti:
Sepse është Kurti.
Përfundimi:
Prandaj është fajtor.
Aristoteli, po ta lexonte artikullin e Mero Bazes, ndoshta do të kërkonte pension të parakohshëm.
Satiristi i madh Ephraim Kishon do të thoshte:
“Disa njerëz e kërkojnë fajtorin aq gjatë, saqë harrojnë se çfarë po kërkonin.”
Nga pikëpamja psikologjike, teksti ngjan me një obsesion klasik: sa më shumë që përmendet një person, aq më shumë zbulohet varësia mendore ndaj tij, e jo rëndësia e tij reale.
Nietzsche do të paralajmëronte:
“Kush lufton me përbindësha, duhet të kujdeset të mos bëhet vetë përbindësh.”
Dhe kush e kalon gjithë ditën duke shkruar për një kundërshtar politik, rrezikon të bëhet zëdhënës i tij pa dashje.
Në fund mbetet një pyetje e thjeshtë:
Nëse Albin Kurti është vërtet aq i parëndësishëm sa thotë Mero Baze, pse ia kushton gjithë këtë shkrim vetëm atij?
Dhe nëse është aq i rëndësishëm saqë ia dedikon një shkrim kaq të gjatë, pse njëkohësisht tenton ta mohojë rëndësinë e tij?
Kjo është si ta shkruash një roman prej 500 faqesh për një elefant dhe ta titullosh:
“Elefanti që nuk ekziston.”
Lexuesi në fund nuk mëson shumë për Albin Kurtin.
Por mëson diçka shumë më interesante:
Sa larg mund të shkojë imagjinata e budallait, kur faktet i mbeten pa karburant ?
Bertrand Russell ka thënë:
“Problemi i botës është se budallenjtë janë të sigurt, ndërsa të mençurit dyshojnë.”
Ky shkrim është një ilustrim i pavullnetshëm i kësaj ideje.
Në fund, Mero Baze e demonstron një talent të veçantë:
Ai e ndërton një kështjellë të tërë përfundimesh mbi një themel që nuk ekziston.
Një arritje që do ta kishte bërë zili edhe mbretin e trillimeve Baron Mynausenin.
Me një dallim të vetëm:
Mynausen të paktën e pranonte se po trillonte.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu