Për 23 ditë me radhë u pritën me interes dhe durim pesë kërkesat që do të dilnin nga protesta. Shumë qytetarë prisnin një platformë serioze politike dhe juridike, e aftë të ofrojë alternativa reale për Shqipërinë. Por në fund, ajo që u prezantua rezultoi më shumë një përzierje dëshirash politike sesa një projekt i realizueshëm demokratik.
Të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit është plotësisht demokratike. Protesta është një e drejtë themelore dhe çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë largimin e një qeverie. Por demokracia nuk është vetëm protestë; demokracia është edhe procedurë, institucion dhe legjitimitet. Në demokraci, legjitimiteti buron nga shumica e qytetarëve të shprehur në zgjedhje, jo nga imponimi i vullnetit të një grupi mbi pjesën tjetër të shoqërisë.
Këtu lind kontradikta kryesore e këtyre kërkesave. Nëse kryeministri Edi Rama jep dorëheqje, kush do t’i shfuqizojë ligjet që protestuesit kërkojnë të anulohen? Një qeveri teknike nuk ka mandat popullor për reforma të thella politike, nuk ka legjitimitetin për të ndryshuar kontratën kushtetuese të vendit dhe nuk mund të zëvendësojë vullnetin e Kuvendit. Prandaj, kërkesat bien ndesh me njëra-tjetrën: kërkohet largimi i qeverisë, por njëkohësisht kërkohen vendime që vetëm një shumicë parlamentare mund t’i marrë.
Po ashtu, nëse protestat pretendojnë të përfaqësojnë demokracinë, duhet të respektojnë edhe të drejtat e qytetarëve të tjerë. Nëse bllokohen rrugët, paralizohet jeta e kryeqytetit dhe cenohet qetësia e qindra mijëra apo miliona qytetarëve, atëherë lind pyetja nëse kemi të bëjmë me përfaqësim të shumicës apo me imponim ndaj shumicës.
Ka megjithatë një element pozitiv që nuk mund të mohohet: pjesëmarrja e emigrantëve shqiptarë. Dëshira e tyre për një Shqipëri më të mirë dhe vullneti për t’u rikthyer e për të kontribuar janë vlera që duhen respektuar.
Por mbetet e papranueshme përfshirja aktive e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në betejat e brendshme politike të Shqipërisë. Që nga vitet ’90 është respektuar një parim i pashkruar që shqiptarët në secilin shtet nuk ndërhyjnë drejtpërdrejt në proceset politike të shtetit tjetër. Kur ky parim prishet, lindin dyshime legjitime mbi natyrën dhe qëllimet e mobilizimit.
Protestat nisën për çështjen e Zvërnecit dhe ishte krejtësisht legjitime të kërkohej transparencë. Por nuk është legjitime që një protestë qytetare të shndërrohet në platformë për përdhosjen e flamurit të Izraelit, për thirrje antisemite apo për kauza që nuk kanë lidhje me shqetësimin fillestar të qytetarëve.
Në fund mbetet edhe një pikëpyetje tjetër. Pesë kërkesat u lexuan nga Dritan Goxhaj, një figurë që vazhdimisht përdor etiketën e UÇK-së për t’i dhënë peshë politike qëndrimeve të veta. Unë kam qenë ndër ata që e kam konsideruar absurde kërkesën që flamuri i UÇK-së të mos përdoret në protesta. Flamuri i UÇK-së duhet të jetë kudo ku kërkohet liri, barazi dhe zhvillim. Por kjo nuk do të thotë se kushdo që flet në emër të UÇK-së fiton automatikisht kredibilitet.
Duke dëgjuar debatet, deklaratat dhe interpretimet e zotit Goxhaj për luftën e UÇK-së, shpesh krijohet përshtypja se ai flet më shumë si protagonist kryesor i historisë sesa si një pjesëmarrës me rolin e përkthyesit në të. Për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse këto pesë kërkesa janë vërtet produkt i protestuesve apo reflektim i axhendave të individëve të caktuar që po përpiqen të flasin në emër të tyre.



