Kreu Blog Faqe 1134

Kryeministri Kurti në Reçak: Shteti ynë demokratik, nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës

0

Shtime, 15 janar 2023 ​

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, në 24 -vjetorin e Masakrës së Reçakut.

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

I nderuari e shumë i dashuri ambasador William Walker,

Të dashur familjarë të të vrarëve në masakrën e Reçakut,

I dashuri Ramë, i mbijetuari i masakrës së Reçakut,

Të nderuar zëvendëskryeministra, Bislimi, Gërvalla dhe Rexhepi,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendësministra, përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore,

I nderuari kryetar i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu,

Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të vendeve partnere e mike në Republikën tonë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Të nderuar fëmijë e pasardhës të atyre që u vranë në Reçak,

Të nderuar veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kudo në Kosovë, e posaçërisht të atyre që luftuan në këtë zonë,

Të nderuar invalidë që edhe sot e kësaj dite i mbani plagët e pasojat me vete të luftës sonë të lavdishme,

Çdo fillim të vitit në mes të janarit dhe sa herë që vijmë për vizitë dhe homazhe këtu në Reçak, përballë faqes së murit të memorialit që mbanë 45 portretet dhe emrat e viktimave civile të vrarë në fshat të Shtimes, pashmangshëm na rikthehen në kujtesë pamjet e trupave të tyre, të masakruar më 15 janar 1999 nga policia dhe forcat e Serbisë në përgjithësi. Janë ato pamje të transmetuara nga mediat botërore që atëherë edhe të shfaqura pastaj sërish e përsëri ndër shumë vite, duke u kthyer ndër imazhet përmes të cilave më së shumti neve na njohu bota demokratike dhe na njohu si vend i viktimës ku Serbia kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Vërtetë, në kronologjinë e luftës në Kosovë, masakra e Reçakut është një nga mbi 400 masakrat e kryera nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët. Por në historinë e kësaj luftës sonë, kjo masakër e Reçakut ndonëse është një prej atyre mbi 400 masakrat, megjithatë është krimi i luftës që më së shumti i ka nxit ndryshimet e qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare, në raport me atë se çfarë po bënte Serbia në Kosovë. E dëshmuar nga shumë media vendore dhe ndërkombëtare, si dhe e vëzhguar nga Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë, masakra e Reçakut u shndërrua në një nga argumentet më të pakontestueshme dhe më të fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s e cila do të vinte pas dy muajsh.

Forhåndsvisning av bildePër këtë, merita të veçanta i takojnë ambasadorit amerikan që kryesonte Misionin Verifikues në Kosovë të OSBE-së, diplomatit William Walker. Pasi pa trupat e ekzekutuar dhe të masakruar të 45 civilëve në Reçak, Walker pati kurajon ta përshkruante atë që pa me emrin e vërtetë, kur tha që ajo ishte “masakër dhe krim kundër njerëzimit”. Duke marrë anën e të vërtetës në një kohë ekstreme për Kosovën, ambasadori Walker i dha veprimtarisë së tij prej diplomati një vend të rëndësishëm në historinë moderne të vendit tonë.

Sot, 24 vite pas, ai po e shkruan një libër për masakrën e Reçakut dhe me të cilin besoj fuqishëm se ambasadori Walker, do të monumentalizoj në tekst përvojën e tij profesionale dhe personale në një deklaratë publike e thënë një ditë pas masakrës së Reçakut, në një dëshmi të mirëfilltë historike të rrëfyer me gjithë rrethanat dhe kontekstin e asaj kohe.

Për këtë, populli shqiptar do t’i jetë gjithmonë mirënjohës ambasadorit Walker, që në një kohë kur kishte pak zëra të cilët flisnin qartë dhe fuqishëm për Kosovën në diskursin ndërkombëtar, ai e tha të vërtetën për krimet e luftës që Serbia po i shkaktonte në Kosovë, duke folur jo thjesht me gjuhë diplomatike, por sidomos me gjuhën e një humanizmi të kulluar.

Përgjithësisht, kur e vërteta është kaq e fuqishme siç është ajo e masakrës së Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj, sikur që ka bërë Serbia që nga dita e masakrës së Reçakut e deri sot, duke u munduar ta turbullojë dhe falsifikojë rolin e drejtpërdrejtë planifikues dhe ekzekutues të shtetit të Serbisë në realizimin e masakrës së Reçakut.

Më datën 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë, i cili atëbotë ishte ministër i informatave, pra vetëm para diç më shumë se sa tri vjetëve, ky president i Serbisë ka deklaruar se masakra e Reçakut është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq, dy vjet më vonë, ai i cili dikur ishte zëvendëspresident i partisë së gruas së Millosheviqit, e më pas edhe ministër i punëve të brendshme, ndërkaq sot shef i inteligjencës së shtetit serb, saktësisht më datën 10 dhjetor 2021, pra në Ditën e të drejtave Universale Ndërkombëtare të Njeriut, pra 10 dhjetorin, saktësisht në këtë ditë, e përsëritë atë çka e thotë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim. Ata të cilët e mohojnë gjenocidin ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij.

Por, një krim kundër njerëzimit e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak më 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet. Duke u thirrur në dëshmitë e kohës, në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.

Sot, në 24 vjetorin e masakrimit të 45 shqiptarëve nga forcat e Serbisë në Reçak, teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e vdekura dhe të gjalla të asaj kohe të errët, më lejoni që para jush, nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, t’ju them që shteti ynë demokratik, nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.

Kufomat e më të dashurve tuaj e tonë, të 15 janarit 1999, u mbrojtën edhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sepse ne e dimë që pasi që na i vrisnin civilët dëshironin t’i rrëmbenin kufomat. Dhe i kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së të vrarë duke i mbrojtur kufomat e 45 civilëve. Sot kufomat janë në mesin tonë, por siç tha edhe zonja presidente ne e luftojmë harresën dhe ne do ta mbajmë e mirëmbajmë edhe kombëtarisht edhe institucionalisht kujtesën. Nëpërmjet kujtesës ne e mbrojmë historinë tonë, vuajtjen e popullit të Kosovës.

Për drejtësinë ndërkombëtare, krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë, kurse për historinë botërore, ato janë e kaluara që duhet njohur vërtetësisht, për të nxjerrë prej saj mësimet e domosdoshme për ndërtimin e të ardhmes tonë si shoqëri e si shtet, si komb e si njerëzim.

Faleminderit ambasadori Walker, faleminderit të gjithëve.

Forhåndsvisning av bilde

Ernest KOLIQI (1903-1975) – personalitet i rrallë i kulturës shqiptare

0

Nga Don Lush Gjergji, Prishtinë
___

“As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut…”.

(Ernest Koliqi)

Populli, me të drejt thotë: “Harresa, në disa raste, është më e vështirë se vdekja.” E kjo thënie popullore, vlen sidomos për historinë tonë, për shumë krijues që kanë flijuar jetën dhe punën për të mirën e popullit, për një ardhmëri të cilën me shekuj po e kërkojmë, dëshirojmë, presim, por e cila në tërësi ende nuk po zbatohet.

Një ndër personalitetet e rralla të kulturës kombëtare, që është harruara për një kohë të gjatë, pa dyshim është edhe prof. Ernest Koliqi, shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes, edukator i shumë brezave shqiptare në Atdhe dhe gjetiu. Në jetën dhe veprën e tij pasqyrohet fare mirë Golgota e popullit tonë; mishërohen vlerat e së kaluarës sonë të lashtë, hapen shtigjet e reja të ardhmërisë, sidomos nëpërmjet arsimit, kulturës dhe qytetërimit.

Ernest Koliqi, lindi në Shkodër, më 20 maj 1903. Që në fëmijërinë e hershme hetohej aftësia e tij mendimore, por Shqipëria ishte ende e varfër dhe e paorganizuar për shkollim sistematik dhe klasik. Mu për këto arsye, ai qe dërguar së shpejti në Brescia dhe në Bergamo të Italisë, në kolegjin e famshëm klasik “Arici”, ku me sukses kreu mësimet fillore për afro dhjetë vjet. Studimet e larta për gjuhë dhe letërsi, i kreu në Padovë.

Si fëmijë, e sprovoi vendin e huaj, mërgimin, si një lloj paralajmërimi dhe përgatitje për jetën e ardhshme. Në Shqipëri, u kthye në vitin 1921 dhe pas tre vjetësh rishtas kthehen në Itali. Punën në arsim e fillon në vitin 1930, së pari si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Tregtar të Vlorës dhe më vonë në Liceun shtetëror në Shkodër.

Në vitin 1937 u emëruar lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Padovës, ndërsa pas dy viteve profesor ordinar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.

Më 12 prill 1939 emërohet Ministër i Arsimit Shqiptar. Nga Shqipëria iku së pari në Dubrovnik, prej nga kaloi në Itali, në Romë, ku jetoi dhe veproi deri në vdekje (1975).

Përpos Italisë, prej vitit 1925 deri në vitin 1928 ka jetuar në Mal të Zi dhe në Bosnje, në Tuzëll, ku pati rast të mirë të njihte botën shqiptare të Malësisë së Madhe dhe atë boshnjake.

Ndikim të madh, vendimtar në jetën dhe formimin e tij njerëzor, kombëtar dhe krijues pati Luigj Gurakuqi (1879-1925) dhe Ernesti për një kohë ishte edhe sekretari i tij personal.

Në Brescia dhe Bergamo, më vonë në Padovë, sidomos në Romë, pati fat të njihte shumë personalitete të shquara të kulturës, traditës, krijimtarisë italiane dhe evropiane.

Këtu do ta përmendi njohjen, shoqërinë dhe miqësinë e tij me Giovanni Battista Montini, më vonë Papa Pali VI, që vazhdoi gjatë tërë jetës së tyre, botërisht u dëshmua në shumë raste, sidomos në vitin 1968, kur u kremtua 500 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe fetar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në vitin 1972, Papa Pali VI për Shqipërinë komuniste-ateiste botërisht ndër të tjera tha: “S’mund të heshtim mbi Kishën e Krishtit, e cila, është e detyruar jo vetëm në vuajtje në heshtje, por edhe në vdekje. Më lejoni ta hapi shpirtin tim kur mendoj rreth shkatërrimit të një popullit, teritorialisht të vogël, por të pasur me tradita të lavdishme qytetare dhe fetare, i afërt për ne, por i mbajtur larg nga barrierat, si të ishte në mes të nesh ndonjë oqean: Shqipëria…” (”Shejzat”, 9-12, 1972, f. 419).

Nga malli dhe dashuria për Atdhe dhe për Popull jetoi dhe krijoi në shumë drejtime për begatimin shpirtëror-kulturor të popullit. Nga përvoja e jetës dhe shkollimit, në veçanti u angazhua gjithnjë për shkollimin në gjuhën shqipe, prej fillores, shkollave të mesme dhe të larta, si dhe për krijimin dhe zbatimin e plan-programeve shkollore, po ashtu edhe për përpilimin e teksteve, si p. sh. “Shkrimtarët Shqiptar”, pjesa I, II, Tiranë 1941 etj.

“Për t’i dhënë baza shkencore kulturës shqiptare me krijimin e “Institutit të Studimeve Shqiptare” në Tiranë, me programin e njësimit terminologjik të dishiplinës, me kongreset ndërkombëtare dhe botimin e serisë “Studime e Tekste”, me rritjen e studimeve dhe mbledhjen e trashëgimisë nëpërmjet “Visaret e Kombit”…” (Giuseppe Gradiglione, në “Shejzat”, viti XIII, nr. 10-12, 1969, f. 6).

Për të arritur një gjë të tillë, lypet kultivimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe “me përpjekje të papreme, e pati fatin e bardhë me e zanunnji vend të posaçëm midis atyne burrave të vlefshëm, që i a dedikuen veten Kombit nëpërmjet gjuhës, qi asht shërbimi më kryesor qi i bahet kombit. Gjuha asht shpata, gjuha asht arma, gjuha asht zemra, gjuha asht çfaqja e gjallnis e, ma ne fund, gjuha asht vetë jeta dhe vetë kombi. Pa gjuhë, s’ka komb” thotë Karl Gurakuqi për Ernest Koliqin në artikullin: “Nëpër vullajat e “Shejzave”, në “Shejzat”, 9-12, 1966, f. 524.

Me shkrime dhe krijime letrare, Ernest Koliqi e begatoi letërsinë tonë si me përmbajtje, po ashtu edhe me fjalë, frazeologji, gjuhë tejet të pasur dhe të pastër.

Veprat kryesore të Ernest Koliqit janë: “Kushtrimi i Skenderbeut”, Tiranë, 1924; “Hija e Maleve”, Zarë, 1929; “Poetët e mëdhej t’Italisë” vëll. I, Tiranë, 1932; “Gjurmat e stinve”, Tiranë, 1933; “Tregtar flamujsh”, Tiranë, 1935; “Quattuor”, Iliria, 1935; “Poetët e mëdhenj t’Italisë, vëll. II, Tiranë, 1936; “Pasqyra e narçizit”, Bari, 1936; “Symfonia e Shqipeve”, 1936; “Epica popolare albanese”, Padovë, 1937; “Kangjelet e Rilindjes”, Romë, 1959; “Shija e bukës së mbrume”, Romë, 1960; “I tre maggiori poeti d’Albania”, Romë, 1961; “Evoluzione strica della lirica albanese”, Romë, 1962; “Antologjia della lirica albanese”, Milano, 1963; “G. De Rada, sulla vita e sull’opera di De Rada”, Romë, 1964; “L’umanesimo di Skanderbeg”, Palermo, 1969.

Vështrimet kritike të Ernest Koliqit: Fishta interpreti i shpirtit shqiptar, në “Shkëndija”, 1940; Influenze orientali nella letteratura albanese, Istituto per l’Oriente, Roma, 1954; Kroje të reja në Parnaz shqiptare, vështrimi i parë sistematik kritik mbi letërsinë në Kosovë, në “Shejzat”, 1957, nr. 1, 4, 5; Dhjetëvjetori i së përkohshmes “Jeta e Re”, në “Shejzat”, 1959, nr. 11, 12; Il realismo socialista e la letteratura, Roma, 1960; Ventesimo anniversario della scomparsa di P. G. Fishta, Roma, 1960; Giuseppe Schirò, poeta della fratellanza pan-albanese, në “Shejzat” 1963, nr. 1-2; Spirito autoctono e influssi stranieri nella letteratura albanese, në “Shejzat”, 1963, nr. 9-10-11-12; Considerazioni sui canti erotici del popolo albanese, Louvain, 1964; Albania, monografia, in Enciclopedia dei popoli d’Europa, Milano, 1965; Faik Konica – profilo critico., në “Shejzat”, 1967, nr. 5-6-7-8.

Mbi jetën dhe krijimtarinë e Ernest Koliqit kanë shkruar ndër të tjerët: Cordiniano F., Petrotta G., Atë Gjergj Fishta, Mann Stuart, Shuteriq D., Gradiglione G., Quasimodo S., Guzzetta A., Martin Camaj, Karl Gurakuqi e shumë të tjerë.

Veprimtaria letrare e Ernest Koliqit filloi herët, në Brescia, në vitin 1921, kurse së bashku me studentët tjerë themeloi fletushkën studentore “Noi” (Ne) dhe aty edhe botoi punimet e para letrare.

Një kapitull i veçantë në jetën e tij  dhe krijimtarinë e tij është themelimi i “Shejzave” në vitin 1957 dhe udhëheqja deri në vdekje. Në numrin e parë, ai ndër të tjera shkruan kështu: “Po i hyj kësaj ndërmarrje të vështirë, por me shpresë dhe bindje, e simbas fjalës së urtë “trimi i mirë me shokë shumë”. Dhe ashtu edhe ndodhi, sepse “së shpejti rreth emnit të Ernest Koliqit u radhitën fytyrat më të njoftuna në fushën e letrave në mërgim; i u banë kunorë miqt anë-e-kand në botën e lirë, nuk e lanë vetëm, secili simbas mundësisë dhe fuqive të veta” (Karl Gurakuqi, “Shejzat”, 1966, 9-12, fq. 515).

“Shkalla e zotsis së tij në këtë degë veprimtarije asht provue e riprovue tash katërdhetëvjetë e këndej: e kemi prekë me dorë në revistën “Illyria”, faqet e së cilës zbukuroheshin në çdo numër prej shkrimeve të tija, në prozë e në poezi; i kemi konstatue në revistën “Shkëndija” themelue dhe mbajtun prej tij” (”Shejzat”, Po aty).

Nëpërmjet “Shejzave” Ernest Koliqi ka krijuar një rrjetë të madhe bashkëpunëtorësh  në botë dhe ka kultivuar kështu gjuhën dhe letërsinë shqipe në mërgim, por të lirë nga prangat ideologjike komuniste. Ja vetëm disa emra që vite me radhë kanë shkruar në “Shejza”: Atë Zef Valentini, Peter Bartl; Gino Bottiglione, Franc Babinger, Alois Schmaus, Georg Stadmüller, Martin Camaj, Nermi Vlora – Falaschi…

Ja si e përshkruan Ernest Koliqi gjendjen e popullit nën sundimin komunist, si dhe copëtimin e tokave dhe të popullit: “Pjesa intelektuale u përça në shumë pjesë të cilat  këputen çdo pjekje njana me tjetrën. Disa shkrimtarë radhe së pari u zhduken n’atdhe tragjikisht, ase u detyruan të heshtin, tjerë u mërguan në katër kandet e botës. Fatkeqësia ma e madhe e rracës shqiptare qindron në ndasitë qi ndodhjet historike shkaktuen në trup të saj. Këto dasi i pasqyron vetë zhvillimi i letërsis, e cila zuni fill e u mëkëmb n’ujdhesa të shkëputuna njana prej tjetrës në hapësi dhe të ndërpreme në botë…” (Hilushi, “Shejzat” 9-10, 1969, f. 307).

Këto njësi, apo si thotë E. Koliqi “këto tri pjesti a thyese të botës shiptare ecin letrarisht në drejtime qi nuk harmonizohen. Mun veprojnë pa dijtë aspak ase fort pak njana për tjetrën” (”Shejzat”, Po aty).

Për letërsinë që krijohet në Kosovë njëherë më tha: “Kosova është dhe do të jetë kopshti i historisë dhe i ardhmërisë shqiptare… Atje ka mjaft krijime të suksesshme letrare, deri diku nën ndikimin e letërsisë sllave, por më pak nën ndikimin e diktaturës dhe ideologjisë komuniste. Nëpërmjet “Shejzave” jam munduar t’i lidhi dy botat shqiptare, trashëgiminë e vëllazërve Arbëreshë të Italisë dhe krijimtarinë përparimtare të shkrimtarëve të Kosovës, e cila është një risi e këndshme, përtërise dhe mjaft premtuese…”.

Bota e Ernest Koliqit nuk ishte e mbyllur në kufij apo paragjykime, por ai jetoi dhe veproi gjithnjë për popullin Shqiptar, sepse “Shqipnija e  vërtetë s’ka kufij gjeografik, por shtrihet shpirtnisht nëpër mbarë botën në çdo vis ku gjallitë nji Arbnuer qi nuk mohon vetit e veta autoktone” (”Shejzat”, Po aty, f. 310).

Ai, vërtet ishte vizionar i së ardhmes, sidomos nëpërmjet arsimit shqiptar. Si Ministër i Arsimit Shqiptar, ai dërgoi në Kosovë arsimtarët më të përgatitur dhe më të aftë për këtë mision të shenjtë, për arsimimin, ngritjen dhe qytetërimin e popullit të tij. Njëherë më rrëfeu këtë vendim me këto fjalë: “Shumëkush nuk e kuptonte përcaktimin dhe vendimin tim në Shqipëri; disa edhe më kundërshtuan dhe më sulmuan haptazi se po i shkapërderdhi intelektualët tanë. Mirëpo unë iu thashë: “Kosova është gjymtyra jonë e rrezikuar, prandaj atje duhet të veprojmë për përforcimin dhe kultivimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare…”.

Shpesh thoshte kështu: “Kush e njeh mirë dhe në thellësi popullin shqiptar, s’mund mos ta donë. Shembulli më i mirë i “shqiptarit të huazuar” është Atë Giuseppe (Zef) Valentini”.

Katedrën për gjuhë dhe letërsi shqipe në Romë e lartësoi në nivelin e Institutit, me dekretin e kryetarit të Italisë, më 2 shtator 1957. Gjatë viteve akademike 1951-1969  aty diplomuan dhe doktoruan 58 albanologë shqiptarë, arbëreshë dhe të huaj (Lexo: Giuseppe Gradilione, “Shejzat”, 10-12, 1969, f, 24-27).

Ernest Koliqi i lidhi mjaft  frytshëm edhe katedrat tjera të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali dhe në botë, si dhe studiuesit dhe krijuesit  tanë me albanologë të huaj.

Për të shkruan prof. Dr. Hans Joachim Kissling: “Shkrimtar dhe poet i pajis me zotësi të posaçme shprehëse qi diti ma se miri t’i përdorë me i ba të njoftun jo vetëm botës italiane, por edhe mbarë botës erudite, pasurinë shpirtnore të popullit shqiptar, mundësinë e tij dhe doket trashiguese…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 332).

Atë Zef Valentini më tha për Ernest Koliqin: “Ai është ambasadori i denjë i kulturës dhe traditës shqiptare në Itali dhe në botë. Zoti i ka planet e veta me popullin shqiptar edhe në këto rrethana të vështira”.

Prof. Martin Camaj: “Ernest Koliqi është për mua mësues, mjeshtër i fjalës së shkruar, shqiptar i kulluar, njeri që diti t’i afrojë dhe miqasojë njerëzit në mes veti, sidomos shqiptarët e mërguar dhe të shkapërderdhur. Gjithmonë besonte në Zotin dhe në Popullin, në vlerat burimore shpirtërore dhe letrare”

Ndërsa Ernest Koliqi shkruan për Marti nCamaj kështu: “Ardhja e Martin Camajt në Romë më trimëroi me hy edhe nji herë në valle të botimeve. Me bashkëpunimin e tij vëllaznuer dolën në dritë “Shejzat”…. Sillte me vete edhe dishka ma tepër: njomsin agimore të letërsis së Kosmetit… E ndiente veten si pjesëmarrës i ngusht në lëvizjen kulturore t’asaj krahine… Ajo frymë më rinoi e shkaktoi në muenji ringjallje fuqish…” (“Shejzat”, 9-12, 1966, f. 308-309).

Parimi i tij themelor ishte shkollimi, arsimimi, komunikimi i popullit shqiptar me botën dhe i botës me ne. Për këtë shpesh e përsëriste këtë porosi: “Pa dituri s’ka as ardhmëri”.

Ernest Kolqi u dallua edhe si përkthyes shumë i suksesshëm dhe i talentuar. Ja vlerësimi i Atë Cornelio Capizzit, profesor i letërsisë bizantine në Universitetin e Kolnit dhe në Istitutin Oriental në Romë: “Prof. Ernes Koliqi dëshmon njohurinë shembullore të gjuhës poetike italiane, në çdo fshehtësi semantike, tërësinë e fuqisë plastike dhe paraqitëse…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 335).

Më përthimet e tija të shkëlqyeshme nga shqipja në italishte dhe anasjelltas afron dhe begaton dukshëm dy gjuhë, kultura dhe popuj.

Dr. Đuro Kokša, Rektori i Kolegjit të “Shën Jeronimit” në Romë, më vonë ipeshkëv ndihmës në Zagreb, thoshte: “Ju shqiptarët keni fat të madh me prof. Ernest Koliqin si përfaqësues i denjë i popullit tuaj në Qytetin e Amshuar. Erudit i vërtetë, njeri i kulturës dhe krijimtarisë, mik i të gjithë popujve”.

Prof. Ernest Koliqi ishte shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes e mbi të gjitha njeri i ngrohtë, zëri i kulturës dhe popullit shqiptar në kohën e “shkretëtirës” dhe rrënimit të pashoq në Shqipëri- urë afrimi, frymëzues për shumë krijues të ri shqiptarë nga Kosova, Italia dhe diaspora.

Duke folur njëherë për dashurinë për popull dhe atdhe, ai më tha: “As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut”.

Zemra e tij u ndal së rrahuri, pas shumë mundimeve dhe mallit për vendlindje, por jo edhe dashuria, e cila vazhdon përmes veprave. Pati një jetë shumë të mundimshme, e ndoshta pikërisht për këtë edhe mjaft të frytshme. Vuajtja, malli, vetmia, bota e huaj nuk ishin për të shkas dëshpërimi, mbylljeje, hutie, dezorientimi, por frymëzim krijimi, pune, dashurie.

Në një bisedë më pati thënë: “Të nderoj dhe të dua shumë për dy arsye, se je meshtar i Jezu Krishtit dhe i Kishës Katolike. Edhe unë e kam pasur një vëlla meshtar, Don Mikelin, të cilin të “patenzonët” ma vranë…(Prof. Ernest Koliqi nuk e dinte se Don Mikeli ishte gjallë dhe se një ditë do të dilte nga burgu dhe do të emërohej kardinal i Kishës Katolike, vr. ime). Arsyeja e dytë pse të dua është, sepse merresh me çështjen e gruas shqiptare, temë gati e paprekur, por shumë e rëndësishme për ne, sidomos me jetën dhe veprën e Nënës Tereze”.

Jetoi dhe vdiq me “sy të çelur”, me mall në zemër, me shpirt të tronditur. Njëherë më tha: “Ne dhe të huaj gjeta Shqipërinë e vogël, ndër Arbëreshët. Në rininë intelektuale, përparimtare kosovare gjeta shpresën e re për ditë më të mira për popullin tonë”

Poeti e shkrimtari i Shkrelit Luigj Çekaj: Nderi i Malësisë së Madhe!

0

Nga Frank Shkreli 

Javën që kaloi në Selinë e Bashkisë Malësi e Madhe u zhvillua ceremonia, e kryesuar nga Kryetari i asaj Bashksie, Z. Tonin Marinaj, për të nderuar njërin prej intelektualëve të njohur të atij trolli – poetin dhe shkrimtarin malësor prej Shkrelit – të ndjerin Luigj Kolë Çekaj. Frank Shkreli: Luigj Çekaj – Poeti i përndjekur i Shkrelit të Malësisë së Madhe | Gazeta Telegraf — Frank Shkreli: Luigj Çekaj dhe libri i tij i dhimbjes “Unë vij nga Shkodra” | Gazeta Telegraf

Sipas njoftimit nga familja e Luigj Çekaj, që u botua edhe nga portali, “Zani i Veriut”, Bashkia Malësi e Madhe, me në krye shefin e saj, Tonin Marinaj organizoi, javën e kaluar, një eremoni zyrtare per dorëzimin e titullit ” Qytetar Nderi” i Malësisë se Madhe, për poetin Luigj Kolë Çekaj (pas vdekjes). Në sallën e Bashkisë, plot e përplot me të afërmë e dashamirë të poetit, e pranishme ishte edhe familja e tij, e përfaqësuraar nga bashkshortja dhe djali i Luigj Çekajt. Pas himnit kombëtar u mbajt një minutë heshtje në nderim të poetit malësor i cili ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1990-ave, pas shembjes së komunizmit, ku edhe ndërroi jetë, në Janar të vitit 2021.  

Familjes, miqëve dhe dashamirësve të shumtë të pranishëm që kishin shkuar atje për të nderuar poetin dhe shkrimtarin e Shkrelit, iu drejtua të pranishëmve me disa fjalë duke i përshëndetur i pari i Bashkisë, Malësia e Madhe, Z. Tonin MARINAJ.  Z. Marinaj i dorëzoi familjes e pranishme aty, ardhur për atë qëllim nga Shtetet e Bashkuara, dekoratën, “Qytetar Nderi”, akorduar Poetit Luigj Çekaj nga Shkreli i Malësisë së mbi-Shkodrës – pasi ai lexoi motivacionin për dhënjen e dekoratës Luigj Çekajt:  

“Për punën dhe përkushtimin e tij si një qytetar bashkohor. Si atdhetar dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare shqiptare. Si një përfaqësues i denjë i letërsisë dhe kulturës malësore mbarë shqiptare, ku me poezinë dhe prozën e tij edhe pse në mërgim prej kohësh, nuk e ndau asnjiherë vendlindjen e tij, por duke lartësuar kurdoherë trevën tonë, Malësin[ e Madhe e më gjërë.” 

Kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj,  

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ilir Hanaj.  

Ndërkaq, në emër të familjes përshëndeti bashkëshortja e Luigjit, Violeta Çekaj, e cila duke falënderuar Bashkinë dhe Kryetarin e saj, Z. Marinaj, shtoi se Luigji u rrit jetim, te dajat pasi babën e vet – të arratisur nga komunizmi — e ka takuar pas 46 vitesh në Nju Jork. Në fjalën e saj, Violeta Çekaj falënderoi — për këtë nderim që i benë bashkshortit të saj të ndjerë — Kryetarin e Bashkise, Z. Tonin Marinaj, duke shprehur gjithashtu respektin dhe falënderimet e saj dhe të familjes si dhe të gjithë atyre që morën pjesë në atë ceremoni vlerësimi për Luigjin duke u shprehur se se né,  kurrë nuk e harrojmë Malësinë e Madhe, tha ajo. 

Dhënja e kësaj dekorate, poetit e shkrimtarit Luigj Çekajt, me të drejtë u cilësua si një vlerësim i merituar nga Bashkia Malësia e Madhe, “Për një personalitet të madh si Luigj Çekaj, i cili i bán nder Shkrelit, Malësisë dhe Kombit Shqiptar. Një ceremoni e thjeshtë, për një emër të Madh”, u cilësua tubimi në nderim të Luigj Çekajt orgnaizuar në Kryeqëndrën e Malësisë së Madhe në Koplik. 

Për të ndjerin Luigj Çekaj, si bashkvendas imi nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe mik i familjes time e të cilin kam pasë nderin ta njoftoj vetëm pas ardhjes së tij në Nju Jork, në fillim të viteve 1990-a, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe për të cilin, në të kaluarën, kam shkruar disa artikuj modestë në kujtim të personit, punës dhe veprimtarisë së Luigj Çekaj këtu në Nju Jork. Si një anëtar i vyer i komuniteit shqiptaro-amerikan, të cilit edhe sot i mungon shumë prania dhe kontributi i tij letrar dhe shoqëror.  

Ishte nder e privilegj për mua që të merrja pjesë në propozimin – si më poshtë — që i kam bërë Bashkisë Malësi e Madhe, gushtin që kaloi, që të nderojë – këtë bir të trojeve tona, për punën dhe aktivitetin e tij si poet e shkrimtarë por edhe si përfaqsues dhe intelektual i denjë i Malësisë së Madhe në mërgim, por njëkohësisht, edhe i komunitetit shqitaro-amerikan me të cilin ishte shumë i angazhuar. Falënderimet tona Kryetarit të Bashkisë, Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj dhe Këshillit të Bashkisë për dekortaën që i ka akorduar poetit e shkrimtarit malësor, të ndjerit Luigj Çekaj.  

Propozimi im drejtuar Bashkisë Malësi e Madhe për nderimin e Luigj Çekajt me dekoratën “Qytetar Nderi”, (pas vdekje) i Malësisë së Madhe:  

Nju Jork, Gusht, 2022 

PROPOZIM: QË POETI I NDJERË LUIGJ ÇEKAJ TË SHPALLET QYTETAR NDERI I MALËSISË SË MADHE 

I PROPOZOHET BASHKISË: MALËSI E MADHE 

PROPOZUESI: FRAN SHKRELI 

TITULLI: “QYTETAR NDERI I MALËSISË SË MADHE”  

Personi: Poeti e shkrimtari Luigj Çekaj (pas vdekjes)  

Luigj Çekaj, shkrimtar e poet, bir i Shkrelit të Malësisë së Madhe, i kësaj treve me emër e za dhe lavdi prej shekujsh i dha Kombit shqiptar trima, poetë e shkrimtarë.  Personalitete që me verpimtarinë e tyre artistike dhe njerëzore – mbrenda dhe larg Malësisë së Madhe – sa ishin gjallë por edhe pas shkuarjes në amshim, ata me veprat e tyre dhe trashëgiminë që kanë lënë pas, vazhdojnë të kontribojnë. Me veprat e tyre, ata vazhdojnë t’i japin nam e za Malësisë së Madhe, duke nderuar vlerat e shënjta iliro-arbërore të pakrahasueshme, për të cilat krenohen të gjithë malësorët, kudo që jetojnë sot, në trojet tona të shënjta të Malësisë së Madhe dhe anë e mbanë botës. Njëri prej këtyre malësorve krenarë  që nderon të gjithë ne dhe Malësinë e Madhe ishte edhe Poeti e Shkrimtari me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj.  

Kam nderin dhe privilegjin që Luigj Çekajn — këtë bir të madh të Malësisë së Madhe — t’a propozoj për dekoratën: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”.  Ai, me veprat e tija kudo shkoi dhe me këdo që u takua – Luigj Çekaj, vetëm nder e lavd i çoi Malësisë, në nivelet më të larta shqoërore, intelektuale dhe patriotike, mbrenda dhe jashtë Shqipërisë. Vlerat shekullore të Malësisë së Madhe: nder, burrëri, besë e trimëri, Luigj Çekaj i pasqyron në të gjitha veprat e tija, poezi e prozë. “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua”, është shprehur, shkrimtari i madh Ismail Kadare, për veprat e Luigjit. Një zbulin – siç ishte dhe është i tillë për të gjithë ne që e kemi njohur, por edhe ata që kanë lexuar veprat e Poetit dhe Shkrimtarit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj.  

Për këto arsye dhe të tjera që mund të lexoni në artikujt më të gjërë — bashkangjitur këtij propozimi linket mund ti gjeni më poshtë — unë Frank Shkreli propozoj dhe rekomandoj me gjihtë zemër që Poetit dhe Shkrimtarit, Luigj Çekaj, me origjinë nga Malësia e Madhe, t’i akordohet dekorata me titullin: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe” – se ai veç nder e lavd i ka sjell Malësisë dhe mbarë Shqipërisë.  Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngushtë pas vendosjes së tij në Amerikë, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar, nderoi veten dhe familjen e tij të ngushtë, fisin e origjinës, Malësinë e Madhe dhe më gjerë. Shkodra dhe Shkreli janë krenarë me të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për vitet sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara. 

Poeti e shkrimtari i Shkrelit Luigj Çekaj: Nderi i malësisë së madhe! -  Bota Sot

Prandaj propozoj dhe rekomandoj, me bindje të thellë për meritat e tij, emërimin e Luigj Çekaj për titullin e lartë të Bashkisë së Malësisë së Madhe: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”: 

                                                Me Motivacionin:  

“Si një prej përfaqësuesve malësorë më të denjë të letërsisë dhe të kulturës shqiptare të Malësisë së Madhe dhe përtej, i cili me poezitë dhe me librat prozë, ai me integritet, profesionalizëm dhe atdhedashuri, mbrojti dhe promovoi, gjuhën, kulturën, traditat dhe vlerat, në përgjithësi, të cilat dallojnë trojet shekullore të Malësisë së Madhe. Duke ndriçuar me veprën e tij, njëkohësisht, edhe mbarë shoqërinë shqiptare në Atdhe dhe në Diasporë. Për rolin dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale shekullore të malësorëve, në mbrojtje të interesave dhe identetit kombëtar të malësorëve dhe shqiptarëve kudo që gjënden.” 

Me shumë respekt për bashkvëllëzrit e mi në Bashkinë e Malësisë së Madhe, mbetem i jueji, 

Vëllazënisht, Fran Shkreli                           

 Poeti dhe shkrimtari Luigj Çekaj, “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe 

        

       *Fotot nga ceremonia, marrë nga portali, “Zani i Veriut” 

Lugina e Shkrelit, Malësi e Madhe

Të gjithë jemi të “mirë”, të mirat po na mungojnë!

0

Florim Zeqa

“Qeveria është e mirë, opozita është e mirë, të gjitha partitë politike janë të mira, të gjithë liderët partiak janë të mirë, të gjithë kryetarët e komunave janë të mirë, të gjitë politikanët janë të mirë, të gjithë, të gjithë jemi të mirë, por të mirat po na mungojnë”!

Rezultatet e tregojnë “suksesin” e qeverisjeve në Kosovën e pasluftës

E nisa kështu shkrimin me qëllimin më të mirë, që t’i kënaqi të gjitha tifozeritë e partive politike pak në fillim, por kur t’i kthehemi realitetit të jetës në Kosovë, vënitet kënaqësia dhe e vërteta na del të jetë krejt ndryshe dhe e hidhur!

Nga do që të fillojë analizën time politike, rezultat nuk përputhen me lëvdatat e shkruara në fillim të këtij shkrimi. Sikur vetëm 20 % e dëshirave tona të ishin realizuar në shtetin e Kosovës së lirë dhe të pavarur, situatën do ta kishim tjetër nga kjo që e kemi sot.

Nëse e marrim aspektin e zhvillimit ekonomik jemi ndër vendet më të pazhvilluara, nëse e marrim aspektin e sigurisë jemi vendi më i pasigurtë, nëse e marrim aspektin e shëndetësisë jemi nën mesataren e dëshiruar, nëse e marrim aspektin e sistemit arsimor PISA po na e tregon nivelin e ulët arsimor në të cilin ndodhet Kosova!

Por, nëse e marrim sistemin e drejtësisë jemi katastrofë, jemi në nivelet më të ulëta të mundshme. Lëndet e veprave të rënda kriminale dhe korruptive qëndrojnë prej vitesh të pluhërosura në sirtarët e drejtësisë, ngase nuk ka prokuror dhe as gjykatës që guxon t’i prekë me dorë dosjet e nivelit të lartë, gjegjësisht të bosëve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe vjedhjeve skandaloze të buxhetit të shtetit nga të gjitha pushtetet e pasluftës deri tek ky i viteve të fundit!

Lënja e shtetit në duart e bandave partiake

Zbrazja e Kosovës nga të rinjët, nga të gjitha shtresat dhe nga të gjitha nivelet e popullsisë, është tregues se diçka nuk është në rregull me qenjen tonë kombëtare, me partitë politike dhe as me popullatën që po i voton në të gjitha zgjedhjet!

Lënja e shtetit në duart e partiake të dështuara politike dhe ikja në perëndim nuk e ndihmon të ardhmen e shtetit, përkundrazi i ndihmon ato në forcimin e pozicioneve të tyre në terrenin e kontaminuar politik të Kosovës.

Partitë tona politike, pa dallim pushtet dhe opozitë, asnjëra prej tyre nuk e kanë prioritet shtetin dhe mirëqenjen e qytetarëve, por mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit, për të qënë më afër ‘Arkës së Shtetit’, për vjedhur dhe plaçkitur gjitjçka që munden nga buxheti i shtetit, këtë pasuri të përbashkët, të grumbulluar nga tatimpaguesit e (varfër) ndershëm të këtij shteti.

I quajtja tatimpagues të ndershëm, për faktin se kemi edhe të atillë që jo vetëm që nuk i paguajnë rregullisht tatimet ndaj shtetit, nuk e paguajnë rrymën, ujin, ngrohjen, mbeturinat, etj, e të mos flasim për qytetarët (serbë) e veriut të vendit, të cilët nga paslufta vetëm marrin e nuk paguajnë asgjë nga shteti i Kosovës.

Kur jemi në këtë aspekt, nuk e lënë keq as një pjesë e qytetarëve në tërësinë territoriale të vendit tonë! Këta janë të fortët e pushtetit ose mbështetës të tyre, të cilëve nuk guxojnë t’iu ofrohen tatim-kërkuesit, madje as zyrtarët shtetërorë të Agjensionit Antikorrupsion për mosdeklarim të pasurive!

Abuzimet dhe diplomat e falsifikuara

Asnjëherë dhe në asnjë periudhë historike, në Kosovën tonë të dashur nuk ka pasur më shumë abuzues sesa sot! Abuzuesit janë të kategorive të ndryshme, duke filluar nga rastet sociale, veteranët mashtrues, gjeneralët pa akademi ushtarake, mjekët abuzues, prokurorët dhe gjykatësit e me ‘diploma të natës’ e deri tek titujt shkencor dhe akademik me diploma të falsifikuara dhe plagjiaturë! Sot, kur kemi kaq shumë tituj shkencor, rezultatet po na mungojnë, sot kur të gjithë jemi të “mirë”, të mirat po na mungojnë!

Nënshkruesi i Asociacionit do “fitoj” vetëm me një “biletë” të lëçitjes publike!

0
____

1. Në rast se; qeveria dhe opozita dëshirojnë të ndahen faqebardhë me miqtë dhe partnerët tanë strategjik, pra, nëse synojnë ta dëshmojnë si lojalitetin ashtu edhe gatishmërinë e tyre për të bashkëvepruar në sinkron me interesat e tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike, ata paraprakisht DUHET ta afishojnë në unison (me gjitha partitë politike) të plotë alibinë apo argumentin e munguar (juridik, politik, ekonomik, historik etj.) gjithëpërfshirës sociologjik. Shkaku se me këtë mënyrë dhe me këso qasjeje, qeveria dhe opozita jonë mund ta amortizojnë synimin dhe shpresën e kamotshme të Serbisë (për një Republika srpska në Kosovë!) por, njëkohësisht edhe ta lehtësojnë me këtë ide edhe “mirëmbajtjen” e miqësisë dhe të partneritetit afatgjatë me sponsorët e shtetësisë së Kosovës.

2. Ndryshe, si është duke shkuar aktualisht hesapi, opozita përveç hezitimit po shprehë edhe një lloj hiperpoltronizmi e hiperkonformizmi të panevojshëm padyshim edhe të dëmshëm në faza afatgjata për shtetndërtimin e Kosovës. Uroj që e gjithë kjo sjellje dilematike opozitare të zbutet dhe definitivisht të pushoj opozitarizmi ideologjik, të paktën për aq kohë sa nuk do filloj” njohja reciproke” (që është interes edhe i tyre) midis Serbisë dhe Kosovës. Po ashtu, shpresoj që ditë dashuria e jonë platonike ndaj: aleatëve dhe miqve të mos konvertohet në “dashuri”e servilitet po as edhe në mentalitet fatalist skllavërues, por, të shndërrohet në partneritet. Dhe që asnjëherë ky partneritet (që fillimisht, mund të jetë i bazuar në interes ekonomik por, në sistemin veror e kulturor perëndimor) të mos ngatërrohet e identifikohet me normat dhe standardet e miqësisë madhore që e kemi ndërtuar e kultivuar me Amerikën.

3. Në ndërkohë, për ta zgjeruar përgjegjësinë vendimmarrëse për (mos)aprovimin e Asociacionit, na duhen ekzaminime akademike, organizime publike qytetare, poashtu edhe miq të vërtetë ndërkombëtar që lobojnë interesat tona afatgjate. Ngase, në këto orë të liga historie, është duke u krijuar një atmosferë vetëkënaqësie e vetëmjaftueshmërie që në faza afatgjate mund të na sjell dëme të pariparueshme (politike, ekonomike, e gjeopolitike) për vetën tonë, po edhe për interesat e miqve në rajon e glob. Andaj, s’duhet t’i lëmë asgjë stihisë e anarkisë, por, t’i nënshtrohemi mbikëqyrjes, sistemimit dhe përditësimit institucional, në mënyrë që ta ushtrojmë një menaxhim të përbashkët kontrolli. Ndryshe, konsideroj që subjekti politik, apo cilido politikan (qoftë ai edhe tip karizmatik!) që do pranoj ta nënshkruaj Zajednicën (në këmbim të ndonjë privilegje, favori, apo posti e çfarëdo statusi tjetër) duhet ta dijë që paraprakisht vetës por edhe subjektit politik që përfaqëson, ia ka siguruar një “biletë” të lëçitjes publike nga ana qytetarëve të Kosovës! Njëkohësisht, ekzistojnë gjasat reale që të njëjtit person a subjekt nënshkrues do u “rezervohet” edhe një vend në mauzoleun e njohur të varrezave të Beogradit! Vend ky që në ambientet e veta “atraktive” po e “pushon” (jo)aksidentalisht edhe një emër të apostrofuar e të gdhendur si shqiptar (si psh.qifti i Esad Pashë Toptanit) të “ndershëm”…

…subjekti politik, apo cilido politikan (qoftë ai edhe tip karizmatik!) që do pranoj ta nënshkruaj Zajednicën (në këmbim të ndonjë privilegje, favori, apo posti e çfarëdo statusi tjetër) duhet ta dijë që paraprakisht vetës por edhe subjektit politik që përfaqëson, ia ka siguruar një “biletë” të lëçitjes publike nga ana qytetarëve të Kosovës!

Lufta Italo – Greke 1940 – 1941 dhe batalionet shqiptare në të

Parathënie 

Pas pushtimit të Shqipërisë nga ushtria italiane në Prill 1939, Shtabi Madhor Italian nuk e shkriu ushtrinë e vogël shqiptare dhe e futi nën komandën e tij. Ushtria italiane filloi nga kufiri shqiptar mësymjen kundër Greqisë më 28 Tetor 1940 duke patur në përbërje edhe gashtë batalione shqiptare. Në Greqi ishte qeveria naziste e Joni Metaksait (www.metaxas-project.com) dhe ushtria italiane nuk sulmoi pa dijeninë e komandës gjermane. Për ushtrinë greke, bombardimi ajror, përgjimi dhe zbërthimi i shifrës italiane, furnizimi me armatime, municione, ushqime, mjekime, veshje e logjistikë kryheshin nga ushtria britanike. Komanda britanike në Kajro e dinte edhe sa pak i ngrohtë ishte çaji që pinin ushtarët italianë në ballin e luftës. Ndërkohë që ndodhnin luftimet, qeveria greke i internoi të gjithë burrat arvanitë muslimanë në Hijos e Mitilini, dy ishuj në kufi me Turqinë; një gjenocid i papërmendur. 

Prandaj përparimi i pakët i ushtrisë italiane në Greqi ngeci që në mes të Nëndorit dhe më pas pati vetëm tërheqje me luftë. Ushtria greke pushtoi Korçën më 22 Nëndor 1940 dhe pushtimi prej saj i jugut të Shqipërisë u shtri deri në Shkurt 1941 kur balli i luftës njatej nga Pogradeci në Himarë. Ushtria pushtuese greke mbante 14 Divizione përballë 28 Divizioneve të ushtrisë italiane. Ndërkohë ajo kishte dy Divizione në kufirin greko-jugosllav dhe katër Divizione përgjatë kufirit greko-bullgar.  

Skalioni i dytë në Greqi përbëhej nga 62’000 trupa të perandorisë britanike. Urdhri i komandës britanike ishte që njëkohësisht ushtria jugosllave nga veriu dhe ajo greke nga jugu të sulmonin ushtrinë italiane në Shqipëri, ta pushtonin dhe ashtu ta ndanin atë mes vedi. Ditën që u vu në zbatim ay plan, ushtria gjermane nisur nga Bullgaria mësyu Jugosllavinë Nr. 2 dhe Greqinë. Jugosllavia Nr. 2 u pushtua në datat 6-18 Prill 1941 dhe me atë rast u fik. Ushtria gjermane pushtoi Greqinë në 6-30 Prill 1941 dhe 14 divizionet në Shqipërinë jugore të mbetur pa ndihmën britanike u dorëzuan duke u lutur pa luftë. Ushtria perandorake britanike humbi 11840 ushtarë dhe ajo gjermane 5000 ushtarë gjatë ushtimit të Greqisë.  (— Saimir Lolja)   

USHTRIA SHQIPTARE NUK BAHËT MISH PËR TOP  

(Nga libri: Lek Përvizi, Gjenerali, Sh. B. Fishta, 2011.)  

Në luftën italo-greke, komanda italiane përfshiu pa paralajmërim e pa pyetun disa trupa shqiptare. Lufta italo-greke u provokue dhe u ndërmor prej vetë Musolinit, të cilit i ishte mbushë mendja se po ecte mbi gjurmët e Romës për me rikrijue një perandori të re romake. 

Shkaku i luftës ishte krejt banal, gjoja vrasja e bariut shqiptar çam Daut Hoxha. I qenë a i pa qenë, u vra a s’u vra kush, nuk dihet, por ky emën apo njeri u shpik e u përdor si “casus belli” (shkak lufte). Italia me atë pretekst i shpalli luftë Greqisë, gjoja në mbrojtje të interesave të Shqipnisë vasale e saj. Dhe me marifet të madh ia ngarkoi shpalljen e luftës qeverisë kukull shqiptare. Ndërsa faktikisht gjithçka ishte përgatitë e planifikue nga vetë Musolini që më 28 tetor 1940 të pushtonte Greqinë me mendimin se do ta pushtonte lehtë. Ana qesharake ishte se ushtarëve italianë u kishin krijue përfytyrimin e vajzave të Athinës që i prisnin me padurim pipinot bukurosha dhe për të cilat sikur po shkohej për një vizitë turistike plot dëfrime.   

Kështu ushtria shqiptare u gjend e përfshime në rang batalionesh si pjesë e divizioneve italiane. Babës iu dha komanda e një regjimenti ku ishte përfshi batalioni “Tomorri” në sektorin e Korçës me komandant major Spiro Moisiun i cili ishte edhe mik i tij. Ndonjë batalion tjetër shqiptar ishte përfshi në regjimente të tjerë në pika të ndryshme të frontit. Babës i qëlloi fronti i krahinës së Korçës, në zonën e Bilishtit e të Ersekës. Duhet theksue se Ministria e Fashizmit kishte krijue milicinë fashiste këmishëzezë me mercenarë, të cilët nuk kishin të banin fare me ushtrinë efektive shqiptare. Ajo ishte në kundërvënie me të sa që edhe ushtarët e thjeshtë të ushtrisë efektive nuk i përfillnin e as i nderonin oficerët e asaj milicie fashistë. Një batalion i tillë me milicë “Gramozi” nën komandën e majorit kreshnik Frrok Doda ishte pjesë e një regjimenti fashist të këmishave të zeza, ku komanda ushtarake shqiptare nuk kishte të drejtë ndikimi.   

Para Prillit 1939, qeveria shqiptare nuk mori ndonjë masë mbrojtëse ndonëse e dinte mire se Italia fashiste do sulmonte. Qeveria greke e kryeministrit fashist Metaksa ishte përgatitë me ndihmën britanike me i ba ballë sulmit italian qysh kur u pushtua Shqipnia dhe e kishte përqendruar ushtrinë gjatë kufijvë të Shqipnisë. Më 28 Tetor 1940 trupat italiane kaluen kufinin grek duke përparua disa kilometra e pushtue disa fshatna kufitare. Kështu dhe regjimenti i babës hyni në një fshat të braktisun nga shumica e banorëve burra, që ishte në rrugën e Folorinës. Im atë vendosi komandën në një shtëpi të një kapiteni grek, ku thirri disa pleq të fshatit duke i sqarue se ai ishte oficer shqiptar dhe se ajo luftë nuk ishte e tyne, por e pushtuesit fashist italian. Pra të mos kishin frikë e merak, se ai nuk do të lejonte asnjë shkelje nga ana e trupave që komandonte. Banesën  do ta përdorte si komandë, dhe ashtu siç e kishte gjetë do ta linte, pa prekun asgja në të kur të largohej.  

I kishte porositë banorët që ta njoftonin për çdo sjellje të keqe nga ana e ushtarëve. Fshatarët kishin mbetë të befasuem nga sjellja burrnore e fisnike të këtij komandanti shqiptar. Njëkohësish im atë kishte lëshue një urdhën dite që për çdo shkelje e mbrapështinë në dam të popullsisë së atij fshati nga ana e ushtarëve nën komandën e tij, do të merrte masa disiplinore të rrebta. Kështu për ato pak ditë që qëndroi aty, nuk ndodhi ndonjë incident. Kur erdhi puna me u largue prej kundërsulmit të ushtrisë greke, ai i mblodhi përsëri pleqt e fshatit dhe ua dorëzoi banesën ashtu siç e kishte gjetë, e gjithçka tjetër që ishte përdorë nga ushtria e tij. Kjo ngjarje mbeti ne mendjen e banorëve, e për sa jetuen ata që e kishin përjetue, flisnin me admirim për atë oficer shqiptar qe ishte tregue aq i naltë e fisnik në mbrojtje të banorëve të atij fshati.     

Për Shqipninë nuk u fol asgja por për Greqinë opinioni ndërkombëtar kishte marrë qëndrim ndaj sulmit të Italisë mbi Greqinë. Pati disa reagime në favor të saj. Anglia kishte ndërhyrë tashmë me ndihma në armatime e trupa. Aviacioni anglez filloi të bombardojë skelat e Italisë duke i shkaktue dame në flotën ushtarake te saj të përqendrueme në skelën e qytetit detar të Tarantos. Mbreti i Greqisë, ndryshe nga Mbreti Zog, nëpërmjet kryeministrit Metaksa kishte shpallë mobilizimin e përgjithshëm për moshat 14 – 70 vjeç të rroknin armët. Disfata e ushtrisë fashiste mori përpjesëtime të mëdha dhe u keqësue edhe nga mbajtja e keqe e kohës me shi e stuhi.   

Për të përballue atë dështim ushtarak, komanda e naltë italiane vendosi të sakrifikojë njësitet shqiptare në mbrojtje të tërheqjes së ushtrisë së saj. Duke e njohun karakterin e fortë e temperamentin impulsiv të kolonelit Prenk Pervizi si dhe ndikimin që ai kishte mbi trupat shqiptare, qoftë të vetat ose edhe të tjerat, komanda italiane e ngarkoi papritmas me detyrë me shkue në Tiranë për disa çeshtje dokumentesh. Ai u detyrue ta kryente atë punë, ku njëkohësisht do të shkonte me pa si shkonin punët e shpisë e familjës në Laç. Ditën e tretë që ishte në Tiranë  vjen një nip i tij në shërbim të major Spiro Mosisut i dërguem prej tij dhe i kërkonte të kthehej urgjentisht në front sepse italianët po merrnin disa masa të këqia ndaj shqiptarve. Rrugës, i nipi, rreshter Nikoll Pali, i tregoi se si komanda italiane kishte caktue në mbrojtje të tërheqjes batalionin e milicisë fashiste “Gramozi” të Frrok Dodës, i cili pothuejse po rrethohej pa shpëtim prej grekëve. Sa ishte dukun makina e tim etit, komanda shqiptare me major Moisiun i kishin  dalë para dhe menjëherë im atë kishte pyet:    

       –   Çfar ka ndodhun Spiro?   

       –  Shumë keq asht puna, zoti Kolonel. Batalioni i Frrok Dodës asht rrezik t ‘asgjësohet. Në mungesën tuej, komanda italiane e ka caktue në vijën e parë të frontit, për me mbrojtë tërheqjen e ushtrisë se saj, në një pozicion fare te papërshtatshëm e pa shpëtim.  

        – Si mor këto qena po dashkan të na përdorin si mish për top? Kishte shpërthye im atë. Prandaj me kanë largue, pse nuk do ta kisha lejue atë punë kurrë ! Horrat !   

Ndërkaq Major Spiro dhe shtabi shqiptar dolën në një pikë vrojtimi ku im atë mundi me kuptue se fjalët e majorit ishin me vend. Batalionin “Gramozi” e kishin caktue  në  një pozicion të tillë si gropore, prej ku nuk mund të dilte ma. Fronti ishte në mbyllje e sipër. Babën e kishin zanë nervat dhe ashtu siç ishte i xhindosun kishte shkue drejt e në komandën italiane, ku nuk kishte lanë gja pa thanë në prani të vetë gjeneralit Soddu,  Kryekomandant i ushtrisë. Ndër të tjera duke  iu shpreh  me forcë: “Shqiptarët nuk bahen mish për top”!  

Sa u kthye prej andej, i dha urdhën shoferit Kol Prela të përgatisë makinën, një Fiat 1100, dhe kapitenit Prenk Marka Përzefi që ta shoqnonte. Gjallë a dek do të shkonte me i takue ato djem nanash. Major Moisiu me oficerët e tjerë iu lutën mos me e ba atë çmenduni, me rrezikue edhe veten, kur po shihej se fronti tashma po mbyllej. S’kishte burrë nane me e ndalue. Makina u nis dhe pas pak kaloi në zonën e luftimeve.    

Komanda italiane kishte dalë e gjitha përjashta.  E una pazzia ! Il colonello è impazzito. Kjo asht çmenduni! Koloneli ka falisë! Ndërkaq artileria greke filloi të gjuej me artileri. Predhat binin sa para mbrapa. Shoferi që njihej si nga ma të mirët kalonte me shpejtësi rrugë pa rrugë e me dredha. Në këtë përshpejtim, ai nuk e kishte dallue një gropë të shkatueme nga predhat dhe ra mbi të papritun me një kundërgoditje të fortë që ua përplasi të treve kokat mbi tavan. Makina vazhdoi vrapin, por nga mbrapa u ndigjuen disa britma. Nga forca e inercisë koka e kapitenit kishte ça mbulesën prej llamarine të makinës dhe ai kishte mbetë me kaptinën jashtë saj. Kola e dredhoi makinën pas disa pemëve. Kapiteni shpëtoi me disa gërvishtje prej helmetës që e kishte hapë tavanin me një vrimë ma të madhe se koka e tij. Im atë ishte plagos pakëz në ball e rridhte gjak. Incidenti kaloi edhe ata mbrritën te batalioni. Frrok Doda me gjithë të tjerët mbetën të çuditun. Një takim dramatik!   

            – Jo kështu or Prenk, si  me rrezikue jetën? Ne të mbaruem se të mbaruem jemi! I kishte folë Frrok Doda, me të cilin ishin miq të vjetër. Frroku ishte një degë e Gjomarkajve.  

            – Po kjo nuk ash luftë e jonë, or Frrok! Ah qenat! Prandaj më nisën në Tiranë. Nuk do ta kisha lejue kurrë këtë punë! … Frrok, duhet ta kishit braktisë menjëherë këtë vend të papërshtatshëm.            

           Si do të shkonte puna?  Me u dorëzue grekëve s’bahej fjalë. Ishin të gjithë mirditorë e nuk mund të çonin turp në shtëpitë e tyne. Do të përpiqeshin me ça rrethimin. Kjo e gjitha. Çaste tepër tronditëse. Ato djem të ri gjendeshin para vdekjes të pa shmangshme. Një vdekje  heroike, për nderin e shqiptarit. Im atë nuk kishte këmbëngul më shumë me major Frrok Dodën, për mos me e fye e randue. U ndanë pa mundun me përmbajte emocionin. Im at u përqafue me Frrokun dhe me oficerët e tjerë. Ndërkaq  nga rreshtat e ushtarëve ngriheshin zana: –  Prenk Pervizi, t’i thoni Mirditës, se nuk e turpnojmë e nuk çojmë marre në shpitë tona !   

Një ndarje e dhimbshme. Tregonte shoferi Kol Prela se aty kishte pa duke qa burra trima e komandantë të shquem. Kapiten Prenk Mark Përzefi, që njihej si një njëri trim me bre hekur me dhambë, qante si fëmijë për fatin e zi që priste ato djelm nanash. Kur makina u nis në rrugën e kthimit, për çudi të çudive, grekët nuk gjuejten fare. E kjo i çuditi të tre burrat, por dhe komandën italiane që e kishin ndjek me dylbi atë aksion tepër të rrezikshëm, ku guximi i kalonte caqet deri në çmenduri.              

Im atë bashkoi shtabin shqiptar dhe i porositi që tash e tutje të mos zbatonin asnjë urdhën të komandës italiane pa e vu në dijeni atë. Në rast se ai nuk do të ishte aty, të merrnin urdhnat nga major Spiro Moisiu.  Aty u vendos që kur të fillonte ofensiva e mëtejshme greke dhe tërheqja e ushtrisë italiane, batalioni “Tomorri” do të tërhiqej menjëherë pa rrezikue sikur jetën e një ushtari duke zanë një pozicion mbrojtës të sigurt, që u caktuen që ma përpara.  Pas atij vendimi, im atë u drejtue në komandën italiane e në mbledhjen që ajo bani u shpreh se asnjë vendim i asaj komande në drejtim të njësive shqiptare nuk do të bahej pa dijeninë e aprovimin e tij. Dhe u kishte tërheqë vërejtjen se si kishin caktue njësitin shqiptar në një pozicion fare të papërshtatshëm dhe pa kriter strategjik. Për këtë punë e njoftoi Spiro Moisiun dhe oficerët e tjerë. E kështu u vendos që batalioni do të braktiste vijën e frontit, ku ishte caktue, sa të fillonte ofensiva greke dhe tërheqja e ushtrisë italiane.   

Ndërkaq, kur ra nata, matanë frontit, nisi sulmi i ushtrisë greke që u ndesh me batalionin e rrethuem.  Luftimi vazhdoi gjithë natën. Shqiptarët të zanun ngusht, luftuen me tërbim duke u përpjekë me ça rrethimin, e mbetën të vramë pothuajse të gjithë. A shpëtoj a s’shpëtoj ndonjë prej tyne nuk u muer vesh. Asnjë sish nuk mund të pranonte të dorëzohej me armë në dorë që do të thoshte një turp i madh për familjen, fisin e Mirditën. Një sakrificë heroike që do të mbetej ne kujtesën e mirditorve e që do të trashëgohej brez pas brezi me gojdhana e kangë heroike. Mbi batalionin “Tomorri”, kishte ra një hije e zezë mortore. Asnjë ushtar e oficer nuk e njohu gjumin atë natë. Të gjithë kishin dalë nga llogoret për të ndjekun atë ngjarje dramatike. Im atë  me major Spiron dhe oficerët e tjerë qëndruen përjashta në kambë gjithë kohën deri kur heshtën krismat e armëve, që shënonin fundin e asaj tragjedie të madhe. Lotët rridhnin të papërmbajtun mbi faqet e atyne burrave. Një trishtim i madh i cili zgjati disa ditë.   

Forhåndsvisning av bilde

           Sa filloi ofensiva e mëtejshme  greke dhe tërheqja e trupave italiane, batalioni “Tomorri” e braktisi vijën e parë të frontit ku e kishin caktue dhe u tërhoq duke luftue drejt pozicionit që ishte caktue mbi një kodër. Në këtë orvajtje një ushtar mbeti i plagosun në kambë nja pesëdhjetë metra mbrapa. Ishte nga fisi i Margjonit të Skurajt të Kurbinit. Aty doli rreshter Nikoll Pal Gjini, nip i babës, i cili u lëshue me shpëtue bashkfshatarin e tij nën mbrojtjen e zjarrit të shokëve. Ai arriti ta marri në kurriz dhe si i fuqishëm që ishte iu ngjit përpjetës dhe e shpëtoi. Fakti ishte se dy fiset ishin në anmiqsi, por në atë rast Nikolla tregoi një burrni e trimni të pashoqe për të cilin veprim fitoi simpatinë e admirimin e të gjithëve. Nikollën, major Spiro e mbante gjithmonë pranë vetes, jo vetëm sepse ishte nip i komandantit, por dhe si një i ri trim e besnik.   

Pasojat e këtij veprimi të batalionit ishin shumë të randa për ushtrinë italiane. Grekët duke mos gjetun një qëndresë mbrojtëse në vijën e parë të frontit u sulën mbi ushtrinë italiane me tërbim duke e detyrue të tërhiqej në shregull e me humbje të mëdha. Kjo i hapi rrugë pushtimit të Korçës nga ana tyne. Disfata shkaktoi çoroditje në radhë të ushtrisë e të komandës italiane. Ajo deshi të marrë masa drastike por duke mos guxue ndaj Prenk Pervizit, për t’evitue çdo incident, deshtën me nxierrë para gjyqit ushtarak major Spiro Mosiun, si komandant i batalionit. Në atë mbledhje, ishte ngrit im atë i cili kishte folë shprehimisht: – Në qoftë se do të bahet gjyq, në të  do të përfshihet e gjithë komanda shqiptare bashkë me mue!   

Para atij qëndrimi, komanda italiane u tërhoq, duke pasë frikë mos shkaktoheshin trazime të tjera. Ata e dinin mirë se influenca dhe autoriteti i Prenk Pervizit mbi ushtrinë shqiptare si dhe në mbarë vendin ishte mjaft  e madhe. Kështu që e mbyllën atë punë dhe vendosën heqjen e ushtrisë shqiptare nga fronti. Babën e izoluen në malet e Pukës me shtabin e tij dhe një pjesë të ushtrisë. Batalionin “Tomorri” e caktuen në Laç të Kurbinit, jo larg prej shpisë sonë, në një fushë afër kishës së Shën Mëhillit.  

Gjithë sa u tha ma sipër na e tregonte vetë major Moisiu që frekuentonte gati çdo ditë shpinë tonë, dhe nga protagonistët e tjerë, duke fillue  nga ushtarët e deri tek oficerët që kishin qenë të përfshimë në atë ngjarje. Kapiteni Preng Mark Perzefi dhe shoferi Kol Prela, na tregonin se si i shpëtuan atij aksioni tepër të guximshëm e të rrezikshëm që kishin përballue, dhe për çaste e fundit kur u ndanë nga ato bij të rrebtë të Mirditës, qe nuk e kishni vdekjën në hesap, për nderin e familjeve dhe të Mirditës. Se si kapiten Frrok Doda ishte takue burrnisht me Prenk Pervizin dhe burrnisht ishte nda e përfalë. Çaste sublime të krenarisë e  shpirtit të sakrificës për traditat e virtytet  burrnore të shqiptarve.  Çaste dramatike  të paharrueshme. Por mbi të gjitha përmendej se si im atë ishte shprehun në komandën italiane para gjeneralit Soddu dhe gjeneralëve e kolonelëve të tjerë kur u kishte thanë -Shqiptarët nuk bahen mish për top !   

Pasi dola nga spitali e erdha në Laç, batalionin “Tomorri” e kishin  transferue në Shijak apo gjetkë. Pas një muej im atë më mori në Tiranë për kontrolle të mëtejshme mjeksore, sepse sipas ndonjë mjeku sëmundja që kisha kalue unë mund të bëhej shkak për tuberkoloz. Gjithashtu kisha nevojë të mbushnja nja dy dhambë e baba më kishte çue te dentisti i njohun armen Markarian, i cili erdhi e më mori me pajton. Sa arritëm para Kryegjyshatës së Bektashive, aty në trotuarin po vinte drejt nesh major Spiro Moisiu, vetëm. Im atë e ndaloi menjëherë karrocën, zbriti dhe të dy oficerët u përshëndetet e u përqafuen. Unë e dëgjoja bisedën e tyre.   

        – Po ku ke humbun Spiro, pse nuk më ke njoftue ku të kanë caktue? Po i thoshte ime atë. Majori i tregoi se ishte në Shijak dhe kishte marrë nga Komanda Italiane një urdhën transferimi për në Malin e Zi, ku duhet të nisej së shpejti. Po bëhesha gati me të njoftue, por ja që u takuem.  

– Ah qenat, duen që të vritesh atje! Por sa të jemë unë gjallë ajo punë nuk bahet! Askush nuk më ka njoftue për këtë punë, por rri rehat sepse ti atje nuk shkon. Nuk do ta lejojmë kurrë! Iu përgjigj im atë, krejt i nevrikosur për sa mori vesh.  

Pastaj ato të dy folën me za ma të ulët, por unë arrita me kapë shprehjet e tyne për gjendjen e mjerueme ku ishin katandisë e se çfar mund të bahej. Duhej ba diçka. Pastaj u përqafuen e u ndanë duke nderue ushtarakisht. Nuk e përmbanin dot emocionin, sa që kur baba u kthye, sytë e tij shkëlqenin. Spiro Moisiu qëndroi gaditu deri sa karroca u nis. Im atë u ul pranë meje gjithë i vrejtun duke murmurue ndër dhambë, qen bir qenat !        

Ai shkoi drejt e në Komandën e Naltë Italiane ku ishte shprehë shumë randë. Si asht e mundun që njësitet shqiptare të transferohen andej e këndej pa dijeni të Komandës Shqiptare. E sa për transferimin e major Spiro Moisiut në Mal të Zi as që mund të bahej fjalë pa aprovimin e tij. Kështu e kemi pas marrëveshjen se ushtria shqiptare do të mbetej e pavarun dhe pasive, duke ruejtë strukturat dhe komandat e veta. Batalioni i Spiros nuk u çue në Mal të Zi, por u hoq edhe nga Shijaku dhe u çue në Lushnje, larg nga ndikimi që kishte im atë në veri dhe në ushtri. Kështu ishin shpërnda dhe njësitet e tjera si kokrra misri. Italianët ruheshin nga shkaktimi i ndonjë incidenti me ushtrinë shqiptaren dhe kryesisht nuk guxonin të preknin e cenonin babën. Këtu mbyllet gjithçka kishte lidhje me luftën italo-greke.   

Marrë nga libri: Lek Përvizi, Gjenerali, Sh. B. Fishta, 2011.  

Kryeministri Kurti: Ambasadori Walker, duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës

0

Forhåndsvisning av bilde

Pejë, 14 janar 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e nderimit të Ambasadorit William Walker me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti “Haxhi Zeka”:

I nderuar ambasador William Walker, mik i madh i Kosovës,

E nderuar ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, znj. Arbërie Nagavci,

Të nderuar ministra të tjerë të Qeverisë së Republikës, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari dhe Armend Mehaj,

I nderuari rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, z. Armand Krasniqi,

Të nderuar rektorë e profesorë të universiteteve të tjera,  

I nderuari kryetar i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe ju kryetarë të komunave të tjera, të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të Junikut, Ruzhdi Shehu, dhe të Shtimes, Qemajl Aliu,

I nderuar Kryetar i Komisionit parlamentar për arsim, Ardian Gola,

I nderuari deputet i Kuvendit, Bexhet Pacolli,

Shumë të nderuar studentë, përfaqësues të misioneve diplomatike, punonjës të Universitetit e të administratës,

E nderuara zëvendësambasadore Alyson Grunder,

Zonja dhe zotërinj, të nderuar të pranishëm,

Në kohëra të vështira historike, njësoj siç në periudha krizash personale, një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm. Madje edhe atëherë kur nuk e keni një mik të mirë, janë pikërisht kohërat e vështira ato që mund t’ua sjellin një të tillë. Në botën e traditave shqiptare, miku i shtëpisë është një figurë tejet e respektuar, e cila nderohet deri në paprekshmëri, sipas kodeve tona zakonore shqiptare të mikpritjes, që është vlerë e theksuar e jona. Sot jemi mbledhur pra këtu në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, pikërisht për të nderuar një mik të madh të Kosovës dhe të popullit të saj: diplomatin amerikan William Walker.

Zotëri William Graham Walker është vërtet një mik i popullit të Kosovës, sepse mes njerëzve të vendit tonë, janë të pakët qytetarët e huaj që janë kaq gjerësisht të njohur dhe kaq unanimisht të vlerësuar sikurse zotëri Walker. Në këtë pikë, dua të them veçanërisht, që ambasadori Walker është dhe miku im, që nga koha e luftës kur jemi takuar për herë të parë dhe jemi njohur në Prishtinë dhe deri sot kur po ritakohemi sërish këtu në Pejë.

Më 1998, ambasadori William Walker erdhi në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin. Për qytetarët e Kosovës atë kohë aq shumë i mirëseardhur, ky mision ishte lehtësisht i identifikueshëm nga veturat me ngjyrë portokalli me të cilat lëviznin të 700 anëtarët e këtij misioni verifikues.

Në mediat ndërkombëtare atë kohë, Kosova ende prezantohej si një provincë e Serbisë, ku në njërën anë ishin forcat e armatosura policore dhe ushtarake serbe të regjimit të Millosheviqit, kurse në anën tjetër vullnetarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ushtri ishte krijuar si një lëvizje e armatosur guerile, nga populli shqiptar i Kosovës, i cili që nga viti 1945, ishte mbajtur dhunshëm nga Serbia nën Jugosllavinë e dytë, si komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Qëllimi i UÇK-së atëbotë ishte të luftonte forcat jugosllave deri në çlirimin e Kosovës, çfarë edhe u arrit në qershor të vitit 1999. Por në fillet e saj, duke qenë jo shumë e njohur për qëllimet dhe teknikat e saj, UÇK-ja ishte klasifikuar si ekstremiste e madje edhe terroriste. Do të ishte pikërisht Misioni Verifikues në Kosovë i OSBE-së, ai që me raportimet e tij nga terreni për veprimet luftarake, lëvizjet e popullsisë dhe zhvillimet e tjera në Kosovë, do të ndihmonte në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për UÇK-në, çfarë i siguroi asaj ndihmë nga NATO.

Kur Jugosllavia nisi të shpërbëhej nga politikat nacionaliste shoviniste të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, pasi ndezi luftërat me mijëra viktima në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, radha i erdhi siç e dimë dhe Kosovës. Mbi 60 mijë forca të armatosura të Serbisë, ndërmorën operacione policore dhe ushtarake ndaj shqiptarëve të Kosovës, me qëllim të spastrimit etnik të saj, duke përdorur teknika gjenocidale. Mes viteve 1997 – 1999, mbi 13.500 njerëz u vranë, rreth 20.000 gra e vajza u dhunuan, mes të cilëve kishte edhe fëmijë të vrarë, mbi 1100 sosh, teksa mbi 860 mijë të tjerë, qytetarë të vendit tonë u dëbuan jashtë Kosovës, kurse mbi gjysmë milioni u zhvendosën brenda saj, teksa qindra fshatra të tëra e lagje qytetesh u dogjën dhe pasuritë e tyre paraprakisht u plaçkitën.

Duke synuar shpartallimin dhe shpërbërjen e plotë të njësive të UÇK-së, me qëllim për t’u hakmarrë ndaj ushtarëve të saj, në janar të vitit 1999, policia e Serbisë e rrethoi fshatin Reçak të Shtimes, me justifikimin se po kërkonin “terroristët” shqiptarë. Ata nuk i lejuan verifikuesit e OSBE-së të hyjnë në fshat. Në mëngjesin e 15 janarit 1999, forcat e Serbisë vranë plot 45 civilë shqiptarë në Reçak, duke i lënë trupat e tyre në një luginë mes maliit. Kur kreu i Misionit Verifikues në Kosovë, William Walker arriti të hynte në Reçak, ai pa trupat e 45 shqiptarëve të vrarë të këtij fshati, nga forcat serbe. Mes trupave të masakruar të këtyre 45 banorëve të fhsatit e përballë gazetarëve, William Walker deklaroi: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit.” Ky ishte mesazh i qartë dhe shumë i fuqishëm nga një ambasador i OSBE-së, për gjithë publikun dhe komunitetin ndërkombëtar. Asgjë nuk e ka ndryshuar më shumë rrjedhën e ngjarjeve të luftës në Kosovë, se sa jehona e maskarës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, mësuar ashtu siç ishte raportuar për të nga ambasadori Walker.

Po atë mbrëmje, në një konferencë për media në selinë e verifikuesve në Prishtinë, William Walker deklaroi para gazetarëve të shumtë vendorë e ndërkombëtarë, duke thënë: “Nuk kam fjalë për ta përshkruar mllefin tim personal … para një pamje që mund të përshkruhet si krim i pashpjegueshëm. Edhe pse nuk jam avokat, nga ajo që unë pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj krimin si masakër, krim kundër njerëzimit. Gjithashtu nuk hezitoj t’i akuzoj forcat qeveritare të sigurimit për përgjegjësinë.”

Ambasadori Walker para se të jetë mik i Kosovës, ishte dhe është mik i së vërtetës. E duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Këto deklarata të ambasadorit William Walker, ishin denoncime zyrtare të tij në emër të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë. Këto raportime të ambasadorit Walker e ndryshuan diskursin dhe kursin ndërkombëtar ndaj luftës që po zhvillohej në vendin tonë. Presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton, reagoi menjëherë duke dënuar vrasjet e 45 shqiptarëve në Reçak nga forcat serbe, teksa u kujdes që trupat e NATO-s të ishin të gatshme për veprim. Dy muaj më pas, më 24 mars 1999, avionët e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve në Jugosllavi, që solli çlirimin e Kosovës në qershor të atij viti.

Andaj nga këtu e përballë jush, më lejoni të ju drejtohem personalisht: faleminderit zotëri William Walker!

Ne shqiptarët nuk do t’ua harrojmë asnjëherë atë çfarë keni bërë për Kosovën dhe historia e popullit tonë tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin tuaj dhe për rolin e kontributin e punës tuaj.

Atë kohë, Serbia e Millosheviqit u pat munduar ta mbulojë krimin e saj në Reçak duke e falsifikuar narracionin për të. Por fatmirësisht, masakra e Reçakut është e dëshmuar nga filmimet e mediave edhe ndërkombëtare, nga dhjetëra dëshmitarë okularë të mbijetuar dhe nga Misioni Verifikues në Kosovë i OSBE-së. Më pas edhe ne pamë të vërtetën, të cilën na e kumtoi së pari ambasadori William Walker. Në bazë të këtyre dëshmive, intervistimit të 63 dëshmitarëve dhe provave të Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për 18 persona serbë që dyshohen se ishin të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut më 15 janar 1999.

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ne ndamë mjetet për financimin e botimit të librit të shkruar nga ambasadori Walker për masakrën e Reçakut, i cili padyshim që do të jetë një dëshmi e shkruar me shumë vlerë për historinë e kësaj masakre dhe të luftës në Kosovë. Për këtë ju falënderoj përzemërsisht dhe mezi pres ta lexoj këtë libër dhe ta shpërndaj edhe te ata të cilët ende nuk e njohin plotësisht rastin e masakrës së Reçakut.

Në këtë 24- vjetor të masakrës së Reçakut, duke kujtuar 45 viktimat e masakruara nga forcat serbe, më vjen mirë të shoh që ambasadori Walker është ende në shëndet të mirë, se do të vazhdojë dëshmimin e tij për këtë masakër edhe në të ardhmën. Duke ju uruar për titullin “Doctor Honoris Causa” të cilin po e merrni sot nga Universiteti “Haxhi Zeka” këtu në Pejë, më lejoni që bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, edhe një herë të ju falënderoj e t’u jem mirënjohës për rolin tuaj korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Masakra e Reçakut, një nga shumë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

0
Nga: Behlul Jashari

PRISHTINË, Janar 2023/ Në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, në 15 Janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë shqiptarë. Ambasadori Amerikan William Walker, në atë kohë shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit.

Në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.

Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e përfunduar në Qershorin e para 24 viteve në Kosovë, gjatë së cilës forcat serbe vranë e masakruan më shumë se 12 mijë shqiptarë e mëse 6 mijë rezultonin të zhdukur, derisa në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion shqiptarë i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.

Po para 24 viteve, pas masakrës së Reçakut, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 Shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak. Konferenca u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Në mes të Marsit 1999 përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën.  Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për Kosovën.

Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.

Në 24 Mars filloi fushata ajrore e bombardimeve nga NATO prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë. Në këtë vit 2023 bëhen 24 vjet të Lirisë së Kosovës nga Qershori historik 1999…

Në atë kohë raportoja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë…

MASAKRA E REÇAKUT, DISA NGA RAPORTIMET QË BËJA PARA 24 VITEVE:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-15.ata.html

 [05] Serb forces attack Shtimje areas

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Serb police and army forces had started early on Friday an offensive against Recak village, Shtimje area.

Sources of the Council for the Human Rights said that heavy artillery was bombing the village while Serb infantry was attacking Albanian villages.

There are no reports on the consequences of the attack but the population is fleeing the area. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency 

[12] Rugova urges deployment of NATO forces to calm situation

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that President of Kosova Ibrahim Rugova told a news conference on Friday that the situation in Kosova was worse, dangerous and tragic and deployment of NATO troops would calm it.

Rugova condemned the attempted assassination of the chief of the Kosova Information Office Enver Maloku calling it an attempt against the independent institutions of Kosova. He added that a “new climate of violence with unclear killings” was created in Kosova.

He called “dramatic” the presence of the Serbian army in Prishtina and blocking of access to Prishtina by Serb armed groups.

Rugova hailed the intervention of the OSCE chairman -in-office Knut Vollebaek and chief of the OSCE mission there William Walker and his staff in calming the worse situation created during the week.

But “the deployment of NATO troops in Kosova will calm the situation and guarantee safety for citizens and that part of Europe and world,” Rugova said. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-16.ata.html 

[22] 80 Albanians killed, massacred in Shtimje

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that some 60 to 80 Albanians were killed and massacred by Serb forces in Recak village, according to sources of the Kosova Democratic League in Shtimje.

Most of them were women, old men and children. They were killed while trying to flee the attack and found dead out of the village. Killed and massacred people were also found in houses with 24 persons killed in a room.

Eight out of all killed and massacred in Recak are KLA members. LDK sources in Shtimje said that there were no reports on casualties in Mollopolc and Petrove villages, which were the targets of the attack of large Serb military, police and paramilitary forces.

Sources said that identification of those killed and massacred was continuing. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[24] Kosova leader urges NATO immediate intervention

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the president of Kosova Ibrahim Rugova urged on Saturday an urgent intervention of NATO forces in compliance with the decision on immediate activation of the alliance.

Rugova said that an energetic and decisive international intervention could stop the Serb military and police machine and create preliminaries for a political solution to the Kosova issue. Rugova made the statement after yesterday’s massacres of Serb forces in Shtimje region.

He strongly denounced the massacre of the Albanian population and said that the heavy attack of Serb forces against the Shtimje region was undertaken while the international factors were engaged in finding a political solution to the Kosova issue.

The attack against the civilian population was a flagrant opposition to these efforts, Rugova said in his statement.

He urged international energetic intervention in Kosova in today’s meetings with an extensive delegation of the Foreign commission of the Norwegian parliament and Swiss ambassador to Belgrade Pol Vilfi.

Many political parties and organisations condemned the massive execution of Albanians in villages of Shtimje and asked for urgent deployment of NATO forces in Kosova. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[26] Kosova president declares mourning day

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the Kosova president Ibrahim Rugova declared Sunday a day of mourning in Kosova.

Sources of the presidency said that “following the massacres of dozens of Albanians in the commune of Shtimje by Serb military and police forces, the president of the Republic of Kosova declares Sunday, January 17, 1998 a mourning day in Kosova to honour the victims.” lh/ak/

Shpirti çlirimtar i Sabahajdin Cenës

Nuhi Bytyçi me Prof. Dr. Sabahjdin Cenën

Shkruan: NUHI BYTYÇI , Prishtinë

  • SHPIRTI ÇLIRIMTAR I NJË INTELEKTUALI TË SHQUAR

Lajmin për vdekjen e intelektualit, profesorit universitar dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ana Drini Prof. Dr. Sabahajdin Cena, ishte ndër lajmet më të dhëmbshme, jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij në mbarë Kosovën dhe më gjerë. Që në fillim të këtij shkrimi në përkujtim të jetës dhe veprës së tij, mund të them me plot gojë se të rrallë janë intelektualët, sikur ishte Profesor Sabahajdin Cena, i cili përherë ishte në mesin e popullit dhe në shërbim të popullit.                                                                                                                                Fati ka deshtë që ta njoh nga vitet 70-ta. Fillimisht mbaj mend shkrimet e tij në revistat e kulturës së kohës, veçmas në atë “Fjala” dhe në botimin shkencor të Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike” për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Ana Drini, Llapushë e Drenicë, për mbledhjen e folklorit shqiptar, për Ninullat në Ana Drini, Llapushë dhe në rajone tjera. Mbaj mend në veçanti hulumtimin e Prof. Sabahajdinit botuar në “Gjurmime albanologjike” me titull “Disa elemente të gjuhës shqipe në të folmen e popullsisë së Rahovecit”, “Analiza e Këngës për Halil Hamzën” dhe shumë shkrime tjera me rëndësi të posaçme për letërsinë popullore, folklorin shqiptar në përgjithësi. Ndërkaq, në vitet 80-ta kam pasë nderin që ta takoj disa herë në Prishtinë dhe Rahovec edhe fizikisht dhe të këmbej mendime për pozitën tejet të vështirë të popullit shqiptar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ai përherë kishte guxim që të shprehte opinionin e tij për të dhe rolin e intelektualëve shqiptarë për çlirim e bashkim kombëtar. 

Prof. Sebahajdini iu jepte kurajo luftëtarëve të lirisë 

Pas shpërthimit të luftës frontale midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe në Drenicë, Profesor Sabahajdini ishte ndër intelektualët e parë që iu bashkangjit radhëve të UÇK-së në Ana Drini. Si Udhëheqës i Drejtorisë për Marrëdhënie Civile dhe publike në Zonën Operative të Pashtrikut, Prof. Sabahajdini arriti të kontribuojë shumë në ngritjen e moralit te luftëtarët e lirisë. Duke marrë pjesë edhe vet në shumë beteja frontale me forcat serbe në Ana Drini, ai me guximin dhe vlerat e larta prej intelektuali, përmes vargjeve të rilindasëve shqiptarë iu ka dhënë kurajo edhe më të madhe luftëtarëve të rinj e të reja të UÇK-së që të luftojnë me tërë fuqinë kundër atyre që mundoheshin që ta thyejnë vullnetin e popullit tonë për liri e pavarësi. Vërtetë ai ka prezantuar me dinjitet tfigurën shembullore të një intelektuali dhe luftëtari-eprori të UÇK-së.                             

Profesor dhe Komandant Sabahajdin Cenën e kam takuar disa here edhe gjatë periudhës së luftës. Në vjeshtë të vitit 1998 në malet e Kleçkës legjendare më kujtohet fytyra e tij e buzëqeshur dhe optimiste, i bindur se UÇK-ja do ta fitojë luftën. Ai këtë e argumentonte me faktin se asaj iu kishin bashkangjitur të rinjtë dhe të rejat nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora, si dhe që e mbështetnin intelektualët dhe mbarë populli ynë liridashës. Madje, kur më pa mua dhe kameramanin Abaz Zeka duke xhiruar imazhe të luftëtarëve të lirisë nuk e la pa u shprehur me këtë fjali: “Nuhi, kur të pash ty dhe Abazin, po e shoh edhe civilizimin, sepse si intelektualë dhe gazetarë e keni lënë Prishtinën dhe me punën tuaj profesionale po e prezantoni para botës luftën e UÇK-së. Kjo të gjithë neve na inkurajon, na jep zemër se liria është e pashmangshme!” Edhe unë ia kthej: Prof. Faleminderit për këtë vlerësim të çmuar tëndin. Ne jemi pjesë e këtij populli dhe e kemi obligim që ta jemi pranë luftëtarëve të lirisë. Mirëpo, edhe angazhimi yt, si profesor dhe intelektual i jep imazhin e një ushtrie gjithëpopullore dhe që ka mbështetjen e plotë edhe të intelektualëve tanë.”                                                                    

Fjalët e Profesorit Sabahajdin edhe mua e Abazit na impresionuan dhe na kanë shërbyer si udhërrëfim deri në fund të luftës që me emisionet tona ta mbajmë gjallë shpirtin liridashës dhe çlirimtar të të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare. Dhe vërtetë, në qershor të vitit 1999 Kosova përfundimisht u çlirua dhe nga ajo u larguan të gjitha forcat pushtuese dhe administrata serbe.  

Kronikani i heronjve të UÇK-së 

Pas luftës Profresor Sabahajdinin e kam takuar në Rahovec e Malishevë, duke drejtuar tubimet gjithëpopullore në përkujtim të përvjetorit të betejës së UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec dhe në tubimet përkujtimore për nder të dëshmorëve të Ana Drinisë. Prof. Sebahajdini ishte në krye të protestave gjithëpopullore të qytetarëve të Rahovecit kundër vendosjes së forcave të ushtrisë ruse në kuadër të Misionit të KFOR-it në Rahovec. Ai në një intervistë që e kisha zhvilluar lidhur me këtë protestë dhe barrikadat në mallet afër Rahovecit deklaronte: “Për shkak se në Rahovec dhe rrethinë ende ka kriminelë serbë, të cilët kanë bërë masakra mbi popullartën civile shqiptare në këtë qytet, forcat ruse janë të padëshirueshme. Ne jemi të vendosur që pa dhunë, por në mënyrë civilizuese të kundërshtojmë dhe pengojmë vendosjen e forcave ruse në Rahovec. Rusia ka interesa strategjike për të vendosur ushtarët e vet në Rahovec dhe për të bashkëvepruar me kriminelët serbë, duke e destabilizuar Rahovecin dhe Kosovën.”  

Me që fshati im i lindjes – Shkoza është afër Rahovecit dhe Prof. Sebahajdini gjatë luftës  kishte bashkëpunuar edhe me Njësitin e UÇK-së në Shkozë dhe me familjarët e mi, pas luftës ai mori pjesë edhe në tubimet përkujtimore për dëshmorët e këtushëm, që u mbajtnin në Shkozë çdo 2 prill. Madje, disa herë ka qenë edhe në odën e babait tim – Malushit dhe kishin një respekt të ndërsjellë.                                                                

Kur realizoja një seri dokumentarësh për Radiotelevizionin publik të Kosovës kushtuar heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam pasë nderin që të bashkëpunoj edhe me Prof. Sebahajdin Cenën, duke e intervistuar lidhur me kujtimet e tij si bashkëluftëtar për figurat qëndrore të luftës në Ana Drini, Llapushë, Dukagjin e Drenicë. Ai gjithmonë ishte i gatshëm që me mburrje të rrëfente për heroizmin e Komandant Tonit e Micit, të Agim Çelës, Sadik Shalës, Hamdi Berishës, Avdullah Bugarit, Sheh Myhedinit, Feim e Bedrush Gashit, Mensur Zyberajt, Brahim Morinës, Salih Bytyçit, Muharrem Hoxhës dhe dëshmorëve tjerë. Herën e fundit Prof. Sabahajdinin e kam takuar bashkë me djalin e tij shumë të edukuar Samedinin (avokat) në prill të vitit 2021, kur në Lugun e Gjeraqinës me kameramanin Bekim Qyqallën në prani të birit të dëshmorit Brahim Morina – Islamit, e kam intervistuar atë lidhur me kujtimet e tij për kontributin dhe sakrificën sublime të dëshmorit Brahim Morina nga Drenoci i Malishevës.                           

Si rëndom, modest dhe i drejtpërdrejtë Prof. Cena rrëfente me pietet edhe për shumë detaje për këtë figure të ndritshme të luftës për liri. 

Prof. Sabahajdin Cena ishte autor i mëse 20 veprave të ndryshme, ku dominojnë monografitë kushtuar atdhetarëve shqiptarët të të gjitha kohërave. Pra, Profesor Sabahajdini vërtetë ishte njeri i penës dhe i pushkës për liri e pavarësi.                   

Ai kurrë nuk u ndal së punuari, duke u bërë kronikan i palodhur i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, si dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë veriore, veçmas duke pasqyruar sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. Ai ishte edhe autor i biografive të shumë dëshmorëve  që ranë për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare botuar në “Feniksët e lirisë”.                                                                                                            

Vepra e Prof. Sabahajdinit është e pavdekshme, sepse ai përherë si intelektual ishte në shërbim të plotë të interesave të popullit. Emri i tij padyshim do të shkruhet  në historinë më të re kombëtare. Shkrimet e Prof. Sabahajdin Cenës  për UÇK-në do të vazhdojnë të jehojnë edhe më fuqishëm dhe do ta kompletojnë historinë e lavdishme të UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë.                                                                                       

Lavdi e përjetshme bashkëvendasi dhe miku im Profesor Sabahajdin Cena! 

Retrospektiva si “komunikim letrar”, përmes poezive të Shefqet Dibrani-t

0

Nga EMRIJE KROSI

  • ROTRESPEKTIVA SI “KOMUNIKIM LETRAR”, përmes poezisë së Shefqet Dibrani-t

Kuptimi dhe krijimi i konceptit të poezisë, përmes rotrespektivës, (kthim pas në botën poetike), evidenton ekzistencën e saj poezie (por edhe vetë poetit në një kohë tjetër), i qasemi mes dy rrafsheve:

a)      rrafshi i parë: dimensioni i ekzistencës njerëzore brenda dy kohëve (e shkuara/e tashmja),

b)      rrafshi i dytë: dimensioni i ekzistencës së realitetit fizik, që lidh lexuesin e bashkohësisë dhe të gjeneratave të shkuara.

Arketipet poetike nuk “vjetërohen”, veçse mundësojnë forma dhe modele të reja të rimodelimit të arsyes dhe perceptimit të ri, të shprehurit poetik, përmes dy marrëdhënieve:

a)      marrëdhënia e poezisë me autorin,

b)      marrëdhënia e poezisë me lexuesin (në dykohësi),

Ku semantika personale jep shumëçka mbi terrenin kulturor dhe letrar (Vinca: 1985: 26), kur është shkruar poezia. Kur fillon të lexosh një poezi, një lexues model sipas Eco-s, futet brenda poetikës, por edhe në të gjitha rrafshet semantike të saj, duke formësuar edhe një lloj “shtrese fonologjike” individuale të autorit. Lexuesi si kategori estetike, krijon edhe mjedise mikroestetike dhe kompoziocionale, ku elementi autorial kushtëzohet me kompetencën e lexuesit si një binom (Kerkering: 2003: 30).

Duke patur parasysh materien shkrimore, stilistikën dhe jetëshkrimin e autorit në kohë të ndryshme, nëpërmjet karakterit estetiko-filozofik, përmes simbolikave kontekstuale, vjen para lexuesit të sotëm, përmbledhjen me poezi “Anatomia e brymës” (Dibrani: 2013).

***

Ky vëllim poetik i Shefqet Dibrani-t është e ndarë në 5 (pesë) libra:

1. Libri i parë:

“Larg pikon hëna”, spikat një strukturë e imazheve të poezisë në fushën e “kërkime individuale”, që lidhet gjithmonë me situatat e jetës, me situatat personale, që përfundojnë, me projeksione kombëtare. Vargjet: shkoi një vit/ dy/ tre/ Edhe sa do të shkojnë/ Kush ma thotë/ Edhe sa do të shkojnë/ E unë i gjallë të digjem /Në burgun pa mure/ pa tela/ pa rojenë mërgim rrjedhin vitet, ku atdheu përkufizohet përmes linjës autoriale por edhe me domenet e mëvetësisë së vendlindjes. Kontrata shoqërore me poetin, lidhet me dëftimin apo edhe me simbolikën e komunikimit, se poezia në rrafshin e saj shoqëror, nuk është vetëm një hipotezë verbale e dëshirës dhe (pa)dëshirës së (pa)kryertë një mërgimtari.

Poezia “Larg”, me vargjet: larg të afërmve në perëndim/ Jeta ik e unë ndiq/ Malli këtu e unë atje/ Atje tek uji i ftohtë i Llapit/ Që s’e shuan vullkanin e mallit/ Po gjer kur gjer kur/ Larg do të më jetë vendlindja/ Sytë e mi mbetën kah Dardania. Metodaa realiste, si një funksion social i letërsisë, “prodhon” edhe ndërgjegjësimin, si fakt interesant për një poezi jo vetëm në kohën e shkuar por edhe në bashkohësi, që nuk janë më fakte kundërshtare por plotësuese (Fraj: 1990: 76).

2. Libri i dytë:

“Pse e urrej Kadarenë”, prezenca autoriale pëson një zhvendosje, duke e lidhur poezinë me një lloj shumëllojshmërie dhe kompleksiteti, me një grup ndërveprimi mes imagjinatës krijuese, ku logjika e brendshme e artit ka një “fiksion suprem” e cila operon përmes burimit të shumë formave, sidomos të kushtimeve të miqve të tij poetë si: Kadare, Mekuli, Agim Spahiu, Naim Kelmendi etj., me poezi të tilla si: “Pse e urrej Kadarenë”, “Censura”, “Fotoreporteri”, “Kodra e trimave”, “Daulinë në përgjërim”, “Portrete”, etj., por edhe poezi si: “Mesazhi”, “Azilanti”, “Metamorfoza” “Shqipëria etj.

Poezia “Metamorfozë”, është metamorfoza e fshatarit të kohës, por edhe të sotëm. Alegoria e shëndërrimit në dykohësi, nuk e fsheh surrealizmin dhe ekzistencializmin e një poetike të dukshme moderniste në gjuhë (Hopkins: 2020: 9), me vargjet: ata si shushunja/ i thithnin fshatarit gjakun/ këta të kohës/ medet medet/ i shtynë fshatarët/ shushunjave gjakun t’ua pinë . Metamorfoza, vjen si përjetim i fenomenit të dhembjeve dhe momenteve të caktuara, që i njohim përmes artin të të shkruarit, të vetë shëndërrimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj kosovare në veçanti. Metamorfoza lidhet edhe me “strukturat e thella” poetike, me një sërë variantesh që ka e njëjta strukturë bazë propozicionale dhe leksikore, si forca gjeneruese e poezisë moderne (Slater: 1997: 17). Edhe diptikët, në këtë libër sillen nga poeti, si imazhe të tekstit të (pa)lirisë:liri po vonon shumë/ s’kam nge të të pres, se liria është e “supozuar” në imazhin e pritjes së autorit. Ajo shfaqet si mungesë (për njerëzit që u mungon liria) dhe tepri, për vendet që ajo herë-herë quhet abuzive.

3. Libri i tretë:

“Ditar mërgimi”, vetë togfjalëshi tregon për dhimbjen e detyruar të poetit që të mërgojë në Zvicër, për arsye sigurie. Në poezinë “Studio mërgimtari”, vargjet: rri në mur një kartolinë me peizazhe atdheu/ Copëza gazetash mbi tavolinën e bukës/ Varur rrobat e trupit në ndryshkun e viteve/ Kundërmojnë djersën e dhembjes sikurse enët e palara/ Që presin duart me kakusha ushqimin e ri ta gatuajnë, poeti nuk përdor mekanizma gjuhësore, për të përcjellë domethënien poetike, duke “maskuar” realitetin.

4. Libri i katërt:

“Strehët e gjakut” me vargjet: pikat e gjakut/ Quk-quk zhbirojnë gurët në themelet e kullave shekullore/ pa pikë fryme shurdhër ranë mbi dhé/ thika e përgjakur qëndrueshëm rri/ në dorën e farës së gjinisë me rrënjë tekanjoze, duke ndërtuar një epope të gjakut dhe dhembjes, si mekanizëm shenjues të teorisë semiotike, përtej trukturave nënkuptuese (Riffaterre: 1978: 20). Kryemetaforat si: [gjaku / barbarët / atdheu / muzgu / kafkat / maskat / varret / dhuna / dimrat / tragjedi / përgjakje / baladë], kanë ndërtuar një semiotikë të qëndresës, dhembjes, vdekjes, dhunës, luftës, lirisë, me emrat e dëshmorëve si: Ramadani dhe Pajaziti etj., ku portreti i përgjakur i heroit, as nuk hiperbolizohet por as nuk mitizohet: barbari të kishte zënë pritë në rrugën përbri shtëpisë/ krisma të shkurtra shurdhët u dëgjuan.

Ky cikël poetik, na kumton këtë strukturë:

a)      strukturën materiale që gjeneron teksti,

b)      strukturën potenciale të imazheve,

c)       strukturat sipërfaqësore që gjenerojnë matricat poetike,

d)      strukturat individuale dhe socio-kolektive,

e)      kuptimet simbolike me referenca mimetike, dhe me shumë referenca ekstratekstuale (Culler: 2002: 34 ), që gjenerojnë matrica të pafundme.

Ndërtimi përmes gjendjeve hipnotike, si në aktin e krijimit ashtu edhe në atë të receptimit, është një lloj “sui generis”, se poezia lexohet dhe shijohet, si njësi e unitetit tekstor, por interpretimi ka jo pak vështirësi. Poema “Poema e ardhmërisë” ose “Kënga e jetës”, prej 25 pjesësh me vargjet: “Përgjakja e ditës në betejë/ Lakuriq ka dalë për fushë/ Nga errësira e shëmtuar/ Është kjo kënga e jetës […] Një shekull dhe një brez/ për veten fola sa munda/ ha…ha…haaaaaaaaaaaa”, lidhet me ironinë “vrastare” të jetës, përmes gjakut, (duke përmbysur mitin biblik të gjakut të Krishtit). Poeti me shumë përgjegjësi, tejkalon të gjitha energjitë që janë jashtëzakonisht trans/ progresive, bashkë me energjitë e fshehura duke mposhtur fuqitë e errësirës (Blake:1982: 86).

5. Libri i pestë:

“Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër” është pothuaje një libër më vete, pasi poeti shpalos individualitetin e tij. Egoja dhe Uni, vijnë pas tematikave të “forta” ku emigranti politik, i kanalizon shqetësimet e tij për atdhun, në tre kohë:

a)      koha e shkuar: atdheu nën presionin e dhunës së huaj,

b)      koha e tashme: atdheu nën “presionin e vetvetes”,

c)      koha e ardhme: atdheu si pjesë e njësisë së kohës së humbur.

Ka një mbikalim nga tematikat kolektive tek ajo personale. Vështirësitë e të qenit i huaj, i tigëllon si një këmbanë  e ndryshkur: Më shpon një fjalë në vesh/ “I huaj je në këtë dhe!”/ “Dikush më pëshpërit”, përdorimi i vargjeve për të përshkruarmodelet e jetës nga përditësia (sidomos vështirësitë e të qenit i barabartë në atdheun e huaj), gjejnë një fokus veçanërisht bindës edhe në këto vargje: unë thashë:/ “I fik dritat si të gjithëfqinjët përreth/ Hamë bukë e pimë ujë, ndonjëherë edhe verë/ Gdhihem herët, në punë dal si çdo herë/ Askush nuk ma ka dëgjuar zërin, as pipth kurrë s’kam bërë/ Blej në shitore ato që i blnjejnë të tjerë/ Puthemi në rrugë e ndër sheshe/ Sa për t’u dukur të moderuar/ Lahem në banjë publike pa brekë/ Ecim në dy këmbë si çdo homo sapiens/ Me sa di, kur kam lindur, edhe mua koka më ka dalë së pari/ Më kanë thënë se kam lebetitur, gjë që s’e bën vetëm shqiptari…“.

Njohja e vetvetes, më përtej “tjetrit” apo të “huajit”, në vizionin e shqiptarit, nuk është vetëm term letrar por edhe term mbijetese. Dëshira  për të kapërcyer kufijtë e post/modernizmi, përmes trans/shedencës, është një integrim i përvojës njerëzore në universin global, ku poezia është anija që na shpëton nga asimilimi ynë human. Tematikat personale hapen dhe mbyllen me poezi të tilla si: “Ëndrrat”, “Të ikurit”, “Misionari i paqes”, “Fjala e lirë”, “Fjala dhe mërgimi”, “Kujtesa”, “Kur ra në komë dashuria” etj. Analiza konkrete e realitetit post/modernist, në formën e një diskursit kameleon është më afër kulturës masive dhe pop artit, ku stuktura kuptimore dhe shenjimi simbolik i kotësisë, na e sjell komunikimin e përditshmërisë, që lidhet me hapsirën referenciale (Cassirer: 1955: 13). 

Poezia “Kur ra në komë dashuria”, me vargjet: “Kur ra në komë dashuria/ gati sa nuk u çmenda nga lemeria/ Mjeku ia behu për ta kthyer në jetë dashurinë/ në fakt kisha rënë unë në koma/ dhe e doja lemerinë”, fjalët si: [dashuria/lemeria], i bën një “atentat” dashurisë përmes inversionit.

Një përsëritje termash dhe temash fikse.Kjo përsëritje është sigurisht aty;por më e rëndësishmja, është përsëritja  brenda  një serie, ose përsëritja me një ndryshim të kuptimit i cilit “matet” gjithmonë në poezi. Ironia e Dibranit, për dashurinë jo si marrëdhënie reciproke mes njerëzve (që japin dhe marrin dashuri), por si indicie e arrogancës njerëzore, dominon edhe egon njerëzore, ashtu siç thotë Foucault; se besojmë se ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis dijes dhe fuqisë, kështuqë, diskursi mbi njeriun e vjetër ose skllav të vetvetes, shkon ose drejt përsosmësirë njerëzore, ose drejt shkatërrimit të tij, jo si “ndëshkim”, por e lidhur ngushtë me ndjenjën e ekzistencës tonë në kohë (Perelman: 1966: 35). 

Poezia është një “leksion”, për njeriun, kohën,lexuesin, se motivet përsëriten vazhdimisht dhe mbartin një ngarkesë të veçantë konceptuale, ku tërheq vëmendjen gjuha, si një material mbi të cilin po imponohet “forma” në proceset e ligjërimit poetik, në kuptimin e ndërprerjes të së vetëdijshmes mbi të pavetëdijshmen, që saora sjell poezia.

Sëfundmi:

Poezia e Shefqet Dibrani-t, tashmë është një poezi që ka tejkaluar kohën e saj të receptimit mes dy shekujve, më përtej përmasave kohore. Duke depërtuar mjegullinave të një mase lexuesish në dy kohësi (lexuesi i sotëm dhe ai i hershëm), bashkohësia emeton “tepri vlerash” të një gjenerate zhurmëmadhe, në emër të një atdhetarizmi të shpëlarë, që shumë poetë në diasporë e përdorin me tepri, në emër të genit së tyre të qëndresës dhe vlerave etnokulturore.  

Tiranë, 13 janar 2023.

 

BIBLIOGRAFIA:

1.       Blake, William.(1982): The Complete Poetry and Prose of William Blake, ed. David V. Erdman, rev. ed. Berkeley: University of California Press.

2.       Cassirer, Erns. (1955):  The Philosophy of Symbolic Forms, volume two: Mythical Thought, New Haven: Yale University Press.

3.       Culler, Jonthan . (2002):  Barthes – A Very Short Introduction. Oxford: Oxford University Press.

4.       Dibrani, Shefqet. (2013): Anatomia e brymës, “Faik Konica”, Prishtinë.

5.       Fraj, Northrop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth. Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.

6.       Hopkins, A. F. John.(2020):  The Universal Deep Structure of Modern Poetry. Cambridge Scholars Publishing.

7.       Kerkering. D, John. (2003): The Poetics Of National AndRacial Idfentity In Nineteenth-Century AmericanLiterature, Loyola University Chicago.

8.       Perelman, Bob. (1996): The Marginalization of Poetry. Princeton: Princeton University Press.

9.       Riffaterre, Michael. (1978): Semiotics of poetry. Bloomington : Indiana University Press.

10.    Slater, Don. (1997):  Consumer Culture and Modernity, p. 136. Polity, Cambridge.

11.    Vinca, Agim. (1985): Struktura e zhvillimit të poezisë…, “Rilindja”, Prishtinë.