Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Hovenier, në foto me Trajkoviqin, Rashiqin dhe Radosavljeviqin.


Tomë Mrijaj, New York
“Trump kishte të drejtë për gjithçka”, së shpejti del në qarkullim eBooks & Book Printing, në Amazon, Barnes and Noble etj.
Libri “Trump kishte të drejtë për gjithçka”, me autor Klajd Kapinova trajton në gjërësi dhe thellësi këndvështrimet e historisë dhe politikës bashkëkohore amerikane, shkaqet e rënies drastike të demokracisë dhe krenarisë SHBA-së, nga paafësia e Joe Biden.
Të gjithë arritjet pozitive të Presidentit Donald J. Trump, gjatë vitëve 2016-2020, sot në administatën Biden, janë përmbysur dhe zhdukur me shpejtësi.
Niveli i inflacionit është rritur në shifra të frikshme.
Papunësia është në shifra më të larta në shkallë kombëtare, brenda komunitetëve, grupmoshave dhe gjinisë së aftë për punë.
Jeta e qytetarëve të shtresës së mesme dhe të varfër amerikane, po bëhet gjithnjë e më e vështirë, mbasi po rritën çdo ditë çmimet e ushqimeve nga 50-200%, gazit për makinat, qiraja e banesave, kreditë e ndryshme për shtëpitë e reja etj.
Sot po ndodh mbyllja e miliona bisneseve të mesme dhe të vogla në shkallë kombëtare dhe të shtetëve të ndryshme, duke sjellë falimentimin e tyre, sepse Biden ka rivendos shprehjen e çmendur Bota e Para dhe Amerika e Fundit, në vend të Amerika First, sikurse ishte në periudhët e artë të Presidentit Donald J. Trump.
Biden, përdori rezervat emergjente shtetërore (për raste lufte) të naftës dhe gazit për qëllime të pastra politike brenda vendit, për të marrë votat e popullit.
Libri me detaje trajton fakte dhe prova të marrë nga burime të pavarura amerikane mbi korrupsionin e familjes Biden ndër vite.
Libri është një kronikë, këndvështrim dhe analize e detajuar e ngjarjeve dhe skandalëve të panumërta të ditëve tona në SHBA, të cilat janë zbardhur dhe argumetuar me një analizë të mprehtë, duke i ilustruar me prova e fakte të ditëve tona.
* * *
The book “Trump was right about everything” by author Klajd Kapinova deals in breadth and depth with the perspectives of contemporary American history and politics, the causes of the drastic decline of democracy and US pride, due to Joe Biden’s incompetence.
All the positive achievements of President Donald J. Trump, during the years 2016-2020, today in the Biden administration, have been reversed and disappeared rapidly.
The level of inflation has increased to alarming numbers. Unemployment is at higher rates nationally, within working-age communities, age groups and gender.
The life of the middle-class and poor American citizens is becoming more and more difficult, because the prices of food, gas for cars, rent of apartments, various loans for new houses, etc., are increasing every day from 50-200% .
Today, millions of medium and small businesses are closing nationally and in various states, bringing their bankruptcy, because Biden has restored the crazy phrase World First and America Last, instead of America First, as it was in the golden periods of President Donald J. Trump.
Biden used the state’s emergency reserves of oil and gas for purely domestic political purposes, to get the people’s votes.
The book deals in detail with facts and evidence obtained from independent American sources on the corruption of the Biden family over the years.
The book is a chronicle, perspective and detailed analysis of the countless events and scandals of our day in the USA, which are clarified and argued with a sharp analysis, illustrating them with evidence and facts of our day.

Nga: Hysen Ibrahimi, Suedi
Suedi, Förslöv, 01.12.2022
SHAQIR FONIQI NË FUSHËN E TIJ PUBLICISTIKE KA BËRË NJË EVOLUCION POZITIV NË FUSHËN E GAZETARISË KOMBËTARE, QË SJELL PERCEPTIME TË REJA GJATË PASQYRIMIT TË JETËS KULTURORE
Libri i titulluar ”RRËNJË FONIQIANE” i autorit Shaqir Foniqi, i 22-ti me radhë, që doli nga shtypi në këtë vit (2022), dëshmon se kemi të bëjmë me një intelektual të rrallë në fushën e krijimtarisë, të kulturës, të publicistikës, të poezisë, të monografisë e të gazetarisë, ndonëse shenja të tilla autori ka dhënë qysh herët dhe ato i gjejmë në shumë libra të tij. Hetohet prirja e tij për një pasqyrim shumë real nga forma e trajtimit të temave të deritashme. Autori, me idenë e tij bën përzgjedhje tejet të veçanta, që kanë të bëjnë me kulturën dhe ato i ndeshim edhe në libra të mëhershëm të botuara nga ai, që tashmë janë duke u zgjeruaruar me tema dhe preokupime të reja, por edhe me paraqitje e personazhe të reja. Po ashtu, autori me një largpamësi e me shumë kujdes, bën përzgjedhjen e temave të pikatura, që bëjnë kurreshtar secilin lexues për t’i lexuar dhe për t’i studiuar shkrimet e tij. Janë pra këto tema, ku autori Foniqi shquhet për mënyrën e përzgjedhjes, siç janë personalitetet artistike e kulturore me famë mbarëkombëtare shqiptare. Gjithashtu edhe të temave me rëndësi kulturore e letrare, e që lirisht mund të themi se ai ka arritur ta bëjë avancimin e kulturës shqiptare, përkatësisht të evoluimit kulturor të botës kulturore ILIRE në krijimtarinë e tij të pasur letrare e publicistike. E tërë krijimtaria e autorit lidhet ngushtë me realitetin, i cili në çdo kohë ka të bëjë çështjen shqiptare, kështu që krijimtaria e tij – me një perfeksionim të temave të reja – ka avancuar në gjerësi, në ndjeshmëri, në emocionalitet si dhe sensibilitet të çiltër atdhetar.
Ti kthehemi veprës më të re të tij të titulluar ”RRËNJË FONIQIANE”. Në përmbajtje të kësaj vepre gjejmë të dhëna të shumta me të cilat autori forcon mesazhin real, saqë esenca e temave kuptimore shndërrohet në ngritje zëri për të lënë gjurmë nga e përparshmja, si nga biografia e personaliteteve, po ashtu edhe të familjes Foniqi e deri te temat e përzgjedhura me kujdes nga opinione, intervista e deri te albumi familjar, nga rrënjët dhe degët foniqiane. Kur shohim kintributdhënien aq të madhe në të gjitha sferat e jetës kulturore, kombëtare e luftarake të familjes së gjerë Foniqi, me të drejtë autori e titullon librin ”RRËNJË FONIQIANE”. Kjo shihet më së miri në librin e tij2, citat: ”Kontributi i Foniqëve për Liri ishte i madh. Luftëtarët e lirisë, nga Foniqët, ishin: Petrit e Alban Nezir Foniqi, Abaz K. Foniqi, Sheremet D. Foniqi e Nazmi Foniqi (aktivistët e Llazicës), pastaj Naim J. Foniqi, udhëheqës, Brahim F. Foniqi, Sali A. Foniqi, Besim D. Foniqi, Arton S. Foniqi (i plagosur), Burim Foniqi, Muharrem R. Foniqi, Aziz I. Foniqi, Afrim I. Foniqi, Driton S. Foniqi, Gentianë M. Foniqi, historiane, Ali M. Foniqi, gjyqtar (i burgosur politik) dhe Sefedin M. Foniqi, i burgosur politik. Ndërsa Ramadan Osman Foniqi kishte rënë në Bari të Malit të Zi, ku thuhet se gjendet edhe varri i tij. Pra, Foniqët, qysh më 1919 e këtej, ishin ngritur kundër okupimit serb në Kosovë. Në këto luftëra ishte vrarë edhe Vesel Osmani, i cili kishte luftuar krahas Sadik Ramës3 së Gjorgjevikut. Varri i Vesel Osmanit gjendet në Gllarevë të Klinës, ku edhe ishte vrarë. Lavdi të gjithë Foniqëve të lartësuar për Liri!”, fund citati.
Autori Shaqir Foniqi, duke dashur ta pasqyrojë sa më realisht familjen Foniqi, gjë që me këtë vepër edhe ia ka arritur, ai familjen e tij e ka bërë më të zëshme, më të njohur, ngase në shumë raste mbesin enigmë për të ardhmen e historiografisë shqiptare. Mirëpo, për fat të mirë, Foniqi, si njeri i kulturës mbarëkombëtare e si gazetar profesionist, ka arritur në plotëni të ndikojë në vlerat e përgjithshme të familjes Foniqi, duke i shndërruar në një materie4 kaq të vëllimshme në kontributdhënien e foqianëve atdhetarë, luftëtarë, por edhe në ngritjen e tyre në fushën e arsimit. Me një fjalë, Shaqir Foniqi në librin e ri sjell tema të ndryshme dhe me shumë interes historik, tema këto aktuale e me motive të fuqishme, që pak a shumë duken të reja, por shumë pak të njohura për publikun në formën se si i paraqet autori. Sigurisht se këtu ai, me të drejtë, ka përdorur një mjeshtri prej gazetari, me prirje krijuese letrare e publicistike, në radhë të parë nga aftësia e tij me përvojë të gjatë në fushën e letrave. Kjo as që diskutohet. Ai, si gazetar ka një parim, i cili ndër të tjera shkruan, citat5: ”Gazetarinë nuk mjafton vetëm me dashtë, por duhet dashuruar. Për të qenë gazetar i mirë, nuk është e lehtë, është e vështirë. Por, nëse e arrin nivelin e duhur të profesionalizmit, në të folur e në të shkruar, gazetarinë e përjeton si kënaqësi, e jo si turturë. Gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe mision. Liria e shtypit është siguria e shtetit….”, fund citati.
Duke e lexuar Shaqir Foniqin në fushën e tij publicitike, mund të themi lirisht se ka bërë një evolucion6 pozitiv në fushën e gazetarisë kombëtare, që sjell perceptime të reja gjatë pasqyrimit të jetës kulturore.
E vërteta e fuqishme e personalitetit të shquar, Shaqir Foniqit është, që ka një urti tradicionale shqiptare, urti e krijimit gojor dhe në të shkruar, është se ai mediton, ideon, flet dhe shkruan vetëm për të vërtetat, të cilat nxisin çdo intelektual, madje duke i nxitur që të marrin qëndrim më aktiv, në përshkrimin dhe botimin e jetës kulturore shqiptare, e cila është në interes të vetë popullit Shqiptar.
Është autor i këtyre veprave: 1.Moisiu dhe Moisiu (Monografi); 2. Nexhmije Pagarusha-Bilbili i Kosovës (Monografi); 3.Albumi i një Gazetari (Publicistikë); 4.Teori dhe praktikë Gazetarie (Publicistikë); 5.Gazetaria televizive (Publicistikë); 6.Gjelosh Gjokaj (Monografi); 7.Drithërimë (Poezi); 8.Diell në janar (Poezi); 9.Diell me Diell (Poezi); 10.Diell në shuplakë (Poezi); 11.Porta e Diellit (Poezi); 12.E përndritura Rita (Monografi); 13.Rita Ora (Monografi); 14.Fenomeni Rita (Monografi); 15.Bekimi në Bekimin (Monografi); 16.Përsiatjet e mia (Publicistikë); 17.Gjyurmët e mia (Publicistikë);18.Udhët e mia (Publicistikë); 19.Nexhmije Pagarusha (Monografi); 20.Libri i njëzetë (Publicistikë); 21.Kështu foli Kadare (Intervistë); 22.Rrënjë foniqiane (Publicistikë). Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, është duke e përcjellur me shumë vëmendje krijmitarinë e Shaqir Foniqit. Libri ka gjithsej 223 faqe, me gjithsej 30 tema. Autori jeton dhe vepron në Prishtinë.
Në mbledhjen e 30 nëntorit të vitit 2022, të Kuvendit Komunal të Ferizait, asamblistja e PDK-së, Zonja Arbnora Salihu propozoi të futet në rend të ditës iniciativa e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur” drejtuar institucioneve të Kosovës që, lulekuqja me katër petale, të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.
Argumentet që shtroi përpara asamblistëve të kuvendit për domosdoshmërinë e realizimit të një kërkese të tillë, bënë që kërkesa e Zonjës Arbnora Salihu të miratohet dhe në mënyrë unanime të dilet në mbështetje të simbolit kuptimplotë dhe gjithëpërfshirës të gjenocidit në Kosovë.

Florim Zeqa
Zbrazja e trojeve etnike dhe asimilimi në Diasporë janë dy rreziqet më të mëdha të këtij shekulli për shqiptarët. Përderisa, largimi masiv i popullatës shqiptare drejt vendeve perëndimore ka ndikuar në zvogëlimin e popullatës në trojet etnike, integrimi i shfrenuar në vendet evro-perëndimore rrezikon tretjen dhe asimilimin e shqiptarëve.
Asimilimi fillon nga ndërrimi i emrave
Është detyrë e secilit aktivist dhe veprimtar, është detyrë e secilit bashkatdhetarë që të kujdeset për gjeneratat e reja në mërgim, në mënyrë që të rinjët dhe të rejat të mos shkëputen nga rrënjët e trungut kombëtar, por ta ruajnë gjuhën amëtare dhe traditat e bukura shqiptare, në mënyrë që të rinjët të mos rrëshqasin në rrugën e asimilimit, por të shkojnë drejt rrugës së forcimit dhe ruajtjes së qenjes sonë kombëtare.
Jeta e të rinjëve në emigrim është e vështirë dhe tejët sfiduese. Për aq sa janë mundësitë e përfitimit material në mënyrë të ndershme, shumfish janë më të mëdha mundësitë e joshjes së të rinjëve për përfitime të shpejta, rrugë të cilat janë me 1001 rreziqe për të përfunduar keq dhe në mënyrë tragjike.
Është detyrë e secilit prind që të edukojë fëmijët e vet para se të marrin rrugën e emigrimit, e aq më tepër e prindërve që jetojnë prej vitesh në emigrim, që fëmijët e tyre, krahas integrimit në shtetet ku jetojnë, ta ruajnë në radhë të parë gjuhën amëtare, traditat dhe zakonet e bukura shqiptare.
Gjuha dhe emri janë bazike në ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgim
Kjo është lehtë e arritshme kur prindërit janë të kujdeshëm në përdorimin e gjuhës shqipe gjatë komunikimit me fëmijët e tyre, por rreziku i asimilimit bëhet i madh kur prindërit e papërgjegjshëm, duke u munduar ta dëshmojnë vetën para fëmijëve të tyre, se sa bukur e flasin gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë, me ose pa vetëdije e ndihmojnë asimilimin dhe degjenerimin kombëtar të pasardhësve të tyre.
Në secilin vend evro-perëndimorë, diku më pak dhe diku tjetër më shumë, hapur shfaqen tendecat e imponimit të ndërrimit të emrave gjatë komunikimit në vendet e punës përmes pseudonimeve apo shkurtimit të emrave, kinse si lehtësim për autoritetet vendore, por një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë, pasi, pikërisht nga emri fillon faza e parë e tjetërsimit dhe asimilimit të një emigranti në vend të huaj.
Le të më tregon dikush nga bashkatdhetarët, se cilët popuj të botës që jetojnë si emigrant në vendet evro-perëndimore pranojnë t’iu ndërrohet emri aq lehtësisht siq e pranojnë shqiptarët!?
Përgjigja është, asnjëri popull!
Ju bëjë thirrje shpirtërore dhe vëllazërore të gjithë bashkatdhetarëve në vendet evro-perëndimore, që t’i ruajnë me fanatizëm emrat e vënë nga etërit dhe gjyshërit në vendlindje dhe as të mos i pagëzojnë fëmijët e tyre të lindur në mërgim me emra të huaj, ngase ashtu e pranojmë tjetërsimin dhe ndihmojmë asimililin e gjeneratës së dytë dhe të tretë në perëndim.
Rikujtesë për gjeneratat e reja
Parardhësit tonë, edhe përkundër pushtimeve të gjata dhe barbare, kanë arritur ta ruajnë gjuhën e bukur shqipe, emrat, traditat dhe zakonet e bukura popullore shqiptare. Nga do që të shkojmë mos ta harrojmë origjinën tonë, mos të harrojmë se jemi njëri prej popujve më të vjetër të kontinentit evropian, mos të harrojmë se gjuha shqipe është njëra ndër 12 gjuhët më të vjetra në botë.
Në fund të shekullit të kaluar, pas shkëputjes nga Serbia, Diaspora shqiptare, përkatësisht mërgimtarët ishin ata që e ndihmuan dhe mbajtën gjallë jetën jetën institucionale në Kosovë, mërgimtarët ishin ata që e ndihmuan luftën çlirimtare, duke u bërë edhe vetë pjesë aktive e saj.
Edhe në filllim të këtij shekulli, gjegjësisht pas lufte, përseri mërgimtarët e ndihmuan rindertimin e vendit dhe kthimin e gjallërisë në trojet tona etnike. Do të ndalem me kaq, ngase ndihma e mërgatës është e madhe dhe shumdimensionale, kërkon kohë dhe hapësirë të madhe për shtjellim.
Andaj, të dashur bashkatdhetarë, duhet ta fitojmë edhe betejën e zbrazjes së trojeve tona etnike, ngase kjo është më fondamentale se gjithçka tjetër për ta parandaluar rikolonizimin e Kosovës nga armiqt shekullorë, sikurse që është jetike edhe mbrojtja e gjeneratave të reja në emigrim nga asimilimi dhe tjetërsimi në diçka që nuk është e jona.

Eshref Ymeri
Me intelektualin mjaft të respektuar Skënder Kapiti nuk e kam pasur rastin të takohem dhe të bisedoj shtruar me të. Me këtë intelektual të nderuar nga Dardania jam njohur përmes faqeve të internetit, ku ai, shumë shpesh, ka botuar dhe vazhdon të botojë analiza mjaft tërheqëse me interes të veçantë mbarëkombëtar.
Ky intelektual është nga të rrallët që del para masës së gjerë të lexuesve me fjalën e analistit mendjehollë, të historianit erudit, të shkrimtarit mbresëlënës, të juristit gjakftohtë, të opinionistit të paanshëm, të politologut largpamës dhe të studiuesit objektiv.
Por ajo që e bën edhe shumë më të nderuar dhe të respektuar personalitetin e tij, është edukata e shkëlqyer e një intelektuali të formatit nacionalist.
Pikërisht tipare të tlla duhet ta karakterizojnë këdo që i përket shtresës së njerëzve, të edukuar dhe të formuar nëpër auditoret universitare, sepse individualitete të tilla përbëjnë ajkën e kombit, armatën e elitës me kulturë intelektuale. Roli i kësaj armate është i jashtëzakonshëm në jetën e çdo vendi. Një gjë e tillë është shumë e rëndësishme për vendin tonë, ku diktatura komuniste, pati ushtruar një dhunë kaq të egër, saqë, krahas mjerimit ekonomik që solli, pati dëmtuar rëndë botën shpirtërore të mbarë popullit.
Gjatë këtyre më shumë se tridhjetë vjetëve, analisti Skënder Kapiti, sidomos në faqet e internetit, ka shtruar vahdimisht probleme mjaft të mprehta, që përbëjnë shqetësim për mbarë kombin shqiptar. Ai ka luajtur rolin e vet, si një emancipues i vërtetë i asaj shtrese të shoqërisë sonë, inteligjencies, e cila duhet të jetë në pararojë të mbrojtjes së interesave të mbarë popullit. Por, fatkeqësisht, ai nuk ka gjetur përkrahjen e saj, paçka se ajo duhet të jetë shpresa për gjallërimin e mendimit intelektual.
Para më shumë se gjashtë vjetësh, Skënder Kapiti pati botuar në internet një anketë, me të cilën i drejtohej mbarë publikut se ç’mendonte për gjendjen ku ishte katandisur vendi ynë. Pasi e përshkruante me dëshpërim të thellë atë gjendje, ai shtronte pyetjen:
“A nuk është fakt se demokracia në Shqipëri dhe në Kosovë… po administrohet nga gënjeshtra, hipokrizia, injoranca, korrupsioni, mashtrimi, miopia, paaftësia, papërgjegjshmëria, tradhëtia dhe nga shitblerja politike? Këto vese të saj a nuk janë ngritur realisht si “kulte” të mbuluara me demokracinë idealiste?”.
Atë anketë Skënderi e pati titulluar:
“A është apo nuk është kështu?!
Dhe, domosdo, priste një përgjigje, sidomos nga radhët e intelektualëve apo edhe nga njerëzit e thjeshtë. Por, çuditërisht, nuk pati marrë asnjë përgjigje.
Duke soditur indiferentizmin paradoksal ndaj kësaj pyetjeje, jo vetëm nga radhët e inteligjencies, por edhe të publikut të gjerë, ai vëren me keqardhje:
“Por në qoftë se publiku nuk reagon fort kundër këtij realiteti dhe nuk ndëshkon shkaktarët politikë të tij, dhe nëse publiku nuk vepron për ta ndryshuar realitetin për në të mirë dhe në favor të tij, atëhere ky realitet i vjen atij si meritë”.
Populli ynë, gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore, provoi mbi kurriz diktaturën më të egër komuniste, një diktaturë që nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e tij shumëshekullore. Dhe krerët e asaj diktature të egër, me në krye diktatorin-kriminel Enver Hoxha, për ta përjetësuar sundimin e vet, organizuan përçarjen e popullit, nëpërmjet luftës së përbindshme të klasave, me të cilën shqiptarët i hodhën kundër shqiptarëve.
“Diktaturë, – thekson Luis Fisher (Louis Ficher – 1896-1970), gazetar dhe publicist i njohur amerikan, – do të thotë shtet pa ligje dhe, për pasojë, pa kurrfarë rregulli dhe organizimi. Si ligje shërbejnë vetëm tekat e diktatorit. Shtet është vetë diktatori dhe banda rreth tij”.
Në kushtet e asaj diktature, kryediktatori Enver Hoxha ishte i vetmi person me imunitet të paprekshëm në vendin tonë, gjithë të tjerët, duke filluar nga njerëzit e rrethit të tij të ngushtë dhe deri te qytetari më i thjeshtë, trajtoheshin si materiale inerte.
Në anketën e vet, Skënder Kapiti trajton me mjaft profesionalizëm temën e komunizmit dhe të demokracisë.
Ai nënvizon me forcë se komunizmi ishte thjesht një mashtrim i kulluar, ishte me të vërtetë një opium mendjetrallisës, për t’i vënë në gjumë masat e gjera të popullit, me premtimin se “do të hanin me lugë floriri”. Ai ndalet posaçërisht te diktatura e proletariatit, të cilën diktatura komuniste e propagandonte me aq zell të papërmbajtur, ndërkohë që i ashtuquajturi proletariat s’kishte të bënte fare me realitetin konkret, sepse ajo diktaturë që i vishej atij, ishte thjesht diktaturë e partisë, e ushtruar me aq egërsi në mbarë vendin.
Skënder Kapiti, si një intelektual me ndërgjegje të lartë kombëtare, i çjerr maskën diktaturës së partisë, e cila, me shumë marifet, tallej me mbarë popullin me parullën “pushteti buron nga populli dhe i takon popullit”.
Duke pasur parasysh sa më sipër, ai nxjerr një përfundim mjaft domethënës: demokracia nuk mund të lindte pas grahmave të komunizmit. Domosdo, sepse në strofullën, ku ka ngordhur përbindshi, është e pamundur të lindë engjlli, sepse përbindshi ka lënë pas pjellat e veta.
Dhe kur pati lindur përbindshi-komunizëm? Skënder Kapiti, si një studiues-erudit, kthehet dy shekuj më pas dhe nënvizon se ai pati lindur si rezultat i krizës ekonomike që pati pllakosur Perëndimin evropian. Pra, pikërisht atëherë, kur ishin të detyruar të punonin edhe fëmijët pesë vjeç për të mos vdekur nga uria.
Nga analizat e anketës së Skënder Kapitit, vetvetiu del përfundimi se komunizmi, me diktaturën e egër që ushtron ndaj popullit “të vet”, me kalimin e kohës. vjen e merr plotësisht tiparet e fashizmit.
Ky përfundim mjaft i gjetur i këtij intelektuali me brumosje nacionaliste, më solli në kujtesë shkrimtaren e talentuar angleze Myriel Spark (1918-2006), e cila ka thënë:
“Mjafton që komunisti të vrenjtë vetullat që të shndërrohet në fashist, mjafton që fashisti të buzëqeshë që të shndërrohet në komunist”.
Faktet mjaft bindëse që Skënder Kapiti sjell në anketë-analizën e vet për dështimin e demokracisë në vendin tonë, lexuesin e vëmendshëm e nxisin të shtrojë pyetjen:
Në vendin tonë, për ç’arsye u vendos sistemi komunist?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet t’i drejtohemi Marksit. Në teorinë e tij për revolucionin proletar, ai pati theksuar se fitores së tij duhej t’i paraprinte faza e kapitalizmit me zhvillim të lartë ekonomik. Prandaj përkrahësit e tij në Perëndimin evropian e prisnin fitoren e atij revolucioni në vendet më të industrializuara, siç ishin Anglia, Franca dhe Gjermania. Po si shpjegohet që ai revolucion nuk fitoi dot kurrë në ato vende? Përgjigjja është fare e thjeshtë:
Në themel të teorisë së Marksit qëndronin idetë e parashtruara në Manifestin Komunist, të hartuar prej tij dhe prej Engelsit dhe të botuar në vitin 1848, ide që rezultuan utopiste për Perëndimin evropian. Ai Manifest shërbeu si “Bibla” e komunizmit, të cilin qarqet industrialiste dhe intelektuale të Perëndimit evropian nuk mund ta pranonin kurrësesi për ta zbatuar. Por pas Marksit dhe Engelsit, në skenën e historisë doli Lenini, i cili, “duke e zhvilluar më tej” idenë e Marksit, shpiku teorinë e fitores së revolucionit socialist në një vend të vetëm, si hallka më e dobët e rendit kapitalist. Sigurisht, teoria e Leninit për një fitore të tillë, përmes lumenjve të gjakut, do të gjente truall për t’u zbatuar në Rusinë e prapambetur, me një popullsi 90% fshatare. Në një vend me një prapambetje të theksuar ekonomike dhe me një pushtet komunist, i cili kishte buruar nga gryka e pushkës, idetë e Leninit, me hir e me pahir, do të arrinin të viheshin në jetë. Por në vendet e tjera të Lindjes evropiane idetë e tij për vendosjen e një rendi socialist, u diktuan me dhunë nga ana e Bashkimit Sovjetik pas fitores mbi nazizmin gjerman.
Ndërkohë, idetë komuniste, gjatë viteve të luftës, në vendin tonë, me një popullsi 90% analfabete, i eksportoi shovinizmi serbosllav, i cili, për zbatimin e tyre me dhunë, pati peshkuar me kohë një njeri pa shtyllë kurrizore dhe pa kurrfarë morali, siç ishte Enver Hoxha, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me bandën e tij kriminale në shportën e karavidheve të Bllokut, vendosi një diktaturë komuniste të përbindshme, e cila, në vitet ’80, solli si pasojë një të tillë varfërim skandaloz të popullit, i cili po rrezikohej nga degjenerimi gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit. Dhe, siç thekson intelektuali i kultivuar nacionalist Skënder Kapiti, nga gjiri i atij komunizmi të degjeneruar deri në palcë, nuk mund të lindte demokracia. Nga gjiri i tij mund të lindte, ashtu edhe siç lindi në të vërtetë, vetëm demoshëmtia, kopja e komunizmit, por me një tjetër mbulojë maskuese, të ashtuquajturin pluralizëm. Prandaj Skënder Kapiti shpërthen:
“Si komunizmi, ashtu dhe demokracia praktike në Shqipëri, janë dy mashtrimet më të mëdha për shqiptarët. Të dyja këto kanë në themel të tyre mashtrimin politik e publik”.
Të njëjtën gjë shpreh edhe poeti mendjehollë Qazim D. Shehu në katër vargjet e mëposhtme me domethënie të thellë për demoshëmtinë neokomuniste:
Historia jonë ndreqet,
Sa herë vjen më i forti,
E njëjta xhaketë mbeti,
U kthye vetëm stofi.
Nënkuptohet që komunizmi njëpartiak, pas largimit nga skena e historisë në vendin tonë, do të sillte në pushtet demoshëmtinë shumëpartiake, e cila, duke nxjerrë në skenë të tilla shëmtira politike, bëri që, siç shprehet me dëshpërim të thellë Skënder Kapiti, të “qeverisemi nga injorantët, të korruptuarit, të pabesët, hajdutët dhe nga ata me rekorde krimi”.
Në vijim të anketës, duke i shprehur troç shqetësimet e veta, Skënder Kapiti, në Shqipen tonë Hyjnore ka futur një term bukur të goditur – “Republika e Antishtetit”. Ai nuk e përmban dot tronditjen e vet pas zhgënjimit të thellë që përjeton nga realiteti i demoshëmtisë që është ulur këmbëkryq në shumicën dërrmuese të vatrave shqiptare. Dhe brenga e tij është ulëritëse:
“Demokracia” e paskomunizmit në Shqipëri a nuk ngriti diçka si një Republikë të Antishtetit, a nuk ligjësoi ajo faktikisht të drejtën e krimit, korrupsionit, të autoritarizmave poliparti, të tradhtisë publike, të mashtrimeve, të injorancës e të halabakërisë, të antiligjit dhe të hajdutërisë politike për të rrëmbyer autoritetin, prestigjin, qeverisjen dhe pushtetin e shtetit dhe të shoqërisë?”.
Po ç’është, në thelb, Antishteti?
Antishteti është ky që po shijojnë shqiptarët, sidomos këto nëntë vjetët e fundit që po qeverisen nga diktatura neokomuniste me Ramën në krye. Ky lloj Antishteti është një fenomen i botës shqiptare, është rezultat i degjenerimit të rendit demokratik, kur populli ka larë duart nga pushteti dhe është shndërruar në një turmë të verbër, thjesht në një delemilet, i sunduar egërsisht nga oligarkia financiare rreth Ramës dhe bandës së tij. Antishteti, si ky që ka instaluar Rama në vendin tonë, është gjithmonë një rend i gënjeshtërt dhe hipokrit, i bazuar në korrupsionin e përmasave skandaloze të atyre që duhej të kishin për detyrë ta mbronin popullin, të ishin garda e respektimit të interesave të tij, kurse ata e kanë shndërruar popullin në një mall hesapi, në një burim për pasurimin e vetvetes.
Antishteti, si një institucion hipokrit, gjithmonë përsërit të njëjtat gjëra, sikur gjoja punon për të mirën e popullit, por, në të vërtetë, bën krejtësisht të kundërtën. Njëra nga mënyrat e tij të parapëlqyera për mashtrimin e popullit është shtyrja gjithmonë në të ardhmen e rezultateve të premtimeve dhe të planeve të veta. Kjo e ardhme e lumtur, të cilën Antishteti e premton dhe e propagandon me të madhe, nuk ka për të ardhur kurrë. Dhe cili ëhtë rezultati i premtimeve mashtruese të Ramës, si arkitekti i Rilind(Rivdek)jes socialiste? Braktisja e vendit, shpopullimi i tij në përmasa tmerruese që e ka kaluar shifrën 25% të popullsisë.
“Në ato vende demokratike, – thotë Aristoteli, – ku rëndësi vendimtare ka ligji, atje nuk ka vend për demagogët, atje në vend të parë qëndrojnë njerëzit më të mirë, por atje ku pushteti suprem nuk i ka themelet të mbështetura në ligje, atëherë atje dalin në skenë demagogët. Njeriu që ka arritur përsosmërinë e plotë, qëndron më lart se të gjitha gjallesat, por ama ai zbret poshtë tyre, nëse e kalon jetën pa ligje dhe pa drejtësi. Vërtet, nuk ka asgjë më të përbindshme sesa një padrejtësi e armatosur”.
Duke zbuluar mjeshtërisht thelbin e Antishtetit neokomunist, intelektuali nacionalist Skënder Kapiti thekson me dëshpërim të thellë se në vendin tonë drejtësia është varrosur përfundimisht. Nuk mund të ndodhte ndryshe, përderisa komunizmi dhe pjella e tij, demoshëmtia, përbëjnë epopenë e një mashtrimi të papërfytyrueshëm. Rama dhe banda e tij neokomuniste, këtu e gati shtatë vjet të shkuara, filluan t’u binin dhe vazhdojnë t’u bien kambanave në të gjitha udhëkryeqet e vendit se gjoja do të ndodhte mrekullia – do të kryhej “Reforma në drejtësi”. Propaganda e tyre për kryerjen e saj u bë aq e ndezur, saqë qytetarët e vendit tonë i bëri të sillnin në kujtesë legjendën biblike që lidhet me parashikimet për rikthimin e Jezu Krishtit në tokë para se botës t’i vijë fundi. Tani, pas shtatë vjetësh, kushdo që ka, qoftë edhe sadopak vetëdije kombëtare, është bindur plotësisht se me “Reformën në drejtësi” u mbars mali dhe polli një mi. Kaq i madh është zhgënjimi i thellë nga ajo lumëzezë reformë, saqë edhe dikush nga radhët e intelektualëve me zë, si, fjala vjen, avokati Spartak Ngjela, i cili, me parashikimet që pati bërë orë e çast, e pati ngritur në qiell SPAK-un, “kryebombarduesin” kryesor për zbatimin e “Reformës në drejtësi”, e ka humbur përfundimisht shpresën te “magjia çudibërëse” e kësaj strukture me shkronja të mëdha. Nuk e di se ç’ka menduar avokat Ngjela, nëse i ka qëlluar ta lexojë analizën time, me tiktull “Reforma në drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”, të botuar në disa faqe interneti më 28 janar 2016.
Analisti i talentuar Skënder Kapiti, i edukuar që në familje me një vetëdije të lartë kombëtare, i ka bërë “rezonancën magnetike” krejt periudhës pas vitit 1990, gjatë së cilës Shqipëria është zvarritur dhe vazhdon të zvarritet e zalisur, pa mundur të ngrihet dot kurrë në këmbë, për të marrë pamjen e një vendi normal, në të cilin të kishte hapësirë funksionimi i një shteti juridik, ku të gjithë të ishin të barabartë para ligjit. Por, sipas të gjitha gjasave, një gjë e tillë do të jetë e pamundur, sepse, siç thekson Skënder Kapiti, “populli ynë… që nuk i ndëshkon ashpër mëkatet e politikës demagogjike dhe të mashtrimit,.. ka bërë të mundur kështu vetëm dënimin e vetvetes…”.
Pra, kur populli hesht para fakteve që Skënder Kapiti parashtron në analizat e veta për gjendjen e mjeruar ekonomike, korrupsionin e përmasave të frikshme, mungesën e shtetit ligjor, dhe, për pasojë, vjedhjen e votave, atëherë kjo do të thotë se ai është pajtuar me varfërinë dhe padrejtësinë, të cilat, në të vërtetë, janë “pranga” në duart e tij, janë gjenocid ekonomik. Kjo heshje revoltuese e popullit tonë para gjëmës që i ka shkaktuar banda politike e Ramës gjatë këtyre nëntë vjetëve, të bën të shtrosh pyetjen: mos vallë është e nevojshme të studiohet psikologjia e proceseve të shpirtit të vetë popullit?
Psikologu dhe filozofi i njohur zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961), thekson se shtrati kryesor i të gjitha shkencave është shpirti, prandaj shkenca e shpirtit, nënvizon ai, duhet të jetë në gjendje të përshkruajë dhe të shpjegojë parakushtet psikologjike të individit.
Ky qëndrim soditës i popullit tonë ndaj gjëmave të rënda që i bën klasa politike neokomuniste antikombëtare, më kujton natyrën e nënshtruar të popullit rus, për të cilin shkrimtari rus Ivan Shmelov (1873-1950), në librin me titull “Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923, shkruan:
“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta…”.
Më lart, mbështetur në argumentet e padiskutueshme të analistit Skënder Kapiti, shpreha dyshimin për mundësinë e krijimit të një shteti të formatit normal, të një shteti juridik, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Dyshimin tim e argumentoj me faktin se “epopeja” e përmbysjes së sistemit komunist në vendin tonë, me kalimin e viteve, vërtetoi në praktikë se ajo përmbysje paskej qenë një skenar komedie, i menduar dhe i parashikuar me kohë, çka del fare qartë në fjalimin e Ramiz Alisë në byronë politike në vitin 1989, i cili pati deklaruar:
“Çdo gjë e kemi të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe, ndaj nomeklaturës së lartë komuniste, “ne, komunistët reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë e jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri, po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë” (Citohet sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 22 korrik 2019).
Pra, siç e thekson shpeshherë Skënder Kapiti, komunizmi nuk mund të pillte demokraci. Sepse në skenën e jetës shqiptare, pas një diktature të egër gati gjysmëshekullore të kryekriminelit Enver Hoxha, demokracinë mund ta sillnin vetëm ata intelektualë, të shkolluar nëpër universitetet më të mira evropiane, që dalloheshin për vetëdije të lartë kombëtare, për brumosje nacionaliste shembullore. Por intelektualë të tillë nuk kishte më në vendin tone. Sepse ata, askushi me emrin Enver Hoxha, njeriu pa kulturë universitare, në përputhje me orientimet e serbosllavizmit, i cili këtë askush e kishte peshkuar me kohë si argat të bindur, i shfarosi që të gjithë nëpërmjet burgosjeve dhe pushkatimeve, kurse pasardhësit e tyre i bëri objekt të luftës së egër të klasave, i la të pashkolluar dhe i degdisi nëpër kampe internimi. Në këto kushte, në vendin tonë nuk mund të vendosej një demokraci me standadet e një shteti ligjor. Kjo për arsye se po të qe e mundur vendosja e një demokracie të tillë, atëherë do të duhej që, fill pas fitores së saj, të organizohej menjëherë një “Nyrenberg Shqiptar”, për të ndëshkuar rëndë kryekriminelin Enver Hoxha pas vdekjes dhe krejt bandën e tij, për të gjitha ato krime aq të përbindshme që patën kryer kundër popullit tonë. Ai “Nyrenberg Shqiptar”, do të bënte të mundur të shmangej skenari i mirëmenduar ramizian, sepse ndodhi ajo që thotë poeti Artur Shemaj në poemën e bukur me titull“Epopeja e tredhjes”:
Epoka që erdhi
Të gjithë i shfajësoi
Për fajet që bënë
Asnjeri s’pagoi.
Në tërë anketë-analizën e vet, Skënder Kapiti, si një intelektual mjaft i njohur në krejt hapësirën mbarëshqiptare për publicistikën e tij me theks të veçantë nacionalist, ka shtruar dhe përsëritur shpeshherë pyetjen:
“A është apo nuk është kështu?!”
Unë, si një qytetar i thjeshtë i vendit tim, të cilin, si çdo shqiptar me vetëdije kombëtare, e dua si jetën time, analistit shembullor Skënder Kapiti po i jap një përgjigje që e vlerësoj si të arsyeshme dhe ftoj t’i përgjigjen edhe bashkatdhetarët dhe bashkëkombasit e mi në Disporë, të cilët i quajnë me vend shqetësimet e tij:
Po, i dashur Skënder, ashtu është, siç thoni ju. Sepse shqetësimet që shpalosni në anketë-analizën tuaj, përmes mjeteve të informimit masiv, i keni bërë publike bash në kohën e duhur, kur themelet e nacionalizmit shqiptar janë plasaritur rëndë nën peshën e tradhtisë kombëtare, e cila, siç do ta dëshmojnë brezat e ardhshëm në largim e sipër nga atdheu amë, i mbetur pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë mbi një shekull e ca më parë, ka gjasa që të çojë drejt shpërbërjes tërësore të kombit shqiptar.
Kaliforni, 30 Nëntor 2022


Shkruan: Mustafë Krasniqi
Në aktivitetin “Shqipja në diasporë”, të mbajtur më 26 nëntor 2022 në Tiranë, me temën: “Shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë” -(Punimi im)
”Takim i sotëm “Shqipja në diasporë” përpos që na inkurajon në misionin e mësuesit, na bënë edhe më të ndërgjegjshëm të ecim të bashkuar për ruajtjen e gjuhës shqipe. Por, ajo që duhet të na shqetësojë, është mosinteresimi i shumë mërgimtarëve shqiptarë për shkollën shqipe, të cilët nuk i çojnë fëmijët e tyre në klasat, ku mësohet gjuha e kultura shqiptare. Këta fëmijë, pa fajin e tyre, kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën mëmës, ndërsa në një të ardhme, rreziku është edhe më i madh, kur edhe mund të mos flasin fare në gjuhën shqipe.
Këtë dukuri e preka qëllimisht, që ta kuptojmë realisht se kemi të bëjmë me një fenomen të shëmtuar, siç është asimilimi i heshtur. Pra, nëse ne (shteti dhe prindi) nuk e marrim seriozisht këtë fenomen, e ardhmja do të jetë e dhimbshme dhe me pasoja të mëdha, për kombin. Ngaqë numri i nxënësve që kemi, apo numri që do të shtohej tutje është një pikë ujë në lum, në krahasim me numrin e atyre që duhet ta vijojnë mësimin në gjuhën shqipe. Kjo na bënë ta pyesim vetën, së pari si individ, prind dhe si shtet, deri kur më me kaq shumë humbje e dhembje?!
Pavarësisht përpjekjeve që bëjmë për sensibilizimin dhe rritjen e numrit të nxënësve, ne si mërgatë nuk do të kemi suksese të dëshiruara për arritjen e qëllimit, misionit dhe vizionit, nëse nuk kemi bashkëpunim të ndërsjellë me institucionet tona. Dhe, pa këtë bashkëpunim gjithmonë do të mbetemi një numër simbolik, sa për të thënë, se funksionojnë shkollat shqipe në diasporë.
Andaj, seriozisht duhet t’i qasemi këtij problemi, duke kërkuar përkrahjen e shtetit amë, por edhe shteti do të duhej të marrë përsipër, seriozisht, organizimin dhe të na përkrahë e të na japë ndihmën e tij, meqë kështu shpëtojmë një pjesë të brezave të rinj që janë e do të jenë në mërgatë. Nëse duam të punojmë e veprojmë, suksesi nuk do të na mungojë, por kushti i vetëm është, nëse vërtet jemi të vendosur e të bashkuar për këtë qëllim madhor.
Kur flasim për temën si shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë, së pari, duhet të kemi parasysh: sfidat, rrugëtimin, qëllimin, bashkëpunimin dhe sensibilizimin.
(Rrugëtimi, qëllimi, bashkëpunimi dhe sensibilizimi)
Gjatë rrugëtimit, ne si mësimdhënës duhet ta kemi si qëllim parësor, qasjen korrekte dhe të dimë se çfarë duam dhe çfarë synojmë, për të arritur deri te realizimi i vizionit dhe misionit tonë. Kështu mund të marrim mbi vete përgjegjësitë që na takojnë, për një mësimdhënie të unifikuar e të koordinuar në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore. Prandaj kjo është rruga e bashkëpunimit profesional dhe organizues mes mësuesve dhe bashkëkombësve, të cilët jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare, dhe natyrshëm së bashku me institucionet tona përkatëse, si Ministria e Arsimit, Ministria Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve do të bëheshim, faktor kyç për sensibilizimin e shkollës shqipe në diasporë. Po, kur flasim për këtë faktor sensibilizimi, rol të rëndësishëm, kanë edhe mediat, nëse ato na përkrahin natyrshëm, duke e bërë detyrën e tyre, si mbështetje e përpjekjeve atdhetare. Po, mbi të gjitha shteti, të ketë parasysh dhe t’i ofrojë mundësinë mërgimtarit të jetë ligjërisht më afër atdheut dhe aspak të mos e injorojë.
(Si shembull, modeli dhe mësimdhënia)
Kur flasim për mësimdhënien duhet të kemi parasysh rrethanat, atje ku rriten fëmijët, por të dimë se ç ‘ njohuri kanë ata, si duhet ta përshtatim mësimdhënien natyrisht të mbështetur sipas korrikulës, kur kemi të bëjmë me nxënës që nuk e kanë të njëjtën moshë e janë në të njëjtën orë mësimi.
Si shembull konkret ta marrim modelin e shkollës shqipe në Zvicër, e cila ka paraqitur suksese të dukshme profesionalisht, duke e shtuar numrin e nxënësve dhe duke hapur klasa të reja. Këtë model e kemi edhe te “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari, të cilët rrugëtimin e vet e kanë filluar në bashkëpunim me prindërit, mësimdhënësit dhe me institucionet, konkretisht në koordinimin e ngushtë me konsullatat e dy shteteve tona në Mynih. Kështu “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari është angazhuar, përpos rritjes së numrit të nxënësve edhe për hapjen e klasave të reja, por edhe për përgatitjen e mësimdhënësve, përmes takimeve profesionale dhe mbajtjes të seminareve.
Po marrë si shembull takimin në Ausburg të Bavarisë, (të organizuar nga Fondacioni “Besa”) më 10 tetorit të këtij viti, ku në prani të tri shoqatave të shkollës shqipe në Gjermani: të “Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” (LAPSH) në Bavari, Organizatës së Akademikëve gjermano-shqiptare “ODA” në Hamburg dhe të Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”(KASH) në Nordrhein-Westfalen, u mbajt një takim pune, duke zbërthyer praktikisht atë që ishte dhe është e që mbetet, si: bashkëpunimi, shkëmbimin i përvojave etj. Nga ky takim u zbërthyen në mënyrë shkencore format e mësimdhënies, duke u nisur nga e drejtat thelbësore, që i takon një mësimdhënësi të gjuhës së dytë, siç dhe është gjuha shqipe në Gjermani, krahas gjuhëve tjera. Po ashtu u theksuan edhe format e inkuadrimit në rrjetin institucional të mësimdhënësit të gjuhëve të huaja, me të drejtën e pagës së ligjshme, si dhe forma praktike e mësimdhënies.
Suksesi i mësimdhënësit është në orën e mësimit, por dhe në përcjelljen e seminareve, ku si shembull po japim takimin e 22 tetor, në prani të mësuesve të tri shteteve: Zvicër, Austri dhe të LAPSH në Bavari të Gjermanisë, ku u realizua seminari dy ditor me temën: “Gjuha si pjesë përbërëse e identitetit të një kombi”, dhe “Shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve.” Temat qenë këto:
1. “Përdorimi i gjuhës letrare shqipe në shkollat shqipe”,
2. “Të mësojmë duke luajtur”,
3. “Miqësia postare si njësi mësimore, si mjet komunikimi dhe rrjetëzimi”,
4. “Planifikimi ditor i mësuesit, proces drejt suksesit” dhe
5. “Gabimet drejtshkrimore dhe deformimi që po pëson gjuha shqipe”
Në secilin ligjërim u demonstrua praktikisht mësimdhënia me elementet e saj nxitëse, e në këtë kuptim përpos shkëmbimit të përvojave mes mësimdhënësve, u përdorën edhe këto modele si: të mësuarit në natyrë, në kopshtin zoologjik, në bibliotekë etj. Të gjitha këto përvoja, praktika profesionale nga mësimdhënësit, kanë një qëllim të përbashkët, se si ta joshim nxënësin për ta dashur gjuhën amtare. Por, kjo do edhe një motivim nga shteti; shteti të jetë përkrahës i
mësimdhënësit dhe t’i ofrojë mundësinë që ai ta shfaqë me dashuri mësimdhënien, ngaqë puna vullnetare mund edhe të dështojë, pavarësisht dëshirës që e kanë mësimdhënësit.
Është edhe një veçori tjetër që na bie të sfidohemi në këtë rrugëtim, me vështirësitë e ndryshme, siç duhet të dimë si t’i gjejmë rrugët e të kuptuarit të mirëfilltë dhe paditurisë së thellë:
Ne duhet të flasim për vështirësitë kur përballemi me probleme si mos-pagesa e mësimdhënësit sa duhet e si duhet, gjetja e lokalit në shkollë për mësimdhënie, kërkimi i nxënësve për ta plotësuar klasën, sipas rregullit, që ka të bëjë me numrin e nxënësve, të cilët duhet të jenë 12 a më shumë dhe kështu në vazhdën e këtyre vështirësive është mospërkrahja e mjaftueshme e bashkëkombësve dhe e shtetit. Ndërsa të kuptuarit mirëfilltë, është faktor i rëndësishëm, që bashkëkombësin, konkretisht prindin ta informojmë, që ai ta kuptojë drejt, se mësimi i gjuhës amtare, jo vetëm se nuk është pengesë për integrim dhe të mësuarit e gjuhës vendore, por është një sukses më i madh dhe ndihmesë e madhe kur njeriu e zotëron mirë gjuhën amtare, meqë edhe mësimi i gjuhëve të tjera është shumë më i mundshëm i dhe inatyrshëm. Në këtë kuptim edhe ndihmesa e shtetit është shumë e mirëseardhur, e cila mund të bëhet përmes mekanizmave të vetë profesional, në bashkëpunim me mësimdhënësit.
Me keqardhje duhet të flasim edhe për një dukuri jo të këndshme, paditurinë e thellë. Fatkeqësisht, në rrugëtimin tonë të mësimdhënies, hasim njerëz të atillë, që e injorojnë me apo pa dashje angazhimin për shkollën shqipe, njerëz këta të cilët mbështeten në faktin, se ne jetojmë në një shtetet tjetër ku shqipja nuk na hyn në punë fare dhe që të dy këto fakte janë të dëmshme dhe të rrezikshme, të cilat dhe po ndikojnë të kemi pak të nxënës në shkollën shqipe. Por, ajo që është për keqardhje të madhe, duhet ta themi, se ka prindër shqiptarë që fëmijët e vet i dërgojnë në klasat greke, ku edhe feja bënë punën e saj, pa u shqetësuar fare ata që fëmijëve t’ua mësojnë gjuhën shqipe e t’i dërgojnë në shkollën shqipe. Kjo sipas mendimit tim e tejkalon të gjithë pritshmërinë. Por për, raste të tilla, duhet ta vrasë mendjen shoqëria dhe shteti.
Në fund suksesi i mësimdhënësit dhe risitë në të ardhmen.
Natyrisht është e domosdoshme mbajtja e seminareve, licencimi i mësimdhënësve, relacioni prind mësues e nxënës, përkrahja institucionale. Megjithëkëtë, është shumë e nevojshme që shkollat shqipe të jenë në fokus të mediave. Të gjitha këto, po t’i plotësoheshin komunitetit tonë atëherë bindshëm do të flisnim për rezultate të dukshme.
Qëllimisht nuk u ndala te profesionalizmi, por duke e ndërlidhur problemin me faktin real, besoj se natyrshëm duhet ta bëjmë me dije shtetin, se mërgata po ballafaqohet me asimilimin e fëmijëve. Shpresoj se shteti e merr seriozisht këtë fakt, por gjithashtu edhe faktin tjetër, që ka të bëjë me të rinjtë, të cilët gjithnjë e shumë po ikin nga trevat shqiptare dhe po mërgojnë. Kështu, mjerisht, kemi të bëjmë me rrezikun e madh të asimilimit të një pjesë të madhe të popullit shqiptar.
Krejt në fund thërras komunitetin shqiptarë të mërgatës dhe institucionet tona, që së bashku të punojmë për t’u mos u asimiluar fëmijët tanë mërgimtarë!
Nga e majta: Xholec Deda, Agim Alaj, Saim Tahiraj, Nue Zalli, Fadil Haxhosaj
PROMOVIMI I LIBRIT DHE SHUMË AKTIVITETE GJATË KËTIJ VITI
Shoqata “Nënë Tereza” në Zvicër, mbajti mbledhjen e rregullt, rezyme e disa
aktiviteteve për këtë fundvit.
Kryesia e shoqatës “Nënë Tereza” në Zvicër, ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve që
janë zhvilluar gjatë këtij viti, duke nxjerrë konstatime se kishte gjallëri në aktivitetet e saja.
Ndërsa vëmendje më e madhe ishte në botimin e librit monografi “Mes luftës e paqes”, si dhe promovimin që u mbajt para publikut në Kosovë, pikërisht në Prishtinë.
Mbledhja e mbajtur me 27 nëntor, 2022, në prag të Ditës së Flamurit, duke uruar gjithë
popullin shqiptarë, me synime për unitet dhe kremte me mirëqenie dhe stabilizim ekonomik e politik ndër trojet tona shqiptare.
Kryetari i shoqatës, Nue Zalli, bëri një varg prezantimesh të punëve që janë kryer gjatë
këtij viti, me theks të veçantë rreth botimit të monografisë, për të cilën janë angazhuar kryesia dhe aktivistë tjerë që kanë udhëhequr shoqatën nëpër vite duke kontribuar në disa mënyra për ta parë dritën e botimit. Zalli – theksoi se ishte kjo dhe një përpjekje e shoqatës se kemi kapacitet edhe më tej të mbajmë platformën e statutit për të cilën jemi themeluar, por edhe të pasqyrojmë historikun e atyre që kanë kontribuar për të mos i lënë në harresë. Nga e tërë kjo, është bërë prezantimi i arkivit që është ruajtur me kujdes, dhe është digjitalizuar për jetëgjatësinë e dokumenteve që do të flasin më së miri për historinë tonë. Treguesi më i mirë është përmbledhja në libër, duke bërë ftesë për grumbullime të shënimeve që mund të jenë ende në disa shoqata që kanë vepruar nëpër kantone e që janë vonuar ti dorëzojnë në qendrën në Luzern.
Anëtarët e kryesisë Xholec Deda, Agim Alaj, Saim Tahiraj, Era Deda dhe Fadil Haxhosaj
nxorën një rikapitullim të këtyre ngjarjeve, duke i konsideruar se janë realizuar me sukses, ashtu sikur edhe janë planifikuar, secila në përputhje me vendimet e marra më herët. Secili bëri analizën e ecurisë së këtij promovimi, e që ishin në pajtim se është realizuar në koncepte të larta.
Edhe pikat tjera të rendit të ditës morën trajtesë dhe u nxorën ide për secilën si tu qaset
pikërisht mbledhjes së donacioneve dhe shqyrtimit të kërkesave që vijnë vazhdimisht në shoqatë dhe u duhet përgjigje. Fundi i vitit si gjithnjë ka disa specifika të veta që duhet realizuar dhe se morën diskutime për dërgimin e fletëpagesave dhe kontaktit me aktivistë.
Promovimi në Zvicër dhe përkthimi në gjermanisht Pas disa vendimeve që u morën dhe u biseduan, u planifikua edhe koha e promovimit të monografisë në Zvicër me parashikim në tremujorin e parë të viti që po hyjmë. Njëherë të gjithë të zëshëm morën vendim edhe për përkthimin e librin në gjuhën gjermane, duke nisur kontaktetme përkthyes të mundshëm dhe këtij projekti më të ri për shoqatën.
Rreth botimit dhe promovimit të monografisë
Me vendimin e shoqatës që nga viti 2019, kanë nisur përpjekjet për botimin e një libri për të pasqyruar të përmbledhura aktivitetet dhe donacionet për Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, si dhe nëpër shumë vende të botës, e që kanë realizuar dedikimin e vetë shoqatës për ekzistencën e saj.
Pikërisht koha kur krijohet varfëri e skajshme në Kosovë nga regjimi që e kemi braktisur tashmë, prej viti 1990 dhe në kulmin e së keqes në kohën e luftës në vitin 1998/1999, kur është kërkuar përkushtim tejet i fuqishëm me ndihma ushqimore, medikamente, rroba dhe të tjera. Pa harruar këtu edhe pas luftën në pjesëmarrje të rindërtimit të vendit, duke qenë në hapë me të gjitha subjektet tjera. Të gjitha këto janë mbledhur nga arkivi i shoqatës e janë botuar në një libër monografik nga autori Engjëll I. Berisha.
Shoqata mori dhe një tjetër iniciativë për ta promovuar pikërisht para publikut në Kosovë,
në bashkëpunim me institucionet e saj e në prezencën e mediave. Ngjarja u zhvillua në Prishtinë me datë 5 nëntor, 2022, në prani të një publiku të gjerë, duke u shfaqur edhe në televizionin shtetëror, RTK, me paraqitje të drejtpërdrejtë. Edhe me fjalime nga Ministria e Kulturës, nga Presidenca, shoqata, botuesi dhe vrojtues të shkrimeve publicistike mori vlerën e një libri serioz, voluminoz dhe me peshë historike.
Pjesë e mirë e kryesisë dhe aktivistëve ishin prezent duke udhëtuar nga Zvicra.
Libri u shpërnda falas, 300 copë në duar të lexuesit pjesëmarrës sa ishin prezent.
Gjithashtu u shërbyen edhe me koktej rasti.
Prezantimi e botimit mori vëmendjen e publikut edhe në disa media tjera duke u
prezantuar nga autori Berisha, kryetari, Zalli dhe të tjerë gjatë gjithë javës para dhe pas
promovimit. Po ashtu në faqen e Qeverisë së Kosovës, ne Ministrinë e Kulturës edhe më tej
mbetet njoftimi për botimin dhe promovimin e këtij libri.
Libri është botuar në 800 kopje të cilat së shpejti do të jenë edhe në selinë e shoqatës si
dhe iniciativa për tu përkthyer në gjuhën gjermane.