Kreu Blog Faqe 1175

Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

0

Nga: Dr.Nail  Draga, Ulqin 

(Me rastin e 110-vjetorit) 

Ne aspektin gjeopolitik për  opinionin e gjërë është e njohur së në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit(1878) harta politike e Siujdhesës Ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura ku bënte pjesë edhe Mali i Zi. 

Në vend që  Fuqitë e    Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet i ri i njohur ndërkombëtarisht ti takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta duke i dhuruar këti shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj nga kjo kohë me  fillimin e  rrudhosjes  së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse ne rastin konkret  raportet shqiptaro-malazeze  moren një kahje tjetër. 

1.Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878 

Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e coptimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë(1876-1878) ishin më të mëdha nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhabjaku, Tivari dhe pjesa VP e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe krahina e Plavës dhe Gucisë ti jepet Malit të Zi, një vendim të tillë nuk u realizua në sajë të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP ku u zhvillu edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompenzim për të u bënë pazarlleqe nga Fuqitë e Mëdha që ti jepet krahina e Grudës por ishte LSHP që organizoj mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por, të ndodhur në situatë të tillë Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane  ne prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880. 

Viset shqiptare të cilat kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të  mbajnë  komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar që ishte  qyteti i  Shkodrës. 

Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë e cila ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane në këto pozicione qendroj 32-34 vite varësisht prej krahinës, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë territoret e përfituara nga ana e Kongresit të Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e Kryengritjës në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët por dhe një sinjal së çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas. 

2.Ofanziva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës(tetor 1912-prill 1913) 

Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhen Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta ne mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.  

Ndërsa aleanca e arritur  në mes  Malit të Zi dhe Serbisë në  Lucernë të Zvicrës (27.IX.1912), me nenshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nenvizuar është së “ate që së cili vend e çliron nga turqit ajo edhe i takon“, dëshmon qartë për objektivat e tyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha, ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territorëve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar(tetor 1912-prill 1913) është i veçantë ku edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku  informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe aspiratat  e tyre ushtarke e politike  cila ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje mbreti Nikolla ka ëndërruar së po ti realizohej projekti i zgjerimit territorial ne lindje madje deri të lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do ti ul armët para se lumi Drin të bëhët kufiri jugor i Malit të Zi”.Ndërsa gjatë Luftës së I Ballkanike(1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes Serbisë edhe Malit të Zi(në pjesën e dytë të nëntorit 1912) mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve  në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në lumin Mat, ndërsa Sërbia prej Matit deri te Shkumbini.  

Në Konferencën e Ambasadorëve  në Londër (dhjetor 1912-korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse ne ketë formë do i mundësohej Serbisë për të realizuar endrrën e tyre për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se  nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e mbretit Nikollë “ose Shkodrën, ose vdekjen”.  

Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, me 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë ti mbetet Shqipërisë. Por malazezet kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin te rrethuar Shkodrën duke  vazhduar  operacionet luftarake të bindur së çka fitohet me luftë edhe do t‘iu takojë. Por, pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij  filloj demonstrimi detar, i cili me 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithate forcat malazeze pushtuan Shkodrën me 24 prill 1913 pasi ate iu dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni  i Fuqive të Mëdha ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë  pas qendrimit tri javësh forcat malazeze me 14 maj 1913 pasi e plaçkiten u larguan nga Shkodra ku menjihër u vendosen forcat ndërkombëtare. 

Por edhe pse humbi Shkodrën pas luftërave ballkanike Mali i Zi u zgjëru territorialisht duke përfituar një territor me sipërfaqe prej  4958km2, që është më tepër se 48% të territorit pas Kongresit të Berlinit(9.475km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjëruar vazhdimisht ku një pjesë e konsiderueshme e tyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare. 

3.Rrethanat e luftës dhe emigrimi i popullsisë shqiptare  

Në rrethana të tilla të luftës nuk ka dilemë se popullsia shqiptare u gjend në pozitë të pavolitshme, andaj ajo u detyrua të shpërngulet nga vendbanimet e tyre. Kështu një dukuri e tillë ndodhi fillimisht nga viti 1878 e më pas, ku si shëmbull tipik shërben rasti i Ulqinit, ku me kalimin e këti qyteti nën administrimin e Malit të Zi(nëntor 1880) pothuaj 1/3 e popullsisë së qytetit emigroj duke u vendosur kryesisht në Shkodër por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.  

Politika shtetërore e Malit të Zi në territoret e aneksuara kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje me territoret e reja, ku çështje kyçe ishte   ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë. Me  urdhër të  Simo Popoviqit  i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin  dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej.  

Në lidhje me ketë çështje,  po ashtu në mënyrë transparente dëshmon deklarata e tij që ia dërgonte ministrit të punëve të jashtme, ku thuhet se “Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq(shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë  krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi.Deri sa të mos realizohet ky qellim, nuk kemi se çka të gëzohemi”. 

Një përmbajtje e tillë nuk ka nevojë të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por mbetet të realizohet  ne praktikë, ku si qellim final ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet. 

Kështu kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur  deri në mesin e vitit 1893, me çrast  gjithsej janë vendosur 400 familje kolonistësh, të cilave iu janë ndarë 5000 rrallë tokë, nga del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12,5 rrallë tokë (që është e barabartë me 22.450m2). Për të krijuar kushte me të mira për kolonistët pushteti planifikonte të hapte toka të reja, duke planifikuar ne ketë drejtim tharjen e liqenit të Zogajve dhe të Knetës. Ne ketë drejtim janë angazhuar ekspert të ndryshëm  të cilët kanë përgatitur projektet për tharjen e tokave përkatëse, ku ne plane afatgjata është planifikuar të  fitohen toka të reja rreth me sipërfaqe prej 20000 rrallë, por rrethanat shoqërore te kohës  sidomos luftërat ballkanike ndërprenë punimet në ketë drejtim, më çrast nuk u realizuan objektivat “për kolonizimin masiv në ketë pjesë të Malit të Zi”. 

Aspiratat ekspansioniste ndaj këti mjedisi i ka shprehur edhe vet princ Nikolla, i cili theksonte”…me vendosjen e malazezeve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “…tërë qyteti dhe rrethina është e banuar me banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe  në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”. 

Dhe nga një situatë e tillë politike e shoqërore ne keto mjedise  kemi një emigrim të dhunshëm në sajë të paknaqësisë ndaj pushtuesve të rinj, më ç rast një pjesë e konsiderueshme  e viseve dhe vendbanimeve shqiptare u shpopulluan.  

Veprimi i politikës shtetërore malazeze ishte identik edhe pas Luftës së Parë Ballkanike ku zyrtarizimi i aneksimit të territorëve të pushtuara, dëshmohet me miratimin e Ligjit për kolonizim të tokave të reja të çliruara  në Kuvendin Popullor në vjeshtë të vitit 1913. Një vendim i tillë nuk ka dilemë se ndikonte drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë e po ashtu  rrudhoste hapësirën etnogjeografike shqiptare, e cila ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën legale dhe legjitime të çdo populli për të qeverisur territorin e vet. 

4.Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe viset shqiptare në Mal të Zi  

Shqiptarët nuk luftuan kundër Turqisë, për të kaluar nën një okupim të ri, ata luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë me 28 nëntor 1912, nuk është shpallur për gjysmen e territorëve shqiptare të cilat u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territorët e banuara më shqiptarë në hapësirën e tyre etnogjeografike në Siujdhesën Ballkanike. 

Shqiptarët pritnin vendimet e definitive të kësaj Konference, me shpresë  së përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të marrin parasysh kriterin etnik, homogjenitetin e hapësirës etnogjeografike shqiptare, luftërat e vazhdueshme për tu çliruar nga okupatori por çdo gjë mbeti vetëm iluzion sepse vendimet ishin subjektive kryesisht sipas intrigave dhe  interesave të klaneve të ndryshme të shteteve përkatëse, duke ndarë përgjysmë hapësirën etnogjeografike shqiptare. Madje një konstatim të tillë e pranon edhe vet ministri i jashtëm anglez E.Grej i cili ka thënë se”  Jam i bindur se , kur  të dihen  të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njëriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qellimi kryesor ishte të mos hapej konflikt mdis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis  Fuqive të Mëdha, mund të themi se  ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë.   

Ndërsa kufiri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të përcaktohej nga KNK në vitin 1914, i cili fatkeqësisht legjitimoj aneksimin e territoreve shqiptare pa përfillur kriterin etnik dhe aspiratat e vazhdueshme të popullsisë në regjionet përkatëse për bashkim me shtetin e pavarur shqiptar. 

Përfundim 

Pas Kongesit të Berlinit(1878), vitet  1912/13 ishin vendimtare në  përcaktimin e hartës së re politike të shteteve ballkanike, që u legjitimu në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në sajë të tyre vendimeve  përfundimisht u bë edhe njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, e cila si e tillë u përgjysmua si ne aspektin territorial dhe ate popullativ.  

Nga ana tjetër  ishin fqinjët malazezët, serbet dhe grekët të cilët dëshmuan politikën e tyre ekspansioniste. Një politikë e tillë  nuk ka dilemë se bazohej  në mitomani dhe mbeshtjetjen diplomatike e ushtarake të disa shtetëve pansllaviste me në krye  Rusinë cariste, të cilët në emër gjoja të luftimit të Perandorisë Osmane, si  qellim final kishin të aneksonin sa më shumë pjesë të territorit  etnik të popullar nga shqiptarët. Tashmë është e qartë  se një veprim i tillë kishte prapavi strategjike në mënyrë që shteti i ri i pavarur i Shqipërisë të jetë sa më i vogël në sipërfaqe e në numër të popullsisë dhe pa ndonjë ndikim të veçantë politik në të ardhmën në Siujdhesën  Ballkanike. 

Literatura: 

1.Bernard Stulli, Albansko pitanje 1875-1882, JAZU, Radovi, knj.318, Zagreb, 1959 

2.Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë së Madhe në vitin 1911, NY 2004 

3. Skënder Rizaj, Çështja e Plavës Gucisë, Hotit Grudës dhe Ulqinit, LEMBA, nr.1/1999

4.Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Art Club Ulqin 1994 

5.Në një cep të Ilirisë(monografi për shqiptarët në Mal të Zi),Art Club, 2007 

6.Mr.Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878-1881), Art Club, Ulqin 1998 

7.Mr. Riza Rexha, Shkodra në projektet e zgjërimit territorial të Malit të Zi(shek.XIX-XX), Lemba nr.3-4, Ulqin, 2000 

8.Gazmend Shpuza, Në vazhdën e gjurmimeve për epokën e Rilindjes Kombëtare, Toena, Tiranë  1997 

9.Dr.Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze 1881-1914, Botoi: Instituti i Historisë, Prishtinë 2003 

10.Hortense von Zambaur,Rrethimi i Shkodrës(10 tetor 1912-22 prill 1913), ”Camaj-Pipa”, Shkodër 2006 

11.Edith Durham, Lufta për Shkodrën, ”Camaj-Pipa”, Shkodër 2005 

12.Mihajlo Vojvodić, Skadarska kriza 1913 godine, Beograd 1970 

13.Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojten e Ulqinit, Tiranë 1979 

14.Branko Babić, Politika Crne Gore u novo oslobodjenim teritorijama 1912-1914, Titograd 1984 

15.Spiridon Gopčević, Crnogorski-turski rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd, 1963 

16.Miomir Dašić,Pregled teritorijalnog širenja crnogorske države, Istorijski Zapisi, br.1, Titograd 1987 

17.Jacob Gould Schurman, Luftërat ballkanike 1912-1913, Uegen,Tiranë,2006 

Në 579 vjetorin e ngritjes së Flamurit të Arbërit në Kalanë e Krujës, më 28 Nëntor 1443

0
Nga Sheradin Berisha
________
KRUJA E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT
HYRJE
579 vjet më parë, më 28 nëntor 1443, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pas një beteje luftarake në qytetin e Nishit kundër ushtrisë hungareze në krye me Jano Huniadin, me 300 luftëtarë arbërorë u kthye në vendlindjen e tij, dhe me një ferman të falsifikuar e mori qytetin e Krujës që ishte pushtuar nga ushtria osmane. Ai në prani të krutanëve (banorëve të Krujës) ngriti flamurin e Lirisë (atë të Kastriotëve) mbi muret e Kështjellës në Krujë. Sipas kujtimeve të Marin Barletit, Gjergj Kastrioti iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: “Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja”.
QYTETI I KRUJËS
Qyteti i Krujës gjeografikisht është rreth 32 kilometra larg Tiranës. Ka 19400 banorë. Shtrihet në shpatet malore, me një lartësi 560 metrash mbi nivelin e detit. Emri i qytetit rrjedh nga fjala Krue, që do të thotë burim dhe sot burimet natyrale në Krujë janë të shumta. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se në Krujë ka qenë një vendbanim ilir, që në shekullin III para erës sonë. Fshati Zgërdhesh, që ndodhet rreth 4 km larg Krujës, mendohet të ketë qenë “Albanopolisi” i përmendur nga gjeografi dhe astronomi nga Aleksandria, Ptolemeu, në shekullin II të erës sonë.
KALAJA E KRUJËS
Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r.
Dokumenti i parë që e përmend kalanë e Krujës është ai i aktit të sinodit kishtar, që u mbajt në Kishën e Shën Sofisë në Konstandinopol, në nëntor të vitit 879. Kruja ka qenë epiqendra e parë e shtetit të parë feudal shqiptar, “Principata e Arbrit”, rreth vitit 1190-1198, duke pasur në krye Progronin dhe më pas djemtë e tij, Gjinin (1198-1206) dhe Dhimitrin (1206-1216).
Kruja e arrin lulëzimin e vet në shekullin XIII-XIV. Në gjysmën e shekullit XIV është kryeqendra e Topiajve, me tregti dhe zejtari të zhvilluar, duke bërë që pranë kështjellës të ngrihen lagjet më të vjetra. Tanush Topia zgjeroi pronat e tij dhe krijoi një principatë të madhe, deri në momentin kur ky i fundit vritet nga Roberti, mbreti i Napolit, ndërsa vendin e tij e zë i biri, Karl Topia.
Osmanët e pushtojnë për herë të parë më 1396 dhe për herë të dytë më 1415, ndërsa i vënë emrin “e ri” Krujës, “Akçe Isar” (Kulla e Bardhë). Më 1430, shpërtheu një kryengritje e organizuar nga Gjon Kastrioti. Me kthimin në atdhe të Skënderbeut (1405-1468), më 28 Nëntor 1443, Kruja bëhet qendra e epopesë shqiptare të shekullit XV, duke bërë që të dështojnë rresht tre rrethimet e Krujës (1450,1466,1467).
Kalaja e Krujës merret vetëm më 16 Qershor 1478, 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut nga Sulltan Mehmeti II. Tërmeti i vitit 1617 që ra në Krujë, dëmtoi dhe më pas rrëzoi disa prej strukturave të gurta të qytetit të lashtë, duke përfshirë edhe pjesë të fortesës. Sërish më 1832, ajo bie pre e shkatërrimeve përgjatë shtypjes së kryengritjeve shqiptare nga osmanët.
Disa rregullime që iu bënë fortifikimit përgjatë shekullit XIX nuk mundën t’i kthenin shkëlqimin e dikurshëm. Gjatë shek. XVIII-XIX qyteti pati një gjallërim ekonomik dhe mori trajtën karakteristike të kullave krutane, ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XIX, ajo ka një zhvillim të ri lidhur me kthimin në një qendër të mirëfilltë qytetare.
Kalaja e Krujës është ndërtuar mbi një kreshtë shkëmbore të shkëputur nga mali Sarisalltëk dhe nga formacionet kodrinore përreth. Ajo lidhet me këto të fundit vetëm nga ana verilindore, ku ndodhet dhe hyrja kryesore për në kala. Anët e tjera janë shkëmbinj të thepisur, praktikisht të pangjitshtëm ose vetë kodra bie me pjerrësi të theksuar.
Një nga veçoritë e kalasë së Krujës është mënyra e furnizimit të saj me ujë, gjë që e ka bërë të mos vuajë asnjëherë nga mungesa e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash.
MUZEU KOMBËTAR NË KALANË E KRUJËS
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, ndodhet brenda mureve të Kalasë së Krujës dhe është një nga vendet më të vizituar në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 Nëntor 1982. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë te muzeut janë: Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha. Kompleksi i muzeut është shpërdarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavione të tilla si:
– pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme,
– pavioni i principatave shqiptare,
– i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi,
– pavioni i kështjellave mesjetare,
– i qëndresës shqiptare,
– kanceleria e Skënderbeut,
– biblioteka,
– salla e princave,
– e pinokotekës dhe
– së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj. etj.
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu
MUZEU KOMBËTAR ETNOGRAFIK NË KALANË E KRUJËS
Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 Nëntor 1989. Është një ndërtesë tradicionale e ndërtuar në mesin e shekullit të XVIII (1764) nga Ismail Pashë Toptani. Arkitektura e saj është orientale me koridor të mbyllur, tip kulle, dy katëshe me mure guri me gjerësi 60-80 cm. Në të gjenden piktura të stilit barok, dhe islamik, të cilat zbukurojnë dhomat kryesore të saj. Që në hyrje të saj bien ne sy harqet e portave me gur të gdhendur dhe rrugët e shtruara me kalldrëm. Në këtë banesë gjenden shumë elemente të traditës së zonës për mënyren e jetesës, veshjet, zakonet etj.
Në hyrje janë disa modele burimesh natyrore të ujit të cilat dëshmojnë se Kruja ka patur disa të tilla madje mendohet se edhe prejardhja e emrit të qytetit vjen prej tyre si “kroje” = Krujë. Kruja në fillimet e saj njihet si vend blegtoral e bujqësor dhe më pas zejtar e tregtar. Ajo ka mbjellë grurin, ullirin e hardhinë, ka rritur dhentë, dhitë e lopët, ka mbajtur shpendë dhe bletë.
Me ndërtimin e pazarit të vjetër, fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII, morën zhvillim një sërë zejesh. Qyteti i Krujës njihet për mjeshtritë e punimit të gurit, për ndërtim banesash dhe prodhimin e ornamenteve për varre, oxhaqe etj. Është punuar edhe druri për dekoracione tavanesh, dyer, dritare dhe në objekte të tjera të përdorimit shtëpiak. Një nga zejet e vjetra është edhe regja ose përpunimi i lëkurës dhe proçeset që kalonte ajo. Gjithashtu në ambjentet e banesës njihesh me përpunimin e kashtës së kënetës dhe prodhimin e hasrave për tu ulur ose për të fjetur.
Është përpunuar hekuri për nevojat e tregut të Krujës, si dhe qeramika ku prodhoheshin tulla e tjegulla dhe objekte të përdorimit shtëpiak. Është prodhuar vera dhe rakia. Gjithashtu është përpunuar ulliri për nevojat e familjes dhe të tregut, si i konservuar dhe për vaj. Mënyra primitive e shtypjes me këmbë të ullirit në govatë dhe ajo artizanale ose presa janë të ekspozuara bukur. Të veçantë janë dhe amforat që janë përdorur për të mbajtur për kohë të gjatë vajin e ullirit që vendasit e quajnë “magrip”.
Për sa i takon traditave në mënyrën e jetesës bien në sy dhoma e grave ose e nuses ku dallohen objektet e pajës, veshjet me stolitë e qendisura me kujdes me fije ari, argjendi dhe inxhi. Të veçanta janë punimet e dritareve të dritës dhe ato për ajrosje me punime gipsi e druri. Koridori i madh shërben si ndërlidhës i dhomave ku më e bukura është ajo e burrave e përdorur për dasma dhe kuvende.
Interesante është mënyra e vendosjes në të dy anët e oxhakut dhe qoshku si dhe dhoma ku rrinin vajzat e shërbimit. Ekspozimi i armëve tregon elemente të traditës. Një pjesë e tyre janë prodhuar nga mjeshtër vendas. Banjo me avull ose “Hamami” familjar, është një nga objektet më të rralla të kësaj banese. Ajo është me një kupole me ngrohje, në të cilën në një ambjent të ngrohtë avulli bëhej masazh.
Në dhomën e ndenjes dallohet qoshku ku rrinin fëmijët, për të mos u ulur bashkë me të rriturit për të ngrënë. Edhe guzhina ka të veçantat e saj si enët e përdorimit prej qeramike, druri e bakri, magja e gatimit dhe oxhaku në formën e një aspiratori të madh. Në koridor në dalje të banesës janë veglat e marangozit dhe rozeta e tavanit që është prej 300 vjet më parë e punuar në dru të rrallë selvije, gjithashtu qilari ose dhoma e konservimit të frutave e perimeve me dritare të vogla. Në një dhomë të madhe gjumi janë ekspozuar veshje të traditës katolike dhe myslimane të përdorura nga krutane ose nga banore të zonave të tjera të ardhur në Krujë.
Muzeu Etnografik në Krujë (Video)
PAZARI I VJETËR NË KRUJË
Pazari i vjetër i Krujës ose siç thirret nga vendasit, Pazari i Derexhikut, është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Shtrihet në të dy anët e rrugës së vjetër të shtruar me kalldrëm që të çon në kala. Ky pazar ka ekzistuar që në Kohën e Skënderbeut. Pazari i Derexhikut ka patur rreth 150 dyqane të cilat nisnin nga hyrja e kalasë së sotme dhe deri te Hani i Picorrit, aty ku është vendosur Bashkia e sotme e qytetit të Krujës.
Është djegur dy herë tërësisht dhe në të dyja rastet është rindërtuar nga e para. Në shekullin XVII, qyteti mori një zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht dhe zejet e vendosura në treg. Në vitin 1961 Pazari i Krujës u mor nën kujdesin e shtetit, ndërsa më 1966 u krye ndërhyrja e parë serioze për rikonstruksionin e tij. Dyqanet e tregtarëve dhe të mjeshtërve janë përdhese, një katëshe, me përjashtim të Derexhik ku ka edhe ndërtesa dy katëshe.
Ky pazar karakteristik, më 1963, për vlerat e tij historike dhe arkitektonike u shpall ansambël muze. Në këtë pazar shiten sende dhe mallra të prodhuara në shekuj të ndryshëm. Larmia e mallrave që tregtohen këtu dhe vjetërsia e tyre tërheqin çdo vit një numër të lartë turistësh nga vende të ndryshme të botës.

Të shtunën më 26 nëntor 2022, në Prishtinë do të vendosen fotot e Heronjve të LPK-së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

0
NJOFTIM – FTESË
Veteranë të çmuar të LËVIZJES dhe të Luftës Çlirimtare të UÇK – së! Bashkombës të dashur shqiptarë!
Të shtunën, më 26 nëntor 2022, në orën 12, në prag të Kryedatës së kombit shqiptar, 28 Nëntorit të lavdisë dhe krenarisë shqiptare, do të zbulohet – afishohet fotografia e përmasave të mëdha (6 × 4 m) e Heronjve të LËVIZJES: Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit. Fotografia do të vendoset në qendër të Prishtinës shqiptare (afër Teatrit).
Po më 26 nëntor (të njëjtën ditë), në orën 13 do të bëhet zbulimi i Pllakës përkujtimore në shtëpinë ku ka jetuar, vepruar, organizuar dhe drejtuar veprimtarinë patriotike të LPK – së dhe UÇK – së gjatë viteve 1991 – ’97 Heroi Kombëtar, XhAVIT HAZIRI.
Pllaka zbulohet në, Prishtinë Rruga: “Beteja e Koshares” nr 24.
Mund të jetë një imazh i 4 persona dhe teksti që thotë "Ftsë 40 vjet LPK 1982 Me26 26 nentor 2022, në orën 12:00 do të vendoset fotografia e tre Heronjeve të LIRIMTARE LEVIZJES nẽ qendër të Prishtinës (afer Teatrit) Të njejten ditë, 26 nëntor, nẽ oren 13:00 behet zbulimi Pllakes perkujtimore nẽ shtëpinë ku ka qendruar dhe vepruar gjate viteve 1991-97, Heroi Kombit Xhavit Haziri. Rr. Beteja Koshares nr. 24, Prishtinë THEMELTARTE BASHKIMIT, FRYME DHE FRYMEZUES TỂ LUFTÊS ÇLIRIMTARE, KURORÄZUAR ΜΕ LIRI. TEJETEVE LAVDI HERONJEVE TE LEVIZJES: JUSUFIT, KADRIUT DHE BARDHOSHIT! LEVIZJA"
***
E përgatiti: Xhevat Gjini, Viti

Sulm bizar ndaj presidentës plebishitare!

1
Presidentja e Kosovës, Vjosë Osmani
 
Idriz Zeqiraj, Gjermani
    “Histeri kolektive”, e quajti aferën kundër -Vjosë Osmanit, goca e Tiranës, nuse e Gjakovës, Alma Lama – gazetare, diplomate, deputete. Dhe, vërtet, i tillë është sulmi politik bizar e banditesk, që bëhet ndaj Presidentës të vendit, e cila pati një fitore të bujshme, pothuaj se, plebishitare, me tej 300 mijë votave, rast unik!
     Dy televizionet, veç të tjerëve, tashmë, me shikueshmëri shumicë, të njohura me debatet e organizuara, T7 dhe Dukagjini, gjithnjë, në shërbim të PAN-it kriminal, i bënë jehonë negativiteti operimit të presidentës Vjosë, në një klinikë private. Tek i pari, një gazetar, i cili, përgjithësisht, ka emër të mirë, përjashto tepërinë kritike, hiç të bazuar, për ish-presidentin Berisha; tek i dyti, me emisionin e tij simpatik te – dpt fidani -, që përcjellë ngjarjet politike, me shpoti imituese, me politikanë të djeshëm dhe të sotëm, si dhe deputetë e politikanë aktivë, këtë herë e tepëroi, duke banalizuar një çështje private, për ta sjellur, gadi, si krim publik.
    Kjo ishte nisma, për të vazhduar me politikanë sharlatanë, të shpëlarë politikisht e moralisht, me anatema individuale e kolektive, pse Presidentja kishte përzgjedhur një klinikë private, në vend të asaj publike. Fundja, aty kishte xhaxhain e saj, personel mjekësor.
     Shtrohet pyetja: A ka kushte spitali publik, i Prishtinës, për trajtimin mjekësor të personaliteteve shtetërore dhe të burgosurëve?
     Përgjigja e saktë është: Jo!
          Shëmbull:
     Tirana kishte dy spitale, nr.1 dhe nr.2, të thjeshta dhe të vjetra. Por, kishin repartin e ndarë për zyrtarët e lartë shtetërorë dhe qarkullimi ishte, rreptësisht, i kontrolluar. Këtë repart e kam vizituar, në vitin 1970, atëbotë, student, kur ishte e shtruar, halla e Asim Vokshit dhe Xhafer Vokshit, i pari Hero i Popullit, i dyti, i persekutuar politik, internimeve e burgjeve të diktaturës hoxhiste. Edhe pse në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë, ishte themeluar Organizata e Rinisë Komunise Shqiptare, kishte qenë bazë e luftës, ku ishin strehuar Qemal Stafa, Nexhmije Hoxha, me shokë e shoqe, persekutimi, deri në sakatosje, i kësaj familje ndodhi. Pas përfundimit të LDB ishin kthyer në Kosovë, për të jetuar përgjithonë.
     Në spitalin nr. 1, ishte reparti, ku kuroheshin të burgosurit. Ai ishte po aq i izoluar, sa edhe Burgu i Burrelit, i njohur si “Burgu i Vdekjes”! Përsonalisht, i kam provuar dhe kam vuajtur në këto dy burgje. Reparti spitalor për të burgosurit, ishte nën një kulm me spitalin civil, qytetar. Dera hyrëse ishte e ndarë. Auto-burgu, pa dritare, hynte në oborr, dera e hekurt mbyllej. Këtu përfundonte kontakti me oborrin, pa të drejtë ajrosje. Një derë komunikuese me spitalin, në korridorin e brendshëm, , por, me tre dryna, që nënkuptonte hapjen e autorizuar, nga policë dhe oficeri përgjegjës. Përveç mjekëve dhe inferemiereve të autorizuara, asnjë lëvizje tjetër.
    Për çudë, Prishtinës i mungon reparti për të burgosur! Policë të armatosur, ruajnë korridoreve dyert e dhomave, ku shërohen të burgosurit! Për turp, por jo pa qëllimshëm, lejohet kjo maskaradë. Kriminelë të bandave të “komandantëve” livadhisin dhe ikin kur të duan nga spitali. Fshehtësitë hetimore devalvohen, për t`i ndryshuar e zbutur, deri në banalitet, akuzat fillestare bazike, për penalitet. Ushqimet speciale nga familja dhe banditërit e lirë, u servirën kriminelëve, kinse, të prangosur!
     Sa ka siguri në spitalet publike të Kosovës?
     Banda e madhe PAN, ka kontaminuar e kriminalizuar shoqërinë kosovare, në të gjitha institucionet, përfshi edhe shëndetësinë. Shihni rezistencën mafioze në drejtësi, në ekonomi, për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin. “Ndërhyrje në drejtësi” –  e quajnë çdo nismë kontrolli e hetimi të veprave kriminale. Janë korracuar, forcërisht, qoftë në mbrojtje parandaluese për arrestim, qoftë të atyre, që, tashmë, janë arrestuar, për krime makabre kundër shqiptarëve të pafajshëm. PAN-i ka humbur çdo logjikë njerëzore, i ndodhur para fakteve të bollshme të krimeve serike.
     Ekziston një dokument, raport i bërë nga policia e UNMIK-ut: “Një tentim-vrasje politike, i mbijetuar me një plumb plagosje. Pacientin viktimë e dorëzuam në spital, bllokuam korridorin, duke lejuar hyrjen vetëm për personelin mjekësor. Pacienti ishte në gjendje stabile, fliste, kërkonte ndihmë, por ajo mungonte! Mjekët sorollateshin, nuk ishin të disponuar për ta shpëtuar viktimën. Ai vdiq nga gjakderdhja e shpenguar! Tërhoqëm kufomën për obdukcion!” Sigla dhe nënshkrimi – Policia e UNMIK-ut!
 
     Dhe, kur komandantët kriminelë vrasin një rinor, pse qenka anëtar aktiv e besnik i LDK-së, çfarë sigurije ka një Presidente, si Vjosë Osmani, e cila solli – ndryshimin -, i pensionoi, me votën e lirë demokratike: kriminelët vrastarë, makro-hajnat zyrtarë, haraçxhinjtë, tenderomanët korruptivë, grabitësit zhvatës të pasurive të brezave shqiptarë dhe patericat e tyre uzurpatorë, pushtetarë dhe shtetarë të dhunshëm?!
     Sulmet nervoze, gjithë mëri e mllef, pasuan kundër Presidentës, duke shkelur privatësinë elementare të saj, të drejtën për të përzgjedhur vend-shërimin dhe specialistin përkatës. Dhe, vazhdojnë anatemat banale: Zv. kryetari i PDK-së: “Për keqardhje mosbesimi i Presidentës në institucionet publike shtetërore!” Grupi i mjekëve të Kirurgjisë Abdominale: “Zhgënjyese që Presidentja nuk u trajtua tek ne!”
     TV Dukagjini: “Presidentja nuk i beson shtetit të vet! Kjo nuk është Vjosa jonë, Presidentja jonë! Kjo që na tradhton, ka tradhtuar vetën! Nuk i beson këtij vendi!” Dhe, në fund, shefi i emisionit shantazhon e kërcënon: “Qysh i kemi ndërruar të tjerët, do ta ndërrojmë edhe këtë!”
     I njëjti rrekët fort, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve. Secili i ftuar në studio, ballafaqohet me pyetjen: “Po tani që Rusia u shpall agresore, me sulmin e paprovokuar kundër Ukrainës, ndërsa Serbia mbështetëse e krimeve të saj, çfarë duhet bërë për “komandantët çlirimtarë”, që akuzohen për krime lufte në Hagë?!” Ndërkohë që, të izoluarit në Hagë ngarkohen, të paktën, për 100 krime, si: rrahje brutale, maltretime e tortura, deri në vrasje, të kundërshtarëve politikë, prej tyre 99 janë shqiptarë! Dhe, marrëzirat agjituese televizive nuk kanë fund!
     Opozita destruktive, PAN-i kriminal, i zhytur në krime e hajni zyrtare, ka humbur çdo sens të masës dhe akuzon pafrenueshëm! Ajo na kujton proverbin e përbotshëm: “Egërsira e plagosur, kafshon shëmtuar!”
     Andaj, lëreni të qetë, presidentën Vjosë Osmani, në shkëlqimin e saj Presidencial, o mjeranë dështakë!

Varfëria shpirtërore e intelektualëve!

0

Florim Zeqa

Secili njeri e ka një dhunti natyrore, por jo të gjithë dijnë ta shfrytëzojnë atë. Të lumtë ata që e zbulojnë veten, përpara se të abuzohen nga të tjerët! Njerëzit me shpirtë të pasur asnjëherë nuk bien pre e lakmisë, por digjen si qiriu për t’ia ndriçuar rrugën shoqërisë.

Urrejtja dukuri e shëmtuar e shoqërisë sonë

Ndër dukuritë më të shëmtuara të një qenje njerëzore janë; urrejtja, xhelozia, mendjemadhësia, karrierizmi, lakmia, interesi, etj, ku të gjitha së bashku e përbëjnë varfërinë e skajshme shpirtërore.

Këto dukuri janë të shfaqura më së shpeshti tek politikanët, intelektualët e fjetur dhe militantët partiakë. Mirëpo, për fatin e keq, viteve të fundit varfëria shpirtërore është bërë dukuri e shëmtuar e shoqërisë njerëzore në përgjithësi, e cila po na shkakton dëme të pariparueshme, ndarje dhe përçarje shoqërore të përmasave kombëtare.

Egoizmi, urrejtja, mendjemadhësia, karrierizmi, lakmia, xhelozia dhe inatet personale brenda shoqërisë sonë, i kanë arritur nivelet më të larta, të cilat shpesh kulmojnë me sulme verbale, sharje dhe ofendime nga më të rëndat.

Kur i dituri bie pre e varfërisë shpirtërore

Varfëria shpirtërore dhe morale e intelektualëve janë shpërfaqje e personalitetit të dyfisht dhe mungesës së edukatës familjare. Shpirtngushtësia dhe xhelozia e intelektualit janë varfëri shpirtërore e kthyer në urrejtje patologjike ndaj tjetrit që është më i ditur dhe më i ngritur.

Varfëria ekonomike nuk i dëmton njerëzit e ditur aq sa i dëmton egoizmi dhe varfëria e brendshme shpirtërore. Mund të ndodhë që njerëzit të vdesin nga uria si pasojë e varfërisë, por më e dhimbshme është “vdekja” e përditshme e njerëzve shkaku i shpirtit të varfër dhe egoist!

Njerëzit në këtë botë mund të jenë të pasur me para, të kenë pasuri enorme materiale, por nëse ju mungon pasuria shpirtërore, ju mungon gjithçka!

Thënë ndryshe, ka diçka që është më e rëndësishme në jetën e njeriut sesa ana materiale, pra është pasuria shpirtërore.

Varfëria shpirtërore e një intelektuali para së gjithash vjen si produkt i urrejtjes dhe xhelozisë. Dëshira apo ambicia për ta parë vetën të parë dhe mbi gjithë të tjerët, shpeshëherë edhe kokat më të mençura i bën të bien pre e varfërisë shpirtërore. Kurse ambicia dhe mendjemadhësia janë dukuri vrastare dhe armiku më i fshehtë i një intelektuali në ngritje e sipër!

Kur dikush mendon që i di të gjitha dhe e ndjen veten superior ndaj të tjerëve, atëherë ai vlen më pak se çdo njeri tjetër, bie në nivelin e një kafshe të uritur!

Njerëzit me shpirtë të pasur janë atdhetarë të vërtetë

Egoistëve dhe karrieristëve çdo herë u pengojnë sukseset e të tjerëve, ata mbeten të ngujuar në lëvozhgën e tyre dhe mundohen t’ua zënë diellin të tjerëve.

Shpërfaqja e varfërisë shpirtërore e një intelektuali vjen në shprehje, kur e sheh ngritjen e një personi tjetër me nivelin e njëjtë intelektual, dukuri e cila është prezente kudo në shoqërinë tonë, filluar nga nivelet më të ulëta e deri tek ato më të lartat, të nivelit akademik!

Intelektualë me shpirtë të pasur konsiderohen ata njerëz, të cilët e vendosin interesin e përbashkët shoqëror përpara vlerave materiale dhe interesit personal. Të tillët janë atdhetarë të vërtetë në kuptimin më të mirë të fjalës.

Intelektualiteti nuk është produkt i shkollimit të lartë dhe as i pasurisë materiale, por i edukatës familjare dhe dhuntisë natyrore (Zotit).

Shpirtëvarfërit i pengon suksesi i të tjerëve, gjë e cila i bënë ata të mjerë dhe të papërfillshëm në shoqëri, të cilët xhelozinë e kthejnë në urrejtje patologjike ndaj të tjerëve.

Përderisa në të kaluarën jo shumë të largët, per sukseset e një intelektuali, mburrej familja, lagja, fshati, qyteti dhe shoqëria në tërësi, sot intelektualin e shquar së pari e urrejnë kolegët, miqtë dhe të afërmit, injorantët dhe politikanët karrierist nga frika ngritjes së tij, kurse shumica e popullatës e admirojnë dhe respektojnë (edhe pa e njohur personalisht) në bazë të veprave të mira dhe kontributit vlerëmadh për vendin, shtetin dhe qytetarët në veçanti.

Pa dashur që ta personalizojë varfërinë shpirtërore të intelektualëve, shpirtgjerësia ime është e gatshme t’ua pranojë kërkimfaljen për gabimet e bëra ndaj meje, por asnjëherë nuk e preferojë hakmarrjen si mjet ndëshkimi, pasi hakmarrja i tejkalon përmasat e varfërisë shpirtërore të intelektualit dhe njeriut me edukatë të shëndoshë familjare.

“Fuqia e fjalës” dhe “Përtej asaj që shoh”, dy libra të sapobotuar të psikologes Lule Alidema nga Prishtina

0

Lule Alidema, Psikologe, Prishtinë

Me datë 16.11.2022 nxorra nga botimi dy botimet e mia të përkthyera në shkrimin BRAILLE (shkrim i dedikuar për persona të verbër).

Botimet: “FUQIA E FJALËS” (libër psikologjik) dhe botimin e dytë “PËRTEJ ASAJ QË SHOH” (me poezi). Mendoj se është suksesi më i arrirrë dhe më i vlerë ndër shumë suksese tjera të miat që arrita deri sot si profesioniste e psikologjisë. Këtë përkthim që bëra e pashë si shumë të nevojshëm në vendin tim dhe rajon, meqë deri tani nuk u bënë asnjëherë botime të tilla, me një fjalë ndjeva obligim që ti cytem me vullnetin dhe mundësinë time të kontriboj për këtë pjesë të shoqërisë.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Desha që përmes këtyre botimeve tu falim momente shikimi nga shikimi ynë personave që kanë mungesë shikimi. Rrugëtimi im në këtë drejtim nuk ndalon këtu, do të vazhdoj tutje të kontriboj deri në mundësinë e fundit!

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Me respekt, Lule Alidema, psikologe klinike Prishtinë

Si t’ua zbardhoj disponimin e jetën e personave me mungesë shikimi dhe tu falim momente shikimi nga shikimi ynë!

0

Nga: Lule Alidema, psikologe klinike, Prishtinë

SHPALOSJA E PROJEKTIT

Sytë! Dritare që na mundësojnë ta shohim botën, shohim të bukurën, diellin, ujin, lulet etj. D.m.th. krahas mendjes edhe sytë janë po aq me rëndësi për ekzistencën e njeriut. Ndoshta mund të mos e dijmë saktë rëndësinë pa e provuar mungesën, edhe atëherë që sado ti mbyllim sytë që ta provojmë se si duket bota kur mungon shikimi, dyshoj se prapë asessi nuk do të arrihet të kuptohet sepse është moment prove e jo jetë e tërë që jetohet si e tillë.

Këtë lloj jete e dijnë vetëm ata që po e jetojnë me sy e pa shikim, ata që dritë e kanë terrin, ata që të bardhën e kanë të zezë në secilën hapje e mbyllje sysh.

Për ata që është e njejtë dita dhe nata, pa asnjë dallim, e që dyat gjithmonë janë terri! Edhe pa shikimin jetohet, por si jetohet?!

Rëndë, rëndë, shumë rëndë jetohet. Pata rastin disa herë kur familjarë të antarit të tyre të verbër të kërkojnë ndihmë psikologjike, tu ndihmoj sadopak në aspektin emocional, tu bëj sado pak më të arsyeshme jetën e tyre brenda atij terri?!

Por si, çfarë tu them kurse për raste të tilla mungon fjala shpresëdhënëse, mungon gjithëçka. Nuk ka fjalë shpresëdhënëse që mund ta arsyetoj mungësën e shikimit! Andaj, ka vite e vite që jam duke menduar çfarë të bëj që sadopak të mundem të ju zbardhoj disponimin e jetën e personave me mungesë shikimi.

E diku që dy (2) vite e këtej që kur nxora botimet e mia ishte dëshira ime e madhe që këto botime ti përkthej në Alfabetin shqip me shkrimi e shenjave (BRAILLE ) por ishte e kushtueshme dhe vet nuk ja dola.

Andaj, kërkova dhe po kërkoj ndihmën tuaj!

E di mirë se sa mungesë literature kanë kjo kategori individësh, e di se sa do të lumturohen të posedojnë një libër për të lexuar ata vet.

Sadopak diçka vet ata të arrijnë të bëjnë për veten e vet (përjashtimisht rasteve që kanë mundësi të sigurojnë me mjete vetanake).

Nëse arrijë vetëm një javë ti bëj të lumtur derisa ata ti lexojnë librat që do tu dhuroj do të thotë shumë për mua e që e besoj shumë edhe për juve që shprehni gatishmëri të më ndihmoni.

Zgjodha botimet e mia, jo pse janë të miat e që unë jam autorja, por i zgjodha sepse brenda botimeve të mia si në asnjë botim tjetër ka shumë këshilla për jetën, ka motiv, ka shpresë, ka dashuri etj. e mbi gjitha janë shkrime që përkojnë me realitetin e njeriut sot. Ata që patën rastin ti lexojnë botimet e mia e dijnë sa saktësi e origjinalitet ka brenda botimeve të mia.

Janë të përfshira edhe disa nga shkrimet që kam publikuar këtu për ju! Ju që më lexuat u ndjehët mirë përsa më lexuat, andaj të njejtën ndjësi desha të ja dhuroj edhe personave me mungesë shikimi, dhe ata të bëhen pjesë e komunitetit tonë në aspekt shikimi.

Fillimisht mundësia ime më lejon ti botoj 5 ekzemplarë (libra) të botimit me ese psikologjie “FUQIA E FJALËS” dhe 5 ekzemplarë (libra) nga botimi imi me poezi “PËRTEJ ASAJ QË SHOH”.

Çmimi për botimin e librit për një egzemplarë shkon diku 56.49 euro ndërsa për botimin e librit me poezi shkon 31.50 euro. Kuptohet ata që kontribuan dhe kontribojnë në shuma më të mëdha do ti citohet emri si donator i botimit.

D.m.th. çdo kush që shprehë gatishmëri të kontriboj unë mund ta ribotoj sërish (e lë mundësinë e hapur).

Dy librat e botuar (me shkrimi e shenjave Braille) do të ipen falas nëpër gjitha Shoqatat e të verbërve anembanë ku ka Shqiptar dhe në Biblotekën e të verbërve “SYRI YNË” në Prishtinë.

Theksoj: Mjetet që dërgoni në xhirollogari direkt barten në shtëpinë botuese pa u tërhequr asnjëherë, dmth çdo cent juaji do të bëhet libër me shkrimin-braille.

Ju falemnderoj deri në qiell për besimin dhe përkrahjen!

Mbesë me shpresën se dhe ju e pëlqyet idenë e projektit tim.

Ju falemndëroj që së pari mua ma mundësuat që dëshira ime e kahmotshme të realizohet që tu ndihmoj në një formë kësaj kategorie të shoqërisë tonë, dhe së dyti ju falemnderoj që do ti dhuroni diçka me vlerë e relaksuese personave që kanë nevojë për ndihmën tonë. PRA TU FALIM MOMENTE SHIKIMI NGA SHIKIMI YNË!

Lule Alidema Psikologe Klinike

Fjalimet historike të Ismail Qemalit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 Nëntor 1912 nl

0
Nga Sheradin Berisha
* Në 110 vjetorin e Kuvendit të Vlorës, më 28.11.1912
Kuvendi i Vlorës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX-të. Kuvendi u mbajt më 28 nëntor 1912. Punimet i hapi në orën 16:00 pasdite, në shtëpinë e kusheriut të Ismail Qemalit, Xhemil Beut. Morën pjesë 42 delegatë.
Në kuvend i pari foli Ismail Qemali.
Ai me këtë rast ka thënë (sjellim origjinalin):
“Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin’e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjett e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t’u shpëblejë me të mirë Shqiptaret shërbimet e mëdhá qi i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t’onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s’po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ qi un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdhá qi kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqije. Ky mendim u pa me vênd edhe nga an’e Pushteteve të mëdhá e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t’anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare…” (*)
————-
*) Burimi, revista “Flamuri”, botuar në korrik Shëndre 1952, Nr.31-36, fq.3, Romë, dhe simotra e saj “Besa”, nânduer 1954, Nr.15, Istanbul. Ky fjalim u botua edhe te Kujtimet e Mustafa Merlika Krujës, “Të shpallët e Pamvarsisë”)
***
Ismail Qemali pasi foli për gjendjen dhe rrezikun në të cilën ndodhet Shqipëria, delegatët njëzëri vendosën “që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Pastaj Kuvendi për Kryetar të Qeverisë së përkohëshme zgjodhi Ismail Qemalin, ndrësa për nënkryetar Dom Nikoll Kaçorrin. Pas përfundimit të punimeve në orën 17:30 Ismail Qemali bashkë me delegatët dolën në ballkonin e shtëpisë për të ngritur Flamurin, dhe me këtë rast ai mbajti një fjalim para masës së tubuar.
Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit
Vlorë, 28 Nëntor 1912
VËLLEZËR SHQIPËTARË!
Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.
“Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveries së përkohshme të Shqipërisë së lirë.”
“Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e lirit (e ullirit – sh.b) pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithnjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; këjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.
Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëvet që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoj mua ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe natyrisht të pshehur nën pallto dhe pasi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët (masa – sh.b), posa e shohin Flamurin, thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar (mbrojtur), për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë, Flamuri i ynë, n’atdheun t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri
Rroftë Shqipërija” (**)
——————
**) Fjalimi i Ismail Qemalit gjindet në Arkivin Qëndror Shtetror në Tiranë, në Fondin 245/II, Dosja 1. faqe 43, dhe i njejti është publikuar nga Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shtetit, në librin: “Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh) 1888 – 1919”, të botuar nga Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1982, faqe 231-232).
Mund të jetë një imazh i 1 person

Stafeta e fundit “e rinisë” në vitin 1987 dhe redaktori-udbash që edhe sot e “udhëheq” një televizion privat!

1
Nga: Sami Islami, Londër
STAFETA E FUNDIT
Viti 1987 ishte viti kur për herë të fundit anë e kënd Kosovës u bart, e ashtuquajtura, „stafeta e rinisë“. Kështu quhej atëherë kjo stafetë që lidhej me ditëlindjen e presidentit dinak të Jugosllavisë së atëhershme, Titos. Është e çuditshme të theksohet se kjo stafetë , edhe pas 7 vjetësh, që kur kishte vdekur presidenti, vazhdonte të festohej në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë.
Si zakonisht, edhe këtë vit, pra, të rinj e të reja në tërë Kosovën po e prisnin dhe e përcillnin me këngë e valle stafetën. Mirëpo kjo qe stafeta e fundit , e cila do të mbahet mend edhe për faktin se në këtë vit, në Prishtinë, një grup studentësh për pak sa nuk arritën ta rrëmbenin këtë stafetë, me qëllim që ta hedhnin në kanalizim! Por shpëtoi! Dhe si duket ky qe ndoshta edhe „mësimi“ që kurrë më nuk u prit as nuk u përcoll stafeta!
Megjithatë, edhe këtë vit, partiakët, të përkushtuarit e regjimit, bënin ç’mos, që kjo pritje e përcjellje e stafetës të shkonte si është më së miri. Bile po të ishte puna që ata të pyeteshin për stafetën, zoti e di se edhe sa vite do të zgjaste kjo.
Në televizionin e atëhershëm, disa partiakë, komunistë të devotshëm, frymën e „vëllazërim-bashkimit“ donin ta zgjatnin edhe me tej! Edhe pse dukej qartë se Serbia po bënte plane ndër më ogurzezat për shqiptarët, kjo nuk u bënte përshtypje partiakëve! Duke qenë se punonin në media, ku kjo punë do të dukej më së shumti, përpiqeshin të jepnin maksimumin, për ta ruajtur sistemin që i kishte ditët e numëruara.
Unë punoja atëherë në këtë medium, pra në televizion. Një ditë kisha punë në montazhë (Montazhë quhej vendi ku bëhej montimi i filmave). Aty do ta përgatisja një emision dhe, derisa po prisja të vinte montazheri, ndërkohë, kishin ardhur disa kolegë të mi të programit dokumentar, bashkë me redaktorin e tyre. Redaktori ishte njeri i pushtetit. Kishte një pamja trashalluke, me kokë të vogël. Dukej sikur nuk kishte qafë fare, sepse koka e vogël dukej sikur ishte futur në krahëror! Kishte një bark sa gati nuk ia prekte gjunjët! Zakonisht veshte këmishë, të cilën e hedhte mbi pantollona. Nuk mbate rrip të brezit, po as nuk do t’i hynte në punë, se zor se do ta përthekonte barkun e tij sa një kosh! Pantollonat i mbante me rripa mbi supe! Mbante syze të rrumbullakta, sa të lente përshtypjen e një udbashi të regjur. Ata e kishin sjellë edhe montazherin e tyre me vete. U ulën rreth tavolinës së montazhës dhe ishin gati për ta shikuar emisionin, që paraprakisht e kishte përgatitur kolegu im i programit dokumentar. Fundja kjo kontrollë kishte të bënte drejtpërdrejt me syçeltësinë e autorit, se a mos kishte ndonjë gjë politike në emisionin e tij. Prandaj ai edhe dukej pak si i merakosur. Personi tjetër që ishte me ta, me gjasë, ishte në shoqërim të redaktorit.
Në makinën e vjetëruar, montazheri e vendosi shiritin filmik. E startoi filmin dhe në ekran filloi të shfaqej rrugëtimi i stafetës nga një vend në tjetrin. Atmosfera e hareshme e të rinjve i jepte gjallëri emisionit. Këtë atmosferë e plotësonte natyra e bukur pranverore e Kosovës, me gjelbërimin e pafund, me lulet e freskëta të kësaj stine. Në disa sheshe ishin ngritur edhe tribuna, ku dukeshin partiakët duke mbajtur fjalime! Tribunat ishin poashtu të rregulluara bukur me flamuj shtetëror dhe kombëtarë. Dukeshin djem e vajza shqiptare, të veshura me kostume kombëtare…
Të gjithë që ishin aty po e ndiqnin stafetën (filmin) me interes. Unë, duke mos pasur se çfarë të bëja, fillova edhe unë ta shikoja sa për ta kaluar kohën! Në këtë mes dallohej sidomos udbashi (redaktori) , i cili i kishte bërë sytë katër, sa kishe bindjen se edhe pak e do të futej brenda në ekranin e vogël! Nuk di se sa minuta kaluan duke e ndjekur filmin dhe për një çast, qetësinë e theu e zëri i udbashit , i cili në mënyrë autoritative i tha montazherit:
“ Stop!” Ndale filmin këtu! Afroje pakëz! Përqëndrohu në këtë skenë! Pak më majtas! Pak më djathtas! Stop! Dhe në ekran tani dukej vetëm një fotografi filmike e ngrirë! Në këtë moment ai u mbështet në karrige ( se deri atëherë kishte pasur qëndrimin të kërrusur), duke e zgjatur kokën në drejtim të ekranit. Mori pozicionin vertikal, u shlirua pakëz dhe duke mos i hequr sytë edhe më nga ekrani, sikur të kishte zbuluar ku ta dish se çfarë, iu drejtua atij mikut që kishte ardhur me të, me fjalët:
– A po e sheh?
– Po, tha miku i tij mjaft serioz (ashtu siç ishte vazhdimisht).
– Ti , a po e sheh?- i tha edhe autorit.
– Po, tha edhe autori i emisionit , me një lloj pendimi, sikur të kishte bërë ku ta dish se çfarë faji.
Kur e dëgjova këtë bisedë, e sidomos fjalët e redaktorit “a po e sheh” u bëra kurreshtar, u afrova më afër të shihja se çfarë do të jetë kjo, vallë, që të tretë po e “shihin”. Për çudi unë nuk po shihja asgjë! Nuk u durova më gjatë dhe e pyeti redaktorin:
-A po më tregoni, çfarë po shihni, se unë vërtetë s’po shoh asgjë!?
-Nuk po ta zë për të madhe, se ti nuk je për këtë punë! – më tha ai si me ironi! Më erdhi inat , po insistova me ngulm ta mësoja këtë „zbulim“ të tyre!
-Mirë.- tha redaktori, a po e sheh këtë vajzën këtu me qifteli në dorë?
-Po, e shoh, i thashë , por çfarë të keqe paska këtu!?
-A po e sheh se në qifteli po shkruan “Shqipëria”?!
-Edhe …?!
– Si edhe….?! A e di ti që, po të dali nesër kështu në TV çfarë skandali do të bëhej?! Unë do të fluturoja nga vendi im i punës! Se puna ime është kjo, të mos lëshojmë asnjë gjë që del ndesh me politikën programore! Ne e ndjekim rrugën e partisë…
-Aha, tani e mora vesh se ku po qëndruaka puna! Tani m’u kujtua se ai ishte edhe sekretar partie!
– A di çfarë shoku redaktor , se atëherë me “shok” i drejtoheshim njëri-tjetrit, e mira do të kishte qenë që emrin “Shqipëri” ta heqim fare! Ta shlyjmë fare ! E, si thua ti?- i thashë edhe unë pak me ironi.
I lashë duke “punuar, se në atë kohë i erdhi edhe montazheri im. Por, në të njejtën kohë, po medoja: “Si qe e mundur që redaktori ta “vërente” një gjë të tillë, që për mendimin tim as antishqiptari më i rryer, nuk besoj se do ta kishte “vërejtur” një gjë aq të parëndësishme.
Dhe ironia e kohës nuk përfundon këtu. Ky redaktori atëhershëm edhe sot në demokraci “udhëheq” një television privat në Kosovë!