Kreu Blog Faqe 136

Maria Pukaj, shembull i përkryer i integrimit

0

Tom Pergjoka, Gjermani

Maria Pukaj është një shembull i shkëlqyeshëm i integrimit të suksesshëm dhe i humanizmit. Pasi la Kosovën për një jetë në Zvicër, ajo theu barrierat gjuhësore përmes vullnetit, kreu shkollimin e merituar dhe tani mban pozicione udhëheqëse në një azil pleqsh në Basel. Për më tepër, ajo udhëheq misione bamirësie, duke ndihmuar shtëpinë e fëmijëve në Leskoc të Klinës.

Largimi nga vendlindja dhe fillimi i një jete të re në një shtet krejtësisht tjetër sjell gjithmonë sfida të mëdha. Kjo është e vërtetë për shumë gra nga Kosova, të cilat, kur migrojnë në Zvicër në moshë të rritur, përballen me vështirësi të shumta, përfshirë pengesën e madhe për të mësuar gjuhën gjermane që është një gjuhë mjaft e vështirë. Megjithatë, historia e Maria Pukajt është dëshmia më e mirë se me vullnet dhe këmbëngulje, jo vetëm që mund të kapërcehen këto sfida, por mund të arrihen nivele të larta suksesi dhe kontributi për shoqërinë.

Integrimi përmes dijes dhe punës

Maria Pukaj u lind dhe u rrit në Kosovë, një vend ku rrethanat e kohës nuk ia kishin mundësuar kryerjen e shkollimit së dëshiruar. Me ardhjen e saj në Zvicër, ajo nuk u dorëzua përballë vështirësive. Përkundrazi, ajo e kuptoi menjëherë se çelësi i integrimit ishte gjuha.

Fillimisht, Maria ndoqi me përkushtim kurset e gjuhës gjermane dhe arriti ta zotërojë atë në një nivel që i hapi dyert për më tej. Duke shfrytëzuar mundësitë që ofron sistemi zviceran, ajo kreu me sukses shkollimin profesional për kujdesin shëndetësor: Fachfrau Gesundheit (asistente e kujdesit shëndetësor). Kështu, ajo arriti të kompensojë atë që i mungonte vite më parë në Kosovë. Aftësitë e fituara dhe përkushtimi i saj në punë bënë që ajo sot të kryejë me sukses detyra udhëheqëse në një azil pleqsh në qytetin e Baselit duke u bërë kështu një profesioniste e respektuar.

Zemra që rreh për vendlindjen

Përkundër suksesit dhe jetës së ndërtuar në Zvicër, Maria Pukaj nuk e ka harruar kurrë vendin e saj të origjinës. Ajo është shndërruar në një mbështetëse të palodhur për Shtëpinë e Fëmijëve në fshatin Leskoc të komunës së Klinës, që është një qendër e njohur nën menaxhimin e Caritas Umbria, e themeluar menjëherë pas luftës (1999) nga një familje humaniste italiane.

Ajo nuk kufizohet vetëm në ndihma financiare. Çdo vit, Maria udhëton drejt Kosovës e shoqëruar nga një grup vullnetarësh dhe donatorësh zviceranë. Grupi qëndron atje për një javë duke punuar ngushtë me stafin e qendrës dhe duke ndihmuar me punë të ndryshme praktike që lehtësojnë funksionimin e përditshëm të kësaj shtëpie dhe përmirësojnë kushtet e jetesës për fëmijët.

Historia e Maria Pukajt është një mesazh frymëzues për të gjithë. Ajo tregon se si një grua shqiptare arriti të integrohet në mënyrë të përkryer në shoqërinë zvicerane dhe, në të njëjtën kohë, të mbetet një mbështetëse aktive dhe zemërgjerë për fëmijët në nevojë në Kosovë.

Ai që ishte për ta “ndihmuar popullin vëlla palestinez” në Rripin e Gazës, ai tash është më i zëshmi kundër Izraelit në Zvërnec

0
Interesante krejt ajo çfarë po ndodh rreth Zvërnecit. Merre me mend, ai tipi që u ndalua në Izrael para disa ditësh, teksa kishte shkuar atje për të ndihmuar “popullin vëlla të Gazës”, tani atë dhe njerëz të tjerë si ai po i shohim në ballë të protestave, duke bërtitur: “Poshtë Izraeli!”.
Nënteksti është, “Poshtë Amerika”. Mos harroni, shqiptarët shpesh kanë rënë në grackat e ngritura nga shtete dhe shërbime të huaja antishqiptare, pa e kuptuar, ose duke e kuptuar vetëm dekada më vonë. Viti 1997 në Shqipni apo marsi i vitit 2004 në Kosovë e dëshmojnë më së miri këtë dhe do të duhej të ishin mësim.

Harresa ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit, është mëkat i pafalshëm

 

Arif Ejupi, Gjenevë

Harresa, apo heshtja e qëllimshme ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor serb, është një nga mëkatet më të rënda që mund t’i bëhet kujtesës sonë kombëtare.

Historia nuk ndërtohet vetëm me emrat që përmenden shpesh në tubime, libra, akademi përkujtimore apo pllaka memoriale.

Ajo ndërtohet edhe me emrat e heshtur, me njerëzit që u gjendën në çastet më të vështira, që nuk matën rrezikun, që nuk pyetën se cilës parti, fisi apo krahu i përkisnin viktimat, por vepruan sipas ndërgjegjes njerëzore dhe atdhetare.

Një ndër këta emra është Isak Hajdini – Xhaka nga Shtedimi i Podujevës, i cili përmendet rrallë, për të mos thënë fare, ndonëse akti i tij meriton respekt, dritë dhe vend të denjë në kujtesën historike të Llapit dhe të Kosovës.

Më 30 maj 1989, në Shtedim të Podujevës, në një përballje të rëndë me forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, u plagos rëndë Ali Ajeti, i cili ra për të mos vdekur kurrë. Në atë çast të rrezikshëm, kur frika mund ta stepte secilin njeri, Isak Hajdini – Xhaka shkoi në vendngjarje dhe u përpoq t’i dilte në ndihmë Aliut.

Ky ishte një veprim i jashtëzakonshëm njerëzor dhe burrëror. Isaku nuk u largua nga rreziku. Nuk zgjodhi heshtjen. Nuk qëndroi mënjanë si spektator i tragjedisë. Ai iu afrua vendit ku gjaku i një shqiptari po derdhej nga plumbat e pushtuesit. Pikërisht aty, duke u përpjekur të ndihmonte Aliun, ai u kap nga policët serbë dhe u rrah egërsisht.

Si pasojë e plagëve të marra nga ajo dhunë çnjerëzore, Isak Hajdini – Xhaka, atëherë rreth 50-vjeçar, ndërroi jetë më 4 qershor 1989 në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Kjo vdekje nuk ishte vdekje e zakonshme. Ajo ishte pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës së pushtetit serb ndaj një njeriu që kishte guxuar të tregonte solidaritet, trimëri dhe ndjenjë të lartë njerëzore në një moment dramatik.

Familja Ajeti, me të drejtë dhe me nder, vazhdimisht e ka kujtuar dhe e kujton aktin heroik të Isak Hajdinit – Xhakës. Ky kujtim nuk është vetëm mirënjohje familjare. Është dëshmi se ndërgjegjja popullore shpesh di të ruajë të vërteta që institucionet, botimet e mangëta apo kronikat selektive i lënë në harresë.

Prandaj, ngjarje të tilla nuk duhet të mbeten vetëm në kujtesën gojore, as vetëm në rrëfimet familjare. Ato duhet të trajtohen me seriozitet, me dokumente, me dëshmi dhe me përgjegjësi shkencore.

Historia e Kosovës ka nevojë për historianë që shkruajnë drejt, pa emocione të tepruara, pa anime partiake, pa interesa klanore dhe pa përzgjedhje të qëllimshme të figurave.

Vetëm kështu thuhet e vërteta. Ka ardhur koha që për periudhat e rënda të rezistencës shqiptare të shkruhen botime cilësore, të mbështetura në fakte dhe dëshmi të verifikueshme.

Nuk na duhen më pirgje librash që mjegullojnë realitetin, që lartësojnë disa duke harruar të tjerët, apo që shërbejnë për interesa individësh, grupesh e klanesh të caktuara.

E vërteta historike nuk duhet të ketë pronarë. Ajo u takon të gjithë atyre që vuajtën, rezistuan, ranë, u plagosën, u torturuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.

Në këtë kuptim, emri i Isak Hajdinit – Xhakës meriton të përmendet me respekt të veçantë.

Ai nuk ishte vetëm dëshmitar i një ngjarjeje të rëndë. Ai ishte pjesë e saj. Ai ishte njeriu që, në vend se të largohej nga rreziku, iu afrua plagës së atdheut.

Një popull që harron njerëz të tillë, rrezikon të varfërojë jo vetëm historinë, por edhe ndërgjegjen e vet.

Lavdi martirit të demokracisë, Ali Ajeti!
Nderim i përjetshëm aktit heroik të Isak Hajdinit – Xhakës!

Njeriu real, Antonio Costa

0

Gani I. Mehmeti

ANTONIO COSTA,SIPAS DEKLARATËS SË TIJ, ËSHTË REAL, TË SHOHIM PAS VIZITËS SË TIJ TË SHTETEVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të vizitojë gjashtë vendet partnere të Ballkanit Perëndimor, Malin e Zi, Maqedoninë Veriore, Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.

Sipas deklaratës së tij, ai duket si një pedagog, kur përpiqet me fjalë të mira të tërheqë nxënësit e tij në dëgjim dhe në afrim rreth ligjëruesit apo mësuesit. Mirëpo, edhe në aso raste ndodh të dalë ndonjëri nga të thejë rregullat e lojës.

“Vizita ime në rajon dërgon një sinjal të qartë: Angazhimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është real, ashtu siç është reale edhe mundësia për zgjerimin e Bashkimit Europian.

Momenti është i favorshëm. Tani është koha për të dhënë rezultate”, ka shkruar Costa në “X”, marrë nga “Kosova Sot Online”.

Është fort mirë që Kryetari i Këshillit Europian, vetë interesohet për të gjitha shtetet e Ballaknit Perëndimor, por do të shohim sa do ia arrijë me Vuçiqin, sepse ai nuk duron t’i thuhet se Kosova është e pavarur. Kështu e kanë mësuar ndërmjetësuesit e mëparshëm për dialogun Kosovç – Serbi, Lajçak e Borell.

Këtu, te shtetet e Ballkanit Perëndimor kemi një shtet me emrin Serbi, që deri tani rregullisht ka qenë  padëgjueshëm ndaj të gjithë atyre që janë përpjekur ta ofrojnë me Bashkimin Europian. E, kjo është Serbia, që ka në krye të saj kryetarin Aleksandër Vuçiqin, një bashkëpunëtor i ngushtë i Milloshweviqit, që Europa sikur ka futur veshët në lesh dhe asnjëherë nuk është marrë me të, madje edhe duke u paraqitur arrogant ndaj Europës dhe Bashkimit Europian. Ky është deklaruar sikur edhe nuk është i interesuar fare për të hyrë në BE. Dhe tani, a mund të hyjnë në një thes të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndomor, kur nuk e duan të gjitha njësoj BE-në. Serbia ia ka kthyer shpinën BE-së dhe SHBA me kohë, sepse është I orientuar kah Rusia dhe Kina, prej të cilave merr gjithçka, deri edhe armatimin më modern.

Ne të tjerët nuk jemi kundër saj, por ajo është kundër nesh, prandaj nuk mund të jemi me të, nuk shkojmë bashkë. Edhe ne jemi me BE-në, por me Serbinë janë problemet, jo vetëm nga sot. Serbia doli e padëgjueshme ndaj sanksioneve me Rusinë, madje, ajo është afruar edhe më shumë me Rusinë e Kinën prej kur sulmoi Ukranin, sepse kanë qëllime pushtuese të dyja ndaj shteteve të tjera.

Unë do të uroja Antonie Costa po mundi ta afrojë Serbinë me Bashkimin Europian,sepse këso fare, do të thotë se ajo do të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, që e ka si kusht nga BE. Por, Vuçiqin nuk kanë mundur ta ofrojnë me BE-në dy ndërmjetësuesit pro Vuçiqit, Lajçak e Borell, ndërsa Kosta, Kallas e Sorensen, do ta kenë edhe më vështirë, sepse ai nuk e pranon relitetin e ri me Kosovën, nuk i normalizon marrëdhëniet me të. Jo, sepse normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, do të thotë duhet ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

“Costa pritet të zhvillojë takime me liderët e vendeve të rajonit për të diskutuar procesin e integrimit evropian dhe reformat e nevojshme në këtë drejtim”. /Telegrafi/

Gjithsesi, ne do të urojmë Antonio Kostën, nëse arrin ta afrojë Serbinë me Bashkimin Europian. Ai ka nisur mirë me të mirët, me ata që nuk kanë qëllime hegjemoniste e pushtuese të tokave të shteteve fqinje.

Mbetet të shohim, por vështirë do ta ketë!

Propaganda më e rrezikshme nuk të thotë: “mos u zhvillo”, ajo të thotë: “po mbron diçka të drejtë”

0
Shqiptarët po manipulohen mendërisht prej propagandave të të gjitha anëve: prej auditorëve të universiteteve në Tiranë, deri te TikTok-u i një adoleshenti në një fshat të Kosovës që radikalizohet dalëngadalë.
Në Zvicër, stacionet alpine, hotelet, kompanitë, aksionet bankare e infrastruktura strategjike blihen nga fonde të huaja. Credit Suisse kishte aksionarë të mëdhenj nga Katari, kompani kombëtare kanë kapital të huaj, e askush nuk e quan këtë “tradhti kombëtare”.
Ndërsa në Shqipëri, propaganda arriti me ia mbushë mendjen njerëzve se po “mbrojnë natyrën” duke ruajtur disa shkurre si pasuri të shenjta, vetëm që mos me u zhvillu turizmi, mos me hy kapitali, mos me u kriju vende pune dhe mos me pasë të ardhura reale për qytetarët.
Propaganda më e rrezikshme nuk të thotë: “mos u zhvillo”. Ajo të thotë: “po mbron diçka të drejtë”, ndërkohë që në fund e bën autogol — ekonomik, shoqëror dhe individual.

Nëse hiqen UÇK-ja, Rugova dhe urrejtja ndaj Kurtit, çfarë mbetet nga programi politik i opozitës?

1
KUR FANTAZMAT POLITIKE ZHVILLOJNË FUSHATË DHE KRERËT E OPOZITËS MBAJNË SHËNIME
Në politikën kosovare po zhvillohet një fenomen i rrallë shkencor: partitë që dikur pretendonin se ishin lokomotivat e historisë, sot sillen si pasagjerë të humbur që kërkojnë ndihmë nga stacionet e së kaluarës.
Fushata e tyre zgjedhore nuk ngjan me një garë idesh, por me një seancë spirituale, ku liderët politikë përpiqen të komunikojnë me fantazmat e historisë për ta shpëtuar vetveten nga realiteti.
Dhe secila parti e ka lutjen e saj.
PDK e ka lutjen : “Oj UÇK, eja mbuloma turpin!”
Ajo ndodhet në një situatë të sikletshme, sepse sa herë që qytetarët e pyesin për korrupsionin, tenderët, kapjen e shtetit dhe pasurimin marramendës të elitës partiake, ajo nuk përgjigjet me argumente.
Ajo përgjigjet me UÇK-në.
Është njësoj sikur një nxënës i kapur duke kopjuar në provim të mos mbrohet duke e dëshmuar pafajësinë, por duke i treguar fotografitë e gjyshit të tij hero.
Prandaj slogani i saj real duket kështu :
“Oj UÇK, eja mbuloma turpin, se më zuri Albin Kurti duke vjedhur, duke mashtruar dhe duke e trajtuar shtetin si pronë private.”
Problemi është se edhe historia i ka kufijtë e saj.
Heroizmi nuk është detergjent universal që i lan të gjitha mëkatet politike.
LDK e ka lutjen : “O Rugovë, eja na shpëto!”
LDK-ja, një parti që dikur prodhonte ide, vizione dhe liderë, sot sillet si trashëgimtar i pasurisë së dikujt që e ka shpenzuar prej kohësh kapitalin e trashëguar.
Sa herë që nuk di çfarë të thotë, ajo e thërret Rugovën.
Sa herë që i humb zgjedhjet, ajo kërkon ndihmë nga Rugova i ndjerë.
Sa herë që nuk arrin t’i bindë qytetarët, ajo sërish e thërret Rugovën.
Sikur Rugova të ishte një lloj aplikacioni politik që instalohet sa herë që sistemi i partisë pëson kolaps.
Prandaj slogani i saj i vërtetë mund të ishte:
“O Rugovë, eja na ndihmo ta mundim Albinin me mençurinë tënde, sepse me mençurinë tonë nuk po arrijmë dot.”
Kjo ngjan me një ekip futbolli, i cili ka tridhjetë vjet që luan pa trajner, por vazhdon t’ia tregojë kundërshtarit fotografitë e ish trajnerit legjendar me shpresën se ai do të trembet.
AAK e ka lutjen : “O Radojko, mos u dorëzo!”
AAK-ja, është një parti private, që prej vitesh e ka shndërruar konfliktin me Kurtin në program politik.
Në mungesë të ideve të reja, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë apo vizionit për të ardhmen, gjithçka reduktohet në një mision të vetëm:
“Të ndalet Albin Kurti.”
Kështu që slogani i saj satirik mund të tingëllojë kështu :
“O Radojko, mos iu dorëzo Kurtit.”
Sepse kur politika qyqare nuk arrin të krijojë shpresë, ajo fillon të kërkojë aleatë kudo — madje edhe aty ku logjika budallaqe e vendos tabelën “rrugë pa dalje”.
Përfundimi
Në fund, qytetari kosovar po e ndjek një spektakël interesant.
PDK-ja fshihet pas UÇK-së.
LDK-ja fshihet pas Rugovës.
AAK-ja fshihet pas Radojkit.
Ndërsa pyetja që vazhdon të mbetet pa përgjigje është shumë e thjeshtë:
Nëse hiqen UÇK-ja, Rugova dhe urrejtja ndaj Kurtit, çfarë mbetet nga programi i tyre politik?
Dhe pikërisht heshtja që pason pas kësaj pyetjeje është slogani më i sinqertë i opozitës.

Kur maskat zbresin në Vlorë: toka shqiptare nuk është plaçkë pazari!

0

Luan Dibrani, Gjermani

Vlora nuk është tokë dosido – është zemra e flamurit

Kur në tokën e Vlorës, aty ku u ngrit flamuri i pavarësisë shqiptare, shfaqen njerëz të maskuar, roje private, dhunë ndaj qytetarëve dhe heshtje institucionale, atëherë nuk kemi më thjesht një debat prone. Kemi një provë të rëndë për shtetin shqiptar, për dinjitetin kombëtar dhe për të ardhmen e bregdetit tonë.

Zvërneci, Sazani, Narta dhe Vlora nuk janë thjesht emra gjeografikë. Janë pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Janë pjesë e trupit të Shqipërisë. Janë toka ku historia, deti, natyra dhe gjaku i brezave bashkohen në një amanet të madh: mos e prekni tokën shqiptare pa pyetur popullin shqiptar!

Ngjarjet e këtyre ditëve në Zvërnec nuk mund të kalojnë si një kronikë e zakonshme përplasjeje mes banorëve, policisë dhe rojeve private. Ato janë shenjë alarmi për një plagë shumë më të thellë: raportin e shtetit shqiptar me qytetarin, me pronën, me transparencën dhe me interesin kombëtar.

Kur qytetarët dalin në protestë për tokën, për pronën, për bregdetin, për historinë dhe për frikën se pas fjalëve të bukura fshihen pazare të mëdha, shteti nuk duhet të përgjigjet me heshtje, me maska, me gardhe dhe me dhunë. Shteti duhet të përgjigjet me dokumente, me transparencë, me ligj dhe me respekt.

Vlora nuk është një copë tokë dosido. Vlora është zemra ku u ngrit flamuri. Është porta e detit shqiptar. Është kujtesa e pavarësisë. Është vendi ku kombi shqiptar i tha botës se nuk do të jetonte më nën hijen e huaj. Prandaj, çdo veprim në Vlorë ka peshë më të madhe se një kontratë, më të madhe se një projekt turistik, më të madhe se një investim luksoz.

Vlora nuk mund të trajtohet si mall tregu. Sazani nuk mund të shihet si pronë pa shpirt. Zvërneci nuk mund të kthehet në arenë ku qytetari shqiptar përballet me maska, ndërsa institucionet numërojnë heshtjen.

Çdo projekt në Vlorë, në Sazan, në Zvërnec, në Nartë apo në çdo cep të bregdetit shqiptar duhet të kalojë përmes një pyetjeje themelore: a i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo vetëm interesave të ngushta të pushtetit, oligarkisë dhe parasë së madhe?

Kur shteti hesht, maskat flasin

Në Zvërnec pamë pamje që tronditën opinionin publik: njerëz të maskuar, roje private, përplasje me banorët, përdorim force, qytetarë të tërhequr zvarrë, policë që nuk dhanë menjëherë përgjigjen që pritej nga një shtet serioz.

Kur në një territor shqiptar veprojnë njerëz të maskuar përreth një projekti privat, pyetja e qytetarit është e thjeshtë: kush i autorizoi, kush i kontrollon dhe kujt i shërbejnë?

Kjo nuk është vetëm çështje juridike. Është çështje kombëtare.

Një shtet serioz nuk i frikësohet qytetarit të vet. Një shtet serioz nuk rri në hije kur banori shtyhet, goditet apo poshtërohet. Një shtet serioz nuk lejon që në tokën shqiptare të krijohet përshtypja se ligjin e bëjnë maskat, jo institucionet.

Ajo që ndodhi në Zvërnec është një provë për shtetin. Nëse shteti mbron qytetarin, ai është shtet. Nëse shteti hesht para rojeve private, ai bëhet shërbëtor i parasë. Nëse shteti fsheh kontratat, ai humb besimin. Nëse policia qëndron në distancë kur qytetari përballet me maska, atëherë pyetja nuk është më vetëm “kush e goditi qytetarin?”, por “ku ishte shteti?”

Dhe kjo pyetje sot rëndon mbi Vlorën, mbi Tiranën dhe mbi gjithë Shqipërinë.

Sepse kur maska del mbi ligjin, shteti është në krizë.
Kur paraja del mbi qytetarin, demokracia është në rrezik.
Kur kontrata fshihet nga populli, sovraniteti bëhet i dyshimtë.
Kur toka shqiptare diskutohet pa shqiptarët, atëherë kombi ka të drejtë të ngrihet me zë.

Mes zhvillimit, propagandës dhe pazareve të fshehta

Po aq e rrezikshme sa dhuna është edhe propaganda. Në njërën anë dëgjojmë thirrje se “u shit Shqipëria”. Në anën tjetër dëgjojmë propagandën qeveritare se “gjithçka është zhvillim, turizëm dhe parajsë ekonomike”. E vërteta nuk duhet të mbytet as nga paniku, as nga makiazhi politik.

Populli ka të drejtë të dijë: kush është pronari real? Kush është investitori? Çfarë kontrate është nënshkruar? Sa zgjat përdorimi i tokës? Çfarë fiton shteti? Çfarë humb komuniteti? Çfarë ndodh me mjedisin, me trashëgiminë, me detin, me tokën, me jetën e banorëve?

Një shtet serioz nuk i frikësohet pyetjeve. Një shtet serioz i publikon dokumentet. Një shtet serioz nuk e fsheh marrëveshjen pas fjalëve të bukura dhe pas fasadës së “investimeve strategjike”.

Investimi strategjik nuk mund të jetë mbulesë për mungesë transparence. Zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi frikën e qytetarit. Turizmi nuk mund të vijë mbi shpinën e banorëve dhe mbi heshtjen e institucioneve.

Askush nuk është kundër zhvillimit të Shqipërisë. Askush nuk është kundër turizmit, investimeve dhe hapjes së vendit ndaj botës. Por zhvillimi i vërtetë nuk e përzë qytetarin nga toka e vet. Zhvillimi i vërtetë nuk e sheh bregdetin si plaçkë. Zhvillimi i vërtetë nuk mbështetet mbi kontrata të errëta, mbi heshtje politike dhe mbi frikësim publik.

Patriotizmi nuk është urrejtje ndaj të huajve. Patriotizmi është dashuri për vendin tënd dhe kërkesë që çdo i huaj, çdo investitor, çdo pushtetar dhe çdo kompani të respektojë ligjin, popullin dhe tokën shqiptare.

Shqipëria nuk ka nevojë për investime që e bëjnë qytetarin të ndihet i huaj në vendin e vet. Shqipëria ka nevojë për zhvillim që e ngre popullin, jo që e shtyp atë.

Shqipëria nuk është Gaza, as tokë eksperimentesh ideologjike

Këto ngjarje kanë hapur edhe një shqetësim tjetër: përpjekjen për ta ngarkuar çështjen me simbolika të huaja, fetare apo gjeopolitike. Kur në debat përmendet Izraeli, kur disa përpiqen ta krahasojnë skenën me Gazën, kur shfaqen njerëz të maskuar, me pamje provokuese, me skena tensioni dhe përplasjeje, opinioni publik ka të drejtë të pyesë: a po instrumentalizohet protesta?

A po përdoret zemërimi i banorëve për një axhendë tjetër?
A po përpiqet dikush ta zhvendosë debatin nga prona, ligji dhe sovraniteti shqiptar drejt një konflikti fetar apo ndërkombëtar?
A ka grupe që duan ta shfrytëzojnë çështjen e Vlorës për të importuar në Shqipëri konflikte që nuk janë tonat?

Këto pyetje duhet të bëhen, por me përgjegjësi. Nuk mund të fajësohet një fe, një komunitet apo besimtarët e thjeshtë shqiptarë pa prova. Shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashinj apo pa besim fetar kanë qenë historikisht pjesë e të njëjtit komb. Ata kanë ndarë të njëjtën tokë, të njëjtin flamur, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtin fat historik.

Problemi nuk është feja. Problemi është kur ideologji të huaja, interesa politike, rrjete të errëta apo qarqe të caktuara përpiqen ta përdorin fenë, konfliktin ndërkombëtar apo zemërimin qytetar si flamur për të ndezur përçarje brenda kombit shqiptar.

Shqipëria nuk ka nevojë për import të konfliktit të Lindjes së Mesme. Shqipëria nuk është Gaza. Shqipëria nuk është front lufte. Shqipëria nuk është tokë eksperimentesh ideologjike. Shqipëria është tokë shqiptare, dhe çdo çështje që lidhet me të duhet të zgjidhet me ligj shqiptar, me interes shqiptar dhe me dinjitet kombëtar shqiptar.

Nëse ka abuzim me pronën, të hetohet.
Nëse ka korrupsion, të zbulohet.
Nëse ka dhunë private, të ndëshkohet.
Nëse ka manipulim politik apo fetar, të denoncohet.
Nëse ka marrëveshje të fshehta, të publikohen.

Por asnjëra nga këto nuk duhet të na largojë nga boshti kryesor: sovraniteti, ligji dhe dinjiteti i qytetarit shqiptar.

Vlora na thërret përsëri

Vlora nuk duhet të kthehet në simbol të nënshtrimit. Vlora duhet të mbetet simbol i zgjimit. Protesta e ligjshme nuk është krim. Kërkesa për transparencë nuk është ekstremizëm. Mbrojtja e tokës nuk është prapambetje.

Prandaj sot duhet kërkuar me zë të lartë:

Të publikohen kontratat dhe dokumentet e plota të projekteve në Zvërnec, Sazan dhe zonat përreth.

Të hetohet roli i policisë dhe i sigurisë private në ngjarjet e fundit.

Të sqarohet statusi i pronës dhe të drejtat e banorëve.

Të ndalohet përdorimi i maskave, dhunës dhe presionit privat mbi qytetarët.

Të mos lejohet që çështja kombëtare e pronës dhe sovranitetit të kthehet në konflikt fetar, propagandë të huaj apo skenë përçarjeje.

Të garantohet se çdo investim në tokën shqiptare bëhet në dobi të Shqipërisë, jo në dëm të saj.

Të dëgjohet zëri i banorëve, sepse ata nuk janë pengesë për zhvillimin; ata janë vetë zemra e vendit.

Shqipëria nuk shitet me heshtje. Shqipëria nuk mbrohet me parulla boshe. Shqipëria mbrohet me të vërtetë, me ligj, me guxim qytetar dhe me unitet kombëtar.

Nuk ka zhvillim pa dinjitet.
Nuk ka turizëm mbi frikën.
Nuk ka investim mbi maskat.
Nuk ka shtet pa qytetar.
Nuk ka Shqipëri pa tokën shqiptare.

Vlora na thërret përsëri. Jo për luftë kundër njëri-tjetrit, por për zgjim kundër padrejtësisë, kundër errësirës dhe kundër çdo dore që kërkon ta trajtojë tokën shqiptare si plaçkë.

Toka shqiptare nuk është mall.
Deti shqiptar nuk është plaçkë.
Sazani nuk është copë letre në tryezën e pazareve.
Zvërneci nuk është pronë e maskave.
Vlora nuk është pronë e oligarkëve, as e propagandës, as e heshtjes shtetërore.

Vlora është e Shqipërisë. Dhe Shqipëria duhet të jetë e shqiptarëve.

Pse diaspora e sheh Albin Kurtin ndryshe nga kosovarët që jetojnë në Kosovë?

0

(Ad hoc analizë sociologjike)

Shkruan; Prof.Dr. Fadil Maloku, sociolog

Në një intervistë të rrallë që Albin Kurti i dha mbrëmë Politicos në TV10, ai ishte shumë kureshtar ta dinte se përse e përkrah kaq shumë diaspora. Në këtë sens, unë po provoj të hedh disa teza nga sociologjia e identitetit dhe ajo e zhvillimit, në mënyrë që të paktën në vija të trasha ta kemi një përgjigje dhe shpjegim sado pak jo politik për këtë dukuri, të cilën pak a shumë mund ta hasim edhe te kombet e tjera që kanë pasur histori të ngjashme me tonën.

Fillimisht duhet thënë se kjo problematikë, e cila ende nuk është elaboruar sa dhe si duhet sociologjikisht, as demografikisht e as historikisht, është pasojë e një indiference dhe neglizhence e studiuesve shqiptarë, kur dihet se kombi shqiptar, me dinamikat dhe trendet aktuale zhvillimore, ka filluar të “pasurohet” me fshatra të shumta boshe. Dhe ky trend i boshatisjes apo “ikjes” alamuese që ndodhi në fillim të viteve ’90, sot ka marrë dimensione dhe konotacione të reja, edhe për faktin se ai, në perceptimet dhe gjykimet e njerëzve të rëndomtë, po “shoqërorizohet” gjithnjë e më shumë me kriteret dhe standardet e nevojave ekonomike dhe ato të mirëqenies statusore.

Megjithatë, mund të thuhet se kjo dukuri mund të shpjegohet e interpretohet përmes disa teorive e paradigmave sociologjike që sot ndërlidhen kryesisht me identitetin, kujtesën kolektive, nacionalizmin në distancë, mobilizimin politik dhe marrëdhënien emocionale me shtetin e origjinës. Diaspora e sotme kosovare, e mendoj edhe ajo e Shqipërisë, për nga shkaqet dhe pasojat, është pothuajse identike, por jo domosdoshmërisht e njëjtë, sidomos kur janë në pyetje motivet mobilizuese.

Kur malli për atdheun shndërrohet në votë politike

Dhe për t’ia dhënë hakun shpjegimit tonë, në këtë rast duhet ta përdorim teorinë e ashtuquajtur të “nacionalizmit në distancë” (Long-Distance Nationalism), e cila fillimisht arsyeton, e më vonë edhe argumenton shkaqet e epërsisë së identifikimit kombëtar të emigrantëve kundruall popullsisë që jeton dhe vepron në vendin e origjinës. Dhe këtu diaspora kosovare nuk dallon shumë nga kontingjentet e vendeve të tjera, qofshin ato të Lindjes apo të Perëndimit.

Specifikat dalluese dhe identifikuese të diasporës kosovare kujtoj se duhet hulumtuar te faktet e reja, ku Kosova, nga këndvështrimi i tyre, nuk  po vazhdon të perceptohet edhe aq përmes problemeve të energjisë, varfërisë apo papunësisë që aktualisht i rëndojnë banorët e Kosovës por, duke qenë të privuar nga “shijimi” i të arriturave të vendlindjes, ajo në sytë e diasporës vazhdon të perceptohet e përjetohet ekskluzivisht si projekt historik dhe identitar. Dhe doke qenë kështu, e gjithë përkrahja, animimi po edhe mbështetja është duke u orientuar kah ata politikanë, parti e figura publike që shihen si “gardianë” dhe apologjetë të sovranitetit kombëtar e atij shtetëror. Shikuar nga ky kontekst, Kosova është një shembull tipik i këtij procesi, të cilin shtetet e tjera e kishin përmbyllur qysh në shekullin XIX. Kjo do të ishte “pista” e parë referente për ta kuptuar “peshoren” e përkrahjes së Albin Kurtit nga diaspora. Por, për ta kuptuar më thellësisht këtë problematikë të forcimit të vetëvlerësimit të diasporës kosovare, sonda jonë sociologjike duhet të depërtojë më thellë, në mënyrë që ta kemi një tabelë faktorësh që e fuqizojnë këtë perceptim, i cili, dorën në zemër, në kohën kur po ndodh një proces i kundërt i zbehjes së kohezionit identitar, tek ne po merr përmasa dhe dimensione interesante. Pra, diaspora kosovare, duke jetuar si pakicë në shoqëri të tjera përendimore dhe për shkak të luftës së ndodhur që në ndërkohë është edhe një motiv shtesë për këtë mobilitet kaq të lartë, po fiton peshë më të madhe, ngase, shteti i munguar historik po bëhet për ta tani ajo “Meka” e krenarisë kolektive dhe ai strumbullari prej nga liderët që projektojnë narrativa të mëvetësisë dhe dinjiteteti kombëtar, po marrin mbështetje të shtuar. Kështu që vota e rritur për Kurtin mund të interpretohet edhe si votë për ruajtjen, kultuvimin dhe afirmimin e identitetit shtetëror karshi subjekteve tjera që aktualisht veprojnë në skenën politike të Kosovës. Shto këtu edhe një fakt tjetër po ashtu sociologjik: njerëzit e thjeshtë në ambientet dhe shtetet e huaja janë shumë më të prirur të reagojnë jo aq ndaj gjendjes së krijuar, sesa ndaj dallimit midis asaj që ata presin dhe asaj që marrin si këmbim të përkrahjes.

Pse Albin Kurti u bë simbol i shpresës për diasporën

Një fakt tjetër strumbullar që e lidh diasporën me Kosovën është edhe ai i investimeve kapitale financiare para dhe pas luftës, pastaj blerja e patundshmërive dhe sidomos zhgënjimi ndaj partive tradicionale politike. Ku, sërish, Albin Kurti projektohet dhe perceptohet si një alternativë që, përveç kapitalit ekonomik dhe atij institucional, ka nevojë edhe për kapital simbolik, ku vota dhe solidariteti me ofertën e tij kundruall klasës së vjetër politike fitojnë primat. Dhe ky kapital simbolik nuk është ndonjë “produkt” i krijuar ad hoc, por rezultat edhe i disa elementeve të tjera, si: burgosja politike e Kurtit, aktivizmi i tij moralist opozitar me sloganet për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, retorika e vetëvendosjes që do të pasohej me bashkim kombëtar etj. Këtij “deserti” politik, kur i shtohen edhe temat e lirisë, ato të rezistencës, e sidomos ato të shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore të Kosovës, pak a shumë e kompletojnë  mozaikun e shkaqeve të rritjes së rejtingut të kryeministrit aktual në “sytë” e diasporës. Por, për ta kuptuar shkallën e mobilizimit rreth këtyre faktorëve sociopolitikë, pa dyshim duhet t’i kemi parasysh edhe faktorët emocionalë. Të cilët, në rastin e diasporës sonë, janë dëshmuar si mjaft relevantë në krijimin e këtij perceptimi që tani është shndërruar si dominues. Në këte kontekst, nuk duhet harruar se diaspora kosovare, përkundër largësisë dhe distancës fizike nga atdheu, ende po prodhon idealizim dhe solidaritet që vështirë mund të haset te popujt e tjerë. Dhe ky element i idealizmit dhe solidaritetit po mbijeton falë rrjeteve sociale, prej nga ndërtohen edhe narrativa të hiperbolizuara.

Diaspora në kërkim të një “strehë identitare” për shtetin e Kosovës

Po ashtu, përkrahja e madhe që diaspora i jep Albin Kurtit, ndër të tjera, nuk mjafton të interpretohet vetëm si një satisfaksion moral, etik, politik dhe emocional, por duhet shtuar këtu edhe elementin e mungesës së një “strehe identitare” (identity anchor), apo i një strehe simbolike kolektive për një shtet që ata e kanë ëndërruar por edhe kanë luftuar breza të tërë, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e sidomos pas viteve ’90. Dhe nëse tani u referohemi teorive të sociologjisë së identitetit, të cilat na dëshmojnë si relevancën ashtu edhe peshën e individit që jeton jashtë hapësirës së vendlindjes, arrijmë t’i kompletojmë shumë më mirë pritjet po edhe ambiciet dhe synimet e idealizimit të asaj që shquhet si “shtëpi kolektive kosovare” që tashmë ka filluar të identifikohet përmes vulës së shtetit edhe në kartat e tyre identifikuese. Ndërkaq, në rastin e Kosovës, kjo ndjenjë dhe ambicie është shumë më e shorehur në mentalitetin dhe etnopsikologjinë e diasporës, dhe rezulton edhe nga fakti se shteti qé ende gjendet në një lloj adoleshence politike, është produkt i një historie të mbushur me sakrifica, luftëra dhe mobilizime të pandërprera kombëtare.

Në fund, duhet shtuar se kjo analizë ad hoc nuk pretendon të japë përgjigje ekskluzive shkencore, por është më shumë një përpjekje modeste që i tejkalon logjikat dhe interpretimet e zakonshme partiake apo ato elektorale për fenomenin e votës së diasporës.

Leon Pergjoka lartëson vlerat kombëtare në Tirolin Jugor

2

Tom Pergjoka, Gjermani 

Leon Pergjoka lartëson vlerat kombëtare në Tirolin Jugor

Në qytetin piktoresk të Bruneck-ut, aty ku kultura gjermane dhe ajo italiane gërshetohen natyrshëm, jeton Leon Pergjoka. Ky aktivist i dalluar kontribuon jashtëzakonisht shumë në ruajtjen e identitetit kombëtar jashtë kufijve dhe është bërë një shembull i shkëlqyeshëm integrimi. Për Leonin, kontributi i tij për komunitetin nuk është thjesht një angazhim i kohës së lirë, por një përkushtim i madh jetësor. Leoni rrjedh nga një familje intelektuale dhe e përkushtuar. Dashuria e tij për shkollim dhe edukim është e rrënjosur në traditën e tij familjare. Babai i tij ka punuar për vite me radhë si arsimtar në Kosovë. Ishin prindërit ata që i dhanë një edukim të shëndoshë shtëpiak dhe mbollën tek ai vlerat njerëzore dhe kombëtare. Leoni e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në gjuhën gjermane në Bruneck, ku mori një bazë të fortë kulturore dhe gjuhësore.

Dëshira për njohuri e çoi më pas drejt një prej universiteteve më të vjetra dhe më prestigjioze në botë, Universitetit të Bolonjës, ku përfundoi me sukses studimet dhe u diplomua me titullin Bachelor. Ky formim akademik i hapi dyert për t’u rikthyer në qytetin e tij, këtë herë si një profesionist i fushës së arsimit.

Sot, Leoni jep mësim në një shkollë të Bruneck-ut duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në formimin e brezave të rinj. Punësimi i tij në këtë institucion dëshmon për përgatitjen e lartë profesionale dhe respektin e madh që gëzon në komunitetin lokal.
Si një njohës i shkëlqyeshëm i gjermanishtes dhe italishtes, ai nuk ndalet vetëm te mësimdhënia. Leoni ndihmon vullnetarisht prindërit shqiptarë që kanë vështirësi me gjuhët e vendit, u jep udhëzime atyre dhe i këshillon se si të orientohen në sistemin arsimor dhe shoqëror në Itali. Përmes bisedave të vazhdueshme, ai i inkurajon të rinjtë të arsimohen, të ecin përpara dhe të mos harrojnë traditat tona.

Jeta kulturore dhe mediatike

Si një nga organizatorët më aktivë në provincën e Bolzanos, Leoni mundëson takime që bashkojnë shqiptarët e të gjitha trevave në Tirolin e Jugut. Një shembull i shkëlqyeshëm i këtij angazhimi ishte ftesa që ai i bëri këngëtares me famë botërore, Elina Duni, duke sjellë një mbrëmje të paharrueshme arti dhe emocionesh për komunitetin shqiptar. Përmes këtyre aktiviteteve, ai prezanton traditat dhe mban gjallë gjuhën amtare.

Puna e Leonit ka marrë edhe vëmendjen e merituar të institucioneve dhe mediave vendase në Itali. Ai ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes së gazetave dhe televizioneve lokale, gjë që dëshmon se ai është një zë i rëndësishëm që përfaqëson me dinjitet vlerat shqiptare në Itali.

Familja, shtylla e Suksesit

Suksesi i Leonit plotësohet dhe merr forcë nga familja e tij. Ai është i martuar me Elenën, një shqiptare nga Prishtina, e cila jep kontributin e saj të çmueshëm në Bruneck si dentiste. Së bashku, ata kanë krijuar një familje të shëndoshë dhe janë prindër të një vajze.

Ky çift përfaqëson më së miri profilin e familjes shqiptare moderne në diasporë: profesionistë të nderuar, të integruar plotësisht në shoqërinë europiane, por me zemrën gjithmonë te kultura e tyre e origjinës.

Kanuni i parë i Lekë Dukagjinit i përkthyer në gjuhë të huaj i botuar nga Akademia e Shkencave të Italisë në vitin 1941