Kur politika “merr oksigjen nga Rugova” për të mbijetuar
AAK-ja përballë sfidave të reja
Ramiz Tafilaj, Houston-Texas
Në politikën kosovare ka pak parti që kanë kaluar nëpër aq shumë sfida, transformime dhe sprova sa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. E lindur në një periudhë të ndjeshme për shtetin tonë dhe e udhëhequr për më shumë se dy dekada nga figura qendrore e Gjeneralit Ramush Haradinaj, AAK-ja sot gjendet përballë një momenti të rëndësishëm politik, ku përveç garës zgjedhore po përballet edhe me nevojën për ripërtëritje dhe forcim të mëtejshëm institucional.
Një nga zhvillimet që e shoh si jashtëzakonisht pozitiv është fakti që Ardian Gjini i prin listës zgjedhore të AAK-së. Për shumë vëzhgues politikë, AAK-ja shpesh është perceptuar si një parti me bazë të fortë rajonale dhe e lidhur ngushtë me figurën e Ramush Haradinajt. Pikërisht për këtë arsye, vendosja e Ardian Gjinit në një rol kaq të rëndësishëm përfaqëson një mesazh të qartë se partia po mendon për të ardhmen dhe për zgjerimin e kapaciteteve të saj politike.
Ardian Gjini, me përvojën e tij në qeverisje lokale dhe me profilin e tij politik, përfaqëson një brez drejtuesish që mund ta çojnë AAK-në në një fazë të re zhvillimi. Ndërkohë, Ramush Haradinaj duket se po e sheh me maturi nevojën që partia të forcohet përmes figurave të tjera udhëheqëse, duke qëndruar vetë si mbështetës dhe garant i përvojës politike që AAK-ja ka ndërtuar ndër vite. Në një kohë kur partitë politike në Kosovë po përballen me sfida të mëdha organizative dhe ideore, ky lloj tranzicioni i përgjegjshëm mund të rezultojë një nga asetet më të rëndësishme të Aleancës.
Po aq pozitiv është edhe angazhimi i Daut Haradinajt në këto zgjedhje. Ai vazhdon të mbetet një figurë e njohur dhe me ndikim brenda elektoratit të AAK-së. Për shumë mbështetës të Aleancës, prania e tij në garë përfaqëson vazhdimësinë e një tradite politike të lidhur ngushtë me sakrificën, përkushtimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Nuk ka dyshim se përfshirja aktive e Daut Haradinajt i sjell energji shtesë fushatës dhe mund të mobilizojë një numër të konsiderueshëm votuesish.
Kur flitet për familjen Haradinaj, është e pamundur të ndahet politika nga historia e sakrificës për Kosovën. Vëllezërit Haradinaj kanë qenë ndër ata njerëz që në momentet më të vështira të kombit nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit. Familja e tyre ka paguar një çmim të rëndë në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, duke humbur vëllezër dhe të afërm. Kjo histori nuk është vetëm histori e një familjeje, por pjesë e kujtesës sonë kolektive si shtet dhe si popull.
Si autor i këtij shkrimi, kam pasur rastin t’i njoh nga afër Ramush dhe Daut Haradinajn. Përtej figurave politike që publiku sheh në media, kam njohur njerëz që gjithmonë kanë shprehur dashuri të sinqertë për Kosovën dhe për të ardhmen e saj. Po ashtu, kam pasur të afërm që kanë shërbyer nën komandën e tyre gjatë luftës, përfshirë Valbona Tafilajn, e njohur me nofkën “Furtuna”, si dhe të ndjerin Tafil Tafilaj. Këto janë kujtime dhe dëshmi personale që më kanë bërë ta kuptoj më afër përkushtimin e atyre që morën mbi supe barrën e mbrojtjes së vendit në kohët më të vështira.
Nëse e krahasojmë me shumë parti të tjera politike në Kosovë, AAK-ja është ndër subjektet që ka kaluar nëpër transformime të rëndësishme dhe ka treguar gatishmëri për t’u përshtatur me kërkesat e kohës. Nga një parti e dalë nga realiteti i pasluftës, ajo është shndërruar në një forcë politike që ka marrë përgjegjësi qeverisëse dhe institucionale në nivele të ndryshme.
Historia politike e Kosovës dëshmon gjithashtu se AAK-ja ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësi shtetërore kur interesat e vendit e kanë kërkuar këtë. Në periudhën kur Kosovës i nevojitej bashkëpunimi politik për të siguruar stabilitet institucional, Presidenti historik Ibrahim Rugova ndërtoi ura bashkëpunimi me Ramush Haradinajn dhe AAK-në. Kjo dëshmoi se mbi dallimet partiake mund të qëndrojë interesi shtetëror.
Po ashtu, në shumë koalicione qeveritare ku ka qenë pjesë AAK-ja, përfaqësuesit e saj kanë marrë përsipër përgjegjësi të rëndësishme shtetërore. Natyrisht, si çdo forcë politike, edhe AAK-ja ka pasur vendime që janë debatuar dhe kritikuar, por është e pamohueshme se ka qenë pjesë e proceseve kyçe të ndërtimit institucional dhe demokratik të Kosovës.
Për vite me radhë, AAK-ja dhe drejtuesit e saj kanë qenë objekt i sulmeve politike, shpifjeve, etiketimeve dhe kritikave të ndryshme. Megjithatë, mbështetësit e saj argumentojnë se partia ka vazhduar të qëndrojë e përkushtuar ndaj parimeve që i konsideron themelore: sovranitetit të Kosovës, forcimit të shtetit, sigurisë kombëtare dhe orientimit euroatlantik.
Si mërgimtar dhe si njeri publik, nuk kam qëllim të deklaroj se për cilën parti do të votoj. Ky është një vendim personal që i takon secilit qytetar. Por si një dashamir i Kosovës dhe i sovranitetit të saj, e ndiej obligim të shpreh respektin tim për kontributin që AAK-ja dhe drejtuesit e saj kanë dhënë ndër vite në proceset shtetformuese.
Kosova sot ka nevojë për unitet, pjekuri politike dhe institucione të forta. Debati demokratik është i domosdoshëm, por po aq e rëndësishme është edhe njohja e kontributit të secilit që ka dhënë për lirinë dhe ndërtimin e shtetit. Në këtë kontekst, AAK-ja mbetet një pjesë e rëndësishme e mozaikut politik të Kosovës dhe, sipas bindjes sime personale, vazhdon të përfaqësojë një zë që e sheh Kosovën të fortë, sovrane dhe të sigurt në rrugëtimin e saj drejt së ardhmes.
Një vështrim kritik mbi katër poezi të poetit Kujtim Mateli
Nga: Delo Isufi
Duke lexuar vargjet e poetit Kujtim Mateli, nuk ka sesi të mos ndihesh i trazuar në shpirt e mendime. Unë, nga katër vëllimet poetike:
“Kur mendon për të tjerët”
“Qetësojmë shpirtin e trazuar”,
“Eci mbi një fije shprese” dhe
“Mos u mposhte o njeri”, zgjodha nga një poezi për secilin libër.
Në këto katër poezi të poetit Kujtim Mateli, fjala poetike rrjedh si një lumë i qetë që buron nga thellësitë shpirtërore dhe zbret nëpër brigjet e ndjeshmërisë njerëzore, duke mbartur me vete dhimbjen, mallin, dashurinë dhe kujtesën. Janë poezi që të kujtojnë natyrën e Përmetit, vendlindjen e poetit: tokë e njerëzve të urtë, të mençur, me kulturë të hollë, ku lulet çelin me një butësi të veçantë dhe zogjtë cicërojnë si të dinin sekretet e shpirtit njerëzor.
Nga libri: “KUR MENDON PËR TË TJERËT”
PËRMETARES
Fytyra-dritë mëngjesi,
Hap i lehtë si erë e prillit,
Zëri yt mbush hapësirat,
Tok me zërin e bilbilit.
Shkon në punë e dora jote,
Sendin bën të flasë me gojë,
Fryn një fllad, çel manushaqja,
Kush të pa e s’ëndërroi?
Hijeshon rrugën ku ecën,
A kur shkon në festivale,
Fustani zbritur nga qielli,
Si ylber i rënë në male.
Mbushet skena me dritë mali,
Me freski, ëmbëlsi zgjoi,
Hapi yt – puhizë pranverë,
Kush të pa e të harroi?
Kjo poezi është një himn për bukurinë dhe shpirtin përmetar. Që në vargun e parë, epiteti “fytyra-dritë mëngjesi” hap një horizont drite dhe freskie. Krahasimet (“si erë e prillit”, “si ylber i rënë në male”) e bëjnë figurën e vajzës pothuaj qiellore.
Personifikimi (“sendin bën të flasë”) i jep asaj fuqi krijuese, ndërsa manushaqja që çel është një simbol i gjallërisë dhe bukurisë natyrore. Këtu ndihen qartë aromat e luleve dhe dëgjohen onomatope të fshehta në cicërimat e bilbilit, që shoqërojnë çdo varg.
Kjo poezi është si një mëngjes pranveror në Përmet: plot dritë, aromë lulesh dhe këngë zogjsh. Vargjet e Kujtim Matelit këtu janë të lehta si puhiza, të ëmbla si mjalti i maleve dhe të pastra si burimet e këtij qyteti të bekuar.
Nga libri “QETËSOJMË SHPIRTIN E TRAZUAR”
DHIMBJE
U nise në udhë të kurbetit
Duke kaluar gryka e qafa malesh,
Qielli i vrenjtur të thosh:
Nxito pak më shumë,
Muzgu të këshillon: të ndalesh.
Asnjë lajm nuk erdhi nga ti,
Asnjë fjalë e mirë s`trokiti
Tek derë e shtëpisë sate,
Filluan të dridheshin gotat e bufesë,
Nga dhimbja e një nëne.
Dy lisa me rrush ruheshin për ty
Gjer në vjeshtën e fundit,
Gjersa kalbeshin në shi dhe në erë,
Priste mbi tavolinë gota e qumështit,
Djathi në feta i prera.
Po ty nuk të pamë,
Portën e avllisë s’e shtyve asnjëherë.
Të lodhi rruga e bora e egër,
Në shpatin perëndimor të një mali
Vendose përgjithmonë të shplodhesh.
Një shqiponjë këlthet pllajës së verbër,
Në dërgon sinjale ku ndodhesh.
Poezia “Dhimbje” është një elegji e thellë për kurbetin, ku dhimbja nuk rrëfehet, por rrjedh si një heshtje e rëndë mbi vargje. Metafora “udhë e kurbetit” shndërrohet në fat tragjik, ndërsa personifikimi i qiellit dhe muzgut (“të thosh”, “të këshillon”) e bën natyrën bashkëvuajtëse me njeriun. Këtu natyra merr zë e bëhet pjesë aktive e dramës njerëzore. Kjo i jep poezisë një dimension të gjallë dhe të prekshëm.
Këtu, simboli i lisave me rrush është një nga figurat më të bukura: ai përfaqëson pritjen e gjatë, dashurinë familjare dhe kohën që kalbet në mungesë. Hiperbola e mungesës totale (“Asnjë lajm…”) e thellon boshllëkun shpirtëror. Ndërsa tingulli “Filluan të dridheshin gotat e bufesë” sjell një onomatope ogurzezë që e mbështjell poezinë me trishtim.
Kjo poezi ka edhe një antitezë të heshtur mes jetës që pret dhe vdekjes që ka ndodhur larg, pa dëshmitarë. Shqiponja në fund bëhet simbol i shpirtit që endet mbi male, si një jehonë e përjetshme.
Vargjet e Kujtim Matelit këtu janë si gjethe të lagura nga vesa e dhimbjes; ato nuk bërtasin, por të depërtojnë ngadalë në shpirt, si një kujtim që nuk shuhet kurrë. Në këtë poezi hasim një ngarkesë të fortë emocionale, ku kurbeti shndërrohet në një simbol tragjik të ndarjes dhe humbjes.
Nga libri: “ECI MBI NJË FIJE SHPRESE”
TË PRISJA…
Dashuri e bekuar,
U vonove për të ardhur tek unë,
Shpirti më kishte ngecur në degën e tharë,
Nuk di si ecej më tutje.
Sëpatat e trishtimit kishin prerë degë e hardhive
Asnjë pikë vere nuk vinte nga vreshtat
Të qetësonte shpirtin e dëmtuar nga pritjet e gjata,
Nga vështrimet e kota në humnera kujtimesh,
Si një gardh mesjetar mes nesh që qëndronte heshtja
Të prisja të vije…
Kjo poezi është një tablo e pritjes së gjatë, ku koha rrjedh si një plagë e hapur. Metafora “shpirti më kishte ngecur në degën e tharë” shpreh një gjendje pezullimi ekzistencial. Personifikimi i “sëpatave të trishtimit” i jep dhimbjes forcë shkatërruese, ndërsa mungesa e verës nga vreshtat është një simbol i tharjes së jetës dhe gëzimit.
Krahasimi “si një gardh mesjetar” është i fuqishëm: ai krijon një mur të pakalueshëm emocional. Heshtja këtu bëhet figurë qendrore, një alegori e ndarjes dhe e pamundësisë për komunikimim me dashurinë e vonuar dhe kohën që nuk kthehet më.
Vargjet e poetit përmetar janë si hardhi që presin të japin fryt, por qëndrojnë të thata nën peshën e kohës. Ato kanë një bukuri të heshtur, si një vresht në muzg, ku edhe era duket se ecën me kujdes për të mos prishur qetësinë e dhimbjes
Nga libri: “MOS U MPOSHT O NJERI”
NË ÇASTE VETMIE
Seç më kujton ky zog,
Shpesh bëhem gati ta përzë me gurë
Ta ngrejë më tutje folenë.
Ah! Qenka fëmijëria ime
Kthyer në cicërima malli,
Më vjen pranë sa herë vetëm më gjen.
Së fundi, në poezinë “Në çaste vetmie”, kemi një kthim intim në vetvete. Zogu bëhet një simbol i kujtesës dhe i fëmijërisë. “Fëmijëria ime kthyer në cicërima malli” është një metaforë e jashtëzakonshme, ku edhe tingulli (onomatopeja e cicërimës) merr ngarkesë emocionale. Këtu kemi një antitezë mes dëshirës për ta larguar zogun dhe nevojës për ta mbajtur pranë, që në thelb është përballja mes harresës dhe kujtesës. Poezia merr trajta alegorike, ku zogu nuk është më thjesht zog, por vetë e kaluara që rikthehet në vetmi.
Kjo poezi është një perlë meditimi dhe kujtese e poetit Kujtim Mateli. Vargjet këtu janë si cicërima në agim mbi degët e një peme të thjeshta në dukje, por të mbushura me një mall të thellë ku zogjtë cicërojnë aty gjatë gjithë vitit. Këtu, Kujtim Mateli arrin të kthejë kujtesën në tingull dhe vetminë në një dialog të butë me shpirtin.
Në tërësi, këto poezi janë si një kopsht përmetar ku lulëzojnë ndjenjat: dhimbja si një lis i rëndë, dashuria si një manushaqe e brishtë, kujtesa si cicërima zogjsh në agim. Ato ndërthurin mjeshtërisht figurat letrare: metaforën, krahasimin, personifikimin, hiperbolën, simbolin, antitezën, epitetin, onomatope-në dhe alegorinë, duke krijuar një univers poetik ku fjala nuk është vetëm shprehje, por përjetim.
Në këtë univers, lexuesi nuk mbetet spektator, por bëhet bashkudhëtar në një rrugëtim që nis nga dhimbja e kurbetit, kalon në pritjen e dashurisë, ndalet te bukuria e jetës dhe përfundon në qetësinë e kujtesës: aty ku, mes luleve dhe cicërimave të zogjve, shpirti gjen paqen e vet.
Kalvari i djalit të familjes fisnike strugane Emirzade – Ohri, Edip Ohrit, i birësuari i Qazim bej Qemal Vlorës, djalit të Ismail Qemalit
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
NE 100 VJETORIN E LINDJES
Kalvari i djalit të familjes fisnike strugane Emirzade –Ohri, i birësuari i Qazim bej Qemal Vlorës, djalit të Ismail Qemalit.
EDIP OHRI – AVIATORI I DIPLOMUAR NË RUSI E KINË QË U ARRESTUA DITËN E LINDJES SË DIKTATORIT HOXHA
- Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit të padrejtë, në burgun e Burrelit është i njohur nga bashkëvuajtësit për burrërinë dhe për pathyeshmërinë e treguar. Ai kishte cilësi të larta njerëzore, ndershmëri, sinqeritet, mirënjohje ndaj të tjerëve, përkushtim të patundur ndaj Atdheut
Ndonëse njihej si legjenda e aviacionit ushtarak shqiptar, në kulmin e karrierës, Edip Ohri u dënua si pjesë e grupit të “puçistëve” të Ushtrisë që do të përmbysnin pushtetin popullor. Ndërkaq, prej vitit 1974 – Edip Ohri ishte zgjedhur edhe deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ndërsa në moshën 49-vjeçare, në kulmin e sukseseve e të arritjeve në punë, u lirua nga detyra për t’u arrestuar vetëm pak kohë më vonë, në ditën e lindjes së Enver Hoxhës me akuzën se donte të rrëzonte pushtetin popullor me anën e terrorit.
U arrestua më 16 tetor 1980 me akuzën absurde për përgatitjen e një grushti shteti ushtarak dhe dhe propagandë antishtetërore. Pas disa muaj hetimi, Edip Ohri, së bashku me gjashtë oficerë të tjerë del në gjyq. Në janar të vitit 1981, dënohet me 14 vjet burg, dënim i kryer fillimisht në Ballsh në Zejmen. Në vitin 1985, dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit ku qëndron deri sa lirohet si rezultat i amnistisë së 29 nëntorit 1989.
Në Burgun e Burrelit, Edip Ohri ishte me kategorinë e “armiqve të partisë dhe të pushtetit”: gjenerallejtënant, Heroi i Popullit, Rahman Parllaku; gjenerallejtënant dhe Hero i Popullit, Muhamet Prodani; gjenerallejtënant dhe Heroi i Popullit, Sadik Bekteshi; gjenerallejtënant Arif Hasko; gjenerallejtënant Vaskë Gjino; gjeneralmajor Gjin Marku; gjeneralmajor Abaz Fejzo; gjeneralmajor Halim Ramohito; gjenerallejtënant Mihallq Ziçishti, ministër i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme, Kiço Ngjela; ministër i Bujqësisë Maqo Como ministër i Jashtëm Nesti Nase; Fadil Paçrami sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën; Todi Lubonja kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe drejtor i Televizionit Shqiptar; Gjergj Titani, ish-shef i Shtabit të Korpusit; Spartak Ngjela e Fatos Lubonja; Lipe Nashi, drejtor i Përgjithshëm i Naftës; Xhavid Qesja, ish-komisar i Br XXII S; Bardhyl Belishova; Skënder dhe Bashkim Shehu; kolonel Elhami Hado, nënkolonel Shaban Reçi etj.
Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit të padrejtë, në burgun e Burrelit është i njohur dhe për pathyeshmërinë e treguar. Ai kishte cilësi të larta njerëzore, ndershmëri, sinqeritet, mirënjohje ndaj të tjerëve, përkushtim të patundur ndaj Atdheut.
EDIP OHRI, PINJOLL I FAMILJES SË ISMAIL QEMAL BEJ VLORËS
Ish-komandanti i Aviacionit të Shqipërisë, kolonel Edip Ohri, ka lindur në Strugë në dekadën e parë të muajit janar të vitit 1926, por që zyrtarisht si ditëlindje e tij njihet data 8 maj 1926, ndërsa gati tërë jetën deri në vdekje e kaloi në Tiranë.
Është pjesëtar-fëmijë i familjes fisnike strugane Emirzade – Ohri, e pastaj fëmijë i birësuar i Qazim bej Qemal Vlorës, djalit të Ismail Qemal bej Vlorës.
Ushtaraku i karrierës, Edip Ohri, shumë herët mbetet pa babanë, Inajet Murat Emirzade – që më pas do të ndryshojë mbiemrin në Ohri- bashkë me dy motrat e tija, Edibenë dhe Hyrmeten dhe vëllain, Dashamirin, në vitet kur babai i tij, Inajet bej Ohri, ishte emëruar kryetar i komunës Shën Vlash të Durrësit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Edip Ohri pa hezitim iu bashkëngjit formacioneve luftarake të LANÇ-së, duke dëshmuar shpirtin e tij liridashës dhe antiokupatorial ndaj tokave shqiptare. Këtë veti, këtë karakteristikë nuk e posedonte vetëm Edipi, por edhe fëmijët tjerë të Inajet Ohrit, Edibeja, Hyrmetja dhe Dashamiri, që vërteton brumosjen e tyre për ta dashur atdheun dhe popullin e tyre të lirë.
Shkollimin fillor e ka fillua në Strugë, ndërsa më pastaj atë e ka vazhduar në Shqipëri, duke qenë edhe normalist i Normales së famshme të Elbasanit, për të vazhduar studimet në shumë Akademi ushtarake të aviacionit.
Nga ajo që ishte fëmijë i familjes fisnike Emirzade – Ohri, e pastaj fëmijë i birësuar i Qazim bej Qemalit, djalit të Ismail Qemal bej Vlorës, nuk ka përfituar asgjë, posikur që nuk kanë përfituar as familjarët e tjerë të Ismail Qemal bej Vlorës. Shumëkush në Tiranë, as nga më të afërmit, nuk kanë ditur deri para sa kohe, se është fëmijë të birësuar i Qazim bej Qemal Vlorës mbase nga modestia. Mirëpo, rëndësi ka ajo që vetë Edipi vazhdimisht e ka thënë: se Qazim beu, i ka brumosur dhe i ka edukuar që ta duan popullin shqiptar dhe Shqipërinë. Këtë amanet Edip Ohri ia ka çuar në vend plotësisht. Vajzat e tij shembullore, Mirjana dhe Arjana, si dhe mbesa Kleida Hadëri ndjehen krenare për veprën e lavdishme të babait e gjyshit të tyre.
92 VJET JETË, 92 VJET HISTORI PËR EDIP OHRIN
Nëntëdhjetedy vjet jetë, 92 vjet histori për Edip Ohrin sepse nga Normalja e Elbasanit, ai është pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacional Çlirimtare bashkë me të vëllain Dashamirin dhe motrat, Edibenë dhe Hyrmeten. Pas luftës, pas çlirimit të Shqipërisë, Edip Ohri i kushtohet profesionit të ushtarakut, aviacionit, duke u bërë edhe komandant i Forcave Ajrore të Ushtrisë Shqiptare, për t’u shndërruar në “Legjendën e aviacionit shqiptar”, kolos prej ushtaraku, intelektual, patrioti dhe figure madhore shqiptare.
Pa dyshim se një nga kolosët që ka dhënë Struga, ose fushëgropa e Strugës e Ohrit, krahas emrave të shquar si Hamdi bej Ohri, Zyhdi Ohri, Dr. Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, Mustafa Baroti, Nuri Sojliu, Dr.Ibrahim Temo, kësaj liste i duhet shtuar edhe emri i Edip Ohrit, për meritat e tij që ka për Shqipërinë, për shqiptarinë në përgjithësi e bashkë me këtë natyrisht edhe për Strugën.
Ai, me personalitetin e tij, me karakterin, punën, sjelljen, përkushtimin, qëndrimin, vlerësimin e drejtë, vuajtjet, përjetimet gjatë jetës dhe karrierës së tij, kurrë nuk ka bërë asnjë veprim që do ta relativizonte Shqipërinë, shqiptarinë dhe Strugën, por gjithmonë ka qenë ballëlartë dhe krenar për Strugën.
Edip Ohri,me jetën, punën, veprimtarinë, përkushtimin, profesionalizmin, patriotizmin, nacionalizmin, vuajtjet, përjetimet e shumëllojshme, nuk e nderoi vetëm emrin dhe veten e tij, por nderoi dhe madhëroi e nderoi emrin e familjes Ohri, madhëroi e nderoi emrin e familjes së Ismail Qemal bej Vlora, madhëroi e nderoi Strugën dhe popullin strugan, madhëroi dhe nderoi Shqipërinë, madhëroi dhe nderoi shqiptarinë.
Edip Ohri mbetet një ndër emrat e përveçëm të figurave madhore shqiptare, mbetet kolos në kujtesën e pashlyeshme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kur është fjala për vendlindjen e tij, për Strugën, Edip Ohri, ky kolos, sa herë që ka folur për jetën, veprën, arritjet dhe natyrisht edhe për vuajtjet e tija vazhdimisht përsëriste se ndjehej krenar për Strugën dhe popullin e Strugës. Vazhdimisht ai shprehej se: “Kurrë gjatë jetës punës dhe karrierës sime e tonën, nuk kamë bërë dhe nuk kemi bërë asnjë veprim që do ta relativizonte dhe do ta turpëronte Strugën, por gjithmonë kam qenë dhe kemi qenë ballëlartë dhe krenar për Strugën. Më kanë akuzuar pse kam lindur dhe pse kemi lindur në Strugë, por vazhdimisht kam qenë dhe kemi qenë krenar për Strugën. Jam dhe jemi të lindur në Strugë, dhe Struga është vendlindja jonë, me të cilën gjithmonë pra jemi krenuar. Gjithmonë e kemi nderuar e lartësuar Strugën. Kemi qenë dhe jemi krenar. Kurrë, as në momentet më të vështira kur më kanë akuzuar pse kam lindur në Strugë, nuk e kam turpëruar Strugën por e kam madhëruar e lartësuar”.
4000 ORË FLUTURIME, PA E NDËRPRERË ASNJËHERË PUNËN DREJTUESE SI KOMANDANT
Edip Ohri ishte një pilot i madh. Nuk kishte mjet ajror në Shqipëri, me të cilin nuk kishte fluturuar; me avionët luftarakë me helikë të tipit JAK dhe PO, me avionin bombardues, me avionët gjuajtës me helikë, me avionët reaktivë MIG-15, MIG-17, me supersonikun MIG-19; me helikopterët MI-1 e MI-, si dhe me avionët e transportit. Ai realizoi rreth 4000 orë fluturime, pa e ndërprerë asnjëherë punën drejtuese si komandant.
Në vitet që ai drejtoi Aviacionin Luftarak Shqiptar datohen të gjithë rikonstruksionet dhe ndërtimet e mëdha të infrastrukturës së kësaj arme si, në Aerodromin e Kuçovës në Heliodromin e Farkës, në Aerodromin e Rinasit, në Fushën e Pishë-oros, më Aerodromin e Gjadrit etj.
Në funksionin e komandantit, Edipi e ka përfaqësuar Aviacionin Luftarak Shqiptar si ekspert ushtarak në organizmat e Traktatit të Varshavës dhe më pas në Republikën Popullore të Kinës. Ai ka qenë pjesëtar i delegacioneve shtetërore e ushtarake që janë takuar me Hrushovin në ish-BS, me Komandantin e Traktatit të Varshavës, me Çu En Lain e Mao Ce Dunin në Kinë, etj.
Edip Ohri ishte dhe një prind shembullor. Gjatë gjithë jetës së tij, me gjithë kalvarin e vuajtjeve u dhuroi bashkëshortes e dy vajzave që ishin dhe janë krenaria e gëzimi i tij, duke dëshmuar kujdesin e dashurinë e babait të tyre, ndaj fëmijëve. Ai ishte prind, mësues dhe edukator, që i rriti dhe edukoi ato me ndershmërinë dhe besnikërinë e patundur ndaj popullit e Atdheut tonë të dashur. Ai u dha atyre forcë, pathyeshmëri e krenari.
Ndonëse ndonjë kalemxhi i paguar s’ngurron të përbaltë personalitetin e ish-ushtarakut me kontribut të çmuar gjatë LANÇ dhe në krijimin e modernizimin e Ushtrisë Shqiptare, duke sajuar “urdhra” të tij për të sulmuar Jugun e Shqipërisë në vitin e mbrapshtë ‘97, ndërkohë që ishte në vitet e pensionit të pleqërisë, Edip Ohri njihet si figura më e shquar e Aviacionit Luftarak shqiptar, por edhe si një nga ushtarakët më në zë të Ushtrisë. Përgjigjja më e saktë për këta shpifarakë është monografia “Edip Ohri, legjenda e aviacionit”, e autorit të mirënjohur Agustin Z. Gjinaj. Nuk mund të mohohet fakti që koloneli në pension e përjetoi me dhimbje revolucionin bolshevik të ‘97-tës, por pas kalvarit në burgjet e diktaturës ai i qe përkushtuar totalisht familjes dhe Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ (OBVL), si sekretar i përgjithshëm i saj për afro dy dekada, derisa ndërroi jetë para gjashtë vitesh (më 21 shkurt 2017) në moshën92-vjeçare. Siç shkruan autori Ginjaj: “Ai ishte një pilot i madh që fluturoi me të gjiothë tipat e avionëve, ndërkohë që mbi 20 vite ka qenë komandant i Armës së Aviacionit”.

“DEKORATA E ARTË E SHQIPONJËS” PËR EDIP OHRIN
Me merita të veçanta drejtuese, profesionalizëm të lartë, vizion e perspektivë, Edip Ohri luajti rolin vendimtar si strateg i aviacionit në krijimin e zhvillimin e kësaj arme, që nga krijimi i Repartit të Parë të Aviacionit në Laprakë e më pas regjimentet luftarake të Rinasit, Kuçovës, Farkës, Shkollës së Aviacionit, Uzinës së Aviacionit e deri Regjimenti i Gjadrit, duke pajisur Shqipërinë me 200 aeroplan. Gjatë karierës së tij ushtarake, si pilot i Aviacionit të Shqipërisë, ka fluturua me avionët e parë P-2, P-9, Jak-16, helikopterët Mi-1, Mi-4, Ill-14, Ill28 në Mig-ët 15,17,19,21. Aviacioni shqiptar, deri në vitet 1980 mund të konsiderohej i barabartë me fqinjët në teknike e eksploatim, sepse ai kishte një uzinë moderne, punonte me karburantin e prodhuar në vend, kishte një shkollë aviacioni bashkëkohore, infrastrukturë e aerodrome të standardeve të larta, vendkomandë qendrore moderne e mbështetur me mjete navigimi e drejtimi modern, (deri radarë PLL-35 për drejtimin e Aviacionit Luftarak), helikopterë, aeroplanë të transportit AN-2, Ill14, si për fluturimet në kondita të thjeshta meteorologjike, të vështira, natën, por edhe të raketave moderne tokë-ajër SAM-2 dhe artilerisë së shumtë kundërajrore.
Gjeneral Rrahman Parllaku – “Hero i Popullit dhe Nderi i kombit”, në vlerësim të figurës së Edip Ohrit është shprehur se: “Shteti shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës pafundësisht Edip Ohrit për largpamësinë dhe organizimin që tregoi si Komandant i Aviacionit Luftarak, duke planifikuar, organizuar, realizuar dhe tërhequr në kohë ndihmat kineze për motorë e pjesë këmbimi për avionë, në atë masë, saqë ky aviacion nuk pati nevojë të harxhonte asnjë dollar, rubla apo valutë edhe për 30 vite të tjera, pas largimit të tij nga detyra. Si sekretar i përgjithshëm i OBVL-së, Edip Ohri, për 15 vite ka dhënë një kontribut të shquar për organizimin dhe konsolidimin e strukturave të kësaj organizate”.
Pikërisht për këtë emër e kontribut të vyer, ish-Presidenti i RSH, Bujar Nishani, i ka korduar Edip Ohrit “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.
Deri kur do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës
Lekë Mrijaj, Klinë
Derisa të mos ndryshohet ligji në drejtim të zonave zgjedhore proporcionale, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës
Ka disa ditë që ndodhem për vizitë në Hamburg të Gjermanisë. Gjatë kësaj kohe, duke qenë larg Kosovës, por shpirtërisht gjithmonë i lidhur me vendin tim, kam pasur rastin të lexoj dhe të reflektoj mbi disa modele zgjedhore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë lexim krahasues, vëmendjen time e ka tërhequr në mënyrë të veçantë modeli kroat i zgjedhjeve parlamentare, i cili, sipas mendimit tim, vertetë e ofron një shembull më të afërt të përfaqësimit territorial, qytetar dhe institucional.
Në Kroaci, përfaqësuesit parlamentarë zgjidhen në dhjetë njësi zgjedhore territoriale, ku secila zgjedh nga 14 përfaqësues. Ekziston po ashtu një njësi e veçantë për qytetarët që jetojnë jashtë Kroacisë, si dhe një njësi e veçantë për pakicat kombëtare, të cilave u garantohen tetë vende në Parlament. Ky model nuk është i përsosur, sepse asnjë sistem zgjedhor nuk është i tillë, por ai ka një cilësi të rëndësishme demokratike: e afron deputetin me qytetarin dhe e lidh më qartë përfaqësimin politik me territorin, me zonën, me vendbanimin dhe me bashkësinë konkrete njerëzore.
Prandaj, nga këndvështrimi im qytetar, kombëtar dhe demokratik, mendoj se edhe Republika e Kosovës duhet të hapë një debat serioz, institucional dhe gjithëpërfshirës për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Kosova nuk mund të vazhdojë pafundësisht me një model ku i gjithë vendi trajtohet si një zonë e vetme zgjedhore. Sipas sistemit aktual, Kosova konsiderohet një zonë e vetme shumëmandatëshe, ndërsa Kuvendi ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 ndahen proporcionalisht ndërmjet subjekteve politike dhe 20 vende janë të garantuara për komunitetet joshumicë.
Unë personalisht nuk e mohoj rëndësinë e përfaqësimit proporcional. Përkundrazi, proporcionaliteti është një vlerë demokratike, sepse ruan peshën e votës dhe shmang shtrembërimin e vullnetit qytetar. Por proporcionaliteti nuk duhet ta zhdukë lidhjen ndërmjet deputetit dhe zonës prej nga vjen qytetari. Një deputet që zgjidhet vetëm nga lista e përgjithshme partiake, pa një lidhje më të qartë territoriale, shpeshherë mbetet më afër qendrës së partisë sesa qytetarit të zakonshëm.
Pikërisht këtu edhe qëndron nevoja për reformë. Kosova do të duhej të ndahej në 10 zona apo njësi zgjedhore proporcionale, të ndërtuara mbi bazën e popullsisë, baraspeshës territoriale dhe drejtësisë përfaqësuese. Pra, secila zonë do të zgjidhte një numër të caktuar deputetësh, në mënyrë që qytetari i Dukagjinit, i Anamoravës, i Llapit, i Drenicës, i Prizrenit, i Mitrovicës, i Prishtinës apo i viseve të tjera të Kosovës ta dinte më qartë se kush e përfaqëson dhe kujt mund t’i kërkojë përgjegjësi.
Një reformë e tillë do ta bënte deputetin më pak figurë abstrakte partiake dhe më shumë përfaqësues konkret të qytetarëve. Ai nuk do të mund të fshihej vetëm pas logos së partisë, pas liderit apo pas fushatës qendrore. Ai do të duhej të dilte para qytetarëve të zonës së vet, të dëgjonte hallet e tyre, të njihte rrugët, shkollat, spitalet, bujqit, të rinjtë, mërgimtarët, familjet dhe problemet reale të vendit. Demokracia nuk jeton vetëm në studio televizive dhe në seli partiake, por jeton në terren, në lagje, në fshat, në qytet dhe në hallet dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në këtë model, një vend të veçantë duhet ta ketë edhe diaspora shqiptare dhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Mërgata jonë nuk është thjesht burim remitencash. Ajo është pjesë e gjallë e trupit kombëtar, ekonomik, kulturor dhe politik të Kosovës. Prandaj, mergata duhet të ketë përfaqësim më të qartë, më të dinjitetshëm dhe më institucional. Nuk mjafton që mërgata të kujtohet vetëm gjatë fushatave, vetëm për vota, vetëm për para, vetëm për tubime dhe fotografi. Ajo duhet të ketë zë real në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, çdo reformë zgjedhore duhet të ruajë dhe të garantojë vendet e veçanta për komunitetet joshumicë në Kosovë. Kjo nuk duhet parë si barrë, por si pjesë e arkitekturës demokratike të shtetit. Një shtet i drejtë nuk peshohet vetëm me mënyrën se si e trajton shumicën, por edhe me mënyrën se si e mbron pakicën. Në këtë aspekt, modeli kroat, me një njësi të veçantë për pakicat kombëtare, mund të shërbejë si shembull i dobishëm krahasues, pa u kopjuar verbërisht, por duke u përshtatur me realitetin kushtetues dhe shoqëror të Republikës së Kosovës.
Prandaj, qëndrimi im personal është i qartë, përderisa të mos hapet seriozisht çështja e reformës zgjedhore dhe derisa të mos ndryshohet ligji në drejtim të zonave zgjedhore proporcionale, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës.
Ky abstenim nuk është ikje nga përgjegjësia qytetare. Nuk është indiferencë ndaj shtetit. Nuk është mohim i demokracisë. Përkundrazi, është një formë proteste qytetare, një thirrje për ndryshim dhe një shenjë pakënaqësie ndaj një sistemi që, sipas mendimit tim, nuk e afron sa duhet përfaqësuesin me qytetarin.
Unë si qytetar i Republikës së Kosovës, dua të votoj, por dua të votoj në një sistem ku vota ime ka lidhje më të qartë me vendin tim, me zonën time ku jetoj dhe veproj, me bashkësinë time dhe me përgjegjësinë konkrete të deputetit. Dua të votoj në një sistem ku qytetari nuk është vetëm numër në listat partiake, por pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ndërtimin e përfaqësimit demokratik të shtetit.
Kosovës i duhet një ligj i ri zgjedhor dhe më i drejtë, më përfaqësues, më territorial, më i afërt me qytetarin dhe më i përgjegjshëm ndaj mërgatës. Vetëm atëherë zgjedhjet nacionale do të kenë kuptim më të plotë demokratik. Dhe vetëm atëherë deputeti si deputet do të jetë jo vetëm njeri i partisë, por edhe njeri i zonës së tij zgjedhore, jo vetëm zë i liderit, por zë i qytetarit, dhe jo vetëm pjesë e listës, por bartës i përgjegjësisë publike.
Ndaj edhe deri atëherë, abstenimi im mbetet qëndrim qytetar, moral dhe demokratik, me një heshtje aktive kundër një sistemi që duhet ndryshuar për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Hamburg, më 28 maj 2026.
Sonderfall Albanien…
The Daily Telegraph (1941) / Rrëfimi i dentistit serb, tashmë pronar hoteli në Australi, për Mbretin Zog
Burimi : The Sphere, e shtunë, 8 shtator 1928, faqe n°8

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Maj 2026
“The Daily Telegraph (Sidnej)” ka botuar, të dielën e 13 prillit 1941, në faqen n°7, rrëfimin e veçantë asokohe të një dentisti serb për Mbretin Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Dikur i mbushi dhëmbët Mbretit

Burimi : The Daily Telegraph (Sidnej), e diel, 13 prill 1941, faqe n°7.
Një dentist serb, i cili kuroi Mbretin Zog, mbretin në ekzil të Shqipërisë, në një dhomë hoteli 15 vjet më parë, sot drejton një hotel privat në Sidnej.
Ai është z. Branislav Andrejevitch (që e quan veten z. B. Anderson), menaxher i Hotelit Privat Subway, në rrugën Randle, pranë Stacionit Qendror Hekurudhor.
Në vitin 1926, kur ushtronte profesionin në Beograd, ai u thirr për të vizituar Ahmet Beg Zogun, Presidentin e Republikës Shqiptare, në Tiranë, kryeqytet.
Deri në vitin 1928, Ahmet Beg Zogu nuk ishte shpallur Mbret.
“Në atë kohë pothuajse nuk kishte fare dentistë në Shqipëri”, tha dje z. Andrejevitch.
“E trajtova Zogun për një muaj në dhomën time të hotelit dhe i bëra pesë mbushje prej ari. Ai kishte dhëmbë të mirë.”
- Andrejevitch lindi në Beograd, kryeqytetin jugosllav, dhe u trajnua si dentist në Berlin ;
Babai i tij, një kompozitor serb, u martua me një vajzë nga Sidneji, zonjushën Evelyn Bulley, kur ai bëri një turne në Australi në vitin 1883 me një grup austriak.
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/the-daily-telegraph-1941-rrefimi-i-dentistit-serb-tashme-pronar-hoteli-ne-australi-per-mbretin-zog/.
Prishtina nuk është Venedik, o Përparim Rama!

Florim Zeqa
Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat tjera, përveqse e padrejt dhe denigruese është edhe diskriminuese për qytetarët e Kosovës.
Tarifë antiligjore për gjobitjen e qytetarëve
Vendosja e taksës prej 10 është kufizim i të drejtave të qytetarëve të Kosovës, i cili mund të krijojë efekt ‘domino’ duke i nxitur komunat tjera vendosjen e tarifave për qytetarët e Prishtinës.
Kjo masë ndëshkuese përveqse antiligjore në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë qytetare, kufizim i lëvizjes dhe ndëshkim i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!
Nuk ka bazë ligjore me të cilën Komuna e Prishtinës mund ta vendosë këtë tarifë.
Mund të jetë në rregullore e paparamenduar mirë apo e menduar keq, sikur që ka bërë edhe me “Prishtina Parking” që të mbledhë para, shqiptoi gjoba për qytetarët, apo sikur tarifa për hyrje në QKUK për gjobitjen e familjarëve të pacientëve, tarifa këto që nuk i gjenë në asnjë vend të Bashkimit Evropian, e madje as në rajon!
Një vendim i tillë do të krijonte precedent për komunat tjera dhe do të sillte pasoja zinxhirore.
Nëse krijohet një precedent i tillë, atëherë çdo qytet do të ketë të drejtë të vendosë tarifë. Për çka, do të krijohet një kaos i tërësishëm antiligjor në Republikën e Kosovës!
Kjo përveqse nuk paraqet zgjidhje, është zgjidhje e kundërligjshme. Nuk mundet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama të vendosë me kokën e tij, as ta marrë modelin e Londrës apo të Venedikut ta vendosë në Prishtinë.
Në asnjë vend të rajonit dhe as të Bashkimit Evropian nuk ka praktika të tilla dhe masa reciproke mes qyteteve!
Pra, ky është një veprim i pamenduar mirë që nuk e zgjidhë probleimin e trafikut urban dhe ndërurban, përkundrazi e komplikon akoma më tepër lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Problemet në trafikun urban të Prishtinës nuk zgjidhen me tarifa, por me investime në infrastrukturë dhe organizim më të mirëfillt të qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve.
Ka shumë zgjidhje alternative për evitimin e kaosit urban në kryeqytet, me ndërtimin e parkingjeve të mëdha në periferi të Prishtinës, ku, nga aty qytetarët me transport publik të subvencionuar nga komuna do të shkonin deri në destinacionin e dëshiruar.
Në fund të këtij shkrimi po e ceku edhe një fakt për lexuesit e rreshtave të mësipërm. Siq dihet, Përparim Rama, në fillim të këtij viti kishte paralajmëruar taksën prej 1 euro për të gjitha makinat që vijnë nga komunat e tjera e hyjnë në Prishtinë, mirëpo tani po i duket pak kjo gjobë! Taksën prej 1 euro për makina dëshiron ta bëjë 10 euro, kurse 1 euro për të gjithë personat jorezident që hyjnë në Prishtinë!
Kësaj çmendurie avanturiere, do t’i thoja kështu: “Prishtina nuk është Venedik o Përparim, por as aty nuk ka tarifë diskriminuese siq e ke menduar Ti. Venediku edhe pse vendi më i vizituar në botë, nuk ka tarifë hyrëse për makina dhe as për persona fizik.
Vuçiq, “mirë e ke”, se “vështirësitë e serbëve” që i përmend, është dashur të ishin të tejkaluara tashmë

Gani I. Mehemti
VUÇIQ, MIRË E KE, SE KËTO VËSHTIRËSI QË THUA TI, KA QENË DASHUR TË TEJKALOHEN QË MOTI, APO TË MOS ISHIN FARE
“Serbët në Kosovë po përballen me shumë vështirësi,” (Kosova Sot Online, P / 28 May 2026 – 15:45), – këtë e thot me rastin e marrjes në kontroll të katër pikave të nënstacioneve hekurudhore në komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit nga Kosova. Ai “ka të drejtë këtu” sepse këto nënstacione hekurudhore nuk do duhej të ishin fare nën juridiksionin e Serbisë dhe vetëm të serbëve të veriut të Kosovës. Ai e shpreh mllefin e tij në mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e lidhur me mosadashjen nga ndërkombëtareët, dhe shton “Po të donin do t’i detyronin ta formonin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe nuk do t’i kishim këto probleme.
Përse me Asociacionin nuk do të ishin këto probleme? Do të bënin si të donin edhe brenda kufijve të Kosovës me Asiciacionin? Jooo, more nuk do të ndodhte kjo. E, nëse kështu mendon Vuçiqi, atëhere vërtet nuk do të duhej të formohet fare. Apo, përmes Asociacionit, Vuçiq mendon se do ta marrë veriun e Kosovës!
Nëse vërtet mendon kështu, atëhere, mirë që nuk është foremuar dhe unë do të kërkoja nga Kuvendi i Kosvës të anulohet themelimi i një Asociacioni të tillë, që vepron kundër interesave shtetërore të Republikës së Kosovës.
“Ata nuk e kanë dashur këtë, por kanë dashur nxitjen e tensioneve dhe përndjekjen e popullit serb.” – është shprehur më nga fundi Vuçiqi. Vërtet nuk kanë dashur, sepse është zbuluar qëllimi i një Asociacioni të tillë. Për çka nuk duhet të formohet fare, tani, kur dalin në fushë qëllimet tuaja përmes këtij asociacioni.
Vuçiq, ne e dimë se ti do doje destabilizimin e veriut të Kosovës, për të «arsyetuar» ndërhyrja jote ushtarake në pushtimin e saj. Qëllimi dhe dëshira jote janë të njohura edhe nga ndërkombëtarët, prandaj edhe ata janë këtu.
Ke të drejtë ankese se çdo veprim kriminal, çdo zyrë, çdo institucion paralel i formuar nga Serbia, ka qenë dashur të shuhet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ose nuk është dashur fare të funksionjonë këto me kohë, që pas vitit 1999, kur Kosova u çlirua me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe nga UÇK. Se, nuk funksionon me institucione serbe në Kosovë shteti. Kosova ka institucionet e veta, siç po e sheh. Dhe ti, që ke pëe synim Kosovën, kjo dihet botërisht. Dhe, ti nuk e ke hallin tek pakica serbe në Kosovë, hallin e ke tek pasuritë e Kosovës, sidomos në veri, sepse ti e di që Kosova është shtet i pavarur.
Po ta kishe hallin e serbëve në Kosovë, ti do i këshilloje të integroheshin ata vetë në organet dhe në institucionet e Republikës së Kosovës, me çka nuk do të përballeshin me “vështirësitë” që thua ti. Por, ti e di se ata janë minoriteti më i privilegjuar në botë, sa nuk e gjen edhe një minoritet tjetër me kaq shumë të drejta, shumë më shumë se shumica në Kosovë.




