Kreu Blog Faqe 144

“Kombi është mbi çdo parti” – Zëri i studentëve shqiptarë për gjuhën dhe dinjitetin kombëtar

0

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë

Në një atmosferë të mbushur me emocion, krenari dhe vendosmëri kombëtare, qindra studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u mblodhën në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në RMV, duke ngritur zërin për të drejtën legjitime të zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Protesta, e zhvilluar pranë ambasadës së Maqedonisë së Veriut, u shndërrua në një manifestim të fuqishëm të solidaritetit mbarë shqiptar dhe të mbrojtjes së identitetit kombëtar.

Studentët deklaruan me vendosmëri se nuk do të ndalen derisa kërkesat e tyre të realizohen plotësisht. Për ta, kjo nuk është thjesht një çështje administrative apo akademike, por një betejë për dinjitetin, gjuhën dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës u theksua se shqiptarët nuk janë të vetëm dhe se mbështetja nga Shqipëria dhe Kosova është një dëshmi e unitetit kombëtar. Një nga studentët kujtoi me shqetësim presionin psikologjik që kishin përjetuar studentët shqiptarë gjatë udhëtimit të tyre në Maqedoninë e Veriut, duke dënuar heshtjen dhe indiferencën e atyre që, sipas tij, për interesa pushteti harruan kauzën kombëtare.

“Një Shqipëri e tërë i ka sytë dhe zemrën te studentët shqiptarë në RMV”, u shpreh ai, duke theksuar se çdo padrejtësi ndaj shqiptarëve prek ndërgjegjen kombëtare të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

Në protestë u dëgjua fuqishëm edhe zëri i të rinjve që kërkuan angazhim dhe përgjegjësi nga brezi i tyre. Një studente u shpreh se heshtja dhe indiferenca janë rrezik për kombin, ndërsa rinia duhet të jetë forca që mbron gjuhën dhe identitetin shqiptar.

“Kombi mbahet gjallë nga ata që nuk heqin dorë prej tij”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve.

Atmosfera mori edhe më shumë emocion me pjesëmarrjen e gazetarit të njohur Marin Mema, i cili mbajti një fjalim të zjarrtë për bashkimin kombëtar. Ai theksoi se interesat politike nuk mund të jenë mbi interesin kombëtar dhe se të rinjtë shqiptarë duhet të jenë gardianët e identitetit dhe historisë së tyre.

“Kombi është mbi çdo parti. Ngjyrat kuqezi janë mbi çdo ngjyrë tjetër”, u shpreh ai, duke shtuar se shqiptarët do të luftojnë çdo ditë për Shqipërinë dhe për çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare.

Mes flamujve kuqezi dhe thirrjeve për drejtësi, studentët përcollën një mesazh të qartë: gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi, por trashëgimi, histori dhe amanet brezash. Ata deklaruan se nuk kërkojnë mëshirë, por respekt dhe barazi për studentët shqiptarë dhe për identitetin e tyre kombëtar.

Kjo protestë dëshmoi edhe një herë se kur preket gjuha dhe dinjiteti kombëtar, shqiptarët dinë të bashkohen përtej kufijve dhe ndasive politike, duke e kthyer zërin e tyre në një forcë që nuk mund të injorohet.

Më 26.05 2026

Protesta për gjuhën shqipe/ Studentët thirrje para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë: Nuk ndalemi deri në përmbushje të kërkesave – Shqiptarja.com

Çbllokimi nga diferencimi ideopolitik

0
Sot, shkolla ku punoj u detyrua të më çbllokojë nga faqja publike e shkollës sime “Dr.Shaban Hashani”, jo si favor, por si një e drejtë që nuk është dashur të cenohej kurrë.
Dikur, në periudhat komuniste, diferencimi politik bëhej duke larguar njerëz nga puna, duke i izoluar apo duke ua mbyllur zërin vetëm pse mendonin ndryshe.
Sot format kanë ndryshuar, por mentaliteti dhe kjo mendësi, sidomos te disa individë që e kanë përjetuar atë periudhë, fatkeqësisht ende mbetet e njëjtë.
Për shkak të një status tim publik, të para du viteve: “Selam alejkum”( https://www.facebook.com/share/p/1D53MySVhq/ ), ku nuk shaja e as nuk fyeja askend, dhe i shpërndarë më vonë edhe nga 73 shpërndarës, ku trajtoja çështjen e laicitetit në institucione dhe apostrofoja (u bëja tag) udhëheqësve të institucioneve shtetërore, komunale e arsimore, liderëve politikë dhe menaxhmentit të shkollës ku punoj, por këtyre të fundit nuk u pëlqeu qëndrimi im ideopolitik i shprehur në faqen time personale në Facebook!?
Si pasojë, më bllokuan në faqen publike të shkollës, duke ma pamundësuar qasjen dhe ndërveprimin aty.
Unë as që e kisha vërejtur këtë bllokadë për vite me radhë, derisa desha të shihja disa aktivitete sportive që kishin të bënin me nxënësit dhe me mua si profesor sporti. Por ishte e pamundur. Aty më shfaqej njoftimi: “Kjo përmbajtje nuk është e disponueshme….” si në (foto).
Më shqetësuese se vetë bllokimi ishte insistimi mospërfillës dhe dhelpërak për muaj të tërë i menaxhmentit të shkollës dhe administruesit të faqes se: “Nuk je i bllokuar, ke ndonjë problem teknik dhe s’kemi çfarë të bëjmë…..”, edhe pse realiteti dhe faktet e shkencës së informatikës që ju ofroja dëshmonin të kundërtën.
Unë besoj se ka kaluar koha e diferencimeve ideopolitike. Demokracia nuk mbrohet duke heshtur apo shtypur mendimin ndryshe, por duke u përballur me argumente. Liria e shprehjes nuk vlen vetëm për ata që pajtohen me ne, por sidomos për ata që kanë guximin të mendojnë dhe të shprehen ndryshe e publikisht.
Pas shumë insistimeve të mia dhe denoncimeve në DKA, sot ajo bllokadë u hoq. Jo si favor, por si një e drejtë që nuk është dashur të cenohej kurrë.
Dua t’ua kujtoj individëve me mendësi të epokës së kaluar se demokracia dhe liria e shprehjes janë vlera që u përkasin të gjithëve. Ato sot nuk mund të shtypen e as të bllokohen.
Ia vlejti të luftohej për këtë. Sidomos për ndjenjën e drejtësisë kur i sheh ata që tentuan ta bllokojnë fjalën e lirë, të dorëzuar, kokëulur para rregullave të demokracisë dhe të drejtës për t’u shprehur lirshëm.
Rrnoftë liria e shprehjes!

Gëzim Hajrullahu njofton për shpërndarjen e dhuratave politike-islamike për nxënësit në SHMU ”Hajrız Muhadini” Dremjak të Ferizajit

1
NJOFTIM per kujdestarin e dites dhe drejtorin e shkolles SHMU”Hajrız Muhadini” Dremjak
Une ars.Gezim Hajrullahu deklaroj se nuk e perfilli riorganizimin e mesimit me orar te reduktuar te orarit te rregullt te rendit te zakonshem laik te shkolles me qellim te subordinimit ne raport me normen fetare-islamike te sheriatit,edhe kur kjo nuk guxon te afishohet ne njoftimin zyrtar duke qene ne dijeni te shkeljes se rendit kushtetues,ligjor e administrativ laik,por duke u kamufluar me heshtje ose me justifikim qe konsistion ne frazen e thjeshte “riorganizim” pa motivin e vertet e qe si ne rastet tjera dhe ne rastin e sotem te dates 26.05.2026 e qe lidhet me Bajramin e Vogel,që sipas kalendarit zyrtar eshte dite pushimi(neser me date 27.05.2026),por qe nuk nenkupton asnje riorganizim tjeter qofte para apo pas dites se pushimit
PS:siç mësova,sot,drejtori i shkollës Z.Kushtrim Avdija bashkë me mësueset kishin organizuar shkuarjen e nxënësve në xhami për të marrë dhurata nga hoxha,siç kishin bërë edhe në muajin mars në vigjilie të “bajramit” kur drejtori asokohe e kishte sjellur hoxhën në ambiente të shkollës me ç’rast kishte shpërndarë “dhurata” ideolgjike islamike.
Me respekt !
Gezim Hajrullahu
Date 26.05 2026
Dremjak

150 euro pension për ata që nuk iu nënshtruan Serbisë!

1
Ky është turpi më i madh institucional që i është bërë gjeneratës që mbajti gjallë Kosovën gjatë viteve të okupimit serb.
Ligji aktual për pensionet ua njeh pensionin e plotë kontributdhënës vetëm atyre që punuan deri në vitin 1999 në sistemin e pushtuesit serb, ndërsa mijëra shqiptarë që u larguan nga puna sepse refuzuan nënshtrimin ndaj regjimit të Millosheviqit, sot trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Mësuesit e sistemit paralel.
Punëtorët e shëndetësisë paralele, Veprimtarët e Këshillit të Arsimit, Këshillit të Financimit dhe institucioneve tjera që mbajtën gjallë shtetin paralel shqiptar, nuk ju njihet e drejta për pensionin kontributdhënës.
Ata që sakrifikuan pagat, vendet e punës dhe sigurinë familjare për ta mbrojtur identitetin kombëtar, tani janë të detyruar të kënaqen me pensionin bazik që ju takon të gjithë atyre që nuk e kan as edhe një ditë pune.
Sot, këta njerëz që bartën barrën e mbajtjes gjallë të arsimit, shëndetsisë e të shërbimeve tjera shpërblehen me një “pension bazë” prej vetëm 150 eurosh!
Ky nuk është vetëm diskriminim social. Ky është poshtërim historik dhe fyerje kombëtare ndaj njerëzve që i rezistuan apartheidit serb dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë që sot e gëzojmë.
Faji nuk bie vetëm mbi qeverinë aktuale. Përgjegjësia është e të gjitha qeverive të pasluftës që krijuan, miratuan dhe e mbajtën në fuqi një ligj të padrejtë, diskriminues dhe thellësisht amoral.
Por qeveria aktuale mban një përgjegjësi edhe më të madhe, sepse pas kaq vitesh në pushtet vazhdon të heshtë dhe nuk e amendamenton këtë padrejtësi ligjore. Është hipokrizi të flasësh çdo ditë për patriotizëm, rezistencë dhe dinjitet kombëtar, ndërkohë që njerëzit që mbajtën gjallë Kosovën në vitet më të errëta i lë të jetojnë me 150 euro në muaj.
Kjo qeveri flet për drejtësi sociale, por drejtësia nuk fillon me propagandë e konferenca për media. Drejtësia fillon duke ua kthyer dinjitetin atyre që sakrifikuan jetën dhe ekzistencën e tyre për këtë shtet.
Edhe pensionet e invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së vazhdojnë të trajtohen me përçmim institucional. Kategoritë më të sakrifikuara të këtij populli po mbahen në kufijtë e mbijetesës, ndërsa pushtetarët jetojnë me privilegje, luks dhe paga marramendëse.
Një shtet që nuk i respekton njerëzit e sakrificës, është një shtet që po humb kujtesën, moralin dhe dinjitetin e vet kombëtar.

Kosova ka nevojë për qetësi politike dhe përkrahje strategjike, jo për spektakle mediatike

0
“Uncle Sam”…
Në kontekstin aktual të zhvillimeve politike dhe diplomatike, Kosova nuk ka luksin të devijojë nga angazhimi institucional dhe qasja serioze ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Ajo që i duhet vendit sot nuk janë spektaklet mediatike apo konfrontimet e panevojshme publike, por qartësi politike, vendimmarrje strategjike dhe bashkërendim i brendshëm.
Mosmarrëveshjet e natyrshme ndërmjet subjekteve politike apo me partnerët ndërkombëtarë duhet të trajtohen brenda kornizës institucionale. Rrjedhja apo ekspozimi publik i bisedave konfidenciale përmes “barkçitjeve” politike është një akt i papërgjegjshëm që vetëm sa i dobëson pozicionet shtetërore të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo praktikë është e hidhur dhe e kobshme për interesin tonë kombëtar.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kujtohet roli jetik që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës. Historia e “Uncle Sam”, e lidhur me Samuel Wilson – furnizuesin e ushtrisë amerikane gjatë Luftës së 1812 – nuk është vetëm një tregim simbolik për kulturën amerikane. Ajo është metafora më përfaqësuese e përkrahjes së SHBA-së për lirinë dhe vetëvendosjen e popujve.
Që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, deri te shpallja e pavarësisë më 2008, shqiptarët dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më afër realizimit të aspiratave të tyre historike për një shtet të lirë, demokratik dhe të pranuar ndërkombëtarisht. Por ky projekt madhor nuk është i përfunduar. Ai kërkon konsolidim të brendshëm dhe vazhdimësi të përkrahjes ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-ja.
Portreti legjendar “I WANT YOU” i James Montgomery Flagg, i përdorur për të mobilizuar rekrutët amerikanë në Luftën e Parë Botërore, është më aktual se kurrë: ai përfaqëson një thirrje për përkushtim, përgjegjësi dhe veprim në mbrojtje të vlerave demokratike. Sot, Kosova ka nevojë për këtë lloj vetëdijeje.
Në vend të përplasjeve të kota, na duhet që liderët tanë të rreshtohen me interesin shtetëror, të ruajnë marrëdhëniet strategjike dhe të veprojnë me urtësi. Sepse për ta përmbyllur projektin tonë kombëtar dhe për të arritur njohjen e plotë ndërkombëtare, përkrahja e “Uncle Sam” nuk është një mundësi – por një domosdoshmëri.

“Kurbani” në ekranet tona, therje masive mesjetare, përballë syve të fëmijëve!

0
“Kurbani në ekranet tona: Therje mesjetare përballë syve të fëmijëve”

Shoqëritë moderne nuk ndërtohen mbi frikë, rituale të dhunshme dhe tregime mesjetare të transmetuara në orët e mëngjesit para fëmijëve. Ndërtohen mbi edukim, shkencë, etikë dhe përgjegjësi publike.

Prandaj është shqetësuese kur televizione kombëtare u japin hapësirë predikuesve fetarë që flasin me detaje për prerjen e kafshëve, kurbanin, gjakun, “sakrificën për Zotin” dhe tregime primitive që mund të traumatizojnë fëmijët që i ndjekin këto programe para se të shkojnë në shkollë.

Një fëmijë 6 vjeçar nuk ka pse të zgjohet në mëngjes duke dëgjuar sesi “duhet prerë delja”, “si bëhet kurbani”, apo tregime absurde që lidhen me incestin e njerëzve të parë, vetëm sepse dikush pretendon se këto janë “të shenjta”. Kjo nuk është edukim shpirtëror. Kjo është ngarkesë psikologjike dhe normalizim i një mentaliteti mesjetar në shekullin XXI.

Problemi nuk janë vetëm hoxhallarët që predikojnë këto narrativa. Problemi më i madh janë televizionet që, për klikime, audiencë apo interesa të caktuara, ua hapin mikrofonin njerëzve që flasin pa asnjë filtër pedagogjik, etik apo psikologjik.

Media ka përgjegjësi publike. Nuk mjafton të thuash “kjo është fe”. Edhe feja duhet të ketë kufij kur hyn në hapësirën publike, sidomos në ekranet ku ndodhen fëmijë.

Shoqëritë postmoderne sot diskutojnë inteligjencën artificiale, shkencën, shëndetin mendor, teknologjinë, edukimin dhe të drejtat e njeriut. Ndërsa tek ne ende harxhohen orë televizive duke folur për mënyrën si “duhet therur kafsha për hir të Zotit”.

Kjo tregon krizë kulturore dhe intelektuale.

Feja duhet të mbetet çështje personale dhe shpirtërore, jo propagandë emocionale e përditshme në televizione kombëtare. Sepse kur predikimi fetar fillon të ushqejë frikë, faj, indoktrinim dhe prapambetje kulturore, atëherë ai nuk po i shërben më njeriut — por po e mban peng mendjen e tij.

Dhe po, televizioneve duhet t’u kërkohet përgjegjësi. Jo çdo gjë që quhet “traditë” apo “besim” duhet transmetuar pa kriter, pa paralajmërim dhe pa menduar për ndikimin tek fëmijët dhe rinia.

Një shoqëri që ua dorëzon edukimin emocional të fëmijëve predikuesve të fanatizmit, rrezikon të humbë të ardhmen e saj.

Vizita e Kongresistëve Amerikanë në Luginën e Preshevës, pritet të konstatojë diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve etnikë 

0
Mr.Sc.Refik Hasani, Preshevë
Paralajmërimi, për sot më 26 maj 2026, fillimi i një vizite zyrtare në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc, nga Kongresistët amerikan Keith SELF dhe Suhas SUBRAMANYAM, është e një rëndësie të veçantë.
Kujtoj se nga Kongresmeni amerikan Keith SELF, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë i cili më 21 janar 2026, në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-s, inicoi duke prezentuar Rezolutën me numër H.R. 6411, dhe për raportim vizita është e një rëndësie të posaqme, që edhe të miratohet Rezoluta në fjalë mbrenda afatit të rregull 6 mujor të kētij viti.
Është për të përshëndetur vizitën që do të realizohet në Krahinën e Preshevës, Medvegjës, dhe Bujanocit, mirënjohës edhe Kongresmenëve tjerë si Demokratik dhe Republikan, por edhe komunitetit shqiptaro-Amerikanë në angazhimin dhe kontributin ku përmes avokimit, lobimit të vazhdueshëm, takimeve dhe adresimeve me fakte, prova e dëshmi të bollshme.
Uroj se pas realizimit të kësaj vizite nga Kongresistët amerikan të konstatojn plotësisht, me fakte, dëshmi e prova se kemi, moszbatim gati plotësisht ku Serbia nuk zbaton marrëveshjen e Konçulit të arritur më 20 maj 2001, dhe marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të këtij Rajoni në vitet 2009, 2013 dhe 2022.
Kurse përfaqësuesit politikë shqiptarë, bashkarisht të paraqesin dhe të denojn me një zë të unifikuar, ndaljen nga praktika e mospërfaqësimit proporcional i shqiptarëve në strukturat shtetërore, por edhe ndaljen e menjëhershme të ballafaqimeve e përballjeve nga praktikat margjinalizuese-diskriminuese, u jan pasivizuar adresat nga rexhistrat civil-jan pasivizuar në kuptimin administrativ, duke i humbur të gjithë të drejtat.
Kjo vizitë duhet të shërbejë si mundësi që përfaqësuesit politikë shqiptarë të paraqiten me një PLATFORMË TË PËRBASHKËT dhe me qëndrime të unifikuara, duke argumentuar me fakte dhe dëshmi mbi diskriminimin sistematik që vazhdon ndaj shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës.
Kjo vizitë fletë më së miri se kjo Krahinë i përket Evropës, dhe nuk është çështje e brendshme e Serbisë, dhe nuk e ka të zgjidhur statusin Politik dhe Juridik, andaj edhe kërkon zgjidhje të drejtë, të pranueshme me ndërmjetësim dhe garanci të faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtarë.
Vetëm përmes unitetit politik dhe institucional mund të avancohen kërkesat legjitime për barazi, siguri, identitet, dinjitet dhe zgjidhje të drejtë Politike e Juridike për këtë Krahinë shqiptare.
Më 26 maj 2026

Vizita e Sekretarit Amerikan të shtetit, Marco Rubio në Kalkutë si mesazh i humanizmit amerikan dhe fuqisë universale të figurës shqiptare të Nënë Terezës

Nga Frank Shkreli

  • SHËN NËNË TEREZA DHE DIPLOMACIA E VLERAVE

Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio në Shtëpinë e Misionareve të Bamirësisë të themeluar nga Nënë Tereza në Kalkuta gjatë turneut të tij zyrtar katërditor në Indi nuk ishte thjesht një ndalesë protokollare apo një akt formal respekti fetar. -Frank Shkreli/ Një yll i ri i partisë Republikane në SHBA? | Gazeta Telegraf –Ajo ishte një ngjarje me simbolikë të thellë politike, diplomatike dhe morale, e cila tregoi se në politikën ndërkombëtare të shekullit XXI vazhdon të ekzistojë një vend i rëndësishëm për figurat universale të humanizmit dhe për diplomacinë e vlerave.

Në kohën kur marrëdhëniet ndërkombëtare dominohen nga rivalitetet gjeopolitike, luftërat ekonomike, tensionet ushtarake dhe përplasjet strategjike mes fuqive të mëdha, zgjedhja e diplomatit më të lartë amerikan për të vizituar vendin ku ka jetuar dhe shërbyer Nënë Tereza kishte një mesazh të qartë: Amerika kërkon të projektojë në botë, jo vetëm fuqinë e saj politike dhe ushtarake, por edhe dimensionin moral dhe human të lidershipit global.

Nënë Tereza mbetet një nga figurat më të mëdha morale të kohës moderne. E lindur si Gonxhe Bojaxhiu në një familje shqiptare, ajo u shndërrua në simbol universal të dhembshurisë njerëzore. Misioni i saj në Kalkutë, mes më të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve, krijoi një trashëgimi morale që kapërceu kufijtë kombëtarë, fetarë dhe ideologjikë. Ajo nuk ishte vetëm një murgeshë katolike; ajo u bë një ndërgjegje morale globale.  Pikërisht kjo e bën figurën e saj jashtëzakonisht të rëndësishme edhe për diplomacinë moderne. Kur Rubio bëri homazhe pranë varrit të Nënë Terezës dhe takoi motrat e Misionareve të Bamirësisë, ai nuk po nderonte vetëm një figurë fetare. Ai po lidhej simbolikisht me një trashëgimi universale të humanizmit, sakrificës dhe shërbimit ndaj njeriut.  Në thelb, kjo vizitë ishte një shembull i asaj që quhet “soft power” — fuqia e ndikimit përmes kulturës, moralit dhe vlerave njerëzore. SHBA-të e kuptojnë se partneriteti strategjik me Indinë nuk mund të mbështetet vetëm në marrëveshje ushtarake, tregti apo teknologji. Aleancat afatgjata ndërtohen edhe mbi respektin kulturor, ndjeshmërinë historike dhe simbolikën morale.

India sot është një nga partnerët më të rëndësishëm të Amerikës në Indo-Paqësor, sidomos përballë rritjes së ndikimit kinez. Por diplomacia amerikane kërkon që marrëdhëniet me Nju Delhin të mos perceptohen vetëm si aleancë kundër Kinës. Për këtë arsye, vizita në shtëpinë e Nënë Terezës krijoi një dimension njerëzor dhe emocional të turneut diplomatik të Rubios.  Fakti që vizita ndodhi në Kalkutë kishte gjithashtu rëndësi të veçantë. Ky qytet mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me misionin historik të Nënë Terezës dhe me kujtesën morale të shërbimit të saj ndaj më të varfërve. Z. Rubio doli përtej itinerarit tradicional diplomatik të kufizuar në kryeqytete politike dhe tregoi vëmendje ndaj dimensionit shpirtëror e social të Indisë moderne.

Për vetë Marco Rubion, kjo vizitë ndihmon në formësimin e profilit të tij si Sekretar Shteti. Gjatë karrierës së tij politike ai është identifikuar me mbrojtjen e lirisë fetare, të drejtave të njeriut dhe rolit moral të Amerikës në botë. Frank Shkreli: Senatori Republikan antikomunist Marco Rubio në krye të Diplomacisë Amerikane? | Gazeta Telegraf.  Nderimi ndaj Nënë Terezës përforcoi pikërisht këtë identitet politik dhe diplomatik.  Frank Shkreli: Marco Rubio, kryediplomati i ri i Shteteve të Bashkuara | Gazeta Telegraf

Por kjo ngjarje ka një domethënie të veçantë edhe për shqiptarët. Nënë Tereza është figura shqiptare më universale e shekullit XX dhe një nga emrat më të njohur në historinë moderne të njerëzimit. Origjina e saj shqiptare i jep Kombit shqiptar një vend të veçantë në hartën morale të botës. Çdo homazh ndërkombëtar ndaj saj është njëkohësisht edhe njohje e trashëgimisë shpirtërore shqiptare.

Në një kohë kur kombet e vogla shpesh luftojnë për dukshmëri në arenën globale, figura e Nënë Terezës vazhdon të mbetet dëshmia më e fuqishme, se ndikimi i një kombi nuk matet vetëm me territorin, ekonominë apo fuqinë ushtarake, por edhe me kontributin moral që ai i jep njerëzimit.

Prandaj vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës nuk ishte rastësi. Ishte një akt i menduar diplomatik, një mesazh politik dhe një njohje e fuqisë universale të humanizmit që përfaqëson figura e saj.  Kjo vizitë rikujtoi një të vërtetë që politika botërore shpesh harron: fuqia më e qëndrueshme nuk është vetëm ajo e armëve apo ekonomisë, por ajo e vlerave njerëzore. Dhe në këtë dimension, figura e Nënë Terezës vazhdon të mbetet një nga zërat më të fuqishëm moralë të historisë moderne — një figurë shqiptare që i përket tashmë gjithë njerëzimit.

Për më tepër, vizita e Kryediplomatit amerikan, Marco Rubios në Shtëpinë e Misionareve të Bamirësisë të Nënë Terezes në Kalkutë, mund të konsiderohet vërtet një moment i jashtëzakonshëm për diplomacinë amerikane, jo sepse ishte një akt politik klasik, por pikërisht sepse kapërceu kufijtë e diplomacisë tradicionale dhe hyri në territorin e simbolikës morale globale.  Në diplomacinë e fuqive të mëdha, sidomos të Shteteve të Bashkuara, çdo gjest publik i Sekretarit të Shtetit është i kalkuluar me kujdes. Zakonisht, vizitat zyrtare përqendrohen tek takimet me liderë politikë, marrëveshjet ekonomike, çështjet ushtarake dhe interesat strategjike. Por Rubio zgjodhi të fillojë një pjesë të rëndësishme të vizitës së tij në Indi jo në një institucion shtetëror, por në një vend të lidhur me dhembshurinë, varfërinë dhe humanizmin universal. Kjo e bën vizitën të pazakontë dhe jashtëzakonisht, domethënëse.  Në fakt, janë shumë të rralla rastet kur diplomacia amerikane i jep kaq shumë peshë simbolike një figure morale dhe humanitare gjatë një misioni strategjik në Azi. Kjo tregon se Uashingtoni e kupton se, siç thashe më lartë,  fuqia globale nuk ndërtohet vetëm mbi ushtri, ekonomi dhe teknologji, por edhe mbi autoritetin moral dhe aftësinë për të komunikuar vlera universale.  Vizita ishte gjithashtu e domethënse sepse ndodhi në një moment kur bota po kalon polarizime të forta gjeopolitike. Në një klimë ndërkombëtare të mbushur me luftëra, rivalitete mes fuqive të mëdha dhe tensione ideologjike, ndalesa në shtëpinë e Nënë Terezës krijoi një kontrast të fortë simbolik: mes logjikës së fuqisë dhe logjikës së humanizmit.

Vizita ishte po ashtu e jashtëzakonshme për shkak të figurës së vetë Nënë Terezës. Ajo nuk është thjesht një figurë fetare. Po ajo është edhe një simbol global i ndërgjegjes njerëzore. Edhe për shqiptarët, kjo e bën ngjarjen edhe më të rëndësishme. Nuk ndodh shpesh që figura më e lartë diplomatike e SHBA-ve të nderojë në mënyrë kaq të dukshme një personalitet me origjinë shqiptare gjatë një vizite ndërkombëtare me rëndësi strategjike. Kjo përforcon edhe njëherë, statusin unik të Nënë Terezës si figura shqiptare me ndikimin më të madh moral në historinë moderne botërore.

Në përfundim – edhe njëherë, në një kuptim më të thellë, pra, kjo vizitë tregoi se edhe në epokën e superfuqive, teknologjisë dhe rivaliteteve globale, diplomacia vazhdon të ketë nevojë për figura që mishërojnë ndërgjegjen morale të njerëzimit, siç është Shën Nënë Tereza shqiptare. Dhe pikërisht këtu qëndron jashtëzakonshmëria e asaj vizite se Amerika, përmes diplomatit të saj më të lartë, zgjodhi të flasë me gjuhën e humanizmit përpara se të fliste me gjuhën e strategjisë politike të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë – qershor, 1985 duke i dorëzuar Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë. Presidenti Reagan: “Nënë Tereza është një heroinë e kohëve tona. Kështuqë, përveç shumë nderimeve dhe dekoratave, që i janë dhënë asaj, përfshirë Çmimin Niobel për Paqë, me dashuri të madhe dhe me respekt të pafund, i dorëzojmë Nënë Terezës, “Medaljen Presidenciale të Lirisë.”

Ish-ministri Leonard Foto Solis nuk është grek, por është shqiptar 24 karat nga Çamëria

0
Leonard Foto Solis ish -ministër i shëndetësisë dhe ish -deputet nuk është grek apo minoritar, ai është shqiptar 24 karat nga Çamëria dhe familja e tij është përzënë me dhunë nga fshati i tij në Çamëri.
Babai i Leonardit quhet Foto dhe ka lindur në fshatin Koqinista-Κοκκινια të Filatit. Kur Foto Solis, babai i Leonardit erdhi në Shqipëri pas viteve 1935 ai u deklarua me kombësi shqiptare sepse u përzu nga vendlindja nga grekët. Por se si u bë grek Leonardi kur babai edhe nëna e tij janë me kombësi shqiptare e di vetë ai. Ja kështu është rritur pakica greke në Shqipëri për interesa ekonomike, pak me dhunë, pak presion, etj. E lus Leonard Solis të promovojë me fakte të kundërtët e kësaj që kam shkruar. Unë disponojë faktet edhe nga bashkia e Filatit që Foto Solis ishte me kombësi shqiptare. (Ne faktet i nxjerrim për të vërtetuar asmilimin e shqiptarëve dhe jo për të dëmtuar imazhin e njerëzve)

Vuniqi pyet se cili fshat, i pari në Kosovë u çlirua nga UÇK-ja, që ta festojmë bashkarisht atë ditë

0
Akoma nuk kam arritur te kuptoj deri me sot cili fshat, i pari ne Kosove u clirua nga UÇK-ja, qe ta festojme bashkarisht atë dite, të gjithe ne, çdo familje, t’i gezohemi zyrtarisht atij akt festiv të çlirimit, dhe te dihet ku u ngulit ai flamur lirie, dhe kush e ngriti. Sigurisht mbani ne mend masakren e Rahovecit, pas lnj. te leshuara… Historia shkruhet me deshmi, fakte, data. Pse deri me tash nuk është shkruar monografiia e UÇK-se, Fatkeqesisht shume authore pjesemarres jane duke u penduar për librat e tyre autorial, dhe me gojen e tyre thone se kane ekzagjeruar ngjarje, bile nga po ato libra prokuroria ka prodhuar fakte për te ngritur aktakuzen. Dhe perfundimisht pse ne radhet e mbrojtseve nuk ka asnje avoket zyrtare shqiptare, por pothuajse nga te gjithe perkthyesit asnje nuk eshte shqiptar nga Kosova, sepse ata nuk ju besojne avoketerve shqiptare, për te mos kuptuar shqiptaret prapaskenat e ngjarjeve se vertete cka po ndodhe. Dua ta perfundoj, nga vendimet qe do te merr GjS, do te shkruhet historia zyrtare e luftes dhe UÇK-se. Shpresoj te jete vendimi i GJS shfajesues dhe te hedhen poshte akuzat.